Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Kosovë, hyn në fuqi kodi telefonik ndërkombëtar  +383” plus 9 more Gazeta SHQIP

loading...

“Kosovë, hyn në fuqi kodi telefonik ndërkombëtar  +383” plus 9 more Gazeta SHQIP


Kosovë, hyn në fuqi kodi telefonik ndërkombëtar  +383

Posted: 15 Dec 2016 02:31 AM PST

kosoveMinistrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka konfirmuar se nga sot, Kosova është bërë me kod telefonik ndërkombëtarë 383, të cilin, ITU (Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve) ia ka ndarë edhe zyrtarisht.

"Bëjmë me dije opinionin se ITU në pajtim me marrëveshjen e telekomit ka publikuar kodin telefonik për Kosovën. Ky lajm përbën një të arritur historike për fushën e telekomit dhe fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës", thuhet në deklaratën me shkrim të ministres Tahiri.

Kodi +383 është thënë se me fillimin e zbatimit do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës, ndërsa kodet aktuale që përdoren nga operatorët do të përdoren në mënyrë paralele për një kohë deri në zbatimin e plotë të kodit +383, në mënyrë që qytetarët të mos kenë pengesa në pranimin e thirrjeve hyrëse dhe dalëse.

Ky proces, siç kanë deklaruar kohë më parë autoritetet e Kosovës, do të marrë kohë nga një deri në dy vjet.

Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.

Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë, e për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.

Të dhënat e Qeverisë së Kosovës kanë treguar se kostoja e përgjithshme e shkaktuar deri më tani nga mungesa e kodit telefonik ka arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.

15 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Shkodër, plagosën me thikë 26-vjeçarin, në pranga 2 vëllezër

Posted: 15 Dec 2016 02:28 AM PST

plagosje-me-thike-c1200x600Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 2 vëllezër si autorë të plagosjes me thikë të një 26-vjeçari mbrëmjen e djeshme në Shkodër. Burime nga policia lokale bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit Gjergj Miftari, 32 vjeç dhe Gjovalin Miftari, 28 vjeç (vëllezër, të dy banues në fshatin Barbullush, Vau Dejës)

"Këta shtetas për motive të dobëta ju kanë dalë përpara në rrugë shtetasve E.Gj., 26 vjeç dhe A.G., 20 vjeç, të dy banues në fshatin Barbullush dhe dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë sulmuar me armë të ftohtë (thikë) dhe sende të forta, ku si pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi E.Gj., i cili ndodhet në spitalin rajonal Shkodër dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore, kurse shtetasi A.G. ka pësuar vetëm dëmtime të lehta në fytyrë", sqaron policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të mbetur në tentativë” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve të ftohta".

15 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Lu për mosarrestimin e Balilit, Manjani: Mjaft me ping-pongun e përgjegjësive

Posted: 15 Dec 2016 02:11 AM PST

ylli manjaniMinistri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar në lidhje me deklaratat e ambasadorit amerikan Donald Lu, për mungesën e arrestimit të Klement Balilit, i akuzuar për trafik narkotikësh.

Nga Sllovenia, ku po merr pjesë në Forumin e Ministerialit të Ballkanit Perëndimor për Çështjet e Drejtësisë dhe ato të Brendshme, Manjani ka theksuar se, shqetësimin për rastin e Balilit e ka ngritur personalisht prej kohësh.

"Mbështes plotësisht shqetësimin e shprehur ditën e djeshme nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zoti Donald Lu, në lidhje me mos arrestimin e shtetasit Klement Balili. Gjej rastin t'ju informoj se, sikurse edhe mund të jeni në dijeni prej 7 muajsh dhe në mënyrë të përsëritur e kam shprehur dhe publikisht këtë shqetësim", ka thënë Manjani.

Ai ka vlerësuar se, "mostrajtimi apo trajtimi i gabuar i kësaj çështjeje nuk mund t'i barazojë institucionet e shtetit në përgjegjësi dhe as të luhet "ping-pongu" i radhës".

"Ligji shqiptar përcakton qartë se kush arreston, kush ndalon, kush akuzon dhe kush dënon persona të përfshirë në shkeljet e ligjit. Ministri i Drejtësisë vetëm ndihmon me transmetim leter-porosish dhe/ose përkthim zyrtar të dosjeve. Këtë detyrë e kemi bërë në kohë rekord", ka thënë Manjani, duke shtuar se këto pretendime janë lehtësisht të verifikueshme.

Ai ka theksuar se, "ping-pongun" e përgjegjësive e ka denoncuar gjithnjë si të keqen më të madhe që ka sot sistemi.

"Prandaj askush të mos fshihet pas alibive të sajuara, por të marrë përgjegjësitë që i jep ligji dhe t'i ushtrojë. Përsëris qëndrimin tim të palëkundur se kushdo që ka shkelur ligjin duhet të ndëshkohet pa dallim!", ka shtuar Manjani.

