Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Durrës, zhduket prej dy ditësh taksisti” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“Durrës, zhduket prej dy ditësh taksisti” plus 9 more - Gazeta Dita


Durrës, zhduket prej dy ditësh taksisti

Posted: 05 Jan 2017 01:49 AM PST

 

Një 53-vjeçar me profesion taksist është zhdukur prej dy ditësh në qytetin e Durrësit.

F.F ka dalë nga banesa bashkë me mjetin e tij Benz, ngjyrë blu, “Taxi” me targa DR 443 A dhe nuk është kthyer më.

Kanë qenë familjarët ata të cilët të alarmuar kanë bërë kallëzim në policinë e Durrësit, një ditë më parë.

Policia njofton se ka nisur menjëherë punën për gjetjen e 53-vjeçarit.

Ndërkohë, familjarët kanë vënë në dispozicion edhe një numër telefoni (0694110217) për këdo që ka informacion për taksistin F.F.

“Nuk ka vend për panik. Kjo e premte do të zbardhet nga dëbora”

Posted: 05 Jan 2017 01:34 AM PST

 

Bashkë me vitin e ri erdhi edhe i ftohti siberian. Duke nisur nga e premtja e kësaj jave vendi ynë do të përfshihet nga mot i kthjellët dhe me vranësira, por me temperatura që do të zbresin në –16 gradë.

Temperatura më e ulët do të regjistrohet në vendet e thella malore ku askush mos të çuditet nëse atje do të arrijnë -20 gradë C.

Krahas të ftohtit prezentë do të jenë edhe reshjet e shiut e dëborës, kryesisht në zonat malore.

Kjo vlerë e transferon të ftohtin siberian nga deti Baltik, drejt Mesdheut. Meteorologët thonë se ky mot ekstrem është si pasojë e rrymave ajrore të ardhura nga Siberia të cilat do të përfshijnë të gjithë Ballkanin.

Duke u nisur nga kjo situatë dhe duke u përballur me thirrjet për mos të dalë nga shtëpia këtë fundjavë si pasojë e motit të keq, ne folëm më sinoptikanen Lajda Porja.

Ajo na informoi me detaje se çfarë do të ndodh gjatë kësaj jave në vendin tonë duke na qetësuar se nuk ka vend për panik. Një situatë të tillë e kemi jetuar edhe vitin e kaluar.

Në këtë intervistë për Dita-n, Lajda Porja nga Metoalb, rrëfen motin sot dhe në ditët në vazhdim.

 

-Zonja Lajda si paraqitet situata e motit në këtë fillim muaji?

 Nesër (sot) do të ketë reshje shiu dhe dëbore ku më problematike situata do të paraqitet në zonat veriore dhe verilindore duke bërë që trashësia e dëborës të jetë nga 30 në 60 cm. Dita e premte do të sjellë reshje në 70 për qind të territorit, por në sasi më të pakta krahasuar me sot dhe nesër. Fundjava sjelle dobësim të reshjeve, por temperatura ekstremisht të ulëta deri në -16 gradë C. Në zona të thella edhe më e ulët.

 

-Besoj këto ditë ju pyesin njerëzit për situatën e motit duke patur parasysh edhe panikun që është krijuar?

 Interesi është shumë i lartë duke qenë se ka lidhje me jetën e përditshme sidomos kur bëhet fjalë me temperaturë të ulëta apo reshje intensive. Pasi në stinën e dimrit janë problematike edhe virozat apo epidemitë të cilat moti i keq i favorizon.

 

 -Mund të na tregoni më konkretisht çfarë do të ndodh pas dy ditësh me temperaturat në vendin tonë?

 Do të ketë rënie të ndjeshme të temperaturave duke bërë që i gjithë vendi të jetë në vlera negative. Situatë kjo si pasoje e të ftohtit Siberian.

 

 -Cilat janë zonat që termometri do të shënoi temperaturën me të ulët?

 Temperaturat më të ulëta priten në verilindje dhe juglindje të vendit ku në qytet do të shënohen edhe -15 – 16 gradë C. Në fshatra të thella edhe më e ulët.

 

-A i ka përjetuar territori ynë ndonjëherë këto temperatura, kur?

Lajda Porja

Lajda Porja

Pothuajse të njëjtën situatë kemi përjetuar në janar të 2016 ku termometri u ul deri në -16 gradë C. Dekada më përpara ka patur disa raste me temperaturë të tilla. Temperatura të vlerave -19 apo -20 mund të shënohen në zona të pabanuara. Domethënë në zona të thella.

 

A do te kemi reshje dëbore në Tiranë apo në ndonjë qytet tjetër ku bie rrallë?

 Reshjet e dëborës ditën e premte do të zbresin deri në 300 mm në nivelin e detit pra deri pranë zonës së ulët. Dëborë do të ketë në Shkodër, Krujë, Elbasan, Librazhd, Përmet, Tepelenë, edhe në malin e Dajtit. Në Tiranë në qytet nuk pritet të këtë reshje dëbore.

