Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

RTSH: “Rama: Ndjesë shqiptarëve për 2016 dhe premtim për vitin e ri 2017” plus 9 more

loading...

RTSH: “Rama: Ndjesë shqiptarëve për 2016 dhe premtim për vitin e ri 2017” plus 9 more


Rama: Ndjesë shqiptarëve për 2016 dhe premtim për vitin e ri 2017

Posted: 31 Dec 2016 11:58 AM PST

Ndjesë dhe premtim ka qenë kryefjala e kryeministrit Edi Rama në fjalën e tij pak orë para ndërrimit të viteve drejtuar qytetarëve shqiptarë. “Ndjesë kujdo që është përballur me padrejtësinë shtetërore gjatë këtij viti që po ikën” e ka nisur ai fjalën e tij. Zoti Rama angazhohet se do të mundohet edhe më shumë që vitin e ri shteti të jetë edhe më i drejtë për të gjithë. “Jam i bindur se viti i ri do të jetë viti më i mirë për drejtësinë shqiptare në këta 25 vjet” shprehet zoti Rama.
Në fjalën e tij të fundvitit kryeministri shqiptar ka përmendur me keqardhje disa plagë e fenomene shqetësuese në jetën e shqiptarëve, por edhe premtimin për ti mënjanuar në të ardhmen. Zoti Rama u ndal tek dhuna në familje, gjendja e pensionistëve, familjet me ndihmë ekonomike, invalidët e luftë dhe të punës, si dhe të përndjekurit politikë. Ai tha se do të kishte dashur të bënte më shumë për ta, por mundësitë kanë qenë të kufizuara.
Kryeministri shqiptar u është drejtuar edhe punonjësve të policisë, mjekëve, mësuesve, nxënësve dhe studentve, duke u kërkuar ndjesë për mungesat, ndërsa u ka premtuar se do të bëjë çmos në të ardhmen. Me ndjesë dhe premtim zoti Rama u është drejtuar edhe punonjësve e biznesmenëve, punonjësve të artit, kulturës e sportistëve.
Në fund të fjalës së tij kryeministri Rama me doza humri tha: “Shëndet majtas dhe shëndet djathtas, sepse tek shëndeti e dëshira për mbarësi për të gjithë fëmijet tanë, as vetë politika që çfarëdo nuk bën, nuk ka si na ndan”.

Basha uron shqiptarët

Posted: 31 Dec 2016 11:18 AM PST

Kreu i opozitës Lulzim Basha e ka formuluar mjaft shkurt urimin e tij për vitin e ri 2017 drejtuar qytetarëve  shqiptarë. "Ju uroj nga zemra të gjithë shqiptarëve dhe familjeve të tyre kudo që ndodhen një Vit të Ri me shëndet, mbarësi dhe mundësi të reja" shkruan zoti Basha në kartolinën e tij botuar në rrjetin social Fejsbuk, në të cilën ofrohet një pejsazh dimri.

Nishani uron për 2017-tën: “Shqiptarët meritojnë dhe presin t’u garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme”

Posted: 31 Dec 2016 11:07 AM PST

Viti i ri 2017 ka qenë një rast që presidenti Bujar Nishani t’u drejtonte një mesazh urimi shqiptarëve kudo që ndodhen. “Ndihem vërtet shumë i nderuar dhe i emocionuar pa dyshim dhe do të doja t'ju uroja një për një, në cilësinë e Presidentit të Republikës, në emër të shtetit shqiptar!” shprehet zoti Nishani. Ai ka zgjedhur të vlerësojë disa nga ngjarjet më kryesore të vitit që tashmë po mbyllet, por edhe të nënvizonte sfidat që vendi ka përpara. “Hapja e Negociatave për anëtarësim do kish qenë një moment kulmor gëzimi në epilogun e këtij viti, e megjithatë ky vendim i Këshillit Evropian na ndërgjegjëson edhe më shumë se kemi ende shumë punë për të bërë dhe shumë sfida për t'u përballur” tha zoti Nishani. Sipas tij “Rezultatet konkrete me Reformën në Sistemin e Drejtësisë, në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, në përmirësimin dhe qëndrueshmërinë e administratës shtetërore, në respektimin e të drejtave të njeriut, por mbi të gjitha, në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përbëjnë sprovën tonë të madhe”. Presidenti nënvizon se “Zgjedhjet e 18 qershorit të ardhshëm përbëjnë një moment vendimtar për demokracinë tonë. Standardi i këtyre zgjedhjeve është kriteri kryesor për një mundësi që të shkojmë më përpara në përmirësimin e jetës sonë të përditshme” shprehet ai. Në këtë konteks zoti Nishani vlerëson se “Shqiptarët meritojnë dhe presin t'u garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndaj kam dhe një apel të sinqertë, mbi të gjitha për liderët politikë”. “Është koha për një marrëveshje politike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, është koha ta mbyllim një herë e përgjithmonë kapitullin e shitblerjes së votës, e kërcënimit të votuesit me bukën e përditshme; Është koha të garojnë alternativat politike-ekonomike për t'i sigururar vendit një qeverisje më të mirë, për të rikthyer besimin tek politika, për të rikthyer shpresën tek qytetarët që vazhdojnë të largohen në masë” bën thirrje kreu i shtetit.

