Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

INSAJDERI: “Rusia kundërshton akuzat amerikane se Putin ka “urdhëruar” ndërhyjre” plus 19 more

loading...

INSAJDERI: “Rusia kundërshton akuzat amerikane se Putin ka “urdhëruar” ndërhyjre” plus 19 more


Rusia kundërshton akuzat amerikane se Putin ka “urdhëruar” ndërhyjre

Posted: 09 Jan 2017 10:31 AM PST

Zëdhënësi i presidencës së Rusisë, Dmitry Peskov, i ka hedhur poshtë akuzat e paraqitura në raportin e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara, se presidenti i Rusisë, Vlaidmir Putin, personalisht ka urdhëruar sulme kibernetike dhe fushatë dezinformuese për ta ndihmuar Donald Trumpin, që të fitoj në zgjedhjet presidenciale amerikane më 8 nëntor të vitit të kaluar.

Zoti Peskov u tha sot gazetarëve në Moskë se raporti i inteligjencës përmbanë "akuza të pabaza të mbështetura me asgjë" dhe se ishte "bërë në nivel amator dhe emocional".

"Ne ende fuqishëm e përjashtojmë çfarëdo involvimi të Moskës ose të zyrtarëve rusë", tha Peskov.

Sipas tij, Moska aktualisht nuk ka kurrfarë komunikimi me ekipin për tranzicion të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trumpit.

The post Rusia kundërshton akuzat amerikane se Putin ka "urdhëruar" ndërhyjre appeared first on INSAJDERI.

Prishtinasit dhurojnë ushqim dhe veshmbathje për skamnorët

Posted: 09 Jan 2017 10:29 AM PST

Sot në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë, me vet iniciativën e qytetarëve është bërë grumbullimi i ushqimit, veshmbathjeve dhe gjërave të tjera për të ndihmuar rreth 1700 familje në nevojë.

Nismëtarja e këtij aksioni Jeta Berisha ka thënë se grumbullimi i të gjitha gjësendeve të dhuruara nga qytetarët, do të shpërndahen fillimisht te 100 familje me asistencë sociale, të cilat jetojnë në kushte më të dobëta jetese, raporton Insajderi.

ndihma2

"Ushqimi, veshmbathjet  dhe të mirat materiale do të shpërndahen te 100 familje me asistencë sociale në Komunën e Prishtinës, duke filluar nga nesër, ndërsa shpërndarja do të bëhet edhe tek të tjera familje", ka thënë Berisha.

Grumbullimi i të mirave materiale ka filluar nga ora 14:00 – 15:00 dhe në mbrëmje nga ora 18:00-19:00.

ndihma3

Njoftimin për këtë aksion organizatorët e kanë bërë përmes rrjeteve sociale dhe janë shprehur të kënaqur me vullnetin e qytetarëve për të ndihmuar familjet në nevojë. /Insajderi.com

 

The post Prishtinasit dhurojnë ushqim dhe veshmbathje për skamnorët appeared first on INSAJDERI.

Donald Trump e quan të mbivlerësuar fjalimin Meryl Streep

Posted: 09 Jan 2017 10:16 AM PST

Presidenti amerikan i zgjedhur Donald Trump ka komentuar kritikat e Meryl Streep, e cila  mori një çmim nga Golden Globes për vepër jetësore .

Ai shkroi në Twitter: “Meryl Streep, një nga aktoret më të mbivlerësuar në Hollywood, nuk më njeh mua, por ka sulmuar mbrëmë në Golden Globes, raporton BBC.

“Ajo është një shërbëtore e Hillaryt që ka pësuar një humbje të madhe,” Z. Trump ka shtuar për tri herë fituese e çmimit Oskar.

Ajo gjatë fjalimit në Golden Globes, kishte thënë se "Kur të fuqishmit e shfrytëzojnë pozitën e tyre për të kërcënuar të tjerët, ne të gjithë humbasim"

Reagime ndaj Streep ka pasur edhe nga disa komentatorë konservatorë të cilët menjëherë kanë kritikuar vendimin e saj për të sjellë politikën aq gjallërisht në shfaqje.

Por të pranishmit kishin duartrokitur për vërejtjet e saj, të cilat përfshinin një lutje për të mbështetur Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve. /Insajderi.com

The post Donald Trump e quan të mbivlerësuar fjalimin Meryl Streep appeared first on INSAJDERI.

Zhduket futbollisti brazilian, Kukësi e kërkon përmes Facebook-ut

Posted: 09 Jan 2017 10:16 AM PST

Klubi i Kukësit ka bërë një njoftim në faqen zyrtare në Facebook, ku i kërkon futbollistit të saj, brazilianit Felipe Moreira, i cili është larguar nga klubi pa marrë leje dhe pa njoftuar, që të paraqitet në zyrat e klubit brenda datës 18 janar.

Mesa duket, në pamundësi kontakti me vetë futbollistin, klubi nga Superliga e Shqipërisë ka vendosur ta kërkojnë atë përmes Facebook-ut.

Kukësi i është drejtuar personalisht futbollistit përmes letrës së postuar në faqen zyrtare të klubit në Facebook. Përveç njoftimit të bërë në gjuhën shqipe, klubi shqiptar e ka shkruar letrën e në gjuhën amtare të brazilianit, në portugalisht.

“I nderuar z. Moreira,. Ju njoftojmë se jeni larguar nga klubi pa leje dhe pa njoftuar dhe nuk jeni paraqitur pranë klubit për fazën përgatitore, e cila filloi në daten 05.01.2017 ne Antalya Turqi”, shkruhet në njoftimin e Kukësit.

Klubi kuksian, përmes këtij njoftimi, i ka bërë të ditur brazilianit Moreira se nëse nuk paraqitet në klub para datës 18 janar, do të detyrohet t’ia prishë kontratën atij.

“Për kete arsye kerkojme te paraqiteni prane klubit brenda dates 18.01.2017 ne te kundert do ta konsiderojme zgjidhje te njeanshme nga ana juaj te kontrates te nenshkruar midis paleve tona”, shkruan klubi i Kukësit në Facebook.

