Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Viti i Ri, Kalleshi: Ja si të shmangni helmimet” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Viti i Ri, Kalleshi: Ja si të shmangni helmimet” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Viti i Ri, Kalleshi: Ja si të shmangni helmimet

Posted: 30 Dec 2016 08:36 AM PST

Ola Mitre

Evitimi i vakteve gjatë ditës, për t’i lënë vend darkës, riciklimi i ushqimit gjatë ditëve të festave, përzierja e pijeve alkoolike e joalkoolike apo konsumimi i mishit të ndenjur janë disa prej gabimeve që bëjmë gjatë ditëve festive e që pasohen me helmime e shtim në peshë”. Konstatimi vjen nga dietologia Anila Kalleshi, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, jep disa këshilla praktike me qëllim shmangien e problemeve shëndetësore pas natës së ndërrimit të viteve.
Znj. Kalleshi, festat e fundvitit karakterizohen nga marrja e shumë kalorive, që shpeshherë kthehen në probleme serioze për shëndetin. Cilët janë personat më të rrezikuar?
Është e vërtetë që festat e fundvitit janë të superngarkuara me kalori. Kjo ndodh pasi vetë trupi në dimër ka tendencën për t’u ushqyer me ushqime me pak më shumë kalori – për të ngrohur temperaturën e trupit, por dhe nga “tryeza bombë-kalorike” e Vitit të Ri, ku gjeli i detit, alkooli, byrekët, bakllavaja bëjnë punën e tyre. Po kështu, riciklimi i ushqimeve pas festave është një tjetër problematikë që rëndon format trupore. Në fakt, pasojat e kësaj mbiushqyerjeje në këto ditë më shumë se kushdo i vuajnë diabetikët, personat që vuajnë nga hipertensioni, kolesteroli i lartë dhe gratë shtatzëna apo fëmijët, që janë pjesa më delikate e shoqërisë. Pjesa tjetër shoqërohet me 3-4 kg më shumë. Pas darkës së madhe, ka mjaft persona që shfaqin probleme shëndetësore dhe përfundojnë në urgjencë.
Një prej problemeve kryesore që vihet re është helmimi nga ushqimet. Cilët janë faktorët e riskut në këtë rast dhe si mund të shmangen?
Ndodh që menjëherë pas festave shfaqen njerëz me helmime nga pijet alkoolike të përdorura si: rakia, vera apo birra. Nuk bëhet fjalë vetëm ata që abuzojnë gjithmonë me alkoolin, por edhe për ata që konsumojnë alkool vetëm atë natë. Ushqime të tjera që mund të shfaqin toksikime të ndryshme janë dhe produktet me origjinë shtazore si mishi me nënproduktet e tij, veza (majoneza që përdoret në sallatën ruse përftohet nga e verdha e vezës e gjallë), ku amvisat i gatuajnë disa orë para se të konsumohen. Po ashtu, kur mishi ftohet, ai është gjithmonë i ekspozuar ndaj baktereve dhe kur bashkohet me produktet e tjera që kanë të njëjtën gjë, situata bëhet më problematike dhe familjarët janë të predispozuar për t’u toksikuar. Situata përkeqësohet akoma më shumë kur ushqimet riciklohen në ditët pas festave. Mishi duhet të ruhet në ambient të përshtatshëm dhe në temperaturën e duhur. Shumica e njerëzve e neglizhojnë këtë fakt duke menduar se është dimër dhe temperaturat janë të ulëta. Mishi i ndenjur i gatuar 2 ditë më parë dhe që nuk është i ruajtur në kushtet e duhura, shkakton rritjen e baktereve që bëhen shkaktarë për toksiko-infeksione. Problematikë tjetër është që, duke qëndruar me ditë të tëra para televizorit (ditë pushimi), mendja u rri të gjithëve vetëm tek ushqimi dhe krijohet një mbingopje. Kjo mund të shoqërohet me të vjella, këputje.
A ka një sasi të rekomanduar ushqimi, në mënyrë që të shmangim helmimet apo qoftë edhe shtimin në peshë?
Se sa duhet të konsumojmë në fakt, kjo është individuale për çdo njeri. Varet nga organizmi që ka njëri apo tjetri. Një person që punon gjatë dhe që ka një metabolizëm hiperaktiv, nuk e ka problem konsumimin e tepërt të ushqimit, ndërsa dikush që bën një jetë sedentare dhe është një person inaktiv, nuk e përballon dot konsumimin e tepërt të ushqimeve. Personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, ata me hipertension apo ata që vuajnë nga kolesteroli i lartë apo diabeti duhet të jenë shumë të kujdesshëm, duke konsumuar më pak sasi dhe më pak yndyrna. Këta persona duhet të përdorin në masë të vogël produktet ushqimore të mishit. Edhe pse është festë, për këta persona rekomandohet konsumimi i kosit pa yndyrë, frutave, perimeve jeshile të gatuara në avull.
Festat nuk mund të kuptohen pa konsumimin e pijeve. Çfarë rregullash duhet të kemi parasysh, në mënyrë që të evitohen problemet shëndetësore?
Kujdes me alkoolin, sidomos personat që vuajnë nga sëmundje kronike! Shmangni përzierjen e pijeve, nga pijet me gaz, te vera, rakia apo birra, gjë që çon në dehje më të shpejtë. Masa më e mirë e konsumit të alkoolit natën e Vitit të Ri do të ishte jo më shumë se 100 gramë. Kujdes me konsumimin e pijeve me gaz! Në 10 minutat e para pasi kemi pirë një kanoçe, trupit i kemi dhuruar 10 lugë sheqer. Sasia ditore e sheqerit që i duhet trupit tonë është vetëm 10% e kësaj ose 1 lugë. Po kështu, lëngjet në kuti përmbajnë pa fund sheqer artificial, aromatizues e ngjyrosës dhe janë mjaft të varfra me vitamina e minerale. Këshillohet të konsumoni sa më shumë lëngje natyrale frutash dhe sidomos portokalle e agrume, të cilat ndihmojnë mjaft në metabolizmin e yndyrnave.
Ndodh që natën e ndërrimit të viteve shumë njerëz nuk i konsumojnë të gjitha vaktet, me qëllim që t’i lënë sa më shumë vend darkës. Sa e shëndetshme është kjo sjellje?
Gjëja më e mirë që duhet të bëjmë do të ishte konsiderimi i kësaj nate si një natë e zakonshme, me një ndryshim, që: miqtë, alegria, situatat gazmore janë më prezente, dhe të harrojmë bombardimin me kalori nga ushqimet. Nga një ditë e zakonshme trupi ynë duhet të përftojë 35% të kalorive ditore të nevojshme nga konsumimi i mëngjesit, 40 – 50% të kalorive nga dreka dhe jo më shumë se 25% nga darka. Dhe në këtë natë të ndërrimit të viteve kemi një disbalancim të tmerrshëm të kësaj përqindjeje. Mëngjesi rekomandohet të jetë sa më i balancuar me karbohidrate dhe proteina. Drithërat dhe buka integrale na ndihmojnë t’i japim energjinë e duhur trurit dhe ndihmojnë trupin të zgjohet dhe të aktivizohet. Karbohidratet do të përdoren të gjitha për energjinë që i nevojitet trupit tonë për aktivitetet tona gjatë ditës dhe nuk na depozitohen në dhjamë.
Simboli i tryezës së Vitit të Ri është gjeli i detit. Çfarë këshilloni, në mënyrë që konsumimi i tij të jetë sa më i shëndetshëm?
Gjeli i detit përmban një aminoacid esencial për trupin e njeriut, triptofanin. Ky aminoacid nuk mund të sintetizohet nga vetë organizmi. Ai vepron si një bllok ndërtues në sintetizimin e proteinave. Po kështu, përmban mineralin e seleniumit, i cili jep një kontribut të çmuar në parandalimin e kancerit. Gjeli i detit është gjithashtu burim i pasur i vitaminës B-niacin. Niacina ndihmon në normalizimin e nivelit të sheqerit në gjak. Një sasi prej 100 gr mishi të gjelit të detit, jep rreth 22.5% të nevojave ditore në niacin. Përmban hekur, i cili është një mineral i domosdoshëm sidomos për anemikët apo personat që kanë humbje të flokëve. Po kështu përmban edhe zink, proteina, kolagjen dhe pak kolesterol. Por kujdes! Ajo që e bën të rrezikshëm konsumimin e gjelit të detit është lëkura e tij, e cila ka të përqendruar mjaft yndyra të ngopura, mjaft kalori dhe kolesterol. Në 50 gr lëkurë gjenden 83 mg kolesterol dhe rreth 270 kalori. Kujdes i madh duhet bërë dhe në mënyrën se si e gatuajmë. Që të shmangim yndyrat e tepërta do të ishte e mirë t’i jepnim një valë dhe lëngun e përftuar ta linim jashtë të ftohej, në mënyrë që të hiqnim yndyrën që ngel sipër. Po kështu, mënyra e gatimit ka shumë rëndësi: e pjekur e mbështjellë në letër alumini në një temperaturë jo shumë të lartë (pasi çlirohen lëndë kancerogjene), ose me vaj ulliri sipër (jo me gjalpë).
Një këshillë të fundit?
Jepuni përparësi sallatave! Nga ato përftojmë pak kalori dhe shumë vitamina dhe na mbushin stomakun.

