Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Izet Haxhia: Dy gardistë që bënë masakrën e Përmetit në ’97-ën, vranë dhe më 21 Janar” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“Izet Haxhia: Dy gardistë që bënë masakrën e Përmetit në ’97-ën, vranë dhe më 21 Janar” plus 9 more - Gazeta Dita


Izet Haxhia: Dy gardistë që bënë masakrën e Përmetit në ’97-ën, vranë dhe më 21 Janar

Posted: 10 Jan 2017 02:40 AM PST

 

Erion Habilaj – DITA

Muaji janar e në vazhdim shënon edhe 20-vjetorin e pranverës së përgjakur të vitit 1997. Ai cilësohet si viti më i errët për shqiptarët, ku jo vetëm nuk pati bilanc të dëmeve në njerëz dhe në ekonomi, por askush nuk u dënua si përgjegjës, madje u arrit sa drejtuesit e kohës u ricikluan duke marrë sërish frenat e shtetit në dorë. Duke qenë se drejtësia nuk ka bërë asgjë për këtë ngjarje nuk na ngelet gjë tjetër vetëm se ta risjellim në kujtesë tmerrin e atij viti. Në një bashkëbisedim me DITA, ish badigardi i Sali Berishës, tregon episode që janë zhvilluar atë kohë dhe që urdhëroheshin nga ish-presidenti i kohës. Në bisedë Izet Haxhia kur e pyesim pse vijon të denoncojë kur drejtësia nuk ka bërë asnjë përpjekje për të nisur ndonjë hetim, ai me buzëqeshje thotë se "unë bëj punën time, të jem me ndërgjegje të pastër". Në këtë intervistë të gjatë Haxhia tregon për herë të parë se si ndodhi masakra e Përmetit në 9 mars 1997 ku u vranë në mënyrë barbare gjashtë qytetarë të pafajshëm. Sipas Haxhias ata që ngritën dorë në atë ngjarje ishin njerëz të dërguar nga Tirana me porosi të Berishës dhe Gazidedes. Ai thotë se dy prej tyre janë dhe pjesë e Grupit të Zjarrit më 21 janar 2011. Haxhia gjithashtu flet dhe për marrëveshjen e 9 Marsit, tentativën e Berishës për të braktisur vendin dhe mbrojtjen që iu bë ish presidentit nga truprojet.

 

izetZoti Haxhia, 'DITA' po i rikthehet sërish ngjarjeve të vitit '97 tashmë që jemi 20 vjet më pas. Ju jeni një nga denoncuesit e mëdhenj të asaj tragjedie që i ndodhi Shqipërisë dhe shqiptarëve në atë vit. Mendoni se ka ende gjëra të tjera pa u thënë?

Edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga ai vit i zi për popullin e vendin tonë, ngjarjet dhe pasojat e tyre janë akoma të freskëta dhe të gjalla bashkë me shumë personazhe protagonistë të asaj kohe. Është folur shumë për atë vit nga persona aktivë e pjesëmarrës në ato ngjarje. Edhe unë si një dëshmitar i gjallë e protagonist i asaj kohe kam folur e denoncuar një seri ndodhish kriminale që kanë ndodhur në atë kohë. Të gjitha këto rrëfime e denoncime janë bërë me vërtetësi e të para nga një pozicion reflektues e i paanshëm me qëllimin e vetëm që të mësohet e vërteta nga njerëzit dhe sidomos brezi i ri që nuk i ka përjetuar ato ditë kaosi. Secila palë pjesëmarrëse dhe protagoniste në këto ngjarje apo tragjedi që ne vetë i shkaktuam është përpjekur t'i interpretojë sipas interesit të vet duke u munduar t'i largohen përgjegjësisë që kanë në atë tragjedi dhe njëkohësisht duke fshehur të vërtetat për krimet e përfshirjen e tyre në to. Nuk përjashtohet asnjëra palë nga kjo fajësi, por faji dhe pesha kryesore e tij bie mbi qeverisjen e PD dhe presidentin e kohës Berisha, i cili është arkitekti dhe përgjegjësi kryesor për rrëshqitjen e vendit në kaosin dhe tragjedinë e 1997. Vetëm në sajë të urtësisë dhe përmbajtjes nga ana e shumicës së popullit u mundua të evitohej një konflikt civil në të cilin donte ta zhyste vendin Berisha me klanin e tij. Nga ajo kohë kanë mbetur pa zbuluar e dalë në dritën e së vërtetës akoma shumë krime.

Keni ndonjë rast që nuk e keni thënë ende?

