Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Lezhë, sekuestrohen 22 kg hashash; 3 në pranga (Video)” plus 9 more Gazeta SHQIP

loading...

“Lezhë, sekuestrohen 22 kg hashash; 3 në pranga (Video)” plus 9 more Gazeta SHQIP


Lezhë, sekuestrohen 22 kg hashash; 3 në pranga (Video)

Posted: 07 Jan 2017 02:27 AM PST

Në kuadër të operacionit të koduar “Acari” , në Lezhë janë sekuestruar  22 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa dhe janë arrestuar 3 shtetas  në flagrancë

Burime nga policia bëjnë me dije se pas një punë hetimore të mirëorganizuar,  u bë i mundur realizimi me sukses i operacionit “Acari” ku u arrestuan në flagrancë  shtetasit Fatmir Gjoka , 30 vjeç, banues në Rrëshen; Alfons  Gjoka , 46 vjeç, banues në Tiranë dhe Preng Pjetri , 39 vjeç, banues në Mirditë.

Këta 3 shtetas, në aksin e vjetër rrugor Lezhë – Milot, në vendin e quajtur Pllanë , u kapen në flagrancë me automjetin e tyre tip Benz me targë DR 3609 E , ku kishin të fshehur në 4 thasë  22 kg lëndë narkotike të dyshuar kanabis – sativa e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me mjetin e tyre.  Materialet procedurale u referuan Prokurorisë Lezhë për veprën penale ” Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.

7 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

 I ftohti i acartë, Policia në ndihmë të pastrehëve, i sistemon në Komisariate

Posted: 07 Jan 2017 02:19 AM PST

Policia e Shtetit është vënë në ndihmë të personave të pastrehë në këto ditë shumë të ftohta janari. Në disa qarqe, bëhet me dije se policia ka strehuar pranë ambienteve të saj apo në qendra sociale disa të pastrehë. Konkretisht Policia e Shkodrës ka strehuar në ambientet e komisariatit një të moshuar, ndërsa ajo e Dibrës ka bërë të njëjtën gjë me një të ri.

Ndërkohë, në Tiranë, blutë e kryeqytetit kanë sistemuar dy të pastrehë, njëri prej të cilëve i moshuar, në qendrat sociale. Bashkia e Tiranës ka ngritur 4 qendra sociale për këto ditë tejet të ftohta.

7 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Tiranë, sekuestrohet 44 kg hashash, në pranga poseduesi

Posted: 07 Jan 2017 01:57 AM PST

Sekuestrohet në Tiranë rreth 44 kg lëndë narkotike, arrestohet në flagrancë një shtetas. Më datë 06.01.2017 Specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë, kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Refik Gjoka, 28 vjeç, banues në Tiranë

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë një kontrolli në automjetin tip “Opel” iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa.  Si dhe gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, i’u gjet edhe një sasi tjetër  lënde e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa e ndarë në 13 thasë dhe qese plasmasi.

Gjithsej rreth 44 kilogramë kanabis sativa.  Në cilësinë e provës materiale, janë sekuestruar: Një automjeti tip “Opel”,  44 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa. Materialet  procedurale iu kaluan Prokurorisë Tiranë për veprën penale të "Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike".

7 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

CNN: Shqipëria, mes 17 vendeve për t’u vizituar në vitin 2017

Posted: 07 Jan 2017 01:45 AM PST

CNN e ka listuar Shqipërinë si një nga 17 vendet më të mira për t'u vizituar në vitin 2017. Në "vendin e vogël mesdhetar" do të gjeni "diell, çmime të lira dhe plazhe të paprekura kilometër pas kilometri", lexohet në artikullin e CNN. Më tej, shtohet se ushqimi shqiptar ngjan me atë grek, por çmimet janë shumë më të lira sesa në vendin fqinj.

Në Facebook, kryeministri Edi Rama shkroi se ky artikull tregon se vendi po rritet çdo vit e më shumë.

"Mbase këta që e rendisin Shqipërinë në 17 destinacionet për t’u vizituar këtë vit, dinë të shohin atë që jo pak ndër ne nuk duan ta shohin tek ky vend, i cili po rritet çdo vit e më shumë si vend turistik jo vetëm sepse është i bukur po edhe sepse po flitet çdo vit e më mirë për të", lexohet në postimin e kreut të qeverisë.

7 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

PSE DHE KUSH E KËRKON ELIMINIMIN E HARADINAJT?

