Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Koalicioni me PS, Meta: Do t’i përmbushim të gjitha detyrimet” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Koalicioni me PS, Meta: Do t’i përmbushim të gjitha detyrimet” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Koalicioni me PS, Meta: Do t’i përmbushim të gjitha detyrimet

Posted: 10 Jan 2017 08:00 AM PST

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta bëri të qartë dje, se LSI-ja do të përmbushë marrëveshjen me PS-në për koalicionin, por nuk qartësoi nëse ky koalicion do të vijojë edhe në zgjedhjet e 18 qershorit. Në një intervistë për gazetën "Express", gjatë vizitës në Kosovë, Meta nuk qartësoi edhe kandidimin për postin e presidentit, duke thënë se e di që do të jetë Kryetar i LSI-së më 19 qershor.
Cilat janë informacionet e shtetit shqiptar për ndalimin e Ramush Haradinajt në Francë, pasi keni pasur edhe një takim me udhëheqësit e AAK-së?
Është e qartë se ky është një ndalim absurd, i mbështetur në kërkesat e vjetra të Serbisë ndaj z. Haradinaj, por me sa duket edhe figurave të tjera të UÇK-së. Ne shpresojmë dhe besojmë se autoritetet franceze do t'i japin zgjidhje të shpejtë kësaj situate dhe z. Haradinaj do të kthehet në Kosovë.
Kishte kritika në drejtim të dy shteteve se nuk u reagua siç duhet dhe nuk po bëhet presion i mjaftueshëm mbi shtetin francez për të liruar ish-kryeministrin…
Mund të them se reagimet ishin të menjëhershme. Nga ana e Shqipërisë kanë reaguar të gjitha autoritetet shtetërore. Veç kësaj, janë marrë iniciativa konkrete si në rrugë diplomatike, si nga ana e ministrit të Drejtësisë, i cili menjëherë i ka drejtuar një letër homologut të tij francez. Të dy ambasadorët, të Shqipërisë dhe të Kosovës në Francë kanë bërë përpjekje të koordinuara për të kërkuar një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë të kësaj çështjeje dhe për të qenë sa më afër z. Haradinaj në këto momente.
Çfarë duhet të bëjë Kosova në raport me Serbinë që të mos ketë raste të tilla të fletë-arresteve ndaj qytetarëve të Kosovës? Opozita në Kosovë ka propozuar edhe ndaljen e bisedimeve me palën serbe…
Nuk do të doja të jepja një këshillë, sepse autoritetet e Kosovës kanë gjithë përgjegjshmërinë dhe përvojën për të vepruar në mënyrë më të mirë, në mbrojtje të interesave të Kosovës, të qytetarëve të saj dhe të të drejtave të tyre. Por, natyrisht, duhen bërë përpjekje të mëdha sidomos në raport me BE-në, por edhe me SHBA-të. E theksoj BE-në për shkak edhe të dialogut, që edhe aq shumë mbështetet për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. T'i tregohet qartë Serbisë se veprime të tilla, insistime të tilla nuk i shërbejnë as dialogut, as rritjes së mirëkuptimit dhe të ardhmes së rajonit.
Cilat janë raportet tuaja personale me z. Haradinaj? Si e njihni ju liderin e AAK-së?
Z. Haradinaj është i njohur për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Është simbol i sakrificave sublime që shqiptarët e Kosovës kanë bërë për liri dhe pavarësi e dinjitet. Është një politikan mjaft i përgjegjshëm, i cili është përballur me shumë dinjitet, jo vetëm para drejtësisë ndërkombëtare, por edhe para padrejtësisë, duke fituar ndaj proceseve të montuara ndaj tij, në të kaluarën dhe duke mbrojtur dinjitetin e popullit të tij për liri. Më pas, cilat janë sakrificat e z. Haradinaj dhe të familjes së tij për lirinë e Kosovës, cili është çmimi që ata kanë paguar për këtë gjë, mendoj se është e tepërt të komentohet nga unë, pasi janë të njohura botërisht nga gjithë shqiptarët.
Partitë shqiptare në Maqedoni publikuan një platformë të përbashkët për zgjidhjen e problemeve. Sa besoni se do të zbatohet kjo platformë në Maqedoni?
Problemi kryesor në Maqedoni, viteve të fundit, ka qenë lufta për pushtet midis dy partive kryesore maqedonase, që ka sjellë edhe ngërçin institucional në vend. Aktualisht, kemi një përpjekje mjaft pozitive shqiptare për t'u bërë garant i stabilitetit të Maqedonisë përmes miratimit të një rruge që e demokratizon plotësisht Maqedoninë dhe e ndihmon të futet në shinat e integrimit në BE, duke qenë pjesë e kësaj platforme, kësaj traseje, garantimi i të drejtave të margjinalizuara të shqiptarëve, të bazuara edhe në Marrëveshjen e Ohrit dhe në Kushtetutën e Maqedonisë.
