Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

Mesazhi.com: “Operacion anti DAESH në Ankara, 8 të arrestuar” plus 9 more

loading...

Mesazhi.com: “Operacion anti DAESH në Ankara, 8 të arrestuar” plus 9 more


Operacion anti DAESH në Ankara, 8 të arrestuar

Posted: 31 Dec 2016 07:54 AM PST

ANKARA (AA) – Në një operacion të ndërmarrë në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, janë arrestuar 8 anëtarë të organizatës terroriste DAESH të cilët dyshohen se po bënin përgatitje për akte para vitit të ri në kryeqytet, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve që gazetari i AA-së i ka marrë mësohet se 8 anëtarë të organizatës terroriste DAESH me dyshimin se kanë bërë përgatitje për akte para vitit të ri në kryeqytet u vendosën në ndjekje nga ekipet e departamentit të anti terrorizmit dhe të inteligjencës së Drejtorisë së policsë së Ankarasë.

Ekipet të cilat pas punimeve kanë kaluar në veprim kanë ndërmarrë operacione në disa adresa në qendër të qytetit dhe në rajonet Sincan dhe Çubuk.

Bëhet e ditur se 8 personat e dyshuar të arrestuar në operacione pas kontrollit shëndetësor janë dërguar në Drejtorinë e policisë. Ndërsa në adresat ku janë arrestuar të dyshuarit u konfiskuan një sërë dokumentesh të organizatës.


The post Operacion anti DAESH në Ankara, 8 të arrestuar appeared first on Mesazhi.com.

Opozitarët: Ushtria e Asadit nuk e zbaton armëpushimin

Posted: 31 Dec 2016 07:42 AM PST

Opozitarët sirianë kanë paralajmëruar se ushtria e Asadit dhe grupet e huaja terroriste mbështetëse të regjimit nuk po e zbatojnë armëpushimin.

Opozitarët e armatosur të cilët janë palë e armëpushimit i cili hyri në fuqi mesnatën e djeshme në Siri kanë paralajmëruar se ushtria e Bashar al-Asadit dhe grupet e huaja terroriste mbështetëse të regjimit nuk po e zbatojnë armëpushimin. Opozitarët i kanë bërë thirrje Rusisë e cila është garantuesja e forcave të regjimit që të kalojë në veprim, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e përbashkët të grupeve opozitare palë të armëpushumit rikujtohet se në marrëveshjen e armëpushimit të arritur me garanci të Turqisë dhe Rusisë është vendosur dispozita se asnjë pjesë e territorit nuk do të mbetet jashtë marrëveshjes.

Gjithashtu në deklaratë thuhet se pritej që i njëjti tekst të nënshkruhej edhe nga regjimi i Asadit, për të cilin mësohet se ka nënshkruar një marrëveshje të ndryshme.

Në deklaratë rikujtohet se qeveria e Damaskut dhe grupet mbështetëse të regjimit pavarësisht armëpushimit kanë vazhduar të bombardojnë me bomba fuçi dhe armë të rënda Luginën Barada dhe rajonet e tjera.

“Opozitarët i janë përmbajtur kushteve të marrëveshjes pas nënshkrimit të saj, por regjimi dhe Hezbollahu nuk i është përmbajtur asnjërit prej kushteve dhe kanë vazhduar sulmet. Në rast se regjimi vazhdon sulmet kjo tregon se marrëveshja ka marrë fund. I bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ti shohë masakrat që regjimi i ka kryer në Luginën Barada dhe i bëjmë thirrje Rusisë e cila është garantuese e regjimit që të zbatojë përgjegjësitë e saj”, thuhet në deklaratë.

Më tej deklarata vazhdon se: “Çdo përjashtim konsiderohet si shkelje. Ne do ti përmbahemi armëpushimit gjithëpërfshirës i cili nuk përjashton asnjë pjesë të territorit të Sirisë dhe asnjë grup opozitar. Ne jemi përgjegjës vetëm për atë që kemi nënshkruar. Jasht kësaj nuk do të zbatojmë asnjë marrëveshje”.