Posted: 07 Jan 2017 01:10 AM PST

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Ramush Haradinaj është ndaluar të merkuren e shkuar nga policia kufitare franceze me arësyetimin se për këtë është lëshuar në vitin 2004 një urdhër arresti nga një gjykatë e Serbisë. Ishte hera e dytë që kreu I AAK-së ndalohet sipas të të njëjtit urdhër-arresti të lëshuar nga interpoli serb. Para dy vitesh ai u ndalua në Slloveni me të njëjtin justifikim dhe u lirua pas sqarimit të rrethanave.

Ky akt është komentuar në mënyra të ndryshme. Shumica e komentuesve e kanë heroizuar Haradinajn, duke mbrojtur jo vetëm atë, por edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe luftën e saj të drejtë, pa çka që shumë prej komandantëve të asaj lufte e kanë denigruar qëllimin idealist të saj. Në ndonjë rast është aluduar në konspiracione të tilla, sikur "kjo që I bëhet Haradinajt është e qëllimshme, pasi Serbia përpiqet ta demonizojë dhe faktorizojë zotin Haradinaj, me qëllim që ai të fitojë kapital politik".

Në fakt akti I ndalimit të ish-komandantit të UÇK-së ka krijuar një "hartë politike" me kufij të qartë pro dhe kundër tij. Në këtë hartë reagimesh vihen re tri ngjyra:
Së pari, ngjyra e kuqe e dominon debatin brendashqiptar, çka do të thotë se shqiptarët nuk pajtohen asesi me akte të tilla armiqësore të Serbisë dhe aleatëve të saj në Europë kundër Kosovës dhe kundër shqiptarëve. Çka do të thotë gjithashtu se shqiptarët janë të mendimit se Serbia dhe aleatët e saj kanë shkelur jo vetëm lirinë dhe të drejtën individuale njerëzore e politike të Ramush Haradinajt, por edhe dinjitetin e nëpërkëmbur të shqiptarëve.

Në fakt kjo e vërtetë është e dhimbshme, sepse në asnjë rast shqiptarët nuk kanë parë të arrestohet ndonjë bandit serb pjesmarrës në masakrat kundër tyre. E ndërsa këta banditë e kriminelë me shumicë shetisin lirshëm në të gjithë botën, luftëtarë të UÇK-së ndalohen si delet sa herë që shtetet përkatëse duan të fitojnë ndonjë koncension nga qeverisja e Beogradit. Ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti që Haradinaj nuk u prangos nga policia franceze në qershor të vitit të kaluar kur ai ndodhej atje për të ndjekur kampionatin europian të futbollit, pavarësisht se urdhëri i Interpolit mban datën e një prej ditëve të 2004-es.

Se kriminelët serbë të masakrave kundër shqiptarëve janë të lirë të riorganizohen ende sot kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kjo është e dëshmuar në dhjetra e qindra raste, përfshirë dhe rastin e kryekriminelit Vojisllav Shejshel. Gjithkush në botë e njeh faktin që 15 mijë viktima të terrorit në Kosovë nuk kanë mundur t'i shkaktojnë 10-20-30-apo 50 veta sa Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi dhe gjykatat serbe kanë nxjerrë deri më sot në bankën e të akuzuarve. Dhe nëse ish-presidenti i Serbisë, pastaj ministër i Jashtëm i kohës së luftës, Milan Milutinoviç, u shpall i pafajshëm, Ramush Haradinaj u shpall dy herë i pafajshëm, ndërkohë që pafajësia e tij është miliona herë më e përligjur dhe më e moralshme sesa pafajësia e Milutinoviç.

Kjo diferencë e të bërit drejtësi nga Europa që na reklamon shtëtin e së drejtës është mesazhi më i keq që ajo i jep shqiptarëve dhe popujve e demokracisë europiane. Ky është diskriminim, ky akt, në kuptimin e mësipërm është vazhdimi i aparteidit të Milosheviçit ndaj Kosovës dhe sidomos popullsisë shqiptare në Kosovë. Nëse dikush gjen një perifrazim më të butë që t'i shkojë të vërtetës, jam i gatshëm të kërkoj ndjesë. Por arrestimi i Ramush Haradinajt nga policia franceze në zbatim të një urdhëri të një gjykate serbe, që vetëm krinimelë nuk ndëshkon, është vazhdimi i politikave të diskriminimit kundër shqiptarëve, tashmë përmes një policie që pretendon se ka shpik demokracinë e revolucionit francez, madje me parullën e famshme liri-barazi-vëllazëri. Zaten ata që artikulojnë të tilla stampa e bëjnë këtë për të fshehur urrejtjen, pabarazinë dhe tiraninë.

