Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Partizani zyrtarizon nigerianin Bonafice” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Partizani zyrtarizon nigerianin Bonafice” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Partizani zyrtarizon nigerianin Bonafice

Posted: 29 Dec 2016 08:48 AM PST

Një pikë poshtë Kukësit, kryesues dhe 23 vite pritjeje! Mjaftojnë këto dy motive për të ndezur merkaton te Partizani. Kryeqytetasit rivalizojnë për titullin kampion edhe në këtë sezon dhe ndërsa panë t’u sfumohej ëndrra në javën e fundit të edicionit të shkuar, nuk duan që të rrezikojnë sërish ta humbasin atë. Në këtë prizëm, drejtuesit e kuq po duan të blindojnë repartin e avancuar, që në pjesën e parë të kampionatit ishte totalit i varur nga italo-ganezi Kaleb Ekuban, që me 9 golat e tij, u bë pikë referimi për skemat e Starovës. Kështu, të kuqtë kanë prezantuar blerjen e sulmuesit të tyre më të ri, Matjë Bonafice, gjiganti nigerian nën kontratë me Ael Limasolin, që në verë u bë mollë sherri mes qipriotëve dhe Skënderbeut, me këtë të fundit që nuk mund ta aktivizonte dot në Superligë lojtarin. Kontrata është firmosur në mesditë nëpërmjet menaxherit të tij dhe drejtuesve të kuq, ndërsa prezantimi zyrtar do të bëhet në ditët e para të janarit. Gjithashtu, të kuqtë presin një përgjigje përfundimtare nga serbi Nikola Gjurgjiç, që sipas të gjitha gjasave do ta ndajë të enjten vendimin për t’iu bashkuar të kuqve. Starova pret edhe rikthimin e Xhevahir Sukajt, shkodranit që sezonin e fundit shënoi 21 gola për Partizanin, ndërsa besohet se lojtari formën optimale do ta arrijë në muajin shkurt me fazën e tretë të nisur. Por nuk përjashtohen goditjet-surprizë, teksa synohen afrime cilësore edhe nga Italia, por në kampin e kuq nuk duan të japin emra pa filluar bisedimet.

Rikuperimi, Berisha në fushë që kundër Lacios!

Posted: 29 Dec 2016 08:47 AM PST

Vijnë sërish lajme të mira për Etrit Berishën. Portieri shqiptar që iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pritet të kthehet në fushë më shpejt se parashikimet. Këtë gjë e konfirmojnë mjekët e Atalantës, të cilët besojnë se Berisha do të rikthehet të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj ish-skuadrës së tij, Lacio e cila do të luhet më 15 janar. Mesa duket, periudha e rehabilitimit ka shkuar shumë mirë për “gardianin” shqiptar, i cili para dëmtimit ishte duke kaluar një superformë. Megjithatë, edhe pse pritet të jetë i gatshëm, nuk dihet nëse Berisha do të rikthehet në formacion pas dëmtimit që kaloi.

Josa: Tirana është ende për titull

Posted: 29 Dec 2016 08:47 AM PST

Jeton Selimi

Tirana edhe pse e përgjysmuar në organikë, ende nuk i ka mbyllur përgatitjet për 2016-ën. Me pjesën më të madhe të titullarëve të larguar pranë familjeve të tyre, trajneri Mirel Josa ka preferuar të punojë me të rinjtë, të cilët pretendojnë një vend në skuadrën e parë. “Nuk dua që periudha e pushimeve të jetë e gjatë, megjithëse shumë lojtarë kanë marrë leje për të shkuar pranë familjeve të tyre. Plus që në këto stërvitje të fundvitit dua të shoh edhe ata lojtarë të rinj, që kanë pretendime për të qenë pjesë e skuadrës së parë apo për më shumë minuta”. Rezultatet e arritura gjatë muajit dhjetor e kanë distancuar Tiranën nga tri skuadrat kryesuese, por Josa nuk heq dorë nga objektivi madhor, edhe pse këmbëngul se skuadra e tij duhet të bëjë llogaritë vetëm me ndeshjen e radhës. “Objektivi i Tiranës është ndeshja e radhës. Në bazë të rezultateve që do të arrijmë, do të kemi objektivat tanë. Titulli? Skuadrat kryesuese nuk janë shumë larg, me dy rezultate pozitive situata mund të ndryshojë menjëherë, megjithatë e përsëris, duhet të shohim takimin e radhës”. Nevoja për lojtarë cilësorë, sidomos në fazën sulmuese i detyron drejtuesit bardheblu të hyjnë në merkato, mirëpo trajneri kryeqytetas paralajmëron se ndryshimet do të jenë të vogla. “Tirana ka nevojë për thellësi dhe kur e them këtë, nuk e kam fjalën për elementë që përshtaten në role të ndryshme, por për futbollistë që na bëjnë të mos i ndiejmë mungesat, qoftë për pezullime apo për arsye dëmtimesh. Megjithatë, ndryshimet do të jenë të vogla”.
Tregu i huaj mbetet i kushtëzuar për Tiranën për faktin se aktualisht ka 6 lojtarë afrikanë në organikë, me dy prej të cilëve Josa zbulon se do të kërkohet ndërprerja e marrëdhënieve kontraktuale, por pa i zbuluar emrat. “Ne kemi gjashtë lojtarë afrikanë në kontratë dhe nuk mund të marrim të tjerë, sepse ka kosto financiare për klubin. Nëse katër prej tyre e kanë konfirmuar veten për vazhdimësinë, me dy prej tyre duhet të presim se çfarë do të ndodhë. Nuk mund të përmend emra, pasi varet nga bisedimet që do të ketë klubi me ta”.