15942347_1374592009260236_367422213_nPo. Doja të përmendja njërin prej tyre, masakrën e Përmetit që u krye më 9 mars e ku mbetën të vrarë gjashtë persona të pafajshëm. Kjo masakër u krye nga rekrutë të armatosur nga PD dhe të dërguar në jug për të shtypur revoltën popullore, siç e cilësoj unë tani atë që ndodhi në atë kohë apo rebelimin komunist siç e quante dhe e quan "antikomunisti" Berisha. Ata që hapën zjarr mbi ata njerëz të pafajshëm që po iknin nga kaosi i shkaktuar në qytet u vranë me gjakftohtësi edhe pse ishin të PD dhe të paarmatosur, vetëm që të shkaktohej panik e terror tek popullata civile. Dy nga personat që kanë kryer këtë masakër me mitralozë të lehtë kanë marrë pjesë edhe në grupin e zjarrit më 21 janar si pjesëtarë të Gardës së Republikës ku u vranë katër persona të pafajshëm. Njeri prej tyre është edhe tezaku i Berishës siç thërrisnin tek Garda, Sadik Çelaj. Është rasti i vrasjes së policit të komisariatit të Fierit në Qafën e Cakranit nga ana e dy pjesëtarëve të SHIK-ut me origjinë nga Mirdita. Edhe këta njerëz të besuar të Berishës e Xhahit Xhaferit. Apo rasti i vrasjes së policit përballë hotel Rognerit është bërë nga pjesëtarë të grupit që mbronin Berishën dhe personi që ka qëlluar mbi policin është një afërt i Berishës me emrin Asim Kojeli. Këto ishin vetëm disa nga ato ngjarje kriminale që unë kam dijeni të plotë për to, por ka akoma ngjarje të tjera të pazbuluara që janë zhytur në pluhurin e harresës sepse asnjërës palë nuk i ka interesuar t'i zbardhë ato.

A besoni se autorët e asaj tragjedie do të dalin para drejtësisë ndonjë ditë?

Kanë kaluar 20 vite dhe fajtorët e vërtetë të asaj tragjedie as nuk kanë dëshmuar para drejtësisë dhe lëre të dalin si të akuzuar. Pasi zhytën vendin në kaos e dhunë ku u vranë me mijëra vetë, pasi u shkatërruan e dogjën pasuri të tëra shtetërore që nga armatimet, depot e pasuritë e individëve, politikanët tanë bënë marrëveshjen famëkeqe të 9 marsit 1997 ku amnistuan veten e krimet e tyre dhe bënë një rindarje të re të pastës së pushtetit. Si gjithmonë që dalin pa lagur në krimet e tyre politikanët tanë edhe atë kohë dolën të pa lagur dhe shkaktari kryesor i tragjedisë na doli si paqebërës, a thua se nuk ishte vetë ai që ndërseu militantët e partisë duke i armatosur që të sulmonin vëllezërit e tyre, që nisi topa e tanke për të shtypur "të kuqtë" siç i quante ish-kuqaloshi i kthyer në blu, që vërsuli SHIK-un e falangat e tij të bënin vrasje e akte terroriste sabotazhi… dhe ata që na mbanin anën e popullit të revoltuar për hir të një posti apo cope nga torta e pushtetit që u dha Berisha, shitën interesat e miliona qytetarëve që kërkonin ndëshkimin njëherë e mirë të shkaktarit të kësaj tragjedie, Berishës. Po qe se këta që na flasin për reformë në drejtësi e ndëshkim të krimit, ndëshkimi i tij duhet të fillojë me tragjedinë e marsit 1997 dhe krimet që shoqëruan e pasuan. Sepse këtu është edhe zanafilla e të gjitha krimeve kapjes së politikës nga krimi e deri tek Gërdeci e 21 janari. Krimet e shtatorit 1998 e deri tek Gërdeci e 21 janari janë vazhdimësi e krimeve shtetërore që filluan me vrasjen e Remzi Hoxhës dhe kulmuan me vrasjen e shtetit në çdo qelizë në Mars 97… Pa u abroguar amnistia e marsit '97 dhe hapur rruga e gjykimit të tragjedisë e krimeve të '97-s nuk mund të vendoset drejtësi apo paqe sociale e qëndrueshme. E shihni shkaktarin e kësaj tragjedie që edhe sot na del e kërcënon se do të përsërisë tragjedinë e '97-s? Pse? Sepse ai nuk mori ndëshkimin që i takonte për atë që shkaktoi, përkundrazi u shpërblye duke e bërë kryeministër në 2005-n.