Duke shprehur falënderimet për qeverinë turke për mbështetjen e dhënë ndaj tyre dhe popullit të Sirisë opozitarët kanë theksuar: “Kërkojmë nga Kombet e Bashkuara që të nxitojnë me marrjen e vendimeve në lidhje me armëpushimin derisa Rusia të mbajë premtimin e dhënë si garantuese se regjimi do të ndalë sulmet dhe do të zbatojë armëpushimin”.

Sipas informacioneve të gazetarit të AA-së në rajonin e Guta-s Lindore të Damaskut mësohet se regjimi po sulmon ashpër pikat nën kontrollin e opozitarëve.

Thirrje nga civilët në Luginën Barada

Edhe Këshilli lokal, Komiteti i shëndetësisë, Mbrojtja civile dhe shoqatat humanitare në Luginën Barada në pjesën periferike në perëndim të Damaskut kanë publikuar një deklaratë të përbashkët në lidhje me shkeljet.

Në deklaratë thuhet se “regjimi dhe milicët e Hezbollahut që nga hyrja në fuqi e armëpushimit e deri më tani në rajon kanë hedhur 35 bomba fuçi, kanë kryer 10 sulme ajrore dhe kanë ndërmarrë sulme tokësore nga shumë pika”.

“Në rajon kategorikisht nuk ndodhet Fronti Fethit i Damaskut. Të gjithë luftëtarët përbëhen nga fëmijët e rajonit”, thuhet në deklaratë.

Lugina Barada ndodhet nën rrethimin e grupeve terroriste mbështetës të regjimit. Pjesa e banuar në rajon ku ndodhen afërsisht 100 mijë sirianë, përfshirë edhe personat e larguar nga konfliktet në rajone të tjera është afërsisht 12 kilometra katrorë.

Opozitarët kanë nën kontroll 10 fshatra në luginën e cila është e rrethuar me male të larta dhe ku ndodhet burimi Ayn el-Fica një prej burimeve kryesore të ujit të kryeqytetit.

Hezbollahu dhe ushtria e regjimit për të marrë nën kontroll burimet e ujit që nga fundi i muajit korrik po e mbajnë nën rrethim rajonin në Luginën Barada.

The post Opozitarët: Ushtria e Asadit nuk e zbaton armëpushimin appeared first on Mesazhi.com.

Përurohen 20 kilometrat e para të Autostradës Prishtinë – Shkup

Posted: 31 Dec 2016 04:00 AM PST

Në një ceremoni solemne të organizuar nga Ministria e Infrastrukturës në fshatin Babush të Komunës së Ferizajt u bë hapja e nyjave lidhëse Konjuh dhe Babush të Autostradës "Arbën Xhaferi", që përshkon rreth 20 km në drejtin të Kaçanikut, raporton Ekonomia Online.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ceremoninë inauguruese të nyjës lidhëse të Autostradës Prishtinë-Han i Elezit, Rruga 6 "Arbër Xhaferi".

 Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Colleen Hyland, ambasadorja e Turqisë, Kivilcim Kiliç, ministra të kabinetit qeveritar, deputetë, personalitete tjera të jetës politike e qytetarë të shumtë, kryeministri Mustafa tha se inaugurimi i kësaj pjese të autostradës është një punë shumë e madhe dhe e rëndësishme për vendin.

 Kryeministri Mustafa, tha po ashtu se inaugurimi i nyjës lidhëse në Konjuh dhe Babush të Autostradës Prishtinë-Han i Elezit, Rruga 6 "Arbër Xhaferi", është sukses dhe vepër e përbashkët e të gjithëve.

 "Unë dëshiroj t'ju falënderoj shumë për ardhjen tuaj sot në këtë aktivitet të përbashkët, në këtë vepër të përbashkët, në këtë sukses të përbashkët. Për mua është me rëndësi themelore që kemi arrit ta bëjmë një punë shumë të madhe këtë vit dhe vitin e kaluar, se po e inaugurojmë sot një pjesë të rëndësishme të kësaj autostrade. Ju falënderoj shumë për bashkëpunim", tha kryeministri.

 Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka uruar që sa më shpejtë ta përfundojmë në tërësi kjo autostradë shumë e rëndësishme për Kosovën.