 

-Çfarë duhet të bëjmë në këto kushte?

 Nuk duhet krijuar panik pasi situata te tilla ka shpesh në stinën e dimrit dhe fatmirësisht vala e të ftohtit do të zgjasë pak ditë d.m.th deri të hënën kur nis rritja e temperaturave./E.Resuli

A ka ekzistuar me të vërtetë Lufta e Trojës?

Posted: 05 Jan 2017 01:34 AM PST

Në mitologji, Lufta e Trojës u zhvillua kundër qytetit të Trojës nga grekët pasi Parisi i Trojës rrëmbeu Helenën nga burri i saj Menelaus, mbret i Spartës. Historia e kësaj lufte është transmetuar përmes shumë veprave letrare, kryesisht Iliadës së Homerit.

Historia dhe arkeologjia

Emri Trojë i referohet edhe legjendave, por edhe vendit arkeologjik në jetën reale. Në legjendë, Troja është qyteti që mbeti i rrethuar për 10 vjet dhe që më pas u pushtua nga ushtria greke e Mbretit Agamemnon.

Sipas Iliadës së Homerit, arsyeja e Luftës së Trojës ishte rrëmbimi i Helenës, mbretëreshës nga Sparta. Paridi ishte ai që rrëmbeu Helenën.

Paridi ishte  djali i mbretit trojan, Priamit.

Troja gjithashtu i referohet një qyteti antik të jetës reale që ndodhet në bregun veriperëndimore të Turqisë. Por sot ky vend njihet me emrin Hisarlik.

Ideja se ky qytet në lashtësi ishte Troja ekzistonte që 2700 vjet më parë, kur grekët kolonizuan veriperëndimin e Turqisë. Në shekullin e 19, kjo ide erdhi sërish në qendër të vëmendjes, kur biznesmeni dhe arkeologu gjerman Heinrich Schliemann, bëri një sërë gërmimesh në Hisarlik dhe zbuloi se thesaret i përkisnin Mbretit Priam.

Legjenda e Trojës

Lufta e Trojës besohet të ketë ndodhur në fund të Epokës së Bronzit, rreth 1200 vjet para Krishtit. Ndodhi gjatë kohës së lulëzimit të qytetërimit miken në Greqi. Ata ndërtuan pallate të mëdha dhe zhvilluan sistemin e shkrimit.

Tregimet më të hershme të kësaj lufte vijnë nga Homeri, që jetoi rreth shekullit të 8 para Krishtit, disa shekuj pasi kishin ndodhur ngjarjet, të cilat nuk janë shkruar deri vonë.

Iliada e Homerit tregon një seri ngjarjesh nga rrethimi prej 10 vjetësh i Trojës. Lufta kishte zgjatur mes grekëve dhe trojanëve për arsye se as grekët nuk po arrinin të merrnin qytetin trojan, por as këta të fundit nuk po arrinin t'i dërgonin e t'i kthenin mbrapsht në det sërish grekët.

triy

Një seri ngjarjesh kyçe ndodhin në poemën e Iliadës, përfshi duelin mes Menelaut, mbretit të Spartës dhe bashkëshortit të Helenës, kundër Paridit. Fituesi supozohej të merrte Helenën si çmim, dhe t'i jepte fund luftës. Megjithatë, zotat ndërhyjnë për të ndërprerë duelin përpara se të mbaronte dhe lufta vazhdon.

Një tjetër duel i rëndësishëm ndodh në fundin e poemës mes Akilit dhe Hektorit, luftëtari i madh trojan. Trojani e dinte që nuk kishte shanse me Akilin, dhe i bie Trojës 3 herë rreth e përqark për t'iu shmangur Akilit që e ndiqte. Në fund, zotat e detyrojnë atë të përballet me luftëtarin grek, dhe vritet.

Në kundërshtim me atë që është treguar, Iliada nuk përfundon me shkatërrimin e Trojës, por me një armëpushim të përkohshëm. Një tjetër vepër e Homerit, "Odisea" është vendosur pas shkatërrimit të qytetit, dhe flet për heroin grek Odisea që përpiqet të shkojë në shtëpi. Poema tregon shkurtimisht se si grekët morën Trojën nëpërmjet të famshmit "Kalit të Trojës", një dhuratë që kishte ushtarë brenda.

