Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Iluzioni i ilaçeve të lira, shpenzojmë më shumë se nuk bëjnë efekt” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“Iluzioni i ilaçeve të lira, shpenzojmë më shumë se nuk bëjnë efekt” plus 9 more - Gazeta Dita


Iluzioni i ilaçeve të lira, shpenzojmë më shumë se nuk bëjnë efekt

Posted: 04 Jan 2017 01:58 AM PST

 

Teksa çmimet e barnave janë ulur të paktën me  2% këtë vit sipas INSTAT, importi i tyre është rritur dukshëm.

Nga të dhënat e Doganave mësohet për periudhën 11 mujore (janar-nëntor 2016) importet e ilaçeve shënuan një rritje vjetore në vlerë me 9%, duke arritur në 19 miliardë lekë, ose 138 milionë euro.

Burimet nga tregu pohojnë se vlera e lartë e ilaçeve i korrespondon volumeve më të larta të importit, teksa tregu po vuan pasojat e medikamenteve jo cilësore. Për rrjedhojë qytetarët paguajnë më shumë, pasi duke blere dy tre herë ilaçet për një kurë harxhojnë më shumë se më parë. Mjekët dhe farmacistët pohojnë se në listën e barnave të rimbursuara janë futur ato më të lirat, që kanë më pak efekt.

Këtë e tregon edhe gjeografia e importit të ilaçeve, kur shihet se importet e tyre nga Gjermania kanë rënë me 20 për qind, teksa shihet një rritje e tyre me Rajonin.

Tregu i barnave në Shqipëri është rregulluar, ndërkohë që barnat dhe shërbimet farmaceutike ofrohen nga sektori privat. Së fundmi, është ngritur Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Materialeve Mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë thotë se si pasojë e masave për të rritur aksesin në barna të sigurta dhe ulur barrën financiare të tyre, prej vitit 2015 mjaft barna tregtohen me çmime rreth 30% më të lira krahasuar me vitin 2013.

Programi i qeverisë parashikon uljen e çmimit të shitjes së barnave në Shqipëri.

Ndërkohë, janë përjashtuar nga TVSh 10% barnat dhe materialet mjekësore dhe nga TVSH 20% materialet mjekësore të implantueshme./Monitor

grafik-importi-i-produkteve-farmaceutike

Si e priti Vitin e Ri Dritëro Agolli (FOTO)

Posted: 04 Jan 2017 01:50 AM PST

 

Patriarku i letrave shqipe mbushi vitin e kaluar 85 vjeç.

Pak javë më pas, troket Viti i Ri, 2017 dhe shkrimtari feston në gjirin e familjes.

Në fotografitë që ka publikuar mbesa e tij Ana në profilin e nënës Elona Agolli, shihet shkrimtari në kolltukun e tij së bashku me të shoqen, Sadijen.

I dobët dhe me oksigjen në hundë, Dritëroi i bashkohet çasteve festive të familjes duke qëndruar i fortë pavarësisht sëmundjes që e mundon prej vitesh.

15822782_1497492606942774_8071815001144668275_n

15826372_1497492600276108_3558553375417312983_n

266425_m

10 qytetet më mahnitshme të humbura

Posted: 04 Jan 2017 01:41 AM PST

Qytetet e humbura janë reale, të begata dhe zona të mirë-populluara që janë prekur nga rënia përfundimtare dhe vendndodhja e të cilave më vonë humbi.

Shumë qytete janë gjetur dhe janë studiuar gjerësisht nga shkencëtarët.

Këtu keni listën e dhjetë prej qyteteve më të mahnitshme të humbura në botë.

Machu Picchu, Peru: Qyteti i humbur i Inca-s

1

Machu Picchu (Kreshta e vjetër) është qytet i Kolumbisë së lashtë në 2,430 metra lartësi mbi luginën Urubamba, pranë Cusco-s.

