Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Demokratët kundër Trump, emëroi dhëndrin këshilltar në Shtëpinë e Bardhë” plus 9 more Gazeta SHQIP

loading...

“Demokratët kundër Trump, emëroi dhëndrin këshilltar në Shtëpinë e Bardhë” plus 9 more Gazeta SHQIP


Demokratët kundër Trump, emëroi dhëndrin këshilltar në Shtëpinë e Bardhë

Posted: 10 Jan 2017 02:25 AM PST

Demokratët kanë kundërshtuar veprimin e ndërmarrë nga presidenti i zgjedhur Donald Trump për të emëruar dhëndrin e tij si këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, duke e cilësuat këtë një emërim nepotik në konflikt të hapur interesi.

Një grup demokratësh amerikanë kanë kërkuar nga Departamenti i Drejtësisë dhe Zyra e Etikës në Qeveri që të shqyrtojnë nga pikëpamja ligjore emërimin e Jared Kushner, 36 vjeç, bashkëshorti i vajzës së Donald Trump në postin e këshilltarit të lartë në Shtëpinë e Bardhë.

Bashkëshorti 36-vjeçar i vajzës së miliarderit Ivanka, luajti një rol kyç gjatë fushatës presidenciale dhe detyra e tij e re do të mbulojë politikën e brendshme e të jashtme.

Kushner është një ndërtues me gamë të gjerë interesash biznesi dhe emërimi i tij pritet të ndeshet me kundërshti të forta për shkak të shqetësimeve për nepotizëm dhe konflikte interesi.

10 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Kompanitë Call Center gati skenarin rezervë, hapin filiale në Rumani

Posted: 10 Jan 2017 01:49 AM PST

Fundi i vitit 2016 nuk ishte aspak i mirë për një nga shërbimet që punëson më shumë të rinj në Shqipëri e që është ai i call center. Në fillim të muajit dhjetor 2016, Senati italian miratoi ligjin për Buxhetin 2017, ku në të ishin integruar edhe disa mendime në ligjin për funksionimin e këtij shërbimi, delokalizimi i cili vendosi rregulla të tjera loje e që më së shumti, do të rëndojnë mbi bizneset që veprojnë në Shqipëri, si një vend jo anëtar i BE-së.

Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë, thotë se për bizneset e këtyre shërbimeve, 2017-a do të jetë një vit i vështirë. "Ligji i delokalizimit pritet të hyjë në fuqi në muajin mars, kjo do të jetë një periudhë që do të shërbejë për t'u qartësuar dhe për t'u njohur me legjislacionin e miratuar", thotë znj. Muçostepa. Sipas saj, për shkak të masave shtrënguese nuk parashikohet që të ketë hyrje kompanish të reja në tregun shqiptar.

"Ato ekzistuese, më së shumti të mëdhatë, që janë në Shqipëri, janë duke hapur qendra në Rumani, ku fuqia punëtore është më e lirë në krahasim me shtetet e tjera të komunitetit europian dhe gjuha italiane është e njohur", thotë kryetarja e Unionit.

Sipas saj, kjo manovër do të shërbejë si një 'valvul'.

"Më i vështirë për këtë sektor pritet të jetë tremujori i dytë i vitit, kur do të duhet të fitohet stabiliteti, e më pas pjesa tjetër e vitit do të jetë disi më e qetë", thotë znj. Muçostepa.

Sipas saj, hapja e negociatave me Bashkimin Europian do të ishte një ndihmë për këtë sektor, pasi Shqipëria do të konsiderohej një vend që po synon të jetë më afër BE-së dhe si rrjedhim mund të ketë lehtësi. Megjithatë, tremujori i parë i 2017-s mbetet kritik për këtë sektor që sot punëson rreth 25,000 persona dhe kryesisht të rinj. Në anën tjetër, sfidë për këto kompani do të jetë diversifikimi i biznesit dhe çuarja e tij në një nivel tjetër, më inovativ.