Agostineli i ka orët të numëruara, pritet zëvendësuesi

Posted: 30 Dec 2016 08:35 AM PST

Skënderbeu po kërkon një trajner të ri. Dhe pse zyrtarisht Agostineli vazhdon të jetë ende në krye të detyrës, klubi korçar duket se ka vendosur që të mos vazhdojë më bashkëpunimin me italianin, i cili aktualisht gjendet në vendin e tij për festat e fundvitit. Në këto kushte, klubi korçar ka vendosur që të vihet në kërkim të një emri të ri për stolin dhe emrat e përfolur për momentin janë disa, madje të gjithë prestigjoz në botën e futbollit shqiptar e jo vetëm. Një emër që përflitet si pasues i mundshëm i Agostinelit, nëse ky i fundit largohet, është ai i ish-trajnerit të Shkëndijës, Adrian Kozniku, i cili mund të jetë i interesuar për t’u ulur në stolin e korçarëve duke qenë se aktualisht nuk është në krye të një skuadre. Gjithashtu, është përfolur dhe emri i Besnik Hasit, që është shumë i njohur nga të gjithë duke qenë se ka drejtuar në skuadra të mëdha si Anderleht dhe Legia Varshavë, ndërsa më parë ka qenë kandidat dhe për stolin e kombëtares së Shqipërisë. Hasi aktualisht përflitet dhe për të marrë drejtimin e Genk në Belgjikë. Ndërsa emri i fundit i përket një trajneri të njohur në Kategorinë Superiore, si Ilir Daja, i cili që pas largimit nga Tirana është aktualisht pa një detyrë dhe mund të pranonte drejtimin e kampionëve në fuqi.

KQZ ndërpret mandatet e Rroshit, Tahirit e Selamit

Posted: 30 Dec 2016 08:34 AM PST

Valentina Madani

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje me votë unanime ndërprerjen e mandatit për kryebashkiakun e Kavajës Elvis Roshi dhe për deputetin e LSI-së Shkëlqim Selami. Ndërsa me votim 4 vota pro dhe 3 kundër, KQZ miratoi me shumicë votash ndërprerjen e mandatit për deputetin Dashamir Tahiri. KQZ u nda në vendimmarrjen për deputetin e PDIU, Dashamir Tahiri, i identifikuar me grupin parlamentar të Partisë Demokratike në parlamentin Shqiptar. Ishin pikërisht votat e opozitës kundër vendimit për shpalljen të pavlefshëm dhe ndërprerjen e parakohshme të mandatit të deputetit. Asnjë prej tyre nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e djeshme, por u përfaqësuar nga avokatët. Mbledhja e KQZ-së u shoqërua me debat lidhur me materialet e ardhura të Prokurorisë. Sipas kreut të komisionit, Denar Biba, prokuroria ka dërguar materialin me saktësime siç i është kërkuar për të vijuar mbledhjen, por avokati i Dashamir Tahirit, Fatmir Braka ka kundërshtuar duke thënë se prokuroria ka dërguar të njëjtin material. "Materiali nuk është i ri. Pak kanë ndryshuar, janë thjesht disa saktësime siç i kërkuam. Komisioni ishte në dilemë nëse do ishim në pozitën e noterit apo gjykatë. Ne donim një proces të rregullt ligjor", u shpreh kreu i KQZ, Denar Biba. "Prokurori ka dërguar të njëjtin material dhe sërish është gabim, ka ngatërruar datën e klientit tim. Në 2009 është dënuar në Ravena, por këtu flitet për një vendim gjyqësor. Prokuroria s'e ka. S'i ka hyrë kësaj gjëje. Informacioni është marrë në mënyrë narrative nga Europol, jo nga drejtësia. Informacioni është i gabuar. Ne ua vumë në dispozicion vendimin", theksoi avokati Braka. Kryetari i Komisionit, Denar Biba deklaroi më herët se të tre zyrtarët janë subjekt i ligjit të dekriminalizmit, duke lënë të nënkuptuat se do votohej pro heqjes së mandatit të tyre. "Për kryebashkiakun Elvis Rroshi vendosëm njëzëri që t'i ndërpritet menjëherë mandati. Njoftimi do t'i jepet kryeministrit për të ndjekur procedurat. Rroshi ka të drejtë ankimimi. Për zotin Shkëlqim Selami njëzëri vendosim të shpallim të pavlefshëm dhe ndërprerjen e menjëhershme të mandatit. Vendimi i jepet me dije Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Për Dashamir Tahirin, me shumicë votash, komisioni vendosi të shpallë të pavlefshëm mandatin dhe ndërprerjen e menjëhershme të tij.", tha Biba. Ashtu edhe siç pritjen, kundër këtij vendimi ishte Hysen Osmanaj, Klement Zguri si dhe Vera Shtjefni. Pas shpalljes së pavlefshme të mandatit të kryebashkiakut Elvis Rroshi, Kavaja shkon në zgjedhje të parakohshme. "KQZ nuk është gjykatë, dhe kjo është hera e parë që bëjmë procedurë të tillë, dhe po vendosim standardet. Po mundohemi të bëjmë një proces sa më të rregullt ligjor. Por nuk jemi në pozitën e një gjykate e të shqyrtojmë thelbin ato që prokuroria i ka parashtruar komisionit", deklaroi z.Biba. Kurse Hysen Osmanaj tha: Forcat politike duhet të lejohen të flasin. Avokati i z.Rroshi Thedhori Sollaku u shpreh: Nuk jam dakord që forcat politike të flasin sa herë të duan. Për sa i përket shqyrtimit të këtyre kërkesave nuk kemi asnjë dispozitë të kodit zgjedhor. Forcat politike e kanë shprehur me votë. Diskutimi i provave të reja ka të bëjë me tavolinën. Forcat politike e kanë dhënë mendimin e tyre në ditën e parë. Anëtarja e KQZ Vera Shtjefni deklaroi: "Për Elvis Rroshin ka disa të dhëna të evidentuara. Siç është vepra për përdhunim dhe dëbim. Po ashtu, sipas prokurorisë, Rroshi posedon disa emra. Ai është në kushtet e ndalimit të mandatit. Rroshit duhet t'i ndërpritet mandati përjetë". Vendimin i KQZ mund te ankimohet në Gjykatën Kushtetuese nga 3 funksionaret, por për rastin e kryebashkiakut Rroshi më parë duhet te shprehet kryeministri .