Cilin e quani momentin dhe aktin më të papërgjegjshëm të asaj tragjedie?

Tragjeditë kanë në vetvete absurditetin dhe papërgjegjshmërinë e atyre që janë shkaktarët kryesorë të tyre. Por tragjedia që i ndodhi Shqipërisë në '97 është unike në llojin e vet dhe e paparë në asnjë vend të botës, qoftë edhe ato afrikane. Brenda 24 orëve u thërrmua ai shtet nëse e quajmë të tillë, shtetin e krijuar nga PD e Berisha… U shembën gjithë institucionet që nga ushtria, policia e deri tek simboli që u tregon njerëzve që shteti ekziston, burgjet… Unë mendoj se momenti më antishtet dhe i papërgjegjshëm ka qenë ai i 2 marsit ku nën rrethimin e parlamentit nga tanket e militantët e armatosur, nga deputetë të zgjedhur në mënyrë jo legjitime me zgjedhjet e vjedhura e të dhunuara të 26 majit, Berisha u rizgjodh president. Zjarri i zemërimit popullor kishte arritur pranë zyrës së tij, ndërsa ai mendonte për mandatin e dytë presidencial, në funksion të të cilit u bë edhe vjedhja e zgjedhjeve të 26 majit, u rritën e përhapën si epidemi firmat piramidale u dhunua opozita e mediat e lira… Pra akti i zgjedhjes së Berishës si president i vuri kazmën e fundit shembjes së shtetit që do të vinte pas disa ditësh dhe pikërisht më 13 mars të 1997.

Disa muaj më parë ju jeni shprehur për DITA se pasi ishte bërë edhe marrëveshja e 9 marsit në Presidencë, Berisha ka dashur të arratisej nga Shqipëria. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?

15991433_1374592032593567_205579522_oKjo është plotësisht e vërtetë. Ja si ndodhi. Pasi u bë marrëveshja e papritur e 9 marsit 1997, ku u vendos të krijohej qeveria e Pajtimit Kombëtar me kryeministër Bashkim Finon të ngelur pa punë, kaosi vazhdonte të sundonte gjithë vendin. Veriu, ku deri më 9 mars nuk ishin hapur depot e armatimit, me urdhër të Berishës u hapën depot edhe në ato zona. Nga njëra anë flitej e vendosej për

qeveri e pajtim kombëtar, nga ana tjetër jepej urdhri për armatosjen e veriut kundër jugut. Skenari i zi duhej çuar deri në fund. Në jug rebelët dhe komitetet e shpëtimit nuk pranonin këtë zgjidhje dhe kërkonin largimin e Berishës. Berisha nga një "luan" i para një jave, kur thoshte se do t'i shtyp të kuqtë, do të ndaj shapin nga sheqeri e broçkulla të tjera si këto, tani na ishte bërë një lepur që po priste të merrte arratinë. Edhe të majtët, pasi kishin nënshtruar Berishën duke e detyruar të pranonte kompromisin me ta, po zvarritnin që të fillonte nga puna qeveria e Pajtimit Kombëtar.

Megjithatë qeveria filloi nga puna…

Forcat e dërguara në dy fronte, në atë të Vlorës dhe atë të Përmetit për të nënshtruar e shtypur rebelimin, iu dha urdhri të tërhiqeshin në Tiranë. Shumë prej tyre e ndjenin veten të mashtruar nga Berisha dhe hoqën përkrahjen ndaj tij. Në këtë situatë kaotike ku shumë eksponentë të qeverisë së PD-së filluan të iknin nga sytë këmbët në panik. Në këtë kohë të gjithë të burgosurit që mbaheshin si "më të rrezikshëm" ishin transportuar në burgun 313 në Tiranë. Në mes tyre ishte edhe Fatos Nano dhe Ramiz Alia. Unë, së bashku me vëllain tim Isamedinin, i cili kishte qenë komandat i operacionit të forcave që ishin përqendruar në Fier, por që me një urdhër të Gazidedes u thirr në Tiranë për të pushuar dy ditë. Në fakt, ky ishte shkarkimi i tij në fshehtësi nga kjo detyrë. Vëllai im, Isamedini, i zhgënjyer nga kjo lojë e Berishës me Gazideden, së bashku me dy vëllezërit e tjerë, më kërkuan që të shifnim punën tonë dhe të lija Berishën. Por unë u thashë se, edhe sikur i vetëm të ngelem, nuk do ta lej vetëm Berishën. Dhe ata, për të mos më lenë vetëm, qëndruan pranë meje. Kështu, filluam së bashku me vëllezërit e mij të mblidhnin njerëz për të mbrojtur Berishën dhe Tiranën nga sulmi që pritej nga rebelët e jugut.