Sipas ligjit të ri, subjektet italiane, që vendosin të delokalizojnë aktivitetin e call center në vendet jashtë BE-së, duhet të dërgojnë një njoftim, brenda 30 ditëve, në Ministrinë e Punës Italiane dhe Inspektoratin Kombëtar të Punës lidhur me numrin e punëtorëve të përfshirë, si dhe pranë Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Mungesa ose refuzimi i këtij komunikimi do të sjellë aplikimin e një sanksioni administrativ prej 150,000 eurosh. Përveç kësaj, parashikohet se kompanitë call center, që kanë vendosur të delokalizojnë në një vend jashtë BE-së, të mos kenë më asnjë ndihmë ekonomike.

Për sa u përket kompanive që aktualisht punojnë në Shqipëri, propozimi ligjor sjell detyrimin që ato duhet të deklarojnë transferimin dhe numrin e punëtorëve të përfshirë pranë institucioneve të cituara më sipër brenda një afati 60-ditor nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në rast vonese apo refuzimi do të aplikohet një sanksion administrativ prej 10,000 eurosh për çdo ditë vonese.

Normativa e re parashikon të drejtën e subjektit, që kontakton me një call center që gjendet jashtë BE-së, të informohet paraprakisht mbi vendndodhjen fizike të operatorit që përgjigjet. Në këtë rast, subjektit i njihet mundësia që këtë shërbim ta marrë nga operatori telefonik që gjendet jashtë BE-së ose të kërkojë që ky shërbim t'i ofrohet nga një operator me vendndodhje në territorin e Bashkimit Europian. Mosrespektimi i këtij kushti procedural parashikon sanksione administrative në vlerën 50,000 euro në ditë.

Ministria italiane fillon gjobat

Media italiane raportoi pak ditë më parë se Ministria e Zhvillimit Ekonomik italian ka dhënë tashmë sanksionet e para. Janë 17 kompani të gjobitura (mes tyre kompani ajrore dhe banka) dhe të tjera. Pse? Sepse ato përgjigjeshin nga jashtë pa i komunikuar as dëgjuesit dhe as ministrisë që po u ofronin shërbimet e tyre nga një vend joeuropian. "Qeveria, – thotë zëvendësministrja për Zhvillim, Teresa Bellanova – ka bërë kontrolle efektive mbi kompanitë që zhvendosen. Departamentet përkatëse kanë dërguar tashmë paralajmërimet dhe kanë vendosur sanksionet e para tek call center të vendosura në vendet jo të BE-së

10 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)/TCH

Kosovë, Kuvendi seancë të jashtëzakonshme për Haradinajn

Posted: 10 Jan 2017 01:41 AM PST

Kuvendi i Kosovës nis të martën, një seancë të jashtëzakonshme mbi ndalimin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, në Francë mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.

Seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga partia e zotit Haradinaj, pason një varg reagimesh të autoriteteve dhe zyrtarëve politikë në vend që e kanë cilësuar ndalimin e ish-kryeministrit si të "papranueshme dhe të pakuptueshme".

Seanca mbahet vetëm pak ditë përpara se një Gjykatë franceze, të shqyrtojë kërkesën e palës mbrojtëse të zotit Haradinaj për lirimin e tij, me paraqitjen e një numri provash, siç thonë avokatët e tij, që "e mundësojnë lirimin e menjëhershëm".

Ramush Haradinaj u ndalua në aeroportin e Bazelit të mërkurën e kaluar dhe autoritetet e drejtësisë franceze i shqiptuan masën e paraburgimit deri në, siç thuhet, "paraqitjen e kërkesës zyrtare për ekstradim nga autoritetet e Serbisë".

Ministria e Jashtme franceze tha se procedurat që po zhvillohen ndaj Ramush Haradinajt janë çështje ligjore, të nisura mbi bazën e kërkesës së Interpolit" dhe përjashtoi mundësinë që "veprimi ligjor ndaj Ramush Haradinajt ka dimensione politike".

Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të urdhër-arrestit të policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.

Në vitin 2012, u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte nga një Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte në Ish Jugosllavi. Rigjykimi në vitin 2012, u bë katër vjet pas një vendimi të së njëjtës Gjykatë e cila më 2008 e nxori të pafajshëm nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për shkelje të ligjeve të luftës.