Si e shihni përfshirjen e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit në bashkimin e shqiptarëve të Maqedonisë?
Këto janë përpjekje pozitive edhe nga Tirana, edhe nga Prishtina. Por, njëkohësisht, të mos harrojmë, se ishte vetë z. Ali Ahmeti si parti e parë fituese shqiptare e zgjedhjeve që inicioi një platformë bashkimi të forcave të tjera shqiptare në Maqedoni. Kjo nevojë bashkëpunimi vjen nga vetë faktori shqiptar dhe ne të gjithë do të jemi mbështetës të këtij bashkëpunimi.
Të flasim pak për raportet Shqipëri-Serbi. Në fakt, si e shihni ju zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë; duhet Shqipëria të ndërmjetësojë në këtë drejtim?
Besoj se keni një dialog tashmë prej kohësh midis autoriteteve të Serbisë dhe të Kosovës me mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, dhe natyrisht që Kosova ka përfaqësuesit e vet. Dhe, Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në mbështetje të këtij procesi, duke mos zëvendësuar asnjëherë autoritetet e Kosovës, por, duke dhënë gjithë mbështetjen që do t'i kërkohet në funksion të një ecurie pozitive dhe të suksesshme të këtij dialogu.
Ndryshe nga Kryeministri i Shqipërisë, ju po hezitoni të flisni në emër të Kosovës. Edi Rama, në vizitën e fundit në Beograd, foli në emër të Kosovës dhe pati shumë debat nëse bëri mirë apo keq. Ju, si e shihni një veprim të tillë të Ramës?
Nuk dua të bëhem pjesë e debateve dhe e kritikave të ndryshme. Unë besoj që Shqipëria dhe institucionet e Shqipërisë kanë qenë dhe do të jenë gjithnjë në mbështetje të institucioneve të Kosovës. Ashtu sikurse institucionet e Kosovës do të jenë në mbështetje të institucioneve të Shqipërisë për çdo çështje që neve do të na duhet dhënë.
Të flasim pak për Shqipërinë. Do të jeni ju kandidat për pozitën e presidentit?
E kam dhënë një përgjigje të qartë për këtë çështje. Shqipëria ka më 18 qershor zgjedhje dhe e kam bërë të qartë që edhe më 19 qershor do të jem Kryetar i LSI-së, që do të thotë se rezultati i saj do të jetë mjaft pozitiv dhe unë do të kem arsye të vazhdoj udhëheqjen e kësaj force politike.
Pas zgjedhjeve të ardhshme, do të vazhdoni koalicionin me PS-në apo do të riktheheni te PD-ja e Bashës?
Lëvizja Socialiste për Integrim pa asnjë diskutim që do të përmbushë gjithë detyrimet e saj, sipas marrëveshjes së koalicionit me PS-në, sepse kemi mjaft sfida, të cilat nuk na lejojnë të humbasim asnjë minutë me çështje më pak të rëndësishme, siç është përfundimi i reformës zgjedhore, thellimi i zbatimit të dekriminalizimit dhe zbatimi i plotë i tij, vazhdimi i reformës në drejtësi dhe garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një sfidë mjaft e rëndësishme. Në këtë drejtim, këto çështja kanë vëmendjen më të madhe tonën.
Cili është pozicioni juaj lidhur me zgjedhjen e Trump për President të SHBA-ve?
Jam i bindur që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA-ve do të vijojnë të forcohen më tej edhe pas këtyre zgjedhjeve. Dhe, besoj se cilado forcë politike fiton në Amerikë, raportet me Shqipërinë, me SHBA-të janë strategjike, dhe si një politikan me eksperiencë që jam, besoj se marrëdhëniet tona janë shumë të rëndësishme si me administratën e re, por po kështu edhe me përfaqësuesit e dy palëve në Senat, si në Kongres, edhe në institucionet e tjera.
A do të ndikojë kjo në raportet mes shqiptarëve dhe Amerikës, kur dihet se edhe Thaçi edhe Rama kanë mbështetur hapur Hillary-n për presidente?
Jam i bindur që z. Trump është një president jo i rastësishëm dhe që shikon përpara. Në këtë drejtim, çmoj shumë deklaratat e tij për Kosovën edhe kur nuk ka qenë i angazhuar politikisht me një saktësi dhe elokuencë të mrekullueshme. Aq më tepër kur eksperienca e tij është e jashtëzakonshme pas një fushate të paimagjinuar nga askush.