Moreira ishte transferuar në Kukës nga Brazili në verën e vitit 2015. Ai më parë ka luajtur edhe me skuadrën e njohur braziliane, Santos.

kukesi

 

 

The post Zhduket futbollisti brazilian, Kukësi e kërkon përmes Facebook-ut appeared first on INSAJDERI.

Serbia vazhdon të administrojë me hekurudhat e Kosovës në veri

Posted: 09 Jan 2017 09:59 AM PST

Institucionet e Kosovës nuk administrojnë me hekurudhat në veri të vendit.

Administrimi mbi këto hekurudha nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Përkundrazi, nga ajo periudhë, linjat hekurudhore në veri janë nën administrimin e Serbisë dhe strukturave paralele serbe.

Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia, kohë më parë, kanë nënshkruar marrëveshjet për zhbërjen dhe shuarjen e strukturave paralele, por ato vazhdojnë të mbajnë ndikimin e tyre në zona të banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Agron Thaçi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë "Infrakos", e cila merret me infrastrukturën hekurudhore, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se linja hekurudhore në veri të Kosovës që nga viti 2008, shfrytëzohet ilegalisht nga autoritetet në Serbi.

Thaçi tha se nuk është ndonjë risi nëse me rastin e festës së Krishtlindjeve Ortodokse mund të ketë ndonjë organizim me tren enkas nga Beogradi në veri të Mitrovicës.

Siç shpjegon Thaçi, në veri të Kosovës nga Serbia çdo ditë realizohen qarkullime në dy linja të trenave.

“Nuk është ndonjë risi sepse nga viti 2008, ne nuk kemi ndonjë qasje atje. Kjo dihet botërisht që Republika e Serbisë e ka uzurpuar pjesën veriore të Kosovës të hekurudhave dhe që nga 2008 hekurudhat e Kosovës nuk administrojnë në atë pjesë”, tha Thaçi.

Tutje, Thaçi tha po ashtu se edhe përkundër vërejtjeve të shumta, si nga faktorët vendor ashtu edhe ata ndërkombëtarë, Serbia ka vazhduar duke operuar me linjat hekurudhore në veri të Kosovës.

“Edhe Komisioni Evropian e ka pranuar dhe ne e dimë të gjithë që ajo pjesë do të duhej dhe është de-jure nën administrimin e hekurudhave të Kosovës. Ndërsa, faktikisht, që nga shpallja e pavarësisë, ata kanë bërë invazion, e deri atëherë, hekurudhat e Kosovës kanë operuar me trenin e lëvizjes së lirë dhe atë të mallrave".

"Siç e dini, strukturat paralele kanë marrë nën kontroll atë pjesë dhe njëkohësisht hekurudhat e Serbisë bashkë më strukturat paralele kanë vazhduar që të operojnë në atë pjesë dhe ne nga atëherë nuk kemi pasur qasje”, tha Thaçi.

Kurse, Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, tha për Radion Evropa e Lirë se çështja e hekurudhave do të duhej të ishte një nga temat për të cilat do të duhej të diskutohej në dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Për më tepër, ministri Zharku tha se nuk janë në dijeni se si dhe në çfarë mënyre trenat nga Serbia hyjnë në Kosovë.

“Jo, nuk kemi informacion”, tha shkurt ministri Zharku duke shtuar se Ministria e Infrastrukturës harton vetëm politika për tregun hekurudhor dhe të tjera.

“I kemi pak kompetencat e përziera. Është Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, është Infrakosi dhe Infrakosi i raporton Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe nuk i kemi kompetencat e ndara”, tha Zharku.

Në anën tjetër, Agron Thaçi, kryeshef në kompaninë "Infrakos", thotë se përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, janë duke u vonuar në hapjen e temave për hekurudhat në dialogun me Serbinë.

“Ne si Hekurudha të Kosovës presim që çështja e hekurudhës të zgjidhet në negociata politike në Bruksel. Presim që kjo të jetë çështje e temave të reja të cilat janë në pritje, pra temat transporti hekurudhor dhe ai ajror”, tha Thaçi.

Ndërkohë, ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri tha se për Radion Evropa e Lirë, se çështja e hekurudhave të Kosovës nuk është diskutuar ende në dialogun politik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo çështje ende nuk ka qenë temë e diskutimeve”, tha Tahiri.

Kurse autoritet doganore të Kosovës kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se pas kontrolleve policore, doganierët herë pas here bëjnë dhe kontrollet rutinë në kufij.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Hani i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Infrastruktura hekurudhore në Kosovë, nga ekspertë të kësaj fushe shumë herë është konsideruar e nivelit jo të mirë, që sipas tyre, për një modernizim të hekurudhave investimet janë të domosdoshme. (REL)

The post Serbia vazhdon të administrojë me hekurudhat e Kosovës në veri appeared first on INSAJDERI.

Dy familje kosovare aksidentohen me një kamion në Austri

Posted: 09 Jan 2017 09:45 AM PST

Dy familje shqiptare, të cilët po shkonin në Perëndim nga Kosova pasi kishin kaluar pushimet, janë përplasur sot me një kamion në një autostradë në Salzburg.

Aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:00, derisa shtatë persona janë lënduar lehtë, njoftojnë mediet austriake.

Siç shkruan Nachrichten.at, kamioni nga Austria ishte duke ndryshuar shirit në autostradë, çka bëri që dy makinat e shqiptarëve nga Kosova të përplaseshin me njëri-tjetrin. /Insajderi.com

The post Dy familje kosovare aksidentohen me një kamion në Austri appeared first on INSAJDERI.

Në dorë të Serbisë – pritja e gjatë e Haradinajt në Francë

Posted: 09 Jan 2017 09:18 AM PST

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po kalon edhe ditën e pestë të paraburgimit në Francë, bazuar me një urdhër-arrest të Serbisë në vitin 2004. Me të njëjtin urdhër-arrest Haradinajn ishte arrestuar edhe në vitin 2005 në Slloveni, por për dallim nga Franca, në Slloveni e gjithë çështja ishte zgjidhur brenda 48 orëve, duke e lënë të lirë liderin e AAK-së.