Angor, Kamboxhia: Monumenti fetar më i madh në botë

2

Angkor shërbeu si qendra e perandorisë Khmerer, që lulëzoi nga shekulli i 9-të deri në atë të 15-të pas Krishtit.

Memfis, Egjipt: kryeqyteti i lashtë i Egjiptit

3

Memfis ishte kryeqyteti i lashtë i Egjiptit të Ulët dhe i Mbretërisë së Vjetër të Egjiptit deri në vitin 2200 para Krishtit.

Petra: Struktura guri gdhendur në shkëmb

4

Petra (shkëmb) shtrihet në shpatin e malit Hor (Jordani) në një liman mes maleve që formojnë krahun lindor të Arabah (Wadi Araba).

Palmira, Siri: Nusja e shkretëtirës

5

Qytet karvan për udhëtarët që kalonin shkretëtirën siriane. Njihej si "Nusja e shkretëtirës". Nuk u përdor më pas shekullit të 16-të.

Pompei, Itali: Varroset nga vullkani

6

Së bashku me Herkulaneum-in, ky qytet romak pranë Napolit modern u shkatërrua nga shpërthimi 2-ditor i vullkanit në malin Vesuv, në 24 gusht '79.

Palenque, Meksikë: qyteti më i bukur në Maya

7

Palenque është një qytet i lashtë "Maya" pranë lumit Usumacinta në shteti meksikan të Chiapas. Braktiset pas shekullit të 10-të.7

Vijayanagar, Indi: kryeqyteti i perandorisë së madhe

8

Vijayanagar themelohet nga princat Harihara dhe Bukka të dinastisë Sangama në vitin 1336. Lulëzon nën Krishnadevaraya (1509-29).

Efes, Turqi: qytet i krishterimit të hershëm

9

Ishte qytet i Greqisë së Jonit në Anatolian e lashtë. Efesi ishte vendndodhja e një prej 7 kishave të Azisë që përmenden tek Zbulesa 2:1-7.

Sanchi, Indi: monumentet e budistëve

10

Sanchi është një kodër me majë të sheshtë, 90 metra mbi fshatin dhe aty ndodhen monumentet më të ruajtura të budistëve në Indi.

Edhe 3 muaj gjendje e jashtëzakonshme në Turqi, kryeministri akuzon sërish SHBA-në

Posted: 04 Jan 2017 01:30 AM PST

 

Kryeministri i Turqisë Binali Yildirim të martën në Ankara deklaroi se vetëm Turqia lufton kundër organizatës terroriste DEASH, duke akuzuar kështu drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara te Amerikes.

"Kjo është dita e 133-të e ofensivës 'Mburoja e Eufratit'. Deri më sot kemi neutralizuar 1.270 pjesëtarë të DEASH-it, ndërsa së bashku me të kapurit ky numër shkon në 1.561. Tani bota, flet për DEASH-in, luftën, atë, këtë… Ata rrejshëm luftojnë, vetëm flasin. Vetëm Turqia lufton. Amerika nuk bën asgjë, apo dikush tjetër. Asgjë tjetër përpos fjalëve", deklaroi Yıldırım gjatë fjalimit në takimin e grupit parlamentar të Partisë në pushtet të Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti) në Kuvendin e Madh Popullor të Republikës së Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Më pas kryeministri turk Yildirim deklaroi se Kuvendi këtë javë do të shqyrtojë propozim vendimin për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme në këtë vend për edhe tre muaj.

"Gjatë kësaj jave Parlamenti do të shqyrtojë propozim vendimin për vazhdimin e misionit në Afganistan dhe propozim vendimin për vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme për edhe tre muaj", tha Yildirim.

Gjendja e jashtëzakonshme në Turqi është shpallur pas 15 korrikut të vitit 2015, kur organizata terroriste FETO tentoi të kryejë grusht shteti.

