Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Haradinaj: Përfaqësuesit e veteranëve janë mashtrues ordinerë” plus 9 more Ekonomia Online

loading...

“Haradinaj: Përfaqësuesit e veteranëve janë mashtrues ordinerë” plus 9 more Ekonomia Online


Haradinaj: Përfaqësuesit e veteranëve janë mashtrues ordinerë

Posted: 30 Dec 2016 09:44 AM PST

Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj ka thënë se me këtë projektligj po vihen thika në mes të veteranëve dhe si i tillë, do të hamendësoj popullin se kush është dezertor, kush është veteranë, kush është dëshmor.

Ai ka thënë se kupton ndikimet buxhetore që ka projektligji, por se ky projektligj si i tillë nuk duhet të votohet.

"Nëse Rrustem Berisha dhe Anton Çuni, e votojnë do ta votoj edhe unë. Nëse Adem Grabovci pajtohet me këtë projektligj atëherë pajtohem edhe unë", ka thënë Haradinaj.

Ai kërkoi edhe njëherë të mos bëhet ndarja e veteranëve.

"Mos i ndani vëlla, mos t'i ngucim më", ishte një tjetër deklaratë e Haradinajt.

Ai ka thënë se Veteranët kanë ra pre e ndikimit të cilido ministër apo kryeminstër dhe si të tillë ata që udhëheqin me këto shoqata që nga sot nuk e përfaqësojnë Haradinajn.

"Për mu personalisht këta nuk janë përfaqësuesit e mi, këta janë mashtrues ordiner", ka thënë Haradinaj.

The post Haradinaj: Përfaqësuesit e veteranëve janë mashtrues ordinerë appeared first on Ekonomia Online.

Mitrovica jugore i kërkon qeverisë të mos neglizhojë rrënimin e murit

Posted: 30 Dec 2016 08:12 AM PST

Zyrtarët në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por edhe autoritetet lokale në Mitrovicën e jugut, kanë mirëpritur Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës për rrënimin e murit në pjesën veriore të Mitrovicës që në janar të vitit 2017.

Arben Çitaku, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tha për Radion Evropa e Lirë se rezoluta e jep një mesazh të unifikuar politik, të cilin institucionet përkatëse duhet ta zbatojnë.

"Edhe me datë 7 [dhjetor] dhe me datën 20, kur i kemi dërguar vendimet, janë marrë të gjitha masat para nxjerrjes së kësaj rezolute, sepse e kemi konstatuar që (muri) është antiligjor dhe për çështje antiligjore ne nuk bëjmë kompromise".

"Rezoluta natyrisht që e fuqizon [punën] në aspektin politik dhe jep një mesazh të qartë se ligjshmëria duhet të zbatohet në gjithë territorin e vendit", tha Çitaku.

Kuvendi i Kosovës, ka miratuar të enjten me shumicën prej 74 votave, Rezolutën e paraqitur nga partia opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për çështjen e murit të ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës.

Deputetët e Kuvendit, nga të gjitha partitë, përveç Listës Serbe, kanë kërkuar përmes miratimit të Rezolutës, rrënimin e këtij muri.

Çitaku theksoi se punimet aktuale përreth murit të ndërtuar në veri të Kosovës nga autoritet e komunës veriore të Mitrovicës, po monitorohen vazhdimisht nga ministria dhe zyrtarët tjerë kompetentë.

"Është vërejtur se aty ka pasur disa punime. Sot e kemi bërë edhe raportin për qeverinë lidhur me këtë rast. Njëkohësisht i kemi njoftuar për masat të cilat janë në fuqi edhe autoritetet lokale të Komunës veriore të Mitrovicës".

"Vendimi i ministrisë i cili në bazë të proces verbalit të datës 7 dhjetor dhe i fuqizuar edhe me vendimin e datës 20 dhjetor që u ka shkuar autoriteteve lokale të Mitrovicës veriore e parasheh ndërprerjen e të gjitha punimeve dhe rrënimin e murit që nuk është me leje dhe konform ligjeve të Kosovës", tha Çitaku.

Sipas tij, muri është në kundërshtim edhe me marrëveshjen e Brukselit, të arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për rivitalizimin e urës mbi Ibër.