 Të pranishmëve me nga një fjalë rasti iu drejtuan edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, të cilët ndër të tjera shprehën kënaqësinë e veçantë që ditën e fundit të këtij viti po përurohet përfundimi i segmentit të parë të Autostradës "Arbër Xhaferi" nga kyçja e saj me Autostradën "Ibrahim Rugova" deri në këtë vend në Babush me gjatësi prej 20 kilometra.

 Aktualisht është hapur për qarkullim 1/3 e Autostradës Prishtinë-Han i Elezit. Segmenti i autostradës është i projektuar sipas standardeve transevropiane për autostrada me shpejtësi kufizuese prej 120 kilometrash.

Përgjatë segmentit janë dy nyje lidhëse në Konjuh që është edhe lidhja me rrugën nacionle Lipjan-Shtime dhe në Babush lidhja me rrugën nacionale Prishtinë-Hani i Elezit.

Janë të ndërtuara 8 mbikalime dhe 7 nënkalime me rrugë paralele me qëllim të lëvizjes së papenguar të qytetarëve të zonave përreth autostradës.

Projekti i ndërtimit të autostradës është duke vazhduar në segmentin Babush-Ferizaj deri në kyçjen në Bibaj dhe kyçjen në Doganaj dhe disa pjesë të segmentit afër Kaçanikut.

Në bazë të planit dinamik, deri në fund të vitit 2017 pritet që këto dy nyje lidhëse të përfundojnë dhe të hapen për qarkullim 42 kilometra të autostradës.

Përfundimi i kësaj pjese do të shkurtojë në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe do të shkarkojë rrjetin ekzistues rrugor nga ngarkesat e trafikut.

ZKP-003

15817652_1656161031065933_1518343483_o

The post Përurohen 20 kilometrat e para të Autostradës Prishtinë – Shkup appeared first on Mesazhi.com.

Mosratifikimi i marrëveshjes për Tregti të Lirë, pengesë për zhvillimin tregtar Kosovë-Turqi

Posted: 31 Dec 2016 03:11 AM PST

Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie të mira ekonomike dhe tregtare, por sipas zyrtarëve të kësaj çështjeje kjo marrëdhënie mund të jetë edhe më e avancuar me ratifikimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë. Kjo marrëveshje e cila është arritur vite më parë, përkundër ratifikimit të saj nga pala turke, ende nuk është ratifikuar nga pala kosovare.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) zv/ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Avni Kastrati tha se marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Turqisë mund të jenë shumë më të mira, duke u bazuar në miqësinë dhe bashkëpunimin e ndërsjellë në mes të këtyre shteteve. Ai bëri të ditur se me Turqinë po bashkëpunohet në mënyrë të suksesshme në fusha të shumta, sidomos në atë të ndërtimit të objekteve kapitale dhe të investimeve financiare, si hapja e bankave dhe e kompanive turke me renome në Kosovë, siç janë Bechtel-ENKA, KEDS-i dhe Aeroporti.

Zv/ministri Kastrati shprehu bindjen se tani me aprovimin e Ligjit për Investime Strategjike dhe me marrëveshjen për Tregti të Lirë, e cila sipas tij, brenda ditëve të ardhshme pritet të përcillet në Kuvend, do të rritet edhe numri i investimeve nga bizneset turke në Kosovë. Kurse shtyrja dhe mosratifikimi i deritanishëm i marrëveshjes për Tregti të Lirë, sipas zv/ministrit ka të bëjë me problemet e kohëve të fundit në mes të pozitës dhe opozitës dhe klimës jo të mirë të bashkëpunimit mes këtyre subjekteve politike.

"Mendoj se për një kohë të shkurtë do të vjen në Parlament, dhe do të aprovohet. Ajo marrëveshje parasheh tregtinë e lirë në mes të dy shteteve, por jo si lirim të menjëhershëm, por në periudhë deri në 10 vite. Prandaj unë mendoj se shumë prej produkteve do të kenë mundësi që të importohen në Kosovë, pa dogana, njashtu edhe produktet e Kosovës do të eksportohen në Turqi pa doganë, kështu që edhe njëri mall edhe malli tjetër do të jenë me kushte më të volitshme dhe do të përfitojë edhe shteti, por edhe qytetari", tha Kastrati.