Një lajm i mirë për njerëzit me grupin e gjakut zero

Posted: 04 Jan 2017 01:21 AM PST

 

Personat me grupet e gjakut A, B apo AB kanë rrezik më të madh nga sëmundja e zemrës sesa personat me grupin 0 (zero), sipas një studimi të shkencëtarëve amerikanë.

Sipas shkencëtarëve nga Universiteti i Harvardit, njerëzit me grupin e gjakut 0 (zero) kanë një mbrojtje natyrore nga sëmundjet e ndryshme të zemrës.

Shkencëtarët kanë zbuluar se personat me grupin AB të gjakut, që njëherësh është edhe grupi më i rrallë i gjakut, por me riskun 23 për qind më të madh që të pësojnë goditje në zemër, krahasuar me të tjerët.

Njerëzit me grupin B të gjakut rrezikojnë me 11 për qind, ndërsa ata me grupin A, deri 5 për qind se do mund të pësojnë goditje në zemër.

Shkencëtarët besojnë se grupi 0 i gjakut ka substanca të caktuara në gjak, të cilat ndihmojnë qarkullimin dhe zvogëlojnë mundësinë e problemeve në gjak.

Grupi A i gjakut ndërlidhet me nivelet e larta të kolesterolit të keq në gjak, derisa grupi AB i gjakut është më shumë i ekspozuar ndaj shfaqjes së pezmatimeve, të cilat kanë rol kyç në dëmtimin e arterieve.

"Njerëzit nuk mund ta ndryshojnë grupin e gjakut, por mund të ndryshojnë mënyrën e të ushqyerit apo të ruhen nga stresi e depresioni nëse mësojnë se janë persona me risk nga telashet me zemrën", deklaroi profesori i Harvard, Lu Ki.

Ku është fustani i kuq i Lida Cangonjit?

Posted: 04 Jan 2017 01:13 AM PST

 

Nga Luan Rama

Sapo jam kthyer nga shtëpia e Solange d'Angely. Një whisky dhe një bisedë për Lidën.

Flasim për jetën, dashuritë njerëzore, bisedojmë rreth qenies dhe përkufizimit se çështë krijesa njerëzore, por asgjë nuk arrin t'i gjejë përgjigjen pyetjeve tona të mëdha.

Atëherë unë i flas për Lidën, s'dihet pse, ndoshta pse ndërkohë mu shfaq ajo fushë e madhe me trëndelinë tutje shtëpisë së Lida Cangonjit në Marsanne, në jug të Francës, jo larg Lyon-it.

Një fushë ngjyrë vjollcë, me erë trëndeline dhe ajo e dehur apo e çmendur mes tyre, me dëshirën për të ndaluar kohën. Por a mund ta ndalësh atë, kur gjithçka është e lidhur me atë botë kozmike e të panjohur ende?

Marr frymë thellë dhe ndjej ende erën e trendelinës nderkohë që lë Solange në Rue Didot dhe nisem drejt shtëpisë time, dy hapa më tutje. Kujtoj ndërkohë atë rrap të vogël përballë portës së tyre në Marsanne kur uleshim dhe pinim një çaj me Peter, i cili tashmë si një artist i vërtetë ishte njësuar me natyrën dhe nuk shqitej më nga ajo.

Ecja dhe Lida më shfaqej rrugës me të qeshurën e saj, energjinë dhe dashurinë që çlironte ngado.

Papritur, një çast Solange më kishte thënë: "E di, Lida kishte qef të kishte një fustan të kuq dhe kur isha tek ta, ne shëtitëm në fshatrat përreth dhe kur ndaluam diku, unë pashë një dyqan ku kishte një fustan të kuq.

Aktorja Lida Cangonji

Aktorja Lida Cangonji

Atëherë i thashë Lidës: provoje këtë fustan, kam qef të ta bëj peshqesh! Dhe ajo e provoi… Lida shkelqente me atë fustan… U gëzua shumë. Pastaj ata erdhën në Paris tek unë. Peter përkujdesej për ekspozitën e tij. Në mëngjes pinim çajin dhe pastaj ata shkonin, të lumtur, nëpër rrugët e Parisit…

Atë çast pashë sytë e lagësht të Solange. Por edhe në sytë e mi, tashmë binte një shi i hollë!