Ju mendonit se mund të sulmohej Presidenca?

15942958_1374592102593560_1289603752_oPo. Kulmi i kësaj historie është data 13 mars. Pasi u kishim mbushur mendjen shumë vetave që të na bashkoheshin për të mbrojtur Berishën dhe po blindonim Presidencën me armatime të rënda që morëm nga depot e Gardës, vumë armë të rënda në pikat dominuese tek korpusi i Universitetit dhe ndërtesa të tjera të larta. Ishim gati për luftën finale… Po kthehesha nga Garda për në Presidencë, kur nga dera e prapme e saj, ngjitur me Klinikën Speciale të ish udhëheqjes shof një autoblindë, një tank dhe një makinë të blinduar që prisnin. Pyeta njërin nga shoqëruesit e Berishës se çfarë kërkojnë këto këtu? Më tha: Presidenti po ikën… Më iku truri. Shkova me vrap dhe u futa në zyrën e Berishës që po dridhej dhe i thashë: "Çfarë ke ndërmend të bësh? Më tha: "Izet, çdo gjë mori fund…" "Çfarë mori fund?", i thashë. "Fëmijët e tu i çuam në Itali, gruan e ke të strehuar në një vend të sigurt…" Pas këtyre fjalëve, shtova: "Po bëre një hap të dalësh prej kësaj zyre je i vdekur! Unë me vëllezërit e miqtë e mij po mbledhim njerëz për të mbrojtur ty, ndërsa ti kërkon të ikësh siç ikën shumica e pushtatarëve të tu. Kur të vritem unë me gjithë njerëzit e mij, atëherë mund të ikësh kur të duash…" Ai me kokën ulur tha: "Mirë… Do qëndroj këtu…"

Çfarë ndodhi më tej?

Pasi ndodhi sulmi i presidencës nga mesnata nga një furgon dhe morën kundërpërgjigjen tonë, ku mbetën të plagosur tre veta nga sulmuesit, Berisha kërkoi t'i sillnin një kallashnikov se donte të luftonte edhe ai. I thashë që nuk të bjen ty të luftosh se luftojmë neve për ty. Mora vesh pak më vonë që ai do shkonte në fillim në Laç te vila e një doktori me emrin Bashkim Ulaj dhe pastaj do vinte një helikopter i forcave ushtarake franceze për ta marrë e larguar, nuk e di se ku. E kam thënë që ikja e Berishës ka qenë finalja e skenarit të copëtimit të Shqipërisë. Pse e them këtë? Nuk e di a ju kujtohet, por atë natë të gjitha kanalet prestigjioze të botës CNN, Fox, Euro News dhanë lajmin për arratisjen e Berishës dhe harta e Shqipërisë ishte zhdukur nga lajmet që jepnin duke thënë që Shqipëria u copëtua dhe në të njëjtën kohë forcat greke hyn në territorin shqiptar rreth 20 km, gjoja për të mbrojtur minoritetin grek. Jo se Berisha nuk e dinte këtë skenar. Unë e them me bindje se duke mbajtur me zor Berishën atë natë të 13 marsit, kemi prishur këtë skenar, por i lashë në shpinë këtij populli një tradhtar e kriminel që me politikën e tij e çoi vendin buzë greminës duke u bërë bashkëpunëtor në këto skenare. Kur të hapen arshivat sekrete të asaj kohe do të më jepni të drejtë në këto që po them…

Vijon nesër

Ndërron jetë ish-presidenti i Gjermanisë, Roman Hercog

Posted: 10 Jan 2017 02:34 AM PST

Ish-presidenti gjerman Roman Hercog ndërroi jetë sot, në moshën 82-vjeçare.

Hercog në vitet e ’90 të shekullit të kaluar insistoi që Gjermania të zbatojë reforma ekonomike, por gjithashtu theksonte se sa është e rëndësishme që të mos harrohet Holokausti.

Presidenti aktual gjerman Joahim Gauk deklaroi se Hercog ka qenë "personalitet unik".

Hercog u bë president i Gjermanisë në vitin 1994, katër vite pas bashkimit.

Statistikat/ Mavraj mbrojtësi më i mirë në Bundesligë, lë pas Humels dhe Boateng

Posted: 10 Jan 2017 02:26 AM PST

Mbrojtësi shqiptar është shpallur mbrojtësi më i mirë në Bundesligë pas paraqitjeve të mira me Këlnin.