Duke vënë në dukje se Turqia është një shtet ekonomikisht shumë i fortë, Kastrati tha se fushat në të cilat mund të investojë Turqia në Kosovë është fusha e energjisë së ripërtëritshme, ajo e përpunimit agro-bujqësor, fusha e bujqësisë si dhe përfitimi i metaleve prej xeheve sidomos në Trepçë, ku mund të investohet për plumb dhe zink.

Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, duke theksuar nevojën e rritjes së importeve të produkteve turke në Kosovë dhe të eksportit të produkteve kosovare në Turqi, tha se marrëveshja për Tregti të Lirë duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.

"Fakti se ekziston një marrëveshje e Tregtisë së Lirë e cila është nënshkruar dhe ende nuk është ratifikuar i dëmton këto raporte dhe definitivisht një stadë e tillë duhet të na obligojë që për këtë bashkëpunim ekonomik më shumë të bëjmë se sa të flasim. Është mirë që të eliminohet kjo situatë mes Kosovës dhe Turqisë, që këto raporte të mira të karakterizohen me bashkëpunim ekonomik, sepse vetëm bashkëpunimi ekonomik mund t'i afrojë interesat dhe popujt e dy shteteve", tha Gërxhaliu për AA.

Ai theksoi se Turqia është partner strategjik. Gërxhaliu thekson se ky shtet pretendon që për një kohë të shkurtër të bëhet ndër 10 shtetet më të zhvilluara në botë. Ai po ashtu shprehu besimin që Turqia do t'i arrijë pretendimet që në vitin 2023 të arrijë në 500 miliardë eksporte. "Besoj që në këtë objektiv edhe Kosova do të mund të ishte pjesë e arritjes së këtyre objektivave", tha ai. Së fundmi, Gërxhaliu shtoi se Kosova ka shumëçka për të mësuar nga Turqia në aspektin tregtar dhe ekonomik.

Ndërkaq, Arben Fetahu, drejtori ekzekutiv i Odës Tregtare Kosovaro-Turke në një intervistë për AA u shpreh se marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Turqisë janë pasqyrim i marrëdhënieve të ngushta familjare, sociale dhe historike të këtyre dy vendeve. Ai tha se këto dy shtete kanë bashkëpunim të ngushtë si në nivelin publik ashtu edhe në nivelin privat.

Fetahu bëri të ditur se sipas statistikave zyrtare Zvicra është investitori më i madh, kurse Turqia investitori i dytë në Kosovë. Por, duke u bazuar në atë se investimet të cilat vijnë nga shtetet si Zvicra dhe Britania e Madhe janë në sektorin e patundshmërive, kurse ato nga Republika e Turqisë të drejtpërdrejta në zhvillimin ekonomik dhe të bizneseve, sipas Fetahut "Padyshim që Turqia është investitori numër një në Kosovë".

Kurse si problem më të madh në zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Turqisë, edhe Fetahu e sheh se është mosratifikimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, i cili sipas tij, pritet të ratifikohet në fillim të vitit 2017. Ai më tej tha se dy efektet kryesore të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje janë zëvendësimi i importeve dhe sjellja e kapaciteteve prodhuese nga Republika e Turqisë, për të ngritur punësinë dhe nivelin e eksporteve në Kosovë.

"Me këtë ne do ta ngrisim edhe më tej ndërveprimin ekonomik në mes dy vendeve tona dhe ajo që vlen të theksohet është se efekti pozitiv i saj do të jetë që disa prej produkteve turke të cilat janë edhe më cilësore edhe më të përafërta me tregun dhe shijet tona do të mund t'i zëvendësojnë produktet të cilat vijnë nga importuesi më i madh i Republikës së Kosovës, që është Serbia", tha Fetahu.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me BE-në, sipas Fetahut, hallka e dytë e cila i mungon zinxhirit të ekonomisë së Kosovës për të pasur zhvillim të mëtejmë është ratifikimi i marrëveshjes së Tregtisë së Lirë.

The post Mosratifikimi i marrëveshjes për Tregti të Lirë, pengesë për zhvillimin tregtar Kosovë-Turqi appeared first on Mesazhi.com.

