Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Emergjencat Civile: Situata e motit dhe masat deri në orën 21:00” plus 9 more Lajmet

loading...

“Emergjencat Civile: Situata e motit dhe masat deri në orën 21:00” plus 9 more Lajmet


Emergjencat Civile: Situata e motit dhe masat deri në orën 21:00

Posted: 07 Jan 2017 12:37 PM PST

Temperaturat nën zero dhe dëbora e rënë kanë krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor, sidomos në akset që lidhin zonat rurale, e shoqëruar kjo edhe me probleme të furnizimit me energji elektrike.

Strukturat e Emergjencave Civile në qarqe dhe firmat për pastrimin e dëborës kanë qenë në krye të detyrës ndërsa Policia Rrugore ka vijuar me kontrollin e mjeteve për pajisjen me zinxhirë në akset me probleme të akullit e borës në rrugë.

Nga informacionet më të fundit rezulton që në një pjesë të mirë të zonave ku ka pasur mungesë energjie, është stabilizuar gjendja, ndërsa po punohet për të rregulluar defektet në zonat që kanë mbetur pa energji.

Ndërkohë siç njoftohet nga buletinet meteorologjike, në 12 orët në vazhdim pritet që të ketë ulje të mëtejshme të temperaturave të ajrit sidomos në zonat malore.

Nga informacionet e mbledhura në Drejtorinë e Emergjencave Civile, situata në akset rrugore në të gjithë vendin, deri në orën 21:00 të mbrëmjes së sotme paraqitet si më poshtë:

QARKU KUKËS
Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme me zinxhirë.
Në Rrugën e Kombit po punohet me mjete borëpastruese për pastrimin e saj nga bora dhe akulli.
Akset Kukës- Has-Tropojë dhe Tropojë-Qafë Morinë qarkullimi kryhet me zinxhirë.
Akset rurale të njësive administrative: Grykë Çajë, Kalis, Arrën, Surroj, Topojan Shishtavec, vijojnë të jenë të bllokuara.
Akset rurale të njësisë administrative Gjinaj, Has, janë bllokuar nga reshjet e dëborës.
Në disa fshatra të njësive administrative, Lekbibaj, Gjinaj, Grykë Çajë, Arrën, Kalis, Bushtricë ka pasur mungesë të energjisë elektrike.

QARKU DIBËR
Aksi rrugor kombëtar Qafë Bualli-Peshkopi, njësia administrative Maqellarë, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Policia po mban në monitorim këtë aks rrugor ndërsa janë angazhuar 4 mjete borëpastruese.
Aksi rrugor Peshkopi -Lurë, vazhdon të jetë i bllokuar. Po punohet me një fadromë për hapjen e saj.
Aksi rrugor Peshkopi –Selishtë është i kalueshëm me zinxhirë. Pas një pune intensive është bërë e mundur hapja e këtij aksi rrugor.
Rruga Ura e Çerenecit-Steblevë, është hapur dhe qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.
Aksi rrugor Peshkopi-Kala e Dodës, qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

