Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Liberalizmi si ideologji” plus 3 more Telegrafi Opinione

loading...

“Liberalizmi si ideologji” plus 3 more Telegrafi Opinione


Liberalizmi si ideologji

Posted: 08 Jan 2017 08:04 AM PST

Xhevat Sefaj

Etimologjikisht, liberalizmi rrjedh nga gjuha latine 'liberalis', që do të thotë "i lirë". Liberalizmi padyshim se është një nga nocionet që përdoret shpesh në jetën e përditshme, gati sa nuk mund të gjendët një person që gjatë jetës së tij nuk e ka shqiptuar së paku një herë këtë fjalë. Ajo përdoret jo vetëm në komunikimin politik, por edhe në jetën e përditshme. Por, kjo nuk do të thotë se ata që e përdornin dhe komunikojnë e njohin mirë dhe drejtë kuptimin dhe domethënien e këtij koncepti.

Liberalizmi shpesh herë është përdorur dhe përdoret si mjet për realizimin e qëllimeve të tjera. Termi është keqpërdorur nga regjime dhe diktatura të shumta, kur ata i shkelnin në mënyrë flagrante parimet dhe postulatet në të cilat bazohet liberalizmi.

Si rrymë politike dhe traditë intelektuale, një fill identifikues – si mendim e praktikë – liberalizmi nuk zë nismë para shekullit të XVII-të. Megjithëse ka pasur elemente të pikëpamjeve liberale në botën e lashtë, veçanërisht në Greqinë dhe në Romën antike, këto elemente mund të thuhet se formojnë një pjesë apo mund të njihen më tepër ne kuptimin nominal se sa esencial.

Epiteti liberal, sipas John Gray-it, është përdorur për herë të parë për një lëvizje politike vetëm në shekullin XIX, kur në vitin 1812 u përshtat nga Partia Spanjolle e liberalëve. Përpara kësaj date, sistemi i mendimit të liberalizmit klasik u ngrit sidomos gjatë periudhës se Iluminizmit Skocez, kur Adam Smithi iu referua planit liberal për barazi, liri dhe drejtësi (Gray.John. "liberalizmi" sh.b.IDK fq.9).

Për ta kuptuar saktë domethënien e liberalizmit si një sistem i vlerave klasike të njerëzimit, bujarisë dhe të mendjes së hapur, është e nevojshme të kuptojmë qartë vërtetësinë e tij historike, zanafillën e tij në rrethana te caktuara politike, sociale, ekonomike dhe kulturore, brenda kontekstit të individualizmit evropian në periudhën e hershme moderne.

Liberalizmi insistonte në lirinë e individit që ta zgjedh ose fare mos ta zgjedh ndonjë besim fetar, në tolerance fetare etj. Gjithashtu, mendohej që shteti dhe shkenca nuk duhet të varen nga feja. Në politikë, "liberalizmi e madhëronte rendin qytetar si një rend natyror, përkatësisht rend që i përgjigjet natyrës dhe arsyes së njeriut. Shteti duhet t'i kufizojë sa më pak nismat, të drejtat, mendimet, interesat e njerëzve, Ai duhet të garantojë dhe të mbrojë të drejtat e pronës, të bindjes politike e fetare, të fjalës dhe të mendimit, të tubimit etj." (Murtezai, Ekrem, 'Fjalor i Filozofisë', sh.b. Dukagjini, Pejë 1997, fq.379). Për nga natyra, liberalizmi ka tërësi veçorish të dallueshme të cilat tregojnë modernizimin e tij dhe në të njëjtën kohë e bëjnë atë të dallojë nga traditat tjera intelektuale moderne, apo thënë ndryshe nga të gjitha ato lëvizje politike që si pikënisje e kanë pasur arritjen e lirisë , apo janë thirrur në emër të lirisë.