Haradinaj në Slloveni ishte arrestuar me 17 qershor të viti 2015 dhe ishte liruar me të 19 qershor të atij viti, ndërkohë që në Francë u arrestua me 4 janar dhe ende vazhdon të mbahet i ndaluar.

Arsyeja sipas Gjykatës franceze ështe se duhet pritur kërkesa zyrtare e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt.

Haradinaj, sipas urdhër-arresti të lëshuar nga Prokuroria Speciale për Krime Lufte në Serbi, akuzohet për torturim të serbëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve të tjera pakicë gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë. Ndërsa Kosova e ka të pamundur qasjen në listat e interpolit pasi që nuk është anëtare e kësaj organizate.

Gazeta serbe "Blic", ka cituar Ministrinë e Drejtësisë në Serbi, të ketë thënë se i nevojiten dy deri në katër ditë për përkthimin e dokumentacionit. Tek pas kësaj, do të dërgohet kërkesa për ekstradim.

"Fjala është për një dokumentacion vëllimor të Prokurorisë dhe tani çdo gjë varet nga përkthyesit. Sapo të përfundojë kjo punë, do ta dërgojmë kërkesën për ekstradim, citon kjo gazetë të kenë thënë zyrtarë kabinetit të ministres serbe të Drejtësisë Nela Kuburoviq.

Për Aleancën për Ardhmëninë e Kosovës, ky ndalim është i paqartë dhe i pashpjegueshëm.

Zëdhënësi i kësaj partie, tha se ky arrestim është politik dhe nuk mund të prodhoj rezultat tjetër.

"Është shumë e paqartë pse ka një ndryshim kurse nga rasti i Sllovenisë me të Francës! Nuk po mund të spekuloj, por vet kryeministri serb ka shpërfaqur një qëndrim krejtësisht tjetër. Me sa mbaj mend në rastin e Sllovenisë ka pas thënë se ndalimi i Haradinajt është orientuar kundër Serbisë, ndërkaq tani po qëndron pas fletarrestit për Haradinajn! Duket që tash ka tjera agjenda ndaj Kosovës. Rasti i Haradinajt është politik dhe nuk mund të prodhoj rezultat tjetër, por qasja këtë herë është krejt e pashpjegueshme!", ka thënë Nitaj për Insajderin.

Por ai nuk ka shpjeguar se për "cilat agjenda tjera" ndaj Kosovës bëhet fjalë dhe as nuk ka komentuar faktin se përse është vonuar dorëzimi i kërkesës për ekstradimin e Haradinajt në Francë.

Gjykata franceze ka mbajtur të ndaluar liderin e AAK-së me arsyetimin se është duke pritur kërkesën zyrtare nga Serbia për ekstradim.

Ish-kryeministri i Kosovës, që është shpallur i pafajshëm nga dy gjykime në Tribunalin e Hagës, për krime lufte në Kosovë, por fletë-arrestet ndaj tij mbeten aktive ende si në Slloveni ashtu dhe në Francë pasi që Kosova nuk mund të ketë qasje në listat e personave të kërkuar nga INTERPOL-i, si pasojë e mos anëtarësimit të vendit në këtë organizatë./Insajderi.com

The post Në dorë të Serbisë – pritja e gjatë e Haradinajt në Francë appeared first on INSAJDERI.

Dy klube e kërkojnë Manajn

Posted: 09 Jan 2017 09:06 AM PST

Pak ditë më parë, me diat pranë skuadrës së Interit bënë me dije që Las Palmas kishte "prenotuar" shqiptarin dhe po diskutonim me zikaltrit detajet e transferimit.

Mirëpo, si të mos mjaftonte insistimi i skuadrës spanjolle, në Itali nuk heqin dorë për shërbimet e sulmuesit kuqezi. Gjatë ditës së djeshme kanë nisur të shtohen edhe emrat e ekipeve që po tentojnë të bindin zikaltrit dhe vetë sulmuesin për pjesën e mbetur të sezonit.

manaj

Së fundmi, është Cesena që ka hedhur grepat për të marrë shërbimet e sulmuesit kuqezi. Është e përditshmja italiane "Gazzetta Dello Sport" që ka bërë me dije emrin e skuadrës së re italiane që është duke tentuar Manajn.

Por, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, "Sport Mediaset" ka shtuar një tjetër pistë për kuqeziun. Është skuadra e Ingolstadt që ka bërë një ofertë për të marrë shërbimet e sulmuesit të Kombëtares shqiptare.

Me këtë interesim, Las Palmasi nuk është më pistë e sigurt, pasi Bundesliga është një mundësi e mirë për futbollistin.

Sipas mediave italiane, skuadra e Bundesligës ka bërë një ofertë konkrete pranë zikaltërve dhe tashmë duket se është krijuar një pistë interesante për Manajn që duket se lëkund ndjeshëm kërkesën e Las Palmasit.

Mbetet për t'u parë se cila do të ketë dëshira e shqiptarit, mirëpo falë dy interesimeve nga liga e parë në Gjermani dhe Spanjë, Çezena ka shanse minimale për të bindur Manajn. /Insajderi.com

The post Dy klube e kërkojnë Manajn appeared first on INSAJDERI.

Emërimi i asistentes puna e parë e Lladrovcit si kryetar i Drenasit

Posted: 09 Jan 2017 08:45 AM PST

Vizita tek memoriali i "Adem Jasharit" edhe pse ky memorial gjendet në Komunën e Skenderajt ka qenë një nga punët e para që Ramiz Lladrovci, thotë të ketë bërë me t'u zgjedhur kryetar i Drenasit, në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në këtë komunë, muajin e kaluar.

Homazhet tek varret tjera sikurse ai i dëshmorit Rasim Kiçina dhe takime me familjarë të dëshmorëve kanë përbërë agjendën e ditëve të para të Lladrovcit si kryetar komune.

E puna e parë që lidhet direkt me postin dhe përgjegjësin e Lladrovcit, është emërimi i asistentes së tij.

"Kam publikuar në medie çdo aktivitet, sipas premtimit, kam vizituar Memorialin e Jasharajve, varrin e Rasim Kiçinës, kam pritur familjarët e dëshmorëve. Normalisht, kam emëruar asistenten, kam kërkuar zyrën e juristit të komunës, auditorin dhe avokatin e komunës. Takimet me stafin ishin të prera se ky është një fillim i ri për ta dhe komunën, besoj ta marrin të gjithë këtë seriozisht", ka thënë Lladrovci për gazetën "Fjala".