QARKU SHKODËR
Aksi rrugor Shkodër-Qafë Thore-Theth është i bllokuar pasi trashësia e borës ka arritur 1 metër. Po punohet me 4 fadroma për hapjen e këtij aksi rrugor.
Aksi rrugor Shkodër- Bregu Lumit është i bllokuar në vendin e quajtur Mali i Shoshit. Po punohet me 2 fadroma për hapjen e aksit rrugor.
Në tre njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Pult vazhdon të jetë problem mungesa e energjisë elektrike.
Aksi rrugor Qaf Mali-Fierzë është i bllokuar. Trashësia e dëborës është 1.2 metër. Po punojnë 2 borëpastruese dhe 1 fadromë për hapjen e aksit rrugor.
Aksi rrugor Bardhet-Iballë dhe Qafë Qerreti -Qelëz, është i bllokuar. Trashësia e dëborës në Qafë Shari është rreth 70 cm. Po punojnë 2 fadroma për hapjen e aksit rrugor.
Aksi rrugor Fush Arrëz – Qafë Shllak, është i qarkullueshëm me zinxhirë. Trashësia e dëborës është 1 m.
Po punojnë 2 fadroma në këtë aks rrugor.
Aksi rrugor Qafë Çelë – Pukë-Fushë Arrës, i kalueshëm me zinxhirë.
Po punojnë 4 borëpastruese dhe 1 fadromë në këtë aks rrugor.
Aksi rrugor Hadroi – Qafë Benë, i kalueshëm me zinxhirë. Po punojnë 1 borëpastruese dhe 1 fadromë për mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor.
Si shkak i motit me erë të fortë ka pasur probleme furnizimi me energji elektrike në bashkinë Pukë dhe në disa fshatra të Njësive Administrative Iballë, Fierzë, Blerim dhe Gjegjan.
Segmenti rrugor Bogë – Qafë Thore, Selcë (Shkemb i Kuq) – Budaqë (Vermosh) janë të bllokuara. Në vendin e quajtur "Gropat e Selcës" ka rreth 70 cm dëborë.
Po punojnë tre fadroma nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe Ministria e Mbrojtjes për hapjen e akseve rrugore në bashkinë Malësi e Madhe.
Segmenti rrugor Shllak- Temal vazhdon të jetë i bllokuar.

QARKU LEZHË
Aksi rrugor Kallmet-Ungrej, është i qarkullueshëm me zinxhirë.
Aksi rrugor Rrëshen- Tuneli i Kalimashit është i kalueshëm me zinxhirë. Firma kontraktore po punon me 7 borëpastruese për të siguruar kalueshmërinë në rrugë.
Aksi rrugor Rrëshen – Burrel është i hapur por në pjesë të caktuara ka vështirësi kalimi si pasojë e ngricave. Firma kontraktore po punon me fadroma për të mbajtur të hapur rrugën.
Akset rrugore rurale të njësive administrative, Fan, Orosh, dhe Selitë janë bllokuar nga dëbora e cila ka arritur trashësinë 35-100 cm. Firmat kontraktore janë duke punuar, por ka vështirësi për shkak të ngricave.
Në njësitë administrative Fan, Orosh dhe Selitë ka mungesë të energjisë elektrike.
Policia Rrugore po monitoron kalimin e automjeteve në akset rrugore.

QARKU ELBASAN
Aksi rrugor Librazhd-Stëblevë pas një pune intensive është bërë i kalueshëm me zinxhirë. Në Njësinë Administrative Stëblevë është rikthyer në normalitet furnizimi me energji elektrike.
Në Njësitë administrative: Kodovjat dhe Skënderbegas të bashkisë Gramsh pas një pune nga grupet e OSHEE është rikthyer energjia elektrike.
Situata është drejt normalitetit.

QARKU KORÇË
Të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme pa zinxhirë, me përjashtim të aksit rrugor Pogradec-Lin i cili është i qarkullueshëm me zinxhir.
Nuk raportohen probleme të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.

7 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Emergjencat Civile: Situata e motit dhe masat deri në orën 21:00 appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Shpërndanin drogë në Qytetin Studenti, arrestohen 5 të rinj

Posted: 07 Jan 2017 11:37 AM PST

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar 'Nata e Ftohtë', në kuadër të të cilit janë arrestuar 5 të rinj me akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike. Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se janë vënë në pranga shtetasit Klajdi Llapi, 20 vjeç, banues në Tiranë; Dorian Rapushaj, 21 vjeç, banues në Tiranë; Marin Tona, 20 vjeç, banues në Tiranë; Devi Hajro, 19 vjeç, banues në Tiranë dhe Nimert Hoxhaj, 19 vjeç, banues në Tiranë.

Të arrestuarit dyshohet se shpërndanin bimë narkotike kryesisht në godinat e "Qytetit Studenti" në rrugën "Budi".