Së dyti, u dallua qartë ngjyra e zezë e këti teatri politik. Dy momente më ranë në sy gjatë kësaj skene dhe aplikimit të kësaj skeme denigruese antishqiptare. E para, se kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përsëriti kërkesën për ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi, me qëllim që "krimet" e tij t'i gjykojë si në kohën e Milosheviçit i njëjti gjyqtar i asaj kohe, kur dënonte shqiptarët, pse janë shqiptarë. Nëse do të ndodhte kjo, pra ekstradimi, drejtësia do të duhej vendosur me konflikt të përsëritur midis serbëve dhe shqiptarëve.

Dhe e dyta ishte Marine Le Pen, ajo e cila u kërkoi me ngulm autoriteteve të vendit të saj që të "zbatojnë ligjin" dhe ish-kreun e UÇK-së ta dërgonin para gjykatës. Të dy këta u bashkuan hapur në politikat e tyre antishqiptare. Justifikimi: "Të bëhet drejtësi"!!! Por ama asnjëherë nuk i ka dëgjuar dikush këta "drejtësibërës" të kërkojnë drejtësi për mijëra viktimat shqiptare që Serbia i shkaktoi vetëm në luftën e fundit në Kosovë?! Asnjëherë nuk i dëgjoi dikush të "thërrisnin për drejtësi" për mijëra gratë dhe vajzat shqiptare të përdhunuara nga policët, ushtarët dhe paraushtarakët serbë në kohën e konfliktit në Kosovë?!

Ndërkaq drejtësinë për Ramush Haradinajn e ka dhënë dy herë Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Dhe në këtë rast, nëse e individualizojmë fenomenin, politika serbe e Beogradit dhe e Frontit Nacional Kombëtar në Paris nuk bën tjetër, vetëm se ushtron presion ndaj drejtësisë. Rasti i Haradinajt na dha kështu mundësinë dhe njëherë të shohim se sa re të zeza fryjnë në qiellin e Kosovës dhe të hapësirës shqiptare në Ballkan. Forcat antishqiptare në Europë po bashkohen, ndërkohë qe ne shqiptarët po i fryjmë me ndihmën e liderëve tanë "botërorë" zjarrit të përçarjes!!!

Së treti, në këtë rast u shfaq dhe ngjyra gri, ngjyra që përfaqëson marrëdhëniet e vëllazërim-bashkimit shqiptaro-serb, ngjyra e politikave të kastës së korruptuar të Prishtinës dhe Tiranës në marrëdhëniet me Beogradin, Parisin dhe ndonjë kryeqytet tjetër antishqiptar në Europë. Këta të ngjyrës gri bënë ca deklarata folklorike, gjë për të cilën ishin kujdesur të dukeshin sa më pompoze në fjalor, por pa asnjë akt presioni ndaj Beogradit ose Parisit. Ngjyra gri e Ramës, Thaçit apo Bushatit u duk si kombinim i atyre tri ngjyrave të flamurit francez në xhepin e vogël të xhaketës së kryeministrit shqiptar. Mund të konsiderohen edhe si tri ngjyrat e flamurit jugosllav, sepse nuk kishte ndryshim midis këtyre dy flamujve, përveçse vendvendosjes së tyre.

Ngjyra gri e reagimit në Kosovë u kondicionua me të qenit kundërshtarë politikë. Pushteti e konsideron Haradinajn armik, jo rival në politikë, për pasojë nuk reagon me forcë kundër aktit. Ky pushtet nuk merr guximin as të kërkojë ndjesë, pse nuk e ka kushtëzuar dialogun në Bruksel me anulimin e këtyre urdhërave të arrestit serb kundër shqiptarëve! Asnjëri prej tyre, as këta të Tiranës, as ata të Prishtinës nuk iu kundërvunë politikave të tilla të denigrimit të Serbisë dhe të Francës. Në Tiranë dihen arësyet: Hollande do të vizitojë kryeqytetin shqiptar në mars dhe nuk "duhen trazuar ujërat", ai, edhe pse në ikje nuk duhet cënuar në dinjitet. Dhe shqiptarët janë I vetmi komb që zgjedh si liderë ata që më shumë përkujdesen për integritetin e dinjitetin e botës sesa të vetin?! Këtyre tanëve u mjafton imazhi, makiazhi, egoja për elozhe. Më i rëndësishëm është imazhi i kryeministrit Rama, se sa jeta, integriteti dhe dinjiteti i ish-kryeministrit të Kosovës dhe i shqiptarëve! Më e rëndësishme është lidhja e ngushtë e bashkim-vëllazërimit kryeministrin e Serbisë, sesa e drejta dhe e vërteta!

