Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Deputeti i ri i LSI: Duhet ta kisha marrë mandatin para 3 vitesh” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Deputeti i ri i LSI: Duhet ta kisha marrë mandatin para 3 vitesh” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Deputeti i ri i LSI: Duhet ta kisha marrë mandatin para 3 vitesh

Posted: 07 Jan 2017 08:00 AM PST

 

Valentina Madani

Deputeti më i ri i Kuvendit, z.Flamur Çelaj ka bindjen se duhej të ishte pjesë e parlamentit që para tri vitesh. Por pavarësisht kohës së mbetur deri më 18 qershor 2017, Çelaj thotë për "Gazeta Shqiptare" se do të bëjë gjithçka për banorët e qarkut të Vlorës. Ai shprehet: "Shumë prej jush thonë me të drejtë se mora mandatin që meritoja prej kohësh, në fakt nuk ishte e drejtë të gëzoja mandatin e kolegëve, por të gëzoja mandatin tim, që ma dha e drejta hyjnore e votës së sovranit dhe ma morën në mënyrë të padrejtë kulisat ligjorë të Kodit Zgjedhor 3 vite më parë, duke ia bërë peshqesh tjetër kujt!". Z.Çelaj është një nga figurat kryesore të LSI-së në qarkun e Vlorës. Ai u vendos i dyti në listën e LSI-së pas Shkëlqim Selamit. Çelaj ka mbaruar Akademinë e Rendit në Policinë e Shtetit dhe aktualisht mban postin e drejtorit ekzekutiv të Autoritetit të Aviacionit Civil.
Z.Çelaj si e pritët vendimin e KQZ-së, duke ju mandatuar si deputet në Kuvendin e Shqipërisë?
Këtë që thoni që të jem i sinqertë e mora vesh nga ju të medias, pasi nuk e kam ndjekur mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Për cilat arsye nuk e ndoqët mbledhjen e Komisionit?
Unë jam ende në detyrë. Vazhdoj ende detyrën e drejtorit të Aviacionit Civil dhe gjithë ditën kam qenë në punë, madje edhe aktualisht që po flasim jam në zyrë, pasi po merremi me emergjencat e shërbimit civil që qytetarëve t'u garantojmë udhëtime të sigurta. Për këtë arsye nuk kam mundur të ndjek mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Nisur nga situata e krijuar për shkak të dekriminalizimit, që largoi dy deputetë nga parlamenti, ju do e pranoni këtë mandat?
Drejt kësaj po shkoj realisht, por duhet të pres momentin e betimit. Pavarësisht se KQZ-ja vendosi që unë të jem deputet, ende nuk e kam marrë zyrtarisht mandatin, pasi më parë duhet të betohem.
Si ndjeheni që zëvendësoni një ish-koleg tuajin, siç është z.Shkëlqim Selami?
Mandatin e deputetit duhej ta kisha marrë para tri vitesh, atëherë kur LSI në qarkun e Vlorës mori shumë vota dhe fitoi bindshëm në këtë qark. Por nuk u bëra dot deputet atëherë kur duhej të bëhesha. Gjithçka ndodhi për shkak të kulisave të Kodit Zgjedhor tri vite më parë. Gjithsesi, nuk dua t'i hyj atij debati. Ajo që mund të them është se ne ishim të angazhuar për fitore dhe LSI-ja pati një rezultat shumë të kënaqshëm në Vlorë.
Çfarë do të bëni përgjatë këtyre 6 muajve të mbetur, pasi më 18 qershor zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare?
Si deputet i ri i qarkut të Vlorës, unë do të bëj gjithçka që është e mundur për qytetarët vlonjatë dhe ju siguroj se nuk do t'i zhgënjej ata as unë, as Lëvizja Socialiste për Integrim, tek e cila besuan me votë gjatë zgjedhjeve të kaluara. Do të jem gjithnjë i angazhuar dhe i përkushtuar për t'iu gjendur pranë banorëve të këtij qarku dhe nuk do t'i zhgënjej ata. Çdo premtim i bërë do të mbahet pa asnjë mëdyshje.

