Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Luftëtari, gola dhe spektakël kundër Ordabasit” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Luftëtari, gola dhe spektakël kundër Ordabasit” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Luftëtari, gola dhe spektakël kundër Ordabasit

Posted: 12 Jan 2017 08:18 AM PST

Skuadra e Luftëtarit konfirmohet në një formë të shkëlqyer edhe në këto ditë të para të fazës përgatitore për pjesën e dytë të sezonit. Ekipi i drejtuar nga Milinkoviç, ka zhvilluar sot ndeshjen e parë miqësore në Antalja, duke mundur me rezultatin 4-3 skuadrën kazake të Ordabasi. Edhe pse u gjet në disavantazh që në minutën e 16 pas një penalltie, skuadra gjirokastrite përmbysi gjithçka falë golave të një prej elementëve të saj më cilësorë, Kristal Abazaj në minutat 20 dhe 36, duke mbyllur në epërsi pjesën e parë. Ramadani çoi në 3-1 shifrat në minutën e 55-të pas një penalltie të realizuar me sukses, ndërsa më pas kazakët ngushtuan shifrat. Rexhinaldo shënoi golin e katërt për ekipin gjirokastrit në minutën e 70 të sfidës para se Ordabasi të vuloste rezultatin përfundimtar 4-3 në favor të Luftëtarit me një gol në minutën e 89.

Kukësi merr ofertë për Pejiçin dhe Lenën?

Posted: 12 Jan 2017 08:18 AM PST

Gaziantepspor shfaq interes per Pero Pejiç dhe Nijaz Lenen. Në Antalia ku po zhvillojnë minifazën përgatitore, Kukësi mund të humbasë dy prej lojtarëve kyç të këtij sezoni. Skuadra e ligës së parë Gaziantepspor ka shfaqur interes për dy kampionet e dimrit të Superligës shqiptare. Edhe pse ende nuk ka asnjë lëvizje zyrtare në rang klubesh, burime për “Sport News” bëjnë të ditur se drejtuesit e Gaziantep janë gati të hyjnë në bisedime me presidentin e Kukësit, Safet Gjici. Edhe pse shuma mund të jetë e konsiderueshme duket e vështirë që presidenti i kampionëve të dimrit të heqë dorë nga dyshja Lena-Pejic. Gaziantep është në vendin e 13 të ligës së parë turke, ku duket të ketë probleme me gjetjen e golit. Kroati Pero Pejiç është makina e golit në kampionatin shqiptar, pasi ka realizuar 11 gola në pjesën e parë të sezonit, duke qenë njeriu gol, që ka çuar Kukësin drejt vendit të parë. Pejiç ka luajtur si titullar 17 nga 18 ndeshjet e dy fazave të para, ndërkohë që mesfushori Nijaz Lena ka luajtur 15 ndeshje pa gjetur rrugën e golit. Edhe 30-vjeçari nga Struga ka qenë një nga pikat më të forta në formacionin e Ernest Gjokës. Tashmë duhet parë se cili do jetë reagimi i klubit. Në të dyja rastet Kukësi do të dalë fitues, nëse vendos të mbajë futbollistët do të jetë i kompletuar në garën për titull, ndërsa nëse vendos t’i shesë, atëherë do të dalë fitues në aspektin financiar nga dy lojtarë që kanë kaluar të 30-at.

De Biazi: Shqipëria nuk shkon më shumë se kaq

Posted: 12 Jan 2017 08:17 AM PST

Duket se presidenti i FSHF-së, Armand Duka, nuk është i vetmi që mendon se Shqipëria ka zero shanse për të shkuar në Rusi. Të njëjtën bindje e ka edhe vetë trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi, i cili për më tepër duket mosbesues edhe për të ardhmen e grupit të lojtarëve që drejton. “Aventura me Shqipërinë arriti majën, pasi besoj se këta djem më shumë se kaq nuk mund të arrijnë, edhe pse në jetë nuk duhet të thuash asnjëherë ‘kurrë'”, tha ai në një intervistë të dhënë për kanalin zyrtar të Sampdorias, klubit italian në stërvitjet e të cilit ai do të jetë i pranishëm gjatë këtyre tri ditëve. “Mendoj se problemi më i madh sot është të menaxhojmë këtë moment, që të mos mendojmë se jemi të aftë dhe të mundohemi të punojmë me të njëjtën intensitet dhe dëshirë që kemi bërë më parë. Nëse nuk humbim ato që janë karakteristikat tona, të punojmë për njëri-tjetrin, pa parë se çfarë bën njëri apo tjetri, ndoshta mund të kemi edhe tani ndonjë shans”, tha De Biazi duke nënkuptuar se skuadra që drejton aktualisht nuk po arrin të shfaqë të njëjtat vlera që i dhanë mundësinë të shkonte në një kampionat europian.