Haxhia: Mazrekaj do jetë blerja më e madhe e Partizanit

Posted: 30 Dec 2016 08:34 AM PST

Jeton Selimi

Partizani mbylli një vit të ngjeshur futbollistik. Fillimisht pjesëmarrja në kupat europiane dhe më pas sezoni i ri futbllistik në Kategorinë Superiore. Në klubin e kuq është koha për të bërë llogaritë dhe janë drejtuesit ata që gjatë ditëve të fundit të vitit 2016 mund të flasin me siguri për pritshmëritë dhe të ardhmen. Drejtori Sportiv, Edmond Haxhia bën një analizë të ecurisë së skuadrës gjatë dy fazave të para, por ai shkon edhe më tej duke u ndalur fillimisht te ndeshjet në arenën ndërkombëtare. “Skuadra riformatohet për të realizuar objetivat e sezonit. Në Europë kemi pasur një ecuri pozitive. E kemi pritur që të jemi në vendet e para të klasifikimit. Kemi bërë më të mirën e mundshme gjatë dy fazave , por me pak kujdes mund të kishim marrë më shumë pikë, veçanërisht me Tiranën dhe Kukësin, por shumë shpejt do ta shikoni Partizanin në vend të parë”. Haxhia thekson se ky sezon është më i luftuar dhe shton se beson që rivaliteti do të jetë i madh deri në fund të sezonit mes 4 skuadrave, duke përfshirë në këtë garë edhe Tiranën. Në vijim, ai vuri theksin te ecuria pozitive që skuadra ka pasur nën drejtimin e Sulejman Starovës, duke e pranuar se ndryshimi mes filozofisë së dy trajnerëve ka ndikuar edhe në ecurinë sezonale. “Përveç humbjes në Kukës edhe Sormani ka bërë detyrën e vet shumë mirë. Në kupat e Europës u përfaqësuam mirë por për arsye ambientimi, Starova e njeh shumë mirë kampionatin dhe është njeriu i duhur për ta shpallur Partizanin kampion”. Partizani është skuadra me mbrojtjen më të mirë gjatë dy fazave të para, por Haxha preferon t’i ndajë meritat në mënyrë të barabartë. “Nuk është vetëm mbrojtja dhe portieri sepse e gjithë skuadra lufton në grup. Jemi kompaktë si skuadër. Nuk mund të veçoj repartet”. Për drejtorin sportiv, skuadra është e plotë dhe ka nevojë për ndryshime të vogla në merkato pasi janari nuk të jep mundësi të bësh ndryshime të mëdha. Rikthimi i Mazrekajt pas dëmtimit të gjatë, për drejtorin sportiv është përforcimi më i rëndësishëm, por ai ndalet edhe te emrat e rinj dhe objetivat që klubi ka në këtë sesion merkatoje. “Mazrekaj do të jetë blerja më e madhe e Partizanit nëse do të vijë në formën e tij optimale. Me të forcohet shumë linja e sulmit. Për t’i dhënë më të mirën skuadrës duhet të shënojmë dhe në po punojmë që trajneri të ketë sa më shumë sulmues në dispozicion. Kemi menduar të forcojmë skuadrën në sulm dhe këtë e bëmë me Boniface, ndërsa për Sukaj dihen vlerat dhe mendoj se do të na ndihmojë që të arrijmë te titulli”. Të gjithë emra që vijnë nga jashtë, por Haxhia e pranon se edhe nga Kategoria Superiore, në axhendën e tij ka veçuar disa emra. “Bregu, Shkodra dhe Telushi janë emra që do ta përforconin shumë skuadrën për vitin e ardhshëm”. Ndeshjet si pritës Partizani i ka luajtur në Elbasan, por Haxhia shpreson që Tirana të hapë dyert e “Selman Stermasit” për vitin 2017 në mënyrë që të kuqtë të luajnë në qytetin e tyre. “Ndryshe është kur luan në Tiranë, ndryshe është kur luan në Elbasan. Urojmë që bashkia dhe presidenti i Tiranës të na japin të drejtën të luajmë në stadiumin e Tiranës. Shpresoj të merremi vesh”.

