Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Tiranë, po përgatiteshin për gjakmarrje, arrestohen 4 persona me silenciator” plus 9 more Gazeta SHQIP

loading...

“Tiranë, po përgatiteshin për gjakmarrje, arrestohen 4 persona me silenciator” plus 9 more Gazeta SHQIP


Tiranë, po përgatiteshin për gjakmarrje, arrestohen 4 persona me silenciator

Posted: 13 Nov 2016 02:43 AM PST

policia ne rruget e TiranesPolicia e Tiranës ka mundur të shmangë një vrasje, duke vënë në pranga 4 persona. Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit Edmond Marku, Klodian Koca, Artur Shehu dhe  Blindim Isa.

Këta persona janë arrestuar në flagrancë teksa përgatisnin një armë me silenciator, të cilën dyshohet se do ta përdornin për të vrarë një person për hakmarrje…

13 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

“Ora e duhur” për të bërë gjithçka

Posted: 13 Nov 2016 02:02 AM PST

behu i zgjuarÇdo veprim i bërë në një moment të saktë mund të kursejë ose pakësojë efektet anësore të një zgjedhjeje. Në një bestseller amerikan janë shkruar këshillat që duhet të ndiqen. Qëllimi? Koha të mos çohet dëm.

Edhe në Bibël shkruhet që ka një kohë për të lindur dhe një për të vdekur. Por a nuk do të ishte më mirë sikur ta përcaktonim kohën për të prerë një pemë për shembull, për t'u regjistruar në palestër, për të marrë një apartament me qira, apo thjesht për të blerë një palë çorape të reja? Tashmë dihet që koha është flori dhe nuk duhet çuar dëm. Edhe sot, në epokën e zhvillimit të teknologjisë, çdo gjë kërkon kohën e vet: hapja e "Facebook"-ut, vajtja në punë, dalja me miqtë, marrja me gjërat personale, kujdesi për veten, etj. Të fiksuar pas rrjeteve sociale, shumë njerëz e kanë të vështirë të mos informohen mbi të rejat e fundit që ndodhin aty. Për këtë arsye, qëndrojnë gjithë ditën në "Facebook" dhe "Twitter", por nuk e kuptojnë se kështu humbasin shumë kohë. Sipas këshillave të një bestselleri amerikan, orari më i mirë për të frekuentuar rrjetet sociale është ora 7:00 e mëngjesit, ora 5:00 e pasdites dhe në mbrëmje pas orës 10:00: konkretisht para se njerëzit të lëvizin për të shkuar në punë, para se të largohen nga puna dhe para se të bien në gjumë.

Gjithçka është çështje kimike. Në darkë presioni i gjakut dhe rrahjet e zemrës zvogëlohen. Në këtë mënyrë ulet tensioni dhe rreziku për ndonjë atak kardiak është më i vogël. Sipas "American Heart Association", në qoftë se ka një kohë për infarktet është pikërisht mëngjesi. Më të rrezikshme janë tri orët e para pas zgjimit, por një e treta e infarkteve mund të ndodhin edhe gjatë gjashtë orëve të para pas zgjimit. Një minutazh kaq të saktë "American Heart Association" ua këshillon në veçanti punëdhënësve që të mos ua komunikojnë vartësve vendimin e pushimit nga puna para orës 10:00 të mëngjesit.

Këshillat mund t'ju duken qesharake, por këto dhe disa të tjera janë marrë nga një zotëri, Mark Di Vincenzo, i cili prej shumë vitesh ka punuar si gazetar dhe ka shkruar një libër që u klasifikua te bestsellerët e "New York Times". Suksesi i librit "Të blesh keçap në maj dhe të fluturosh në mesditë", u shit aq shpejt saqë ai publikoi edhe një libër tjetër, që titullohet "Të blesh këpucët të mërkurën dhe të çatosh në orën 4". Ju do të pyesni pse këpucët blihen të mërkurën? Sepse statistikat na tregojnë se është dita më e përshtatshme e javës për të bërë blerje. Të hënën, për shembull, është dita ideale që meshkujt të blejnë këpucë për vete, sepse sipas sondazheve të bëra kushtojnë gjysmë për gjysmë. E marta është dita e çorapeve dhe e mbathjeve, sërish për meshkuj, e mërkura është dita e blerjes së këpucëve dhe e rrobave për fëmijë (sepse kushtojnë 40% më pak), e enjtja është dita e blerjes së çantave për gra (36% më pak), e premtja është dita e bizhuterive, rripave, shalleve (42% më pak), e shtuna është dita e xhaketave dhe xhupave (51% më pak), ndërsa e diela është dita e kostumeve të banjës (52% më pak).

Po regjistrimi në palestër, në ç'ditë duhet bërë? Në verë: ata që janë regjistruar në fillim të vitit, kur është gjithmonë edhe fluksi i ofertave të mira, nuk kanë pse të shqetësohen, por të ndjekin të njëjtin parim. Për të tjerët që kanë ndërmend të ndërrojnë shtëpi, për shembull, koha më e mirë për të paguar më pak qira është dhjetori: në dimër, për shkak të klimës, lëvizja është më e vështirë dhe çmimet bien. Kështu që mos humbisni rastin, por fiksojini në tru këto këshilla dhe kur të jetë momenti i duhur, vërini në zbatim.