Këto veçori janë plotësisht të kuptueshme vetëm brenda perspektivës historike të krizave të shumta që shoqëruan Evropën gjatë shekujve XVI-të dhe XVII-të. Për me shumë, vlen të përmenden një mori ngjarjesh që pasuan Revolucionin Francez të vitit 1789, dhe atij amerikan në fund të shekullit XVIII-të si dhe pastaj fillimi i zbehjes së shoqërive liberale nga qeveritë totalitare të kohës, që u manifestuan me lëvizje masive demokratike dhe socialiste gjatë gjysmës se dytë te shekullit XIX-të .

Në kontekst të fjalisë dhe përsiatjeve për një përkufizim sa më gjithëpërfshirës të te gjitha tipareve të tij, liberalizmi si ç'do doktrinë apo rrymë tjetër e të menduarit ka përfituar prej kulturave të ndryshme kombëtare, veçanërisht në Angli, Francë, dhe SHBA në të cilat pati një jetë të qëndrueshme .

Më gjithë dallimin e pasur historik, dhe me insistimin nga shumë teoricienë për shumë llojshmërinë e liberalizmit, prapë së prapë liberalizmi nuk mund të kuptohet në një kompleks temash të veçanta. Kjo nënkupton se liberalizmi nuk ofron vetëm një mënyrë jetese, përkundrazi 'shoqëria liberale synon që të mos imponoj vetëm një mënyrë jetese. Por t'iu lejojë qytetarëve të saj sa më shumë liri për të zgjedhur vlerat dhe qëllimet e tyre. Prandaj ajo duhet të qeverisë nëpërmjet parimeve të drejtësisë , që nuk parakuptojnë ndonjë vizion të caktuar mirëqenës "(Michaelj, Sandel. "Liberalizimi dhe kufijtë e drejtësisë' sh.b. Dudaj, tiranë, 2012 fq.4).

Pavarësisht sfidave më të cilat përballeshin shoqëritë individualiste që bënë të lindin idetë liberale. Burimet teorike, politike, dhe sociale janë identifikuar nga Xhon Lloku, Xhon Struart Milli, Herbert Spenseri, Adam Smithi, J. M. Kejnsi, Xhon Rollsi etj. Këta ishin themeluesit e një familje të përbashkët, megjithëse u takonin degëve të ndara, për nga karakteri, liberalizmi përben një unitet identifikues për njeriun dhe shoqërinë.

Por, pavarësisht nga variabiliteti i tij historik koncepti i liberalizmit është ripërkufizuar në shumë faza të historisë së traditës liberale në një konglomerat kontekstesh kombëtare dhe kulturore, çka edhe ka bërë që në shume raste i është dhënë një interpretim shumë specifik, që e bënë liberalizmin një pikëpamje integrale, tiparet kryesore të te cilit pavarësisht nga marrëdhëniet e tyre të ndërsjellat mund të klasifikohen në katër tipare:

• Individualizmi i theksuar

• Egalitarizmi

• Universalizmi dhe

• Meliorizmi

The post Liberalizmi si ideologji appeared first on Telegrafi.

Çmimi që po paguan Ramush Haradinaj

Posted: 07 Jan 2017 11:18 AM PST

Arrestimi i Ramush Haradinaj në Francë nuk është një vendim Gjykate, por është dëshmi e Kohëve që po ndryshojnë.

Ndalimi i tij i papritur nuk është një pagesë ndaj të shkuarës, por është një çmim mbi të ardhmen.

Jam i bindur që Ramushi do të lirohet, por çështja është çfarë ndodh në Kosovë dhe në rajon në vitet që vijnë.

Natyrisht, kjo ngjarje do ketë ndikim në politikën e brendshme në Prishtinë, në sentimentet e kosovarëve ndaj Evropës të cilat po dobësohen përditë duke i lenë hapësirë ekstremeve ideologjike dhe atyre fetare.