Ndërkohë, Faruk Mujka nënkryetar i Komunës së Mitrovicës jugore nga Lëvizja Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se punët rreth rrënimit të murit në veri po vonojnë. Sipas tij, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po vonon në zbatimin e vendimeve.

"Ministria më 9 dhjetor ka ardhur në përfundim se ndërtimi i murit është ilegal dhe duhet të rrënohet. Pse ky vendim nuk është zbatuar deri tash, kjo lë shumë hapësirë për dyshime. Ne mendojmë se ata paraprakisht, sigurisht po tentojnë ta marrin edhe mendimin dhe ndoshta një lloj aprovimi nga Lista Serbe, por ma merr mendja që ajo nuk do të ndodh dhe këta detyrohen ta zbatojnë vendimin e Kuvendit të Kosovës", tha Mujka.

Ai beson se Rezoluta e miratuar nga Kuvendi e shtyn përpara procesin e rrënimit të murit ilegal në veri të Mitrovicës.

Kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, e ka cilësuar Rezolutën e Kuvendit të Kosovës për murin në Mitrovicë si "vendim me karakter të pastër politik".

Mes tjerash në Rezolutën e miratuar nga kuvendi thuhet: "të rrënohet muri ilegal në pjesën veriore të Mitrovicës, kjo të ndodh brenda muajit janar të vitit 2017".

Aty theksohet po ashtu se "Qeveria e Kosovës duhet të merr masa të nevojshme që të mos ndryshohet ura e Ibrit dhe e njëjta t'i përmbajë të gjitha elementet që kishte para vitit 1999 dhe jo t'i shtohen elemente tjera ilegale, siç është muri dhe shkallët".

Muri në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës ka filluar të ndërtohet në fillim të këtij muaji, duke ngjallur reagimin edhe të qytetarëve edhe të politikës.

The post Mitrovica jugore i kërkon qeverisë të mos neglizhojë rrënimin e murit appeared first on Ekonomia Online.

Hoxhaj: Nëse demarkacioni nuk ratifikohet në janar, vizat nuk hiqen as në vitin 2017

Posted: 30 Dec 2016 07:05 AM PST

Kosova ka në dispozicion vetëm edhe muajin e parë të vitit të ri, janarin që të ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, si kusht nga BE që Kosovës t'i hiqen vizat.

Nëse një gjë e tillë nuk ndodh në fillim të vitit të ri,atëherë duhet të harrohet liberalizimi i vizave gjatë vitit 2017.

Ky është paralajmërimi që ka dhënë ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj në një deklaratë për lajmi.net.

Hoxhaj këtë e ka arsyetuar për faktin se viti i ardhshëm, do të jetë vit zgjedhor në disa nga vendet udhëheqëse të Bashkimit Evropian dhe problemet brenda BE-së.

"Meqë për Gjeorgjinë dhe Ukrainën do të vendosë Parlamenti Evropian në janar dhe shkurt të 2017 dhe këtu ende mendoj se kemi një mundësi. Prandaj, do të duhet të bëjmë edhe një përpjekje në janar për ta ratifikuar në Kuvendin e Kosovës".

"Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë duhet ta harrojmë liberalizmin e vizave në vitin 2017, meqë është vit zgjedhor në vendet udhëheqëse të BE-së si Francë, Gjermani, Holandë dhe ka një lodhje nga politika e lëvizjes së lirë dhe nga migrimi brenda vetë BE-së", ka thënë ministri Hoxhaj.

Sipas tij, miratimi i marrëveshjes së Demarkacionit përveç se do të përmbushte kriterin e fundit për heqjen e vizave, kjo marrëveshje do ta bënte Kosovën me një kufi ndërkombëtar, meqë kur do të ratifikohej nga të dyja vendet, Kosova dhe Mali i Zi do ta depononin në Sekretariatin e OKB-së si një marrëveshje ndërkombëtare.

Kosova kishte marr rekomandim për heqjen e vizave më 4 maj nga Komisioni Evropian.

The post Hoxhaj: Nëse demarkacioni nuk ratifikohet në janar, vizat nuk hiqen as në vitin 2017 appeared first on Ekonomia Online.