Një ish prokuror i Gjykatës së Hagës për krime lufte, Geoffrey Nice i tha Radios Evropa e Lirë, se rasti Haradinaj "është më shumë politik" dhe vetëm përmes një "presioni ndërkombëtar mund të lirohet" që , siç tha, "të mos ndikohet paqja që ekziston ndërmjet Kosovës dhe Serbisë".

Sipas tij Serbia, në kërkesën e saj për ekstradim të Haradinajt, do të paraqesë "akuza thelbësisht të tjera nga ato me të cilat është përballur Haradinaj në Hagë" duke ia "vështirësuar kundërshtimin e tij që të përballet me një gjykim të ri".

Autoritetet e drejtësisë në Serbi thanë se do të paraqesin prova kundër Haradinajt për, siç thuhet, "krimet e kryera" ndërkohë që zyrtarë të lartë shtetërorë serbë thanë se "do të kërkojnë me këmbëngulësi ekstradimin e Haradinajt në Serbi".

Prishtina zyrtare ndërkaq e cilësoi arrestimin si "të motivuar politikisht dhe armiqësisht nga Beogradi dhe i kërkoi autoriteteve franceze lirimin e menjëhershëm të Haradinajt".

Në kundërpërgjigje ndaj arrestimit të Haradinajt, qeveria në Prishtinë i ndaloi hyrjen presidentit të Serbisë Tomisllav Nikoliç dhe gjithë personelit përcjellës, përfshirë edhe zyrtarë të qeverisë së Serbisë, në ditën e Krishtlindjeve Ortodokse.

Marrëdhëniet ndërmjet dy palëve u ftohën deri në një pikë më të ulët që prej fillimit të dialogut dhe arritjes së marrëveshjeve "për lehtësimin e jetës së qytetarëve" dhe "normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre".

Udhëheqësit e partisë së Haradinajt kërkuan nga qeveria e Kosovës që të ndalojë "dialogun me Serbinë deri në lirimin e tij", ndërkohë që edhe zyrtarët e qeverisë së Kosovës "thanë se një rishikim i dialogut dhe marrëdhënieve me Serbinë është i domosdoshëm" për faktin e "urdhër-arresteve ndaj qytetarëve të Kosovës".

Por zyrtarë të BE-së thanë se "po i ndjekin me kujdes zhvillimet rreth rastit Haradinaj" dhe ritheksuan qëndrimin për vazhdimin e "dialogut ndërmjet palëve".

"Edhe Kosova edhe Serbia janë përkushtuara për normalizimin e marrëdhënieve dhe përpjekjet e BE-së në këtë drejtim do të vazhdojnë", i tha Evropës së Lirë, Maja Kocijançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri.

Një numër protestash të qytetarëve shqiptarë janë zhvilluar, përveç në Kosovë, edh enë qendra të mëdha botërore përfshirë Londrën dhe New Yorkun në mbështetje të Haradinajt dhe me kërkesën e lirimit të tij të menjëhershëm.

Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës.

Ai u dorëzua vullnetarisht në Gjykatën e Hagës, pasi prokuroria e akuzoi atë dhe dy bashkëluftëtarët e tij Idriz Balaj e Lahi Brahimaj, për krime lufte.

Haradinaj ishte komandant i lartë i ish-UCK-së dhe pas luftës themelues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një parti parlamentare të cilën ai e udhëheq edhe sot.

10 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)/REL

Emergjencat Civile: Situata e motit dhe masat e marra. Temperaturat deri -19 gradë

Posted: 10 Jan 2017 01:31 AM PST

Moti i ftohtë me temperatura që shkojnë deri në -19 gradë ka vijuar edhe gjatë 24 orëve të fundit, duke krijuar probleme në qarkullimin në rrugë dhe jetën e përditshme të banorëve në zonat e thella malore.

Por reshje dëbore nuk ka pasur në pjesën më të madhe të vendin, ndërkohë që sot në mëngjes kanë nisur të bjerë një dëborë e lehtë në bashkitë Sarandë, Pukë dhe Dibër.

Në qarqet Kukës, Shkodër, Dibër, Lezhë, Korçë, Elbasan, Vlorë dhe Berat megjithëse nuk ka pasur reshje, për shkak të temperaturave të ulëta dhe erës së fortë, në disa akse rrugore ka pasur prezencë akulli.