Fenerbahçe shumë e fortë, Ekuban më i miri te të kuqtë

Posted: 12 Jan 2017 08:17 AM PST

Jeton Selimi

Partizani është mundur 3-1 nga turqit e Fenerbahçes në miqësoren e zhvilluar në Antalia, por gjithsesi të kuqtë kanë dalë të kënaqur nga kjo ndeshje, teksa përballë një ekipi me buxhet prej 150 milionë eurosh, përjashto minutat e para të ndeshjes kur edhe u ndëshkuan me dy gola të shpejtë, arritën ta merrnin veten dhe të shfaqeshin rrezikshëm në kuadratin e vendësve. Lojtari më i mirë i të kuqve ishte padyshim Kaleb Ekuban, që shënoi një gol dhe goditi një traversë. Takimi do të nisë vrullshëm për Fenerbahçen, që në miqësoren e djeshme ishin ndjekur nga mbi 2000 tifozë. Dy gabime në mbrojtjen e kuqe do të sjellin dhe dy golat e parë, kur Ozan Tufan dhe Fernandao do të përfitojnë nga përgjumja e dyshes Krasniqi-Atanda, ndërsa gardiani Hoxha nuk mund të bënte asgjë për t’i evituar ata. Fenerbahçe vijon presionin, por të kuqtë tregohen më të kujdesshëm dhe kërcënojnë me kundërsulm, si në minutën e 39-të, kur gjuajtja e Ekuban do të gjejë traversën e portës së Demirelit. Pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë e dy golave të skuadrës së drejtuar nga holandezi Dik Advokat, ndërsa në të dytën, 15 herë kampionët e Shqipërisë do të shohin më shumë drejt sulmit. Megjithatë, golin do ta gjejnë sërish turqit në minutën e 82-të Kojabashi, që merr një top në hyrje të zonës, duke shënuar një gol të bukur. Megjithatë, Partizani nuk dorëzohet dhe gjen një gol të shkëlqyer me Kaleb Ekubanin. Ganezi lëviz mjaft bukur për t’iu shmangur mbrojtësve dhe mposht portierin në shtyllën e parë. Pak minuta më pas, ganezi ka një tjetër rast ideal për shënim, por portieri bën detyrën duke pritur topin e Ekuban.
Starova
Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij pas miqësores së luajtur kundër Fenerbahçes. Trajneri e pranon se e dinte që për skuadrën e tij në këto momente të sezonit do të ishte e vështirë të përballej me gjigandët turq. “Përgatitja jonë në këto momente nuk është optimale për t’u përballur me Fenerbahçen, pasi objektivi ynë është kampionati. Ky nuk ishte momenti që të përballeshim me Fenerbahçen po nuk mund t’i thuash “jo” mundësisë për një përballje të tillë. Mendoj se ia arritëm qëllimit, pasi luajtëm me dinjitet. Lojtarët morën sadisfaksionin që luajtën ndaj një ekipi shumë të fortë. E përgjithshmja është pozitive”, tha ai për “SuperSport”. Starova konfirmoi se baza e lojtarëve do të mbetej e pandryshuar, duke i klasifikuar përforcimet e radhës si “ndihma” për grupin. Ndërkaq, ai konfirmoi gjithashtu se ekipi mund të zgjaste qëndrimin në Turqi nëse FSHF do të vendoste shtyrjen e rifillimit të kampionatit.

Le ta ekstradojë Franca, Ramushin!

