Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

Tirana Observer: “Ambasadori grek në Brazil u vra pasi gjeti gruan në shtrat me një tjetër” plus 9 more

loading...

Tirana Observer: “Ambasadori grek në Brazil u vra pasi gjeti gruan në shtrat me një tjetër” plus 9 more


Ambasadori grek në Brazil u vra pasi gjeti gruan në shtrat me një tjetër

Posted: 31 Dec 2016 09:03 AM PST

Trupi i ambasadorit grek në Brazil u gjet 2 ditë më parë brenda një makine të djegur në një lagje të Rio De Janeiros dhe si fajtore për vrasjen e tij është cilësuar vetë bashkëshortja, që është arrestuar tashmë.

Gazeta britanike "The Mirror", referuar mediave braziliane, shkruan se ai është vrarë pasi gjeti në shtrat gruan e tij me një burrë tjetër. Kyriakos Amiridis, 59 vjeç, u gjet i vdekur të mërkurën poshtë një mbikalimi brenda makinës diplomatike që kishte marrë me qira.

Amiridis kishte shkuar në këtë qytet për të kaluar pushimet me gruan dhe të afërmit e saj.

Sipas autoriteteve vendase, vrasja e ambasadorit cilësohet si një krim pasioni. Pista kryesore mbi të cilën po hetohet është lidhja e një oficeri të policisë braziliane me bashkëshorten e ambasadorit.

Polici i dyshuar për ngjarjen është arrestuar dhe ka treguar se vrasja ishte porositur nga vetë bashkëshortja e Amiridis. Në vijim hetuesit kanë gjetur edhe njolla gjaku në banesën e çiftit, detaj që përlyen bashkëshorten e tij me ngjarjen, duke shtuar këtu edhe dëshminë e policit të arrestuar.

Pas këtyre detajeve, autoritetet braziliane e kanë arrestuar bashkëshorten e ambasadorit.

Gruaja e ambasadorit është braziliane dhe ambasadori Amiridis është njohur me të që në vitet 2000 kur ai shërbente si konsull i Greqisë në këtë vend.

“Alo policia, ajo nuk më pranon në Facebook”…10 kërkesat më qesharake të shqiptarëve për 2016-n

Posted: 31 Dec 2016 08:59 AM PST

Për një vit në kryeqytet, policia dhe prokuroria janë angazhuar për gati 16 mijë kallëzime, që nga më të thjeshtat e deri te ngjarjet më të rënda. Por mes tyre, në Sallën Operative me numrin 112, qytetarët kanë kërkuar ndihmë edhe për situata paradoksale.

Top Channel ka renditur 10 kërkesat më qesharake të qytetarëve për 2016-n.

Ka pasur qytetarë që kanë kërkuar ndërhyrjen e policisë për ardhjen me presion të ujit në shtëpi, dëmtimin e gomës së makinës, bllokimin e bilbilëve të Policisë Rrugore, deri te heqja e çipit në dhëmballë apo denoncim ndaj një majmuni.

1. Mbretëresha e Anglisë më ka ardhur në shtëpi e paftuar.
2. Më ka rënë goma e makinës.
3. Nuk pranon kërkesën në Facebook.
4. Më kanë vendosur çip në dhëmballë.
5. Një avion luftarak po fluturon mbi spital.
6. Më ka kafshuar majmuni.
7. Polici në bulevard bën zhurmë me bilbil.
8. Kushëriri është agjent në CIA.
9. Më mbushni telefonin, më mbaroi oferta.
10. Ka ardhur uji me presion.