Të gjithë akset rrugore kombëtare janë të qarkullueshme, disa pjesërisht me zinxhirë.
Firmat kontraktore vazhdojnë të punojnë me forcat dhe mjetet e tyre, duke pastruar borën dhe hedhur kripë e skorie në rrugë, sidomos në segmentet problematike.

Janë përballuar si duhet emergjencat shëndetësore duke ndërhyrë sipas rastit edhe nga ajri me helikopter për shtetas me probleme. Ka nisur shpërndarja e ndihmave në disa qarqe dhe do të vijojë edhe gjatë ditës së sotme nëpër zonat problematike.

Situata në akset rrugore në të gjithë vendin, mëngjesin e sotëm paraqitet si më poshtë:

QARKU KUKËS
Në qarkun e Kukësit të gjitha akset rrugore kombëtare janë të qarkullueshme pa zinxhirë:
Rruga e Kombit-Tuneli Thirrës, Krumë-Qafë Prushi-Kam, Bajram Curri-Fierzë, Bajram Curri-Qafë Luzhë, Bajram Curri-Qafë Morinë dhe Bajram Curri-Valbonë ndërkohë në rrugët rurale Kukës-Bushtricë, Kukës–Zapod, Dushaj-Lekbibaj, Qafë Shlak e Qafë Mali- Qafë Dardhë- Meliska- Fierzë, Grykë-Çaj, Kalisë, Surroj, Zapod, Topojan, Shishtavec dhe Malzi, bashkitë Has e Tropojë për të qarkulluar duhet të përdoren zinxhirët.
Aktualisht e bllokuar është njësia administrative Arrën.

QARKU SHKODËR
Në qarkun e Shkodrës akset Fushë Arrëz-Iballë; Shkodër-Theth; Shkodër – Shosh- Breg i Lumit, Qafë Bordoleci–Vemosh; Shllak-Temal,Qerret-Qelëz; Tamarë-Vermosh; Tamarë-Kozhnje dhe rruga për në njësinë Administrative Temal janë të bllokuara.
Akset rrugore Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak; Qafë Mali-Dardhë-Fierzë dhe Pukë -Fushë Arrzë-Qafë Mali janë të qarkullueshme me zinxhirë.

QARKU DIBËR
Në qarkun e Dibrës aksi i vetëm kombëtar është ai Lurë- Peshkopi ndërkohë akset e tjera Ura e Çerenecit-Steblevë, Skuraj-Burrel; Burrel-Qafë Bualli, Qafë Bualli-Peshkopi dhe Peshkopi-Kala e Dodës janë të qarkullueshme me zinxhirë.
Akset rurale të bllokuara janë Muhurr-Çidhen- Lurë dhe Burrel-Macukull ndërsa në akset Muhurr-Çidhen-Reç, Muhurr-Selishtë, Klos-Ziver, Klos-Kurçelaj, Klos-Gurrë e Sipërme dhe Klos-Burrel qarkullimi bëhet me zinxhirë.

QARKU LEZHË
Në qarkun e Lezhës Segmenti i Rrugës së Kombit Rrëshen-Sang-Tuneli i Thirrës është i qarkullueshëm me zinxhirë.
Gjithashtu edhe akset rurale Rrëshen-Kurbnesh-Lurë, Njësitë administrative Fan, Orosh dhe Selitë dhe Kaçinar janë të qarkullueshme me zinxhirë.

QARKU KORÇË
Në qarkun e Korccës të gjitha akset kombëtare janë të hapura por në akset Qafë Thanë–Pogradec- Qafë Plloçë- Korçë dhe Korçë- Qafë Qarri-Ersekë qarkullimi bëhet me zinxhirë.
Edhe në pikat turistike Korçë- Dardhë dhe Korçë-Voskopojë janë të qarkullueshme me zinxhirë.

QARKU ELBASAN
Në akset kombëtare Elbasan- Librazhd- Qafë Thanë; Labinot Fushë- Bizë- Martanesh dhe Librazhd-Steblevë qarkullimi kryhet me zinxhirë.
Qarkullimi për në Njësitë Administrative Hotolisht dhe Polis kryhet vetëm me zinxhirë.
Me zinxhirë qarkullohet edhe aksi Qafë Shapkë- Qarrishtë,.