Posted: 12 Jan 2017 08:16 AM PST

Nga Arian Galdini

Nuk ka më Hygo e as Zola. Shkrimtari më i madh francez i kohëve të sotme është Ismail Kadare. Edhe Miteran ka vdekur së bashku me epokën e burrashtetasve që rëndonin po aq sa ka peshë në historinë botërore Franca. Zhak Shiraku iku si i kërkuar nga drejtësia. Sarkozi u bë president për t'u ndarë nga gruaja që të martohej me Carla Brunin. Ndërsa, Fransua Hollande u bë president për ta kuptuar se nuk ka asnjë arsye për të rikandiduar përsëri. Vajza që i vuri kufirin tek thana babës së saj, zonja Le Pen është bërë mastari dhe arsyeja se përse konkurrojnë apo bashkëpunojnë dy kandidatët e tjerë të së djathtës e së majtës tradicionale franceze.
Në këto kushte, e sidomos pas largimit të arsyes pse Franca ishte e rëndësishme për duet me Gjermaninë, pra pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE, asnjë politikan francez nuk di të gjejë rolin që do të ketë këtej e tutje ky vend i madh në ekuilibrin e ri të fuqisë brenda BE. Edhe Mateo Renzi që donte trio, dmth që i jepte kuptim një dueti franko-gjerman, po mbledh kockat në Firenze, për ta provuar edhe njëherë mundësinë për rikthimin në Romë. Prandaj, Franca nuk ka ç'bën tjetër veçse t'ia shkartisë kartat e Ballkanit Perëndimor, Gjermanisë, në mënyrë që të rifitojë një rol të ri, nëpërmjet një gjendjeje të re. Ramush Haradinaj nuk është ndaluar nga policia franceze e as po mbahet nën arrest nga gjykata për shkaqe rastësore e aq më pak për arsye të drejtësisë. Ky është edhe kordoni i sigurisë që i lejon Serbisë të dërgojë në Francë kërkesën për ekstradimin e Ramushit. As vetë Beogradi ndoshta nuk e ka ditur që Franca në janarin e vitit 2017, do të zgjohej si në janarin e 1997. Syri u shkel nga Franca dhe Serbia u shkund nga pluhurat e sfidave demokratizuese dhe u rikthye në po të njëjtën ditë kur Vuçiçi mbante arkat me birrë për t'ia çuar Sheshelit, ndërsa Daçiçi djersinte nga emocioni ndërsa priste në paradhomë që të takonte presidentin Slobodan Milosheviç. Tek e fundit, serbët ia kanë dalë mbanë të rikthehen te pothuajse e njëjta fotografi e para 2 dekadave. Sheshelin e kanë në parlament. Milosheviçin e kanë në monument. Xhinxhiçin e kanë në varr. Tadiçin në pension. Dodikun në vend të Karaxhiçit. Nga vendi luftënxitës e luftëbërës që shkaktoi mijëra e mijëra viktima të pafajshme, gjenocid e masakra të paimagjinueshme, u rikthyen përsëri në vendin që pritet krahëhapur në BE. Madje, për t'ia dalë mbanë kësaj, bashkuan 2 kohë. Ia dolën që Vuçiçin ta bëjnë Tito dhe Edi Ramën ta bëjnë Enver. Ia dolën që edhe Slobodanin ta mbajnë aty në gji të fshehur nën lëkurën e Daçiçit. Sikurse arritën ta bindin gjithkënd në botë, se Kosova nuk është problem, nuk ekziston, sepse Tito i ri dhe Enveri i ri kanë bërë vllazëri. E ja tani ku jemi. Sapo Kancelarja Merkel jep sinjalin e fortë, se ajo nuk ka ndërmend të tolerojë për hir të Klubit të Ballkanit, asnjë nga çunat e Ballkanit që të shfrytëzojnë qëllimet e saj të mira, për të bërë punët e tyre të liga, këta nisën nga marifetet. Edi Rama ia nisi të flasë për faktorët e tretë dhe nuk lë rast pa përdorur që ta shpallë BE si Shtëpinë e Vulëhumburve. Gjukanoviçi fshihet pas Maroviçit dhe Vuçiçi hidhet sa tek Putini, sa në doçkat e sapohapura të Francës. Të gjitha këto vëzhgime i solla ndërmend, sepse nuk kam si ta marr për të lehtë këtë ndalimin e Ramushit në Francë. Nuk më lejon as ndërgjegjja ime qytetare, as ajo kombëtare, as ajo intelektuale e as ajo politike.
Ramushi në këtë rast, ashtu si edhe disa vite më parë, po bëhet pengu i madh i orekseve dhe lojërave të mëdha gjeostrategjike. Ne si komb nuk duhet ta tolerojmë më, që këtij njeriu t'i bjerë e gjithë pesha e sakrificave për ne. Ramushi sot është Shqiptaria. Rrallë ndodh në historinë e një kombi, që një njeri e çka ndodh me të bëhet test qëndrimi dhe orientimi prokombëtar ose jo.
Të jesh sot me Ramushin, është të jesh vërtetësisht me shqiptarinë. Prandaj ftesa ime është që të gjithë njëzëri si qytetarë shqiptarë, por edhe institucionet tona shtetërore të Kosovës e Shqipërisë të bëjmë të pamundurën që ta mbrojmë e rikthejmë në shtëpi Ramushin. Përndryshe, le t'i çojmë ne shqiptarët, sado që të jemi, 10 apo 15 milionë, të gjithë veç e veç a së bashku, një mesazh Francës: Ekstradojeni Ramushin, por më arrestoni e më ekstradoni edhe mua në Serbi. Nëse duan ta ekstradojnë Ramushin, le ta bëjnë. Por le ta dinë, se duhet të na arrestojnë e ekstradojnë të gjithëve në Serbi. Mbase, Le Pen zgjidhet presidente. Ndoshta monumenti i Milosheviçit ngrihet edhe në Paris. Atëherë le të shërbejë dënimi ynë, i të gjithë neve, si një muzg për një Francë pa diell.