Armina Mevlani udhëtim në Meksikë, blogerja: Ja kush ma sponsorizoi

Posted: 07 Jan 2017 08:00 AM PST

 

Gerilina Kodheli

Ndërsa temperaturat kanë arritur nën zero në Tiranë dhe bora ka mbuluar 1/3 e Shqipërisë, Armina Mevlani po shijon temperaturat e nxehta të Meksikës. Modelja e njohur aktualisht ndodhet në Playa del Carmen të Mexico-s, ku veç të tjerave po shijon edhe plazhet ekzotike të këtij qyteti. Por, qëllimi i vërtetë i këtij udhëtimi nuk është vetëm argëtimi. Në një rrëfim nga Meksika për "Bluetooth", Armina shpjegon se drejt kontinentit të largët ka shkuar për çështje pune. "Kam ardhur në Meksikë për punë dhe gjatë këtyre ditëve do të realizoj disa takime pune", thotë blogerja e njohur. Ndonëse nguron të tregojë nëse është e shoqëruar nga partneri i saj Shkëlzen Berisha në këtë udhëtim, apo është nisur e vetme, ajo që modelja rrëfen me siguri është fakti që qëndrimin e saj në Meksikë ia kanë sponsorizuar. "Qëndrimin këtu ma ka mundësuar hoteli, të cilin më pas e kam publikuar edhe në rrjetet sociale", pohon blogerja, teksa ka zbuluar në "Instagram" se ndodhet në një nga resortet më luksoze të Meksikës. E në fakt, kjo nuk është hera e parë që Armina Mevlani udhëton në vende të ndryshe pa paguar asnjë qindarkë. Edhe më herët ajo ka treguar se hotele dhe resorte të ndryshme i kanë ofruar qëndrimin falas dhe gjithçka tjetër, madje edhe dhurata, për shkak të suksesit të saj në "Instagram". Armina ka shpjeguar se në të vërtetë kjo është puna që bën një blogere, promovon hotele, club-e dhe vende të ndryshme, të cilat rrjedhimisht i ofrojnë shërbimet e tyre falas. Në bisedën e saj për "Bluetooth", Armina ka zbuluar edhe se si e ka kaluar natën e ndërrimit të viteve. Ndonëse të gjithë janë kuriozë të mësojnë se si ishin festimet në familjen e ish-kryeministrit Berisha, Armina tregon se natën e ndërrimit të viteve, së bashku me partnerin e saj Shkëlzenin nuk e kanë kaluar në familje. "Kemi festuar me shoqërinë e ngushtë, por nuk kam dëshirë të jap shumë detaje, sepse kështu kemi rënë dakord edhe me njerëzit që kanë qenë me ne. Ishim të ftuarit e tyre", ka thënë ajo. Ndërkohë, Krishtlindjen çifti i ri e ka kaluar me dy personazhe të njohur shqiptare. Armina dhe Shkëlzeni kanë qenë të ftuarit e zëdhënëses së ish-Kryeministrit Berisha, Erla Mëhilli dhe bashkëshortit të saj, deputetit Keltis Kruja. Çastet nga atmosfera e ngrohtë në shtëpinë e tyre i ka zbuluar Erla, e cila ka publikuar në rrjetet sociale një foto, ku shihet teksa Armina luan me djalin e saj të vogël. Kujtojmë që Shkëlzen Berisha është edhe kumbari i vogëlushit të çiftit Kruja-Mëhilli.