U ktheva. Ecja rrugës dhe imagjinoja Lidën me fustanin e kuq që ecte nëpër rrugë dhe sfidonte dimrin, të ftohtit, botën që shkiste nën këmbët e saj, botën që shket, gjithnjë…

Ku është tani fustani i kuq i Lida Cangonjit?

Kam dëshirë ta thërras Lidën dhe t'i them ta veshë dhe njëherë për mua, pasi e kuqja ishte në çdo qelizë të saj…

Luan Rama dhe Lida Cangonji

Luan Rama dhe Lida Cangonji

 

Studimi europian për intensitetin e punës: Shqiptarët e marrin me nge

Posted: 04 Jan 2017 01:03 AM PST

 

Shqiptarët mund punojnë me orare të zgjatura, por kur vjen puna te intensiteti i punës ata renditen nën mesataren europiane, sipas Indeksit të Intensitetit të Punës, të matur nga Komisioni Europian në një anketim për kushtet e punës me vendet e BE-së dhe ato kandidate për vitin 2015 (shih grafikun).

Në fakt, i gjithë rajoni i merr punët me nge, madje Shqipëria ka një intensitet më të lartë pune se Serbia, Maqedonia, Kroacia, Bullgaria. Ndërsa presioni më i lartë në punë është në Qipro, Greqi, por dhe në vendet e zhvilluara të Europës, si Franca, Suedia, Britania, Danimarka, Norvegjia.

Sipas INSTAT, në Shqipëri punohet mesatarisht 44 orë në javë, më shumë se mesatarja e vendeve të zhvilluara të OECD-së, por presioni në punë është relativisht i ulët.

E njëjta situatë me orë të zgjatura konstatohet dhe në vendet e tjera të rajonit.

Indeksi i intensitetit të punës  mat nivelin e kërkesave të punës.

Në qoftë se ngarkesa e punës është shumë e lartë, nëse puna absorbon shumë energji mendore dhe fizike, apo nëse puna kërkon zbatimin e kërkesave të rrepta, bëhet e vështirë për të kryer detyrat në mënyrë më efektive.

Për të matur kërkesat e punës, indeksi përfshin: kërkesat sasiore (të punuarit shpejt), presionin e kohës (afate të ngushta, nuk ka kohë të mjaftueshme për të bërë punën), ndërprerje të shpeshta shpërqendruese etj.

Sipas sektorëve, sektori i shëndetësisë ka intensitetin më të madh, në 38 pikë.

Ajo pasohet nga ndërtimi (36), industria (36), shërbimet financiare (36) dhe tregti dhe mikpritjen (35), të cilat të gjitha i kanë mbi mesataren nivelet e intensitetit të punës.

Sipas profesioneve, menaxherët dhe punëtorët artizanale kanë intensitetin më të lartë të punës (36 në indeksin e intensitetit të punës).

Përveç kësaj, profesionistët dhe teknikët (të dy me 35) së bashku me ata të makinerive e pajisjeve dhe nëpunësve (të dyja 34) kanë nivelet e raportit mbi mesataren.

Punonjësit në kontratat e papërcaktuara dhe punëtorët e vetëpunësuar me punonjës kanë nivelet më të larta të intensitetit të punës (të dyja 35).

Punëtorët e vetëpunësuar pa të punësuar kanë rezultatin më të ulët në indeks (27).

Dhe për sa i përket madhësisë së kompanisë, rezultati i indeksit të intensitetit të punës është më i larti në kompanitë më të mëdha (38), e ndjekur nga NVM-të (35) dhe kompanitë mikro (29).