Koha e duhur

Ora 11:00 dhe 14:00

Studimet e fundit tregojnë se është më e shëndetshme të konsumohen dy vakte të vogla (nga 300 kalori) në orën 11:00 dhe në 14:00

Mes orës 5:00 dhe 9:00

Nëse jetoni në një lagje të keqe, tërhiqini paratë në bankomat. Nga ora 5:00 deri në 9:00 është momenti ku verifikohen më pak vjedhje

Ora 16:00

Është koha e duhur për të çatuar

Pas orës 17:00

Mund t'i jepni fund një lidhjeje sentimentale, sipas ekspertëve, pasdite presioni i gjakut dhe rrahjet e zemrës janë më të ulëta dhe ka më pak gjasa që të ndodhë ndonjë atak kardiak

Ora 18:00

Bëni një intervistë pune. Sipas statistikave, kandidatët e parë që intervistohen merren në 17% të rasteve në punë. Kandidatët e fundit u bëjnë më shumë përshtypje intervistuesve dhe merren në punë 55% të rasteve

13 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Ndaj Izraelit, humbja më e thellë e De Biasit

Posted: 13 Nov 2016 02:02 AM PST

izraelNjë moment për të rikuperuar forcat, për të reflektuar dhe për të provuar ringritjen. Kjo pavarësisht paraqitjes aspak të mirë ndaj Izraelit, rezervave për gjykimin dhe rezultatit 3-0, që është humbja më e thellë e Gianni De Biasit në 5 vitet që trajneri drejton stolin e Kombëtares.

Në 46 ndeshjet që ka udhëhequr kuqezinjtë, prej debutimit të 29 Shkurtit 2012 në miqësoren me Gjeorgjinë, tekniku italo-shqiptar ishte kujdesur që skuadra të rreshtohej në fushë për të pësuar sa më pak gola.

Në 17 humbjet e pësuara në total gjatë kësaj periudhe, Kombëtarja nuk ishte mposhtur asnjëherë me këtë diferencë golash. Madje as përballë gjigandëve europianë si Italia, Franca, Portugalia apo Zvicra e Austria.

E vetmja ndeshje në të cilën Shqipëria e De Biasit ka pësuar 3 gola, ishte miqësorja e humbur 3-1 përballë Ukrainës, më 3 Qershor 2016, sfidë përgatitore përpara pjesëmarrjes historike në Kampionatin Europian.

Përpara emërimit të teknikut 60-vjeçar, Shqipëria ishte mposhtur 3-0 nga Franca dhe 4-0 nga Argjentina në ndeshjet e vitit 2011. Në historikun e përballjeve ndërkombëtare janë edhe humbjet 4-1 nga Suedia dhe 3-0 përballë Danimarkës në vitin 2009.

Por, për një humbje me shifrat të tilla në shtëpi duhet të kthehemi 20 vjet mbrapa në kohë, kur më 9 Tetor 1996 kuqezinjtë mposhteshin 0-3 nga Portugalia e Luis Figos dhe Rui Costa-s.

Në futboll, sportin që të ngre në qiell dhe në momentet e shpërqendrimit të zbret vrullshëm në një realitet që ndoshta nuk e meriton, humbjet si ajo e Shqipërisë me Izraelin duhet të shërbejnë si një pikënisje e re.

13 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Ishte shpallur në kërkim nga Interpol Zagrebi, arrestohet në Morinë 27-vjeçari kosovar

Posted: 13 Nov 2016 02:00 AM PST

morinePolicia kufitare e Morinës ka vënë në pranga një shtetas kosovar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas policisë së Kukësit, Mustafa Kodra 27-vjeç banues në fshatin Leshan në Kosovë u arrestua pasi gjatë regjistrimit në hyrje të stacionit PKM Morinë-Kukës, rezultoi shtetas ''i shpallur në kërkim ndërkombëtar''.

27-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga Interpol Zagrebi,  Kroaci, për veprën penale "Dhunim personi".

Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës.

13 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Më e vjetra dhe më e bukura këngë e dashurisë