Po në Prishtinë pse nuk duhej një reaksion i ashpër. Pse mos të nxirrej një urdhër-arresti për ish-zevendësin e Shejshelit e ish-ministrin e kohës së luftës në Kosovë, presidentin aktual serb, Tomisllav Nikoliç e për ish-ministrat e Milosheviçit, Aleksandër Vuçiç e Ivica Daçiç, së paku për t'ua prerë rrugën për vizita në Kosovë? Nikoliç do të shkon neser në Kosovë dhe askush nuk e cënon as në majën e flokut, as në dinjitet e as në integritet! Pse? Se dëmtohet dialogu?! Se dëmtohen përpjekjet për paqe në rajon?! Kur krininelët nuk e duan paqen, pse duhet ta pranojnë viktimat e tyre?! Aq më tepër në kushtet e diskriminimit?! A nuk u bë lufta për liri, drejtësi, barazi e sintetizuar kjo në pavarësinë e Kosovës?! Sot, mbas 18 viteve kur lufta ka mbaruar dhe mbas 9 viteve pavarësi, Kosova nuk është e zonja jo më të kërkojë drejtësi e barazi, por po ve në pikëpyetje reazultatet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të saj. Këtë mesazh na e japin qëndrimet e ngjyrës gri të të dy kryeqyteteve tona në rastin e Haradinajt.

Duke e përmbyllur këtë kolumne dua të shpreh gjithashtu shqetësimin se autoritetet shqiptare ende nuk po kuptojnë se gjeopolitika ka ndryshuar dhe për pasojë ka sjellë disfavore për ne shqiptarët, disfavore, të cilat ne vetë po i shumëfishojmë me qëndrimet gri nga njëra anë dhe fushatën nacionaliste folklorike elektorale nga ana tjetër, gjithnjë për të maskuar debulesën e oligarkëve tanë ndaj aleancave që favorizojnë korrupsionin, krimin, ryshfetin dhe antishqiptarizmin.
Ndërkohë, gjithë këto përpjekje për ta eleminuar fizikisht e politikisht Ramush Haradinajn e bëjnë atë një protagonist të padiskutueshëm në skenën politike të Kosovës.

Meqenëse përpjekjet për dënimin e tij kanë filluar që në vitin 2004 e vazhdojnë edhe sot, kjo do të thotë se teoritë e konspiracionit janë shpikje e atyre shqiptarëve që nuk e duan politikisht Ramush Haradinajn. Pikërisht se ai është i padëshirueshëm në Beograd, duhet të jetë protagonist i politikës së Prishtinës.
Me këtë rast dua të theksoj se qeverisja e sotme e Prishtinës në shumicë është produkt i vullnetit të përbashkët të qeverisjes së Tiranës dhe asaj të Beogradit. Nëse Fatos Nano fliste me Milosheviçin (1997) për projektin e zgjidhjes së konfliktit, ai dhe Milosheviçi përcaktonin dhe realizuesit e projektit të tyre.

Nëse Ilir Meta fliste për projektin e Kosovës pa Rugovën (2001) me ish-kryeministrin e ndjerë serb, Zoran Xhinxhiç, ata flisnin dhe për njerëzit që do të implementonin këto projekte. Nëse Edi Rama harton projekte të përbashkëta me Vuçiçin (2013-2017), të dy këta kanë projektuar edhe stafin në krye të institucioneve të Kosovës për realizimin e këtyre projekteve. Ramush Haradinaj ka qenë dhe mbetet jashtë këtyre projekteve. Madje po bëhen përpjekje për ta eleminuar, ndoshta edhe si i preferuar i presidentit amerikan, Donald Trump. Pikërisht kjo e bën atë të kompletuar dhe të domozdoshëm për t'u rikthyer fuqishëm në skenën politike të vendit.

Dibër, arrestohen shpërndarësit e drogës në pikat e basteve

Posted: 07 Jan 2017 01:10 AM PST

Dy të rinj, shpërndarës droge janë arrestuar nga Policia e Dibrës, duke i sekuestruar edhe 200 doza me kanabis. Sipas policisë, të rinjtë lëndën narkotike do ta shpërndanin në lokale pika bastesh dhe lojna fati.