Punëtorët e moshuar raportojnë intensitetin më të ulët të punës se sa punëtorët e rinj dhe të moshës së mesme. Tradicionalisht, puna më intensive u caktohet punëtorëve të rinj, pasi punëtorët më të vjetër e kanë veçanërisht të vështirë.

Burrat dhe gratë raportojnë një nivel shumë të ngjashëm të intensitetit të punës. Burimi dhe komponentët e intensitetit të punës janë të ndryshme, megjithatë; meshkujt raportojnë kërkesat shume sasiore ndërsa gratë raportojnë kërkesat më shumë të lidhura me plotësimin e kërkesave të konsumatorëve./Monitor

266417

“Lavdrim Muhaxheri me 400 ushtarë të besuar është kthyer në Kosovë”

Posted: 04 Jan 2017 12:50 AM PST

 

Gjenerali shqiptar i ISIS-it, Lavdrim Muhaxheri, thuhet se është kthyer në Evropë bashkë me 400 ushtarët e tij më të besuar, duke ikur nga zona e luftës në Siri.

Shërbimet inteligjente italiane thonë se ish-punonjësi i NATO-s, Lavdrim Muhaxheri dhe ushtarët e tij, janë mes mijëra personave që kanë ikur pas humbjeve të betejave të ISIS-it në Siri.

Shumica e luftëtarëve besohet se janë maskuar si refugjatë për t'i kaluar kufijtë dhe për t'u futur në Evropë pa u identifikuar, shkruan "Daily Mail", duke cituar revistën italiane L'Espresso.

Muhaxheri, ndryshe i njohur si Abu Abdullah al Kosova, nuk është vetëm lider shqiptar i ISIS-it, por edhe një ndër figurat më publike, duke u njohur si rekrutues i një numri të madh të xhihadistëve të huaj.

Ai kishte shkuar në Siri në vitin 2012, dhe qysh atëherë është shfaqur në shumë video propagandistike, duke u bërë thirrje shqiptarëve t'i bashkohen xhihadit, e gjithashtu ka publikuar fotografi duke ia hequr kokën një mashkulli.

Italiania L'Espresso, duke i cituar shërbimet inteligjente, ka thënë se afër 400 luftëtarë të kalifatit janë kthyer me të në Kosovë.

 

U burgos për një cigare hashash, kush është 22-vjeçari që u vetëvar në burg

Posted: 04 Jan 2017 12:42 AM PST

Estref Halili një 22-vjeçar nga fshati Kolonjë i Lushnjes, i cili vuante dënimin në burgun e Rrogozhinës u gjet i vdekur në qelinë e burgut.

estref322-­vjeçari u gjet i varur me xhaketën e tij, ndërsa mbeten ende mister shkaqet që e çuan të riun drejt flijimit. JOQ ka publikuar sot edhe një foto të tij.

22-vjeçari ishte transferuar nga qyteti i Fierit për në burgun e Rrogozhinës më datë 26 dhjetor 2016, i ndaluar nga policia, pasi në makinën e tij tip 'Volkswagen' iu gjet një dozë lëndë narkotike kanabis, si dhe një thikë. Ndërsa ishte në pritje të dënimit, i riu nga Lushnja kreu aktin e rëndë.

Si të largoni erën e hudhrës brenda 30 sekondash

Posted: 04 Jan 2017 12:37 AM PST

 

Aroma e veçantë e hudhrës shkaktohet nga allicina, një përbërës i veçantë që gjendet tek hudhra dhe qepa.

Ky përbërës aromatik shpërhapet gjatë përtypjes dhe më pas kalon nga zorrët në enët e gjakut dhe më pas në mushkri.

Kjo është edhe arsyeja pse ndihet aroma e hudhrës gjatë frymëmarrjes.

Sipas studiuesve amerikanë, molla jeshile dhe sallata me të njëjtën ngjyre japin efekt nëse konsumohen 30-40 sekonda pas konsumit të hudhrës.

Related Posts :