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e marrë prej tyre me qira janë gjetur rreth 27 gramë bimë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa e ndarë në porcione gati për shitje.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të "Prodhim dhe shitje të narkotikëve e kryer në bashkëpunim''.

7 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Shpërndanin drogë në Qytetin Studenti, arrestohen 5 të rinj appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Sulmi në Florida, autori një ish-ushtarak me probleme mendore

Posted: 07 Jan 2017 11:09 AM PST

Autori i dyshuar i sulmit në Aeroportin Fort Lauderdale të Floridas është një veteran lufte në Irak.

26 – vjeçari Esteban Santiago është marrë në pyetje nga policia pas sulmit të së premtes ku humbën jetën pesë persona dhe u plagosën tetë të tjerë.

Zyrtarët amerikanë thonë se ende nuk e kanë përjashtuar mundësinë se ky akt mund të jetë terrorist. Mediat atje shkruajnë se i ndaluari mund të ketë patur probleme mendore.

Ai mësohet të ketë thënë se qeveria po kontrollonte mendjen e tij dhe e detyroi të shihte video xhihadistësh.

Santiago hapi zjarr në zonën e marrjes së bagazheve të Terminalit 2 teksa pasagjerët po merrnin valixhet e tyre. Dëshmitarë thanë se ai po ecte qetësisht dhe nuk tha asnjë fjalë teksa hapi zjarr ndaj atyre që po tentonin të largoheshin apo të fshihenin. Ai iu dorëzua policisë kur i mbaruan municionet.

26 – vjeçari mbante veshur një bluzë të Star Wars dhe kishte udhëtuar nga Alaska. Ai kaloi me armë të zbrazur dhe municionet i kishte në valixhe dhe e mbushi armën gjysmë – automatike në tualet, pasi kishte zbritur dhe kishte marrë bagazhet e tij.

Sipas Pentagonit, i dyshuari i këtij sulmi është një ish – anëtar i Gardës Kombëtare të Puerto Rico –s dhe Alaskës. Ai ka shërbyer në Irak nga Prilli i vitit 2010 deri në Shkurt të 2011 –ës dhe e përfundoi shërbimin e tij në Gusht të 2016 – ës.

7 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Sulmi në Florida, autori një ish-ushtarak me probleme mendore appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Kim Kardashian rrëfen tmerrin e grabitjes në Paris: Donin të më qëllonin pas shpine

Posted: 07 Jan 2017 11:09 AM PST

Për herë të parë, ylli i reality show, Kim Karadashian ka folur për grabitjen teksa gjendej në një hotel në Paris gjatë javës së modës, një ngjarje që përfundoi në faqet e gazetave të të gjithë botës.

Gjatë serisë së shkuar të "Keeping Up With A Kardashians", një realiy show i realizuar mbi jetën e familjes së saj të famshme, 35-vjeçarja ka shpërthyer në lot kur ka kujtuar momentet e tmerrshme: "Donin të më qëllonin pas shpine, nuk kisha shpëtim", ka rrëfyer Kim e rrethuar nga motrat e saj.

Në të njëjtën seri të programit të njohur, ylli i televizionit merr edhe telefonatën e që e lajmëron për shtrimin e bashkëshortit të saj, Kanye West, në qendrën shëndetësore të Ucla për shkak të problemeve me depresionin.

7 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Kim Kardashian rrëfen tmerrin e grabitjes në Paris: Donin të më qëllonin pas shpine appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Mund të gjeni kush është nëna?

Posted: 07 Jan 2017 10:54 AM PST

Për shumë vajza të reja teksa rriten, ëndrra më e madhe është të bëhen si nëna e tyre. Por Natalie, Jazmyne dhe Tamika Wardell nuk janë thjesht të ngjashme, ato janë thuajse identike.

Tamika Wardell, 45 vjeçe, nga Australia është nëna e dy vajzave 21 dhe 19 vjeçe, por edhe pse ka pothuajse gjysmën e moshës së tyre, rrëfen se shpesh kur dalin të tria, e ngatërrojnë për motrën e vajzave.