Tahiri, qytetarëve: Mot më i keq në ditët që vijnë, kufizoni lëvizjet

Posted: 07 Jan 2017 08:00 AM PST

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u bëri thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet në ditët në vijim, pasi moti do të vijojë të përkeqësohet. Ai inspektoi nga afër situatën dhe masat e marra nga strukturat e Emergjencave Civile për shkak të reshjeve të borës në “Rrugën e Kombit”. “Sot nuk kemi asnjë problem, po menaxhohet e gjithë situata në të gjithë Shqipërinë. Unë e gjej këtë rast për t’u bërë thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve, veçanërisht zonës veriore, verilindore, juglindore të mos përdorin rrugën, të kufizojnë në maksimum lëvizjet, vetëm atëherë kur është absolutisht e domosdoshme, veçanërisht gjatë natës”, tha Tahiri, në fjalën e tij. Sipas tij, “ditët që vijnë pas do jenë më të ftohta, moti përkeqësohet. Ndaj është e domosdoshme të marrim masa të gjithë qytetarët që të kufizojnë lëvizjet”. Ministri siguroi se të gjitha strukturat shtetërore janë në këmbë për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve. “Emergjencat Civile janë në gatishmëri. Janë mbi 100 mjete vetëm në këtë zonë për të ndihmuar që rrugët kombëtare të mos bllokohen dhe t’u gjendemi njerëzve. Struktura e Ministrisë së Transporteve është e gjitha në gatishmëri, Ministria e Shëndetësisë është e gjitha në gatishmëri për t’u gjendur njerëzve që kanë emergjenca shëndetësore. Rezervat e Shtetit janë të gjitha në gatishmëri me ndihma për të gjithë ata që kanë nevojë për ushqime. Presim kërkesat nga pushteti vendor për të gjitha familjet që kanë nevojë për ushqime në mënyrë që t’u gjendemi pranë me sa kemi mundësi”, theksoi ndër të tjera ministri Tahiri.

Skandali me specializimet në mjekësi, janë 17 kandidatë më pak se kuotat e miratuara

Posted: 07 Jan 2017 08:00 AM PST

 

Ermelinda Hoxhaj
Firojnë kandidatët që aplikuan për specializimet afatgjata në fushën e mjekësisë. Nga 310 kandidatë që ishin në listën paraprake, në listën përfundimtare të publikuar dje nga Fakulteti i Mjekësi rezultojnë vetëm 169 kandidatë që i plotësojnë kriteret. Për shkak se tashmë numri i kandidatëve është më i vogël se numri i kuotave, Rektorati i Universiteti të Mjekësisë, Tiranë ka shtyrë afatin e aplikimit deri më 31 janar 2017. Fakulteti i Mjekësisë me kërkesë të Rektoratit të UMT, ka ngritur një audit për kontrollin e dosjeve të aplikantëve dhe nga verifikimi që është bërë, 141 aplikantë kanë pasur kryesisht mungesën e certifikatës së gjuhës së huaj e nivelit C1, sipas udhëzimit të MAS nr. 52 “Për përcaktimin e nivelit të gjuhëve të huaja dhe të testeve ndërkombëtare për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë në institucionet e arsimit të lartë”, si dhe nuk kanë pasur licencën e ushtrimit të profesionit.
Aplikimi
Shtyhet afati i aplikimeve për specializimet afatgjata në fushën e mjekësisë deri më 31 janar 2017. Rektorati i Universiteti të Mjekësisë ka miratuar afatet e reja të aplikimit si dhe të zhvillimit të etapave të tjera të konkurrimit, për shkak se numri i aplikantëve pas verifikimit të aplikantëve rezulton më i vogël se kuotat e miratuara. Në vendimin e Rektoratit të Universiteti të Mjekësisë, i cili mban firmën e rektorit Arben Gjata përcaktohet se: “Shtyhet afati i aplikimeve deri më datë 31 janar 2017, për arsye se numri i aplikantëve të kualifikuar për të vijuar me procedurat e mëtejshme është më i vogël se numri i kuotave të miratuara me vendim të senatit akademik”. Numri i kuotave është 186, ndërsa numri i aplikantëve që plotësojnë kriteret është 169, pra janë 17 kadidatë më pak se kuotat. Sipas udhëzimit të ri, intervistimi me gojë i kandidatëve do të kryhet në datë 13 shkurt 2017. Ndërsa, testi i informatizuar që do të zhvillohet pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve do të nisë në datë 20 shkurt 2017. Ky shqetësim ishte ngritur edhe më herët nga rektori i UMT, Arben Gjata, pasi sipas tij çdo vit largohen drejt vendeve europiane rreth 200 mjekë, gjë që është e njëjtë me shifrën e mjekëve që diplomohen në Fakultetin e Mjekësisë.
Kandidatët
Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë ka miratuar listën përfundimtare me 169 kandidatëve aplikantë, të cilët plotësojnë kushtet dhe kanë të drejtën që të marrin pjesë në etapat e mëtejshme të konkursit. Kandidatët të cilët kanë emrin në listat e mëposhtme, sipas vendimit të ri të Rektoratit të UMT do ta nisin konkurrimin më datë 13 shkurt 2017 me intervistën me gojë. Rezultatet e intervistimit me gojë shpallen nga komisioni pas aprovimit nga dekani. Në total, intervista vlerësohet me 10% të pikëve, 20% të pikëve kandidatët i fitojnë nga mesatarja e viteve të studimit. Ndërsa, testimi i informatizuar, sipas rregullores së re të specializimeve afatgjata në fushën e mjekësisë, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, për vitin akademik 2016-2017 nis më datë 20 shkurt 2017 për kandidatët që kanë kryer intervistën me gojë dhe zhvillohet në Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP) sipas kalendarit të përcaktuar nga AKP-ja. Testi përbën pjesën më të kryesore të garës, pasi aty kandidati merr 70% të pikëve në total. Në testin e informatizuar kandidatët do të kenë 100 pyetje me alternativa. Bashkëngjitur shkrimit keni listën e plotë të konkurrentëve që plotësojnë kushtet për të hyrë në konkursin e specializimeve afatgjata në mjekësi, deri më datën 5 janar 2017, ndërkohë që aplikimi i vijon deri në fund të janarit.