QARKU VLORË
Për shkak të ngricave gjatë natës segmenti Orikum- Palasë, në Qafë Llogara dhe Qafë Muzinë si dhe Qafë Gjashtë qarkullohen me zinxhirë.

QARKU BERAT
Në arkun e Beratit Bashkia Poliçan në aksi rrugor Tomorr i Madh – Tomorr i Vogël qarkullimi kryhet me zinxhirë.

10 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Goditet grupi kriminal që grabiste karburantet me armë, 2 në pranga

Posted: 10 Jan 2017 01:25 AM PST

Policia e Durrësit ka goditur një grup kriminal që grabisnin karburante me maska dhe armë në Shijak.

Burime nga policia e qytetit bregdetar bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit  Klajdi Pupa dhe Florian Thana si dhe është shpallur në kërkim shtetasi me inicialet B.K., 20 vjeç.

Specialistët për Krimet në sajë të veprimeve hetimore kanë bërë të mundur dokumentimin e veprimtarisë kriminale, të kryer nga shtetasit e mësipërm, të cilët  në bashkëpunim me njëri- tjetrin, në periudha të ndryshme kohore kanë vjedhur nën kërcënimin e armëve pika karburanti në autostradën Tiranë-Durrës, tek "Mbikalimi i Fllakës", duke marrë shuma të ndryshme parash,  konkretisht:

1.Më datë 12.12.2016, rreth orës 02:50, shtetasit e mësipërm dyshohen se nën kërcënimin e armës  I kanë marrë xhiron ditore rojeve të një karburanti , në afërsi të mbiklaimit të Fllakës, rreth 150 000 – 200 000 lekë.

2.Më datë 09.01.2017, dyshohet se nën kërcënimin e armës dhe me maska  kanë vjedhur dy karburante në të dy krahët e autostradës dhe më pas janë larguar me nje mjet tip Golf.

Dy të arrestuarve u janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet tip Volswagen Golf 5 me të cilën autorët kryenin vjedhjet, një çantë krahu në të cilën mbanin armën dhe maskat dhe dy telefona celularë.

Gjatë deklarimit të dhënë para oficerëve të policisë, autorët kanë pranuar dhe shpjeguar mekanizmin e kryerjes së grabitjeve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale"Vjedhja me dhunë"e kryer në bashkëpunim.

10 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Kundërshtuan dhe goditën punonjësin e policisë, arrestohen tre presona

Posted: 10 Jan 2017 01:19 AM PST

Tre persona janë vënë në pranga me akuzën e kundërshtimit të punonjësit të policisë.

Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit Enea Kapo, Skerdi Hyka dhe B. Spahiu.

Këta persona nuk iu bindën urdhrit të policisë për kontroll, ndërkohë që njëri prej të arrestuarve ka goditur punonjësin e policisë.

"Arrestimi në flagrancë i këtyre shtetasve u bë pasi më datën 08.01.2017, rreth orës 23:30 në rrugën "Ali Shefqeti" në Shkozë nuk i janë bindur urdhrit për kontroll të punonjësve të policisë kriminale ku më pas kanë goditur njërin prej agjentëve të policisë kriminale gjatë kryerjes së detyrës, shtetasin F. T", sqaron policia.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale "Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik".

10 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

PËR ÇFARË FLET ARRESTIMI I RAMUSH HARADINAJT NË FRANCË

Posted: 10 Jan 2017 01:15 AM PST

Spartak NGJELA

Asnjëherë shqiptarët, që pas Ismail Qemalit, nuk janë drejtuar nga njerëz me personalitet. Kjo dhe kundërshtimi i fuqive të mëdha europiane Francë-Rusi, kanë qënë dhe fatkeqësia kryesore e rrudhjes së territoreve shqiptare dhe e ekzistencës reale të varfërisë dhe prapambetjes shqiptare në qytetërim.