Të arrestuarit janë Elton Keshi, 20 vjeç, banues në Majtar, Dibër, i cili posedonte lëndën narkotike si dhe Fatjet Kaca, 21 vjeç, banues në Peshkopi, i dënuar më parë për veprat penale "Plagosje" dhe "Vjedhje", i cili do ta  shpërndante lëndën narkotike në qytetin e Peshkopisë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 200  doza me peshë 200 gram lëndë e dyshuar kanabis sativa.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër për veprën penale "Prodhim dhe shitje të narkotikëve"  .

7 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Raporti: Urdhrin për të ndikuar në zgjedhjet e SHBA e dha Presidenti Putin

Posted: 07 Jan 2017 01:06 AM PST

Raporti i ri i agjencive amerikane të zbulimit, që u bë publik të premten, arrin në përfundimin se ishte Presidenti Vladimir Putin ai që e dha urdhërin për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Raporti, i bërë publik vetëm disa orë, pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump u informua mbi të, thekson se shërbimet ruse të zbulimit kanë kryer sulme kibernetike kundër objektivave që lidhen me zgjedhjet e vitit 2016 dhe që përfshijnë të dyja partitë politike.

“Sipas vlerësimit tonë, presidenti Putin dhe qeveria e Rusisë, kishin një preferencë të qartë për presidentin e zgjedhur Trump”, thuhet në raport.

“Po ashtu ne vlerësojmë se presidenti Putin dhe qeveria e Rusisë synuan të ndihmojnë zgjedhjen e presidentit Trump duke diskredituar, ku të ishte e mundur kandidaten Klinton dhe duke e krahasuar atë në mënyrë të pafavorshme me zotin Trump”, shkruhet në raport.

Ndër gjetjet e tjera:

Presidenti Putin ka patur përvoja të shumta pozitive pune me udhëheqës perëndimorë, interesat ekonomike të të cilëve, i kanë bërë ata më të gatshëm të punojnë me Rusinë.

Fushata e Moskës për të ndikuar, pasoi strategjinë e Rusisë, duke kombinuar operacionet e fshehta, si sulmet kibernetike, me përpjekjet e hapura të agjencive qeveritare ruse, të shtypit të financuar nga shteti, të ndërmjetësve të tretë dhe përdoruesve të paguar të medias sociale.

Pas ditës së zgjedhjeve, raporti thekson se zbulimi rus filloi të bëjë objekt të sulmeve kibernetike punonjës të qeverisë amerikane dhe individë të lidhur me institucionet studimore dhe organizatat jo-qeveritare në fushën e sigurisë kombëtare dhe të politikës së jashtme.

Ato që u bënë të njohura përmes WikiLeaks, thotë raporti, nuk përmbanin falsifikime të dukshme. Raporti thekson se “kemi shumë besim se është GRU, shërbimi i zbulimit rus të ushtrisë, që ia ka dhënë WikiLeaks, materialet e marrë nga Komiteti Kombëtar Demokrat dhe zyrtarët e lartë demokratë”.

Sipas raportit, një numër diplomatësh rusë ishin përgatitur për të vënë publikisht në dyshim vlefshmërinë e rezultateve.

Raporti prej 25 faqesh, thotë se në bazë të aktivitetit të mediave sociale të Moskës, blogerët pro-Kremlinit kishin përgatitur një fushatë në Twitter të quajtur #DemocracyRIP për natën e zgjedhjeve, sepse parashikonin që Hillary Clinton do të fitonte.

Raporti thotë se përpjekjet ruse për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale pasqyrojnë shprehjen më të fundit të dëshirës së vjetër të Moskës për të minuar sistemin liberal demokratik të udhëhequr nga SHBA.

Aty thuhet se qëllimi i aktiviteteve të Rusisë ishte dukshëm më intensiv në krahasim me operacionet e mëparshme.

7 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Reshjet e borës, rrugë të bllokuara dhe fshatra pa ujë

Posted: 07 Jan 2017 12:52 AM PST

Ngricat dhe reshjet e dëborës vazhdojnë të mbajnë të mbërthyer të gjithë vendin, duke bllokuar rrugët. Në Dibër termometri shënon -15 gradë, ndërsa akulli ka mbuluar qytetin e Burrelit, Peshkopisë dhe Bulqizës, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve. Disa fshatra të zonave të lartpërmendura janë bllokuar për shkak të prezencës së akullit në rrugë.  Në qarkun e  Shkodrës, segmentet rrugore Bogë-Qafë Thore,  Theth- Bregu i Lumit-Mali i Shoshi-Prekal vazhdojnë të jenë të bllokuar.