Por denoncimet që shkaktojnë ende të qeshura tek operatorët e policisë janë:

"Një qytetare jepte vendndodhjen e saj, siç ia kërkojmë ne për t'i ofruar shërbimin policor, dhe pretendonte në telefonatë se i kishte shkuar Mbretëresha e Anglisë, ishte ulur në kolltukun e saj, kishte marrë një libër dhe filxhanin e çajit në dorë dhe po e shqetësonte. Ndërsa një tjetër kishte marrë në telefon i alarmuar dhe kërkoi t'i rimbushnim numrin e telefonit se i kishte mbaruar oferta. Rasti tjetër ka pasur të bëjë me rrjetin social Facebook. Na kërkonte që të merrnim në telefon femrën dhe t'i pranonte atij ftesën në Facebook", tha Edlira Filaj, operatore e 112-s.

Mesa duket, lajmi i mirë është se besimi i qytetarëve te policia është edhe për çështje intime.

"Në një rast, një zotëri merrte shumë i shqetësuar në telefon dhe na tha se po e tradhëtonte gruaja".

Si grupi i Klement Balilit mbushi me drogë Europën

Posted: 31 Dec 2016 08:53 AM PST

Grupi i Klement Balilit po hetohet për 6 raste të trafikut të drogës në sasi të mëdha drejt Europës.

Bazuar në hetime, prokuroria greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane ka arritur të vërtetojë se grupi drejtohej nga Dhimitër Poti i arrestuar në Belgjikë.

Ngarkesa e fundit prej 10 kilogramësh është kapur në 9 Maj të këtij viti në depot e firmës së transportit të Potit në Blegjikë.

Televizioni Klan ka mundur të zbardhë dhe 5 raste të tjera në të cilat nga polici të ndryshme europiane janë konfiskuar rreth 1,4 tonë kanabis dhe 23 kilogramë kokainë.

Konkretisht, në 19 Prill 2015 në Angli janë kapur në një kamion 23 kilogramë kokainë. Në 29 Prill po të vitit të kaluar në Bullgari janë sekuestruar 513 kilogramë kanabis. Në Mars të 2015 në Belgjikë në makinë janë kapur 25 kilogramë marijuanë. Ky grup kishte për qëllim shpërndarjen në të gjithë Europën dhe në Gjermani në datën 8 Prill të këtij viti në një kamion u kapën 100 kilogramë hashash. Ndërkohë në 8 Maj të 2016 në Greqi u sekuestruan 657 kilogramë kanabis.

Pikërisht në rastin e fundit ka dalë në pergjime edhe emri i Klement Balilit.

Krahas trafikut të drogës grupi kishte ngritur një skemë e mirëfilltë pastrimi parash. Të ardhurat investoheshin kryesisht në pasuri të paluajtshme.

Policia Shqiptare ka sekuestruar dokumentacionin e kompleksit luksoz turistik "Santa Quaranta" të Klement Balilit nën dyshimin se është ndërtuar me para të ardhura nga aktivitetet kriminale.

Në Greqi, Bullgari, Austri dhe Belgjikë rrjeti kishte ngritur disa firma transporti mallrash.

Në dosjen e Prokurorisë Greke thuhet si drejtuesit e grupit kriminal kishin maskimin perfekt.

Ata përdornin përfaqësues ligjorë për kompanitë e tyre të transportit duke mos u idenfikuar vetë si pronarë.

Tv Klan

Çfarë kanë kërkuar femrat në Google këtë vit?

Posted: 31 Dec 2016 08:43 AM PST

Google është si një enciklopedi ku mund të gjesh pothuajse gjithçka. Google trends ka publikuar një listë me 10 pyetjet më interesante rreth bukurisë të bëra nga femrat gjatë vitit që po lëmë pas.

Lexojini me vëmendje, ndoshta mund të keni bërë edhe ju ndonjë nga këto pyetje.

1.Si të zhduk qeskat poshtë syve?

2.Çfarë është teknika e lyerjes balayage?

3.Si mund të bëj gërshet kurriz peshku?

4.Si të heq xhelin e thonjve pa dëmtuar thonjtë natyralë?

5.Si të pastroj furçat e make up-it?

6.Si mund të trash vetullat?