Mavraj gjatë periudhës që ishte me Këlnin luajti të gjitha ndeshjet për ekipin gjerman, duke fituar 58 % të dueleve me kundërshtarët e tij.

Ky është një rekord për këtë pjesë të parë të sezonit. Ndërkohë Mavraj ka qenë i saktë edhe në 83 % të pasimeve të tij duke lënë pas emra të mëdhenj të futbollit në Bundesligë si Mats Humels apo edhe Zherom Boateng.

Padyshim që ky është sezoni më i mirë i Mavrajt në futbollin gjerman, i cili ka shkëlqyer në fazën mbrojtëse.

“Shqiptarët po planifikojnë të na sulmojnë”, ja si i përgjigjet Majko ministrit serb Daçiç

Posted: 10 Jan 2017 02:24 AM PST

 

Ish-kryeministri në kohën e luftës së Kosovës, Pandeli Majko ka reaguar në lidhje me deklaratën e ministrit të Jashtëm serb, Iviça Daçic.

Ky i fundit ka deklaruar se ka informacione se shqiptarët në diasporë po planifikojnë sulme në ndonjë nga shërbimet diplomatike serbe në Evropë.

Me anë të një statusi në rrjetin social Facebook Majko nuk ka kursyer ironitë në drejtim të diplomatit, duke i kujtuar një gjeneral të ushtrisë Austro-Hungareze.

Deputeti i PS-së ndër të tjera shton se 'Diplomacia nuk është paturpësi. Serbia meriton më shumë'.

STATUSI I MAJKOS

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Dacic ka deklaruar se diaspora shqiptare planifikon të marrë nën kontroll një nga objektet e misioneve diplomatike apo konsullore të Serbisë. Ai ka paralajmëruar që politikanët shqiptarë "të mos luajnë me zjarrin"…

Dikur një Gjeneral i ushtrisë Austro – Hungareze për tregëtarët e Beogradit të mishit të derrit thoshte se: "Përpiqen të të mbushin mendjen sikur derrin e kanë rritur në kuzhinë dhe jo në mes të baltës…"

Historisë nuk i ka munguar sensi humorit kur tentoi të zëvendësojë Vjenën me Beogradin. Diplomacia nuk është paturpësi. Serbia meriton më shumë.

Robert Ndrenika mbush 75-vjeç, Pëllumb Kulla i shkruan për ato që nuk ia ka thënë kurrë

Posted: 10 Jan 2017 02:15 AM PST

 

Regjisori Pëllumb Kulla i është drejtuar sot me një mesazh shumë të veçantë aktorit të madh Robert Ndrenika, në 75-vjetorin e lindjes.

Me një postim në faqen e tij në Facebook, Kulla i shkruan aktorit të qindra roleve në kinema e teatër për ato që nuk ia ka thënë kurrë përballë.

Mesazhi i Pëllumb Kullës

ROBERT NDRENIKA SHËNON SOT 75!

Edhe ju më të rinjtë do të vinit te 75-at!

Berti i dashur, ta uroj këtë ditë të shënuar. Ti, i shtrenjti Bert, meriton që sot, veç e veç, tok e tok, shtëpi më shtëpi, studio më studio, auditor më auditor, njerëzit të trokasin gotat me mendjen tek vitet e tua gjurmëlënës në skenat dhe ekranet e shqiptarëve.

Me ty, o shoku im i klasës dhe i shkollës, o miku im i vjetër, kemi kaluar bashkë një pjesë të mirë të këtyre viteve.

Kemi biseduar dhe kemi qarë halle, jemi tallur e kemi ngacmuar njëri tjetrin, por kurrë unë nuk jam ndalur e nuk të kam thënë atë që do të të them pikërisht sot.

Atë që, ti i dashuri im, je një artist i madh, nga ata të ndriturit, nga ata që skenës dhe ekranit i vijnë rrallë, shumë rrallë. Ti je nga ajo racë aktorësh që të zbukurojnë jetën dhe që i japin pavdekshmëri teatrit, asaj loje magjepsëse ku njerëzit qeshin e qajnë për ca realitete të sajuara bukur.

Ti, Bert, je nga ata aktorë të paktë që janë mjeshtra dhe në ndërtimin e figurave komike, dhe po aq mbresëlënës me karakteret dramatikë.

Ti ke bërë aq shumë sa njerëzve kur u flitet për teatrin, mendja u shkon vetëm tek artistë si ti.

Paç jetë të gjatë mes familjarëve të tu, mes miqve të tu dhe u shtoftë edhe më tej magjia e artit tënd!