Lladrovci erdhi në krye të Drenasit pas fitores në ballotazh kundër kandidatit të NISMA-s Isa Xhemajlaj. Megjithatë kjo fitore ishte përcjellë me një debat mbi lëkundjen e bastionit të partisë së tij, PDK në Drenas, aty ku në secilën parë zgjedhje kanë dalë fitues me mbi 60 për qind të votave./Insajderi.com

The post Emërimi i asistentes puna e parë e Lladrovcit si kryetar i Drenasit appeared first on INSAJDERI.

Ministri shqiptar i dërgon letër Interpolit për Haradinajn

Posted: 09 Jan 2017 08:26 AM PST

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri përmes një letre dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Interpolit, Jurgen Stock kërkon rishqyrtimin dhe rivlerësimin e urdhër­arrestit ndërkombëtar për Ramush Haradinajn.

"Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të institucionit që unë drejtoj, të shpreh konsideratën më të lartë për punën tuaj si dhe t'ju falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer më Policinë e Shtetit shqiptar gjatë vitit të kaluar. Nga ana tjetër, kam ndjekur me shqetësim të madh arrestimin e ish­Kryeministrit të Kosovës, njëherazi dhe një nga udhëheqësit e luftës së Kosovës kundër gjenocidit serb, z. Ramush Haradinaj, në Paris më datë 4 janar 2017, në zbatim të një Urdhër Arresti të INTERPOL­it", shkruan ministri.

Ai ka shtuar se ndalimi i ish­kryeministrit të Kosovës cenon parimet e drejtësisë penale, shkruan gazeta Shekulli.

"Haradinaj, subjekt i këtij Urdhër Arresti është hetuar, gjykuar dhe gjetur i pafajshëm nga Gjykata për Krimet e Luftës në Ish­Jugosllavi, me seli në Hagë, një autoritet gjyqësor ndërkombëtar i posaçëm që ka marrë një vendim për pafajësinë e tij, pas një procesi të gjatë e të drejtë, në përputhje me të gjitha normat ndërkombëtare të drejtësisë penale. Gjykimi dy herë për të njëjtën vepër penale është në kundërshtim të hapur me këto parime dhe në shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe, në këtë rast, një precedent që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare", vë në dukje Tahiri.

Numri një i Ministrisë së Brendshme vlerëson se urdhër­arresti ka problem formale dhe proceduriale. Saimir Tahiri thekson se urdhër­arresti ndaj Haradinajt është lëshuar nga një shtet që nuk ekziston më, siç është Serbia dhe Mali i Zi. /Insajderi.com

The post Ministri shqiptar i dërgon letër Interpolit për Haradinajn appeared first on INSAJDERI.

Shteti ua pezulloi sërish punën 16 organizatave që dyshohen për lidhje me grupe radikale

Posted: 09 Jan 2017 08:20 AM PST

16 organizatave joqeveritare Ministria e Administratës Publike ua ka pezulluar punën tash e tre muaj, për shkak të veprimtarisë së tyre të dyshimtë dhe lidhjes me grupet që shpërndajnë islamin radikal në Kosovë. 13 prej këtyre organizatave ishin pezulluar edhe në tetor të vitit 2015. Gjatë 2016-s, MAP-ja pezulloi veprimtaritë e gjithsej 21 organizatave fetare, për të njëjtat dyshime.

AKEA (Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim), Al-Waqaf Al Islami, Kalliri i Mirësisë, Sinqeriteti, Çelësi, Pema e Bamirësisë, KAD (Kosova Aid Development), Rinia Istogase, Hektari – HE, Ndjeshmëri, Parimi, Gjurma dhe Mesxhidi Studentor janë 13 organizatat joqeveritare që Ministria e Administratës Publike ua ka vazhduar suspendimin e veprimtarisë në nëntor të vitit që lamë pas – 2016.

Të gjitha këto organizata kishin marrë vendim të njëjtë për pezullim të punës, më 26 tetor të 2015-s. Krejt kjo për shkak se veprimtaria e këtyre organizatave kishte rënë në fokus të dyshimeve se janë të lidhura apo të financuara nga organizata të dyshimta e që lidhen me terrorizmin dhe promovonin islamin radikal. Gazeta Express vazhdimisht ka raportuar për këto veprime të dyshimta të këtyre organizatave, e që pretendohet se ndikuan te shumë të rinj kosovarë të radikalizoheshin.

Por, MAP në vendimin e fundit të saj, të nxjerrë më 8 nëntor 2016, përveç këtyre 13 organizatave që ua ka vazhduar pezullimin e veprimtarisë, punën ua ka pezulluar edhe tri organizatave tjera joqeveritare, për të njëjtat dyshime. Bëhet fjalë për Institutin për Kulturë dhe Studime Bashkëkohore (IKSB), Patent Help Fund (PHF) dhe organizatën Devotshmëria.

Megjithatë, MAP-ja në vendimin e tyre nuk ka dhënë detaje për arsyet e pezullimit të veprimtarisë së këtyre OJQ-ve, shkruan Gazeta Express.

"Departamenti për organizata joqeveritare Ministria e Administratës Publike, në pajtim me Nenin 9 paragrafi 9 lidhur ne nenin 16 paragrafi 4 të Ligjit Nr.04/L–57 Për Lirinë e Asociimit në Organizatat Joqeveritare, dhe nenin 18 paragrafi 1 të Udhëzimit Administrativ QRK-NR. 02/2014 për Regjistrimin dhe Funksionimin e Organizatave Joqeveritare, duke vendosur sipas kërkesës së Organit Kompetent të Sigurisë, më datë 08.11.2016 ka marr vendim për Pezullimin e Veprimtarisë së OJQ-ve si vijim:…", thuhet në vendimin e publikuar më 16 nëntor 2016, ku më pas jepen emrat e OJQ-ve.

Po gjatë vitit 2016, MAP kishte pezulluar edhe pesë organizata tjera të njohura për veprimtari të afërta me islamin radikal e që thirreshin në bamirësi.