Posted: 13 Nov 2016 01:55 AM PST

Kënga e këngëve të Solomonit

Luan Rama

ramaDashuria, gjithnjë dashuria, që në mugëtirën e kohëve, pasi ajo duhet të ketë qenë një nga ndjesitë e para, ku pas shekujve të instiktit, të lidhjes dhe bashkimit, dashuria mori formë, u mbrujt, me afsh dhe dëshirë, me ëndrra dhe ngjizma të ngrohta mishi e gjaku, u zbukurua, hodhi shtat mbi lëndina, vreshta e ullishta, për të shkuar drejt ekstazës dhe përkushtimit. Rrahje zemre, dihatje, pritje, ankth dhe netë të pagjumta… dhe përsëri një ag në pritje, ku siç shkruhet, papritur, ezmerja dhe e bukura Shulamit dëgjonte hapat e të dashurit të saj, atij që dhe do i përkushtohej duke thënë në këngën e famshme Kënga e këngëve të Solomonit:
«… Unë flija, por zemra ime rrinte zgjuar. Eshtë zëri i të dashurit tim që troket: «Hapma motër dhe mikja ime, pëllumbesha ime, e përsosura ime!…»
Kur ke lexuar këtë këngë të këngëve, këtë poemë të poemave, dhe udhëton në pllajat e gjelbërta e ngjyrë okër, nga Libani drejt Judesë dhe tokave të Palestinës e Izraelit, duke ndjekur udhët e qeparizave dhe pjergullave, kodrinave të lulëzuara e plot aroma drejt Jeruzalemit, në atë tokë historike që mban gjurmët e Tempullit të Solomonit, e ndjen akoma më shumë këtë këngë, pasi sheh dekorin e gjallë të një dashurie të përjetshme, vende ku është kënduar nga miliona njerëz dhe në mijra vjet kënga e buzëve, e gjinjve, e prehjes, e pushtimit dhe e përkushtimit, vetë pjellës njerëzore, ku dashuria pihet si verë, ku dashuria është më e ëmbël se vera, dhe aroma e saj më e këndshme se të gjitha aromat dhe parfumet e botës. Kjo ishte ndjesia ime kur përshkova atë udhë, kjo duhet të jetë mendoj ndjesia e çdo udhëtari që udhëton në ato kodrina e bregore ku është ngjizur kjo këngë e vjetër si bota, këngë e përhershme e kënduar në festa pagane e fetare, pasi dashuria ka vazhduar gjithnjë, dhe në kohë eklipsesh e furtunash, luftrash, holokaustesh, gjëmash e vdekjesh të mëdha.
Dashuria ka rrjedhur si ujët e burimeve në ujët e paqtë të Jordanit, si lumenjtë që shkojnë drejt brigjeve të Detit të Vdekur apo Mesdheut. Pra, kjo këngë është një vazhdë këngësh që rrjedh, një këngë dashurie mes një burri dhe gruaje, pinjollë të Adamit dhe Evës, të botës së krijuar tashmë që nga lindja e njerëzimit dhe që padyshim është libri më poetik i Biblës, që siç thonë studjuesit, duhet të jetë krijuar nga një poet anonim i shekullit IV para erës sonë, duke i bashkuar dhe shkrirë këngët në një të vetme, duke krijuar kështu një poemë të madhe, të paharruar.
Kënga e këngëve apo Kantika e kantikave të Solomonit është një libër më vete i Biblës hebraike, Chir ha-chirim, apo i Dhjatës së Vjetër, e cila ishte përfshirë në korpusin e librave të shenjtë para se të përkthehej nga hebraishtja e vjetër, pra kur u përkthye Septante (Testamenti i Vjetër nga gjuha e hebrenjve në greqisht nga shtatëdhjetë e dy priftërinjtë e mbyllur në Aleksandri me porosi të Ptolemeut II). Në të ishte integruar edhe kjo këngë, e cila ndryshonte nga të gjitha librat e tjerë të Biblës, nga Genesis, Eksodi, Josué e Samuel apo librat e Profetëve e më pas nga Libri i Job-it, Libri i Ester-it, etj, … një korpus me personazhe, ngjarje e kohëra, shpërngulje e luftra, pra histori e një populli por dhe histori e njerëzimit, me rite të lindjes, dasmës, vdekjes, me jetën njerëzore në kompleksitetin e vet. Por edhe pse u pranua në Septante, kjo këngë u ligjërua në kanionet hebraike e kristiane vetëm në shekullin e parë të erës sonë. Megjithatë futja e kësaj kënge në korpusin e librave të shenjtë është bërë me debate të mëdha dhe të shumta lidhur me tradicionin hebraik, siç dëshmohet dhe në Mishna hebraike, e të pranuar më pas nga doktrina kristiane. Rabbi Akiva[1] shikonte te kjo këngë deklaratën simbolike midis Zotit (YAHVE) dhe popullit të tij, të Izraelit. Por një nga të parët që komentoi këtë këngë të Biblës hebraike (Tanakh) ishte kleriku i famshëm Origene[2] në shekullin e III të erës sonë, i cili thoshte se ajo ishte «një epitalame», një këngë dasme e shkruar nga Solomoni në formën e një drame me vargje dhe me dy personazhe, burri dhe gruaja»…
Studjues të tjerë në shekujt më vonë shikonin në të mitin e Erosit me Psyche-në të Apule-s romak që shkroi për dashurinë e hyjnisë Eros (Cupidon) me princeshën Psyché, temë aq shumë e komentuar në shekullin e XX nga psikoanalistët.[3] Kjo këngë këndohej atëherë gjatë Pashkëve hebraike (Pessah). Tradita hebraike e vendos këtë këngë në pesë «meguilloth»-ët apo rrodhanët që lidheshin me festat liturgjike. Emri i Zotit nuk përmendet veçse në një rresht dhe shkarazi, atëherë kur përmendet «Flaka e Jahve-së». Gjuha dhe stili i përdorur në këtë këngë që kemi sot, të kujtojnë se është përdorur gjuha e kohës së persëve e madje dhe ajo helenistike, pra një kohë më e vonët nga ajo e krijimit të saj, pavarësisht se pikasen disa arkaizma që gjenden në të dhe që lenë të nënkuptojnë kohën më të vjetër të krijimit artistik të saj.
Qindra e qindra libra janë shkruar nga doktorët e shkencës teologjike hebraike e kristiane rreth interpretimit të kësaj poeme të veçantë, herë duke e parë atë si një poemë profane e dashurie, e herë si një poemë mistike, të dashurisë dhe lidhjes së Perëndisë me popullin, me Kishën kristiane, etj., siç e gjejmë në komentarët e Saint Gregoire Le Grand apo Apponius e shumë të tjerë. Dhe për këtë mjafton të shohim kodikët e vjetër të viteve 1000, veçanërisht atë të Bamberg-ut, të regjistruar në Kujtesën e Botës nga Unesco, e cila i referohet kësaj poeme të dashurisë njerëzore. Kënga e këngëve rishkruhej në pergamenët purpura, nga një kodik në tjetrin, pikturuar nga skribët, siç ishte Liuthar në Reichenau dhe ku dashuria shihej si gjëja më e shenjtë.
Ekzaltimi i bukurisë fizike dhe sensualiteti, vështirë të pranoheshin në ato kohë (gjinjtë e tu si bistakë rrushi!!!), dhe ja pse të tjerë studjues e shtyjnë kohën e krijimit të kësaj poeme shumë më herët, në kohën kur jetonte Solomoni dhe kur kishte tradicione pagane, ku nuk flitej ende për libra të shenjtë. Dhe kënga fillon me puthjen, siç shkruhet që në vargun e parë të kësaj kënge, apo me «dodeikha» në hebraisht, ku nënkuptohet dhe puthja, dhe përkëdhelia, edhe shtrati:
«Të më puthë me puthjet e gojës së tij! / Se dashuria tënde është më e shijshme se vera, / aroma e vajrave të tua është më e këndshme; / emri yt është një parfum që shpërndahet, / ja pse vajzat të duan…»
Por të tjerë studjues shohin në këtë krijim të përkryer anën humane të njeriut, lidhjen seksuale, dashurinë fizike, erosin e madh, duke sjellë si shëmbull shpesh herë vargjet e këngës kur Shulamit këndon:
«I dashuri im hedh dorën në të çarën e portës / dhe gjithë trupi m'u drodh për të / dhe unë u ngrita për t'ia hapur të dashurit tim / dhe me duart e mia ai shjoi mirrën time / nga gishtërinjtë e mi, mirra e virgjër / në dorezën e llozit…»
Ja dora që zgjatej në seksin e gruas… Vërtet është kështu? Interpretimi i këtyre këngëve është i hapur prej shekujsh, madje ato vazhdojnë, veçanërisht nga psikoanalistë e post-frojdistë. Të tjerë studjues, thonë se është historia e Shulamit-es, e të dashurit të saj dhe Solomonit që e pengon dhe e mban atë në haremin e tij në Jeruzalem, ndërsa disa të tjerë, duke folur për sensualitetin dhe personazhet mistike, n'a rikujtojnë Shën Terezën e Avilës, e cila kujtonte një çast të ekstazës seksuale të saj, kur imagjinoi se një ëngjëll i përshkoi zemrën me shigjetë…
Dhe padyshim, jo vetëm zemrën, pasi ajo e kishte provuar ndoshta «prishjen hyjnore» apo me hyjninë. Ja pse dhe kur kleriku i njohur humanist Sébastien Castellion vinte në dyshim karakterin hyjnor të kësaj kënge për shkak të karakterit të saj të hapur sensual, kjo solli kritikat e tmerrshme dhe zemërimin e madh tënga Jean Calvin! E krijuar në mugëtirat e kohëve, e përpunuar nga bardi apo bardja anonime për të ardhur deri në pragun e erës sonë, kjo këngë perfeksionoi gjuhën e saj metaforike, ku gjinjtë janë «male me aromë», ku vreshta është vet trupi i dashurisë dhe (ah, ky shtrat i gjelbër ) se «dashuria që ti bën, është më e mirë se vera». Ja sensualiteti në majat e krijimit artistik, e vetmja këngë sensuale e pranuar nga Kisha, ku padyshim klerikët hebraikë shohin dashurinë e Jahve-së me tokën e Izraelit…
Eshtë interesante sesi e shikonte këtë këngë, këtë perlë të popullit hebre, studjuesi i njohur i botës hebraike Ernest Renan,[4] duke e konceptuar këtë këngë si një spektakël, dramë në pesë akte dhe me skena të ndryshme brenda akteve, e para, e dyta, e treta e kështu me rradhë gjer në aktin e pestë. Pas refleksionesh të shumta ai imagjinon se thënien «të më puthë me puthjet e gojës së tij», e thotë një grua e haremit të Solomonit. Imagjinoni një çast: jemi dhjetë apo katër shekuj para Jezusë, ku kori i përgjigjet: «Përkëdheljet e tua janë më të ëmbla se vera…» Pastaj Shulamit-en e sjellin me forcë. Ajo i drejtohet një miku, apo të dashuri, që ne nuk e shohim: «Mermë me vete, të ikim me vrap së bashku… Mbreti më futi në harem»… Dhe ndërkohë gratë e haremit i drejtohen Solomonit: «Të gjitha gëzimet tona janë për ty… (etj, etj.) Në skenën e dytë, Shulamit është vetëm dhe ëndërron: «Thuamë ti, që zemra ime të dashuron, ku i çon qengjat e tu…» (etj.) Në fund, kjo dramë ka një epilog, ku një nga vëllezërit e Shulamit-es thotë: «Kemi një motër të vogël që ende nuk i janë formuar gjinjtë… Çdo të bëjmë ne me motrën tonë kur asaj t'i formohen gjinjtë? (etj).
Ernest Renan e përfundon studimin dhe interpretimin e tij të gjatë me idenë se kjo poemë nuk është thjeshtë një poemë erotike, as një poemë thjeshtë mistike, por është një poemë morale dhe ku moraliteti i saj qëndron në vargun e shtatë të këngës së tetë ku këndohet: «Asgjë nuk mund t'i rezistojë dashurisë së sinqertë; kur i pasuri kërkon të blejë dashurinë, ai në fakt blen veç përbuzjen»… E megjithatë të tjerë e kanë kundërshtuar këtë interpretim të Renan, siç ishte dhe shkrimtari e dramaturgu Paul Claudel, i cili në vitin 1947, kur ishte kredhur në studimet e tij për Biblën, ishte tronditur nga ai figuracion i jashtëzakonshëm i kësaj kantike, me «kërthizën si një kupë e rrumbullaktë, ku vera plot aromë nuk mungon», me vargun «buzën si një fjongo e kuqe», me «qafën si një torrë fildishi», apo «gjinjtë si dy drenusha binjake», etj. Në komentet e tij, ai refuzon të shohë atë që shikonte Renan, pasi për të, femra, gruaja, ishte vetë Kisha kristiane dhe ai «një nga bijtë e mrekulluar të saj»…
Kjo këngë, e përkthyer në qindra gjuhë të botës dhe në variantet nga më të ndryshme, si kënga më e vjetër e dashurisë së burrit për gruan, është një nga faqet më të bukura të shkrimit njerëzor dhe të këngës njerëzore, më e vjetra dhe më e gjithkohshmja, duke frymëzuar njëkohësisht shumë artistë të mesjetës dhe kohëve moderne t'i referohen asaj, të kompozojnë muzikë, ta pikturojnë atë afresk dashurie e përkushtimi, siç bëri Gustave Moreau duke pikturuar fytyrën e Shulamit-es, apo akoma më mirë Marc Chagall, ilustruesi i jashtëzakonshëm i mesazhit biblik, përmes figurave origjinale të tij. Dhe duke hyrë në botën pikturale të tij plot ngjyra të ndezura e figura në ajër, në qiellin e dashurisë, diku mes tokës dhe kozmosit, ne i ndjejmë ende hapat e Shulamit-es, hapat që rendin për të gjetur të dashurin e saj, edhe pse duhet të kapërcejë pengesa, roje, bregore, gjer në kufijtë më të skajshëm të kësaj bote.
Një himn për dashurinë: ja çfarë është kjo këngë e këngëve, ku Solomoni, biri i Davidit, nuk është thjesht krijuesi i tempullit të lashtë por është dhe ti, dhe unë, jemi ne të gjithë, krijesa të kësaj bote! Po, «të këpusësh frutat e kopështit tim / të shëtisësh mes luleve… hani miq, pini, dehuni, o të dashuruar»![5]
[1] Një nga prijësit shpirtërorë të Mishna-s (Kodi i Ligjeve, pjesë e Talmud-it, shk. I-II) dhe një nga themeluesit e judaizmit rabinik. Ai ishte dërguar disa herë nga hebrenjtë si ambassador i tyre në Romë.
[2] Teolog i persekutuar, një nga "etërit e Kishës", autori i Historisë kishtare (185-253).