Kjo është Shqipëria që e ndërtuam vetë

Posted: 12 Jan 2017 08:16 AM PST

Nga Blendi Fevziu 

Disa ditë më parë më qëlloi të lexoja një refleksion të shkrimtares Ani Vilms mbi ikjen nga Shqipëria më 1994 dhe jetën në Berlin. Përtej të qenit një shkrim tejet i kuruar, analiza e saj më bëri të reflektoj disi mbi Shqipërinë e këtyre 23 viteve dhe ndryshimin e saj. Për ata që nuk e njohin, Ani Vilms ka qenë një vajzë e bukur, krejt jashtë standardeve dhe kornizave të kohës, një studente shkëlqyer dhe një shkrimtare, që pak nga pak krijoi një profil të sajin në letërsinë shqipe bashkëkohore. Nuk di të them nëse ka qenë një karakter rebel, por di me siguri që i takonte asaj kategorie vajzash të fund viteve '80 dhe fillim viteve '90 që përmasat e Shqipërisë së mbyllur dhe të izoluar i rrinin gjithnjë ngushtë. Vilms iku një ditë. Siç thotë vetë, ka qenë viti 1994. Ajo tregon se i ftohti i Berlinit e fshikulloi, por ajo ishte e vendosur të qëndronte aty, sepse siç shkruan, gjeti diçka që i kishte munguar në jetë: "Por në Berlin gjeta diçka kaq të çmueshme, saqë qeshë lumturisht e gatshme ta duroj të ftohtin me gjithë mundimet e tij. Për herë të parë në jetën time mund të lëvizja lirisht në një qytet pas rënies së errësirës. Askush s'e kthente kokën kur i kaloja pranë, asnjeri nuk më qepej nga pas. S'kishte fjalë të ndyra, vështrime të paturpshme, kërcënime ose lloj-lloj ngacmimesh prej meshkujve në rrugë. Nuk trembesha as në mes të natës në metro ose me biçikletë nëpër parkun Tiergarten. Burrat me pushtet – policë, nëpunës, profesorë – nuk më binin në qafë. Askush nuk merrej me thashetheme dhe nuk përhapte shpifje mbi "nderin" dhe "moralin" tim. Çudi e madhe! Krejt e kundërta e përvojës sime në Shqipërinë komuniste e pas komuniste të viteve '80-'90, ku për vajzat si unë s'kishte prehje përveçse në katër muret e shtëpisë ose në rrethin e ngushtë të miqve". Duke lexuar shkrimin e saj dhe duke bërë një krahasim më atë kohë, që edhe unë e kam jetuar po me atë intensitet, pyeta veten: A ka ndryshuar shumë ky vend këto 23 vjet? Është gati një çerek shekulli, kohë e mjaftueshme për të transformuar shumë gjëra e jo më një shoqëri që shkonte nga izolimi total drejt një hapje pa limit. Për fat të keq, dyshoj se ndryshimi ka qenë i vogël për të mos thënë i pandjeshëm. Po, ne ndërtuam pallate më të bukura dhe jetojnë në apartamente më të bollshme, por brenda tyre sillemi po njësoj si dikur. Me po ato paragjykime dhe me po atë mënyrë të menduari. Po, ne e kemi mbushur Tiranën dhe qytetet e tjera me kafene moderne dhe me emra po kaq ekstravagantë, por brenda tyre gëlon po ajo botë tipike orientale e bërjes së llogarive të tjetrit dhe asnjëherë analiza e vetvetes. Gëlon po ai realitet thashethemesh dhe moralizimi pa asnjë sens. Po, në rrugët e Tiranës mbase nuk të tërheq më njeri për krahu me forcë, por dhunën e dikurshme e ka zëvendësuar joshja nga paraja dhe paratë e drogës, pre e të cilave bien shpesh vajzat e reja dhe të bukura të qytetit. Po, ne kemi ndërtuar një shoqëri të konkurrimit, por thuajse kurrë nuk bëjmë zgjedhje të lira. Po, ne kemi një shoqëri të hapur, por gjithnjë fiton më i fuqishmi dhe më i pasuri. Ku budallai nuk sheh veten, por tregon me gisht si budalla të zgjuarin dhe korrektin vetëm sepse ai respekton ligjet dhe sillet si qytetar model. Kemi ndërtuar një shoqëri ku i varfëri përbuzet dhe ku vaniteti është kthyer në status të lakmuar social. Po, ne kemi shumë më tepër njerëz të diplomuar, por padyshim shumë më pak njerëz të ditur dhe të thellë. Kemi shumë pak debate thelbësore dhe shumë zhurmë për gjëra pa asnjë lloj rëndësie. Ne kemi ndërtuar një botë mediatike mbushur me boshësi dhe personazhe false. Pa asnjë lloj thellësie dhe asnjë lloj analize. Kemi më pak frikë se dikur, por vijojmë të impresionohemi nga fuqia dhe të jemi ende të bindur se jetën tonë e ka në dorë më i fuqishmi. Ka shumë gjëra të tjera që nuk kanë ndryshuar thuajse fare, ndaj unë besoj se sot, ne as e kemi dhe as kemi për ta pasur atë liri që Ani Vilms përballi atë ditë që la Shqipërinë dhe u vendos në Berlin. Dhe për fatin e keq, as vetë nuk e kuptojmë që pa atë liri, fëmijët tanë do e kenë gjithnjë e më të vështirë të jetojnë në këtë vend dhe vetë ky vend do ta ketë më të pamundur të bëhet ai vend që ne vetë, 25 vite më parë kemi ëndërruar. Dhe se ata që realisht e duan lirinë, do vijojnë të ikin, ashtu siç iku Ani Vilms 23 vite më parë…

Marrë nga Opinion.al

 

 

 