Messi shpallet “Organizuesi më i mirë i vitit”

Posted: 30 Dec 2016 06:53 AM PST

Lionel Messi është shpallur si "Organizuesi më i mirë i vitit 2016" nga IFFHS, Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe e Statistikës së futbollit.

Sulmuesi argjentinas që luan me Barcelonën ka grumbulluar 172 pikë, duke lënë pas shokun e skuadrës Andres Iniesta me 66 pikë (fitues në vitin 2012).

Ndërsa në vendin e tretë u rendit gjermani i Real Madrid, Toni Kroos me 45 pikë (fitues në vitin 2014).

Jashtë podiumit mbeti një tjetër gjerman, Mesut Ozil, që luan me Arsenal, ndërsa Neymar, shoku i skuadrës së Messi, u rendit në vendin e 12-të.

Për Messin, ky është një rikonfirmim i këtij trofeu, të cilin e ka fituar edhe një vit më parë, por me 29 pikë më pak. Nga viti 2008 e deri më sot, këtë trofe e kanë fituar vetëm lojtarë të Barcelonës.

The post Messi shpallet "Organizuesi më i mirë i vitit" appeared first on Ekonomia Online.

Mustafa përuroi Qendrën Rinore në Magurë të Lipjanit

Posted: 30 Dec 2016 06:29 AM PST

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në përurimin e Qendrës Rinore, në Magurë të Lipjanit.

Para të pranishmëve në këtë ceremoni, kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe qytetarëve të shumtë të Magurës, kryeministri Mustafa uroi për qendrën rinore.

"Të gjithë ne gëzohemi kur shohim objekte të shkëlqyeshme, të cilat krijojnë kushte që ju si banorë të këtij vendbanimi, por natyrisht edhe ata të rrethinës të shfrytëzojnë një ambient shumë të mirë për të shfaqur vlerat kulturore për t'i kultivuar ato, e veçmas për të siguruar kushte që edhe të rinjtë tanë dhe këta fëmijë që janë të mrekullueshëm, të kenë në të ardhmen një hapësirë të shkëlqyer për ta", tha kryeministri Mustafa, duke vlerësuar bashkëfinancimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Lipjanit.

Më tej, kryeministri theksoi angazhimin e Qeverisë për të investuar në gjitha komunat e Kosovës.

"Ne po bëjmë përpjekje maksimale që të sigurojmë kushte për investime më të mëdha nëpër komuna, vendbanime, fshatra, qytete e qyteza dhe ky është një rast shumë i mirë. Më ka ardhur keq që s'kam qenë edhe kur është përuruar shkolla, por gjithherë do të jemi të interesuar që t'ju përkrahim, t'ju ndihmojmë për të krijuar kushte shumë më të mira edhe për kulturë, edhe për arsim, edhe për zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin social në tërësi", tha kryeministri Mustafa, duke uruar qytetarët e Magurës për Qendrën Rinore, e po ashtu, ka uruar edhe festën e Vitit të Ri, duke u dëshiruar shëndet, suksese dhe ardhmëri të mirë.

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se Komuna e Lipjanit dhuratën më të mirë për këtë fundvit po ia jep rinisë, qytetarëve të Magurës dhe rajonit me këtë objekt të veçantë, i cili do të krijoj kushte dhe mundësi më të mira që rinia të zhvillojë të gjitha aktivitetet.

"Falënderoj Qeverinë e Kosovës, kryeministrin Isa Mustafa, ministrin e Kulturës, Kujtim Shala, që ka financuar ndërtimin e këtij objekti, që do të jetë funksional dhe në shërbim të qytetarëve të Magures", tha Ahmeti.

Më tej, kryetari Imri Ahmeti tha se Komuna po vazhdon me investime në kuadër të projekteve të saj, që Magures t'ia kthej karakterin e një qyteze, duke ndërtuar gjithë infrastrukturën e nevojshme.

"Jemi përpjekur dhe do të vazhdojmë që të kompletojmë ato nevoja dhe interesime që janë të domosdoshme dhe besoj se vitin në vijim do ta përmbyllim ciklin e investimeve të nevojshme. Do të fillojmë me pranverë edhe ndërtimin e fushës së gjelbër të futbollit për klubin e futbollit. E dini se ka filluar edhe shkolla. Ndriçimin publik tani e kemi funksional, dhe do të vazhdojmë edhe me infrastrukturën tjetër të nevojshme", tha kryetari i Komunës, duke uruar fat, suksese të mëtejme dhe që gjeneratat e reja ta gëzojnë këtë qendër.

zkp-02

zkp-03

The post Mustafa përuroi Qendrën Rinore në Magurë të Lipjanit appeared first on Ekonomia Online.