Origjina e qytetit

Vendi Hisarlik, në veriperëndim të Turqisë, është identifikuar si Troja e shekujve të kaluar. Kërkimet arkeologjike tregojë se është banuar për rreth 4 mijë vjet, duke filluar që nga viti 3000 para Krishtit. Kur u shkatërruar një qytet, një qytet i ri u ndërtua mbi të.

troy-stone-block

Sipas arkeologëve, po të gërmohet thellë mund të gjehen mbetjet e qyteteve të vogla të rrethuara nga mure mbrojtëse të papunuara. Troja u zhvillua më shumë gjatë vitit 2500 para erës sonë. Qyteti u zhvillua me mure të reja mbrojtëse me blloqe guri dhe tulla balte, thonë arkeologët.

Kur arkeologu Heinrich Schliemmann gërmoi thellë në Hisarlik në vitin 1873, ai zbuloi thesare, që besohet t'i përkasin Mbretit Priam.

Walls_of_Troy_(2)

Disa studiues spekullojnë se këto thesare nuk u gjetën të gjitha në të njëjtëin vend dhe menjëherë, por u deshën disa javë kërkime për t'i zbuluar të gjitha objektet.

Troja e Homerit

Qyteti i Trojës i përmendur nga Homeri i përket dy periudhave të ndryshme kohore, viteve 1700-1190 para Krishtit. Historiani Bryce tregon se mbrojtja e atij qyteti ishte e mrekullueshme.

"Muret, të përbëra prej tullash balte, arrinin lartësinë e 9 metrave. Disa kulla vrojtimi ishin ndërtuar mbi këto mure. Troja kishte një sipërfaqe të madhe banimin nën një kështjellë të fortifikuar fuqishëm. Me aq sa dimë sot, një kala e tillë nuk ishte e zakonshme jo vetëm në atë rajon por në të gjithë Europën Juglindore.

Problemi për identifikimit të këtij qyteti si Troja e Homerit qëndron tek mënyra si përfundoi. Të çarat në muret e kështjellës ngrejnë hipotezën se mund të jetë goditur nga një tërmet në vitin 1300 para lindjes së Krishtit, që më pas mund të jetë pasur nga një kryengritje apo sulm. "Ka shenja që tregojnë se aty është luftuar, por dëmet më të mëdha janë shkaktuar nga tërmeti", thotë Bryce.

Edhe për faktin që qyteti është sulmuar në vitin 1190, përsëri ka dyshime nëse ky sulm është kryer nga një forcë greke. Në atë kohë, qytetërimi miken i Greqisë kishte rënë, pallatet e tyre të mëdha ishin kthyer në gërmadha.

Troja e mëvonshme

Qyteti u braktis rreth vitit 1000 para erës sonë, dhe u rikolonizua nga grekët në shekullin e 8 rreth kohës kur jetoi Homeri. Mësohet që grekët ia vunë emrin Ilion.

Banorët e mëvonshëm e shfrytëzuan këtë qytet për mbështetje politike si dhe tërheqje turistësh. Në këtë vend ndaluan për të bërë homazhe për Trojën vetë mbreti pers Kserks gjatë rrugës së tij për të pushtuar Greqinë, si dhe Aleksandri i Madh që bëri të njëjtën gjë në shekullin e 4.

Statusi special i Trojës vazhdoi edhe në periudhën e sundimi romak. Romakët besonin se Enea, një nga heronjtë e Trojës, ishte pasardhësi Romulos dhe Remos, dy themeluesit legjendarë të Romës. Banorët e qytetit e shfrytëzuan këtë si një destinacion popullor për pelegrinët dhe turistët.

Megjithatë gjatë Mesjetës, Troja gradualisht u shkatërruar duke përfunduar në atë që është sot.

A ka ekzistuar me të vërtetë një luftë trojane?

Pyetja më e madhe me të cilën studiuesit përballen është që a ka ekzistuar në të vërtetë një Luftë Trojane? Fatkeqësisht, shkrimet e fundit të gjetura për Trojën datojnë para shekullit të 8 para erës sonë.

Dijetarët kanë vënë në dukje se topografia e Trojës, siç thuhet në legjendë, përputhet me atë të qytetit të jetës reale.

Historia

Më 1 qershor 1184 pes Troja shkatërrohet dhe digjet – kjo datë sipas përllogaritjeve nga Eratosthenes. Në mitologji, Lufta e Trojës u zhvillua kundër qytetit të Trojës nga Achaeans pasi Parisi i Trojës rrëmbeu Helenën nga burri i saj Menelaus, mbret i Spartës. Historia e kësaj lufte është transmetuar permes shumë veprave letrare, kryesisht Iliadës së Homerit. Iliada ka të bëjë me vitin e fundit të rrethimit të Trojës; vazhdimi i saj, Odisea, përshkruan udhëtimin e Odiseut për në shtëpi (Itakë).