7.Cila është fondatina e duhur për llojin tim të fytyrës?

8.Si mund të rris flokët sa më shpejt?

9.Si t'i jap formë vetullës?

10.Si mund të depiloj zonën intime pa patur irritime të lëkurës?

E pazakontë! Këtë herë Viti i Ri nuk do të vijë në 00:00

Posted: 31 Dec 2016 07:58 AM PST

BBC ka raportuar se këtë vit do të shtohet një sekondë ekstra në kalimin nga viti 2016 në 2017.

Ky ndryshim është i nevojshëm sepse bën që të gjitha orët rreth e rreth globit të jenë në koordinim të plotë me kohën universale.

"Orët atomike janë më tepër se një milion herë më të mira për të mbajtur kohën sesa rrotullimi i Tokës, që ka luhatje të paparashikueshme. Sekondat e brishta janë të nevojshme për të parandaluar largimin e kohës civile nga koha e Tokës.

Edhe pse është e vogël, pasi do të duheshin rreth 1 mijë vjet për të grumbulluar një orë diferencë dhe nëse nuk korrigjohet atëherë mund të rezultojë që ora të tregojë mesditën para lindjes së diellit", – ka thënë specialisti Peter Whibberley.

Blushi ka një urim special për kundërshtarët

Posted: 31 Dec 2016 07:54 AM PST

Deputeti Ben Blushi ka postuar një urim special për kundërshtarët e tij politikë me rastin e ndërrimit të viteve.

Mesazhin e ka postuar në profilin e tij në "Facebook". Ai madje ka edhe një këshillë për ta.

POSTIMI

NJË URIM SPECIAL KUNDËRSHTARËVE

Kam një urim special për gjithë ata që këtë Vit e harxhuan duke u marrë me njeriun dhe jo me idenë. Ideja shkon më larg se njeriu dhe njeriu që shkon pas idesë ecën me larg se njeriu që shkon pas njeriut! Megjithatë duke e ditur se do bëni të njëjtën gjë edhe gjatë Vitit te Ri dua t'ju uroj! Urime kundërshtarë. Takohemi Vitin tjetër kur do jeni më pak dhe shumë më te pasur me ide të varfëra! Ju pres!

“Supersticionet e 31 dhjetorit” – ja çfarë duhet të bëni për të pasur fat gjithë vitin

Posted: 31 Dec 2016 07:15 AM PST

Besoni ose jo te supersticionet, natën e ndërrimit të viteve të gjithë mundohemi t'i ndjekim këto "rregulla" sepse në mendjen tonë kemi krijuar një besim të verbër se dita e 31 dhjetorit mban shumë të veçanta brenda saj, madje edhe pak magji. Në fakt, supersticionet e natës së ndërrimit të viteve janë mbledhur nga besimet pagane por më pas edhe nga besimet e konsoliduara, si ato myslimane dhe të krishtera. Ne të Blitz.al kemi përmbledhur 10 besëtytnitë më të pranuara ndërkombëtarisht për natën e sotme. Nëse edhe ju mendoni se ato sjellin fat, mos ngurroni t'i provoni.

Puthni dikë që doni shumë në çastin e ndërrimit të viteve për ta pasur një vit plot me dashuri.

Konsumoni thjerrëza për fat të mirë dhe gjethe jeshile sallate për të pasur më shumë para vitin që vjen.

Sigurohuni që gotat të mos i keni bosh kur akrepat të shënojnë 00:00 sepse kjo ju sjell një vit me ekonomi aspak të mirë.

Mos largoni asgjë nga shtëpia (as plehrat) në datën 1 janar sepse largoni kështu fatin tuaj.

Mos pastroni apo fshini shtëpinë në datën 1 janar sepse largoni fatin.

Pak minuta para mesnatës, hapini të gjitha dyert dhe dritaret për të larguar të gjithë energjinë e keqe të vitit që po lëmë pas.

