Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Çfarë na sjellin Babadimri, Trumpi, Putini…” plus 2 more Telegrafi Opinione

loading...

“Çfarë na sjellin Babadimri, Trumpi, Putini…” plus 2 more Telegrafi Opinione


Çfarë na sjellin Babadimri, Trumpi, Putini…

Posted: 10 Jan 2017 07:48 AM PST

Dhuratat kolektive të Babadimrit, për Ballkanin, ende nuk janë hapur. Pra, aty mbretëron po aq mister sa edhe lidhur me "dhuratat" që do i sjell presidenti i ri i SHBA-ve, apo ato që do i sjell presidenti rus Putin për popujt e Ballkanit. Ka shumë fjalë, premtime, shpresa dhe shqetësime. Ka fjalë se ndoshta që të tre të famshmit, së bashku, mund të ndajnë dhuratat e tyre, por kjo mbetet për t'u parë se a është opsion real apo veç një "koalicion joparimorë", i dëshiruar nga dikush në Ballkan. Babadimri gjithsesi është më i parashikueshëm, edhe pse dhuratat e dy të famshmëve të tjerë edhe mund të shpërndahen me karrocën dhe drerët e tij.

Viti 2016 na la gjithsesi shumë kujtime, të cilat në planin personal për shumëkënd mund të kenë qenë edhe të mira, por në politikë ishin një dëshpërim kolektiv. Edhe gëzimet që i patëm, dhe të cilat politika vrapoi për të i përvetësuar, si suksese të vetat, na i sollën kryesisht sporti, kultura apo kushdo tjetër përpos politikës. Dëshpërimi ishte pra kolektiv, veçanërisht në Kosovën e izoluar, sikur të ishte me kolerë. Korrupsioni dhe krimi janë rritur aq sa më ne nuk i vërejmë nga afërsia, ndërkohë që për botën janë bërë tepër të dukshme. Prandaj edhe na kanë izoluar.

Dëshpërimi më i madh ishte artikuluar sikur një pikëllim kolektiv për vizat, por gjithsesi nuk mund të thuhet se ishte më mirë edhe në fushat e tjera ku e keqja filloi të trashet. Dëshpërimi ishte edhe me arsye të brendshme, natyrisht, sidomos për shkak të pafuqisë qytetare për të ndikuar sadopak që të ndërrohet cikli i mbyllur i krijimit artificial të krizave dhe i plaçkitjes së organizuar të pronës publike dhe të qytetarëve. Ata janë rritur dhe fuqizuar aq tepër sa nuk mund të ndikohej jo vetëm as nga ndërkombëtarë. Edhe ndërkombëtarët, u treguan krejtësisht të pafuqishëm, sado që presioni i tyre ishte jashtëzakonisht i madh mbi kreun institucional dhe atë të partive politike. Loja e përçarjes së deputetëve ishte aq perfekte, dhe ndihma nga jashtë në këtë drejtim ishte aq e sofistikuar, sa i amortizoi të gjitha këto ndërhyrje. Ata u fshehën pas përçarjeve, pas opozite, pas kombit… kudo!

U krijuan probleme të paqena dhe u heshtën problemet e vërteta, të cilat po e fundosin jo vetë demokracinë, por edhe shtetin e krijuar me mund dhe sakrifica të mëdha. Asnjëherë deri më sot, askush nuk ka arritur që të i bëjë qytetarët dhe grupet të punojnë kundër vetvetes dhe të jenë të bindur se po e bëjnë më të mirën. Kulmi i kësaj ishte viti 2016.

Qytetarët, të ndarë suksesshëm në taborë armiqësorë, me shoqëri civile të instrumentalizuar, dhe individë të cilët flasin (ja fusin) kot, sepse nuk i dëgjon kush nga zhurma publike që krijon folk-politika, rrinë, vegjetojnë dhe janë krejtësisht të rehat me veten edhe me shtetin.

Por, të kthehemi te tema jonë e sotme. Serbët pra u gëzuan për fitoren e Trumpit, sidomos klasa politike, ndërkohë që në politikën tonë, për ndonjë arsye të panjohur mbretëroi pak a shumë atmosferë mortore. I famshmi dhe i pamëshirshmi Sheshel, i cili sikurse edhe disa politikan tonë doli i pafajshëm nga gjykata (a)politike e Hagës, madje këndoi edhe këngë "dhjetëshe" për fitoren e Trumpit, ndërkohë që politika jonë e rritur dhe shkolluar në gjirin e ngrohtë të demokratëve, ku me gjasë i mësoi edhe shumicën "e prirjeve" të cilat i tregoi që nga çlirimi e këndej për ndonjë arsye tash për tash të paqartë, mbeti gati krejtësisht e heshtur.