Pjesë të tjera të luftës janë përshkruar në cikël poemash epike, fragmente që kanë mbijetuar dhe vepra të tjera të letërsisë klasike, përshi Virgjilin dhe Ovidin. Zanafilla e luftës është një grindje mes perëndeshave Athena, Hera, dhe Afërdita, kur Eris, perëndesha e grindjeve, u dha atyre një mollë të artë, e njohur edhe si 'mollë sherri', me mbishkrimin "për më të bukurën". Zeus caktoi Parisin për të gjykuar se cila nga 3 perëndeshat ishte më e bukura. Parisi zgjodhi Afërditën; në këmbim Afërdita i kishte premtuar atij Helenën, më e bukura e të gjitha grave. Kur Parisi dhe Helena ikin së bashku në Trojë, Agamemnoni, vëllai i Menelaus, udhëhoqi një ekspeditë të trupave akaeanse; mbërriti në Trojë me 1 mijë anije dhe e rrethoi qytetin për dhjetë vjet. Pas vdekjes së shumë heronjve, përfshi Akilin, Ajaksin, Hektorin dhe Parisin, qyteti ra viktimë e dhuratës së kundërshtarit – dhurata ishte një kalë i madh prej druri, me disa ushtarë të fshehur brenda, të cilët kur ra nata hapën dyert e qytetit, duke shpalosur tragjedinë e Trojës. Njerëzit e lashtë mendonin se Lufta e Trojës ishte ngjarje e vërtetë që kishte ndodhur në shekullin e 13-të apo 12-të pes; ata besonin se Troja ndodhej në afërsi të Dardaneleve, në Azinë e vogël.

Me kalimin e shekujve, ngjarja u shndërrua në mit dhe deri në mesin e shekullit të 19-të, lufta dhe qyteti i Trojës besoheshin gjerësisht të ishin fantazi.

Në 1868, arkeologu gjerman Heinrich Schliemann zbuloi rrënojat e Trojës në Hissarlik, Turqi – kjo është pranuar nga shumica e dijetarëve dhe që nga ajo kohë Lufta e Trojës konsiderohet ngjarje e vërtetë.

Megjithëse zhvillimet që pasuan, siç janë përhapja e trojanëve nëpër botë dhe themelimi prej tyre i qytetërimeve të reja, mbulohen nga mite – thuajse çdo popull në Evropë pretendon se ka prejardhje trojane.

Këto çështje i kanë lënë kërkuesit dhe studiuesit me një mister të madh./ Livescience/

Gripi, rastet kur duhet paraqiteni te mjeku

Posted: 05 Jan 2017 01:31 AM PST

 

Entela Resuli – DITA

Mëngjesin e së martës, Ministria e Shëndetësisë kërkoi që shkollat, kopshtet dhe çerdhet të mos hapeshin këtë javë. Arsyeja? Një epidemi e rëndë gripi ka prekur vendin tonë.

Gjatë javës së fundit, në të gjithë vendin numri i qytetarëve të paraqitur në qendrat shëndetësore vazhdon të jetë në rritje. Ndërkohë që prej tre ditësh, vendi po përballet me kushtet e motit me temperatura shumë të ulëta, të cilat do të vazhdojnë edhe disa ditë, duke krijuar kushte të favorshme për përhapjen e mëtejshme të virusit.

Pas pushimeve të dimrit shkollat, kopshtet dhe çerdhet duhet të hapeshin këtë të mërkurë të 4 janarit. Me vendimin e ri, ato do të nisin të hënën e 9 janarit.

Por çfarë po ndodh me gripin dhe si është situata në vend?

Ditën e djeshme ne shkuam në Qendrën Shëndetësorë Nr. 3 për të folur atje me Mjeken e Familjes, Bruna Shiroka. Doktoresha e cila prej 25 vitesh ushtron me përkushtim detyrën e mjekes na foli për situatën në vend duke na dhënë edhe disa këshilla se si të trajtohemi apo kohën kur duhet të paraqitemi te mjeku.

Në këtë intervistë për Dita-n doktoresha tregon gjendjen gripale që po përjeton vendi.

 

-Doktoreshë Bruna, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar mbylljen e shkollave deri në datën 9 Janar si pasojë e gripit që po qarkullon në vendin tonë. Në dijeninë tuaj si paraqitet gjendja?

 

Pa dyshim urdhri i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë është i lidhur me situatën epidemiologjike nga virusi i gripit i tipit AH3N1 që aktualisht po ndodh në vendin tonë. Rastet e evidentuara si të prekur nga ky virus janë në rritje.

 

-Cilat janë grupmoshat me të prekura? Si duhet të ruhem nga ky virus?

 

Moshat më të prekura janë fëmijët dhe të moshuarit, ku dhe “agresiviteti” i simptomave është më i shprehur. Në këtë situatë i këshillohet popullatës shmangien e qëndrimit në ambiente të mbyllura, të mbipopulluara ku mund të jenë edhe persona të prekur nga gripi, konsumi i lëngjeve e ushqimeve të freskëta të stinës, konsumi i produkteve natyrale që stimulojnë rritjen e imunitetit, shmangia e kontaktit me të sëmurët, apo përdorimi i mjeteve mbrojtëse kur kjo është e detyruar.