Gripi i shpendëve, Panariti: Jemi gati të përballemi

Posted: 10 Jan 2017 08:00 AM PST

Përhapja me shpejtësi e gripit të shpendëve në disa vende të Bashkimit Europian dhe te fqinjët tanë, Greqi e Maqedoni, ka vënë në gjendje gatishmërie edhe autoritetet shqiptare. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti kërkoi nga fermerët dhe kompanitë që mbarështojnë shpendë për mish e vezë të zbatojnë në mënyrë rigoroze kushtet higjieno-sanitare dhe të intensifikojnë dezinfektimin, si masa parandaluese ndaj gripit që rrezikon edhe vendin tonë. “Situata në vendin tonë është nën kontroll. Nuk kemi situatë epidemiologjike, po duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe ta parandalojmë përmes masave rigoroze”, – apeloi Panariti. Nga Kavaja, ministri Panariti deklaroi dhe se brenda 3-mujorit të parë të këtij viti do të nisë kompensimi për fermerët, kafshët e të cilëve u prekën nga dermatoza nodulare. “Porosia në Danimarkë me kafshë të racës është bërë dhe së shpejti do të nisë kompensimi kokë më kokë i fermerëve të prekur”, – shtoi Panariti.

Unë, një grua e lirë shqiptare në Berlin

Posted: 10 Jan 2017 08:00 AM PST

Ani Wilms *

Kur në ditët e para të tetorit 1994 zbrita nga avioni dhe vura këmbën në Berlin, me diplomën e Universitetit të Tiranës në xhep dhe me një ëndërr të çmendur për t’u bërë intelektuale në hapësirën gjermanike, e ndjeja që kjo do të më kushtonte sakrificë e transformim. E megjithatë llojin dhe përmasat e transformimit nuk mund t’i merrja dot me mend.

Në radhë të parë, të ftohtin. Në Mesdhe ishte ende mot fundvere, në Berlin kishte zënë ngrica. Ishte një ajër i ftohtë e i thatë që të priste brinjët. Ishte Era e Lindjes, siç ma sqaruan që ditën e parë, ajo era e pamëshirshme e stepës dimërore, që mbyt aromat, vyshk ngjyrat dhe asgjëson modën me anë të xhupave, pulovrave, shalleve e çizmeve. Asaj i dilej vetëm me soba me qymyr, më të mëdhatë që kisha parë në jetën time.

Por në Berlin gjeta diçka kaq të çmueshme, saqë qeshë lumturisht e gatshme ta duroj të ftohtin me gjithë mundimet e tij: Për herë të parë në jetën time mund të lëvizja lirisht në një qytet pas rënies së errësirës. Askush s’e kthente kokën kur i kaloja pranë, asnjeri nuk më qepej nga pas. S’kishte fjalë të ndyra, vështrime të paturpshme, kërcënime ose lloj-lloj ngacmimesh prej meshkujve në rrugë. Nuk trembesha as në mes të natës në metro ose me biçikletë nëpër parkun Tiergarten. Burrat me pushtet – policë, nëpunësa, profesorë – nuk më binin në qafë. Askush nuk merrej me thashetheme dhe nuk përhapte shpifje mbi „nderin” dhe „moralin” tim. Çudi e madhe. Krejt e kundërta e përvojës sime në Shqipërinë komuniste e pas komuniste të viteve ’80-’90, ku për vajzat si unë s’kishte prehje përveçse në katër muret e shtëpisë ose në rrethin e ngushtë të miqve.

Jeta nën koracë

Që në moshë të vogël vajzat ishin të detyruara të mësonin një numër marifetesh për të mbijetuar në këtë ambient kaq armiqësor: veshje që s’bie në sy, pamje të vrazhdë e të vrenjtur, dredhi dhe shmangie pafund, tinëzi e fshehtësi, sepse kudo ka kurthe, në çdo kthesë ka rreziqe! Kurrë mos u hap, kurrë mos u rrëfe, moho çdo akuzë me vendosmërinë më të madhe! Ishte e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar deri diku shtypjes së mashkullimit, dominimit të tij të pamëshirshëm fizik e psiqik, ndryshe i quajtur edhe patriarkalizëm. Mes meshkujve dhe femrave gjëmonte një luftë e paprerë, rraskapitëse. Në këto kushte nuk shpalosej dot potenciali krijues i askujt. Ishte një botë deprimuese, ishte shëmti dhe mërzi e pafund.

M’u deshën vite për t’u mësuar me hapësirën dhe lirinë e Gjermanisë, për t’i lënë mënjanë pak nga pak truket dhe masat e sigurisë, për të qenë në gjendje të krijoj marrdhënie normale e të sinqerta me meshkujt. M’u desh mjaft kohë gjersa m’u bë e qartë, se për të ecur përpara në këtë vend, një vajzë nuk ka nevojë për baba të famshëm, as për bashkëshort me influencë, xhaxha posesiv-protektiv, vëlla muskuloz ose “bodyguards" të tjerë nga fisi. I duhen vetëm aftësitë e saj: gjykim i shëndoshë, inteligjencë emocionale dhe kurajo civile. Sepse gara e këtushme nuk bëhet me grushta dhe me ligësi, por me gjuhë e dituri. Ka dy dekada që ushtrohem në këto të fundit, dhe ende s’më ka dalë habia, se sa bukur funksionojnë.

Më e mira e botëve

Për ne gratë, kjo është më e mira botë nga të gjitha. Dhe në një shoqëri ku gratë ndjehen mirë dhe lëvizin lirisht, të gjithë të tjerët ndjehen mirë. Arsyeja përse Perëndimi tërheq si magnet rininë e vendeve patriarkale është në thelb gjithmonë po e njëjta: liria e grave dhe respektimi i parimit femëror.

Vitaliteti i grave e zbukuron botën, e shndërron në një vend të larmishëm, të çelët, marramendës,  – fantazia, zelli, përpikëria, takti, mprehtësia, hijeshia, besnikëria, gazmendi e ngrohtësia e motrave, nënave, shoqeve. Afërditat, Athinat, Amazonat, Mariat e Magdalenat: këtu të gjitha kanë mundësinë të jetojnë në përputhje me karakteret e tyre, të zhvillojnë talentet, t’i vënë vetes qëllime të larta, të punojnë për t’i arritur ato, ta mbushin jetën me kuptim.