Me një fjalë, politika jonë mbeti pa fjalë, nëse me dashje e harrojmë atë prognozën dhe deklaratën e famshme dhe gjithsesi të pafat të kryeministrit Edi Rama, lidhur me zgjedhjet më të rëndësishme globale, kur prognozoi se marrëdhëniet me SHBA-të mund të rrezikoheshin nëse do të fitonte ai që tashmë ka fituar! Ai që tashmë ka fituar edhe përkundër të gjitha përpjekjeve për të komprometuar fitoren e tij, përmes ndërhyrjes së carit modern rus me emrin Putin, prapëseprapë do të japë betimin me 20 janar dhe me vetëm këtë fakt vlerësohet se do të bëjë ndryshimin i cili shumëkënd në Ballkan e gëzon apo shqetëson me vet shpresën apo frikën se balanci i krijuar këto 20 vitet e fundit do të ndryshojë dhe kastat e krijuara do të rrënohen përpara pakënaqësisë qytetare po aq sa para vrullit të politikës së re amerikane, e rrjedhimisht edhe euro-atlantike në Ballkan.

Pra, kryeministri Rama foli ndërkohë që të tjerët me "urti" heshtën, edhe pse treguan preferenca të qarta për lagjen (politike-ekonomike) Clinton. Ftesat drejtuar Ramës nga z.Putin më nuk po hasin në vesh të shurdhër, as edhe rreshtimi i z.Thaçi pas presidentit turk z.Erdogan nuk u arsyetua fare, çka nga shumëkush u kuptua si shenja e parë e rebelimit të kryetarit të Kosovës ndaj politikës amerikane.

Ndoshta edhe arrestimi i Ramushit, në Paris, ishte mesazh, sidomos pasi ai me sukses kishte arritur "të blejë" ftesën për inaugurimin e presidentit Trump, çka me gjasë presidenti dhe të tjerët ende nuk kanë arritur ë e bëjnë. Ndoshta për shkak të "çmimit" të lartë?

Sido që të jetë, tash pritet vetëm të hapet thesi i babadimrit, dhe të shihet se çfarë na ka sjellë për këtë vit, si popull, si qytetarë, dhe si ushtarë të rreshtuar prapa klaneve, partive, grupeve të interesit, apo kujtdo që nuk është vetëm në këtë acar siberian që e ka kapluar rajonin. Në këtë ftohtë, vetëm ëndërrimtarët dhe idealistët mund të durojnë pa u futur në rresht.

Hapja e "dhuratave" të para ndoshta pak a shumë e sqarojnë se prej nga ky aktivizim i Serbisë zyrtare rreth Kosovës, përse ky rikthim i deklaratave luftënxitëse dhe përse kjo situatë ku kryeministri serb direkt ndërhyn, fton në "raport" deputet dhe ministra të republikës së Kosovës, kur ai paralajmëron të festojë në Kosovë bashkë me "qytetarët e tij", ndërkohë që kryetari serb anulon vizitën në Kosovë për të njëjtën festë.

Ndërkohë edhe kryeministri Rama të njëjtën gjë e bën edhe me partitë politike shqiptare në Maqedoni. Kur e rikujtojmë faktin e takimit të famshëm të qeverive shqiptare dhe serbe në samitin e Nishit, disa marrëveshjeve ende të pahapura krejtësisht për publikun, krejt kjo merr një formë të re, sidomos nën dritën e reflektorëve që do të ndezën në Washington me rastin e inaugurimit të presidentit të ri të SHBA.

Mbetet të shihet kush do të shkoi, në Uashington, e kush në Moskë sivjet? Kush tjetër do të arrij "të blejë" ftesën për inaugurimin, me 2o janar, mbetet të shihet? Sigurisht, nuk është vetëm çështje xhepi !

The post Çfarë na sjellin Babadimri, Trumpi, Putini… appeared first on Telegrafi.

Goditeni Serbinë duke plotësuar ligjin e Gjykatës Speciale

Posted: 10 Jan 2017 07:46 AM PST

Në Hagë, në Gjykatën Speciale për Kosovën, duhet kërkuar ndëshkimin e kriminelëve të Serbisë për vrasjen e 13,000 shqiptarëve dhe ky ndëshkim mund të niset që me plotësimin e ligjit të kësaj gjykate selektive që e formuan PDK dhe LDK – bashkë me deputetët e pakicave, pas presioneve të perëndimit.