Shoqata Kulturore Kur’ani, Instituti për Shkencat Humane Ibni Sina, Organizata Edukative Kulturore NISA, Shoqata Fetare Ehli Bejti (Prizren) dhe Shoqata për Shërbime Edukative dhe Kulturore 'BREGU I DIELLIT', ishin pezulluar më 27 qershor 2016.

Në asnjërën prej vendimeve nuk ceket periudha kohore se sa do t’u zgjasë pezullimi këtyre organizatave, porse nga praktikat në të kaluarën, kjo masë është mbajtur në fuqi për një vit, në rast se MAP nuk ka nxjerrë ndonjë vendim tjetër për to, gjatë asaj periudhe.

Ndryshe, organizata AKEA, e pezulluar për të disatën herë, është njëra ndër një organizatat më të fuqishme joqeveritare në Kosovë, e regjistruar qysh në vitin 2004. Gazeta Express kishte raportuar në shkurt të 2014'ës se kjo OJQ me seli shumëkatëshe në lagjen Arbëria të Prishtinës drejtohej nga imami i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Husamedin Abazi. /GazetaExpress

The post Shteti ua pezulloi sërish punën 16 organizatave që dyshohen për lidhje me grupe radikale appeared first on INSAJDERI.

Tri kushtet e BE-së për liberalizimin e vizave, sipas Lunaçekut

Posted: 09 Jan 2017 08:07 AM PST

Komisioni për politikë të jashtme i Parlamentit Evropian diskuton, të hënën, për raportet vjetore për Kosovën dhe për Serbinë dhe njëkohësisht do të bëhet edhe leximi i parë i këtyre drafteve.

Draftin e Raportit për Kosovën e ka përgatitur zëvendës-presidentja e Parlamentit Evropian Ulrike Lunaçek ndërsa atë për Serbinë deputeti gjerman David Mc Allister.

Në draftin e raportit për Kosovën shprehet keqardhje për polarizimin ekstrem të skenës politike në Kosovë dhe u bëhet thirrje të gjitha partive politike që të krijojnë kushte për dialog të dobishëm i cili do të zbuste tensione dhe do të mundësonte gjetjen e një kompromisi të qëndrueshëm i cili do të ndihmonte rrugën evropiane të vendit.

Zonja Lunaçek në draftin e raportit të saj, u ka bërë thirrje liderëve të komunitetit serb të Kosovës që të marrin përgjegjësi dhe pronësi të plotë për vendet e tyre në institucionet e Kosovës, duke vepruar në mënyrë të pavarur nga Beogradi dhe në mënyrë konstruktive në dobi të gjithë popullit të Kosovës.

Lunaçek, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se “tri kushtet e Kosovës për liberalizimin e vizave janë: Demarkacioni, luftimi i korrupsionit dhe ai i krimit të organizuar.”

Në këtë tekst me shqetësim nënvizohet se posti i ministrit të integrimeve evropiane mbetet ende i zbrazët, gjë që ndikon në efikasitetin dhe koherencën në zbatimin e MSA-së.

Edhe kësaj radhe inkurajohen 5 shtetet e mbetura anëtare të BE-së që ta njohin Kosovën dhe nënvizohet se "njohja do të ishte e dobishme për procesin e normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës" dhe po ashtu inkurajon një qasje pozitive ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave edhe një herë shprehet shqetësim për mosratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e zi dhe bëhet ftesë për rezultatet konkrete në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe dënimet për raste të nivelit të lartë.

Sa i përket dialogut me Serbinë, edhe në raportin për Kosovën e edhe në atë për Serbinë, mirëpritet progresi i arritur së fundi për disa marrëveshje të nënshkruara, pas muajve në të cilat nuk pati progres apo pati vetëm progres të pakët. Kosova dhe Serbia ftohen që të shohin më shumë angazhim dhe vullnet të qëndrueshëm politik për normalizimin e raporteve.

Në dokumentin për Kosovën shprehet shqetësim për vazhdimin e pranisë së strukturave paralele të Serbisë në territorin e Kosovës dhe kërkon shpërbërja e tyre.

Edhe këtu mirëpritet themelimi i Gjykatës Speciale në Hagë, si një "hap esencial për të siguruar drejtësinë dhe pajtimin" dhe i bën ftesë Kosovës që të bashkëpunojë tërësisht me këtë Gjykatë. Po ashtu nënvizon se "mbrojtja e dëshmitarëve është kyç për suksesin e kësaj Gjykate.

Shqetësim serioz shprehet edhe lidhur me mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe mediave, dhe rritjen e presionit dhe ndërhyrjes politike që ushtrohet ndaj mediave.

Kërkohet nga autoritetet e Kosovës që në tërësi të pranojnë dhe mbrojnë lirinë e shprehjes në përputhje me standardet e BE-së dhe në këtë drejtim t'i japin fund pandëshkueshmerisë për sulme ndaj gazetarëve.

Përsëritet shqetësimi për progresin e ngadalshëm në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe shpreh keqardhje se shumë raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit kalojnë pa u dënuar, sidomos në veri të vendit.

Mirëpritet edhe rritja e përpjekjeve për kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit dhe njihet rëndësia e punës që ka bërë Kosova në këtë fushë.

Pas debatit të sotëm deputetët do të kenë në dispozicion dhjetë ditë për të paraqitur amendamentet e tyre.

The post Tri kushtet e BE-së për liberalizimin e vizave, sipas Lunaçekut appeared first on INSAJDERI.

20 persona të vdekur nga të ftohtit në Evropë

Posted: 09 Jan 2017 07:47 AM PST

Më shumë se 20 njerëz deri më tani kanë vdekur si pasoj e temperaturave të ulëta të cilët kanë përfshirë pjesën më të madhe të Evropës. Dhjetë njerëz kanë vdekur nga të ftohtit në Poloni të dielën.

Trupat e tre emigrantë, dy nga Iraku dhe një nga Somalia, janë gjetur në afërsi të kufirit turko-bullgar, raporton BBC. Vdekjet janë raportuar edhe në Itali, Republikën Çeke dhe Ukrainë. Dhjetëra fluturime janë ndërprerë. Në Turqi, porti i Bosforit është mbyllur për qarkullim të anijeve.