 

-Në një situatë viroze kur duhet të paraqitemi te mjeku?

 

Këshillohet popullata të paraqitet sa më herët pranë shërbimit të mjekut të familjes, nëse janë vënë re shenjat e një viroze e aq më tepër gripit pasi është ky i fundit që do vlerësojë mënyrën e trajtimit, shkallën e gravitetit të gjendjes, do të japë rekomandimet përkatëse.

 

Bruna Shiroka

Bruna Shiroka

-Ka shumë persona të cilët i bien shkurt; shkojnë në farmaci dhe marrin antibiotikë…

Ndodh jo rrallë në popullatë, dhe kjo ndoshta për shkak të ekzistencës së një tregu "liberal", të merren pa rekomandimin e mjekut antibiotikë të cilët në rastin më të "mirë" janë të panevojshëm dhe në atë më të "keq" (kur jepen pa rekomandimin e mjekut) janë shumë të dëmshëm.

 

-A ka një tendencë nga njerëzit presin të kaloj vetë gjendja virale e më pas paraqiten te mjeku në gjendje të rënduar?

 

Megjithë që popullata po ndërgjegjësohet, nuk janë të pakta rastet kur pacienti vjen pranë mjekut kur gjendja virale është e shoqëruar me komplikacione, pra në një gjendje të rënduar, në të tilla raste puna e mjekut bëhet më e vështirë.

 

-Deri ku shkon rreziku nga një gjendje virale?

 

Rreziku nga një gjendje virale varet nga disa faktorë si; mosha (më të rriskuar fëmijët e të moshuarit), prezenca e sëmundjeve kronike si astma bronchiale apo sëmundjet kronike të aparatit respirator, diabeti, sëmundjet e aparatit kardio/vaskular, prezenca e të cilave kompromenton rëndë situatën shëndetësore të pacientit me grip, situata në të cilat nëse nuk bëhet ndërhyrja e menjëhershme, trajtimi nga profesionistë mund të cenojnë jetën.

 

Sa e rekomandoni vaksinën kundra gripit dhe a mund të bëhet në këtë periudhë?

 

Pa diskutim vaksinimi është një nga metodat që këshillohet më shumë sidomos në kategoritë e ekspozuara e më të brishta.

 

-Si mund ta kurojmë gripin në kushtet e shtëpisë?

 

Në kushtet e shtëpisë këshillohet qëndrimi i të sëmurit në mjedise të ajrosura mirë e të ngrohta, konsumi i ushqimeve të freskëta të stinës, marrja e lëngjeve të freskëta (jo të konservuara), përdorimi i preparateve natyrale që stimulojnë imunitetin. Së fundmi popullatës do t’i këshilloja të paraqiten sa më parë pranë mjekut, sapo kanë nisur shenjat e para si temperatura, dhimbja e trupit, kokës, kolla, djegia e fytit etj., e jo të vijnë atëherë kur shfaqen komplikacionet të cilat jo në pak raste mund të cenojnë jetën, dhe padyshim vështirësojnë punën e mjekut.

“Shqipëria do përdoret si shembull nga SHBA-BE për luftën ndaj korrupsionit”

Posted: 05 Jan 2017 01:21 AM PST

Ish-kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit, Fatos Klosi, në një intervistë për gazetën "Sot", komenton reformën në drejtësi në raport me politikën shqiptare, rolin e ndërkombëtarëve në këtë proces dhe çfarë pritet të ndodhë pas zhbllokimit të ligjit të vetingut. Fatos Klosi paralajmëron se SHBA dhe BE do japin shembull me Shqipërinë për vendet e Lindjes lidhur me arrestimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar. Ish-kreu i SHISH u shpreh se zbatimin e reformës në drejtësi nuk e ndal dot askush përderisa këtë proces e ka marrë në dorë SHBA dhe BE. Gjithashtu, ai paralajmëron se Prokuroria Speciale do të hapë dosjet e mëdha të korrupsionit, duke nisur nga Gërdeci, 21 Janari, Rruga e Kombit, etj. Ai tha se deri tani gjykatat janë tallur me çështjet e mëdha të korrupsionit, por tashmë ka ardhur koha që të gjithë të japin llogari. Klosi tha se politikanët që nuk justifikojnë dot pasuritë, i tremben reformës, por nuk do të munden ta ndalin dot. Edhe Gjykata Kushtetuese u mundua ta zvarrisë reformën, sërish nuk ia doli, pasi në lojë janë të përfshirë dy superfuqitë SHBA dhe BE, thotë Klosi.

-Gjykata Kushtetuese zhbllokoi ligjin e vetingut dhe gjatë ditëve në vijim pritet zbatimi i tij. Çfarë pritet të ndodhë me drejtësinë shqiptare?