Kohët e fundit në Gjermani janë shtuar lajmet mbi sulmet dhe dhunimet ndaj grave. Këto lajme janë të gjëmshme për mua. Unë e di nga përvoja se çfarë rreziku na kërcënon në rast se gratë detyrohen të ruhen, të mbrohen e të tërhiqen. Ajo lloj jete nuk ka më vlerë. Jo vetëm për gratë, por për gjithë pjestarët e shoqërisë.

Si mbrohet liria e grave në këto kushte? Kjo do jetë një nga çështjet qendrore të viteve të ardhshëm, një çështje politike, mbarëshoqërore. Një shoqëri që nuk është në gjendje të mbrojë kulturën e saj me anë të ligjit dhe autoritetit shtetëror, rrezikon të humbasë identitetin, të rrëzohet e të zhduket.

Tri breza më parë gratë i fituan të drejtat e tyre në barrikada. Sot unë jam prapë gati të ngremë barrikadat, nëse rrezikohet liria e grave, një nga arritjet më të mëdha të qytetërimit perëndimor.

*Autore e romanit “Pritje të bukura”. Marrë nga lapsi.al

 

Ish-të përndjekurit, dokumentet për të marrë këstin e shtatë

Posted: 10 Jan 2017 08:00 AM PST

Ministria e Financave ka ripublikuar dje apelin për gjithë ish-të përndjekurit e 6 kategorive parësore për të dorëzuar dokumentet në mënyrë që të përfitojnë dëmshpërblimin. Në listën e përfituesve janë ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur me hyrjen në fuqi të këtij ligji; ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Përfituesit e këstit të shtatë janë ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës; ish-të dënuarit politikë, që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës dhe që kanë moshën mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji; ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda, sipas përcaktimit të aktit nënligjor të posaçëm; ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur me hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur me hyrjen në fuqi të këtij ligji.

Temperaturat e ulëta, ngrijnë pas 32 vitesh lumi Kir dhe Liqeni i Shkodrës

Posted: 10 Jan 2017 08:00 AM PST

SHKODËR – Ngricat që kanë përfshirë gjithë vendin kanë sjellë një fenomen të rrallë në Bashkinë e Shkodrës si dhe në disa prej njësive administrative të saj. Temperaturat e ulëta kanë ngrirë një pjesë të madhe të sipërfaqes së lumit Kir dhe disa pjesë të liqenit. Banorë të qytetit verior dje bënë me dije se një gjë e tillë ka ndodhur vetëm gjatë viteve '60 dhe në dimrin e vitit 1985. "Unë kam shumë vite që jetoj këtu dhe prej disa dekadash nuk kam parë një situatë të tillë. I ftohti dhe temperaturat e ulëta kanë bërë që të ngrihet thuajse totalisht lumi Kir. Këtë dimër është përsëritur ajo që ka ndodhur në vitet '60-të si dhe në dimrin e vitit 1985″, thanë banorët e zonës. Sipas tyre, sipërfaqja më e madhe e ngrirë deri tani është në afërsi të Urës së Mesit në njësinë administrative Postribë, ndërsa segmentet me ngrica të pjesshme janë të pranishme deri në qytet. Ndërkaq, edhe disa pjesë të liqenit janë ngrirë këto ditë për shkak të temperaturave të ulëta. Nga sa është konstatuar, pjesët e ngrira janë në Zogaj, pjesën fundore e liqenit ku kufizohet me Malin e Zi. Nga bregu gjatësia e pjesës së ngrirë nuk shkon më gjatë se 50 metër, ndërsa në disa vende edhe më pak. Edhe për liqenin, banorët pohuan se ka mbi 30 vite që nuk e kanë parë të ngrirë. I ftohti siberik ka pasuar me bllokimin e punës së peshkatarëve. Me dhjetëra varka në Liqenin e Shkodrës, në zonën në Shirokë-Zogaj nuk kanë mundur që të lëvizin ashtu si çdo ditë në përditshmërinë e tyre. Ngricat kanë bërë që varkat të qëndrojnë në breg të liqenit. "Temperaturat e ulëta na kanë detyruar që të mos dalim në liqen për të gjuajtur peshk. Kjo na dëmton nga ana ekonomike, sepse ne nuk kemi mundësi të tjera për të siguruar jetesën dhe mbahemi vetëm me anë të peshkimit. Shpresojmë që të rriten pak temperaturat, në mënyrë që t'i rikthehemi punës", deklaruan peshkatarët.            se.ni.