Nishani uron paqeruajtësit shqiptarë

Posted: 31 Dec 2016 06:24 AM PST

Presidenti Bujar Nishani, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, me rastin e Festës së Vitit të Ri 2017, zhvilloi një video-konferencë me kontingjentin e 83 ushtarakëve shqiptarë, të cilët në përbërje të forcave të NATO-s kryejnë misionin paqeruajtës në Kabul dhe Herat të Afganistanit. “Mbarë populli shqiptar sot ndihen krenarë për ju, ju falënderojnë dhe ju nderojnë për këtë kontribut dhe këtë gatishmëri që ju keni treguar për ta dhënë këtë kontribut, që kërkon sakrifica dhe gatishmëri ndoshta edhe për sakrificën sublime” u tha zoti Nishani. “Ju nuk jeni vetëm mesazherë të paqes, të sigurisë dhe lirisë, por ju jeni edhe kontribuues dhe garantues të paqes, sigurisë e të lirisë" shtoi ai.

“Ne tashmë me këto kontribute kemi edhe dëshmorët tanë, kemi të rënët tanë. Ne do t'i kujtojmë ata gjithmonë. Ne kurrë nuk do t'i harrojmë. Prandaj përfitoj nga rasti që edhe sot së bashku me ju të bëjmë homazh në respekt të kujtimit të Kapiten Feti Voglit, por edhe të gjithë atyre, të cilët kanë sakrifikuar dhe janë treguar të gatshëm për sakrifica të tilla për t'i shërbyer lirisë, paqes, dinjitetit të kombit shqiptar, por edhe të dimensionit botëror që ka liria dhe paqja” u tha presidenti ushtarakëve të misionit paqeruajtës në Afganistan.

Zoti Nishani gjeti rastin të falenderonte të gjitha grupet dhe njësitë e tjera të Forcave të Armatosura të Republikës që shërbejnë sot në vende të ndryshme, në Egje, Irak, Çad, në KFOR, në Bosnje dhe Hercegovinë. “Sot sfidat që kërcënojnë lirinë, sigurinë dhe paqen në botë, në rajone të ndryshme dhe kudo janë evidente, për fat të keq. …por Forcat tona të Armatosura janë të gatshme, të përgatitura, të afta, profesionale, që në kuadër të Aleancës së madhe botërore të ruajtjes së këtyre vlerave të japin angazhimin dhe kontributin e tyre” tha zoti Nishani.

Kryeqytetet e botës, masa të larta sigurie natën e ndërrimit të viteve

Posted: 31 Dec 2016 03:55 AM PST

Qytetet e mëdha në giithë botën kanë rritur masat e sigurisë, në prag të grumbullimit të një numri të madh njerëzish për festimet e natës së Vitit të Ri 2017. Siguria është përforcuar në shumë qytete për shkak të sulmit me kamion më 19 dhjetor në në treg Krishtlindjesh në Berlin që shkaktoi vdekjen e 12 vetëve, si edhe sulmeve të tjera në vitin 2016. Kryeqyteti gjerman ka vendosur pengesa betoni dhe autoblinda pranë portës tradicionale të Brandenburgut, për të mbrojtur turmat nga automjetet.
Parisi i anulloi fishekzjarret tek Kulla Eifel përsëri këtë vit, por ato do të hidhen në shëtitoren Champs-Elysees ku janë shtuar masat e sigurisë me ushtarë të armatosur dhe pengesa trafiku.
Në qendër të Londrës, policia e armatosur do të dislokohet për herë të parë në trenat e metrosë. Disa oficerë të armatosur e kanë mbrojtur sistemin e metrosë vitet e fundit, por kjo është hera e parë që oficerë me armë do të udhëtojnë në trena me pasagjerë që shkojnë në sheshin Trafalgar dhe në brigjet e lumit Tamiz për të festuar vitin e ri.
Zyrtarët e qytetit të Nju Jorkut kanë vendosur dhjetra kamiona të mbushur me rërë pranë garatçelave në Times Square në Manhattan. Synimi është që ato të jenë si një barrierë mbrojtëse, për mijëra vetët që do të mblidhen për të pare fishekzjarret dhe festimet për Vitin e Ri 2017.
Një ndër festimet e para madhështore për Vitij e Ri do të jetë në Australi, kur 2 mijë oficerë shtesë dhe autobuzë që do të pëdoren si pengesa po mbrojnë Portin e Sidneit, ku bëhet një festë e madhe që e arrin pikën kulmore me fishekzjarret që hidhen nga Ura e famshme e Portit.