Pavarësisht të gjithave, Kosova do mbetet e pavarur, por çështja është çfarë drejtimi do ketë demokracia e saj dhe mbi të gjitha çfarë cilësie.

Në vende të vogla, ndryshimi i kohës politike ka efekte të mëdha. Kosova nuk bën përjashtim.

Demokracia dhe liria nuk janë një dhuratë e përjetshme. Ato duhet t'i fitosh përditë.

Lirinë e sjellin çlirimtarët si Ramushi, por demokracinë e mbajnë demokratët që sot në Kosovë janë pakicë.

Kur Ramushi të lirohet, Kosova nuk do jetë më ajo që është sot.

Ka shumë vende të botës që e kanë pranuar Kosovën si një vend i pavarur, por nuk janë gati ta njohin si një shoqëri demokratike.

Ky është çmimi që po paguan Ramushi.

Kosova duhet t'i jetë mirënjohëse!

The post Çmimi që po paguan Ramush Haradinaj appeared first on Telegrafi.

E 2016-ta, viti që i dha fund një epoke?!

Posted: 07 Jan 2017 10:53 AM PST

Teksa 2016 ka përfunduar, perspektiva për vitin 2017 është e zhytur në pasiguri. Tensionet në Lindjen e Mesme janë në rritje, dhe lëvizjet populiste kanë gjalluar në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Në Lindjen e Mesme, konflikti tragjik në Siri vazhdon, pavarësisht disa përpjekjeve të pafrytshme gjatë negociatave të fundit, të karakterizuara nga mosmarrëveshja themelore në lidhje me rolin e ardhshëm të presidentit sirian, Bashar Al-Asad, në çdo lloj procesi paqeje apo tranzicioni politik.

Ndërkohë, gjatë javës së shkuar, trupat siriane qeveritare, të mbështetura nga Rusia dhe Irani, rimorrën thuajse të gjithë Alepon – dikur qyteti më i madh i Sirisë, tanimë i shkatërruar krejtësisht nga lufta. Prioritet kryesor i botës për vitin e ardhshëm, duhet të jetë arritja e paqes në Siri, e cila do të kërkojë një bashkëpunim më të ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar.

Në 27 dhjetor, Irani, Rusia dhe Turqia mbajtën një takim trepalësh në Moskë, për të diskutuar një zgjidhje politike për konfliktin në Siri, nga ku u arrit formalisht konsensusi për një armëpushim mes forcave rebele dhe atyre qeveritare. Nuk është për t'u habitur që janë këto palë, dhe jo SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, negociueset e një marrëveshje të tillë. Një zhvillim pozitiv vitin që sapo lamë pas ndodhi në mars, kur BE-ja dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje për të adresuar krizën e refugjatëve. Turqia deri tani ka pranuar 3 milionë refugjatë sirianë, që nga fillimi i konfliktit.

Edhe pse marrëdhëniet BE-Turqi, janë aktualisht jo në nivelin më të mirë të tyre, dialogu mes të dyja palëve duhet të vazhdojë edhe në vitin 2017, jo më pak për shkak të interesave të tyre të përbashkëta, të cilat bazohen jo vetëm tek ndërvarësia ekonomike, por edhe nga kriza e refugjatëve dhe lufta e përbashkët kundër terrorizmit. Ndërkohë, politika europiane këtë vit do të konsumohet nga negociatat mbi Brexit.

Në marsin e 2017-ës, Mbretëria e Bashkuar ka gjasa të evokojë nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, duke nisur kësisoj procedurën formale për largimin nga unioni. Sfidë do të jetë arritja e një marrëveshje, e cila garanton mirëqënien e marrëdhënieve të ardhshme BE-Mbretëri e Bashkuar. Kjo s'do të jetë e lehtë, dhe negociatorët e BE-së kanë vendosur tashmë një afat kohor prej vetëm 18 muajsh.