Konsumoni 12 kokrra rrush kur akrepat të shënojnë 00:00.

Mos lini asnjë borxh nga viti i kaluar.

Mos derdhni lot për asnjë arsye!

Në orën 00:00 duhet të keni patjetër një ëmbëlsirë në tryezë.
/Blitz.al/

Mirush Kabashi: “Bujar Lako u dënua me riedukim, si “e mblodhi” pianistja”

Posted: 31 Dec 2016 06:52 AM PST

Aktori i njohur, Mirush Kabashi, tregon vitet e Kursit të aktrimit me Bujar Lakon, dënimin që atij iu bë gjatë shkollës, rolet e tij, por dhe amanetin e tij për të mos pranuar homazhe në teatrin kombëtar.

Në një intervistë për gazetën "Panorama" Kabashi Kabashi tregon dhe momentet e depresionit që kaloi aktori i njohur, që sapo u nda nga jeta, pas viteve '90.

Ju keni interpretuar në disa filma me Bujar Lakon. Si kanë qenë njohjet tuaja të para?

Me Bujar Lakon kemi konkurruar për të hyrë në shkollën e aktrimit. Ai ishte një djalë shumë i pashëm, që unë e krahasoja me aktorë të njohur francezë, por kishte një dhunti të brendshme aktrimi. Bujari shquhej për një diksion të kthjellët dhe të pastër, me muzikalitet dhe ëmbëlsi në drejtshqiptim. Ai kishte një plastikë krejt të veçantë. Kur e pashë Bujarin që po konkurronte, u vura në një siklet se si do të përballesha unë me të që të fitoja të drejtën e shkollës. Fati e desh që unë të isha në një kurs me të deri në vitin e tretë, ku patëm pedagogë të mirë, si Serafim Fanko, me Esat Oktrovën që kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik dhe në vitin e tretë u bëmë studentë të Pirro Manit. Përveç Bujarit, në kurs kishim edhe Sali Doçin, Pavlina Manin, e cila filloi të luante filma që kur ishte studente, Ahmet Pashën, Anastas Kristoforin, Kol Kaftallin etj. Bujari, ndryshe nga ne, kishte dëshirën të bënte shoqëri edhe me kurset më të larta dhe me aktorë, por dhe pedagogë. Ishte mjaft i pranueshëm.
bujar-lako-660x330Nuk ka qenë tip i mbyllur Bujar Lako, siç thonë së fundmi?
Jo, përkundrazi, nuk e kam parë asnjëherë Bujarin si tip të mbyllur. Ai ishte natyrë që nuk e gjente kollaj vetveten, edhe për shkak të cilësive që kishte, ishte edhe tiranas, ishte më i përparuar se ne që vinim nga rrethet dhe kjo e bënte të pranueshëm edhe me nivele më të larta se ne. Bujari ishte i admirueshëm, jo vetëm për rrethet studentore, por dhe ato femërore.

Si kanë qenë historitë tuaja të asaj kohe?

Siç janë pak a shumë historitë e të gjitha brezave në fund të fundit, ku më të pashmit janë më të preferuarit. Bujari pati ndonjë çapkënllëk të kësaj natyre, për të cilën unë nuk mund të dëshmoj se ku fillon e vërteta dhe ku është amplifikimi, që ndoshta arsyet kanë qenë krejt të tjera. Në kursin tonë u bë një mbledhje për një histori të Bujarit me një vajzë. Në atë mbledhje u vendos që Bujari të largohet nga kursi i Aktrimit për riedukim, siç ishin masat disiplinore në atë kohë. Se cilat ishin shkaqet e vërteta, këtë mund ta dinë vetëm ata që e ngritën këtë çështje. Sepse, edhe nëse ishte versioni që pretendohej, që Bujari pati një lidhje dhe më pas u nda prej saj, sepse nuk e gjente vetveten, këto janë gjëra që ndodhin rëndom dhe të natyrshme. Në atë kohë kur donin të të godisnin, shfrytëzonin raste të tilla për të t'u kundërvënë.