Subvencionimi i shtetit për hapësirat publike

Posted: 12 Jan 2017 08:15 AM PST

Nga Isidor Koti

Baza ligjore e administrimit të ambienteve të përbashkëta të banimit në vendin tonë është mjaft e pasur dhe përqaset me realitetin e duhur të zhvillimit europian e më gjerë. Por, kjo nuk do të thotë se trajtimi ligjor shkon përshtat me realitetin në hapësirë dhe kohësi të një vendi në proces zhvillimi, aq më tepër kur dihet se me çfarë lloj problemesh përballen qytetarët shqiptarë. Spektri i zhvillimit të hapësirave të përbashkëta është mjaft i gjerë dhe kërkon përkujdesje. Kur një banor blen një shtëpi është e qartë se duhet të paguajë për administrimin e ambientit ku jeton. Por, sikurse ndodh në vendet e zhvilluara europiane, shteti ndërhyn përmes subvencionimit, duke krijuar kushtet e nevojshme për hapësira banimi të përshtatshme. Sigurisht, përmes vjeljes së taksave, të cilat jo domosdoshmërish duhet të merren drejtpërdrejt dhe çdo muaj nga banorët, siç ndodh me administrimin e pallatit. Hapësirat e përbashkëta të banimit janë hapësira publike dhe sado të përpiqen banorët t’i mirëmbajnë, pa ndihmën e dorës së shtetit është thuajse e pamundur të funksionojë çdo gjë në nivelin e duhur. Që të jem më konkret, një pallat ka nevojë për ndriçim publik, për parkun rrotull tij, për gjelbërimin, për mirëmbajtjen e kanaleve të ujërave të bardha e të zeza, për pastrimin e përgjithshëm rreth e rrotull ambientit. Të gjitha këto kanë një kosto të konsiderueshme dhe nëse bëhet një përllogaritje e thjeshtë logjike, një administrator i caktuar nga asambleja e banorëve, do e ketë të pamundur të kërkojë e arkëtojë shifra të larta për të investuar në këto vepra publike. Po si mund të bëhet subvencionimi nga shteti për hapësirat e përbashkëta të banimit? Gjatë punës sime, jam përpjekur të kryej ministudime dhe anketime të herëpashershme me banorët e rregullt në pagesat e tarifës së administrimit të pallatit. Pjesa dërrmuese e tyre mendojnë që kjo tarifë duhet mbivendosur në faturat e ujit ose të dritave. Por, edhe kjo ide duket e pamundur, përderisa çdo faturë ka specifikat e veta dhe matja e shërbimeve mbetet gjithmonë e diskutueshme, sipas tagrit që ka caktuar çdo komunitet. Ndërsa pjesa e subvencionimit nga shteti është më e thjeshtë, sepse investimi bëhet direkt nga buxheti i shtetit, i cili në bazë të taksave të mbledhura nga shpenzimet e qytetarëve për mallrat e konsumit dhe shërbimet e tjera, vendos edhe trajtimin e elementëve qenësorë të hapësirave publike në ambientet e përbashkëta të banimit.
Logjikisht, çdo banor shpenzon para për të jetuar dhe në çdo shërbim që merr, paguan taksa që shkojnë në favor të shtetit. Një pjesë e këtyre taksave mund të kthehen mbrapsht në të mirë të shërbimeve publike, të përmirësimit të jetesës dhe mbarëvajtjes së objekteve që ka një qytet. Pavarësisht se hyrjet e një pallati janë pronë private dhe çdo pronar duhet të kujdeset vetë për ambientin që zotëron, kjo nuk do të thotë që pallati është ishull i vetmuar, por pjesë jetësore e qytetit. Është një bashkëveprim interesash publike, të cilat duhet “të mbajnë barrët e njëra-tjetrës”. Përfitimi është i gjithanshëm dhe shton vlerat ekonomike, kulturore e estetike të ambientit publik. Si mund të realizohet kjo? Gjithmonë ligjet kanë hapësirat e tyre që kërkojnë përmirësime të nevojshme gjatë kalimit të kohës. Prandaj, përmes amendamenteve të herëpashershme, shtesave të ndryshme nënligjore që miratohen nga Parlamenti, mendoj se është koha e duhur për t’i dhënë një zhvillim tjetër hapësirave publike, të cilat kanë kaluar nëpër rrebeshe ndryshimesh anarkike, të pasistemuara, duke e vështirësuar mënyrën e jetesës së qytetarëve. Ndërhyrja e shtetit përmes subvencioneve në bashkëpunim me kontributin qytetar, do të ishte një hap përpara në zhvillimin e territorit.

Në Tiranë, kryeveprat italiane që kushtojnë 12 milionë euro, Rama dërgon ftesa personale