Edmond Zejno: Më vjen keq që zëvendësoj atë që më futi në politikë

Posted: 07 Jan 2017 08:00 AM PST

 
Valentina Madani

Edmond Zejno, deputeti i ri i PDIU-së ndjen keqardhje që në Kuvendin e Shqipërisë do të zëvendësojë Dashamir Tahirin e PD-së. Kjo për faktin se ka një miqësi të hershme me të, ndërkohë që prej tij, Zejno u angazhua në politikë. Përmes "Gazeta Shqiptare" Zejno premton se atë që la në mes paraardhësi i tij, Dashamir Tahiri, do ta çojë deri në fund, pavarësisht kohës së shkurtër deri në 18 qershor, kur zhvillohen zgjedhjet e reja parlamentare. Deputeti më i ri i PDIU-së, Edmond Zejno gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës zhvilloi një fushatë të fortë në Sarandë dhe Delvinë, me shpresën se PDIU do të arrinte të merrte 2 mandate në qarkun e Vlorës. Ai mbajti të gjithë barrën e fushatës së tri viteve më parë në Sarandë dhe Delvinë, ndërkohë që vetëm dje mundi të sigurojë mandatin e deputetit të dhënë nga KQZ-ja.
Z.Zejno si e pritët marrjen e mandatit të deputetit?
Sinqerisht ndjej keqardhje që po zëvendësoj në parlament z.Dashamir Tahiri dhe unë po marr mandatin e tij. Nuk do të doja të ndodhte kështu, pasi ne kemi shumë njohje me njëri-tjetrin.
Çfarë njohjesh…?
Jemi miq dhe ka qenë z.Tahiri, ai që më ftoi të bëhesha pjesë e PDIU-së. Ai e propozoi emrin tim tek kryetari Idrizi dhe prej tij, unë u përfshiva për një periudhë të caktuar në strukturat e PDIU-së. Ne na bashkoi sigurisht edhe çështja çame dhe z.Tahiri ka qenë i pari deputet që e shtroi për zgjidhje në parlament.
Për cilat arsye vetëm për një periudhë të caktuar? Ju nuk jeni më pjesë e strukturave të PDIU-së?
Unë kam qenë për disa kohë sekretar i grupit parlamentar të PDIU-së, por për shkak të arsyeve ekonomike, pasi rroga ishte shumë e ulët, u tërhoqa dhe u mora për punët e mia. Bëhet fjalë për vitet 2013-2015. U shkëputa ca kohë nga politika ku më angazhoi fillimisht z.Tahiri, por për asnjë çast nuk u shkëputa nga angazhimi për zgjidhjen e çështjes çame. Ndaj, ndjej keqardhje për largimin e tij nga Kuvendi, por ju siguroj se atë që la në mes z.Tahiri, do ta çoj unë deri në fund.
Me çfarë merreni aktualisht?
Deri pak orë më parë punoja si specialist i Qendrës Operacionale Ndërinstitucionale në Durrës. Kam përfunduar Akademinë Detare në Vlorë si dhe juridikun. Prej vitesh jetoj mes Tiranës, Durrësit dhe Sarandës.
Përse thoni deri para pak orësh?
Sapo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi për mandatin tim, unë dhashë dorëheqjen nga detyra, siç e kërkon ligji.
Z.Tahiri ishte deputet i PD-së, ndërsa ju do të jeni deputet i PDIU-së…
Ishte zgjedhje e z.Tahiri që të kalonte me Partinë Demokratike, pasi e ndjente veten më afër kësaj partie dhe është me bindje të djathta, por që nuk reshti asnjëherë përpjekjet për zgjidhjen e çështjes çame.