Vendimi, SHBA: Një paralajmërim për kriminelët

Posted: 30 Dec 2016 08:33 AM PST

Valentina Madani

SHBA-të e konsiderojnë një paralajmërim për kriminelët vendimin e djeshëm të KQZ-së, e cila në kuadër të procesit të dekriminalizimit u ndërpreu mandatet dy deputetëve të Kuvendit dhe kryebashkiakut të Kavajës. Ambasada e Shteteve të Bashkuara përshëndeti dje vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për t'u hequr mandatet tre politikanëve, Elvis Rroshi, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, nën ligjin e dekriminalizimit. Në reagimin e ambasadës thuhet se, ky vendim, përveçse fitore për popullin shqiptar, është paralajmërim për kriminelët që të rrinë larg zgjedhjeve. "Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për të hequr mandatet e tre politikanëve, Elvis Rroshi, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, nën ligjin e dekriminalizimit. Vendimi i sotëm (djeshëm) është një fitore për popullin shqiptar dhe një paralajmërim për kriminelët që po mendojnë të jenë kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar që plotësojnë deklarata false duhet të ndëshkohen me gjithë forcën e ligjit. Personat me dosje penale nuk mund të kenë vend në përfaqësimin e shqiptarëve", thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve. Më herët, ambasadori Lu ka përmendur emra konkretë të të zgjedhurve lokalë dhe qendrorë që s'do kenë shanse të jenë pjesë e zgjedhjeve të 2017-ës. Më herët, ambasadori amerikan ka kërkuar nga liderët politikë që të mos vendosin në listat zgjedhore emrat e personave të korruptuar apo të inkriminuar, duke e quajtur mjaft të rëndësishëm edhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.
"Udhëheqësit duhet të bëjnë më shumë për të larguar politikanët e korruptuar dhe me lidhje kriminale, të mos i vendosin fare emrat e tyre në fletën e votimit. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit ishte hapi i parë i rëndësishëm, dhe është po aq i rëndësishëm zbatimi i plotë i tij. Votuesit kanë nevojë që të marrin përgjegjësi për të mos pranuar para për votën e tyre dhe për të mos votuar kriminelë", është shprehur ambasadori i SHBA-ve në Tiranë. Madje, Donald Lu ka thënë se: "Shqiptarëve dhe amerikanëve u pëlqen të ankohen për politikanët e tyre. Ne mund të ankohemi sa të duam, po nga një demokraci ne jemi përgjegjës për politikanët që zgjidhen".

Ledina Çelo: Ledina Çelo: Në Festival pa prova, skenarin e mora 2 orë para

Posted: 30 Dec 2016 08:33 AM PST

Fatmira Nikolli

Kam ardhur 10 ditë para Festivalit në Tiranë, e kam ndenjur 5 ditë kot në hotel, duke mos pasur në dorë asnjë material. Nuk shkuan gjërat ashtu siç mendova. Nuk kalova një provë të vetme të lidhur nga fillimi deri në fund. Skenarin, dy netët e fundit e kam marrë në dorë 2 orë para shfaqjes”. Këngëtarja Ledina Çelo vjen në intervistën e saj të parë pas mbylljes së Festivalit të 55-të të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, ku ajo ishte prezantuese dhe një ndër emrat më të përfolur të tij.
Eventi më i rëndësishëm muzikor në vend, në të cilin më herët ka qenë edhe fituese, i rezervoi Ledinës jo vetëm komente në rrjetet sociale. Nga prezantimi, te fustani i tejdukshëm që mbante veshur një nga tri netët, Ledina Çelo në intervistën e saj për “GSH”, jep sqarimin e saj. Këngëtarja shprehet se fustani për të cilin u përfol, nuk ishte qëllim në vetvete dhe se e gjithë zhurma erdhi për shkak të një fotoje me blic, çka nënkupton sipas saj se pa blic dhe me ndriçimin e skenës ai nuk do dukej siç u duk. Mandej, ajo jep përgjigje për pse-të e ngritura, duke theksuar se nuk do të justifikohet. Këngëtarja shton se çfarë do të kishte dashur të ishte ndryshe dhe pse shumë ide të sajat nuk u realizuan.
– Ledina, sapo mbylle përvojën si drejtuese e Festivalit të 55-të të Këngës në RTSH. Si ishte për ty? Do ta përsërisje sërish nëse do të ta kërkonin?
Në radhë të parë falënderoj TVSH-në për ftesën, duke më vlerësuar mua për të drejtuar një eveniment të përmasave të tilla, aty ku dhe nisi rrugëtimi im, e që më lidh me kujtime e emocione nga më të bukurat.
Në momentin që m’u ofrua ky projekt, të jem e sinqertë, e mora me rezervë, për faktin se isha shkëputur nga angazhimet e mia artistike për një kohë relativisht të gjatë (prej ardhjes në jetë të dy fëmijëve të mi). Por dëshira e madhe për t’u takuar me publikun dhe magjia e asaj skene, më bëri të mos i rezistoja tundimit.
– Çfarë nuk shkoi mirë?
Nuk shkuan gjërat ashtu siç mendova. Dua të përmend vetëm një fakt, që nuk kalova një provë të vetme të lidhur nga fillimi deri në fund me artistët pjesëmarrës. Më saktë, do të thosha që nuk u bë qoftë edhe një provë gjenerale. Gjithashtu, skenarin, dy netët e fundit e kam marrë në dorë 2 orë para shfaqjes. Nuk e them këtë për t’u justifikuar, por kjo është e vërteta.
Kam ardhur 10 ditë para Festivalit në Tiranë, e kam ndenjur 5 ditë kot në hotel, duke mos pasur në dorë asnjë material.
Dhe, shumë ide të miat që i kisha menduar në pikën time më të fortë të këndimit, ishte e pamundur të realizoheshin.
– Cili ishte momenti më i bukur për ty?
Momenti më i bukur ishte muzikali i këngëve ndër vite dhe hologrami i Vaçe Zelës. Sigurisht, edhe pjesëmarrja e artistes botërore Inva Mula, skenografia për mua ka qenë madhështore… Do doja që atij kolazhi t’i renditeshin më shumë emra që i kanë dhënë asaj skene, si motrat Libohova, Manjola Nallbani, Ardit Gjebrea, Sabri Fejzullahu, Kozma Dushi, Bashkim Alibali, Frederik Ndoci etj., ose të vendoseshin në monitor të gjithë këta artistë, po për limit kohe nuk mund të këndoheshin më shumë në një kolazh.
– Çfarë mund të na thuash për fustanin që bëri namin në rrjetet sociale?
Ndër vite, veshjet e mia kanë qenë ekstravagante. Ashtu siç të gjitha veshjet e stiluara aq bukur dhe aq stil nga “Geraldina Sposa”. Dua të përmend që ai fustan i zi që u përfol aq shumë, nuk ishte si qëllim në vetvete, por një foto e vjedhur me blic për qëllime dashakeqe në drejtim të atij evenimenti.
Kurrë nuk kam dashur të keqkuptohem e të ofendoj spektatorin dhe ato figura emblematike që i kanë dhënë atij festivali.
– Je penduar që e veshe?
Unë e vesha me dëshirën time atë fustan, pasi edhe ndriçimi në atelie, ishte në parametrat e skenës kur bëmë provën. Gjithçka, siç e thashë edhe më lart, ishte efekti surprizë i fotos së vjedhur me blic.
Dua të shtoj edhe këtë: shoh një konkurrencë të pisët nëpërmjet kanaleve konkurrente.
Ne artistet japim mesazhe, dhe unë ndër vite me këngët e mia, i kam kënduar dashurisë, mirësisë, kundër urrejtjes e emancipimit të gruas, që fatkeqësisht lë për të dëshiruar.
– Kur do të vish sërish në Shqipëri?
Ndoshta në pushimet verore. Dhe, pse jo, atëherë edhe me një bashkëpunim.
– Çfarë u uron shqiptarëve për Vitin e Ri?
Shqiptarëve u uroj sa më tepër dashuri e pozitivitet.