Posted: 12 Jan 2017 08:14 AM PST

Fatmira Nikolli

Kanë mbërritur të martën në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë kryeveprat italiane të 1900-ës. Ato janë pjesë e ekspozitës së parë që çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve këtë vit, realizuar si bashkëpunim mes GKA-së, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministrisë. Ekspozita e kuruar nga Maria Catalano, Federica Pirani dhe Stefano Roffi, me mbi njëqind “kryevepra” që vijnë nga Galeria e Artit Modern të Romës, ka për qëllim të prezantojë kulturën artistike të Romës në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, gjuhët që janë ndjekur, artistët dhe lëvizjet e referencës, duke kaluar nga Simbolizmi, Futurizmi, Klasicizmi i Ri, Shkolla Romane, Abstraktizmi. Mësohet se veprat kushtojnë më së paku 12 milionë euro, ndërsa kryeministri Edi Rama ka dërguar ftesa të personalizuara dhe një letër të “pazakonshme” për këtë ekspozitë.
“I (e) dashur…- Kryeveprat është e para ekspozitë e një koleksioni pikturash origjinale që vjen në Shqipëri, nga muzeumet e Europës. Ky koleksion i jashtëzakonshëm i pikturës italiane të Novecentos, do të qëndrojë në muret e Galerisë Kombëtare, për kënaqësinë e rrallë të artdashësve shqiptarë, duke filluar nga 15 janari. Duke ju dërguar këtë shënim të pazakonshëm, bashkë me ftesën, për të marrë pjesë në ceremoninë e çeljes së dyerve, të këtij koleksioni të rrallë, dëshiroj të ndaj me ju kënaqësinë e posaçme, për këtë ngjarje artistike krejt të veçantë. Edi Rama(firma)”- ky është teksti i letrës.
BILETAT
700 LEKË
Figurat e mrekullueshme femërore, portretet e personazheve të famshëm, pamjet e qytetit të përjetshëm dhe të fshatit roman, natyrat e vdekura, janë subjektet kryesore të trajtuara nga artistët protagonistë të ekspozitës, ndër të cilët dalin në pah emrat: Giacomo Balla, Carlo Carrà, Giorgio de Chirico, Fortunato Depero, Renato Guttuso, Giacomo Manzù, Tato, Giulio Turcato, vetëm për të përmendur disa nga më shumë se 60 artistët e paraqitur. Ekspozita është promovuar nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë, Ambasada Italiane në Tiranë, Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Bashkia e Tiranës, Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, në bashkëpunim me Sovrintendenza Capitolina (Drejtoria e mbikëqyrjes Capitolina), Bashkia e Romës, Departamenti i Rritjes Kulturore, Galeria e Artit Modern të Romës, dhe është realizuar e organizuar nga Arthemisia Group. Këtë herë, bileta për të parë ekspozitën kushton: E plotë 700 lekë, me zbritje 500 lekë, grupe të rriturish 500 lekë, ndërsa shkollat 100 lekë.
Kryeministri Edi Rama, shkruante në llogarinë e tij në “Facebook” se “pas Koncertit të Vjenës në Tiranë, janari do të sjellë edhe të parën ekspozitë në Shqipëri të një koleksioni kryeveprash origjinale në pikturë”. Sipas tij, për herë të parë, jo vetëm artistët e rinj apo edukatorët e artit, po edhe nxënësit, studentët e mbarë publiku artdashës, do të mund të marrin shijen unikale të telajove origjinale të mjeshtërve të pikturës europiane. “Kjo rrugë e re eksperiencash të rralla artistike për publikun shqiptar, të cilën njësoj si Koncertin e Vjenës në Tiranë, duam ta kthejmë në traditë, vit pas viti, nis me kryeveprat e pikturës italiane të Novecentos, dhe kam shumë shpresë se do të vazhdojë në vitin 2018, me një koleksion veprash origjinale të Muzeut Picasso në Paris”, e mbyllte postimin e tij kryeministri. Kjo ekspozitë do të çelet më 16 janar e do qëndrojë për artdashësit deri më 2 prill 2017.