S’ka më punësim pa provim shtetëror

Posted: 31 Dec 2016 01:32 AM PST

Ligji për Profesionet e Rregulluara që hyri më 21 nëntor të këtij viti parasheh organizimin e të ashtuquajturit provim shtetëror për të diplomuarit në profesionet e rregulluara të Republikës së Kosovës.

Profesionet e rregulluara janë profesioni i mjekut, stomatologut, farmacistit, mamisë, fizioterapeutit, veterinerit, arkitektit, inxhinierit të të gjitha fushave, mësimdhënësit e arsimit parauniversitar, edukatorit, psikologut, punëtorit social, pedagogut, ekonomistit dhe juristit.

Eksperti i fushës së arsimit, Jusuf Thaçi, megjithëse konsideron si pozitiv dhe të nevojshëm mbajtjen e këtij provimi, është skeptik për mundësinë e organizimit të tij.

"Parimisht ky ligj është pothuajse në të gjitha vendet dhe në parim është mirë sepse siguron uniformitet në nivel vendi, mirëpo nuk mundemi të themi se a do të jetë mirë për shkak se nuk e dimë se si do të zbatohet ky lloj vlerësimi apo testimi", tha Thaçi.

Provimi shtetëror bëhet për të "vlerësuar njohuritë e kandidatit që synon të ushtrojë profesion të rregulluar, duke siguruar njëtrajtshmëri dhe transparencë në vlerësimin dhe kualifikimin e tij në nivel kombëtar, përmes verifikimit të përvetësimit të aftësive të nevojshme profesionale për profesionin e rregulluar".

Dhe vetëm pas përfundimit të suksesshëm të këtij provimi, kandidati mund të marrë licencën përkatëse profesionale për punësim.

Megjithatë, të përjashtuar nga mbajtja e këtij provimi janë profesionistët që ushtrojnë apo kanë ushtruar një profesion të rregulluar në Kosovë para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe profesionistët të cilët kanë fituar të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar jashtë Republikës së Kosovës, që përcaktohet në akt të veçantë nënligjor.

Testimi parashihet të organizohet nga Agjencia Shtetërore e Provimeve të Kosovës me katër anëtarë të komisionit ku përfshihet kjo agjenci, Ministria e Arsimit, profesionistë të fushës dhe profesorë universitarë.

The post S'ka më punësim pa provim shtetëror appeared first on Mesazhi.com.

2017-a, viti i Speciales

Posted: 31 Dec 2016 01:30 AM PST

Përfundimisht viti 2017 do të jetë ai kur edhe do të fillojnë gjykimet e para nga Gjykata Speciale me seli në Hagë (Holandë), ndërsa me vetë fillimin e gjykimeve të para nëse atje përballen me akuza zyrtarët e lartë politikë të cilësdo parti qoftë atëherë definitivisht do të ketë edhe ndryshime politike në Kosovë.

Kështu të paktën kanë vlerësuar njohësit e këtyre rrethanave, të cilët po ashtu kanë thënë se meqë gjykatat tona në asnjë rast nuk kanë denjuar të merren me këto raste, qoftë edhe të supozuara, ka ardhur për rrjedhojë krijimi i Gjykatës Speciale, ku përkundër kundërshtimeve për krijimin e saj, më në fund duke qenë me interes për vendin dhe zhvillimet demokratike të tij, ajo edhe është votuar nga Parlamenti i Kosovës.

Në këtë drejtim është shtuar edhe dilema se çfarë ndryshimesh do të sjellë në skenën politike dhe atë juridike viti 2017, kur priten edhe aktakuzat e arrestimet e para nga Gjykata Speciale, po ashtu do të realizohet reforma në drejtësi vitin që po vjen dhe të bëhet edhe ligji për dekriminalizimin?

Avokati Tomë Gashi në një prononcim për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se definitivisht që nga viti 2015, kur është nxjerrë Ligji për Gjykatën Speciale dhe për Prokurorinë Speciale që selinë do të kenë në Hagë (Holandë) autoritetet e Kosovës, sipas tij, nuk kanë kurrfarë mundësie që të ndikojnë në fillimin apo mbarimin e punës së Gjykatës Speciale.