15 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

 

15 imazhe që dëshmojnë se bota mund të jetë një vend më i mirë

Posted: 15 Dec 2016 02:00 AM PST

Është e lehtë të mallkosh fatin dhe të trishtohesh për padrejtësitë në këtë botë. Kërkon më shumë përpjekje të pranosh të mirën tek njerëzit, të kryesh vepra të mira dhe të tregosh shembullin e mirë për të tjerët.

Por edhe rrezja më e vogël e dritës mund të jetë një frymëzim i madh për njerëzit. Ka kaq shumë gjëra të mrekullueshme në botë për të cilat njerëzimi mund të jetë krenar dhe imazhet e mëposhtme ndihmojnë për ta vërtetuar këtë.

Një vajzë e vogël fshin lotët e një njeriu në TV

1

Ata u njohën në aeroport dhe vendosën t'i jepnin njëri-tjetrit një përqafim

2

Një zjarrfikës i vendos maskën e oksigjenit një koteleje të cilën sapo e kishte shpëtuar nga një ndërtesë e djegur

3Një marins vrapon së bashku me një djalë, i cili mbeti pas grupit të tij në një maratonë

4

Një 84-vjeçare kishte turp të ecte rreth spitalit me këmishë nate, ndaj nipi i saj e mbështeti duke u veshur si ajo

5

Punonjësit e një kompanie pastrimi u veshën në kostume superheronjsh për të argëtuar fëmijët në një spital

6

Një herë në javë, ky djalë ofron qeshje flokësh falas për njerëzit e pastrehë

7

Disa zhytës ndihmuan një bebe balenë pasi kishte humbur

8

Një derr i vogël ngeci në një gardh, dhe e gjithë familja u mblodh për të parë lirimin e tij

9

Një i moshuar ndihmon një djalosh të lidhë kravatën e tij

10

Dikush ka zbuluar një metodë për të ushqyer me qumësht disa këlyshë në të njëjtën kohë

11

Dy burra shpëtojnë një qengj që po mbytja

12

Njerëzit bëhen bashkë për të ndihmuar një grua, këmba e të cilës kishte ngecur në platformën e trenit

13

Ky djalë gjen kohën t'i japë për të pirë një koale të etur

14

Dhe në fund, thjesht një fëmijë që përqafon mikun e tij më të mirë

15

S.M

15 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

U denoncua i humbur 4 ditë më parë, gjendet i mbytur në Sarandë 29-vjeçari

Posted: 15 Dec 2016 01:17 AM PST

aleks laciTrupi i pajete i shtetasit Aleks Laçi, 29 vjeç, i cili ishte shpallur iu zhdukur nga familjarët 4 ditë më parë ka rënë në rrjetat e disa peshkatarëve të Sarandës mëngjesin e sotëm.

29-vjeçari nga Bathorja ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët e tij, ndërkohë që dy ditë më parë policia e Sarandës kishte gjetur në breg të detit mjetin e identifikimit dhe rrobat e 29-vjeçarit.

Policia e Sarandës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së të riut, ndërsa trupi i pajetë pritet t'i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.

15 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

RRUGA E PUTINIT PËR NË SHTËPINË E BARDHË

Posted: 15 Dec 2016 01:10 AM PST

Trump-PutinShakaja më e fundit në Uashington: “Kush i fitoi zgjedhjet? Trumpi apo Clintoni? Putini, o idiot!” Kjo është njëra prej atyre shakave, tek të cilat të mbetet e qeshura në fyt. Sepse që prej publikimeve të para të Uashington Postit në fundjavë, po shtohen zërat e personave të nivelit të lartë dhe personave të brendshëm, të cilëve mund t’u besosh, që thonë se Rusia nuk ka sulmuar përmes piratëve të internetit vetëm server-at e Partisë Demokratike. Kjo dihej prej muajsh. Por edhe serverat e republikanëve. Shërbimet e fshehta besojnë ndërkohë se Rusia nuk donte të dëmtonte vetëm Clintonin dhe demokracinë amerikane, por se ajo sulmoi për ta ndihmuar direkt të fitonte Trumpin.

Luftë në rrjet

Ekspertët ka shumë vjet që paralajmërojnë se luftërat e së ardhmes nuk do të zhvillohen në tokë, as në ujë dhe as në ajër, por në rrjet. Në kohë që thrillerat e blockbuster merren kryesisht me skenare, në të cilat piratët e internetit bllokojnë centrale atomike, këto ditë bëhet e qartë se është fjala për shumë më tepër, se sa për të ndikuar furnizimin me energji ose për të shkelur rregullat e ruajtjes së të dhënave. Nëse këto kritika dalin të vërteta, këto sulme i drejtohen bërthamës së demokracisë: zgjedhjeve të lira dhe të fshehta. Prandaj shqetësimi në SHBA është i madh. Dhe po kaq shokuese janë reagimet e Presidentit të ardhshëm, Donald Trump.
Në vend që të angazhohet menjëherë për një komision hetimor të pavarur, ai përpiqet që t’i fshijë kritikat me deklarata në twitter. Argumentimi i tij: “Pse t’u besojmë shërbimeve të fshehta, kur u gabuan edhe atëherë me pohimin se Saddam Husseini zotëronte armë të shkatërrimit në masë.”