Arrestimi i Ramush Haradinajt në Francë me kërkesë të Serbisë ka shpalosur një kënd tjetër të qyqarllëkut madhor të Qeverisë dhe krerëve të partive parlamentare shqiptare, si dhe të krejt deputetëve të tyre në parlamentin e Kosovës.

Jo vetëm qyqarllëk, por edhe injorancë totale të kësaj klase politike për të bërë diçka konkrete ndaj Serbisë në vend të krekosjeve dhe ankesave të përditshme nëpër media dhe FB të tyre prej fëmijësh.

Së shpejti, ish-anëtarë të UÇK-së pritet që të dërgohen në Hagë nën akuzat për krime lufte.

Ndoshta jo ish-krerët më të mëdhenj të UÇK-së por, për shkak të rrethanave politike brenda Kosovës dhe atyre rajonale, disa të rangut më të vogël.

Këtyre ditëve ka edhe ftesa nëpër media të disa deputetëve se Kosova duhet të bëjë aktakuza ndaj kriminelëve të Serbisë. Këta që i bëjnë këto kërkesa folklorike harrojnë ose nuk e dinë se p.sh. për masakrën e Krushës së Madhe, gjenerali Serb Momir Stojanoviç dhe 16 të tjerë janë akuzuar nga Gjykata e Gjakovës (Prokuroria vendore në bashkëpunim me EULEX-in).

Për këta kriminelë UNMIK-u, në emër të Kosovës, ka dërguar kërkesë arresti ndërkombëtar dhe fytyrat e tyre janë publike në faqen e internetit të Interpolit që 23 muaj, pra afër dy vite.

Serbia nuk po i dërgon këtë njerëz të saj në Kosovë për gjykim dhe nuk do t'i dërgojë kurrë.

Prandaj, folklorizmi është i kot. Prandaj, puna e gjykatave të Kosovës dhe puna e EULEX-it me këto aktakuza po shkon kot. Nuk po themi se këto aktakuza nuk duhet të bëhen, ato duhet të bëhen edhe nga gjykatat tona. Por, ajo çka duhet bërë në rend të parë dhe gjithsesi dhe që mund të ketë rezultat konkret është që këta kriminelë të dërgohen në Gjykatën Speciale për Kosovën në Hagë.

Kjo gjykatë është selektive. Drejtësia selektive nuk është drejtësi aspak.

Prandaj, Parlamenti i Kosovës duhet që të plotësojë ligjin për këtë gjykatë. Krerët e partive shqiptare në pushtet (Isa Mustafa dhe Kadri Veseli) e kanë rastin që të testojnë pretendimet e tyre se gjenden në këto pozita për të mirën e qytetarëve të Kosovës.

Por, ata po heshtin ndaj kërkesave tashmë dymuajshe të shoqatës 'Familja dhe Shpresa'. Tre dërgesa publike në adresa të tyre elektronike janë dërguar deri më tash. Jo vetëm tyre por edhe stafit të tyre dhe deputetëve të Kosovës.

Të gjithë po heshtin, përpos Pal Lekajt të AAK-së i cili në një përgjigje elektronike përsëriti qëndrimin e partisë së Ramush Haradinajt (apo të tij personal) se AAK është kundër kësaj gjykate.

Por, ky qëndrim tashmë është i pavend. Gjykata Speciale tashmë është krijuar, ajo ekziston. Nuk ka gjykatë tjetër e cila mund të gjykojë qindra kriminelë serbë të cilët gjenden të lirë nëpër Serbi nën mburojën e qeverisë së Aleksandar Vuçiçit (kryeministrit të Serbisë).

Partitë opozitare shqiptare duhet që të ndryshojnë qëndrimet e tyre të ngurta ndaj kësaj gjykate.

Të gjitha partitë shqiptare në parlament : PDK, LDK, VV, AAK dhe NISMA duhet të kenë dëshirën dhe guximin që të plotësojnë këtë ligj të mbrapshtë.

Askush nuk mund të fajësohet më shumë se këto pesë parti dhe krerët e tyre pse ky ligj është kaq gjysmak.

Lëreni FB-folklorizmin dhe FB-patriotizmin. Plotësojeni këtë ligj dhe mos u trembni nga presionet e perëndimorëve. Parlamenti është i Kosovës, pra i yni. Ligji për këtë gjykatë u miratua nga Parlamenti i ynë i Kosovës. Parlamenti mund dhe duhet ta plotësojë këtë ligj.