Ilir Lluka shpallet fituesi i ONUFRI-t, “i vetmuar me të tjerë” dhe larg Kutelit

Posted: 30 Dec 2016 08:32 AM PST

Fatmira Nikolli

Akti I është zgjimi dhe vetëdija, akti II- aty jashtë, mes tyre, aty është vetmia, akti III- Ti je pishë. ‘Further Inside’, akoma më tej, akoma më në brendësi të ankthit të shoqërisë dhe zhvillimeve të saj nën ritmin e një lavjerrësi që shtyn gjithmonë e më tepër drejt sipërfaqes së ndjenjës. ‘Further Inside’, akoma më tej, akoma më në brendësi të vetmisë, dualizmit të të qenit vetëm me vetveten dhe të qenit i vetmuar mes njerëzish të tjerë. ‘Further Inside’, akoma më tej, akoma më në brendësi të dashurisë dhe dëshpërimit, gëzimit dhe marrëzisë, erosit dhe heshtjes, muzikës së zërave që ti prek, muzikës së duarve që ti sheh, muzikës së imazheve që ti kujton, çdo gjë e cila shtrihet jashtë dhe brenda teje dhe çdo moment që i jep definicion personalitetit që ke, asaj që ti je.
Ky është koncepti i veprës së Ilir Llukës, që është shpallur dje në Galerinë Kombëtare të Arteve fitues i Çmimit Ndërkombëtar Onufri XXII.
Vepra në mediumin e videos vjen e instaluar në tri ekrane nën titullin ‘Further Inside’ (çka është shpjeguar si poezi me tri elemente – vizuale, muzikore dhe verbale).
Vetë autori tha para mediave se vepra nuk ka synime për të përfaqësuar kontekste me anë të simbolizmave, por është një vepër e cila kërkon të ndihet dhe jo të logjikohet. Artist audiovizual, kompozitor i muzikës elektronike dhe autor software-i nga Tirana (lindur në 1984), Ilir Lluka është diplomuar për shkenca politike dhe ka studiuar në mënyrë autodidakte teknikat e kompozimit elektronik dhe përpunimeve audiovizuale, thotë njoftimi i GKA-së.
Në konferencën e mbajtur me këtë rast, drejtori i GKA-së, Artan Shabani bëri veçse një prezantim të përgjithshëm rreth këtij edicioni dhe edicioneve paraardhëse, duke sjellë në vëmendje artistët shqiptarë fitues të këtij çmimi në vite e mandej, i dha duart drejt përfaqësuesit të jurisë, i cili shpalli fituesin. Ermir Hoxha (kurator i Galerisë “FAB”) në emrin e tij dhe dy anëtarëve të tjerë të jurisë, prof. Arben Bajo(Pedagog në FAB) e Zeni Ballazhit(Kurator i GKA në Kosovë) e motivoi çmimin me këto fjali: Për arritjen e harmonizimit mes realitetit material dhe krijimit shpirtëror, servirur me një gjuhë të sofistikuar teknologjike; videoja e propozuar në tri panele, shpalos me një vizion tejet bashkëkohor konfliktin shpirtëror mes realitetit të përditshëm dhe atij të brendshëm; përveç kësaj ai propozon me audion origjinale, një poezi vizive, si një vizion sa surreal aq edhe psikologjik. Dhe në fund tha se: “Në gjykimin e jurisë, vepra e propozuar është në linjë me konceptin kuratorial, si dhe rregulloren e aktivitetit. Ndaj, si e tillë vepra e artistit Ilir Lluka, vlen të promovohet e evidentohet mbi të tjerat për vlera të konsiderueshme estetike dhe artistike”.
Kjo ekspozitë me titull “Stranger than Kindness – Mitrush Kuteli” qe kuruar nga artisti shqiptar Fani Zguro, i cili dje mungoi. Fituesi Lluka, i pyetur në është ndikuar nga Kuteli mohoi, ndërsa i pyetur sa e njeh shkrimtarin tha se “e kam lexuar fare pak”. Anipse vepra është krijuar enkas për ONUFRI-n, që sipas Zguros është një homazh për Kutelin, Lluka është nxitur prej poetes nga Kosova Ervina Halili.
Njoftimi i GKA-së bën me dije se metoda e punës së Llukës zhvillohet kryesisht përmes krijimit të software-ve specifike për secilën punë dhe kombinimit të regjistrimeve zanore në terren (field recordings), tingujve elektronike, instrumenteve akustike (violonçel, kontrabas, piano etj., shpeshherë të përdorura me shumë distorsion) dhe poezisë. Ilir Lluka ka publikuar 5 albume & singles lëshuar prej etiketash diskografike në Itali, Gjermani, Angli, Norvegji, Francë dhe Spanjë. Muzika e tij është përshkruar si “një udhëtim mendor i thellë, atmosferik dhe surreal në lokacione të papërcaktuara”. Iliri ka kompozuar muzikë për instalacione dhe kinema eksperimentale, ka prezantuar punime dhe performuar live në galeri arti dhe hapësira kulturore në Shqipëri dhe jashtë vendit si: Muzeu Historik Kombëtar (Tiranë 2013), Kështjella e Ali Pashë Tepelenës (Himarë 2014), Galeria Heike-Strelow (Frankfurt 2016), Festivali i poezisë zanore Poesia Carnosa (Romë 2014), Festivali Main OFF (Palermo 2014), Festivali Kinis (Santorini, Greqi 2015) etj.

