Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Viti 2017 mund të bëhet më i mirë për BE-në” plus 2 more Telegrafi Opinione

loading...

“Viti 2017 mund të bëhet më i mirë për BE-në” plus 2 more Telegrafi Opinione


Viti 2017 mund të bëhet më i mirë për BE-në

Posted: 31 Dec 2016 10:13 AM PST

Viti i ri vetëm mund të bëhet më i mirë për BE-në, sepse duhet të bëhet më i mirë! Edhe një vit tjetër plot me kriza dhe katastrofa, plot terror dhe hapa pas Evropa nuk mund ta durojë. E parë nga ana politike, 2015-a ishte i keq. Por 2016-a ishte edhe më i keq. Në 2017-ën punët duhet të marrin për mirë.

Në vitin 2017 në Evropë do të ketë edhe ngjarje pozitive: BE do të prezantojë kabllo të njësuara telefonike për telefonat celularë. Një kampionat evropian të futbollit: në Holandë janë femrat që do të luftojnë për titullin! Në tetor do të hapet aeroporti i ri i Berlinit! Ndoshta. Që prej pranverës do të bëhet muzikë në Filarmoninë e re të Elbës në Hamburg. Më në fund Evropa ka një tempull të ri kulture! Megjithë krizën e borxheve në Greqi dhe bankat me probleme në Itali në vitin 2017 në Eurozonë do të rritet ekonomia dhe inflacioni do të mbetet i ulët. Frankfurti do të bëhet në vitin 2017 interesant jo vetëm për shkak të Bankës Qendrore Evropiane, por do të informojë si “kryeqytet i gjelbër i Evropës” edhe për energjinë e ripërtëritshme, për ndërtimet që i rezistojnë kohës dhe për komunikacionin neutral ndaj klimës.

Po është për t’u druajtur se kaq qenë perspektivat pozitive. Krizat e vitit të kaluar do ta ndikojnë edhe në 2017-ën Evropën: terrorizmi islamik, Brexit, populizmi, lodhja në rritje e BE. “Poli-krizë” e quan këtë shefi i Komisionit të BE, Jean-Claude Juncker. E gjithë kjo atmosferë sentimentale bëhet edhe më pikante nga pasiguria që buron me fillimin e detyrës së Presidentit të ri të paparashikueshëm të SHBA. A do të dalë vërtet vetëm e dyta në zgjedhjet në Francë kundërshtarja populiste e djathtë e Evropës, Marine le Pen? Ç’pamje do të ketë vendi më i rëndësishëm i BE, Gjermania pas zgjedhjeve në vjeshtë? Me një Merkel të dëmtuar apo fare pa të?

Si do të ndryshojnë shoqëritë evropiane për shkak të vazhdimit të kërcënimit prej terrorit? A do të bëhet qëndrimi i tyre më armiqësor përballë të huajve, fesë islame apo atyre që mendojnë ndryshe? A do të jemi ne më të hapur për reforma dhe për një pajisje më të mirë të policisë dhe të aparatit të sigurisë, për të garantuar sigurinë e qytetarëve?

Viti 2017 do të ishte për evropianët në fakt një vit për t’u gëzuar dhe për të festuar: në fund të fundit, Bashkimi Evropian mbush 60 vjet. Por kaq e madhe nuk duket se do të bëhet ceremonia në Romë në mars, megjithëse Bashkimi Evropian i ka sjellë Evropës paqe dhe mirëqenie. Por këtë askush nuk ka dëshirë ta dëgjojë më. Përreth despotët dhe antidemokratët po përgjojnë: Erdogani, Putini, Orbani, Trumpi. Një vit i fillimit të ri 2017-a me sa duket nuk do të bëhet dot. Më tepër një vit i pritjes dhe i “shtyje-si-ta-shtysh” .

The post Viti 2017 mund të bëhet më i mirë për BE-në appeared first on Telegrafi.

E urrej Vitin e Ri

Posted: 31 Dec 2016 08:00 AM PST

Antonio Gramsci

Çdo mëngjes, kur zgjohem sërish nën pallton e qiellit ndjej që për mua është Viti i Ri.

Prandaj i urrej këto vite të rinj me skadim të fiksuar që shndërrojnë jetën dhe shpirtin njerëzor një firmë tregtare me përfitimin e tij, me bilancin dhe preventivin për administrimin e ri.

Arrin të besosh seriozisht që nga viti në vit ekziston një vazhdimësi dhe që rifillon një novelë e re historie, dhe bëhen propozime, dhe pendohesh për të pambajturat etj. Kjo është e dëmshme për datat.

Thonë që kronologjia është kocka e historisë dhe kjo mund te pranohet. Por, është e nevojshme edhe të pranohet që janë katër a pesë data thelbësore, që çdo person për së mbari i ngulit mirë në mëndje, që kanë goditur fort historinë. Janë edhe ato vite të rinj. Vite te rinj të historisë romake, ose të mesjetës, ose të epokës moderne.

Dhe janë kthyer kaq pushtues dhe fosile aq sa dhe vete ne surprizohemi kur mendojmë ndonjëherë që jeta në Itali ka filluar ne vitin 752, dhe që në 1490 ose 1492 si male të njerëzimit që kapërceu duke u gjëndur papritur në një botë të re duke hyrë në një jetë re. Kështu që data shndërrohet në një pengesë në një bordurë që të pengon të shikosh historinë që vazhdon të zhvillohet në të njëjtën linjë thelbësisht të palëkundur, pa ndalime të dhunshme, si në kinema kur pritet filmi dhe ka një interval dritash false.