[3] Në latinisht Lucius Apuleius, (123-170), shkrimtar e filozof, autor i romanit dhe kryeveprës së njohur Metamorfozat.

[4] Joseph Ernest Renan (1823-1862), shkrimtar, filozof, historian, autor i shumë veprave ndër të cilat Historia e origjinave të kristianizmit, e cila e zemëroi shumë Kishën Katolike. Përktheu dhe shkroi gjithashtu mbi Kantikën e kantikëve dhe fenë hebraike në përgjithësi. [5] Përkthimi i Kënga e këngëve e Solomonit, është bërë në bazë të botimit të librit La Bible (Bibla), éd. AELF, Paris, si dhe krahasimeve me përkthime të tjera nga studjuesit më në zë të Biblës, kryesisht nga versionet në frëngjisht të Ernest Renan më 1860, (Le cantique des cantiques, éd. Arlea), si dhe të Louis Segond, Georges Guggenheim, Fréderic Boyer apo André Chouraqui. E krijuar fillimthi në hebraishten e vjetër, e përkthyer në greqisht dhe pastaj në gjuhët e tjera, kjo këngë ka dhënë shkas për shumë interpretime linguistike, antropologjike dhe të traditës hebraike ndër studjuesit e shumtë të botës nga shekujt e parë të mijëvjeçarit tonë deri në ditët tona.

Agron Tufa, autori i vitit i Panairit Tirana 2016

Posted: 13 Nov 2016 01:53 AM PST

kultureShkrimtari Agron Tufa është vlerësuar si autori më I mirë I edicionit të 19-të të Panairit të Librit, me vëllimin poetik "Kafsha apo fantazma" (botimet Onufri). Motivacioni që shoqëroi këtë ccmim ishte "Për një perceptim origjinal intelektual dhe emocional të mbrujtjes së hapave të njeriut". Vetë Tufa u shpreh se këtë libër e ka shkruar ashtu nxitimthi. "Duke mos pasur fare kohë është shkruar ashtu si unë e quaj penallti në ecje. Për fat të mirë takime të shumta sipas punëve të mia më kanë dhënë një favor të madh për shkrimin e poezive, për fatin e madh se shqiptarët gjithmonë vonohen në takimet fikse. Kështu që dalë ngadalë unë këtë kohë e kam shfrytëzuar", tha Agron Tufa. Përkthyesi I vitit u shpall Edvin Cami për përkthimin e librit "Dru qershie dhe ndjenja të vjetra", një libër nga autorja kroato-gjermane Marica Bodrozic, botim i shtëpisë botuese Dituria. Motivacioni për këtë çmim ishte : "Për shqipërimin e një letërsie sa ballkanike aq edhe te përbotshme që sjell njeriun përballë vetes dhe të tjerëve në kërkim të identitetit të një bote plot dyshime." Ndërsa në letërsinë për fëmijë u nderua me çmim Luan Rama për librin "Më quajnë Aleksandër Moisiu", botim nga shtëpia botuese Albas, shoqëruar me motivacionin "Rrëfim emocional i figurave njerëzore si simbol frymëzues për lexuesit e vegjël." Çmimet në këtë panair u vlerësuan nga një juri e përbërë nga Lili Sula, Përgjegjëse e Departamentit te Letërsisë në Universitetin e Tiranës, Tonin Çobani, Doktor Shkencash

Agim Baci, kritik letrar, Jorgji Qirjako, përkthyes, Alida Cenaj, gazetare . Sipas Kryetares së jurisë Lili Sula rreth 107 tituj kanë garuar për 3 çmimet e panairit.