Në Pukë, akset rrugore Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak, Qafë Mali-Dardhë-Fierzë dhe Fushë Arrëz-Iballë vazhdojnë të jenë të bllokuara.

Në Malësi të Madhe vijojnë të jenë të bllokuara akset rrugore Tamarë-Vermosh, Tamarë-Selcë. Ndërkohë në disa fshatra të Njësisë Administrative Dukagjin dhe në Puka nuk ka energji elektrike.

Në qarkun e Lezhës janë të bllokuara Njësitë Administrative të Fanit, Selitës, Oroshit dhe Kaçinarit në Mirditë.

Trashësia e dëborës varion nga 20 deri në 100 cm, ndërsa në disa fshatra vijojnë të jenë të bllokuara.

Lëvizja në Rrugën e Kombit nga Repsi në Kalimash bëhet vetëm me zinxhirë pasi ka prezencë ngricash.

Ndërkohë që në veri dhe verilindje të vendit situata e motit paraqitet problematike, në jug të vendit gjendja është normalizuar.

Sipas të dhënave të fundit të bëra publike në orën 7 të mëngjesit në Qarkun e Vlorës nuk ka reshje dëbore dhe të gjitha akset rrugore janë të kalueshme për mjetet, me përjashtim të disa akseve ku duhen përdorur zinxhirat.

Në akset e Qafës së Llogarasë dhe Qafën e Muzinës, janë hedhur edhe skorie e kripë për të mos patur probleme nga ngricat.

Gjatë natës janë planifikuar shërbime policore në Qafën e Llogorasë dhe atë të Muzinës, për rregullimin e qarkullimit të mjeteve.

Ndërkohë probleme ka pasur me ujin e pijshëm, ku në disa fshatra të qytetit për shkak të ngricave kanë ngrirë tubacionet dhe disa fshatra nuk furnizohen me ujë të pijshëm.

 

7 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

 

Bruksel, Gjanaj letër Ministrit të Drejtësisë së Francës për lirimin e Haradinajt

Posted: 07 Jan 2017 12:36 AM PST

Deputeti Shqiptar në Parlamentin e Brukselit, Ahmet Gjanaj,  i ka drejtuar një letër ministrit francez të Drejtësisë për të kërkuar lirimin sa më të shpejtë të Ramush Haradinajt. Ndër të tjera, Ahmet Gjanaj thotë se arrestimi i z. Ramush Haradinajt me një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia do t'i ngjante situatës ku Gjermania do të kishte lëshuar pas luftës së humbur një urdhër-arresti për të arrestuar të madhin e të respektuarin z. Sharlë de Gol.

Kjo është letra e plotë e dërguar nga Ahmet Gjanaj Ministrit të Dresjtësisë së Francës :

Bruksel, më 6 janar 2017

Zoti Ministër,

Më datën 4 janar 2017, z. Ramush Haradinaj, ish-anëtar i UçK-ës, ushtri e rezistencës gjatë luftës së spastrimit etnik lançuar nga Serbia kundër Shqiptarët e Kosovës më 1998-99, është arrestuar sa kishte arritur në aeroportin e Bäle-Mulhouse, në bazë të një urdhër-arresti lëshuar nga gjykatat serbe në 2004.

Por, siç mund ta dini :

1) Serbia është shkaktare për 4 luftëra në Ballkan : kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnës dhe Kosovës ;

2) Forcat militare dhe paramilitare serbe, gjatë luftës së spastrimit etnik nga Serbia në Kosovë nga janari 1998 deri më qershor 1999, kanë vrarë në mënyrë krejt arbitrare mbi 10.000 civilë Shqiptarë përfshirë këtu 1.882 persona mbi 65 vjeç, 1.741 gra, 1.400 fëmijë dhe 1.450 persona akoma të pagjetura, trupi i të cilëve gjendët në varret masive të hapura në Serbi nga ushtarët në tërheqje e sipër pas bombardimeve të NATO-së dhe presionit të UÇK-ës ; kanë dhunuar mbi 20.000 gra e vajza Shqiptare ; kanë djegur dhe prishur mbi 188.000 banesa ; kanë zhdukur me qindra mijëra bagëtish dhe kanë çuar në zhvendosjen e mbi një milion civilësh Shqiptarë duke ikur nga lufta e spastrimit etnik, kryesisht në drejtim të vendeve fqinje ;