Si u përjetua në Shkodër vdekja e Enverit

Posted: 10 Jan 2017 08:00 AM PST

Josif Papagjoni

Grotesku, tragjikja, sublimja në një roman. Kam shkruar shpesh për dramat-komedi të Stefan Çapalikut, ku vallëzon hijshëm tragjikja e dramatikja nën velin a një cipëz rrëzëllitëse të komikes. Madje të groteskes. Ku tallja dhe shpotia, pasi ti qesh, të lë përfund piklën e lotit që padashur të paska riguar faqeve e ti s’e paske vënë re (keqardhje për fatin e personazheve, por edhe për fatin e të gjithëve ne). Ky stil i parapëlqyer që zotëroi shekullin XX, u grahu dy kuajve të një letërsie integrale, dramatikes dhe komikes, nën një fre e mëgojëz, mbajtur fort prej një tipi shkrimtari, “akrobat” i situatës e i të përzierave gjithfarëshe. Teksa fleta e fundit e romanit të mbramë të Stefan Çapalikut “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” ka mbaruar dhe unë ende kujtoj se “historitë-thagma” do të vijojnë edhe më tej, mendjeftohtë vë re ndoca spikama të një letërsie që parapëlqen paradokset, ku rendi dhe kaosi, harmonia dhe “pastishi”, përqendrimi në një pikë dhe hapja në shumë syresh njëherësh, ku rrëfyesi dhe e rrëfyera, shenja dhe i shënjuari, fabula e mirëpërcaktuar dhe mozaiku, graviteti i “tokës” dhe etja e “fluturimit”, tallja dhe dhimbja, të gjitha këto krijojnë ndoca koreografi narrative tërheqëse, shpesh çudane, ku mikro&makro kozmosi venë e vijnë duke ofruar një imazh tërësor të Shkodrës si qytet, si antropologji, si kureshtje e, mbi të gjitha, si “frymë”, që mua s’di pse më sjell ndërmend ato qëndisjet në gjergjef, tek e cila mijëra kryqe krijojnë së toku figurina, në dukje “mortore”, groteske e si relikte, të një kohe që ka ngrirë në fosilet e historisë që iku, por që megjithatë vjen dhe është aty, bri nesh, duke frymuar heshturazi si mbamendje në ankth.
Po pse më mbeti hirit të mendjes kjo mbresë e “pambarimit”? Afërmendsh, nuk është stili “non-finito”! Jo. Romani është i mbaruar në vetvete. Kujtesa të ndrydhura fëmijërie dhe rinie që ndizen befas dhe kërkojnë një roman. Sepse gjithkush mund të japë një testament të jetës së tij, posaçërisht të fëmijërisë dhe adoleshencës, në vitet e diktaturës, kur “ndodhin gjëra pa ndonjë domethënie të madhe, gjëra të vogla ose rebelime jo ndaj njerëzve të duhur dhe jo me gjestet e duhura”. Ajo kohë e zgjatur, për dreqin dhe të zezën tonë, mpiu gjithçka, thithi energjitë dhe lëngjet e njerëzve, atrofizoi trutë, talentet, habitë dhe të papriturat e atyre që kishin ëndrra, që dinin të fantazonin, të “bënin”, të kundërshtonin, të sfidonin; i futi të gjithë nën batanijen e lagësht të rëndomtësisë, mediokritetit, varfërisë, “barazisë”, ku shpirti dhe personaliteti shitej dhe blihej me çmim të lirë, ku “heronjtë e mi të fëmijërisë qenë plakur ose kishin vdekur. Silleshin nëpër qytet vetëm disa kopje të zbehta si fantazma apo relike të bëra pa kujdes nga dora që dridhej e qytetit”. S’di pse toni i këtij romani më kujton herë-herë të famshmin e hebreut Amos Oz, “Rrëfim nga errësira për dashurinë”. Është ky libër një kohë dhe përtej kohë; është poetikja, dramatikja dhe burleskja. Edhe gjestet apo bëmat anekdodike i japin hare. Dhe unë kam qeshur me vete gjithandej faqeve të tij. E si mos të qeshësh me Cenin, që e shet trupin e vet si kavie për studentët e mjekësisë a ndonjë spital kur të vdesë (s’dihet se kur?!), dhe sakaq paratë i bën rrush e kumbulla duke pirë, pa u dhënë kurrgjë motrave që prisnin një farë qari nga kjo shitje çudane për së gjalli e të vëllait xhuxh. Vallë çartje e kokëkrisje është Nuh Sahatçiu, që e kishte mbajtur në sirtar orën e një oficeri nazist mbi 40 vjet dhe ia dha të birit të tij, në çmimin që kishte rënë në ujdi me të atin dikur, teksa i riu pati ardhur si turist në Shkodër: një gjest i veçantë prej zanatçiu dhe superkorrekti në llojin e vet; Zef Zorba që bën teatër me do kukulla të vogla në miniaturë, në një skenë në miniaturë sa një kuti, në prani të aktores së madhe shqiptare Tinka Kurti dhe të shoqit, Palokës, si dhe të ftuarve të tjerë; letra e hatashme, e tëra sfidë dhe dinjitet, e patër Meshkallës drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu, që të mos i rrënonin tempujt e Zotit me ateizmin e patru të vitit 1967, duke e kthyer njeriun në të “pafe”, letër kjo e nisur veçse nga dashuria dhe përkushtimi i tij si klerik e guximtar i pashoq, se: “Nuk më ka shtye me ju shkrue, Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegjja, e vërteta dhe e mira”. Mbetet si njollë e pashlyeshme ndër sy imazhi i trupave të djemve të gjakosur nga plumbat në arratinë e tyre të pamundur drejt “tokës tjetër”, hedhur si bagëti e therur mbi karrocerinë e një makine, për t’i shtirë llahtarën njerëzve se çfarë i priste në një arratisje; zbritja e Armstrongut në hënë dhe kërcimi i tij pupthi apo boksieri Kasius Klei, i konvertuar në mysliman me emrin Muhamed Ali dhe tifozëria shkodrane e ndarë dysh: katolikë e myslimanë; Rozari që nuk del prej shtëpie me kostum të bërë me stof kombinati, por dëshiron vetëm stof anglez ose polak, ndaj dhe ngujohet brenda mureve në mënyrë sa qesharake, po aq prej njeriu të fisëm e ashik i rrallë; hokat e Tef Palushit, këtij karikaturisti dhe humoristi të pashoq të qytetit, që natyra i kishte dhënë shëmtinë e fytyrës, kurse Zoti e pati gostitur me mrekullinë e mendjes; vepra kolosale e Gjon Shllakut, përkthyesit të letërsisë antike greke; vjedhja, si sëmundje brenda rrethit të ndërmarrjeve socialiste, një treg kleringu paradoksal, doemos i nxitur nga mjerimi; zvetënimi i figurës së artistit me shkuarjen në fshat si kinse njohje e jetës dhe e katundarëve, në fakt një lloj fshikulli dhe ndëshkimi për t’ua fishkur lulen e krijimit dhe lirinë që arti jepte; gjer te diskutimi i partiakëve të qytetit me shefin e partisë, Ramiz Alinë, për prishje-ndërtime në qytet, teksa vizitonin një ekspozitë të arteve vizuale. S’ndryshojnë këta dreq qeveritarësh, po njësoj të “gjithëditur” janë, si dje, edhe sot.