7 sekretet ushtarake të deklasifikuara

Posted: 13 Nov 2016 01:53 AM PST

Absurde, shqetësuese, të frikshme, groteske janë karakteristikat e disa projekteve ambicioze  në një kohë top sekret ushtarak, dhe më vonë u deklasifikuan (domethënë u  vunë në dispozicion dhe informacioni ishte jo i rezervuar). Këtu janë 7 operacionet ushtarake apo të CIA-s,  për të cilat ne u njohëm, vetëm pas anulimit të tyre.

 

1-Projekti  Iceworm

camp-century-5.900x600Operacioni ushtarak amerikan filloi në vitet '60, që parashikonte ngritjen e një baze  për lëshimin e raketave balistike nën një kapak të akullt në Greenland, shumë pranë Bashkimit Sovjetik, të cilat do të ishin të mjaftueshme për të arritur disa vende të përcaktuara. Për të testuar realizueshmërinë, Shteteve të Bashkuara krijuan një qytet nëntokësor, i quajtur Camp Century, i cili më vonë u braktis për kushtet e paqëndrueshme të akullit (por që ende mund të bëjë dëme). Projekti u njoftua nga Qeveria Daneze vetëm në vitin 1995.

2-Projekti i diskut fluturues

gallery-1446672202-pmx0213058e.900x600Në fund të vitit të vitit 2012, Forcat Ajrore të SHBA deklasifikuan dokumentet lidhur me projektin për të ndërtuar një avion në formë si një “disk fluturues”, që mund t’iu kundërvihej bombarduesve rusë. Planet e filluara në vitin 1950, parashikonin ndërtimin e një objekti që do të ishte i aftë për të arritur shpejtësinë prej Mach 4 (4 herë më e madhe sa shpejtësia e zërit) dhe 30,480 metra lartësi: një lloj anije supersonike,  e aftë për të fluturuar në stratosferë. Kompania kanadeze Avro Aircraft Ltd., u kujdes për të realizuar disa prototipa me një kosto prej 3 milion dollarë të kohës (rreth 23 milionë euro aktuale), por doli se objektet e projektit ishin shumë të paqëndrueshme dhe të zhurmshme, për pasojë u anulua në vitin 1961.

3- Projekti MK-ULTRA

reu_rtr45sgu.900x600Pas këtij emrin të koduar fshihej projekti i CIA-s, që kishte të bënte me kontrollin e mendjes. Ky projekt ka frymëzuar edhe shumë filma, si Teoria e Konspiracionit të kandidatit Manchurian. Programi ilegal e klandestin, parashikonte  eksperimente mbi metodat potenciale të kontrollit të mendjes; si hipnoza, administrimi i LSD, barbiturikët, (Barbiturikët janë droga yndyrë e tretshme; rrjedhin nga acidi barbituric, të cilat veprojnë në sistemin nervor qendror dhe shkaktojnë efekte të tilla si qetësim ose anestezi. Barbiturikët  mund të shkaktojnë varësi fizike dhe psikologjike.), apo teknika të torturës, për të stërvitur vrasësit e programuar dhe që këta të ishin nën kontrollin e CIA-s. Është miratuar në vitin 1953, por programi u anulua përfundimisht 20 vjet më vonë; kur atë kohë shefi i CIA-s, urdhëroi shkatërrimin e dokumenteve të tij. Por 4 vjet më vonë, pas një hetimi të vështirë, ato dolën në dritë dhe dokumentet u deklasifikuan.

4- Zona 51

con_h_6.18007175_web.900x600Asnjë vend tjetër sekret nuk është kaq i famshëm sa zona ushtarak që ndodhet 134 km nga Las Vegasi në Nevada. Në korrik të 2013, deklasifikimi i disa dokumenteve të CIA-s, zbuloi se zona në fjalë prej vitesh ishte përdorur për të testuar projekte sekrete të avionëve, mes të cilëve edhe aeroplanët  zbulues spiun U-2, të përdorur në programet e mbikëqyrjes kundër Bashkimit Sovjetik. Karakteri sekret i zonës kishte tërhequr disa thashetheme në lidhje me përdorimin e alienëve në eksperimente, por në të vërtetë realitet ishte më pak interesant.

5- Projekti Grudge

con_h_6.01949613_web.900x600Edhe pse nuk është në Zonën 51, Forcat Ajrore Amerikane u ngarkuan të studionin objektet fluturues të paidentifikueshëm. Projekti Grude, ishte mjaft i shkurtër dhe zgjati nga vitit 1947-1949. Konkluzionet e programit të shkurtër të studimit ishin se nuk arritën të përcaktonin origjinën e objekteve fluturuese. Kritikët e projektit argumentuan se çdo vlerësim ishte nisur nga premisa se UFO-t, nuk ekzistojnë dhe për këtë arsye analizat e këtij programi nuk ishin të besueshme. Pra bëhet fjalë për një program të dështuar, që nuk arritën të zbardhin të vërtetën.