Tri biondet janë të pandara, në dreka, festa apo për të parë një film në kinema dhe për nënë 45-vjeçare, 2 vajzat e saj janë shoqet më të mira që mund të kishte.

7 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Mund të gjeni kush është nëna? appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Zyrtare, Armando Sadiku firmos me Luganon

Posted: 07 Jan 2017 10:37 AM PST

Armando Sadiku është zyrtarisht lojtar i Luganos në Superligën e Zvicrës. Sulmuesi i kombëtare shqiptare është transferuar te kjo skuadër në formë huazimi deri në përfundim të sezonit. Marrëveshja përfundimtare mes palëve u arrit paraditen e kësaj të shtunë, me hedhjen e te zezës mbi të bardhë. 25-vjeçari kthehet kështu te skuadra ku shënoi 24 gola në 43 ndeshje për një sezon e gjysmë nga korriku i 2012-ës deri në janar të 2014-ës në Challenge League.

Te Lugano do të jetë nën udhrat e trajnerit Paolo Tramezzani, ish-ndihmësit të De Biasit, i cili pikërisht në dhjetor mori zyrtarisht drejtimin e skuadrës jugore të Zvicrës. Ishte këmbëngulja e Tramezzanit që ndikoi në arritjen e marrëveshjes me dy klubeve, pasi për sulmuesit shqiptar në ditët e fundit të 2016-ës këmbënguli edhe Vaduzi, por pa mundur ta mposhtë rivalitetin e Luganos. Zyrihu pranoi ta huazonte Sadikun për faktin e kryeson Chellenge Leage me 12 pikë më shumë se Xamaxi, çka do të thotë se rikthimi në elitën e futbollit zviceran për këtë skuadër mbetet formalitet.

Gjatë pjesës së parë të këtij sezoni Sadiku u aktivizua në 9 ndeshje, duke shënuar 5 gola, por për shkak të pranisë së disa sulmuesve cilësorë në skuadër, drejtuesit e Zyrihut pranuan ta huazonin te Lugano.

7 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Zyrtare, Armando Sadiku firmos me Luganon appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Krujë, shpërthen bombola e shkumës në lavash, humb jetën 44-vjeçari

Posted: 07 Jan 2017 10:35 AM PST

Një person ka humbur ditën e sotme për shkak të shpërthimit të bombolës së shkumës që përdoret në lavazhe.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën Fushë Krujë-Krujë, ku shtetasi me iniciale Y.B, 44 vjeç ka qenë duke punuar në lavazhi kur i ka shpërthyer bombola dhe ka mbetur i plagosur rëndë.

44-vjeçari është transportuar me Urgjencë në Spitalin Ushtarak ku ka ndërruar dhe jetë si pasojë e plagëve të marra.

7 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Krujë, shpërthen bombola e shkumës në lavash, humb jetën 44-vjeçari appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Florida, lap top-i e shpëton nga vdekja gjatë sulmit në aeroport

Posted: 07 Jan 2017 10:24 AM PST

Ia detyron jetën e tij 'lap top'-it. Steve Fraipper, 37 vjeç, arriti të shpëtojë për mrekulli nga të shtënat me armë zjarri ku u përfshi ndërsa ishte duke tërhequr bagazhet në aeroportin Fort Lauderdale, në Florida, ku vrasësi Esteban Santiago vrau pesë persona dhe plagosi 13 të tjerë.

"Kur dëgjova të shtënat e para, si fishekzjarrë dhe njerëzit që ulërinin se në sallë ndodhej një njeri që qëllonte, u hodha në tokë me bark në dysheme, – ka treguar për shtypin, pasi kishte postuar në "Facebook" foton e dëmit të pësuar nga një plumb në 'lap top'-in e tij. Në shpatull kisha çantën e shpinës me kompjuterin që më shpëtoi".