Intervista e MuhameD Sytarit për “TRT”: Mesha në kala, provokim

Posted: 12 Jan 2017 08:14 AM PST

Nga Arben HALLUNI *

TRT”, pasi jep një historik të objektit, shkruan se Myftiu i zonës Shkodër, imam MuhamedSytari në një intervistë ekskluzive për “TRT”, Zërin e Turqisë në Shqip shprehet se “a ishte kjo xhami më parë kishë nuk dihet me siguri, se nuk ka asnjë dokument real që ta vërtetojë atë”. Njëkohësisht ai thotë se “kleri katolik tu pretendue se ajo ka qënë kisha e Shën Shtjefnit ose e Sh’ Kollit në kohën e pushtimit Fashist, tu dashtë me përfitue nga situata e favorshme klerikale planifikoi rindërtimin e saj, dhe kështu që me kohë edhe kështjella ‘Rozafat’ do të kthehej në një institucion fetar apo kuvendesh etj.”
Ai shprehet se “me për-gjegjësinë më të madhe dhe bazuar në fakte konkrete historike objekti i kultit në kalanë e Shkodrës është xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut, i cili për ne myslimanët mbetet një personalitet i shquar i historisë së pastër, të shtrenjtë e të shenjtë të shekujve të kaluar. Sulltan Mehmet Fatihu është personi të cilin e ka paralajmëruar ardhjen e tij, triumfin e tij, lavdinë e tij dhe madhështinë e tij vetë Profeti i Islamit, Hz. Muhammedi”.
Sipas tij, kur themi “Historia osmane”, do të thotë historia e krejt myslimanëve të botës, përfshi edhe myslimanët e Shqipërisë. Kësisoj ne e respektojmë, e nderojmë dhe e vlerësojmë mbetjen e xhamisë që mban emrin e tij në kalanë e Shkodrës, maksimalisht si një relikte e çmuar dhe e shquar e historisë sonë fetare dhe asaj kombëtare.”
Sytari thotë se “me drejtuesit e kishës katolike janë marrë takime të ndryshme, është komunikuar nëpërmjet shkresave, takimeve, bashkëbisedimeve të ndryshme, ku është kërkuar nga myftilerët e ndryshëm të kësaj periudhe rreth 12-13 vjeçare që të ndalohet ky veprim, i cili për ne myslimanët e Shkodrës e për Myftininë konsiderohet si një provokim i pakuptimtë dhe i panevojshëm, i cili prek në thelb vlerat e harmonisë ndërfetare në qytetin e Shkodrës, këtë harmoni”. Ai thotë se “nuk e kuptojmë faktin pse Ministria e Kulturës që sot mban në inventarët e saj mbetjet e xhamisë së Sulltan Mehmet Fatihut (që në fakt është një vakëf i shenjtë dhe duhej të ishte në administrim të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë), ka dhënë leje për realizimin e kësaj ceremonie fetare?!”
MESHA
Ai thotë se Myftinia e Shkodrës e ka kundërshtuar këtë veprim dhe i ka komunikuar me shkresa, Ministrisë së Kulturës, kishës katolike, institucioneve të tjera të qytetit të Shkodrës, komunitetin e kulteve etj., sikurse është vënë në dijeni normalisht edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. “E vërteta është se më 26 dhjetor të vitit që shkoi, pra para pak ditësh, pas vizitës së Krishtlindjes që bëmë në kishën katolike, ditën e nesërme u befasuam me faktin që drejtues të kishës katolike, të cilëve u uruam një ditë më përpara festën, ishin tashmë në xhaminë tonë historike të shtrenjtë e të shenjtë, duke kremtuar një meshë. Për mua personalisht ky është një veprim krejt i pakuptimtë, ashtu edhe për Myftininë e Shkodrës dhe për komunitetin e bashkësinë e myslimanëve të Shkodrës. Ky është një provokim i panevojshëm dhe një cenim i bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, të cilën e kemi për detyrë ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta mëkojmë me vlerat më të mira të respektit të ndërsjellë dhe moscenimit të simboleve të shenjta historike përkatëse.”
TRASHËGIMI ISLAME
“Fillimisht do të thosha se objekti i xhamisë së Sulltan Mehmet Fatihut në kalanë e Shkodrës është pjesë e pandarë e kulturës dhe e trashëgimisë islame të vendit tonë, pra pjesë e trashëgimisë islame shqiptare. Unë besoj se së pari është detyrë e shtetit shqiptar, e Ministrisë së Kulturës që të merret me restaurimin e kësaj xhamie të vjetër shekullore, e cila përkthen më së miri shpirtin dhe identitetin islam të komunitetit më të madh fetar në Shkodër, pra komunitetit mysliman”,- ka thënë Sytari.
I pyetur se çfarë zgjidhjeje ofron Myftinia Shkodër për këtë objekt, Sytari thotë: “Është e nevojshme që të përsëritet, të thuhet dhe të lajmërohet me të madhe se objekti i kultit në kalanë e Shkodrës është xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut! Nuk ka nevojë për asnjë etiketim tjetër dhe nuk ka nevojë për asnjë cilësim tjetër shpeshherë edhe qesharak që i bëhet këtij objekti për qëllime krejt të panevojshme, që shpeshherë kthehen në objekte provokimi ndaj historisë sonë, ndaj identitetit tonë islam dhe ndaj gjurmëve të trashëgimisë sonë historike, kombëtare dhe kulturore”.
Si zgjidhje ai ofron që “çdo institucion shtetëror apo fetar të respektojë veten fillimisht, të respektojë tjetrin dhe të punojë maksimalisht për ndërtimin e urave të komunikimit dhe jo duke ndjekur rrugët e provokimeve të panevojshme, të cilat cenojnë një ndër veçoritë më të shenjta dhe më të shtrenjta të popullit shqiptar që është harmonia ndërfetare”. “Unë lutem me zemër që të mos jetë e largët dita që xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut të kthehet në identitetin e saj dhe të vizitohet nga të gjithë besimtarët, nga jobesimtarët, nga jomyslimanët, nga të krishterët dhe, pse jo, të pozojmë së bashku myslimanë dhe të krishterë në ambientet e kësaj xhamie shekullore që i hap dyert dhe krahët e saj për çdo njeri që ka një vullnet të mirë, një qëllim të mirë, që beson në një Zot dhe thërret drejt harmonisë së besimit dhe harmonisë së vlerave të tij.”
(* Përgatiti për “TRT Shqip”)

KISHA-XHAMI NË KALANË E SHKODRËS Meksi: Ishte kishë, të bëhet muze, kush përdor fenë për sherr, s’beson në Perëndi