Kur krishterimi dhe islami bashkoheshin nga imazhi i lindjes së Krishtit

Posted: 30 Dec 2016 08:30 AM PST

Nga Konstantinos Giakoumis*

Sokol Çunga

Një shëtitje nëpër rrugët e kryeqytetit këtyre ditëve para dhe pas Krishtlindjeve, të ndriçuara me mijëra xixëllonja, në rrugë dhe vitrina të mbushura me reklama, me dyqane plot me njerëz në vrullin e konsumit të dhuratave, përbëjnë dëshmi për mënyrën se si në varfërinë dhe përulësinë e ngjarjes së Lindjes së Krishtit, bota moderne, e shkëputur nga përmbajtja shpirtërore e ngjarjes, i është përgjigjur asaj me epsh të pangopshëm për konsum dhe demonstrim pasurie, si edhe me epërsinë e pushtetit dhe të zotërimit. Urrejtja, britmat njerëzore dhe shpërthimet e luftërave të mëdha dhe të vogla, konvencionale, si në rastin e Sirisë, apo jokonvencionale, si në rastin e sulmeve terroriste në Turqi dhe Gjermani, i përgjigjen kakofonikisht thirrjes së engjëjve “dhe përmbi dhenë paqe, dhe mbi njerëzit mirëdashje” (Luka 2:14). Thellimi i pabarazisë midis të pasurve dhe të varfërve në rang botëror, pasiguria për të ardhmen, makthi i papunësisë dhe eksodi i ri i trurit nga Shqipëria, janë fenomene që rëndojnë zemrat me melankoli këto ditë festive, të cilat nuk ndriçohen nga dritëzat e mirëqenies krenare të të pakëve, as mbulohen nga mbulesa artistike dhuratash… Festimet më të mëdha janë bërë sipërfaqësore, prandaj, një vështrim në origjinat festive, përmes arteve, mund të na hapë një dritare për t’u rilidhur me kuptimin e tyre. Përmes një vepre (Lindja e Krishtit) të piktorit të shquar të shek. XVI, Onufrit, në kishën e Shën e Premtes në Valësh, Shpat, që përshtat në estetikën lindore trajta të pikturës së Trecentos dhe Quatrocentos në Itali, një vepër me të njëjtën temë nga Italia dhe një vepër e rrallë të Lindjes së Muhamedit nga një dorëshkrim persian, na lejojnë të identifikojmë perceptime të ndryshme të spiritualitetit të Lindjes në traditat e ndryshme të feve të mëdha botërore.
Paraqitja e Lindjes së Krishtit në kishën e Shën e Premtes në Valësh, Shpat, Elbasan (1554) paraqitet në fundin lindor të murit jugor, në brezin e dytë të afreskeve [Fig. 1], brenda në altar. Në pjesën qendrore të skenës zotëron shpella, ku paraqiten një ka dhe një gomar që ngrohin me frymën e tyre Krishtin e porsalindur, të mbështjellë me pelena dhe të vendosur mbi një grazhd të ndërtuar prej degësh. Përreth shpellës zhvillohen temat e tjera të skenës. Në anën e djathtë Hyjlindësja paraqitet gjysmë e shtrirë në shtrojë të kuqe jashtë shpellës duke lidhur, falë përmasave të saj të mëdha, nivelet e poshtme dhe të sipërme të skenës. Mban veshur një kiton blu dhe mafor të kuq, dhe mbështet kokën në dorën e djathtë, të cilën e ka të mbështjellë me maforin. Në nivelin e poshtëm, djathtas, paraqitet Jozefi në mëdyshje, i ulur mbi një gur, me dorën e djathtë mban një shkop, ndërsa ngre të majtën në gjest fjalimi, duke iu drejtuar bariut që ndodhet përballë. Bariu, më këmbë, pikturohet në shkallë më të vogël se Jozefi, është i veshur me lëkurë deleje, mban një pagur prej kungulli, ka veshur çizme, ka shkopin baritor në dorën e djathtë, ndërsa me të majtën i përgjigjet gjestit të Jozefit në shenjë dialogu. Peizazhi përmban dele që kullosin aty-këtu. Sipër bariut, në një gropësirë të malit, të formuar posaçërisht, paraqiten në barazgjatësi diagonale, për shkak të pjerrësisë së terrenit, tre magët. Mbajnë kurora të arta dhe veshje zyrtare të stolisura me imitime perlash dhe gurësh të çmuar. I pari dhe i dyti majtas mbajnë – me duart të mbuluara me rrobën e tyre – një kodik të lidhur, teksa i treti, më i moshuari, sjell një kuti të lartë, dhurata të cilat i çojnë te Krishti në drejtim të rrezes së yllit, (sot të shkatërruar), që ndriçon shpellën. Në nivelin e tretë, sipër magëve dhe në majën e maleve, pikturohet një grup engjëjsh, me duart të mbuluara në shenjë respekti. Dy të parët (ende ekzistentë) shikojnë yllin në qiell. Në pjesën e djathtë paraqitet skena e ungjillëzimit (lajmërimit) të bariut, në të cilën bariu, që ulet djathtas mbi një shkëmb, heq fyellin më të djathtë për të dëgjuar lajmin prej një engjëlli. Të dy paraqiten me gjeste dialogu.
Tipari ikonografik i temës u formësua në mënyrë që të përmbledhë kuptimin e Lindjes së Krishtit në një gjuhë estetikisht të këndshme. Paraqitja është organizuar qëllimthi në mënyrë jorealiste dhe simbolike, duke përzierë elemente prej ngjarjes historike me të tjera, shpirtërore dhe diakronike, në mënyrë që skena të sintetizojë qiellin me dheun, botën hyjnore me atë njerëzore. Shpella, mali, grazhdi dhe kafshët, elementë tokësorë, bashkërendohen me dritën gjysmë-rrethore prej qiejve dhe rrezen e yllit, elementë të botës shpirtërore të qiejve. Pra, ikonografia e Onufrit, edhe pasi studioi në Venedik, nuk humanizon paraqitjen përmes idhujtarizimit të figurave të shëndosha, nuk e tkurr në një tregim të thjeshtë, as e zhvesh nga historiciteti, duke hequr çdo element realiteti. Simbolika e elementeve të skenës është e pasur. Lindja e Krishtit vendoset në një shpellë, vend i cili nuk përmendet në ungjij, por nga një traditë e huazuar nga ungjilli i parë (Protevangjeliumi) i Jakobit (kap. XVII), e cila u transmetua në mendimin lindor nga Justini, filozofi dhe dëshmori, dhe në himnografi nga Romanos Muzikanti (“edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën”). Errësira e shpellës simbolizon Ferrin, të cilin do të mposhtë Krishti me ngjalljen, si edhe errësirën e botës parakristiane, të cilën do ta ndriçojë një dritë e gëzueshme dhe shpëtimtare (“populli që rrinte në errësirë pa dritë të madhe, dhe mbi ata që rrinin në vend e në hije vdekjeje lindi dritë” Mat. 4:16). Pelenat e Krishtit, nga njëra anë ndjekin tregimin ungjillor (Lluk. 2:7), por nga ana tjetër kujtojnë pelenat e të vdekurve, p.sh. të Llazarit, paralelizëm që i referohet pelenat dhe varrimin e Krishtit.
Pozita e Shën Marisë është treguese për rolin e saj në Krishtlindjet. Pikturohet në lidhje të drejtpërdrejtë me Foshnjën, por duke ruajtur edhe distancë prej Tij, duke qenë se njeh hyjninë e Tij. Pozicioni i saj, i stabilizuar që prej shek. XI, me shumë pak variante, i rehatshëm, tregon reagimin e saj karshi ndjenjës njerëzore të lodhjes, kurse mosraskapitja e saj, edhe pse lehonë pas lindjes, tregon besimin e Kishës Ortodokse se lindja ka qenë pa dhimbje (Tropar i Odës IV e Akathistit: “Më e lartë prej çdo qelli, Shpëtimtarin e njerëzve, ti në gjin’ e shenjtë, e ke mbajtur palodhshmërisht, Zonjë Hyjlindëse”). Prania e kaut dhe e gomarit përbën dëshmi modeste, por kritike, të mosbesimit të Izraelit: “Kau e njeh të zotin e tij dhe gomari grazhdin e zotërisë së tij, por Izraeli nuk ka dije dhe populli im nuk ka mend” (Is. 1:3).