Ky është një libër për qytetin e lindjes, Shkodrën. Një libër që ka tubuar shumë gjëra të çuditshme, pleksje midis marrëzisë dhe mençurisë, çartjes dhe gjeniumit të fshehur, shakasë dhe vuajtjes, përkushtimit prej stoiku dhe jetëve të harxhuara më kot, shtypjes dhe frikës, gëzimit të lirisë dhe kastrimit të indit të saj. Është një Shkodër e bukur, vezulluese, gjithë ironi e sharm kulturor, gjithë sqimë e shpirtra fisnikë, sikundër përplot marri, idiotësi dhe budallallëqe njerëzish të fantaksur apo bërë kufoma nga shpëlarja e truve të makinerisë propagandistike të kohës. Një Shkodër që sjell në vëmendje jo vetëm rrembin tipik shkodran, që strehohet shpesh në shtëpinë e autorit diku në lagjen më historike e domethënëse të saj, Gjuhadol, me gjithë të afërmit e tij, prindërit, dajat, gjyshërit dhe vetveten, sidomos me miqtë e shquar që bujtnin, të përthyera këto në kujtesa mbresëlënëse e të endura mes mprehtësive karakteristike të shkrimtarit-dramaturg S. Çapaliku. Është një Shkodër që sjell, nga ana tjetër, emra të shquar të saj, ata që i kanë dhënë nder e bujë, personalitet dhe sipërani: poetin e metaforave dhe dhimbjes së heshtur Frederik Rreshpjen, që qëndiste mbi gjergjef si të ishte nuse ose rrinte shtrirë mbi dysheme, pas burgut të dytë, dhe lexonte libra me një flakë llambe pranë syve (vallë, ku fluturonte muza e tij teksa kryente një rit femëror, sa erotik aq edhe meditativ e vetëflijues, si qëndisja?!); Kolë Ashtën që krijonte togje skedash me fjalorët e gjuhës, në një përpjekje titanike e cila të kujton murgjit e habitshëm e madhështorë të pergamenave të kishës së krishterë, që përpunuan dijet e trashëguara nga epoka klasike greko-romake dhe ua dhanë njerëzimit teksa verboheshin qelave; gjestin e rrallë dhe tejet mallëngjyes, krejt i fisëm prej shkodrani, të Pjetër Gacit që i kërkonte leje të shoqit të vashës së “marakut” të tij, për ta publikuar këngën kushtuar asaj, këngë që u bë një nga perlat e muzikës qytetare shkodrane: “Kur kalon rrugës me naze/ si lule zambak”; dashurinë e pabëzaj, të një dimensioni elegjiak, që veç në romanet e mëdha e gjen, të kompozitorit të shquar, krijuesit të operës së parë shqipe, Prenk Jakovës. Dhe pastaj një Shkodër “tjetër”, që turrej mbrëmjeve në fundvitet ’60 e fillimvitet ’70 dhe mbushte ato fare pak shtëpi që kishin një televizor, “syrin magjik”, dhe ndiqnin si të magjepsur Kanconisiman italiane me këngëtarët e mëdhenj, Çelentanon, Morandin, Minën, Ranierin etj., që na sollën prej brigjeve matanë të Italisë pak parfum dhe aromë arti, lirie, bukurie, aventure, mrekullie. Dhe Shkodra e vockël, e gjymtuar, qesharake, meskine e njerëzve truzbrazur nga ideologjia shkretane e kohës, me gjithfarë tipash, spiunë a servilë, kodoshë e kokoroshë, syvëngër, burma e bullona të “bindur” të mekanizmit të diktaturës me mokrat që të shkërmoqnin brinjët, fjalët, zemrën, të tridhnin trurin; Shkodra me të burgosurit dhe frikën, me klishetë dhe sloganet, me urinë dhe zbrazëtinë, por edhe me humorin që digjej gacash nën hi e leqendiste në cepbuze zezonën, e cila kishte mbuluar dritën e njëhershme të këtij qyteti rilindës. Një Shkodër që mban frymën pezull, me gazin përbrenda, gjer aty kur Enver Hoxha vdiq dhe qyteti tinëz e kishte marrë lajmin çlirues: mortin e kuçedrës që kishte zënë burimet, me episodin prekës dhe fare të vërtetë, kur autori, Stefani, takon të atin me motor, i kthyer herët nga puna, krejt “ndryshe” nga rituali i tij, dhe me një fije buzëqeshje cepave, i tha se “Enveri ka vdekur, shko në shtëpi!”. Dhe krejt ky lajm mëpastaj, që i jep edhe titullin romanit, daja Gjon me intuitë apo i kumtuar s’dihet se si e s’dihet se nga, i verbër prej vitesh, u ngrit nga krevati gjysmë i zhveshur, mustak-qeshur, dhe po thoshte krejt në hare se i “kishin ardhur sytë”, se ai ishte, më në fund, te Kisha e Madhe!… Ndoshta një Jezus kishte mbërritur në trurin e tij: Liria! Po kush tha se “secili çmendet sipas mënyrës së vet”?! Kush tha se daja Gjon ishte “çmendur” dhe i kishin ardhur sytë nga dora mrekullibërëse e një Krishti-metaforë: Lirisë?! Enver Hoxha kishte vdekur! Koha e tij po vdiste rrëmujshëm, nën gravitetin e urisë dhe meskinitetit, një cung i kalbur, pa një gjethe. Por bisku i ri, klorofila e kohës që po vinte, do të mbushte nesër mungesën dhe do gjelbëronte shkretimin, për ta rinisur jetën e qytetit atje ku ai kishte mbetur, para ardhjes së komunizmit: me sytë kah Perëndimi. Mos ia hiqni Shkodrës dijen, krijimin, humorin! Sidomos lirinë! Ja, kjo është ëndrra e shkruar në formë romani e Stefan Çapalikut. Ëndrra e një brezi. Ëndrra që çliron kujtesat dhe i shndërron ato në estetikë…