Në ato momente dramatike, Steve Fraipper, drejtor i kolegjit universitar Westminster Schools në Atlanta, kujton se qëndroi pa lëvizur dhe i mbuluar nga çanta e tij e shpinës, e përdorur si një "guaskë breshke". "Në një moment, – vazhdon tregimin i mbijetuari, – ndjeva një goditje në shpinë, pranë meje pashë një person që u qëllua në kokë".

"Vetëm kur gjithçka përfundoi, – vijon 37-vjeçari, – munda të shkoj në banjë për të parë se çfarë më kishte ndodhur dhe kuptova që 'lap top'-i më kishte shpëtuar jetën, duke u kthyer në mburojë".

Fraipper i ka dorëzuar çantën e shpinës dhe kompjuterin portabël FBI-së: investiguesit kanë marrë plumbin në brendësi të aparatit. "Nuk më duket e vërtetë", – përsërit amerikani me fat.

7 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Florida, lap top-i e shpëton nga vdekja gjatë sulmit në aeroport appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Runi në historinë e Junajtid, thyen rekordin e golave të Charlton

Posted: 07 Jan 2017 09:36 AM PST

Runi

Uejn Runi, me golin e shënuar sot ndaj Ridingut në FA Cup, është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Mançester Junajtid. Ai ka thyer rekordin e mitikut Sër Bobby Charlton, duke arritur në kuotën e 249 golave në të gjitha veprimtaritë. Charlton ka luajtur me Junajtid 758 ndeshjes mes viteve 1956 dhe 1973. Runi luan me "Djajtë e Kuq" nga 2004, duke zhvilluar deri tani 543 ndeshje. Charlton asistoi në tribunën e "Old Traford" gjatë momentit të shënimit të golit nga Runi.

Sulmuesi britanik, ka shënuar deri tani 249 gola. Nga këto, 192 i ka shënuar me këmbën e djathtë, 27 me të majtën dhe 30 me kokë. Në analizën e golave të tij, ekziston edhe një fakt domethënës: ka shënuar 213 nga 249 golat e tij në brendësi të zonës së rreptësisë.

Për statistikë, ndeshja kundër Riding përfundoi 3-0 në favor të skuadrës së Murinjos.

7 janar 2016 (Stilografi.com)

The post Runi në historinë e Junajtid, thyen rekordin e golave të Charlton appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Durrës, gjendet një person i vdekur nga i ftohti. AP: Tragjedi e paralajmëruar

Posted: 07 Jan 2017 09:34 AM PST

Temperaturat e ulëta të ditëve të fundit kanë shënuar viktimën e parë në qytetin bregdetar të Durrësit. Një i pastrehë është gjetur i pajetë ditën e sotme në lagjen nr. 17 të këtij qyteti.

Viktima, rreth 30 vjeç identiteti i të cili ende nuk bëhet me dije, njihej si endacak dhe person me probleme mendore.

Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar për ngjarjen, dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e temperaturave të ulëta.

Ndërkohë Avokati i Popullit, Igli Totozani, shpreh dhimbjen e thellë për humbjen e jetës së një njeriu të pastrehë në Durrës, për shkak të të ftohtit, sic raportohet edhe në media. "Kjo është një tragjedi njerëzore e paralajmëruar. Drejtuesit vendor nuk duhet të presin që të pastrehët apo të vobektit t'u zënë derën e zyrës, por të dalin vetë në terren së bashku me stafet e tyre, të identifikojnë qytetarët në nevojë dhe t'u ofrojnë atyre ndihmë dhe strehë", shprehet Totozani.

Avokati I Popullit i bën thirrje edhe qytetarëve që të njoftojnë organet lokale dhe punonjësit e Policisë së Shtetit sa herë të shohin në rrugë njerëz të pastrehë, fëmijë apo të moshuar të braktisur. "Të gjithë duhet të kontribuojmë në mbrojtje të së drejtës së jetës", thekson Avokati i Popullit, z. Igli Totozani.

7 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Durrës, gjendet një person i vdekur nga i ftohti. AP: Tragjedi e paralajmëruar appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Related Posts :