1942/ Fan Noli i shkruan Adolf Hitlerit për Norbert Joklin

Posted: 07 Jan 2017 08:00 AM PST

Në mes të shqiptarëve të shquar të vitit 1942 që u përpoqën të shpëtojnë nga nazizmi albanologun Norbert Jokli, ishte padyshim edhe Fan Noli. Ishte koha kur nazizmi gjerman i Adolf Hitlerit nuk kursente asnjë hebre. Norbert Jokli ishte albanolog austriak me prejardhje hebreje, një ndër themeluesit e albanologjisë. Ishte profesor në Universitetin e Vjenës. Një personalitet shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Në atë kohë Jokli ishte arrestuar nga forcat e Gestapos dhe ishte vendosur në kampet naziste të përqendrimit. Në atë kohë, Fan Noli vendosi t’i shkruaj Adolf Hitelrit një lutje në emër të të gjithë shqiptarëve për të shpëtuar albanologun hebre, Norbert Jokli. “Shqiptarët në vendin e tyre dhe jashtë shtetit janë të shqetësuar për shëndetin e keqësuar të profesorit në pension të Universitetit të Vjenës, dr. Norbert Jokl, autoritetit të gjallë më të madh në filologjinë shqiptare dhe pasusit më të shkëlqyer të një vargu të gjatë të studiuesve gjermanë, që kanë bërë një punë të paçmueshme pionieri për historinë, letërsinë dhe folklorin e Shqipërisë. Në emër të gjithë shqiptarëve unë i bëj thirrje shkëlqesisë suaj për ta ndihmuar këtë studiues të madh albanolog në çfarëdo mënyre të përshtatshme në kushtet e tashme të vështira”. Me gjithë përpjekjet e shumta të autoriteteve shqiptare, Norbert Jokli u arrestua nga Gestapoja në 4 mars 1942 në banesën e tij në Vjenë. Ai ndërroi jetë për shkak të torturave në kampet naziste të vdekjes.
(Marrë nga 27.al)

“Babastars” për darkë, mungon Agon Amiga

Posted: 07 Jan 2017 08:00 AM PST

 

A po largohet reperi nga labeli?
Labeli i njohur "Babastars" është ndër grupet më të
pëlqyera nga të rinjtë, teksa deri më tani pjesë e këtij label-i kanë qenë disa nga reperët më të njohur. Por, mesa duket ky vit do të sjellë disa ndryshime në "Babastars", kjo pasi është përfolur në media javë më parë se reperi Agon Amiga po mendon largimin nga ky label, për shkak të raporteve të këqija me disa anëtarë të grupit. Së fundmi, në rrjetin social "Instagram" reperët e "Babastars" kanë treguar se janë mbledhur të gjithë së bashku në një darkë festive, ku të ftuar kanë qenë gjithë anëtarët dhe stafi menaxhues. Kësaj darke nuk ka mundur t'i bashkohet Getoar Selimi, i cili ndodhet në Tiranë dhe as reperi Agon Amiga nuk shihet në foto. Nuk dihet nëse reperi ka qenë i ftuar apo jo, megjithatë është përfolur se ai nuk ruan më raporte të mira me Skivin dhe Cozman.