Ndotin ajrin, kërkohet shfuqizimi i importit të veturave të vjetra

Posted: 30 Dec 2016 06:25 AM PST

Lejimi i importit të veturave të vjetra ka rritur dukshëm numrin e makinave të vjetra që qarkullojnë rrugëve të Kosovës, çka si pasojë vlerësohet se ka ndikuar dukshëm edhe në ndotjen e ajrit dhe ambientit, për shkak të lirimit të gazrave.

Cilësia e ajrit në vend, ditëve të fundit, kishte shqetësuar dhe alarmuar qytetarët, por edhe institucionet kompetente.

Pikërisht për këtë çështje, ditë më parë Qeveria e Kosovës ka miratuar "Planin e Masave për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe gjendjes së mjedisit".

Në plan paraqiten shkaqet e gjendjes, por edhe masat që duhet ndërmarr për të përmirësuar gjendjen e cilësisë së ajrit deri në kufijtë e lejuar me standarde mjedisore.

Në kuadër të planit, paraqitet nevoja e rishikimit të vendimit administrativpër lejimin e importit të veturave të vjetra, ndërkaq në bazë të Ligjit për Automjete është kërkuar që të rregullohet kjo çështje, ka thënë Muhamet Malësiu, drejtor i Departamentit të Mjedisit, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.

"Ne kemi kërkuar nga ministria përgjegjëse, në këtë rast nga Ministria e Infrastrukturës, që të respektojë udhëzimin administrative që ka të bëjë me cilësinë e ajrit nga burimet e lëvizshme, në këtë rast nga veturat".

"Fillimisht, në qendrat e kontrollit teknik të makinave të matet përmes testit dhe të shikohet sa është ndotja nga vetura. Nëse në këto qendra, veturat nuk e kalojnë testin, atëherë ato nuk kanë të drejtë të qarkullojnë në komunikacion", ka thënë Malësiu.

Ndryshe, në Kosovë mund të importohen të gjitha veturat, pavarësisht nga vjetërsia e tyre. Kështu kishte vendosur Qeveria e Kosovës, më anë të një udhëzimi administrativ, në vitin 2015, duke hequr kufizimet për importin e veturave, njëherësh, duke ulur edhe akcizën për importin e tyre.

Para se të merrej ky vendim, në Kosovë ishte i ndaluar importi i veturave, fillimisht më të vjetra se 8 vjet e më pas më të vjetra se 13 vjet.

Veturat e vjetra e ndotin ambientin më shumë se ato të rejat, kryesisht përmes lirimit më të madh të gazrave, por edhe përmes efekteve tjera, kanë thënë përfaqësues të Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP.

Jeton Mehmeti, nga instituti GAP ka thënë se qeveria e Kosovës duhet ta zëvendësojë politikën e importit të automjeteve nga ajo aktualja në atë të importit të automjeteve të bazuara në euro-standardet.

"Ajo që kemi sugjeruar është që të mos lejohen vetura që janë nën standardin Euro 4, pra duhet të jenë vetura që plotësojnë këtë standard, ashtu siç kanë bërë edhe shtetet tjera të rajonit".

"Euro 4, është standard i veturave të cilat kanë një lirim më të kufizuar të ndotjes së gazrave dhe janë ekonomikisht më të mira, harxhojnë më pak. Ajo që është kryesorja, nuk ndotin ambientin, sikurse që ndotin veturat që janë më të vjetra se sa versioni Euro 4", ka thënë Mehmeti.

Mehmeti, beson se kjo çështje duhet të rregullohet edhe tek qendrat e kontrollit teknik, në mënyrë që veturat nën standardin Euro-4, mos të kalojnë testin.

"Në kontrollet teknike ne kemi parë që të gjitha veturat pavarësisht vjetërisë kalojnë të njëjtin test të kontrollit teknik dhe paguajnë të njëjtën taksë për ambient, ndonëse lirojnë sasi të ndryshme të gazrave dhe ndotin ambientin në mënyra të ndryshme", ka thënë ai.