Le të mbetet në ndërgjegjen e perëndimorëve pastaj, nëse Serbia do të refuzojë që të bashkëpunojë me këtë gjykatë e të mos i dërgojë kriminelët e saj atje. Në këso rrethana pse atëherë të dyshuarit e UÇK-së do të duhej dërguar në Hagë ?

Në këto rrethana as vazhdimi i dialogut të ndërmjetësuar nga BE nuk ka më asnjë arsyetim as moral e as politik.

Fati i kriminelëve serbë është në duart tuaja Isa, Kadri, Visar, Ramush e Fatmir. Mos u fshihni. Mos heshtni, por bëhuni trima dhe niseni kundërsulmin ndaj Serbisë përmes ligjit i cili është në duart tuaja dhe askujt tjetër.

The post Goditeni Serbinë duke plotësuar ligjin e Gjykatës Speciale appeared first on Telegrafi.

Vetëm një qeveri gjithëpërfshirës mund të realizojë ndryshimet kushtetuese në Maqedoni

Posted: 10 Jan 2017 07:44 AM PST

Deklarata e përbashkët e Bashkimi Demokratik për Integrim, « Koalicioni Rilindje me Besë dhe Aleanca për Shqiptarët e datës 7 janar 2017, ishte ngjarja më e rëndësishme pozitive e këtij viti për shqiptarët në Maqedoni. Përmbajtja e kësaj deklarate u përshëndet me entuziazëm nga bartësit e institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe nga personalitete me peshë politike dhe kulturore mbarëshqiptare.

Përcaktimi i një strategjie të përbashkët për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet, që deri tani ka aplikuar diskriminimin racial kundër shqiptarëve, ishte lajmi më shpresëdhënës për popullin më të shtypur dhe më të diskriminuar të Evropës.

Por, nuk shkuan as dy ditë të plota dhe mesazhe që bien ndesh me frymën e kësaj deklarate vërshuan mediet në Maqedoni. Një numër funksionarësh me peshë në partitë nënshkruese të deklaratës së partive politike shqiptare në Maqedoni, u deklaruan haptazi se nuk do të bëjnë koalicion qeveritar me këtë apo atë parti politike. Duke dashur të shmang polemikat me cilindo qoftë rreth kësaj çështje, nuk po ua përmend emrin askujt. Kërkohet maturi nga secili në këtë situatë, sidomos tani kur lindën shkëndijat e shpresës se mund të dilet me qëndrime të përbashkëta.

Realizimi i objektivave të përcaktuara në strategjinë e përbashkët që nënshkruan tri partitë politike nuk mund të bëhet përmes ligjeve të veçanta, të cilat mund të jenë rezultat i kompromiseve për krijimin e qeverisë. Përvoja me ligjin e përdorimit të flamujve që u abrogua si antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, duhet të shërbejë si vërejtje permanente se vetëm me ndryshimin e Kushtetutës mund të garantohen të drejtat e shqiptarëve.

Ndryshimet e Kushtetutës nuk mund të bëhen vetëm me njërën parti politike të palës maqedonase. Raporti aktual i forcave në Kuvendin e Maqedonisë imponon edhe konsensusin e dy partive politike maqedonase. Vetëm një koalicion qeveritar gjithëpërfshirës i partive politike që kanë marrë mandate për të përfaqësuar, popullin mund të garantojë votat e domosdoshme për ndryshimet kushtetuese lidhur me emrin e shtetit, gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, flamurin, himnin, stemën dhe shumë çështje tjera që janë përfshirë në përcaktimet strategjike që u bënë publike përmes deklaratës së 7 janarit 2017.

Prandaj, realizimi i objektivave të përfshira në deklaratën e lartpërmendur kërkon që të lihen anash qëndrimet që kemi pasur për këtë apo atë parti politike maqedonase dhe të tregohemi më diplomat në qasjen tonë. Ndryshimet kushtetuese janë edhe në interes të palës maqedonase prandaj u takon partive politike që kanë marrë mandat nga maqedonasit që të gjejnë një gjuhë të përbashkët për realizimin e çështjeve që janë parësore në këtë kontekst historik. Fundi i fundit, realizimi i qëllimeve që u shtruar në deklaratën e përbashkët duhet të peshojë më shumë se mendimet që kemi për cilëndo parti politike të veçantë.

The post Vetëm një qeveri gjithëpërfshirës mund të realizojë ndryshimet kushtetuese në Maqedoni appeared first on Telegrafi.

Related Posts :