Zbatimi i ligjit do të sjellë efekte në reformimin e drejtësisë shqiptare, ku të gjithë zyrtarët do kalojnë në filtrin e vetingut. Sipas ligjit, gjyqtarët duhet të japin llogari për pasuritë e pajustifikuara. Nëse nuk do të zbatohet ligji, kjo është një gjë tjetër. Pra, gjithçka do të varet nga zbatimi i ligjit. Vetingu është një ligj që do të kalojë në sitë të gjithë gjyqtarët.

-Dihet tashmë se shumë pushtetarë, të djeshëm dhe të sotëm, i kanë të shtrira lidhjet e tyre edhe në pushtetin gjyqësor. Ju besoni se do të zbatohet vetingu?

Ligji është bërë për t'u zbatuar. E gjithë kjo luftë e fortë u bë nga frika e zbatimit të ligjit; nëse do të mendonin se ligji nuk do të zbatohej, atëherë nuk do të ishte bërë e gjithë kjo luftë e madhe. Sigurisht do të ketë njerëz që do përpiqen ta pengojnë ligjin. Aleatët tanë, SHBA dhe BE, janë shumë të vendosur që vetingu të zbatohet. Unë kam dëgjuar se aleatët tanë, të cilët janë ata që janë marrë më shumë me procesin e reformës në drejtësi, kërkojnë të japin një shembull nga Shqipëria për të gjitha vendet e Lindjes.

-Prokuroria dhe gjykatat deri më tani kanë mbyllur dosjet e rëndësishme të korrupsionit dhe krimit. A duhet të rihapen këto dosje nga Prokuroria Speciale?

Gjykatat janë tallur me dosjet e mëdha të korrupsionit, ndërsa prokuroria nuk i ka mbërthyer mirë dhe nuk i ka paraqitur ashtu siç duhet. Gjykata ka dhënë dënime qesharake për pak njerëz, ndërsa në raste të tjera nuk ka marrë asnjë vendim, nuk i ka hapur dosjet për t'i shqyrtuar. P.sh, për Rrugën e Kombit për arsye nga më absurdet nuk hapet gjykimi. Unë besoj se dosjet e mëdha do të hapen dhe do të gjykohen. Nëse gjërat më të mëdha nuk do të ritrajtohen, atëherë, asnjë nuk do ketë besim se ky proces do shkojë mbarë. Nëse drejtësia do të merret vetëm me gjërat e vogla, do të jetë qesharake! Janë shumë ngjarje të mëdha si 21 Janari, Rruga e Kombit, Gërdeci, etj. Këto çështje kanë përfunduar me vendime qesharake.

-Duke qenë se ju keni qenë kreu i SHISH dhe keni bashkëpunuar me ndërkombëtarët, a do të ketë efekt roli i SHBA dhe BE për arrestimin e të korruptuarve?

Unë shpresoj se do ketë efekt. Impenjimi serioz i tyre, në të gjitha fazat e këtij procesi, nuk bëhet për të bërë disa letra të shkruara. Unë besoj se këtij procesi do t'i shkohet deri në fund. Ata janë të interesuar që ky proces këtu të jetë i suksesshëm, të përdoret si shembull se ç'duhet bërë në vendet e tjera të Lindjes, pasi dhe këto vende e kanë korrupsionin në një shkallë shumë të lartë. Interesi kryesor i tyre është ky: që të provohet se ka zgjidhje edhe në një vend që duket se nuk ka zgjidhje, në një vend që duket se gjithçka është e korruptuar. Nëse klasa politike, ata që bëjnë ligjet dhe ata që i zbatojnë duan ta bëjnë këtë gjë, bëhet. Partnerët tanë do bëjnë presion që kjo gjë të bëhet.

-Politika tentoi ta bllokojë reformën në drejtësi për dy vite. Kush i trembet reformës në drejtësi dhe a pritet të ketë arrestime të zyrtarëve të lartë?

Ata që kanë shpëtuar paq nga procese shumë të vështira. Këta persona kanë dalë të palagur, sepse gjykatësit dhe prokurorët i kanë emëruar vetë. Të gjithë gjykatësit që janë në postet më të larta të sistemit gjyqësor, janë të emëruar në kohën kur Berisha ishte 8 vjet në pushtet. Fakti që po zgjatet kaq shumë zbatimi i reformës në drejtësi, sigurisht ka njerëz që i tremben reformës. Gjërat që kur u nisën janë përcaktuar qartë, se kush do ta bëjë dhe si do ta bëjë reformën. Nuk ka më rrugë për t'u kthyer mbrapsht! Dhe unë besoj fort se reforma nuk do shtyhet. Reforma do bëhet mbase që në këtë legjislaturë. Tani po vjen një kohë që do të kërkohet llogari. Politikanët që e ndjejnë veten të prekur nga kjo reformë, tremben. Akti i fundit, i dërgimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas për t'ia lënë Komisionit të Venecias, janë tentativa për ta zvarritur procesin. Nuk është aq e lehtë kur në valle janë SHBA dhe BE.