Në Kosovë llogaritet të jenë afër 385 mijë vetura, ku mesatarja e vjetërsisë së tyre që qarkullojnë në Kosovë është 18 vite.

Me rënien e temperaturave, gjatë disa ditëve të muajit dhjetor, ndotja e ajrit në Kosovë ishte rritur dukshëm.

Zyrtarët e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, kishin njoftuar se në periudha të caktuara kohore gjatë dhjetorit, sidomos në Prishtinë, ishin shënuar ngritje të vlerave të ndotjes së ajrit.

Kufiri i vlerave ditore të lejuara për mbrojtjen e shëndetit të njeriut është 50 miligram për metër kub. (REL)

The post Ndotin ajrin, kërkohet shfuqizimi i importit të veturave të vjetra appeared first on Ekonomia Online.

Në Siri nuk pritet që lufta të marrë fund

Posted: 30 Dec 2016 06:16 AM PST

Pas katastrofës së Aleppos, diplomacia ndërkombëtare duhet të bëjë gjithçka të mundur për të mbrojtur civilët dhe për të imponuar një kthim në një proces politik, shkruan Loay Mudhoon.

Diplomacia ndërkombëtare nuk qe në gjendje ta pengonte katastrofën në Aleppo. Këtë realitet të hidhur e tregojnë pamjet dramatike të njerëzve të çorientuar në Aleppon Lindore, të cilët qarkullojnë prej muajsh nëpër botë. Pamjet dokumentojnë në mënyrë imponuese dështimin për të ardhur keq të rendit ndërkombëtar në luftën civile në Siri.

Sepse instrumentet vendimtare të këtij rendi, Kombet e Bashkuara dhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së u treguan vitet e kaluara, për shkak të politikës së bllokadës ruse dhe kineze, të paafta për të ndaluar krimet e luftës.

Problemi nuk qëndron te e drejta ndërkombëtare

Por po ta shohësh më me vëmendje, mund të dallosh edhe qartë: nuk kemi të bëjmë në radhë të parë me dështim të së drejtës ndërkombëtare, e cila është në fuqi edhe në një luftë civile dhe që i ndalon veprimet kriminale si sulmet e qëllimshme ndaj spitaleve dhe civilëve.

"Katastrofa e Aleppos" është në radhë të parë rrjedhojë e zhvillimit brutal të luftës nga Putini dhe Assadi – si dhe e pasivitetit të administratës së Obamës, e cila u pozicionua shumë herët kundër një ndërhyrjeje ushtarake në mbrojtje të opozitës së moderuar në konfliktin që po shkallëzohej. Në mënyrë fatale ajo iu përmbajt këtij qëndrimi edhe kur Assadi përdori armë kimike kundër popullit të tij.

Të gjithën e vështirësoi edhe më tepër instrumentalizimi i konfliktit nga Arabia Saudite dhe Irani. Të dyja fuqitë rajonale zhvillojnë një luftë të pamëshirshme, të ngarkuar me elemente fetare përmes vasalëve të tyre, në kurriz të njerëzve në Siri.

Ajo që ndodhi në Aleppo është një kolaps i qartë i civilizimit. Në fund të fundit, aktet mizore ndodhën para syve të opinionit publik. Një pjesë e madhe e këtyre krimeve të luftës së regjimit të Assadit, por edhe të opozitës janë dokumentuar shumë mirë, me ndihmën e aktivistëve të angazhuar dhe të specialistëve të OKB-së. Por megjithatë nuk duhet pritur që përgjegjësit sirianë, rusë dhe iranianë të dalin ndonjëherë para drejtësisë për krimet kundër njerëzimit. Çfarë duhet bërë përballë këtij konstelacioni konflikti?

Aleppo: Fitore e një etape apo pikë kthese?

Natyrisht që rimarrja e Aleppos nga trupat e Assadit dhe milicët iranianë-afganë-pakistanezë aleate me to është një fitore e rëndësishme e një etape për diktatorin e Sirisë. Ndoshta ajo do të bëhet një pikë kthese vendimtare.