Pse nuk tërhiqemi nga Partneriteti Publik-Privat

Posted: 29 Dec 2016 08:46 AM PST

Edi Rama

Do mundohem të jem shumë sintetik, edhe pse më rezulton zakonisht e vështirë kjo gjë, edhe për faktin se, ju jeni edhe të ftuar për edicionin e katërt të Bletës së Artë’, por edhe sponsorët e kësaj darke, kështu që nuk dua të krijoni përshtypjen që qeveria flet e flet e flet dhe ju mbeteni të pangrënë. Pak gjëra dua të rreshtoj. Së pari, që, si rrjedhojë e reformave të ndërmarra në funksion të sipërmarrjes, Shqipëria këtë vit arriti pozicionin e saj më të mirë historik në raportin global “Doing Business”, (Të bërit biznes), qysh prej vitit të parë të tij të publikimit, në vitin 2003. Këtë vit jemi renditur në vendin e 58-të, nga 190 ekonomi të krahasuara dhe kemi përmirësuar 32 pozicione. Ndërkohë që, në pozicionin e lehtësimit për pagesën e taksave kemi përmirësuar 45 vende. Nuk është ky objektivi ynë përfundimtar. Ne synojmë të përmirësojmë ende më shumë pozicione të tjera. Jemi të bindur që është e mundur. Dimë se si duhet të shkojmë drejt përmirësimit të pozicioneve të tjera. Patjetër që do t’ia dalim! Sot janë të regjistruar në librat e shtetit 183 mijë punonjës më shumë në sektorin jobujqësor, sesa ç’ishin në vitin 2013. Është një shifër dhe jo një opinion. Besoj që është një shifër që vlen për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe duan kuptojnë se nëse papunësia në Shqipëri, sot e gjithë ditën është një plagë e madhe, Shqipëria sot nuk është më e papunë. Shqipëria sot ka më shumë punësim sesa 3 vjet e pak më parë. Ashtu sikundër, dua ta përsëris edhe përpara jush, shumë nga ju jeni dëshmitarë të faktit që, nëse do të merrnin një rrugëtim dhe do të trokisnim derë më derë në të gjitha ndërmarrjet që janë në të dyja anët e autostradës Tiranë-Durrës, nuk do të gjenim një derë të vetme ku s’ka qoftë edhe një vend të lirë pune. Përkundrazi, ka nga një e nga dy, deri në 50-60 vende të lira pune. Kjo, si rezultat i nevojës së sipërmarrjeve për krah pune të kualifikuar dhe si pasojë e mungesës së gjatë të kualifikimit të krahut të punës. Sonte, unë dua të falënderoj të gjithë ata ndër ju që janë këtu, ose që s’janë këtu, të cilët i janë bashkuar përpjekjes sonë të madhe për reformimin rrënjësor të arsimit profesional dhe për transformimin e tij nga një “refugium peçatorum” e braktisur, ku strehoheshin viktimat terminale të një sistemi arsimor komplet të rrënuar dhe jashtë çdo standardi, në një gjenerator të punësimit në Shqipëri. E kemi filluar me 3 mijë nxënës në arsimin profesional dhe sot jeni në 27 mijë, çka do të thotë se e ardhmja, jo shumë e largët, është patjetër shumë më e sigurt për shumë më tepër vajza dhe djem, që përmes arsimit profesional do të gjejnë vendin e tyre të punës në dyert tuaja, ku priten krahëhapur ata që zotërojnë një zanat. Nga ana tjetër, të regjistruar në librat e shtetit sot janë për këtë vit 18 mijë biznese të reja. 18 mijë biznese të reja, qoftë edhe sikur një person të vetëm të kenë punësuar, bëjnë 18 mijë njerëz të punësuar. Por nuk bëhet fjalë për një person, bëhet fjalë për shumë më tepër persona.