Abuzuan me titujt e pronësisë, prokuroria heton 8 zyrtarë

Posted: 07 Jan 2017 08:00 AM PST

Ornela Manjani

Tetë zyrtarë të Prefekturës së Korçës janë kallëzuar në prokurori pasi kanë abuzuar me shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore në rreth 200 raste. Shkeljet janë gjetur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka audituar kushtet e zbatimit të ligjshmërisë për vlerësimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore për periudhën 01.07.2013-30.06.2016. Gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fuqi në fushën e vendimmarrjes të Komisionit Vendor të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë (KVVTP).
Shkeljet
Janë në total 202 shkelje ku në 57 raste, nuk kanë bërë kalimin në pronësi të shtetit për tokat e përfituara në kundërshtim me ligjin nga persona fizikë dhe juridikë. Ndërsa në 57 raste të tjera, është konstatuar kapërcim i tagreve ligjore, duke marrë vendime mbi deklarimin e përfundimit të procedimit administrativ për shkak të pamundësive të zhvillimit të mëtejshëm të procedurës hetimore, edhe pse ligji nuk i njeh të drejtën e përfundimit të procedimit administrativ pa një vendimmarrje. "Në 37 raste, nuk kanë bërë kallëzimin penal në organet e drejtësisë, ndaj komisioneve të ndarjes së tokës, për sipërfaqen prej 8.4 ha, të cilët kanë tejkaluar kompetencat ligjore, duke ndarë tokë bujqësore më shumë se norma për frymë, në dëm të interesave të shtetit. Në 37 raste, për dorëzimin në mënyrë fiktive të tokave të kaluara në pronësi të shtetit, pasi toka vazhdon të përdoret nga persona të cilët e kanë përfituar në mënyrë të paligjshme"-thuhet ne raportin e KLSH-së. Sipas njoftimit në 6 raste, për sipërfaqen prej 43.1 ha, për lejimin e poseduesve të titujve të pronësisë të gëzojnë të pacenuar tokën e përfituar në kundërshtim me ligjin edhe pse Këshilli i Qarkut Korçë ka konfirmuar se Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) janë dhënë brenda vijave kufizuese të qytetit të Korçës, miratuar me vendim të KRRTRSH-së nr. 3, datë 04.02.1994, "Për përcaktimin e vijave kufizuese të qytetit të Korçës", pra nuk janë objekti i ligjit "Për tokën". Ndërkohë në 4 raste, për sipërfaqen prej 2200 m2 të lejimit të përfituesve të AMTP-ve të gëzojnë të pacenuar tokën e përfituar në kundërshtim me ligjin, kur toka rezulton në zërin kadastral "Tokë Truall", "Mal" apo "Gjemb", pra jo objekt i ligjit "Për tokën". KLSh konstaton në 2 raste se nuk ka marrë vendim për kalimin në pronësi të shtetit të sipërfaqes së tokës prej 1050 m2, përfituar më tepër se përcaktimet e ligjit "Për tokën" dhe në 2 raste të tjera është konstatuar lejim i përfituesve të AMTP-ve të gëzojnë të pacenuar tokën e përfituar në kundërshtim me ligjin, kur toka rezulton në zërin kadastral "Tokë e Pa Frytshme", pra jo objekt i ligjit "Për tokën".
Kallëzimi
KLSH, duke i konsideruar veprimet e kryera nga S.K. me detyrë Drejtues i KVVTP; H.G., E.R., O.G., J.D., L.S., E.Ç., G.H, me detyrë specialistë të KVVTP, në shkelje të ligjit nr. 9948, datë 07.07.2008 "Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore", VKM nr. 1269, datë 17.09.2008 "Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore" dhe VKM nr. 224, datë 19.02.2009 "Për procedurat e krijimit të Akteve të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, si pasojë e korrigjimeve të kryera nga Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë", dhe si veprime me pasoja të rënda për interesat e ligjshme të shtetit dhe të dënueshme sipas ligjit nr. 7895, datë 27.01.1995 "Kodi Penal i RSH", me shkresën nr. 729/8 datë 19.12.2016, ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, Korçë, për konsumimin e elementëve të figurës së veprave penale të "Shpërdorimit të detyrës" parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Ndreu: Hetim firmave të pastrimit të rrugëve

Posted: 07 Jan 2017 08:00 AM PST

 