Ndërsa shumëçka mbetet e pasigurtë, e qartë është se në qoftë se Britania e Madhe do të ruajë qasjen në tregun e vetëm evropian, ajo do të duhet të pranojë katër liritë themeore të BE-së, duke përfshirë edhe lëvizjen e lirë të punëtorëve. Këtë vit, disa vende evropiane do të mbajnë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, dhe ekziston rreziku që lëvizjet izolacioniste populiste anti-evropiane të rregjistrojnë rezultate domethënse.

Për BE-në, humbja e një vendi, si ushtarakisht ashtu dhe ekonomikisht të rëndësishëm si Mbretëria e Bashkuar, është mjaftueshëm negativ; por humbja e një shteti themelues anëtar të BE-së si Franca, do të qe tragjike. Fatmirësisht, pikëpamja e shumicës së evropianë në raport me BE-në, është përmirësuar si pasojë e referendumit Brexit. Por kjo s'do të zvogëlojë sfidën për qeveritë e BE-së gjatë 2017-ës.

Ato duhet të bashkojnë shoqëritë e ndara nga forcat e fuqishme botërore si globalizimi dhe inovacioni i shpejtë teknologjik. Referendumi Brexit, i pasuar nga fitorja e Donald Trampit në zgjedhjet presidenciale amerikane, sinjalizuan ngritjen e populizmit në Perëndim. Por tashmë që Tramp është duke plotësuar kabinetin e tij me oligarkë dhe ish-ushtarakë, kemi arsye të dyshojnë nëse ai do të mbajë premtimin e tij për të qeverisur pa "establishmentin" e Uashingtonit.

Administrata e ardhshme Tramp është plot me të panjohura, por nuk ka asnjë dyshim se refuzimi prej tij i institucioneve shumëpalëshe, do të rrezikojë përpjekjet ndërkombëtare për të bashkëpunuar në zgjidhjen e problemeve më të mëdha që shqetësojnë sot botën. Kjo vendos në rrezik edhe marrëdhëniet SHBA-BE. Gjatë viteve të kaluara, marrëveshja mbi klimën e Parisit dhe ajo bërthamore me Iranin, qenë rrezet e dritës në një botë që po mbyllej në vetvete, e distancuar nga multilateralizmi.

Gjatë viteve që do të vijnë, rreze të tilla mund të bëhen edhe më të pakëta. Tani më shumë se kurrë, ne kemi nevojë për llojin e dialogut që ndërton besimin strategjik midis fuqive të mëdha. E megjithatë, deklaratat e Tramp hedhin dyshime mbi vazhdimin e aderimit të SHBA në politikën e "Një Kine" dhe avancimin drejt njohjes së Tajvanit, gjë që mund të dëmtojë rëndë marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha botërore.

Ngjashëm, pavarësisht prirjeve pro-ruse të disa prej pjesëtarëve të ekipit të Tramp, marrëdhënies SHBA-Rusi i mungon ndërkohë besimi strategjik, për shkak të ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Siri, pushtimit prej saj të Ukrainës lindore, dhe dyshimeve për ndërhyrje kibernetike në zgjedhjet presidenciale amerikane. Viti që sapo ka trokitur, do të jetë veçanërisht i rëndësishëm për Evropën.

Marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe SHBA-ve, duhet të mbeten të forta, të rrënjosura në respektin e ndërsjellë për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut. Pas një 2016-e të trazuar, dhe me pak lajme pozitiv në politikën ndërkombëtare, 2017-a është duke u formësuar si viti i sfidave dhe i pasigurisë. Por pasiguria më e madhe nga të gjitha, është nëse ky qe thjesht fundi i një viti dhe fillimi i një tjetri, apo fundi i një epoke gjeopolitike. /Project Syndicate/bota.al/

The post E 2016-ta, viti që i dha fund një epoke?! appeared first on Telegrafi.

Një letër për ty, çlirimtari ynë!