Ajo që është më e rëndësishme për të gjithë ata që i fryjnë një tymnaje që Shqipëria është vendi ku s’ka investime të huaja, – nuk është vetëm shifra që solli këtu ministri, që është shifër zyrtare, por është edhe fakti që kemi një rritje me 13.2 për qind të numrit të kompanive të huaja, apo me kapital të përbashkët. Besoj që ia vlen të nënvizohet se ky vit na ka dhënë një mesazh shumë kuptimplotë për potencialin e jashtëzakonshëm turistik të Shqipërisë, jo vetëm si një gjë që e dimë, por edhe si një gjë të cilën kemi filluar ta fusim në rrugën e një zhvillimi të qëndrueshëm. Faktikisht, sipas Bankës së Shqipërisë, që është një institucion, shifrat e të cilit nuk kam dëgjuar deri më sot ndonjëherë të kontestohen, ekonomia e Shqipërisë fitoi më shumë se gjysmë miliardi euro nga turizmi vetëm në 3-mujorin e tretë të vitit 2016. Edhe në këtë rast, ashtu si edhe për sa thashë më parë, nuk është mjaft. Përkundrazi! Është një arsye jo për të qenë të kënaqur, por për të qenë edhe më të pakënaqur me veten tonë, pasi potenciali është i jashtëzakonshëm.
Besojmë shumë që miratimi i Planit të Përgjithshëm Kombëtar, ku përfshihet dhe plani i integruar i Zhvillimit të Bregdetit, së bashku me ligjin e Investimeve Strategjike dhe me legjislacionin specifik për Zhvillimin e Turizmit na vendosin në kushtet ku mund t’i japim një shtysë të re kësaj industrie, me rritje të konsiderueshme, jo vetëm të të ardhurave të përgjithshme, por edhe të vendeve të punës. Nuk duhet lënë pa nënvizuar rritja ekonomike. Sigurisht që 3.3, apo 3.5 për qind, – të shohim si do përfundojë, brenda këtij harku, viti 2016, – nuk është një rritje e mjaftueshme për një ekonomi si e jona, në kushtet kur për familjen e shtresës së mesme, apo të varfër ne kërkojmë që impulsi i rritjes të jetë vërtet i prekshëm dhe i pranishëm në jetën e përditshme. Por, ama, vetëm kush nuk do të shohë dhe kush nuk do të dëgjojë, e për këtë s’do as të kuptojë, nuk pranon se 3.3, apo 3.5 për qind është shumë më tepër se 0 presje diçka ku ishte ekonomia 3 vjet e pak më parë. Ashtu sikundër, edhe projeksioni i rritjes së mëtejshme të qëndrueshme është qartësisht inkurajues në funksion të atij objektivi që thashë. Ne kemi të gjitha arsyet për t’u ndjerë krenarë për këtë kthesë të rëndësishme që po i japim ekonomisë, jo thjesht në funksion, apo me rezultat rritjen, por në funksion të transformimit të brendshëm të modelit ekonomik, nga një model i cili mbështetej tek remitancat dhe tek boom-i në ndërtime, si dy burimet më të mëdha të rritjes, tek një model që mbështetet tek investimet prodhuese dhe eksportet. Ama, nga ana tjetër, jemi absolutisht të bindur se kemi të gjitha arsyet për të qenë edhe më të pakënaqur sot sesa në momentet e para, kur realisht ia dolëm të shmangim një rënie në humnerë, për shkak të borxheve të akumuluara, të borxheve të fshehura dhe të të gjithë kolapsit energjetik dhe financiar ku kërcënoheshim, si rezultat i krizës së thellë të kompanisë së shpërndarjes. Por, në raport me të ardhmen, kjo nuk na mjafton. Kjo është arsyeja pse ne jemi përgatitur për të injektuar në ekonomi një shumë prej 1 miliard eurosh në 3 vitet e ardhshme, shumë, e cila, sipas projeksioneve tona, mund ta nxisë rritjen ekonomike, përtej rritjes së parashikuar, deri në 6 e plus për qind, në varësi nga kapaciteti ynë ekzekutiv i këtij programi shumë ambicioz investimesh në infrastrukturën rrugore, investimesh në infrastrukturën arsimore, investimesh në infrastrukturën shëndetësore, në bashkëpunim me sipërmarrjen. Këtu dua t’i nxis të gjithë që të mendojnë dhe të projektojnë mundësinë për t’u përfshirë në këtë program masiv investimesh, ku synimi ynë është që të nxjerrim nga bankat sa më shumë likuiditet dhe t’i vendosim në dispozicion të ekonomisë përmes këtij programi transformues në infrastrukturë. Natyrisht që nuk kemi ndërmend të tërhiqemi nga vizioni