Në Serbi, i gjithë transporti lumor është pezulluar në lumin Danub. Temperaturat në disa rajone të Rusisë kanë arritur në më shumë se -40 gradë celsius.

Temperaturat normalisht të buta mbretërojnë në Greqia deri në minus 15 gradë celsius në veri, ku një emigrant afgan ka vdekur si pasojë e të ftohtit javën e kaluar si dhe rrugët ishin të mbyllura. /Insajderi.com

The post 20 persona të vdekur nga të ftohtit në Evropë appeared first on INSAJDERI.

Shoqata serbe, ministrit francez: Kemi video kundër Haradinajt

Posted: 09 Jan 2017 07:41 AM PST

Një shoqatë nga Serbia e të ashtuquajturave Familje të Serbëve të Kidnapuar apo Vrarë në Kosovë, i ka dërguar një letër ministrit francez të Drejtësisë, Jean-Jacques Irvoa, përmes së cilës i ka kërkuar atij që ta ekstradojë në Serbi ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kjo shoqatë pretendon se ka në pronësi “video-incizime të të kidnapuarve serbë në disa kampe të UÇK-së”. Sipas asaj që kjo shoqatë serbe ka shkruar në letrën drejtuar ministrit francez Irvoa, thuhet se “krye të këtyre kampeve kanë qenë Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi dhe Fatmir Limaj”.

Në një letër të hapur të shoqatës, të nënshkruar nga kryetari i saj Sima Spasiç, kërkohet që Haradinaj të gjykohet në Serbi për përgjegjësi komanduese ndaj serbëve, ashtu siç ishin gjykuar edhe gjeneralët serbë në Tribunalin e Hagës.

Kjo shoqatë pretendon se Haradinaj ka kidnapuar dhe ka vrarë civilë serbë, gjatë luftës në Kosovë.

Në një letër drejtuar ministrit serb të Drejtësisë, Neli Kuburoviç dhe ministrit të Drejtësisë së Francës, Jean-Jacques Irvoa, Simiç u kujton atyre se “në muajt maj, qershor dhe korrik të vitit 1998, 10 minatorë u rrëmbyen nga miniera e Bellaqevcit, si dhe dhjetra civilë serb të Rahovecit dhe Suharekës”.

Sipas Simiç, serbët e rrëmbyer “janë mbajtur në kampe në Llapushnik, Gllogjan, Radoniq, Kleçkë dhe Malishevë”, shkruan gazeta serbe Blic.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është gjykuar më parë në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë, mirëpo është shpallur i pafajshëm.

Haradinaj u arrestua në Francë, të mërkurën e 4 janarit, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia. /Insajderi.com

 

The post Shoqata serbe, ministrit francez: Kemi video kundër Haradinajt appeared first on INSAJDERI.

Përvjetori i koktej molotovit – pozita dhe opozita vazhdojnë me të njëjtat qëndrime

Posted: 09 Jan 2017 06:59 AM PST

Njëra ndër ato protesta që bashkoi opozitën, para se të ndahej më vonë, ishte organizimi gjithëpopullor më 9 janar të vitit 2016.

Opozita nënshkrimin e Marrëveshjes së Demarkacionit e konsideron të dëmshme pasi vlerëson se Kosova humbë mbi 8 mijë hektarë tokë.

Kurse themelimin e Asociacionit e kundërshton pasi konsideron se është anti-kushtetues. Gjykata Kushtetuese e pati dhënë mendimin e vet rreth kushtetutshmërisë së marrëveshjes për Asociacionin, duke gjetur se në disa prej pikave të marrëveshjes ajo nuk përputhet me frymën kushtetuese.

Këtë fakt opozita e shfrytëzoi si argument për të organizuar protesta.

Nën moton "Për shtet me sovranitet", mijëra qytetarë të Kosovës morën pjesë në protestën e 9 janarit 2016 që i mbajt para ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë.

prot1815

E thirrur me qëllimin që të jetë organizim paqësor, pikërisht pas përfundimit të fjalimeve të liderëve politikë opozitarë, një grup nga turma nisën të hidhnin gurë e mjete të forta në drejtim të objektit të Qeverisë së Kosovës. E më vonë u hodh edhe koktej molotovi, duke ia vënë flakën një pjesë të vogël të objektit. Në lartësinë sa arrinin të hidhnin gurë, u thyen pothuajse tërësisht xhamat.

18969207_303

Dhuna që u shfaq nga ky grup protestues, bëri që të ndërhynte policia për ta shpërndarë turmën.

Epilogu ishte i rëndë – shumë qytetarë dhe policë të lënduar; mbi 25 të arrestuar. Shumë dëme materiale.

Pamjet e konfrontimit të protestuesve me policinë u bënë lajm ndërkombëtar.

a142

Me gjithë angazhimin e organizatorëve të protestës që të qetësoheshin protestuesit, kjo nuk pati efekt. Madje në ballë të tyre kishte dalë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, duke u kërkuar që të mos hedhin mjete të forta në drejtim të objektit të Qeverisë.

Por kot, dhuna vazhdonte edhe më tutje.

policia-kat-euml-r-polic-euml-t-euml-l-euml-nduar-13-protestues-t-euml-arrestuar_hd

Vit të nxehtë patën paralajmëruar edhe liderët opozitarë, por jo decidivisht në këtë formë.

"Ky vit i ri nuk ka babadimra, babadimrat jemi ne që do ta jetësojmë Republikën më 9 janar, për dorëheqje të atyre që shkelën Kushtetutën", pati thënë kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, para mbajtjes së protestës.

visar-ymeri

Për protestën e 9 janarit, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pati thënë se kjo është mundësia më e mirë që t'i tregohet Qeverisë se nuk mund t'i jetësojë marrëveshjet, siç i quante ai, të dëmshme, të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

"9 janari është dita kur i tregojmë qeverisë që jo vetëm ka gabuar, por edhe duhet të japë llogari, t'i tregojmë se shkelësit e Kushtetutës duhet të japin llogari dhe të tregojmë se ato marrëveshje nuk kalojnë", pati deklaruar Haradinaj.

ramushi-protest40_r1_s-660x375

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, duke parë masën e madhe të protestuesve, tha se Qeveris më s'ka legjitimitet të qeveris.