Ishte një lidhje brenda kursit apo shkollës së aktrimit?

Jo, nuk kishte të bënte me pjesëtarë të shkollës sonë, ishte jashtë shkollës. Nuk më kujtohet mirë.

Çfarë mase iu dha?

Iu dha masa e largimit nga shkolla dhe dërgimin në një kolektiv pune për t'u riedukuar, siç thuhej atëherë. Por kjo ishte një goditje shumë e madhe për një të ri që aspiron të ecë në rrugën e artit. E tregova këtë histori për të thënë se pikërisht në këtë moment, ai pati fatin e madh që të lidhej me një vajzë që ishte studente në Akademinë e Arteve, me Mirën, një instrumentiste me të cilën Bujari lidhi jetën dhe krijoi familjen e tij. Mira, përveçse një studente shumë e mirë dhe një vajzë shumë e bukur, ishte dhe një artiste dhe qytetare me shumë karakter, një vajzë solide me të cilën ata krijuan një afeksion të madh. Unë marr guximin të gjykoj se në vitet në vijim, ajo ndikoi pozitivisht, edhe pse puna jonë si artistë na detyron që të jemi paksa larg familjes. Mira "e mblodhi" Bujarin, e ndihmoi atë, iu bë krah në formimin e tij, jo vetëm njerëzor, por dhe artistik, duke krijuar një familje të ngrohtë, duke ndihmuar edhe Bujarin në një karrierë solide të tij artistike, e duke sjellë edhe djalin e tyre, Bojkenin.

Si ka qenë Bujar Lako në fushën e xhirimit, apo në përgatitjen e një filmi?

Nuk kam të drejtë të flas për natyrën e tij krijuese, sepse me Bujarin nuk kam pasur shumë bashkëpunime të drejtpërdrejta, vetëm në dy filma, pavarësisht se nuk kemi pasur skena të përbashkëta. Bujari ishte mjaft skrupuloz në punën e tij, ndonjëherë edhe më shumë se ç'duhej. Bujar Lako ka qenë i preferuari i të gjithë regjisorëve të Kinostudios, por dhe të Teatrit, ai ka qenë ndër aktorët që edhe ka refuzuar shumë herë role, për mendimin tim shpeshherë ndoshta edhe me të drejtë. Sepse shumë herë regjisorët, të nisur nga subjektivizmi, të ofrojnë role të të njëjtit karakter dhe artisti detyrohet të përsërisë veten. Bujari ka pasur ekzigjencën artistike dhe nuk ia ka lejuar vetes që të përsëriste veten. Ndonjëherë me këtë përgjegjësi Bujari edhe mund ta ketë tepruar, duke refuzuar role, sepse automatikisht i ka munguar publikut për një kohë të gjatë.

Pas viteve '90, Bujar Lakon e shohim gjithnjë e më larg skenës dhe ekranit. Përse?

Me ardhjen e demokracisë, u zbeh kjo forcë artistike në vend. Pati një minimizim të fondeve për artin dhe kulturën e, veçanërisht për filmin, duke futur frymën e rentabilitetit, nëse ka fitim apo nuk ka, e duke lënë jashtë vëmendjes një traditë të mrekullueshme të kinematografisë sonë, e cila prodhonte 14-15 filma artistikë në vit. Edhe sot, pavarësisht nga korniza ideologjike që i përshkonte, ata filma janë shumë të mirëpritur. Një pjesë e mirë kanë marrë edhe çmime në aktivitete jashtë vendit. Këta filma ishin një pishinë e madhe ku të gjithë ne mësuam notin. Ne sot nuk vuajmë për anën materiale, por kemi një prapambetje në zhvillimin kulturor të vendit.

Si i vlerësoni rolet e Bujar Lakos, si te "Gjeneral Gramafoni", por edhe në filmin "Ballë për ballë" apo "Udha e shkronjave"?