Policia operacion special për festat e fundvitit

Posted: 31 Dec 2016 03:49 AM PST

Policia shqiptare ka ndëmarrë një operacion special në shkallë të gjerë për të siguruar festime të qeta e të gëzuara gjatë ndërrimit të viteve në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit. Për 72 orë, 4500 punonjës policie do të angazhohen intensivisht në patrullim në të gjithë vendin. Në këtë operacion janë angazhuar patrulla të përgjithshme, Policia Rrugore, FNSH-së, RENEA, Forca e Posaçme Operacionale, Njësia Operacionale Antiterrorizëm, Policia Kufitare dhe specialistë të Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Sektorit kundër Krimeve të Rënda. Në krye të operacionit janë zyrtarët më të lartë të policisë. Duke uruar për festa të gëzuara, policia njëherësh bën thirrje për kujdes. Një thirrje u është drejtuar prindërve që të jenë të kujdesshëm në përdorimin e fishekzjarreve me fëmijët, ndërsa drejtuesit e mjeteve u kërkohet në mënyrë kategorike të mos drejtojnë makinat nën efektin e alkolit.

Tiranë, viti i ri do të pritet tek “Nënë Tereza”

Posted: 31 Dec 2016 03:33 AM PST

Bashkia e Tiranës ka ftuar banorët e qytetit ta festojnë ndërrimin e viteve në Sheshin “Nënë Tereza”. Ajo ka organizuar një koncert festiv. Të ftuar janë artistë të shumtë, ndërsa prezantuese Marina Vjollca. Koncerti fillon pak para mesnatës dhe do të vazhdojë deri në orët e para të mëngjesit.

Rumani, zgjidhet kriza politike, Grindeaun emërohet kryeministër

Posted: 31 Dec 2016 03:22 AM PST

 

Presidenti i Rumanisë, Klaus Johannis, ka emëruar si kryeministër të ri të vendit 43-vjeçarin, Sorin Grindeaun, duke i dhënë kështu fund krizës politike në vend. Grindeaun është një anëtarë i partisë social-demokrate, e cila fitoi zgjedhjet e 11 dhjetorit si dhe kryetar i Këshillit Bashkiak të provincës Timis. Presidenti e ka ngarkuar 43-vjeçarin për të formuar qeverinë e re të vendit, ndërkohë që mandati i tij si kryeministër duhet të marre edhe miratimin e parlamentit. Kreu i shtetit rumun, Johannis, më herët kishte refuzuar të pranonte kandidaturën e ekonomistes dhe politikanes, Sevil Shaideh, e cila nëse do të kishte marrë miratimin e presidentit për kryeministre, do të ishte bërë femra e parë myslimane që do të mbante atë post në historinë e Rumanisë.

Merkel: Viti 2016 vit i testeve të vështira, por Gjermania do t’i përballojë

Posted: 31 Dec 2016 03:17 AM PST

Terrorizmi islamik është sfida më e madhe me të cilën përballet Gjermania. Ky ishte thelbi i mesazhit të kancelares gjermane Angela Merkel për vitin e ri, e cila duke ju referuar sulmit me kamion në Berlin, tha se është e pështirë të mendosh që sulmet terroriste kryhen nga njerëz që kanë kërkuar mbrojtje në Gjermani. Merkel shtoi se 2016 kishte qenë një vit testesh të vështira dhe se kishte besim se Gjermania mund t'i kalonte që të gjitha. "Ne do të vazhdojmë jetët tona dhe do ti themi terroristëve se ata janë vrasës të mbushur me urrejtje dhe se nuk do të munden të përcaktojnë mënyrën se si ne jetojmë dhe duam të jetojmë. Ne jemi të lirë, të sjellshëm dhe të hapur", tha Merkel. Gjermania pësoi disa sulme gjatë vitit të kryer nga azilkërkues, por Merkel duke folur për ngjarjet në Siri dhe sidomos në Alepo, tha se është e rëndësishme që Gjermania të vazhdojë të pranojë njerëzit që i largohen konfliktit. Ajo tha se kjo reflektohet në demokracinë, vlerat dhe sundimin e ligjit në Gjermani. Duke kritikuar me stil ngadalësinë e BE, Merkel gjithashtu hodhi poshtë zërat se Unioni dhe demokracia parlamentare nuk funksionojnë më.

Ban Ki-Moon lë detyrën më 31 dhjetor

Posted: 31 Dec 2016 03:10 AM PST

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, do të tërhiqet nga posti mesnatën e 31 dhjetorit. Gjatë një mbrëmjeje ku është përshëndetur me stafin e tij në Kombet e bashkuara ai është shprehur se ndihej si Hirushja. "Dua t'ju them vetëm faleminderit. Mesnatën e 31 dhjetorit do të jem në Times Squere, ku do të ndjek rënien e topit që shënon ndërrimin e viti dhe miliona njerëz do të më shohin se si do të humbas punën time", është shprehur ai.
Ban Ki-moon, e ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që prej 1 janarit të vitit 2007, ndërkohë për të është folur shumë në mediat e huaja si një nga kandidaturat e mundshme për Presidencën e Koresë së Jugut.

Related Posts :