"Sot në kryeqytetin e Kosovës në sheshin "Nënë Tereza" pranë bustit të Skënderbeut ka ra qeveria e Republikës së Kosovës. Ne kërkojmë zgjedhje të lira dhe të dilet nga kjo krizë politike", pati thënë Limaj.

"Nëse ju refuzoni të jepni llogari, ne refuzojmë të na qeverisni", pati shtuar Limaj duke iu drejtuar qeveritarëve.

maxresdefault

Qeveria dhe opozita vazhdojnë t'i mbajnë pozicionet e veta

Edhe pas një viti, asgjë nuk ka ndryshuar. Opozita vazhdon t'i mbajë pozicionet e veta karshi kërkesave në kundërshtim të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Në të njëjtën kohë Qeveria i ka mbrojtur marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel.

Kundërshtimi opozitar për këto marrëveshje vazhdoi edhe brenda Kuvendit të Kosovës, ashtu siç patën paralajmëruar.

Ballinat e medieve ndërkombëtare u freskuan edhe me lajmin se në Kuvendin e Kosovës u hodh gaz lotsjellës në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve. Kjo ndodhi disa herë.

gazi-22222

Duke e parë këtë këmbëngulje të opozitës, Kuvendi mori masa ta siguronte një sallë alternative ku do t'i zhvillonte punimet.

Opozita u përjashtua nga punimet e Kuvendit. Por edhe në sallën alternative depërtoi gazi lotsjellës. Po ashtu, si asnjëherë më parë, në seancat e Kuvendit u desh të vinin edhe pjesëtarë të sigurimit. Ata qëndronin gjatë gjithë kohës aty.

2016-01-09t171111z_1_lynxnpec080ge_rtroptp_4_kosovo-fire

Gazi lotsjellës, në çdo seancë hidhej nga ndonjë deputet i opozitës. Kjo bëri që disa prej tyre të arrestohen dhe të mbahen në paraburgim, e më pas edhe më arrest shtëpiak. Seancat gjyqësore vazhdojnë ndaj tyre – shpesh me ndërprerje për shkak të mospranisë së tyre në seancë.

Qeveria thoshte se zbatimi i këtyre marrëveshjeve sjell perspektivën evropiane të Kosovës. Madje Bashkimi Evropian, zbatimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, e vuri si kusht që qytetarët e Kosovës të përfitojnë nga liberalizimi i vizave.

Por opozita vazhdon të mos e besojë këtë gjë, duke mos lëshuar pe në këtë drejtim.

Analistët: Ka qenë një vit i çuar dëm

Analisti Imer Mushkolaj thotë se ky vit ka qenë një vit i çuar dëm. Ai ka thënë se qasja përjashtuese e kryeministrit Isa Mustafa ka qenë arsyeja pse këto dy çështje nuk janë zgjidhur.

"Një vit i çuar dëm, për shkak të pafuqisë politike, respektivisht pa fuqisë së koalicionit qeverisës për t’i zgjidhur këto çështje. Qasja përjashtuese, e jo gjithë përfshirëse, e kryeministrit Isa Mustafa ka bërë që vendi të mbetet peng i këtyre dy problemeve", ka thënë Mushkolaj për Gasetën Insajsderi.

Ai ka thënë se do të ishte mirë që kryeministri ta pranonte pafuqinë dhe dështimin e tij karshi proceseve dhe të shkohet në zgjedhje.

"Ka plot probleme të tjera që presin zgjidhje. Më mirë do të ishte që Mustafa të pranonte pafuqinë dhe dështimin e tij dhe të shkohej në zgjedhje të reja", ka shtuar ai.

Sipas tij, fatkeqësisht populli po i vuan pasojat e vendimeve të dëmshme të udhëheqësve të vet./Insajderi.com

 

 

The post Përvjetori i koktej molotovit – pozita dhe opozita vazhdojnë me të njëjtat qëndrime appeared first on INSAJDERI.

Ish-ylli i Real Madrid refuzon ofertën pornografike për t’u transferuar në Kinë

Posted: 09 Jan 2017 06:55 AM PST

Antonio Cassano dëshiron të vijojë karrierën e tij si futbollist, teksa një transferim në Super Ligën kineze del në horizont. Por, nëse do të ishte në dorën e aktorit dhe regjizorit të filmave pornografik, Roço Siffredi, atëherë Cassano do të kishte varur tashmë këpucët e tij në gozhdë, madje duke hequr fare edhe uniformën, më mirë se të vishte një të re.

Sikurse raportohet nga "The Sun" e konfirmohet nga "futbol.com", ish-futbollisti i Real Madrid është ende një lojtar i Sampdoria, pavarësisht se klubi dëshiron të prishë kontratën me atë, por tashmë sulmuesi do të ketë shansin të transferohet për një shumë të konsiderueshme parash në Kinë.

Aktori dhe drejtuesi i filmave porno, Rocco Siffredi i ofroi Cassanos një mundësi.Pak kohë më parë, Siffredi i bëri Cassanos një ofertë të çmendur dhe nuk dihet nëse futbollisti e mori ndonjëherë në konsideratë propozimin për ndryshim të karrierës së tij, çka nuk do ta mësojmë kurrë, por një transferim i barezit në industrinë e filmave pornografikë dukej shumë vështirë të refuzohej.

Cassano ka patur në të kaluarën ditët e tij të arta, kur u konsiderua si djaloshi i premtuar i Italisë, që do të rikthente ditët e lavdisë kombit të tij. Një herë e një kohë ai ishte edhe adoleshenti më i shtrenjtë me transferimin nga Bari te Roma e Fabio Capellos, për 26 milionë sterlina, në moshën 19-vjeçare në vitin 2001.