-Flitet se shumë zyrtarë të lartë paratë i kanë të fshehura në parajsat fiskale. Sa i lehtë do jetë zbulimi i tyre?

Asgjë nuk është e pamundur! Nëse në valle janë SHBA dhe BE, dy superfuqi botërore në fushën politike, ekonomike, është e qartë se nuk është e pamundur.

-Ditët e fundit ka patur tensione mes PS dhe LSI. Si e shihni të ardhmen e koalicionit?

Këto tensione do t'i quaja "matje e pulsit politik". Të dy palët janë aq të mençur sa të kuptojnë se prishja e koalicionit është në dëm të të dy palëve. Probleme do ketë gjithmonë, sepse janë dy forca të ndryshme politike, por që nuk do arrijnë deri aty saqë të prishin koalicionin.

-Këtë muaj do të nisë seriozisht puna e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve. Çfarë prisni ju nga hapja e dosjeve të komunizmit?

Unë nuk pres asgjë! Ky proces do të qetësojë vetëm ata njerëz që kanë dëshirë të dinë se cilët janë ata njerëz që u kanë "rënë në qafë". Do hapen vetëm dosjet e subjekteve dhe jo të bashkëpunëtorëve dhe problemeve. Sipas ligjit, çdo njeri mund të shkojë të shohë dosjen e vet, dhe kaq! Nëse një individ sheh se në dosjen e tij ka shpifje, mund të kërkojë se kush i ka thënë, mund të zbulohet emri i bashkëpunëtorit që paska bërë gjëra të tilla. Askush nuk e ka sot mendjen te hapja e dosjeve, përveçse ndonjë kurjozi që do të dijë se çfarë ka ndodhur. Nëse kjo çështje do ishte në gjendje të shkaktonte konflikte sociale, hapja e dosjeve do kërkohej me ngulm. Tani ka kaluar shumë kohë, saqë edhe dosjet janë ndryshkur! Fatkeqësisht, hapja e dosjeve do përdoret vetëm për të sharë njëri-tjetrin. Pra, do përdoret si "gjueti shtrigash", ashtu siç është përdorur në këto 25 vite. Kanë kaluar 26 vjet dhe pas kaq viteve janë ndryshkur dhe hekurat më të mëdhenj…! Është shumë vonë!

-A do ta ketë të vështirë punën Autoriteti, pasi shumë dosje janë zhdukur?

Do ta ketë më të lehtë punën, sepse do hapë vetëm dosjet që ekzistojnë. Shumë dosje janë zhdukur, dosjet më të mëdha nuk janë më.

MPJ reagon për ndalimin e Haradinajt

Posted: 05 Jan 2017 01:20 AM PST

 

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka reaguar pas ndalimit në Francë të Ramush Haradinajt, duke e cilësuar atë si të "dënueshëm", pasi, siç thotë Bushati, "dihet botërisht se drejtësia ndërkombëtare e ka çliruar atë nga të gjitha akuzat".

"I bëj thirrje autoriteteve franceze, si një prej shteteve me kontribut thelbësor për Kosovën shtet, të qartësojnë situatën duke liruar menjëherë Ramush Haradinajn.

Çdo përpjekje e Serbisë për të përbaltur luftën çlirimtare të Kosovës do të dështojë, sikurse dështuan politikat genocidiste të Millosheviçit në Kosovë, të cilave Ramushi dhe UÇK-ja ju kundërvunë", shprehet Bushati.

"Ky akt për fat të keq dëmton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Proces, i cili kërkon gjurmë provash të pakundërshtueshme, e jo përbetime artificiale, për të ecur me vendosmëri përpara, duke hequr dorë nga provokimet dhe aplikimi i metodave që s’kanë aspak lidhje me të ardhmen e përbashkët të Kosovës e Serbisë në familjen europiane", shton Bushati në reagimin e tij.

FOTO/ Vendet e paeksploruara europiane që duhet ti vizitoni

Posted: 05 Jan 2017 01:11 AM PST

Në fakt, Evropa nuk është një destinacion i panjohur për udhëtarët. Për madhësinë e saj relativisht të vogël, ajo ka një përzierje joshëse të arkitekturës, ushqimit dhe natyrës së mrekullueshme.

Parisi, Venecia dhe Londra mbeten qytetet më të vizituara nga turistët.

Por, nëse jeni duke planifikuar një udhëtim rreth kontinentit, pse nuk provoni të vizitoni pjesë të tjera të saj?

Ju do të keni një eksperiencë, e cila padyshim do të ndryshojë nga ato që keni provuar më parë.