Mbështetësit e Assadit ëndërrojnë tashmë "për fitore përfundimtare mbi terroristët". Edhe mediet e kontrolluara nga Hisbollatë në Liban dhe gardistët e revolucionit në Teheran e konsiderojnë të sigurt një fitore të afërt "hyjnore" në luftën civile siriane.

Por një zgjidhje vetëm ushtarake për këtë konflikt kompleks nuk është realiste. Veç kësaj, thuajse përjashtohet që ushtria e demoralizuar dhe e dobësuar e Assadit do të jetë në gjendje ta vendosë nën kontrollin e saj të gjithë vendin. Rusia duhet të tërhiqet në tryezën e negociatave.

Meqenëse në dallim nga Irani, Rusia ndjek në Siri interesa të tjera, të negociueshme dhe duke qenë se një luftë e pafundme guerile, e ngarkuar me elemente fetare në shtetin e fragmentuar nuk mund të jetë në interesin e saj, kjo është një pikë ku mund të bazohet Perëndimi: ai duhet të bëjë gjithçka të mundur, në mënyrë që të mundësohet një kthim në procesin politik. Fakti që Moska i ka arritur tashmë në Siri synimet e saj, duhet të jetë e dobishme për këtë qëllim. Një ndryshim i regjimit në Damask në fund të fundit u shmang dhe Moska nuk mund të anashkalohet në rendin e pasluftës.

Deri në marrjen e pushtetit nga administrata e Trump-it, Perëndimit nuk i mbetet zgjidhje tjetër veç mbështetjes për mbrojtjen e civilëve – dhe shpresës për një mirëkuptim të shpejtë amerikano-rus në tranzicionin politik në vendin e luftës civile.(DW)

The post Në Siri nuk pritet që lufta të marrë fund appeared first on Ekonomia Online.

Putin: Largimi i diplomatëve amerikanë jo menjëherë

Posted: 30 Dec 2016 06:15 AM PST

Pas vendimit amerikan erdhi fillimisht reagimi rus: Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov tha se qeveria ruse do të dëbojë 35 diplomatë nga vendi. Por presidenti Putin ka ndërruar me sa duket mendje.

Presidenti Putin ka ndërruar me sa duket mendje. Ai ka thënë, se Rusia do të presë me largimin e diplomatëve amerikanë. Fillimisht u bë e ditur të premten (30.12 se si masë hakmarrjeje për largimin e 35 diplomatëve rusë nga ShBA, të cilët duhet të largohen nga Shtetet e Bashkuara brenda 72 orësh, Rusia kërkonte largimin e 35 diplomatëve amerikanë.

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ishte ai që tha në televizionin rus, se qeveria ruse do të dëbojë 35 diplomatë nga vendi. Rusia nuk i pranon akuzat amerikane për sulme kibernetike në fushatën zgjedhore amerikane, që ishte edhe baza e vendimit të presidentit amerikan në largim, Barack Obama për largimin e diplomatëve rusë.

The post Putin: Largimi i diplomatëve amerikanë jo menjëherë appeared first on Ekonomia Online.

Thaçi fton turqit që t’i rrisin investimet në Kosovë

Posted: 30 Dec 2016 05:57 AM PST

Gjatë vizitës zyrtare në Turqi, presidenti Thaçi është nderuar edhe me titullin "Doctor Honoris Causa" në universitetin "TOBB", si dhe ka vizituar Odën Tregtare të Ankarasë, ku ka folur për potencialin ekonomik të Kosovës dhe ka ftuar investitorët potencialë që të investojnë në Kosovë.

Në takimin e organizuar nga Oda Tregtare e Ankarasë, që ka mbi 150 mijë anëtarë, presidenti Thaçi ka thënë se investitorët nga Turqia kanë bërë disa prej investimeve më të rëndësishme në Kosovë.

"Këta kanë hapur rrugën edhe për investitorë dhe investime tjera", është shprehur presidenti Thaçi.

Pasi ka treguar me shifra për nivelin e bashkëpunimit ekonomik në mes të Kosovës dhe Turqisë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është "shtet i ri me potencial të madh" dhe ka shpalosur mundësitë për investime në bujqësi, energji, xehetari dhe sektorët e tjerë.