Posted: 07 Jan 2017 10:26 AM PST

Erblina Tahiraj

Nuk e di nëse do i shohësh këta rreshta që dua t’i dedikoj. Por, dua të them se sonte, më erdhi frymëzimi t’i shpalos ato mendime që çdo qytetar i ruan në zemër për ty. Mendoj se ke nevojë t’i lexosh.

Ato mendime që kanë mbetur peng në zemrën e tyre ngase pushtetarët ua burgosën, duke i zëvendësuar me para, punësime pa konkurse, e çfarë jo.

Sot kërkuam drejtësi, kryetar!

Sot protestuam për lirinë tënde!

Ishte ditë shumë e ftohtë kryetar. Por mbase jo aq e ftohtë sesa në ditët kur t'i luftoje pa ndalur për lirinë tonë.

E përfunduam protestën… rrugës shihja pakënaqësinë në sytë e popullit, ata dukeshin të thyer, por nga thellësia e zemrës thërrisnin me zë të lartë emrin tënd. Vazhduam të ecnim rrugës, kombinimi erë-dëborë po ngrinte fytyrat tona, por jo edhe sytë tonë të përlotur që i shkaktonte dhimbja për shtegtarin tonë të lirisë që na e kanë burgosur. Mbylla sytë dhe po mendoja.

Ndërkohë, dëgjoja bisedat e qytetarëve “nuk ka sikur Ramushi”, “e dua me zemër Ramushin”, “askush nuk e do vendin e vet sikur Ramushi”, “me qëllim po ia bëjnë Ramushit”… e fjalë të pafundme që nuk i largoja dot nga mendja. Për të kuptuar gjithë këto që përjetove, për një moment vendosa veten në vendin tënd.

Sa jetë e vështirë kryetar! Por, kurrë nuk të pashë me kokë të ulur. Ishe komandant, kishe peshën më të madhe të përgjegjësive, kishe të ftohtë në dimër, ishe i uritur, ishe i etur, nuk mund ta duroje të ngrohtit e verës, kurrë askush nuk të bëri këto pyetje.

Humbe vëllezërit e tu. Të dhimbte shpirti, të çante zemra, por duhej të bëheshe i fortë, ngase nëse ty do të pikonte loti ushtarët e tu do rrëzoheshin nga pasiguria.

Përfundoj lufta, dorëzove postin tënd të kryeministrit për të dëshmuar pastërtinë e UÇK*së, por askujt nuk i shkoj në mendje sesa e vështirë ishte të arrije në cak, por të kthehesh prapa për akuza të pabaza.

U ktheve fitimtar! Por, askush nuk të pyeti se sa e dhimbshme ishte të shikoje fëmijët e tu që u rritën duke të munguar dashuria e tyre, duke të munguar zërat e tyre teksa qajnë e qeshin, duke të munguar përqafimi i tyre.

Ti prapë po akuzohesh kryetar…, edhe sot, anipse mundohemi të kuptojmë, mendoj që kurrë nuk të kemi kuptuar. Je njeri i madh kryetar, je bujar, je i përgjegjshëm, i ndershëm, njeri i fjalës.

Sot unë po të shkruaj duke të kuptuar ty, duke kuptuar lotin e sinqertë në sytë e babës tënd, duke kuptuar dëshpërimin e nanës tënde, duke kuptuar zemërimin e vëllezërve të tu, duke kuptuar mallin e fëmijëve tu për ty, duke kuptuar paqartësinë në mendjet e nipërve e mbesave të tua.

Kryetar, më pate nderuar duke më quajtur Era, ngase e pëlqeje këtë emër, prandaj nga Era dhe rinia e Aleancës pranoi këto fjalë të sinqerta. Jemi me ty çlirimtari ynë. Deri në ditët kur do të kemi pranë, lexo këtë letër dhe mos harro që je shpresa jonë.

The post Një letër për ty, çlirimtari ynë! appeared first on Telegrafi.

Related Posts :