Situata e keqësuar nga bora në të gjithë vendin ka nxjerrë në terren ministra të LSI-së e të PS-së, ashtu si edhe deputetët. Por, nga ana tjetër i ka shtyrë ata në një garë për të vënë në dukje se kush mendon më shumë për qytetarët. Deputeti socialist, Pjerin Ndreu kritikoi dje në orët e para të mëngjesit punën e firmave që pastrojnë rrugët, që sigurisht varen nga Ministria e Transporteve, drejtuar nga LSI. Në një status, publikuar në “Facebook”, Ndreu shkroi: “Të hetohen e penalizohen firmat e pastrimit të rrugëve, sidomos në akset që lidhin Pukën me Kukësin e Tropojën. Kanë marrë lekët e taksapaguesve dhe kanë lejuar bllokimin e rrugëve, duke mos hyrë në kohë me borëpastruese. Nuk kanë hedhur asnjë gram kripë e asgjë! Nuk do lejoj këtë sjellje turpi e të papërgjegjshme të këtyre kompanive që nën hundën tonë bëjnë ç’ju do qejfi, kur njerëzit rrezikojnë jetën rrugëve nacionale nga bllokimi”. Pas deputetit socialist, reagimi erdhi nga këshilltari për mediat i kryetarit të Kuvendit, Emiljano Aleksi, i cili po në rrjetin social iu përgjigj: “Është bërë sport kombëtar vetëdenigrimi dhe spekulimi. Të akuzosh nga faqet e ‘Facebook’-ut dhe të mos ndjekësh nga afër punën e bërë për të ardhur në ndihmë gjithë komunitetit, në limitet e kapaciteteve që disponohen, është dhe e turpshme dhe antikombëtare”. “Është shumë e lehtë të shash në grup, pa argument, pa fakt thjesht për të shprehur pakënaqësinë e paevitueshme nga jeta. Nuk do çuditem dhe kur të dëgjojë që po pastrohen rrugët dhe po hidhet kripë vetëm atje ku kalojnë simpatizantët e LSI-së. “Të drejtën për çdo ndjenjë njerëzore e kanë vetëm ata që punojnë, Sehirxhinjt akuzojnë”, u shpreh Aleksi, i cili postoi foto të makinave që pastronin borën. Në një tjetër status, deputeti socialist, Ndreu shkroi më vonë. “Meqenëse lukunia anti-Soros është picku nga virusi, Berisha e nxjerr foto me makina t’u pastru borën (kushedi ku jan filmu se në F. Arrës jo…), për pak mbërrij vetë në terren e të shohim që borëpastrueset kanë hy në veprim kur ka arrit një metër, që nuk kanë hedhë asnjë kokërr kripë dhe që janë blloku dhe vetë në rrugë e jo më të hapin rrugë për të tjerë. Flas për Fushë-Arrës e Qafë-Mali. Ndërkohë, bjeruni sazeve shurdhuese me përralla anti-Sorros…!”, tha Ndreu. Në orët e pasdrekes ai shkoi vetë në segmentin e rrugës Pukë-Fushë Arrës, nga ku shkroi sërish në “Facebook”: “Sa fillon kufiri me Pukën deri në qytet asnjë borëpastruese e asnjë kokërr kripe. Kush ma gjen një në këtë aks të tregojë….” e pak më vonë ai lajmëroi se rruga ishte pastruar. “Rruga Pukë-Fushë Arrës, një model se si pastrohet bora e si punohet me përgjegjësi. Falënderim Ndue Shanit dhe punonjësve të tij”, shkroi deputeti socialist. Gjatë këtyre ditëve, deputetë e ministra janë shpërndarë në zonat e tyre elektorale për të qenë afër komuniteteve e për të ndihmuar në rastet kur kërkohet ndërhyrja e tyre. Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka mbledhur Shtabin e Emergjencave Civile për të marrë të gjithë informacionin se çfarë po ndodh në zonat më të largëta dhe më të vështira të vendit. Ndërkohë, për shkak edhe të epidemisë së gripit, një nga masat që është marrë është edhe mbyllja e çerdheve, kopshteve e shkollave.

Enca foto provokuese nga shtrati

Posted: 07 Jan 2017 08:00 AM PST

Këngëtarja heq dorë nga grimi i tepruar

Ajo është shumë e komentuar për fotot që publikon në rrjete sociale e që shumë herë janë edhe provokuese. Bëhet fjalë për Encën, e cila kujdeset gjithmonë që të sjellë foto ku i ekspozon linjat e saj trupore. Së fundi Enca na ka përshëndetur me një pozë nga shtrati. Pa grim dhe e mbuluar vetëm me një çarçaf, këngëtarja ka ngritur edhe njëherë temperaturat. Pas kritikave të shumta nga fansat për tualet të tepruar, duket se kjo bukuroshe "ka zënë mend" dhe ka vendosur që ta nisë 2017 me një foto "ujë e sapun".

Related Posts :