1.  Malta

 

2. Lihtenshtejni 

 

3. Lituania

 

4. Hungaria

 

5. Ukraina

 

6. Serbia

 

7. Sllovenia

 

Obama: Demokratët të luftojnë kundër Trumpit për reformën shëndetësore

Posted: 05 Jan 2017 12:57 AM PST

 

Presidenti amerikan Barack Obama nxiti demokratët që të luftojnë për reformën e tij shëndetësore, ndërsa ekipi i Trumpit është zotuar se shfuqizimi i këtij ligji do të jetë një prioritet.

Gjatë një takimi privat që zgjati dy orë, Obama u përpoq të bashkonte anëtarët e partisë së tij, pikërisht kur republikanët ndërmorën hapin e parë për të shpërbërë një nga pjesët më të rëndësishme të trashëgimisë së presidentit.

Republikanët votuan në Senat për një rezolutë buxheti që e lë pa fonde ligjin që njihet si "Obamacare".

Ky i fundit mbuloi me sigurime shëndetësore 20 milionë amerikanë më shumë, por efektet e tij anësore ishin rritja e çmimit të sigurimit dhe largimi i kompanive kryesore të sigurimeve nga skema, duke i lënë amerikanëve shumë më pak zgjedhje.

Zyrtarë demokratë thanë se Obama i kishte kërkuar të luftonin për të mbrojtur ligjin e tij kryesor.

Ata gjithashtu shtuan se ai i kishte kërkuar të qëndronin të fortë, ndërsa republikanët përgatiten që të marrin kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe dy dhomave të Kongresit për herë të parë në një dekadë.

Është e qartë se Obama nuk është gati që të heqë dorë nga ligji i tij, por duke e ditur se pas 20 janarit demokratët do të jenë thjesht figurantë në Senat dhe Dhomën e Ulët të Përfaqësuesve, ata kanë vendosur të flasin me forcë sa kanë mundësi.

Mbi të gjitha, duke i mëshuar faktit se republikanët po nxitojnë të eleminojë "Obamacare", por nuk kanë dhënë asnjë plan se me çfarë do ta zëvendësojnë.

Itali/ Pronari shqiptar vret me thikë punëtorin dhe merr vetë në telefon policinë

Posted: 05 Jan 2017 12:55 AM PST

 

Një shqiptar ka vrarë me thikë një shtetas të huaj në Itali. Ngjarja ka ndodhur në Xhenova dhe sipas mediave italiane shqiptari rreth 35-vjeçar ishte pronari i një furre buke dhe prodhimeve të brumit.

Mësohet se ai ka bërë sherr për çështje pune me të punësuarin e tij një 25-vjeçar.

Nga fjalët sherri ka degjeneruar dhe shqiptari ka rrëmbyer një thikë dhe e ka goditur disa herë në gjoks.

I riu është mbuluar në gjak.

Kur ka parë ç'ka bërë, shqiptari ka njoftuar vetë policinë.

Policia dhe ambulanca mbërritën shpejt në vendin e ngjarjes, por për të riun nuk kishte më asnjë shpresë, pasi goditjet e thikës ishin vdekjeprurëse.

Policia ka ndaluar shqiptarin dhe po heton për ngjarjen.

Tenton të vrasë 43-vjeçarin pse hyri në fshat pa leje

Posted: 05 Jan 2017 12:50 AM PST

 

Policia e Dibrës ka arrestuar në flagrancë Arjan Skënderin.

35-vjeçari lindur dhe banues në Kllobçisht të Maqellarës ka tentuar të vrasë me armë zjarri A. B, 43 vjeç, lindur e banues në Okshatinë të Shupenzës.

Ngjarja ka ndodhur në 4 janar rreth orës 10:30, në vendin e quajtur varrezat e fshatit Kllobçisht, në rrugën automobilistike të këtij fshati.

Arjan Skënderi sapo ka parë 43-vjecarin i cili ka qenë duke drejtuar mjetin Opel Corsa,  është afruar tek makina e tij dhe ka qëlluar një herë me armë zjarri mbi xhamin e pasëm, xham i cili është thyer plotësisht.

Shtetasi  A. B.  nuk është lënduar nga e shtëna me armë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore rezultoi se  motivi i ngjarjes ka qenë se shtetasi i arrestuar nuk ka dashur që shtetasi A.B, të vinte në këtë fshat, pasi në vitin 2007, vellai i shtetasit A. B ka vrarë me armë zjarri shtetasin J. M. (dhëndri i Arjan Skënderit).

Grupi hetimor ka kryer veprimet në vendin e ngjarjes, por nuk u arrit të gjendet gëzhoja për shkak të motit të keq me dëborë. Dyshohet se pistoleta mund të ketë qenë me mulli.

Vijojnë veprimet për gjetjen e gëzhojës dhe të armës së zjarrit, si  dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

 

Related Posts :