dhe nga modeli ynë i Partneritetit Publik Privat. Unë dua t’ju them që pavarësisht të gjithë përpjekjes për t’i demonizuar Partneritetet Publike Private që kemi ndërtuar, ato në fakt janë treguesi më kuptimplotë i asaj çfarë mund të bëjë qeveria, së bashku me ju, në funksion të rritjes thelbësore të cilësisë së shërbimeve për publikun dhe në funksion të rritjes së ekonomisë, duke shtuar këtë komponent tjetër për të cilin sapo fola. Ajo që është më e rëndësishme, i gjithë ky program, ashtu sikundër rritja e rrogave dhe e pensioneve, që është rritja më e madhe brenda një viti në 25 e fundit, ndodhin pa rritur borxhin, por përkundrazi, duke vazhduar trendin ulës dhe normalizues të borxhit publik. Ka pasur rritje rrogash dhe pensionesh edhe në të shkuarën, por gjithmonë kanë qenë rritje rrogash dhe pensionesh për prindërit, apo për gjyshërit sot, duke i marrë paratë nga fëmijët nesër, pra duke rritur borxhin publik. Rritja prej 100 milionë dollarësh e rrogave dhe e pensioneve për vitin e ardhshëm impakton 0 borxhin publik. Përkundrazi, paralelisht me rritjen e rrogave dhe pensioneve, do të ketë një ulje të borxhit publik. Ashtu sikundër, edhe ky program agresiv investimesh, – që ne do ta shpallim zyrtarisht dhe të detajuar përpara jush, qoftë sipërmarrjes, qoftë bankave në ditët e janarit, pasi duam që të jetë sa më i qartë dhe sa më i kuptueshëm për të gjithë, – jemi të bindur që do të na japë mundësinë që në harkun e 4 viteve të ardhshme rritja ekonomike e Shqipërisë të jetë vërtetë një “boom” i mirëfilltë, me një dyfishim minimalisht të rritjes ekonomike të parashikuar. Së fundmi, ju shpreh edhe njëherë mirënjohjen time më të thellë për gjithçka ju keni bërë. Ju e dini që kemi transformuar rrënjësisht, ende jo plotësisht, mënyrën e funksionimit të administratës tatimore dhe doganore dhe xhirot tuaja i ndjekim nëpërmjet atij trurit elektronik të instaluar aty, kështu që me kënaqësi kam vënë re që kur kemi kontakte të drejtpërdrejta, – pavarësisht zakonit të vjetër për të thënë: “E mo çka”, “E mo, sikur kemi qenë më mirë vitin tjetër”, – nuk mohon dot asnjëri nga ju që ka pasur rritje të konsiderueshme të xhiros, qoftë ata që e kanë rritjen të shfaqur drejtpërdrejtë edhe në ekranin e trurit elektronik të Tatimeve, qoftë ata që akoma nuk janë plotësisht të vetëdijshëm se lufta kundër informalitetit, jo që s’ka mbaruar, po vetëm ka filluar. Prandaj, përfitoj nga rasti që t’jua jap këtë mesazh, që bëni rivlerësimin, siç e kemi kërkuar dhe siç e kemi sanksionuar dhe në paketën e re të Ministrisë së Financave, për të ikur gjithmonë e më shumë nga natyra represive e marrëdhënies mes administratës fiskale dhe biznesit, për të krijuar sa më shumë sensin e partneritetit dhe të ndarjes së qartë të detyrimeve të përbashkëta, në mënyrë që të mos kemi viktima të peshës së rëndë të kësaj lufte kundër informalitetit. Gjë që do të thotë se ato kutitë kineze njëra pas tjetrës për të shpërndarë xhiron duhen mbledhur dhe paketuar, sepse për fatin e mirë të financave publike, janë të gjitha të skanuara.
Ndërkohë, ne presim që ju vetë të bëni rivlerësimin, t’i paketoni, t’i quani “të shkuara, të harruara” dhe shtetit t’i jepni gjithë atë që i detyroheni. Prandaj, me mirënjohjen më të thellë për darkën, ju siguroj se darka nuk do të mjaftojë që ne të mbyllim sytë karshi detyrimeve tuaja. Këtu e di që kemi të gjithë mirëkuptimin tuaj.
Shumë faleminderit!
* Fjala e kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Bleta e Artë 2016”