6-Operacioni Paperclip

207151main_vonbraun-kennedy_w.900x600Në vitin 1946, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Presidenti  i Shteteve  të Bashkuara të Amerikës, Harry Truman autorizoi operacionin  për tërheqjen e mendjeve që kishin shërbyer për nazizmin. Ky projekt do të shërbente për  të evituar që këto njohuri ushtarake dhe teknologjike të mos i kalonin Bashkimit Sovjetik. Operacioni ka vijuar deri në vitet '70, dhe tërhoqi pas vetes baronin Wernher von Braun:  shkencëtar dhe shpikës i raketave ushtarake naziste. Gjithashtu Braun u bë projektuesi i raketës Saturn V, që çoi njeriun në Hënë.

7- Projekti Manhattan

con_h_24.1938470_web.900x600Projekti famëkeq, që kishte të bënte me realizmin e bombës së parë atomike nisi në vitin 1939 dhe që u kthye në një potencial katastrofik. Në 6 korrik 1945, u bë edhe testimi i saj i parë në bazën e Alamogordo, 193 km  në jug të Albuquerque, të  New Mecico-s. Një muaj më pas, ky projekt u kthye edhe në kërpudhën e parë atomike, ku dy bomba shkatërruan Hiroshimën në  Nagasaki. Fotografitë e bombave të para u deklasifikuan vetëm në vitet '60.

S. Muça

Greqi, ekzekutohet në makinë 32-vjeçari shqiptar

Posted: 13 Nov 2016 01:50 AM PST

greqiNjë shtetas shqiptar 32 vjeç është ekzekutuar prej policisë gjatë një shkëmbim zjarri të ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit, në rrugën "Edhiniu 104" në lagjen "Qeracini" të kryeqytetit helen.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 5 të mëngjesit të së dielës, kur policia u telefonua për një vjedhje banese në zonë.

Sapo mbërritën policët e ndërhyrjes së shpejtë, 4 grabitësit  e dyshuar filluan të qëllojnë kundër policisë,e cila iu përgjigj me breshëri zjarrit.

Banda e hajdutëve mundi të futet në një magazinë, prej nga ku vazhdoi të qëllojë kundër oficerëve.

Të gjendur nën rrethimin e policisë, grabitësit u detyruan t'i dorëzohen forcave speciale të ushtrisë "EKAM", të cilët janë trajnuar enkas për situata të tilla.

Në zonën e ngjarjes, policia thotë se njeri prej grabitësve u gjet i plagosur prej plumbave të saj. Ai u dërgua në spital, por nuk mundi t'iu shpëtojë plagëve të marra.

Sipas burimeve policore, bëhet fjalë për një 32-vjeçar shqiptar, për të cilin deri tani nuk rezulton se ka qenë i implikuar në ndonjë ngjarje ose vepër penale.

Tre anëtarët e tjerë të bandës, identitetet dhe kombësia e të cilëve ende nuk dihet, u dërguan në Drejtorinë e Policisë së Atikës, ku dhe po merren në pyetje.

Autoritetet thonë se po hetojnë lidhur me ngjarjen. Në zonë ka mbërritur mjeku ligjor dhe prokurori për të kryer hetimet e mëtejshme.

Prej burimeve të sigurta të Top Channel mësohet se, prokurori ka urdhëruar sekuestrimin e armëve të shërbimit të të gjithë policëve që morën pjesë në aksion, për të kryer verifikimet dhe gjetjen e armës nga e cila është bërë qitja, që shkaktoi vdekjen e 32-vjeçarit.

13 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)/TCH

 

RINASI, BAROMETRI I DËSHTIMIT TË TURIZMIT SHQIPTAR

Posted: 13 Nov 2016 12:48 AM PST

Petrit Kuçana

petrit-kucanaNjë takim për një "çaj anglez"  në House of Lords, organizuar nga Dhoma e tregtisë Shqiptaro-Britanike nën mbështetjen e mikut të madh të shqiptarëve Lordit Watson,  u duk si kurorëzim i evenimentit të përvitshëm; prezantimi i Shqipërisë në panairin botëror të turizmit në Londër. Mbase nuk përbën rëndësi themelore numri apo përfaqësimi i pjesëmarrësve, sesa mungesa e ndonjë lajmi për ndonjë strategji konkrete për thithjen e turistëve britanikë.

Mbetet tejet zhgënjyese (deri në kufijtë e të papranueshmes) shifra e ofruar nga Ministria e Brendshme,  ku për vitin 2015 vetëm 64 893 shtetas britanikë (pra me pasaportë britanike) janë regjistruar të kenë vajtur në Shqipëri. Edhe optimisti më i madh nuk do të guxonte të shkonte më shumë se shifra "dhjetëshe" e turistëve britanikë, nëse kihet parasysh numri i shqiptaro-britanikëve.

Përtej çdo iluzioni për "Shqipërinë e bukur", për mundësitë fantastike që ofron Shqipëria për turizëm, madje edhe përtej ndonjë shkrimi për turizmin shqiptar në median britanike (të paguar ose jo) as që merr guximin të të krahasohesh me fqinjët, ku numërohem miliona britanikë që shkojnë në Greqi apo Turqi, por qoftë edhe me Malin e Zi.                                 Numërimi i problemeve për këtë mungesë britanike (dhe jo vetëm) në Shqipëri, (Britania mbetet ndër shtetet që eksporton më së shumti turistë), vazhdon të mbetet thjesht retorikë. Ministria përkatëse çdo vit shënon "progres" për rritjen e numrit të turistëve, ç rëndësi ka nga janë e nga vijnë, ashtu si pjesëmarrja në panairin e Turizmit Botëror në Londër mbetet thjesht në listën e gjërave që duhen bërë  "things to do".