Prandaj, e urrej vitin e ri. Dua që çdo mëngjes të jetë për mua një vit i ri. Çdo ditë dua të bëj llogaritë me veten time të rigjallërohem çdo ditë. Asnjë ditë e paracaktuar për pushim. Pushimet i zgjedh vetë, kur ndjehem i dehur nga jeta intensive dhe dua të bëj një zhytje në instiktet e mia për të rimarrë fuqi.

Asnjë gërmëzim shpirtëror. Çdo orë e jetës time dua të jetë e re, por duke u rilidhur me të shkuarat. S'dua asnjë ditë ahengjesh kolektive të detyruara për tu ndarë me të gjithë të panjohurit që nuk më interesojnë.

Sepse bënë aheng gjyshërit e gjyshërve tanë… duhet edhe ne të ndjejmë nevojën e ahengut. Gjithë kjo më përzien stomakun.

E pres barazinë sociale edhe për këtë arsye. Sepse do hedh në kosh të plehrave të gjitha këto data që tashmë nuk kanë asnjë pasqyrim në shpirtin tonë, dhe do të krijohen të tjera, do jenë të paktën tonat dhe jo ato që duhet të pranojmë pa asnjë përfitim inventarësh të parardhësve tanë budallenj.

(Antonio Gramshi (1891-1937), ishte themelues i së majtës italiane. Ky shkrim i vitit 1916 u shqipërua nga Brizida Gjikondi)

The post E urrej Vitin e Ri appeared first on Telegrafi.

Dorëzimi…

Posted: 31 Dec 2016 07:51 AM PST

Maqedonësit t'i trajtojnë mirë shqiptarët, se, ndryshe, do shpërbëhet shpejt krijesa e tyre. Ky refren i mërzitshëm, tashmë ka fituar aureolin e çelësit që do të zgjidhte nyjën e këtij “tampon shteti” të paaftë për jetë. Do ta thoshte këtë kërcënueshëm dhe Dioguardi, dalëzotësi i konsumuar i shqiptarëve.

Pa e ftilluar hollë, kjo përqasje ndryn në vete dy përskajime deshpëruese: e para, sepse shteti shpallet e nuk është pronë apo shenjë identifikimi etnik të sllavëve. Dhe e dyta, sepse pozicionimi politik ekuivalent, kërkohet e nuk gjendet m’udhë mëshire si prurje e ngrohtë e vullnetit të mirë.

Rrjedhimisht, është etabluar kështu kultura e humanitarizmit për të formatuar, eksponuar e mbrojtur interesat kombëtarë. E kjo do të nënkuptojë, tutje, se të drejtat tabelohen vlerësisht: në ato që, për mëshirë e paqëtim, u jepen shqiptarëve dhe në ato që ata nuk dijnë ti gëzojnë dhe, ndaj, rezervohen vetëm për “Leit-Kulturën” e komunitetit hegjemon.

Por si mësojnë përvoja e jetuar dhe lektyrat shkollore, sundtarët nuk luten – por detyrohen, pastaj e drejta e liria nuk dhurohen – por merren dhe, së fundmi, ato nuk minojnë – por përligjin ekzistencën, e cila do të humbasë të drejtën e qenies, kur humbet më parë kuptimi i saj.

Shqiptarët në Maqedoni (fundja si kudo në tuallin arbnor) vuajnë mendësinë e pajtuar dhe, gati identitare të të dytit. Pasvajtja është rrjeshtimi politik amorf i tyre: nuk i krijojnë proceset veç i ndjekin ato dhe, poashtu, nuk i ndryshojnë situatat, veç u përshtaten atyre me përfitime të vocërra mbijetese. Ndërkaq e ardhmja pret prorë ditën e nesërme që shpresohet të vjen nga Hir i epërm…

Në çaste të rënjes që s’ndalon dot, ende përtypet përjargshëm Ujdia e vjetër që përcaktonte kuantumin e lirisë së kontrolluar. Por “Ohri” është shuar. Si nuk e kap, vallë, këtë fundnajë nervi historik i kohës? E pra, ti referohesh Marrëveshjes së tij është si të kërkosh gjak infuziv nga një kufomë e ftohur qyshkur. Shkronjën e saj, që këtej, evokojnë mallëngjyeshëm vetëm ata që janë dorëzuar – pa ide, pa fantazi e pa shpirt flijimi, duke zgjedhur vullnetarisht statusin e rrallë, atipik e të ndërmjetëm: midis jetës e vdekjes..!

E kush, si dhe pse aherë do ta zhbënte sajesën shtetërore të Maqedonisë? Ky popull që akcepton atë si i sëmuri dhimbjen e tij? Apo, mbase, demagogjia e analistëve dhe rropama merkantile e lobistëve?!..Askush. Ndoshta një ftomë, një stuhi e jashtme që do ti gjejë prapë shqiptarët statistë a, e shumta, pëshpëritës në teatrin e përgjakur…

The post Dorëzimi… appeared first on Telegrafi.

Related Posts :