Futi shqiptarët me avion në Britani, 6 vite burg lituanezit

Posted: 10 Jan 2017 02:12 AM PST

Me 6 vite burg është dënuar 60-vjeçari nga Lituania Algirdas Barteska, i cili më 24 qershor të vitit të kaluar u arrestua pasi kishte futur në Angli ilegalisht një familje shqiptare të përbërë nga 3 veta.

Autoritetet e aeroportit të Seething, Norfolk u detyruan ta ndjekin përgjatë pistës dhe ta pengonin që ai të ngrihej në ajër pasi ishte ulur bashkë me familjen shqiptare.

60-vjeçarit iu gjenden edhe 5000 euro me vete, shumë e cila mendohet se ka qenë pagesa e shqiptarëve për të hyrë ilegalisht nga Gjermania në Angli.

Elvira Diamanti: Dy momentet e dhimbshme që më kanë lënduar në jetë

Posted: 10 Jan 2017 02:09 AM PST

 

Me suksese të panumërta dhe një karrierë të gjatë e plot role që kanë shenjuar kujtesën e të gjithë shqiptarëve, Elvira Diamanti është tërhequr nga skena.

Aktorja e famshme për interpretimin e magjishëm përkrah Robert Ndrenikës dhe Hajrie Rondos në filmin "14 vjeç dhëndër", ka treguar në një intervistë për "Thurje" se i ka hyrë rastësisht aktrimit.

"Nuk kisha dëshirë të isha në xhirime, por që mund të lija shkollën. Xhirimet ishin një arsye për të mos shkuar në shkollë dhe ishte shumë bukur", tregon aktorja, ndërsa thotë se aktualisht i duket vetja "shumë e paaftë për të qenë në skenë". Në rrëfimin e saj, Marigoja aq shumë e dashur e shqiptarëve na zbulon edhe dy nga momentet më të fuqishme e dramatike të jetës së saj.

Ke dashur të bëhesh aktore kur ke qenë e vogël?

Ndodhi natyrshëm. Ka magji aktrimi, sigurisht, në momentin e parë që e prek, pastaj është e vështirë të shkëputesh, sidomos për faktin se atëherë nuk mund të ishe e shpërqëndruar si sot, pra të bësh këtë gjë dhe diçka tjetër. Në atë kohë ishe aktore dhe ishe vetëm aktore.

Cili ka qenë sheshxhirimi i parë që e kujton me emocion dhe ndoshta ka qenë edhe më i rëndësishmi për ty?

Shfaqja e parë ka qenë "Shi në plazh", ndërsa sheshxhirimi i parë ka qenë me filmin "Radiostacioni" dhe isha ende pa mbushur 17 vjeç. Nuk kisha dëshirë të isha në xhirime, por që mund të lija shkollën. Xhirimet ishin një arsye për të mos shkuar në shkollë dhe ishte shumë bukur. Edhe atje kam qenë me profesor Birçe Haskon. Ndërsa shfaqja "Shi në plazh" për mua ka qenë magji, nga fillimi deri në fund.

Kishe momente pasigurie, apo frikë se nuk do pritej mirë?

Jo, këtë jo, sepse ne ndjeheshim shumë mirë që në provat e tavolinës. Kur kemi dalë në skenë karakteret ishin të formuara. Që do kishte sukses ndoshta e prisja, por të kishte sukses aq gjatë në kohë nuk e kisha menduar.

Cili ka qenë momenti më i vështirë që Elvira ka kaluar?

Gjëja që më ka prekur më shumë është kur një doktoreshë më tha për motrën time që ka kancer dhe është i pashërueshëm. Mbase ma tha pak ashpër dhe prerë. Ky është një moment aq i dhimbshëm dhe i fuqishëm, saqë unë ende sot kur shikoj në ëndërr motrën time Diana them: Sa mirë është, sa e lumtur është, por nuk e di që është e sëmurë. Ky ka qenë momenti më i vështirë në jetë.

Sigurisht, Elvira ka pasur edhe momente të bukura. Cili prej tyre ka qenë më i bukuri?

Kur i kam dhënë për herë të parë vajzës sime gji. Vajza lindi nën peshë dhe në atë kohë rregullat ishin të rrepta, nuk mund ta ushqeje. Ta merrnin fëmijën e vendosnin në inkubator, që të rritej në kushtet speciale. Unë qaja vazhdimisht sepse vajzat ishin binjake dhe nuk arritën dot që të jetonin të dyja. Mbeti vetëm Edra, vajza që kam sot. Drini duke parë që unë isha vazhdimisht e shqetësuar, qaja dhe dihet që shqetësimi ta heq qumështin, më çoi në maternitet dhe fshehurazi, duke thyer të gjitha rregullat, e mori Edrën nga inkubatori dhe unë i dhashë gji. Ai ka qenë një moment i magjishëm për mua dhe thashë se nuk mund të ketë gjë më të bukur se kaq. Lumturia ishte shumë e plotë.