Cassano pretendon se ka bërë seks me më shumë se 600 femra. Një futbollist plot ngjyra që ka shkruar një autobiografi plot ngjyra dhe në këtë aspekt, shumë do të çuditeshin po të mësonin se Cassano do të kishte refuzuar ofertën e Siffredit. Cassano shkruante: "Në Madrid kisha një shok që ishte kamarier në hotel. Puna e tij ishte të më sillte mua tre ose katër ëmbëlsira pasi unë të kisha bërë seks. Ai sillte pastat lart, ndërsa unë do t'i dorëzoja atij vajzën me të cilën sapo kisha kryer marrëdhënie. Një lloj shkëmbimi, unë do të merrja ëmbëlsirat, ndërsa ai femrën. Seks dhe më pas ushqim, një natë perfekte".

Vetë sulmuesi 34-vjeçar ka pretenduar se ka bërë seks me më shumë se 600 femra, ndaj problemet e tij në Madrid mund të ishin ngushtësisht të lidhura me jetën e tij seksuale shumë aktive, që më pas çonte në tonelata me ëmbëlsira.

The post Ish-ylli i Real Madrid refuzon ofertën pornografike për t'u transferuar në Kinë appeared first on INSAJDERI.

Shtyhet afati për integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në veri

Posted: 09 Jan 2017 06:50 AM PST

Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serb, bashkë me stafin e Gjykatës në veri në kuadër të sistemit të drejtësisë në Kosovë, i planifikuar për 10 janar, është shtyrë edhe për 7 ditë.

Lajmi është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga një gjyqtare e Gjykatës në veri të Mitrovicës, Jelena Krivokapiq, e cila ka thënë se kjo datë, sipas një vendimi të marrë në Beograd, është shtyrë për 17 janar.

Krivokapiç tha po ashtu se këto janë informacione të cilat i kanë siguruar nga Beogradi e të cilat burojnë nga Brukseli, e të cilat më pas u janë transmetuar edhe punonjësve në pjesën veriore të Mitrovicës.

Integrimi i gjyqësorit në veri, i cili për më gjatë se 16 vjet ka funksionuar si sistem paralel, është pjesë e marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel.

The post Shtyhet afati për integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në veri appeared first on INSAJDERI.

Kërkesa urgjente e Pacollit ndaj qeverisë për Haradinajn

Posted: 09 Jan 2017 06:42 AM PST

Kryetari i Aleanca Kosova e Re, Behxhet Pacolli beson se ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj do të kthehet shpejtë në Kosovë, mirëpo Pacolli ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që “urgjentisht të vlerësojë qasjen ndaj bisedimeve me Serbinë”.

Pacolli ka pritur në një takim sot, kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, me të cilin ka biseduar për çështjen Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është arrestuar të mërkurën e 4 janarit në Francë, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia në vitin 2004, njofton Insajderi.

Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetin social Facebook, Pacolli është shprehur i bindur se Haradinaj do të kthehet “shpejtë” në Kosovë.

bexha

“Haradinaj do të kthehet shpejt në Kosovë, por udhëheqësit e institucioneve duhet të mbledhin mend dhe urgjentisht duhet të vlerësojnë qasjen ndaj bisedimeve. Në anën tjetër, më shqetësim po i shoh disa “prenoncime ” që e hutojnë dhe e orientojnë opinionin publik kundër Francës”, është shprehur Pacolli.

Ai ka thënë se Kosova nuk duhet të prishë marrëdhëniet me Francën, e cila sipas tij është njëra ndër shtetet që e ka përkrahur Kosovën më së shumti që prej shpalljes së pavarësisë.

“Jam i bindur qe Franca është duke punuar në mënyrë intenzive për lirimin e Ramushit edhe pse politika dhe gjyqësija në këtë shtet janë të ndara”, ka thënë ai.

Seanca gjyqësore për Ramush Haradinajn do të mbahet të enjten në Francë. /Insajderi.com

The post Kërkesa urgjente e Pacollit ndaj qeverisë për Haradinajn appeared first on INSAJDERI.

MPJ e Francës: Veprimi ligjor ndaj Haradinajt nuk ka dimensione politike

Posted: 09 Jan 2017 06:24 AM PST

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Francës, Romain Nadal, tha të hënën në Paris se "veprimi ligjor ndaj Ramush Haradinajt nuk ka dimensione politike".

Ai tha se "procedurat që po zhvillohen ndaj Ramush Haradinajt janë çështje ligjore, të nisura mbi bazën e kërkesës së Interpolit".

Zëdhënësi Nadal tha në një konferencë me gazetarë se ky rast "nuk e ndryshon politikën e vazhdueshme të Francës dhe mbështetjen e saj për pajtimin në rajon si dhe vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës".

Ai tha se "autoritetet gjyqësore në Francë janë marrë me çështjen në mënyrë të kujdesshme" dhe se "procedurat tani janë çështje të autoriteteve të drejtësisë", shkruan REL.

"Franca është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka marrëdhënie të afërta dhe miqësore me të", tha zëdhënësi Nadal gjatë konferencës me gazetarë.

Nadal tha se "Ramush Haradinaj u arrestua më 4 janar 2017 në aeroportin e Basel-Mulhouse mbi bazën e një kërkese për arrest të përkohshëm të lëshuar nga Interpoli dhe u zbatua në mënyrë automatike, në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Francës".

Ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë u bë mbi bazën e një fletarresti të autoriteteve të Serbisë, që daton nga viti 2004, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë në periudhën e viteve 1998-1999.

The post MPJ e Francës: Veprimi ligjor ndaj Haradinajt nuk ka dimensione politike appeared first on INSAJDERI.

Të mërkurën protestohet në Pejë për Ramush Haradinajn

Posted: 09 Jan 2017 06:21 AM PST

Dega e AAK-së në Pejë ka organizuar për të mërkurën protestë gjithë popullore në mbështetje të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

"Protesta organizohet të mërkurën në orën 11:55 në sheshin 'Shkelzen Haradinaj' në Pejë", thuhet në komunikatë.

Ramush Haradinaj është arrestuar më 4 janar nga policia franceze në aeroportin e Baselit. Ai është arrestuar në bazë të një fletarrestit të lëshuar nga Serbia në vitin 2004. /Insajderi.com

The post Të mërkurën protestohet në Pejë për Ramush Haradinajn appeared first on INSAJDERI.

Related Posts :