Posted: 12 Jan 2017 08:14 AM PST

Fatmira Nikolli

Rikthehet në vëmendje, debati për kishën-xhami në Kalanë e Shkodrës. Monumenti i kulturës, i njohur për katolikët si Kisha e Shën Shtjefnit dhe për myslimanët si Xhamia e Sulltan Mehmetit, prej vitesh ka nxitur debat mes të krishterëve dhe besimtarëve myslimanë në qytetin verior, për shkak se objekti ka shërbyer si kishë për disa shekuj, e më pas me rënien e Shkodrës 500 vite më parë, si xhami sipas autorëve Theodor Ippen te “Shqipëria e vjetër”, Kostandin Jireçek te “Historia e Serbëve” dhe Aleksandër Meksi te “Arkitektura e kishave të Shqipërisë” VII-XV. E njëjta gjë, ndodhi edhe në Stamboll me Shën Sofinë, e cila u kthye në vitin 1453 nga Mehmet Pushtuesi në Xhami. “Si pasojë e traktatit të paqes të datës 26 janar 1479, Shkodra iu dorëzua turqve, pasi këta të fundit e kishin mbajtur kështjellën 10 muaj të rrethuar pa mundur ta pushtonin”, shkruhet në librin e Meksit.
Çdo datë 26 dhjetor- ditën e Shën Shtjefnit, në rrënojat e këtij objekti, Famullia e Shën Shtjefnit në Shkodër prej 10 vitesh mban meshë. “Debati” herë në heshtje e herë me prononcime, mes komuniteteve fetare, nisi vite më parë, kur një ambasadë e huaj dha një fond të konsiderueshëm për restaurimin e objektit si kishë, çka u kundërshtua nga komuniteti mysliman.
Së fundmi, Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, në një intervistë për “TRT Shqip” ka deklaruar se objekti është trashëgimi shpirtërore e myslimanëve dhe se mesha e mbajtur në të është provokim.
MONUMENTI
I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, prof. Aleksandër Meksi tha dje se “Kisha e Shën Shtjefnit në Shkodër, që njihet edhe me emrin Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut për një pjesë të qytetarëve të Shkodrës- është një kishë që kthye në xhami me anë të një dekreti të Sulltanit që kthente kishat në xhami. Minarja është ndërtuar në këndin jugperëndimor pranë ambjentit të altarit. Për nga teknika e ndërtimit dëshmon për vjetërsinë e saj. Dekreti i sulltanit- që kthen kishat në xhami, daton me rënien e Shkodrës. Kisha në fjalë është një monument shumë i rëndësishëm, i vlerësuar më tepër për arkitekturën kishtare, romanike-gotike, gjurmët e të cilave janë fare të pakta të mbetura në Shqipëri”. Ndonëse sipas Meksit, çështja e vlerave arkitekturore, është relative dhe nuk ndikon në qëndrimin ndaj problemit, ai tha dje për “Gazeta Shqiptare” se objekti “është një monument i ndërtuar, rreth 1300-ës, duke parë dhe duke u bazuar te teknika e ndërtimit dhe planimetria. I është nënshtruar rreth 1400-ës një rindërtimi që dokumentohet, në burimet historike, në gjendjen e sotshme ruhet rrënojë, ndërsa muret pothuaj i ka tërësisht; ato janë të ndërtuara te pjesa e altarit”.
Sipas Meksit, që në vitet 1980 u mendua që të restaurohej, në kuptimin që të plotësoheshin muret, ato gjurmë të qarta dhe të mbulohej me një çati që në formë mesjetare, pra të kohës, në mënyrë që të kthehej në një muze për kalanë e Shkodrës.
“E fillova unë studimin i pari, dhe për disa arsye nuk arrita dot ta vijoja unë, por u vazhdua nga Gjergj Frashëri dhe më vonë nga të tjerë, bashkë me specialistët e Shkodrës, duke u marrë fillimisht me muret, sepse kishte mure që rrezikonin”, – thotë Meksi.
Ai tregon se “kjo do të ishte mënyra me të cilën monumenti duhej të bëhej i vizitueshëm, të dëshmonte për Shkodrën, së paku për gjetjet e kalasë së Shkodrës, dhe duhej të kishte edhe sondazhe arkeologjike nga specialistët për të parë nëse nën të, ka gjurmë, ndërtime a struktura të një kishe më të vjetër, apo edhe ndërtime të tjera”. Sipas prof. Meksit, “kjo mund të bëhet ende, por ka një problem vetëm me altarin, që është pak i ruajtur, ndërsa në dysheme ka gjurmë të kohës kur u kthye në faltore islamike, të cilat duhen konservuar dhe ruajtur në gjendjen e tyre. Detyra e brezit tonë nuk është të bëjë monumente të reja, ato i bëjnë arkitektët e rinj, jo ne. Nuk duhen restauruar dhe të kthehen në të ashtuquajturin emër farsë – kthim në identitet”,- shprehet profesori.
Sa i takon debatit të sotëm, profesor Meksi tha se: “Mendoj se kjo çështje duhet të gjykohet me të qetë dhe duhet të vendoset kthimi i saj në një objekt të dobishëm për kalanë e Shkodrës, për qytetin e Shkodrës së paku për të ekspozuar në fillim ato gjetje”.
PROPOZIMI
I pyetur nëse propozimi i tij është që monument të restaurohet dhe të kthehet në muze, siç ka qenë projekti i tij i hershëm, Meksi thotë: “Po. Siç ka qenë projekti në atë kohë kur projektet i bënin specialistët dhe jo administrata e lartë shtetërore, dhe restauronin shqiptarët dhe jo të huajt. Po qe se sot mendohet se administrata e lartë shtetërore duhet të thotë se si duhet bërë restaurimi, dhe të vijnë të huajt të marrin fonde kur Shqipëria ka restauratorë që dikur vlerësoheshin nga struktura ndërkombëtare, më mirë e lëmë për një kohë tjetër”.
Në fund, Meksi e mbyll me këto fjalë: “Dua të them se, nëse feja, besimi në Perëndi përdoret për sherr, nuk mendoj se ata që e bëjnë besojnë në Zot “.

Related Posts :