Çfarë pëlqen të bëj Elvira në kohën e lirë, cilat janë pasionet?

Sikur të kisha kohë… Në fakt tani që fëmijët janë rritur kam kohë dhe jam vazhdimisht duke lexuar. Është e vetmja marrëdhënie që nuk më ka tradhtuar dhe që nuk e kam tradhtuar, leximi. Nuk më shijon një film sa më shijon një libër, ndoshta sepse këtë librin e bëj film në kokën time, nuk e di. Nëse kam parë një film pëpara se të kem lexuar një libër, supozojmë "Pianisti", që të gjithë e dinë që është një film i jashtëzakonshëm dhe një aktor i jashtëzakonshëm, libri më pëlqen më shumë, sepse atmosferët e marr më të plotë.

Ke ndonjë zhanër, apo libër të preferuar?

Jo, është në varësi të kohës. Në verë që është vapë më pëlqen të lexoj thriller. Tani më pëlqejnë më shumë librat historik apo biografik, në raport me romanet. Pra ka ndryshuar shija, por jo dëshira për librin.

Ka Elvira një rol që ka dashur gjithmonë ta bëj, por që nuk i është ofruar dhe do doje ta ofronin sot?

Jo, sot nuk do doja (qesh).  Sot nuk do doja të më ofronin asgjë sepse më duket vetja shumë e paaftë për të qenë në skenë, madje po filloj të trembem sepse më duket vetja edhe e paaftë për të qenë në sheshxhirim. Kam pasur role, si Elektra, apo Lady Makbeth, të cilat kanë qenë role të fuqishme. Thonë që nëse nuk je futur në oqean nuk e di sa not bën, ndaj do doja të kisha pasur role të kësaj natyre gjatë karrierës sime, por tani jo.

Zyrtare, Botërori me 48 kombëtare

Posted: 10 Jan 2017 02:07 AM PST

FIFA ka marrë vendimin për të rritur numrin e skuadrave pjesëmarrëse në kampionatin botëror, ku duke nisur nga 2026 nuk do të jenë më 32 skuadra, por 48.

Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të FIFA-s mëngjesin e sotëm pas votimit në Zyrih të Zvicrës.

Numri i ndeshjeve të turneut më të rëndësishëm në rang kombëtaresh do të rritet nga 64 ndeshje në 80 të tilla. Turneu do të përfundojë brenda 32 ditëve, një vendim i cili pritet të qetësojë klubet e mëdha evropiane, të cilët kundërshtuan fuqishëm këtë ndryshim.

Zgjerimi i formatit të Kupës së Botës ishte projekt i fushatës së Gianni Infantinos, presidentit aktual të FIFA-s, që tashmë është bërë zyrtar.

Rinisin reshjet e borës, fshatra në veri ende të izoluar, situata në qarqe

Posted: 10 Jan 2017 02:07 AM PST

 

Moti i ftohtë me temperatura që shkojnë deri në -19 gradë ka vijuar edhe gjatë 24 orëve të fundit, duke krijuar probleme në qarkullimin në rrugë dhe jetën e përditshme të banorëve në zonat e thella malore.

Por reshje dëbore nuk ka pasur në pjesën më të madhe të vendit, ndërkohë që sot në mëngjes ka nisur të bjerë një dëborë e lehtë në bashkitë Sarandë, Pukë dhe Dibër.

Në qarqet Kukës, Shkodër, Dibër, Lezhë, Korçë, Elbasan, Vlorë dhe Berat megjithëse nuk ka pasur reshje, për shkak të temperaturave të ulëta dhe erës së fortë, në disa akse rrugore ka pasur prezencë akulli.

Të gjithë akset rrugore kombëtare janë të qarkullueshme, disa pjesërisht me zinxhirë.
Firmat kontraktore vazhdojnë të punojnë me forcat dhe mjetet e tyre, duke pastruar borën dhe hedhur kripë e skorie në rrugë, sidomos në segmentet problematike.

Janë përballuar si duhet emergjencat shëndetësore duke ndërhyrë sipas rastit edhe nga ajri me helikopter për shtetas me probleme.

Ka nisur shpërndarja e ndihmave në disa qarqe dhe do të vijojë edhe gjatë ditës së sotme nëpër zonat problematike.