Bizneset e Trumpit me Rusinë

Ky sulm publik ndaj shërbimeve të fshehta peshon veçanërisht shumë, meqenëse Presidenti i ardhshëm refuzon në vazhdimësi që të marrë pjesë në diskutimet e përditshme të gjendjes nga shërbimet e fshehta. Argumentimi i tij: ai e di më së miri se çfarë po ndodh dhe nuk ka nevojë që të dëgjojë përditë të njëjtat informacione.

Ky qendrim është ose naiv, ose thuhet me qëllim biznesi. I rrezikshëm ai është në të dyja rastet. Është shumë e mundur që të jetë e saktë se biznesmeni Trump bën prej vitesh biznese me Rusinë dhe prandaj nuk do që të ndërhyjë njeri në punët e tij. Duket edhe bindëse, që Trumpi do ta bëjë ministër të Jashtëm drejtuesin ekzekutiv të ExxonMobil, Rex Tillerson, sepse përmes biznesit të gazit ai ka marrëdhënie të ngushta me Rusinë e Putinit. Të gjitha këto janë të padenja për postin politik më të rëndësishëm në botë. Dhe para së gjithash janë tepër të rrezikshme.

Përgjegjësi për republikanët

Nëse sulmet e piratëve të internetit do të konfirmohen si ndikim politik, atëherë janë sulmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Meqenëse Presidenti i ardhshëm nuk duket në gjendje që ta kuptojë këtë dimension, tani duhet të jenë deputetët republikanë që të tregojnë se e marrin seriozisht detyrën e tyre demokratike. Ata duhet t’i japin përgjigje pyetjes, se kujt i përket besnikëria e tyre: Donald Trumpit apo sistemit elektoral amerikan dhe në këtë mënyrë demokracisë amerikane. Donald Trumpi mund të besojë se është në gjendje që t’i mbajë nën kontroll shërbimet e fshehta ruse. Por ky është një vlerësim me të cilin ai është krejt i vetëm.

Ines Pohl / DW

15 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Tentoi të transportojë drogë me kalë nga Dibra në Maqedoni, arrestohet 42-vjeçari

Posted: 15 Dec 2016 12:52 AM PST

diberSektori i narkotikëve në policinë e Dibrës ka arrestuar një person i cili ka tentuar të kalojë drogë me kalë nga Dibra për në Maqedoni.

Burime nga policia lokale bëjnë me dije se është arrestuar shtetasi Sulejman Islami 42 vjeç.

Dy ditë më parë, në pikën kufitarë të Bllatës në Dibër ky shtetas tentoi të kalonte përmes një kafshe punë (kalë), një sasi prej 142 kg lëndë narkotike të llojit kanabis sativa.

15 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

HAPËRDAMJE ADMINISTRATIVE

Posted: 15 Dec 2016 12:50 AM PST

fuga-artanUnë kam ëndrrën që një ditë ministritë dhe drejtoritë e mëdha të administratës shtetërore të shpërndahen në të gjithë territorrin.

Ta zemë drejtoria e OSSHE në Pukë ose Kukës, atje ku janë hidrocentralet.

Drejtoria e përgjithshme e Doganave në Ersekë mbase jo, por në Korçë.

Përse drejtoria e përgjithshme e hekurudhave që nuk ka pothuajse fare, të jetë në Durrës dhe atje të mos jetë edhe ministria e transporteve.

E bujqësisë mu në Lushnjë.

E kështu me rradhë.

Aq është Shqipëria, sa një qytet i madh. Rrugë ka. Pastaj komunikimi virtual bën kërdinë kudo në botë aq sa edhe korporata të mëdha planetare drejtohen virtualisht nga një qendër në të gjithë planetin.

Jo më një copë Shqipëri që për ta administruar nuk do veçse gjysëm mendjeje të saktë për ta kollandrisur, dhe pak orë punë pasdite për ta bërë nuse.

Tirana do të shfryhej nga popullsia dhe qarkullimi.

Nëpunësit që duan rehatinë e Tiranës dhe nuk janë gati të shërbejnë kudo, në dreq të venë.

Rrogat e administratës qendrore do të harxhoheshin në periferi dhe kjo do ta lulëzonte atë.