Ka një defekt historik në koshiencen politike shqiptare: gjithmonë krerët që kanë dashur të drejtojnë shtetin, kanë shitur interesin kombëtar. I pari e krijoi precedentin Esat Toptani: një matrapaz ordiner ky i shitjes së interesit kombëtar. I njohur fillimisht si luftëtar në rrethimin e Shkodrës nga Malazezët në vitin 1912, dhe shumë i pasur, luajti gjithçka kundër Shqipërisë në favor të xhepit dhe ambicies së tij patologjike për të qënë princi i Shqipërisë.

I dyti spikati Ahmet Zogu, përgjithësisht i paditur, dhe patologjik për të qënë princi i Shqipërisë, gati për të shitur gjithçka, sikurse i shiti. Nuk krijoi asnjë lloj impakti në arenën ndërkombëtare si politikan i artikuluar, dhe e la Shqipërinë në mes të katër rrugëve gati për t’u shpërbërë…

I treti ishte Enver Hoxha, gati injorant edhe ky si dy të parët. Shitës i madh i interesave të shqiptarëve dhe Shqipërisë fillimisht, dhe një izolacionist i paskrupull deri në sadizmëm më pas. E izoloi Shqipërinë nga kompleksi i inferioritetit që kishte me klasën politike perëndimore, vetëm për pushtet personal.

I katërti ka qënë Sali Berisha, që me urrejtje antishqiptare, nuk e la Shqipërinë të hynte në Perëndim, sepse e dinte që nuk pranohej nga amerikanët, të cilët, pasi e përkrahën në vitin 1991-1992, deshën ta rrëzonin që në vitin 1993-1994 si forcë e islamizmit radikal në Shqipëri, dhe e rrëzuan në vitin 1997 pas trazirave të mëdha të viteve 1996-1997.

ll.
Po sot?
Sot Shqipëria drejtohet sërish nga politikanë krejt të paartikuluar politikisht në nivel perëndimor, por interesi i madh amerikan dhe europiano-perëndimor ka bërë që kjo politikë e paartikuluar që drejton, të mbijetojë derisa amerikanët dhe gjermanët të bëjnë reformën e thellë në drejtësinë shqiptare dhe të zhvillojnë deri në fund luftën kundër korrupsionit ultra kriminal të politikës së lartë shqiptare.

Reforma e pritur do t’i japë fund antiintelektualizmit të politikës shqiptare, për të sjellë edhe në Shqipëri, në drejtim, një klasë politike të artikuluar.

lll.
E gjithë kjo gjendje sterile që ka sjellë në Shqipëri një sundim i gjatë injorant dhe të korruptuar, e ka rrëzuar deri në zero personalitetin e Shqipërise dhe shqiptarëve në rrafsh perëndimor. Por është pikërisht ky personalitet i rrafshuar deri në zero i Shqipërisë si shtet që ka sjellë ndërkohë edhe neglizhimin ndërkombëtar ndaj ecurisë së shtetit shqiptar të Kosovës. Është pikërisht kjo mungesë e theksuar e personalitetit të Shqipërisë në Perendim, që ka sjellë si rezultat edhe vështirësinë e madhe të njohjes së Kosovës plotësisht si shtet i pavarur në arenën ndërkombëtare.

Rasti më i freskët është arrestimi i Ramush Haradinajt, i cili edhe pse është një hero i luftës për pavarësinë e Kosovës, arrestohet nga policia franceze për hesap të serbëve. E pra, ku e gjejnë serbët këtë forcë që i dalin ndesh historisë së shqiptarëve, në një kohë kur shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës janë në aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Këtu duhet të fillojë analiza e re e pozicionit shqiptar.

Është mungesa e një arsyeje politike të brendshme réformiste në
Shqipëri, që po dëmton të gjithë çeshtjen shqiptare në Ballkan. Kjo reformë e penguar që po pritet dhe që duhej të kishte përfunduar tani, iu ka dhënë shumë forcë qarqeve antishqiptare të fqinjëve të Ballkanit. Kuptohet se ka një lojë bashkëpunuese midis korrupsionit të lartë politik në Shqipëri, dhe politikave antishqiptare të fqinjëve. Rasti më i freskët ishte banditizmi i Berishës kundër karakterit shqiptar në Himarë. Por ka dhe shumë bashkëpunime të nëndheshme të tipit esadist dhe zogollian në këto momente të rëndësishme, për të penguar triumfin e çështjes shqiptare në Ballkan dhe të emancipimit tërësisht perëndimor të Shqipërisë europiane që po aspiron antarësimin e saj në Bashkimin Europian.