Në Universitetin për Ekonomi dhe Teknologji "TOBB", presidenti Thaçi ka pranuar titullin "Doctor Honoris Causa" me motivacionin për kontribut në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, për të arritura në zhvillim ekonomik dhe social, për paqe në Ballkan, dialog mes komuniteteve dhe zhvillim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Turqisë.

Në fjalimin e tij, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova ka arritur shumë prej se është shpallur shtet i pavarur.

"Ende nuk janë bërë as 9 vite që nga shpallja e pavarësisë dhe Kosova ka nënshkruar MSA-në me BE-në, që është mirënjohje e sukseseve të Kosovës në reformat në ekonomi, në instalimin e ligjit e rendit dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike", është shprehur presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova sot është shembull i dialogut, pajtimit dhe bashkëpunimit për një të ardhme më të mirë.

hashim-thaci1oda33

 

The post Thaçi fton turqit që t'i rrisin investimet në Kosovë appeared first on Ekonomia Online.

Fatos Rizvanolli dënohet me 7 vjet burg për terrorizëm

Posted: 30 Dec 2016 05:48 AM PST

Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, më 30 dhjetor 2016, shpalli aktgjykimin ndaj të pandehurit F.R i cili në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, akuzohet se në bashkëkryerje e në vazhdim, ka kryer veprën penale rekrutimi për terrorizëm nga neni 139 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi Gjykues pas mbajtës së shqyrtimeve gjyqësore, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave dhe fjalëve përfundimtare, ndaj të akuzuarit F.R për veprën penale të kryer në bashkëkryerje dhe në vazhdim rekrutimi për terrorizëm nga neni 13 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej shtatë (7) vite.

"I pandehuri F.R, akuzohet se me dashje me të pandehurit Z.Q, I.B etj, kanë marrë pjesë në kryerjen e veprave penale terroriste dhe ën aktivitetet e grupit terrorist që të sigurojnë fonde dhe burime materiale në atë mënyrë që gjatë muajit korrik 2012 në veturën e tij ka transportuar një person deri në Aeroportin Ndërkombëtarë të Prishtinës, i cili pastaj ka udhëtuar përmes Turqisë për në Siri për të luftuar, pastaj në nëntor të po të njëjtit vit, përmes një agjencion turistik, ka paguar tre (3) bileta udhëtimi Prishtinë – Stamboll dhe Stamboll – Hatay, i cili qytet është në kufi me Sirinë, për B.K, A.D dhe B.D, dy të fundit gjendet edhe më tutje në luftën në Siri. Po ashtu i pandehuri në shtator të vitit 2013 sipas kërkesës së të pandehurit I.B, ka mundësuar dërgimin e P.B – i vrarë në Siri dhe Sh.K, për të udhëtuar për në Siri në tetor 2013 bashkë me I.B, H.D dhe K.M të gjithë për të luftuar në anën e organizatës terroriste të ISIS-it dhe Al-Nustra", njofton Gjykata Themelore e Ferizajt, raporton Ekonomia Online.

Konform nenit 283 paragrafi 2 nën paragrafi 2.1 të KPPK-së, konfiskohen në mënyrë të përhershme sendet e luajtshme dhe atë: vetura e tipit "Toyota", model T22, vetura tipit "Ford", vetura e tipit "Zastava",  si dhe vetura e tipit "Wolswagen".

Ndërkaq në bazë të nenit 364 paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të KPPK-së, i pandehuri F.R, është liruar nga akuza për pikën 2, 3 dhe 5 të aktakuzës për veprën penale të kryer në vazhdim dhe në bashkëkryerje organizimi, përkrahja dhe pjesëmarrja në grupet terroriste sipas nenit 113 paragrafin 2 lidhur me nenin 23 të KPK-së, e paraparë si vepër penale rekrutimi për terrorizëm edhe sipas nenit 139 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, meqë nuk është provuar se i i pandehuri ka kryer këtë vepër penale.

Të pandehurit F.R, në bazë të dispozitës së nenit 367 paragrafi 2 dhe 7 të KPPRK-së, i vazhdohet paraburgim deri sa aktgjykimi të marr formën e prerë.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 dite nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

fatos-rizvanolli1

The post Fatos Rizvanolli dënohet me 7 vjet burg për terrorizëm appeared first on Ekonomia Online.

Related Posts :