Kompleksi i Jozefit me bariun është interpretuar si “mëdyshjet e Jozefit për Hyjlindësen”, siç na tregon edhe Stanca VI e Himnit Akathist: “Duke pasur përbrenda turbullim mendimesh të dyshimta, Jozefi i urtë u shqetësua duke të parë të pamartuar, e duke të kujtuar martesë-vjedhëse, o e Paqortueshme; po kur mësoi për ngjizjen tënde nga Shpirti i Shenjtë, tha: Haleluja.” Bariu përballë Jozefit, sipas ungjijve apokrifë, është djalli që mori formën e bariut, për ta vënë në ngasje Jozefin, duke i treguar shkopin e duke i thënë se sa e mundur është për atë shkop të nxjerrë gjethe dhe lule, aq e mundur është për një virgjëreshë të lindë. Edhe pse himnografia përshkruan qartë se Jozefi i mundi mëdyshjet e tij dhe mori në mbrojtje foshnjën bashkë me të ëmën, Jozefi përfaqëson gjithë ata që përballen me ndodhi përmbi fuqitë e tyre, dhe i përballojnë me prirje pozitive. Bariu në majën e djathtë të skenës, me gjestin e tij shpreh çudinë edhe gëzimin për lajmin e lindjes, dhe përfaqëson pjesën e njerëzve që dëgjuan dhe besuan menjëherë lajmin e shpëtimit përmes lindjes së Foshnjës. Ndryshe nga bariu që përfaqëson njerëzit e thjeshtë, magët përfaqësojnë njerëzit e ditur dhe të lexuar, të cilën kërkojnë të vërtetën, njohuria e të cilëve nuk i pengoi t’i falen Fjalës së mishëruar. Qysh prej periudhës parakristiane përmenden njerëz që kanë frikë nga Zoti dhe bëjnë drejtësi mes radhëve të paganëve. Peizazhi është modest dhe pa teprime, si dhe pa dëborë, ndryshe nga ç’e përfytyron mendimi i Evropës së veriut. Bimët dhe prania e barinjve në peizazh, e përmendur në Ungjijtë (“në atë vend gjendeshin disa barinj që kalonin natën nëpër araduke ruajtur tufën e tyre” Lluk. 2:8), tregojnë se Krishtlindjet nuk ndodhën në stinë dimri. Dihet se Kisha zëvendësoi festën pagane të Diellit, më 25 dhjetor, me Krishtlindjet, për të kremtuar “Diellin e drejtësisë” (Mal. 4:2: “Por për ju që keni frikë nga emri im, do të lindë dielli i drejtësisë”).
Arti që u zhvillua jashtë hapësirës ortodokse formoi tipare të ndryshme ikonografike, edhe pse fillesat qenë të njëjta. Në Lindjen e Giottos, në kapelën Scrovegni në Padova (1303-1305), [Fig. 2] shpella është tashmë përshtatur si stallë, ndonëse elementë të tjerë ikonografikë mbeten virtualisht të pandryshuar (pozicioni i Jozefit, engjëjt, barinjtë), edhe pse të pozicionuar ndryshe nga skena jonë. Nga shek. XV ikonografia tradicionale në Perëndim është zhdukur. Humanizimi i figurave të shenjta dhe transformimi i tyre në “familjen e shenjtë” e largon temën nga kuadri teologjik të saj. Peizazhi bëhet idilik, fshataresk ose mesjetar, me kështjella, harqe, kube, etj. Shën Maria merr formën e princeshës së re dhe të bukur, kurse Jezui paraqitet si një foshnje e majme dhe piktoreske që luan me duart të tij. Shpesh piktori izolon episode të shkëputura nga skena e Lindjes, si Adhurimi i Magëve prej Gentile de Fabriano (1423) [Fig. 3], ku tema bëhet shkas për një demonstrim të aristokracisë së kohës. Me vepra të tilla, ikonografia perëndimore iu largua rreptësisë dhe karakterit shpirtëror të temës si përfaqësi e një komuniteti, dhe hyn në hapësirën e interpretimit personal të temës, here-herë edhe jo pa arbitraritet. Megjithatë, elementi i mrekullisë mbetet i pandryshuar, edhe pse laicizmi gradual i temës çon Sandro Boticcellin deri në portretizimin e Lindjes si një eveniment pagan (1500-1501) [Fig. 4], ndërsa më 1485 Domenico Girlandaio në Faljen e Barinjve arriti të pikturonte Krishtin e zhveshur para një sarkofagu [Fig. 5]. Në artin pothuajse tërësisht laicist në Perëndim, me jehonë në artin e shek. XVIII-XX në Ballkan, u humb karakteri liturgjik dhe apokaliptik i temës.
Shfaqja e qenieve të gjalla në formë portreti konsiderohet si tabu nga një pjesë të botës islame, e cila beson se besimi Islam e pengon. Për më tepër, pjesa dërmuese e Myslimanëve konsiderojnë tabu portretizimin e profetit Muhamed, edhe pse ka mjaft ilustrime të jetës së profetit në dorëshkrime, që nga Mongolët e gjerë tek Osmanët. Kur Mongolët pushtuan territorin e tyre, gjetën forma artistike të praktikuara në manastire budiste dhe manikaiste në Turkestan, ku paraqiteshin skena nga jeta e Budës dhe Manit (profetit dhe themelues i manikaizmit). Vetë nusja e Hulagut, khanit të Mongolëve, ishte e krishterë nestoriane. Prandaj nuk është për t’u çuditur pse tek këto paraqitje të rralla të jetës së profetit Muhamed u morën si bazë vepra të artit të krishterë. Si shembull mund të shërbejë një paraqitje e rrallë e Lindjes së profetit Muhamet [Fig. 6], ilustrim në pergamenë nga libri Jami’ al-Tawarikh (d.m.th. “Përpilim kronikash,” i referuar edhe si Historia e Botës), shkruar prej Rashid al-Din, dhe i publikuar në Tabriz, Persi, më 1307-1315, i cili ruhet sot në Bibliotekën Universitare të Edinburgut, Skoci. Megjithatë, ky art nuk është fetar, sepse nuk kishte qëllim të shërbente si ikonë, por një ilustrim i thjeshtë i ngjarjeve të kohës së profetit.
I përballur me mungesën e modeleve ikonografike për tema të tilla në artin islamik, artisti që punoi Lindjen e Muhamedit u drejtua tek arti i krishterë. Mbase edhe vetë porositësi, Ilkhani, ishte i njohur me artin e krishterë. Hapësira ndahet në tri pjesë nga dy kolona me arkadë iraniane. Në pjesën qendrore-majtas paraqitet profeti në pelena, i mbajtur prej një engjëlli, teksa një i dytë e vështron dhe mban me dorën e majtë temjanicë. Një shërbëtore përgjunjet para profetit, duke mbajtur një enë, episod i ngjashëm me larjen e Krishtit, që paraqitet në skena të Lindjes (por jo në Valësh). Nëna e profetit Muhamed, Aminah bint Wahb, paraqitet e shtrirë në disa mbulesa, pas lindjes, duke treguar foshnjën me dorën e djathtë. Sipër saj një shërbëtore përkulet me drejtim nga ajo, me një enë në dorë, për t’i dhënë të pijë, teksa tre shërbëtore të tjera qëndrojnë më këmbë sipër kokës së saj, duke mbajtur enë shërbyese. Tri gratë në pjesën e majtë zëvendësojnë magët, ndërsa e katërta para tyre kujton bariun e skenës së Krishtit. Gjyshi i profetit, në pjesën e djathtë të skenës, ‘Abd al-Muttalib, zëvendëson Jozefin.
Spiritualiteti mysliman, ashtu siç manifestohet në dorëshkrimin e mësipërm, u përafrua me botën e krishterë lindore, dhe jo me format artistike që u zhvilluan pas Rilindjes në Evropën romako-katolike dhe të Reformës. Nga njëra anë, këtu shohim një mendjehapësi të islamit, të cilin islami radikal sot e ka humbur. Nga ana tjetër, duket haptas se boshti ideologjik i islamit, si edhe i krishterimit lindor, mbeti përkorja dhe thjeshtësia, si kundërvënie ndaj sekularizimit të religjiozes. Çfarë vëmë re se ndodh sot mes shqiptarëve, myslimanë e të krishterë, pa përjashtuar të krishterët katolikë, është një largim nga boshti spiritual, që dëshmohet se dikur e kanë pasur. Në kohë krizash, globale dhe lokale, si këto të sotshmet, thirrja e Krishtlindjeve për rilidhje (jo domosdo për rilindje) me spiritualitetin e komunitetit, bëhet edhe më urgjente.
(*University of New York Tirana
**Arkivi Qendror i Shtetit)
——————————————-
•    Fig. 1: Onufri, Lindja e Krishtit, 1554, afresk, fundi lindor i murit jugor, Kisha e Shën e Premtes në Valësh, Shpat, Elbasan
•    Fig. 2: Giotto di Bondone, Lindja e Krishtit, 1303-5, afresk, Kapela Scrovegni, Padova
•    Fig. 3: Gentile de Fabriano, Adhurimi i Magëve (Strozzi Altarpiece), 1423, tempera mbi dru, Galleria degli Uffizi, Firenze
•    Fig. 4: Sandro Boticcelli, Lindja e Krishtit, 1500-1, tempera dhe vaj mbi kanavacë, Galeria Kombëtare, Londër
•    Fig. 5: Domenico Ghirlandaio, Falja e Barinjve, 1485, tempera dhe vaj mbi dru, Santa Trinità, Firenze
•    Fig. 6: Rashid al-Din, Lindja e Muhamedit, tempera në pergamenë, nga libri Jami’ al-Tawarikh, Tabriz, Persi, 1307. Ruhet në Bibliotekën Universitare të Edinburgut, Skoci