Burri i gjyqtares Majlinda Andrea dorëzohet në policinë e Tiranës

Posted: 10 Jan 2017 08:00 AM PST

TIRANE- Vetëdorëzohet në polici pas 7 muajsh arrati bashkëshorti i gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea. Ish- punonjësi i Kuvendit, Odhise Andrea u vetëdorëzua dje në policinë e Tiranës, ndërsa lajmin e bëri të ditur për “News 24” gjyqtari Ardian Visha. Së bashku me bashkëshorten e tij, e pezulluar nga detyra si gjyqtare pranë Gjykatës së Lartë, ata akuzohen nga prokuroria për korrupsion, ndërsa ndaj Odhisesë ishte dhënë masa “arrest me burg” në mungesë. Ai akuzohet se ka luajtur rolin e sekserit në një çështje të bashkëshortes së tij, ku akuzohen se kanë përfituar 50 mijë euro për të dhënë vendim në favor të një shtetaseje, për njohjen e një sipërfaqe toke rreth 40 hektarë, në zonën e Butrintit. Në momentin që do ndaloheshin çifti u arratis nga vendi, por dje me sa duket Odhise Andrea ka vendosur të vetëdorëzohet, ndërsa ende nuk dihen arsyet. Prokuroria e Përgjithshme më 16 korrik 2016 zbardhi skemën e dhënies së parave si dhe personat e përfshirë në këtë skemë korruptive. Ndërsa vendimi që shkoi në favor të palës që paguar shumën në fjalë dhe është marrë më 12 korrik 2016, një ditë pasi u morën paratë. Për dosjen janë arrestuar edhe shtetasit Ilia Çabiri, Petraq Dashi dhe Eleni Lino.