Ato janë krijime me të vërtetë fondamentale në fondin e krijimtarisë sonë artistike në film, por dhe në teatër. Bazën e krijimtarisë së tij Bujari e ka pasur te teatri, si një aktor teatri shumë potent. Te ne teatri të jep mjeshtërinë, kinematografia të jep popullaritetin. Por një nga interpretimet më të larta të teatrit shqiptar është roli kryesori i Bujarit në dramën "Vizita e inspektorit" të Artur Milerit, ku ai shpërfaqi jo vetëm potencën e temperamentit, por edhe kjartësinë dhe komunikimin brilant të tij. Në kinematografi unë nuk mendoj se Bujari shquhet si një aktor karakteresh, nuk është se ai shkonte shumë te personazhi, një pjesë e personazheve ai e merrte te vetvetja. Bujari kishte një lëvizshmëri shumë të madhe, por rolet e tij mbeten lapidarë të interpretimit të tij në kinematografi. Kryesisht kanë qenë role të heronjve, por pa neglizhuar edhe rolet e karaktereve, siç është Halit Berati apo Tunxhi. Te filmi "Ballë për ballë" apo te sekretari i partisë te "Përballimi", kanë ndryshime, sepse ai lëviz në kohë.

Ndërsa te "Gjeneral Gramafoni" kemi një interpretim të shkëlqyer, që jo vetëm tregon një plastikë të përkryer, por dhe kulturë muzikore. Prandaj mendoj se edhe Bojkeni ka marrë shumë jo vetëm nga e ëma, që është muzikante, por dhe nga Bujari, që kishte një vesh shumë të mirë muzikor, që është shumë i rëndësishëm në formimin e një aktori. Në atë rol ai tregon edhe shpirtin e tij muzikor. Bujari ka qenë edhe shumë sportiv. Kjo lidhej jo vetëm me pjesën e përkujdesjes, që çdokush duhet të ketë, por lidhej shumë me pikësynimin e tij artistik. Kjo ishte pjesë e përgatitjes së tij aktoreske. Por, nga ana tjetër, Bujari edhe pinte dhe unë gjykoj që pija nuk ishte vetëm pjesë e punës apo edhe e natyrës së tij, por ishte një shoqëruese e një depresioni që atë e ka shoqëruar në vitet e fundit.

Sepse pasi u shua mundësia për të vijuar punën në kinematografi, teatri erdhi duke u dhënë pas vlerave krejtë- sisht të natyrës komerciale të pavlera, duke e degraduar atë, atëherë ekzigjencat e Bujarit, por dhe të artistëve të tjerë për të mos e shitur veten në këtë treg të pavlerë komercial dhe mungesa e aktivizimit, u bënë shprehje e një lloj depresioni, me një lloj mungese e dëshire për t'iu afruar institucionit të teatrit. Bujari ishte shumë fisnik dhe nuk i qahej njeriu.

Si e komentoni amanetin e Bujarit, që të mos i bëhen homazhe në Teatër?

Absolutisht jo si shprehje të ndonjë rezerve të tij ndaj institucionit, apo më mirë të themi ndaj shkollës-shtëpisë së dytë, ku midis kolegëve të talentuar, ai u rrit dhe u formua deri në këto përmasa të mëdha… Por gjykoj se drejtuesit e Teatrit, përpara se t'i vendosnin një kurorë me lule në varrim, duhej t'i kishin organizuar minimalisht qoftë një ceremoni të thjeshtë, apo t'i kishin dhuruar qoftë dhe një buqetë me lule, para se të shpejtonin për ta nxjerrë në pension. Mrekullia e artistit të madh Bujar Lako qëndron në atë që vërtet ai do t'i mungojë shumë familjes, miqve, kolegëve… por do të jetë përjetësisht i pranishëm për publikun e gjerë mbarëkombëtar, të cilët do të vazhdojnë ta vlerësojnë e admirojnë nëpërmjet interpretimeve të shumta kinematografike.