Obama, një idealist në një realitet të ashpër

Posted: 29 Dec 2016 08:44 AM PST

Cindy Saine

Presidenti Barak Obama është në ditët e fundit në detyrë si presidenti i 44-rt i Shteteve të Bashkuara. Politikani 47-vjeçar, që erdhi në pushtet duke premtuar shpresë dhe ndryshim, largohet pas 8 vitesh me shkallën më të lartë të miratimit sesa çdo president tjetër i periudhës moderne, rreth 59 për qind. Zoti Obama largohet, ndërsa politikania që ai priste ta zëvendësonte, Hillary Clinton, pësoi humbje të thellë përballë republikanit Donald Trump. Zoti Trump ka premtuar se do të zhbëjë shumë prej politikave themelore të paraardhësit të tij. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës” në Shtëpinë e Bardhë u hedh një vështrim disa prej momenteve kryesore që u bënë përcaktuese për Barak Obamën si udhëheqës, por edhe si njeri.
Imazhi i afro-amerikanit të parë të zgjedhur President i Shteteve të Bashkuara, kapur për dore me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, mund të ketë ndryshuar përgjithmonë perceptimin e amerikanëve mbi atë se kush mund ta fitojë Shtëpinë e Bardhë.
“Nëse ka ndonjë njeri që ende dyshon se Amerika është vendi ku çdo gjë është e mundur, nëse ende pyet veten a është gjallë edhe sot ëndrra e themeluesve tanë, që vë në pikëpyetje forcën e demokracisë sonë, sot ka marrë përgjigjen”, tha presidenti Obama.
Amerikanët e vlerësojnë shumë zotin Obama për rolin e tij si prind, edhe pse nuk bien dakord me disa prej politikave të tij.
“Ndoshta më shumë se çdo president tjetër, ai ka integruar jetën familjare me udhëheqjen e vendit, dhe kjo nuk është një gjë e lehtë”, thotë Alan Lihtman, historian presidencial.
Në fillimet e presidencës së tij, zoti Obama u përqendrua në kapjen e Osama Bin Laden-it, udhëheqësit të Al-Kaidës, gjë që nuk e bëri dot ish-presidenti George W. Bush. Në mbrëmje vonë, në 2 maj të vitit 2011, presidenti Obama iu drejtua popullit amerikan:
“Sonte mund t’u them amerikanëve dhe botës se Shtetet e Bashkuara drejtuan një operacion ku u vra Osama Bin Laden, udhëheqësi i Al-Kaedës dhe një terrorist që është përgjegjës për vrasjen e mijëra burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm.”
Por kjo fitore e madhe u pasua me fillimin e luftës civile vdekjeprurëse në Siri. Në 21 gushtin e 2012-ës, zoti Obama i bëri një paralajmërim presidentit sirian Bashar Al-Assad, paralajmërim i cili nuk do t’i ndahej presidentit amerikan.
“Nuk mund të lejojmë që armët kimike dhe biologjike të bien në duart e njerëzve të gabuar. Kemi qenë shumë të qartë me regjimin e Assad-it, por dhe të aktorëve të tjerë në terren; vija e kuqe për ne është atje ku shohim të qarkullojnë apo përdoren armët kimike”.
Një vit më vonë, vëzhguesit thanë se ushtria e Assad-it vrau më shumë se 1 mijë persona me gaz sarin. Ndryshe nga ç’pritej, Shtetet e Bashkuara nuk u përgjigjën me përdorim force. Një ekspert sirian thotë se ky ishte momenti kur u thyen shpresat e shumë sirianëve.
“Çka po ndodh në Siri është vetëm një tjetër betejë, në luftën e madhe atje”, – thotë Haid Haid, i organizatës “Chatham House”.
Brenda vendit, pas incidenteve me sfond racor, presidenti Obama foli mbi gjendjen e marrëdhënieve racore në Amerikë. Masakrimi i 9 afrikano-amerikanëve në një kishë në qershorin e vitit 2015, e bëri presidentin të reflektojë për qëndrimin e mbajtur nga familjet e viktimave, të cilat e falën personin e armatosur.
“Nëse e përqafojmë këtë gjest, gjithçka mund të ndryshojë”.
Në skenën botërore, zoti Obama u shkëput prej politikës së kaluar duke krijuar hapje historike me Birmaninë dhe Kubën. Në Havanë ai komunikoi direkt me popullin kuban.
“Në shumë mënyra, Shtetet e Bashkuara dhe Kuba janë si dy vëllezër, të larguar prej shumë vitesh edhe pse kanë një gjak”.
Presidentit duket se i pëlqen ndërveprimi me të rinjtë, sikurse me këtë grup nga Vietnami:
“Përpara se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, pse nuk këndon pak, të shohim ç’di të bësh”.
Megjithëse mandatit të tij si president po i vjen fundi, zoti Obama thotë se ky është vetëm fillimi i përpjekjes së tij globale për të nxitur të rinjtë të vihen në role udhëheqëse.