Deklarata e shqiptarëve, Gruevski: S’pranoj kushte

Posted: 10 Jan 2017 08:00 AM PST

Për herë të parë pas deklaratës së përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni, ka reaguar kreu i partisë fituese të zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni, Nikolla Gruevski. Duke komentuar platformën e partive shqiptare, Gruevski thotë se dygjuhësia nuk u duhet shqiptarëve në Dellçeve apo në viset e tjera ku ata nuk jetojnë. Në një intervistë për “Dnevnik”, Gruevski ka lënë të kuptohet se nuk është dakord me platformën e njësive politike shqiptare dhe ka theksuar se nëse BDI-ja do të vendosë të bëjë koalicion me LSD-në, VMRO-DPMNE do të rikthehet në pushtet me një fitore më të thellë dhe pa asnjë kusht për formimin e qeverisë së re. Sipas tij, shqiptarët më shumë kanë nevojë për punësime të reja, paga të mëdha dhe standard më të lartë jetese sesa për vendosjen e shqipes si gjuhë zyrtare. Me një avantazh të lehtë ndaj LSDM-së së Zoran Zaevit dhe tashmë me një platformë të përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni, Gruevski thotë se situata aktuale nuk është gjë tjetër veçse një përsëritje e asaj që ka ndodhur në të kaluarën. Kreu i VMRO-DPMNE ka marrë mandatin nga presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, për të formuar qeverinë e re në Maqedoni. Dita e djeshme ishte afati i fundit kur presidenti Ivanov duhej t’ia besonte mandatin për formimin e qeverisë një kandidati të partisë, konkretisht partive të cilat fituan numrin më të madh të mandateve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor të vitit të kaluar. Përbërja e nëntë parlamentare e Maqedonisë, e cila ka 120 deputetë, u konstituua më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Më shumë deputetë ka koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE me 51, koalicioni i kryesuar nga LSDM ka 49 mandate, BDI 10, Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2. Në këtë përbërje parlamentare nuk ka të përzgjedhur të popullit nga diaspora. Gruevski ka 20 ditë kohë për të formuar qeverinë nga momenti që mandatohet nga presidenti. BDI, BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, më 7 janar publikuan platformën e përbashkët e cila do të jetë baza e tyre në negociatat për krijimin e qeverisë së re. Axhenda e përbashkët politike e tri partive kërkon përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, barazi ekonomike, zgjidhjen e kontestit për emrin me përfshirjen e shqiptarëve në grupin punues për negociata të drejtpërdrejta me Greqinë, si dhe për integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Vetingu, Kushtetuesja përcjell për publikim vendimin

Posted: 10 Jan 2017 08:00 AM PST

Vendimin e arsyetuar që rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike “Për shfuqizimin e ligjit të vetingut, Gjykata Kushtetuese pritet t’ia përcjellë të hënën për publikim Qendrës së Botimeve Zyrtare (QBZ). Burime zyrtare nga kjo gjykatë thanë dje për ATSH-në se vendimi i arsyetuar i Kushtetueses, me argumentet pro dhe kundër, i marrë më 22 dhjetor, sipas procedurave i kalon për botim QBZ-së, e cila brenda dy-tri ditëve bën publikimin e vendimit në Fletore Zyrtare. Me botimin zyrtar të ligjit nisin dhe hapat e nevojshme procedurale për zbatimin e tij, ku dy janë kryesoret. E para është paraqitja e tre formularëve nga gjykatësit dhe prokurorët brenda një afati njëmujor. Ndërsa hapi i dytë është shpallja publike nga presidenti për komisionerët e Komisionit të Kualifikimit, Kolegjin e Apelimit dhe për Komisionerin Publik. Vendimi i marrë në fund të vitit me 6 vota kundër dhe dy vota pro kërkesës së PD-së, që pritej të zbardhej brenda datës 5 janar, do t’i hapë rrugën zbatimit të ligjit më të rëndësishëm të reformës në drejtësi, që do të bëjë verifikimin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale të rreth 800 zyrtarëve të sistemit të drejtësisë të të gjitha niveleve. Subjektet e para që do t’i nënshtrohen vetingut janë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ata të Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm.

FIFA shpall Ronaldon “The Best” të vitit!

Posted: 10 Jan 2017 08:00 AM PST

Pas “Topit të Artë”, Kristiano Ronaldo ka koleksionuar dhe çmimin e dytë më të madh individual, atë që jep FIFA dhe që pas ndarjes me “Topin e Artë”, do të quhet “The Best”. Ronaldo ka kurorëzuar një vit të jashtëzakonshëm me arritje personale, duke udhëhequr Realin dhe Portugalinë drejt trofeve më të lakmuar në kontinent. Sa u takon futbollit të femrave, trofeun individual e ka fituar lojtarja e Hujston Desh dhe përfaqësueses amerikane, Karli Jold. Gjithashtu, FIFA ka prezantuar formacionin më të mirë për vitin 2016. Në ceremoninë që u zhvillua në Zyrih ra në sy dominimi i futbollistëve të Real Madridit, që përfaqësohen nga 5 lojtarë, e ndjek Barcelona me 4. Formacioni i vitit 2016 është i përbërë nga Nojer, Dani Alvesh-Pike- Ramos-Marselo, Modriç-Kros-Iniesta, Mesi-Suarez-Ronaldo. Ndërkohë, çmimin e trajnerit të vitit e ka fituar Klaudio Ranieri, që arriti të shpallet kampion në Premier Ligë me Leisterin. Një çmim i veçantë u dha për ekipin brazilian të Çapekoenses, viktimë e një aksidenti ajror tragjik pak javë më parë, teksa FIFA i akordoi çmimin ‘Fair-Play’. Ndërkohë, goli më i bukur u shpall ai i shënuar nga Mohd Faiz Subri në kampionatin malajzian. Subri ekzekutoi nga një distancë e largët një goditje dënimi, duke i dhënë topit një efekt të pabesueshëm.

Related Posts :