Mbetet i pamohueshëm një fakt; "Turizmi nis nga Rinasi". Asnjë panair, reklamë apo shkrim nuk mund të anashkalojë biletat stratosferike që "ofron" aeroporti i vetëm shqiptar me tarifat më të  shtrenjta në rajon dhe jo vetëm.

Janë emigrantët që përballojnë në çdo lëvizje të tyre, katrahurën e Rinasit, por duhet theksuar se aeroportet fqinjë mbesin destinacionet e kushtëzuara, për shkak të ofertave të parezistueshme  që ofrojnë, në shumë raste çerekun e biletës që ofron Rinasi.              Nuk është rastësi që fqinjët tanë, malazezët ofrojnë dy aeroporte, (Podgoricën dhe Tivatin) me popullsi pak më shumë se gjysma e kryeqytetit shqiptar,  ku pjesa e konsiderueshme e "udhëtarëve" mbesin shqiptarë, apo Maqedonia që përveç Shkupit ofron edhe Ohrin dhe i vetmi vend që nuk ka linja lowcost  mbetet Shqipëria.

Edhe pas heqjes së koncesionit të Rinasit, si trashëgimi e dhimbshme e Nanos, asgjë nuk ka ndryshuar. Shumë -shumë është dëgjuar ndonjë ministër të thotë se duhen 2.5 milionë euro për ristrukturimin e aeroportit të Kukësit, e madje deri tek tallja e drejtuesve të Rinasit se shqiptarët po i rezervokërkan biletat në minutën e fundit…

Çdo germë e shkruar mbi suksesin e turizmit në Shqipëri, zhvlerësohet totalisht, kur në një kërkim të thjeshtë në internet, gjithkush mund të shohë se biletat Londër-Rinas janë ekuivalente me ato Londër-New York, dhe  një biletë për në mëmëdhe është e barabartë me një pakete turistike në Turqi, ku përfshihet bileta e udhëtimit dhe hoteli.  A duhet të nisë suksesi i Turizmit nga Rinasi? Si është e mundur që mbetemi i vendi vend ku mungojnë kompanitë lowcost të fluturimit, ku mund të ishim vendi lider i rajonit për shifrat e turizmit?

Horoskopi – 13 nëntor 2016

Posted: 12 Nov 2016 11:28 PM PST

horoskopi1-212Dashi

Kur të ktheheni me këmbë në tokë mundohuni të gjeni një mbështetje të sigurt. Sot një dikush i afwrt do t'ju bëjë tepër nervozë. Bëni durim sepse do të dilni të fituar.

Demi

Në dashuri duhet të rimendoheni për vendimet që do të merrni. Kontrolloni ushqimin dhe gjendjen shëndetësore. Ndiqni këshillat e dietologëve. Programojeni ditën që të mos t'ju ikë duarsh.

Binjakët

Mos kini frikë të "pastroni" zemrën tuaj sa më parë. Sot është koha e duhur për ta bërë këtë. Moskomunikimi do t'ju largojë nëse nuk veproni sa më shpejt. Mos jini shumë konfidencial me të gjithë.

 Gaforrja

Nuk keni arsye për të qenë xheloz, apo për të bërë gjithçka për të qenë të tillë. Dyshimet tuaja janë krejt të pabaza. Gjithsesi kjo periudhë e paqartë do të kalojë shumë shpejt.

Luani

Një lajm i mirë do të ndriçojë ditën tuaj, sepse do të përjetoni momente vërtet të mahnitshme e sidomos në dashuri. Kujdes me shpenzimet që do të bëni, sepse mund të mbeteni pa para shumë lehtë.

Virgjëresha

Një bazë të mirë e keni krijuar tashmë, edhe pse në një mënyrë të keqe le të themi: keni gjetur pikat e dobëta të personit që e pëlqeni dhe shumë shpejt do ta "godisni" për të arritur qëllimin tuaj.

Peshorja

Do të merrni telefonata të rëndësishme. Çdo ditë do të jetë e duhura për të zgjidhur një çështje të cilën e keni në zemër. Mendojini mirë hapat që do të ndërmerrni.

Akrepi

Do të jeni shumë me fat në shitjet apo blerjet që keni ndër mend të bëni. Do të takoheni me perona të moshuar të cilët do t'ju japin besimin e tyre. Në mbrëmje personi i zemrës do t'ju bëjë një surprizë.

Shigjetari

Besimi dhe kuptueshmëria në një moment krize si ky që po jetoni së fundmi do t'ju shpëtojnë nga ndarja e mundshme. Ndaj atyre që mendoni se ju kanë bërë keq mos mbani më mëri, sepse nuk ia vlen.

Bricjapi

Do të bëni një përshtypje shumë të mirë te personat që do të takoni ditën sotme. Ndaj "shfrytëzojeni" mirë këtë mundësi. Lajme të mira për ata që duan të marrin një kredi apo një borxh.

 Ujori

Nëse po prisni kthimin e një dashurie sot është dita juaj më me fat për t'u festuar. Jeta në çift do të jetë me ulje e ngritje. Mos u nxitoni për të mbyllur disa punë.

Peshqit

Sot do të ndiheni çuditërisht nervoz. Financat tuaja nuk do të jenë edhe aq të favorshme për të paguar borxhet e së shkuarës. Tregohuni të fortë dhe të vendosur.

13 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

 

Related Posts :