Në krahina do të niste jeta kulturore dhe gjallëria, sepse tani atje vdes nga mërzia. Duken si burgje urbane.

Nëpunësit e lartë do të shihnin Shqipërinë nga dritarja e apartamenteve sëpaku, jo nga dritaret e avioneve!

Sa mirë, Mbrojtja në Krujë.
Kultura në Lezhë.
Arsimin ta hidhnin andej nga Elbasani.
Ekonominë në Shkodër. Mjaft e ka!
Financat në Berat! Poshtë kalasë!
Të Brendshmen në Peqin.
Të Jashtmen në Kombinat.

Kryeministria andej nga Brryli.
Gjykata Kushtetuese në Farkë.

Kësaj do t’i thosha deçentralizim territori dhe do ta votoja me dy duar atë burrë ose grua që do të guxonte ta bënte.

Arrihet ‘paqja’ në Alepo, shpresë për evakuimin e civilëve

Posted: 15 Dec 2016 12:41 AM PST

alepoLuftimet në qytetin sirian Alepo kanë pushuar, pasi palët ndërluftuese në Siri kanë rënë dakord për një armëpushim të ri për të mundësuar evakuimin nga zona e vetme që ka mbetur në kontrollin e rebelëve.

Burime brenda luftëtarëve rebelë thonë se armëpushimi ka hyrë në fuqi dhe evakuimi ka nisur më 15 dhjetor.

Ndërsa burimet brenda ushtrisë siriane dhe lëvizjes pro qeverisë së Sirisë, Hezbollah thonë se përgatitjet për evakuim janë në proces e sipër.

Organizata me seli në Londër, Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut më pas ka thënë se karvani i parë me njerëz që kanë nevojë për trajtim mjekësor ka filluar të largohet nga Alepo lindore.

Marrëveshja e parë për evakuimin e rebelëve dhe civilëve e arritur në mes të Turqisë dhe Rusisë është shkelur më 14 dhjetor.

15 dhjetor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Horoskopi – 15 dhjetor 2016

Posted: 15 Dec 2016 12:20 AM PST

horoskopi1-212DASHI

Yjet ju sugjerojnë të tregoheni të kujdesshëm  me sjelljen tuaj në ambientin e punës. Në aspektin afektiv do të jeni mjaft të disponueshëm në lidhje me personin që ju intereson.

DEMI

Një miqësi e vjetër gjatë ditës së sotme do të bëjë të kaloni një ditë të këndshme. Në ambientin e punës do të ndiheni të stimuluar dhe do të përpiqeni të jepni maksimumin tuaj.

BINJAKET

Do të përfundoni ato çka kini fiksuar. Në ambientin e punës do të jeni mjaft optimistë për të ardhmen tuaj. Në dashuri do të keni dëshirë për ndryshime.

GAFORRJA

Fati do të jetë më ju këtë ditë kështu që përfitoni! Në ambientin e punës impenjimet do të jenë të shumta por nuk do të keni mënyrë për tu kthyer mbrapa.

LUANI

Duhet të tregoheni të mençur për të larguar prej vetes personat që nuk ju interesojnë. Në ambientin e punës do të vështroni që problemet tuaja do të largohen.

VIRGJERESHA

Tensionet do të rriten , por pavarësisht gjithçka çdo gjë do ta kaloni me harmoni. Në ambientin e punës do të merrni kënaqësi personale, por kujdes nga zilitë e të tjerëve.

PESHORJA

Do të ndiheni të tërhequr nga një mundësi e re në ambientin e punës, nga i cili mund të merrni më shumë të ardhura. Në planin afektiv do të ndiheni të tërhequr nga dikush shumë më i madh se ju.

AKREPI

Duhet të keni më shumë besim në vetvete për të realizuar ato çka ju janë propozuar. Në ambientin e punës duhet të keni më shumë durim dhe mature.

SHIGJETARI

Një familjar juaji, apo një mik i dashur do ju ofrojë sot këshilla të mençura për të vepruar në ambientin e punës. Yjet ju këshillojnë të ndani së bashku me personat që ju rrethojnë momentet e këndshme.

BRICJAPI

Do të keni mundësi të vini në zbatim një projekt në punë, ku mbështetja e miqve dhe kolegëve nuk do ju mungojë. Në planin afektiv do të ndjeni nevojën për emocione të reja por gjithsesi nuk do i kushtoni shumë rëndësi aventurave të rastit.

UJORI

Duhet të evitoni së ekzagjeruari problemet e të mos jini shumë të ashpër me veten tuaj. Në ambientin e punës gjithçka rezulton të jetë në favorin tuaj.

PESHQIT

Sot mund të sqaroni një keqkuptim me një mikun tuaj. Në ambientin e punës do të drejtoni një situatë komplekse sot, prandaj kujdes. Në planin afektiv do të keni mundësi të realizoni një ëndërr.

Related Posts :