3) Tmerri i shkaktuar në opinionin publik botëror nga ky gjenocid i forcave militare e paramilitare serbe ka çuar në bombardimet e NATO-së (bashkë me Francën) përgjatë 78 ditë nga 24 mars deri më 10 qershor 1999 ;

4) Ishte UçK-ja, drejtuar veçanërisht nga z. Ramush Haradinaj, që ka ndihmuar forcat e NATO-së në terren dhe që ka evituar përmasa më të mëdha të gjenocidit të popullit Shqiptarë të Kosovës ;

5) Kosova ka shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj më 17 shkurt 2008, e njohur të nesërmen nga Franca dhe deri tani nga 118 shtete në botë ;

6) Zoti Ramush Haradinaj është gjykuar, madje 2 herë, dhe është shpallur definitivisht i pafajshëm  nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për të njëjtat akuza që përmban urdhër-arresti i lëshuar nga Serbia dhe që ka çuar në arrestimin e tij në Francë më datën 4 janar 2017;

7) Që në mbarim të luftës, z. Haradinaj është angazhuar politikisht duke krijuar një parti politike, sot në opozitë dhe ka qenë kryeministri i Kosovës nga 2004 në 2005 ;

Serbia nuk ka shprehur asnjë pendim apo kërkim falje për gjenocidin mbi popullatën civile Shqiptare në Kosovë dhe nuk bashkëpunon vullnetarisht me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për qindrat madje mijërat kriminelë të luftës që qarkullojnë lirisht akoma sot në Serbi ;

9) Serbia, pavarësisht marrëveshjeve Kosovë-Serbi në Bruksel, vazhdon të shtrijë ndikimin e saj negativ mbi serbët e Kosovës duke u kërkuar atyre që të mos marrin pjesë në jetën politike në Kosovë dhe duke financuar strukturat paralele dhe sfiduar strukturat zyrtare të Kosovës ndonëse të sponsorizuara nga Bashkimi evropian ku është tanimë dhe Serbia kandidate për anëtarësim ;

10) Serbia nuk tregon asnjë vullnet për t'ua dorëzuar familjeve të tyre të gjora, trupat e 1.450 të zhdukurit civilë Shqiptarë që qëndrojnë akoma në varret masive brenda territorit të Serbisë të varrosur nga ushtria serbe në tërheqje e sipër pas bombardimeve të NATO-së dhe presionit të UÇK-së ;

11) Serbia luan një rol shumë negativ në Rajon dhe forcat ultranacionaliste janë ende shumë aktive. Sa për të ilustruar se Serbia akoma nuk është çliruar nga ndjenjat raciste ndaj Shqiptarët, veçanërisht nga ata të Kosovës, është domethënës shembulli i mijërave anëtarëve të diasporës Shqiptare të Kosovës që udhëtojnë përmes Serbisë çdo fundviti për të kaluar festat me të afërmit e tyre në Kosovë dhe që bllokohen pa arsye për më shumë se 72 orë në kufirin e Serbisë në kushte çnjerëzore veçanërisht për pleqtë, fëmijtë dhe të sëmurit, të gjithë këto sfilitje përpara që të kontrollohen në mënyrë të pandershme nga rojet kufitare serbe. Shpesh ndodh që persona vdesin nga trajtimet çnjerzore që pësojnë gjatë këtyre ditëve. Shembuj të tillë ka dhe plotë dhe tregojnë mendësinë e shumicës në Serbi kundër frymës përparimtare të promovuar nga Evropa dhe të Francës në veçanti, vend-burimi i vlerave universale të perëndimit.

Për të gjithë këto arsye dhe në emër të miqësisë së gjatë e të vjetër që lidhë popujt tanë, neve, mbi 2 milionë shqiptarë që jetojmë në vendet e ndryshme të Evropës dhe të Amerikës (përfshirë këtu 75.000 Shqiptarët e Francës) dhe mbi 7 milionë shqiptarë që jetojmë në trevat tona në Ballkan (në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Greqi, Serbi e Maqedoni), ju kërkojmë që ta rishqyrtoni çështjen e mbajtjes nën arrest të z. Haradinajt dhe ta lironi atë sa më shpejt të jetë e mundur.

Në përmasa më të vogla në raport me popullin e madh Francez dhe viktimat e shumta Franceze gjatë luftës së dytë botërore, për Shqiptarët, arrestimi i z. Ramush Haradinajt me një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia do t'i ngjante situatës ku Gjermania do të kishte lëshuar pas luftës së humbur një urdhër-arresti për të arrestuar të madhin e të respektuarin z. Sharlë de Gol.