Situata në akset rrugore në të gjithë vendin,mëngjesin e sotëm paraqitet si më poshtë:

QARKU KUKËS
Në qarkun e Kukësit të gjitha akset rrugore kombëtare janë të qarkullueshme pa zinxhirë:
Rruga e Kombit-Tuneli Thirrës, Krumë-Qafë Prushi-Kam, Bajram Curri-Fierzë, Bajram Curri-Qafë Luzhë, Bajram Curri-Qafë Morinë dhe Bajram Curri-Valbonë ndërkohë në rrugët rurale Kukës-Bushtricë, Kukës–Zapod, Dushaj-Lekbibaj, Qafë Shlak e Qafë Mali- Qafë Dardhë- Meliska- Fierzë, Grykë-Çaj, Kalisë, Surroj, Zapod, Topojan, Shishtavec dhe Malzi, bashkitë Has e Tropojë për të qarkulluar duhet të përdoren zinxhirët.
Aktualisht e bllokuar është njësia administrative Arrën.

QARKU SHKODËR
Në qarkun e Shkodrës akset Fushë Arrëz-Iballë; Shkodër-Theth; Shkodër – Shosh- Breg i Lumit, Qafë Bordoleci–Vemosh; Shllak-Temal,Qerret-Qelëz; Tamarë-Vermosh; Tamarë-Kozhnje dhe rruga për në njësinë Administrative Temal janë të bllokuara.
Akset rrugore Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak; Qafë Mali-Dardhë-Fierzë dhe Pukë -Fushë Arrzë-Qafë Mali janë të qarkullueshme me zinxhirë.

QARKU DIBËR
Në qarkun e Dibrës aksi i vetëm kombëtar është ai Lurë- Peshkopi ndërkohë akset e tjera Ura e Çerenecit-Steblevë, Skuraj-Burrel; Burrel-Qafë Bualli, Qafë Bualli-Peshkopi dhe Peshkopi-Kala e Dodës janë të qarkullueshme me zinxhirë.
Akset rurale të bllokuara janë Muhurr-Çidhen- Lurë dhe Burrel-Macukull ndërsa në akset
Muhurr-Çidhen-Reç, Muhurr-Selishtë, Klos-Ziver, Klos-Kurçelaj, Klos-Gurrë e Sipërme dhe Klos-Burrel qarkullimi bëhet me zinxhirë.

QARKU LEZHË
Në qarkun e Lezhës Segmenti i Rrugës së Kombit Rrëshen-Sang-Tuneli i Thirrës është i qarkullueshëm me zinxhirë.
Gjitahshtu edhe akset rurale Rrëshën-Kurbnesh-Lurë, Njësitë administrative Fan, Orosh dhe Selitë dhe Kaçinar janë të qarkullueshme me zinxhirë.

QARKU KORÇË
Në qarkun e Korccës të gjitha akset kombëtare janë të hapura por në akset Qafë Thanë–Pogradec- Qafë Plloçë- Korçë dhe Korçë- Qafë Qarri-Ersekë qarkullimi bëhet me zinxhirë.
Edhe në pikat turistike Korçë- Dardhë dhe Korçë-Voskopojë janë të qarkullueshme me zinxhirë.

QARKU ELBASAN
Në akset kombëtare Elbasan- Librazhd- Qafë Thanë; Labinot Fushë- Bizë- Martanesh dhe Librazhd-Steblevë qarkullimi kryhet me zinxhirë.
Qarkullimi për në Njësitë Administrative Hotolisht dhe Polis kryhet vetëm me zinxhirë.
Me zinxhirë qarkullohet edhe aksi Qafë Shapkë- Qarrishtë,.

QARKU VLORË
Për shkak të ngricave gjatë natës segmenti Orikum- Palasë, në Qafë Llogara dhe Qafë Muzinë si dhe Qafë Gjashtë qarkullohen me zinxhirë.

QARKU BERAT
Në arkun e Beratit Bashkia Poliçan në aksi rrugor Tomorr i Madh – Tomorr i Vogël qarkullimi kryhet me zinxhirë.

Treni i linjës Tiranë-Durrës përplas mjetin, plagoset drejtuesi

Posted: 10 Jan 2017 02:03 AM PST

 

Një person mbeti i plagosur teksa mjeti i tij u përplas nga treni i linjës Tiranë-Durrës.

Aksidenti hekurudhor ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Domje të Tiranës.

Autovetura tip Mercedes u godit teksa po kalonte mbi shina, duke e marrë përpara për disa metra.

Për pasojë, drejtuesi i mjetit mbeti i plagosur.

Ai është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e aksidentit.

Related Posts :