Turqia dhe Rusia akuzojnë SHBA-të: Kemi prova, kanë financuar terroristët

Posted: 29 Dec 2016 08:42 AM PST

Partneriteti mes Ankarasë dhe Uashingtonit po vihet seriozisht në pikëpyetje, aq sa në arenën ndërkombëtare po hidhen dyshime rreth vijueshmërisë normale të marrëdhënieve SHBA-Turqi. Kjo për shkak se presidenti Rexhep Taip Erdogan, në mënyrë të papritur akuzoi administratën amerikane se po mbështesin ISIS-in në Lindjen e Mesme. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Moskës zyrtare, që ka mbështetur akuzat e Erdoganit. Aleksey Pushkov, një nga senatorët e Këshillit të Federatës të Dhomës së Lartë në Parlamentin e Rusisë dhe një nga politikanët më me influencë pranë presidentit Putin, ka deklaruar dje se “presidenti Rexhep Taip Erdogan ka të drejtë në deklaratat e tij se forcat e koalicionit ofrojnë mbështetje ndaj organizatave terroriste, duke përfshirë edhe ISIS-in”. Sipas agjencisë së lajmeve “Anadolu Agency”, Pushkov, në një deklaratë në median sociale ka thënë: “Erdogan ka të drejtë. Ka shumë ngjarje që tregojnë se SHBA-të mbështesin organizatat terroriste. Është absurde që Departamenti i Shtetit është në përpjekje për të mohuar këtë rast të qartë”. Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka lëshuar akuza mjaft të rënda në drejtim të partnerëve më të mëdhenj të NATO-s, duke u shprehur se Ankaraja disponon prova që vërtetojnë se SHBA-të kanë mbështetur organizata të ndryshme terroriste në Lindjen e Mesme, përfshirë ISIS-in. Në fjalën e tij, kreu i shtetit turk nënvizoi se për të provuar këto akuza ekzistojnë materiale të shumta, si fotografi, video etj. Erdgoan tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara e thyen premtimin e bërë kur themeluan koalicionin ndërkombëtar anti-ISIS, duke ndryshuar qëndrimin e tyre. “E mbani mend se çfarë thanë forcat e koalicionit në fillim të misionit? Ata thanë, ‘do të luftojmë Shtetin Islamik deri në shkatërrimin e tyre’. Në fakt, na akuzuan edhe ne që po mbështesnim ISIS-in, por tashmë ata janë zhdukur. Për më tepër, ata kanë ndryshuar edhe qëndrimin e tyre, duke mundësuar mbështetje për grupe terroriste si Shteti Islamik, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit dhe Partia e Unionit Demokratik. Kjo gjë është mjaft e qartë, pasi ne kemi prova të ndryshme, si fotografi, video etj.”, – akuzoi Erdogan.

Mediat: Azilantët shqiptarë po kthehen vullnetarisht

Posted: 29 Dec 2016 08:42 AM PST

E përditshmja gjermane “Sueddeutsche Zeitung” siguroi të dhënat për muajt janar-nëntor nga Zyra për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF), ndërsa vihet re se shumica e emigrantëve të vetëlarguar janë nga Ballkani Perëndimor. Këtë listë e kryesojnë shqiptarët, me 15 mijë azilkërkues që janë larguar vullnetarisht. Një numër rekord prej 55 mijë emigrantësh janë larguar në mënyrë vullnetare nga Gjermania gjatë këtij viti, më shumë se dyfishi i numrit të të deportuarve. Shqiptarët formojnë grupin më të madh të të kthyerve vullnetarë, me 15 mijë të tillë, ndërsa serbët, irakianët dhe kosovarët kapin shifrat e 5.000 të kthyerve vullnetarë. Gjermania regjistroi numrin rekord të azilkërkuesve gjatë vitit të kaluar, me të paktën 890 mijë të tillë të mbërritur me fluksin rekord që prej Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2016, Gjermania deportoi 25 mijë emigrantë. Dhe, siç dihet, ata që mbërritën në Gjermani prej vendeve të Ballkanit Perëndimor përgjithësisht nuk kanë të drejtë për të qëndruar atje. “BAMF” thotë se një numër gjithnjë e më i madh azilkërkuesish janë duke u rikthyer vullnetarisht në Irak, Iran dhe Afganistan. Në këtë të fundit, vullnetarët e kthyer gjatë këtij viti kapin shifrat e 3.200 të tillëve, rreth 10 herë më shumë sesa u kthyen në vitin 2015. Më herët gjatë këtij dhjetori, 34 afganë janë deportuar nga vendi, pasi iu refuzuan kërkesat për azil. Qeveria gjermane është angazhuar se do të përshkallëzojë normat e kthimit të emigrantëve, edhe për shkak të kritikave nga mbarë vendi ndaj kancelares Angela Merkel, mbi të gjitha për politikën e saj të dyerve të hapura ndaj refugjatëve. Megjithatë, ligji ndërkombëtar e ndalon “kthimin” e refugjatëve në zonat ku mund të përballen me rreziqe të mëdha nga lufta apo persekutimi. Ndërsa, çdo kërkesë për azil duhet të vlerësohet individualisht, duke mos pasur asnjë lloj diskriminimi ndaj grupeve të veçanta. Bashkimi Europian, gjithsesi, nuk e ka ende një listë të miratuar të vendeve “të sigurta” të origjinës, por shtete anëtare të Unionit i marrin vendimet në mënyrë individuale ndaj secilit azilkërkues. Pas sulmit në Berlin pak ditë më parë, Merkel është kritikuar për politikat që ka ndaj azilkërkuesve në Gjermani.