QKEV: Infermierët të verifikojnë të dhënat në regjistrin e certifikimit

Posted: 30 Dec 2016 08:29 AM PST

Ola Mitre

Të gjithë infermierët e punësuar në sektorin publik dhe privat duhet të verifikojnë regjist-rimin e tyre pranë Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim, përmes listave të publikuara në faqen zyrtare të këtij institucioni. Këta profesionistë të shëndetësisë kanë detyrimin ligjor për t’i kontrolluar listat, në mënyrë që të mos ketë probleme për sa i përket raportimit dhe njohjes së krediteve. Sipas QKEV-së ky proces duhet të kryhet brenda datës 15 janar 2017, ndërkohë që profesionistët, të cilët nuk figurojnë të regjistruar duhet të plotësojnë formularin e regjistrimit, që gjendet në website e QKEV-së. Sa i takon atyre infermierëve, të cilët konstatojnë pasaktësi në regjistrim, duhet të kontaktojnë me Qendrën e Edukimit në Vazhdim përmes adresës qkev@ shendetesia.gov.al ose në adresën e “Facebook”, në mënyrë që të bëjnë korrektimet përkatëse.
Detyrimet
Në regjistrin Kombëtar të Certifikimit gjendet: emri, mbiemri, atësia, rrethi, qyteti dhe institucioni ku ushtrohet profesioni. Profesioni i infermierit u bë pjesë e edukimit në vazhdim dhe detyrimit për të mbledhur kredite nga data 1 janar 2016, ndaj dhe pasaktësitë në regjistër mund të jenë më të mëdha. Ndërkaq, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave ky cikël i edukimit në vazhdim do të zgjasë 4 vjet dhe brenda tij mjekët duhet të mbledhin një numër jo më të vogël se 120 kredite, stomatologët, farmacistët e ndihmës farmacistët 60 kredite, ndërsa infermierët e mamitë 40 kredite. Në rast se këta profesionistë nuk arrijnë të grumbullojnë numrin e kërkuar, atëherë në fund të 4-vjeçarit do të përballen edhe me sanksionet e parashikuara në ligj. Sipas tyre, punësimi ose kontratat në institucionet shëndetësore pezullohen, nëse profesionisti i shëndetësisë nuk merr asnjë kredit të edukimit të vazhdueshëm. Rifitimi i së drejtës për punësim ose kontrata me institucionet shëndetësore bëhet pasi profesionisti t’i jetë nënshtruar provimit të certifikimit. Sipas të njëjtit ligj, nëse profesionisti i shëndetësisë mbledh kredite të edukimit të vazhdueshëm, por më pak se limiti i kërkuar, ai duhet t’i nënshtrohet provimit të certifikimit brenda gjashtë muajve nga data e njoftimit. Ndërkohë që, nëse dështon në provim, punësimi ose kontratat në institucionet shëndetësore pezullohen dhe rifitimi i së drejtës për punësim ose kontrata me institucionet shëndetësore bëhet pasi profesionisti të ketë kaluar me sukses provimin e certifikimit. Për mjekët, farmacistët dhe stomatologët cikli 4-vjeçar përfundon në 31 dhjetor 2018, ndërsa për infermierët e mamitë në 31 dhjetor 2019.

Basha: Fitore për të gjithë shqiptarët

Posted: 30 Dec 2016 08:29 AM PST

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e quajti një fitore për të gjithë shqiptarët heqjen e mandateve të 2 deputetëve Shkëlqim Selami, Dashamir Tahiri dhe kreut të Bashkisë Kavajë, Elvis Rroshi pas vendimit të KQZ-së. Sipas kreut të opozitës, ndarja e politikës me krimin sapo ka filluar dhe se beteja është e vështirë, pasi krimi ka mbështetje qeveritare. Në një status në faqen e tij në "Facebook", Basha tha se askush nuk do t'i ndajë nga kjo rrugë që largon të keqen nga Shqipëria. "Ndarja e politikës me krimin sapo ka filluar. Për të gjithë shqiptarët e ndershëm kjo është një fitore e shumëpritur. Beteja është e gjatë dhe e vështirë, sepse krimi ka mbrojtje dhe mbështetje qeveritare. Por asgjë nuk do të na ndalë nga kjo rrugë që na ndan me të keqen dhe që do të ndryshojë Shqipërinë duke ndryshuar nga rrënjët politikën", shkruan z. Basha.

Related Posts :