"Tanimë unë veç sa kam qenë një javë atje në një seminar-konferencë për Gjykatën Speciale në Hagë, ku janë duke u bërë përgatitjet, por jo përfundimtare, por sigurisht që kjo edhe pak do të zgjasë, mirëpo përfundimisht në 2017 do të fillojnë gjykimet e para, ndërsa me vetë fillimin e gjykimeve të para, nëse atje përballen me akuza zyrtarët e lartë politikë të cilësdo parti, atëherë definitivisht do të ketë edhe ndryshime politike në Kosovë", theksoi ai

Priten ndikime në luftimin e krimit dhe korrupsionit avokati tjetër, Skender Musa, thotë se Gjykata Speciale pa dyshim se do të ketë ndikim edhe në sistemin e drejtësisë në përgjithësi në Kosovë, e posaçërisht në mënyrë të veçantë do të ketë ndikim në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

"Edhe gjykatat vendore, por edhe prokuroritë pas ndryshimeve që do të bëhen në kreun e tyre do të merren shumë më seriozisht me këto dukuri që po e shqetësojnë në vazhdimësi shoqërinë kosovare, mirëpo sa u përket ndikimeve në aspektin politik pa dyshim se në bazë të njohurive dhe informacioneve, që ne i disponojmë do të ketë edhe ndikim politik, për shkak se pritet që të akuzohen struktura mjaft të larta politike në Kosovë, që kanë pushtet aktual dhe për rrjedhojë kjo pa dyshim se ndikon edhe në skenën politike në përgjithësi", ka vijuar Musa.

Por, më tej ai ka shtuar se sa i përket ndikimit të institucioneve të Kosovës në vendimmarrjen apo në hetimin e çështjeve nga Gjykata Speciale, në mënyrë absolute, sipas tij, organet e Kosovës nuk kanë asnjë lloj ndikimi në Gjykatën Speciale.

"Kjo e fundit do të veprojë në bazë të ligjit dhe plotësisht e pavarur nga tërë Kosova", ka nënvizuar për gazetën "Kosova Sot" avokati Skender Musa.

The post 2017-a, viti i Speciales appeared first on Mesazhi.com.

Taulant Xhaka mund të transferohet në Premierligë

Posted: 31 Dec 2016 12:32 AM PST

West Ham është i interesuar për transferimin e mesfushorit të Baselit, Taulant Xhaka.

"Hammers" kanë identifikuar reprezentuesin shqiptar si përforcim të mundshëm për afatin kalimtar të janarit, raporton "Mirror".

Vëllai i mesfushorit të Arsenalit, Granit Xhaka pëlqehet nga West Ham edhe për faktin se mund të luajë në mbrojtje, përcjell "lajmi.net".

Ai mund të kushtojë rreth 4 milionë funte.

The post Taulant Xhaka mund të transferohet në Premierligë appeared first on Mesazhi.com.

Sulm me bombë në Irak, dhjetëra të vdekur e të plagosur

Posted: 31 Dec 2016 12:24 AM PST

18 persona të vdekur e 40 të plagosur është bilanci i një shpërthimi të dyfishtë që ka ndodhur në një treg të kryeqendrës së Irakut, raporton agjencia e lajmeve AFP, transmeton lajmi.net.

Sipas një koloneli të policisë, numri i të vdekurve mund të rritet, pasi shpërthimi ka ndodhur në një vend ku ka frekuentim të madh të njerëzve.

Policia ka mbyllur komplet zonën, ndërsa ekipet mjekësore po bëjnë përpjekje për t'i shpëtuar të plagosurit.

Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësin e sulmit./Lajmi.net/

The post Sulm me bombë në Irak, dhjetëra të vdekur e të plagosur appeared first on Mesazhi.com.

Mustafa: Miratimi i ligjit për veteranët dëshmon forcën e koalicionit

Posted: 31 Dec 2016 12:17 AM PST

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se miratimi i ndryshimeve në Ligjin për Veteranët e UÇK-së, tregon seriozitetin dhe forcën e koalicionit PDK-LDK.