Bonusi i strehimit, ja 156 familjet që do të përfitojnë

Posted: 29 Dec 2016 08:41 AM PST

Ermelinda Hoxhaj

Në mbledhjen e sotme të këshillit bashkiak, veç buxhetit afatmesëm 2017-2019 dhe Planit të Përgjithshëm Vendor, është shtuar në rend dite për miratim edhe projektvendimi për trajtimin me bonus qiraje të familjeve të pastreha në nevojë. Sipas këtij vendimi, janë 156 familje që do të trajtohen me bonus strehimi, emrat e të cilave si dhe pagesën mujore që do përfitojnë e keni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Vlera minimale e qirasë që do përfitojnë familjet është 5.400 lekë, ndërsa ajo maksimale kap vlerën e 25.000 lekëve në muaj. Për këto familje, bashkia do mbulojë shpenzimet e qirasë për 12 muaj, me një efekt financiar prej 19.4 milionë lekësh.
Familjet
përfituese
Në raportin e Bashkisë së Tiranës sqarohet se numri i familjeve që kanë aplikuar për subvencionim të qerasë mujore është 240. Por prej tyre janë vetëm 156 familje të cilave bashkia do u mbulojë një pjesë të qerasë mujore, ndërsa 39 do kenë subvencionim 100% të qirasë. Në relacion, sqarohet se aplikantët të cilët nuk janë zgjedhur nga komisioni i strehimit, janë kryesisht aplikantë që kanë pasur mungesë në dokumentacion. Edhe pse iu është kërkuar nga ana e Drejtorisë së Strehimit Social plotësimi i dokumentacionit, 84 aplikantë kanë rezultuar me mungesa. Nga 156 familje që do të marrin bonus strehimi për vitin 2017, 22 prej atyre që do të përfitojnë janë familje që jetojnë në ambientet e shkollës “Hoteleri Turizëm”. Për këto familje bashkia ka parashikuar një subvencionim të qerasë mujore për një vit në masën 100%. Sipas relacionit të bashkisë, i cili sot do të shqyrtohet në këshill bashkiak, rezulton se 16 prej familjeve që do të përfitojnë bonus strehimi janë familje me probleme sociale, ku përfshihen viktima të dhunës, nëna kryefamiljare me fëmijë jetimë, tetraplegjikë, fëmijë autikë, familje në situatë rruge etj. Pesë prej familjeve që përfitojnë janë nga ato familje që janë larguar nga Universiteti Bujqësor, tre familje që përfitojnë bonus strehimi 100% janë familje që kanë liruar banesat pasi janë banesa të ish-pronarëve. Po ashtu, janë edhe disa familje që jetojnë te Bregu i Lumit dhe një që jeton në zonën e Sharrës që do të përfitojnë subvencionim të qerasë mujore nga Bashkia e Tiranës për 12 muajt në vijim. Efektet financiare për 156 familje të cilat rezultojnë me dokumentacion të plotë, do të përballohen nga fondi për “Bonuset e Strehimit”, të parashikuar në buxhetin e bashkisë në shumën 1.620.760 lekë në muaj ose 19.4 milionë lekë për një vit.

Përdhunoi nusen e “djalit”, dënohet me 9 vite burg 56-vjeçari

Posted: 29 Dec 2016 08:39 AM PST

Gjykata e Tiranës dënon me 9 vite burg një 56-vjeçar nga Valiasi, i cili u akuzua nga nusja e djalit të bashkëjetueses së tij për përdhunim. Shtetasi Sh. Zarka u arrestua më 5 korrik të këtij viti, pas kallëzimit të bërë nga shtetasja Xh. Kovaçi, e cila në dëshminë para gjykatës, të siguruar nga “BalkanWeb”, ka deklaruar se është përdhunuar nën kërcënimin e thikës nga 56-vjeçari, pasi kishin drekuar në shtëpinë e vjehrrës së saj, në momentin që ishte shtrirë për të pushuar. “Vjehrra bashkëjeton me Sh. Zarkën, i cili është me banim në Valias. Më datë 03.06.2016, unë së bashku me kunatën time, E.K., ku me vete kisha vetëm djalin tim M.K, kemi shkuar te vjehrra jonë, L. Kovaçi. Ajo bashkëjeton me Zarkën, ndërsa ne na kishte ftuar për drekë. Kemi shkuar në banesën e tij, ku jemi ulur për të ngrënë drekë. Pasi kemi mbaruar drekën, jemi ulur për të pushuar. Unë, djali dhe kunata kemi shkuar në një dhomë gjumi për të fjetur”, – tregoi ajo para gjykatës. E reja ka treguar me detaje se çfarë ka ndodhur në dhomën ku pushonin ajo, kunata dhe i biri. Sipas saj, bashkëjetuesi i vjehrrës së tyre ka hyrë me dy gota birrë në dorë dhe me një thikë, duke i ftuar të pinin. Në momentin që nuset kanë refuzuar, i ka qëlluar. Ndërsa kunata dhe i biri kanë mundur të dalin nga dhoma, L. Kovaçi sqaroi se e kishte të pamundur, pasi bashkëjetuesi i vjehrrës “ka mbyllur derën dhe nën kërcënimin e një thike më ka zhveshur duke kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me mua. Pasi ka mbaruar punë, më ka thënë të rrija shtrirë përpara tij derisa të thoshte ai që të çohesha. Më pas, siç isha e zhveshur më ka thënë të ngrihesha në këmbë, të rrotullohesha rreth tij që të më shihte, ku dhe unë kështu bëra. Vazhdonte të më kërcënonte me thikë në dorë, ndërsa thoshte se ‘do të dalësh nga dhoma kur të të them unë, pasi nuk e kam mbaruar qejfin akoma'”, – ka treguar Xh. Kovaçi. Por historia nuk mbaron me kaq! Nusja tregoi para gjykatës se Zarka ka vënë në dijeni edhe vjehrrën e saj, madje, pasi e ka përdhunuar, i ka kërkuar t’i bëjë një kafe. “Hajde merru me mua dhe lëre nusen”, – iu përgjigj vjehrra në momentin që na pa, ndërsa ai shtoi “më bëj një kafe”, siç tregon nusja, e cila thotë se nuk është përdhunuar vetëm një, por dy herë.