Si ju duken vlerësimet e politikanëve për të?

Shumë të gjetura e të sakta. Po, që të jenë të besueshme e të sinqerta, ato duhet të shprehin dhe një reflektim të thellë ndaj politikave aspak dashamirëse (për të mos thënë frenuese) ndaj artit e artistëve, gjatë këtyre 25 vjetëve: të ndryshojnë urgjentisht ligjin autokratik dhe politizues të artit skenik, si dhe të aprovojnë (pa vonesë) Statusin e Artistit, mungesa e të cilit po i degradon artistikisht dhe moralisht, veçanërisht artistët e disa gjinive.

Pas divorcit, Kaka si ndahet “Carolinave”

Posted: 31 Dec 2016 06:40 AM PST

Pas divorcit nga bashkëshortja Caroline Celico, me të cilën pati një martesë 10 vjeçare, Ricardo Kaka duket se ka gjetur dashurinë e tij të re.

Ish-lojtari i Milanit dhe Realit të Madridit është shfaqur publikisht me të dashurën e tij të re Carolina Dias, ku mori pjesë në dasmën e lojtarit të PSG-së, brazilianit Lucas Moura në Sao Paulo.

Nga martesa e parë 10 vjeçare me Caroline Celico, Ricardo Kaka ka edhe një djalë.

1483179182dias-1 1483179391_kaka1 1483179405_kaka2 1483179409_kaka3 1483179415_kaka4 1483179425_kaka6 1483179420_kaka5

Festa në Tiranë, sonte në shesh për të pritur me muzikë 2017

Posted: 31 Dec 2016 06:34 AM PST

Kryeqyteti do të shndrijë në mesnatë në momentin e ndërrimit të vitit . Një spektakël fishekzjarre do të pushtojë qiellin e Tiranës, si dhe një koncert i madh do të zhvillohet në sheshin "Nënë Tereza".

"Bashkia Tiranë sot organizon një koncert të madh festiv tek sheshi "Nënë Tereza", që fillon në orën 11: 30 të natës deri në orën 1: 30. Të gjithë sëbashku ju ftojmë të festoni me ne natën e ndërrimit të viteve, një spektakël i madh fishekzjarresh, një countdoën, këngëtarë dhe një prezantuese fanstastike si Marina", tha Julinda Dhame, drejtore e promocionin në bashki.

Përveçse këngëtarëve të njohuer në sheshin "Nënë Tereza " në orën 12.00 do të jenë dhe dy motrat Vjollca, Marina dhe Luana.

"Ka për të qenë një koncert i konceptuar shumë ndryshe, fantastik. Një koncert, ku do të jenë disa nga emrat më të mirë të muzikës shqiptare, por edhe performanca të jashtëzakonshme. Duhet të vini me patjetër dhe të mos e humbisni, sepse ka për të qenë ora 00:00, momenti i hedhjes së fishekzjarreve, një spektakël i garantuar dhe që ka për të mbetur shumë gjatë në memorien tuaj. Mos mungoni, hajdeni për t'u argëtuar dhe për ta përcjellë me hare vitin 2016", tha Marina Vjollca, moderatore.

Klajdi Selimi dhe grupi i tij i baletit do të performojnë në këtë koncert të madh që pritete të ndezë atmosferën festive në Tiranë.

"Do të performojnë edhe vajzat Elementriks, do të kemi "Lazer Show". Urimet më të mira, ju presim që të gjithëve në shesh, mos mungoni, super koncert", tha Klajdi Selimi.

Këngët e zgjedhura ritmike, atmosfera që premtojnë se do ndizet në mesnatë në kryeqytet duket se do të mposhtin dhe temperaturat e ulëta që janë parashikuar në këtë 31 dhjetor.

Related Posts :