Postimi i plotë i Mustafës në Facebook:

Aprovimi i ndryshimeve në Ligjin për Veteranët e UÇK-së dëshmon seriozitetin dhe forcën e koalicionit qeverisës. Uroj deputetët për një vendim shumë të rëndësishëm, Kryetarin e Kuvendit dhe OVL.

Është ky një vendim që ka kërkuar më shumë kohë dhe angazhim, një involvim të kreut të shtetit dhe punë me përkushtim të Ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale. Kosova trasoi rrugën për zhvillim të qendrueshëm ekomomik. Urime!

The post Mustafa: Miratimi i ligjit për veteranët dëshmon forcën e koalicionit appeared first on Mesazhi.com.

Thaçi: 2016-ta, vit i hapave historikë për Kosovën

Posted: 31 Dec 2016 12:10 AM PST

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se gjatë vitit 2016 Kosova ka shënuar progres pothuajse në të gjitha fushat.

Ai në një intervistë dhënë për gazetën "Epoka e re" ka thënë se 2016-shi ka qenë vit i hapave historikë për shtetin tonë.

"Hyrja në fuqi e MSA-s, dialogu politik me NATO-n, anëtarësimi në konventa ndërkombëtare, anëtarësimet në UEFA e FIFA, medalja e artë e fituar nga Majlinda në Lojërat Olimpike, sukseset e Rita Orës e Dua Lipës, i filmit 'Shok' dhe 'HomeSweetHome', na kanë bërë krenarë të gjithëve", ka deklaruar Thaçi, duke shtuar se mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës ka qenë zhgënjimi më i madh.

"Nuk mund të mohojmë se kemi pritur më shumë, sidomos kur është fjala për liberalizimin e vizave. Ky është zhgënjimi më i madh këtë vit. Zhgënjimi bëhet edhe më i madh kur e kujtojmë se ky është rezultat i politikave të brendshme në Kosovë më shumë se çfarëdo tjetër", ka theksuar ai.

Thaçi ka folur edhe për punën e koalicionit qeverisës dhe rolin e opozitës, duke thënë se të dyja palët duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët politike për t'i zgjidhur problemet që janë në interes të vendit. Në këtë kontekst, presidenti i vendit ka shprehur optimizëm se në fillim të 2017-s kjo klasë politike do t'i përfundojë me sukses procesin e demarkacionit me Malin e Zi dhe asociacionin e komunave me shumicë serbe.

"Edhe koalicioni qeverisës, edhe opozita duhet të gjejnë gjuhë të përbashkët politike. Duhet të punojnë dhe t'i përfaqësojnë dinjitetshëm qytetarët dhe shtetin. Koalicioni qeverisës duhet të reflektojë mbi punën e vet dhe ta synojë rritjen e efikasitetit të qeverisjes së vet, kurse opozita duhet të jetë e përgjegjshme në rolin e saj, gjithnjë duke e pasur në rend të parë interesin e qytetarëve të Kosovës. Klasa politike e Kosovës gjithmonë deri tani ka treguar se di të ngrehet mbi interesat personale e partiake dhe të bëjë atë që është në interesin e Kosovës. Besoj se kjo mbetet ende veçoria kryesore e klasës politike në Kosovë", ka thënë Thaçi.

Ai ka premtuar se si president i vendit edhe në vitin 2017 do të vazhdojë t'i ruajë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e shtetit.

"Kam ndërmarr veprime konkrete që kanë ndikuar shumë në përmirësimin e imazhit të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare, sepse kanë qenë mesazhe të qarta për garantimin e të drejtave dhe lirive të çdo qytetari në vendin tonë. Kam ndërmarrë nisma për forcimin e rendit, ligjit dhe integritetit të shtetit tonë. Në fillim të mandatit jam betuar se do t'i ruaj pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e shtetit tonë, se do t'i garantoj liritë dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve, se do ta ruaj edhe Kushtetutën e ligjet tona dhe paqen e mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë. Punën konkrete e kam nisur dhe në vitin 2017 do ta vazhdoj prej aty ku më ka mbetur", ka deklaruar presidenti Thaçi.

The post Thaçi: 2016-ta, vit i hapave historikë për Kosovën appeared first on Mesazhi.com.

Related Posts :