“Mamaja e Marjan Levantit t’u qëndrojë 50 metra larg ish-nuses dhe nipërve”

Posted: 29 Dec 2016 08:38 AM PST

Mamaja e Marjan Levantit, i cili u arrestua pasi plagosi me thikë prindërit dhe vëllain e ish-gruas së tij, duhet t’u qëndrojë 50 metra larg ish-nuses së të birit si dhe nipërve të saj. Ky fakt bëhet me dije në vendimin e gjykatës së dhënë ndaj historianes së njohur Elena Levanti (Kocaqi), raporton “BalkanWeb”. Po ashtu, në vendimin e gjykatës thuhet se nëna e Levantit nuk duhet t’i afrohet as banesës dhe as vendit ku punojnë apo jetojnë Elena me fëmijët e saj. Vetëm një ditë pasi Marjan Levanti u arrestua për krimin që kreu, mamaja e tij, Afërdita Levanti ka shkuar në banesën e Elenit dhe pa pëlqimin e saj ka tentuar t’i marrë me forcë nipin e saj, Dardanin, me pretendimin se Elena po e ndan nga i ati dhe po e ushqen me urrejtje për të.
URDHRI I MBROJTJES
1- Pranimi i kërkesë-padisë së paditëses Elena Levanti.
2- Lëshimi i Urdhrit të menjëhershëm të Mbrojtjes për paditësen Elena Levanti dhe fëmijët Dardanit Levanti dhe Helena Levanti kundër së paditurës Afërdita Levanti në këtë mënyrë:
Urdhërohet menjëherë e paditura Afërdita Levanti të mos kryejë vepra të dhunës në familje ndaj paditëses Elena Levanti dhe fëmijëve të saj, Dardanit Levanti dhe Helena Levanti; Urdhërohet menjëherë e paditura Afërdita Levanti të mos kërcënojë paditësen Elena Levanti dhe fëmijët e saj; Urdhërohet menjëherë e paditura Afërdita Levanti të mos cenojë, ngacmojë apo kontaktojë me paditësen Elena Levanti dhe fëmijët e saj, Dardanit Levanti dhe Helena Levanti; Urdhërohet menjëherë e paditura Afërdita Levanti të mos shkojë dhe të mos hyjë e qëndrojë në banesën e shtetases Elena Levanti, me adresë: “Rr. Ilmi Haver, nr.3, Unaza e Re, Tiranë”, ku aktualisht do të banojë vetëm paditësja dhe fëmijët, qendrës së saj të punës dhe shkollës e kopshtit ku aktualisht mësojnë dhe qëndrojnë fëmijët, Dardanit Levanti dhe Helena Levanti; Urdhërohet menjëherë e paditura Afërdita Levanti të mos i afrohet paditëses Elena Levanti dhe fëmijëve të saj, Dardanit Levanti dhe Helena Levanti në një distancë prej 50 metrash.
3- Shkelja e këtij vendimi nga e paditura Afërdita Levanti përbën vepër penale sipas nenit 320 të Kodit Penal.
4- Bazuar në nenin 19/b të ligjit 9669, dt. 18.12.2006, për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, si datë e dëgjimit për vërtetimin e këtij urdhri caktohet 13.01.2017, ora 10:00.
5- Ky vendim, bazuar në nenet 19/6 dhe 23 të ligjit Nr.9669, dt.18.12.2006, përbën titull ekzekutiv, ndaj duhet të ekzekutohet nga Zyra e Përmbarimit. Urdhër i cili, bazuar në nenin 3/7 të ligjit Nr.9669, dt.18.12.2006, është i vlefshëm deri në datën e vërtetimit të tij.
6- Një kopje e këtij vendimi t’i dërgohet Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, një kopje Zyrës së Shërbimeve Sociale pranë Njësisë Administrative nr. 7, Bashkia Tiranë, dy kopje paditëses Elena Levanti dhe një kopje së paditurës Afërdita Levanti.
7- Të njoftohet Komisariati i Policisë Nr. 6 Tiranë për paraqitjen e përfaqësuesit të tij në seancë si dhe Zyra e Shërbimeve Sociale, Njësia Administrative nr. 7, Bashkia Tiranë, për datën dhe orën e gjykimit.
8 – Kundër vendimit lejohet ankim i veçantë, brenda 5 ditëve në Gjykatën e Apelit Tiranë, afat i cili fillon nga e nesërmja e shpalljes. U shpall në Tiranë më datë 28.12.2017, ora 12:15.

Related Posts :