Të gjithë kundërshtarët historikë të Shqipërisë dhe çështjes shqiptare në Ballkan, janë hedhur sot për të denigruar shqiptarët. Por, në çeshtjen e Ramush Haradinajt, një pikë kyçe në favor të shiptarëve pritet të jetë qëndrimi i politikës amerikane. Dhe ai do të vijë….

Sulm terrorist në Athinë, qëllohet me kallashnikov roja i selisë së PASOK

Posted: 10 Jan 2017 01:01 AM PST

Një person ende i pa njohur ka hapur zjarr kundër forcave që ruanin godinën e partisë opozitare PASOK në rrugën "Harilao Trikupi" në lagjen "Eksarqia" të Athinës.

Sipas informacioneve të para, personi i armatosur ka qëlluar tre herë me një armë automatike kallashnikov,duke plagosur një polic,i cili është dërguar me urgjencë në spital.

Mjekët thanë se i plagosuri ka dy shenja plumbash,për fat nuk i rrezikohet jeta.

Menjëherë në zonë kanë mbërritur forca të shumta të policisë, të cilat po kërkojnë nëpër rrugicat e "Eksarkias" personin e armatosur.

Policia e ka cilësuar sulmin si një akt terrorist. Dyshohet se atentatorët janë anëtarë ende të pa arrestuar të ndonjë organizate terroriste vendase.

Një ditë më parë, ministri i Mbrojtjes së qytetarit deklaroi se tashme asnjë organizatë terroriste nuk është aktive, mbas arrestimit të terroristes Pola Rupa dhe një bashkëpunëtoreje të saj.

10 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)/TCH

Përndiqte dhe dhunonte gruan, arrestohet polici në Delvinë

Posted: 10 Jan 2017 12:58 AM PST

Sektori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, SHÇBA në Gjirokastër ka arrestuar një efektiv policie me akuzën e dhunës në familje.

Burime nga policia bëjnë me dije se është vënë në pranga efektivi i policisë, Klement Hamzaj 34 vjeç, me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Delvinës".

Sipas policisë, "ndalimi është kryer në funksion të procedimit penal referuar nga SHÇBA-Gjirokastër,  ne shtator 2016, për veprën penale të "Dhunës në familje" parashikuar nga neni 130 /a te Kodit Penal, pas kallëzimit të bërë nga bashkëshortja e tij. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër.

10 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Kerry kërkon falje për largimin nga puna të homoseksualëve nga Departamenti i Shtetit 

Posted: 10 Jan 2017 12:49 AM PST

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry ka kërkuar falje për përjashtimin nga puna të qindra punonjësve të Departamentit të Shtetit me dyshimin se janë homoseksualë përgjatë periudhës së pas luftës.

Në një komunikatë të publikuar më 9 janar, Kerry ka thënë se praktika e përjashtimit nga puna apo detyrimi për të hequr vet dorë nga vendi i punës për shkak të orientimit seksual, si dhe refuzimi për të marrë në punë për shkak të kësaj, ka qenë praktikë e zakonshme "në vitet '40, por që ka vazhduar për dekada më pas".

"Këto veprime kanë qenë të gabuara atëkohë, njësoj siç janë të gabuara edhe sot", ka thënë Kerry.

Fushata për pastrimin e Departamentit të Shtetit nga homoseksualët ka filluar ditëve të para Luftës së Ftohtë.

Kerry gjithashtu ka riafirmuar politikën aktuale të Departamentit për "diversitet dhe përfshirje të të gjithë punonjësve".

Senatori amerikan, Ben Cardin, demokrati më i lartë në Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, i ka shkruar Kerrit në muajin nëntor duke thënë se ai planifikon që të paraqes legjislacion të ri që e dënon procesin e përjashtimit nga puna të homoseksualëve të cilin Cardin e ka quajtur "njollë e thellë në historinë tonë kombëtare dhe të Departamentit të Shtetit".

10 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Related Posts :