Vazhdimi i ekzistencës së urdhër-arrestit të Serbisë për z. Haradinajt pas luftës dhe pavarësisht vendimin e lirimit nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, dëshmon, nëse është nevoja, në njërën anë, se Serbia nuk e ka akoma ndërmend të pendohet për gjenocidin mbi Shqiptarët e Kosovës dhe në anën tjetër, një mosbesim në raport me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë të mbështetur nga bota perëndimore dhe nga Franca në veçanti, do të thotë një mosbesim ndaj vlerave perëndimore.

Në këto kushte, mendimi i jonë, është se nuk do të ishte në përputhshmëri me vlerat e larta të Francës nëse ky urdhër-arresti do të çonte në ekstradimin e z. Haradinajt në Serbi. Për më tepër, ky veprim absurd nëse ndodh,  do të çonte në asgjësimin e përpjekjeve të botës perëndimore dhe të investimeve të mëdha të saj shumëmilionëshe për të ndërtuar një Ballkan konform vlerave paqësore dhe evropiane.

Mbetëm në dispozicionin tuaj për çdo informacion shtesë dhe duke shpresuar në mbështetjen tuaj për lirimin sa më të shpejt të z. Ramush Haradinajt, lutemi të pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Ahmet Gjanaj

Deputet i Rajonit të Brukselit

7 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Horoskopi – 7 janar 2017

Posted: 07 Jan 2017 12:25 AM PST

DASHI

Do të jeni të disponueshëm për këdo që kërkon ndihmën tuaj. Në ambientin e punës, do të avanconi në profesionin tuaj. Në aspektin afektiv, një miku juaj do shpreh ndjenjat e tij sentimentale për ju.

DEMI

Në ambientin e punës, do të keni një situatë kritike për të zgjidhur me eprorin tuaj. Në aspektin afektiv, do të keni dyshimet tuaja në lidhje me partnerin, që do të bëni të pamundurën që ti zbuloni.

BINJAKET

Do të keni probleme me një kolegun tuaj të punës. Në aspektin afektiv, do të jetoni sot, në një klimë të qetë, pa probleme me partnerin tuaj.

GAFORRJA

Në këtë ditë, yjet ju këshillojnë të silleni të duruar me personat që ju rrethojnë! Në aspektin afektiv, çdo gjë duket e qetë! Në ambientin e punës, do të jeni të ngadalësuar në një detyrë që ju kanë caktuar!

LUANI

Do të ndiheni të rënduar, dhe nuk dini nga ta filloni ditën, për t’i përfunduar punët sa më shpejt! Në aspektin afektiv, duhet të jeni sa më i butë me partnerin dhe nëse ai ka bërë diçka që nuk ju ka pëlqyer!

VIRGJERESHA

Një person që njihni prej shume kohësh dhe që është pjesë e ambientit tuaj të punës, do t'ju demonstrojë një pjesë të karakterit që nuk e njihnit më parë, dhe kjo do t'ju bëjë të ndryshoni opinion. Në dashuri, do të keni një njohje të re, me të cilin do të krijoni një raport interesant.

PESHORJA

Në aspektin afektiv, nuk duhet ti thoni asgjë për të rejat e fundit, partnerit tuaj. Në ambientin privat, kjo ditë do t'ju kalojë shumë shpejt dhe në mënyrë harmonike.

AKREPI

Do të duhet t’i mbushni mendjen eprorit tuaj për një veprim që keni kryer shumë kohë më parë. Në aspektin afektiv, raporti me partnerin është duke u konsoliduar.

SHIGJETARI

Në aspektin afektiv, duhet të përdorni armët më të forta për të bindur partneri tuaj, për realizimin e një dëshire. Në ambientin e punës, gjithçka do të ecë siç e kishit planifikuar.

BRICJAPI

Do të jetë një ditë produktive dhe e mbushur me pozitivitet. Në ambientin afektiv, duhet të pranoni këshillat e partnerit tuaj!

UJORI

Do të jeni të mbushur me energji pozitive që do t'ju shoqërojnë gjatë gjithë ditës. Në aspektin afektiv, do të jeni të magjepsur sot, nga persona qe do takoni, do t'ju pëlqejë shumë.

PESHQIT

Në ambientin e punës, do të jeni shumë të kujdesshëm, sidomos në momente të vështira. Në aspektin afektiv, raporti juaj është i bazuar tek besimi, dhe kjo ju bënë të jeni bashkë çdo ditë e më shumë!

Related Posts :