Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Mësimi Trump për ambasadorët politikë dhe Shqipëria” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Mësimi Trump për ambasadorët politikë dhe Shqipëria” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Mësimi Trump për ambasadorët politikë dhe Shqipëria

Posted: 09 Jan 2017 08:00 AM PST

Nga SHABAN MURATI

Prirja për të klasifikuar si kontrovers çdo hap të presidentit të ri amerikan, Donald Trump, e kategorizoi si të tillë edhe udhëzimin e dhënë në emër të tij dhe të shpërndarë në dhjetor nga departamenti i shtetit, që ambasadorët politikë duhet të japin dorëheqjen dhe të lenë postet deri në datën 20 janar 2017 të inaugurimit presidencial. Në të vërtetë presidenti i ri thjesht zbatoi një rregull dhe një praktikë të njohur në shërbimin diplomatik amerikan, që sa herë që ndërrohet presidenti, ambasadorët politikë duhet të paraqesin dorëheqjen. Gazeta amerikane "Nju Jork Tajms" shkruante në 5 janar lidhur me këtë temë, se "ambasadorët politikë, shumë prej të cilëve janë donatorë që janë emëruar nga merita e lidhjeve të ngushta me presidentin, gjithmonë lenë postet në fund të mandatit të presidentit, ndërsa ambasadorët, që janë diplomatë karriere, zakonisht mbeten në postet e tyre". Radio e mirënjohur "Zëri i Amerikës" citonte në datën 6 janar zëdhënësin e departamentit amerikan të shtetit, Xhon Kirbi, që deklaronte se "është praktikë e zakonshme dhe tipike për ambasadorët e caktuar politikisht të japin dorëheqjen nga postet e tyre, kur ndërrohen qeveritë".

Dy gjëra të qarta janë: se është ndjekur një praktikë normale dhe jo e re, e kërkesës për dorëheqje për ambasadorët politikë, dhe se nuk i është kërkuar ambasadorëve të karrierës të lënë postet e tyre. I vetmi element, që ka ngjallur debat në qarqet diplomatike amerikane, është fakti që udhëzimi nuk i ka lënë hapësirë shtyrjes së qëndrimit në poste për ambasadorët politikë, derisa të rregullojnë disa probleme familjare në shtetin, ku janë akredituar.

Veprimi i presidentit të ri amerikan për t'u kërkuar ambasadorëve politikë të japin dorëheqjen dhe të lënë postet e tyre deri ditën e inaugurimit të kreut të ri të ekzekutivit, është konform ligjit të shërbimit të jashtëm dhe praktikës diplomatike amerikane, dhe në të mirë të funksionimit të vetë shërbimit diplomatik. Ambasadorët politikë janë emërime të presidentit, jashtë shërbimit profesional diplomatik të karrierës, emërime të nxitura nga kontributet financiare për fushatën elektorale të presidentit dhe disa herë për lidhje dhe miqësi me presidentin. Është e kuptueshme se ata janë ambasadorë partizanë apo ambasadorë të patronazhit, siç quhen në Amerikë, dhe kujdesi i tyre kryesor në postet diplomatike është i dominuar nga interesi politik i presidentit përkatës. Është e logjikshme që ambasadorë të tillë të lënë postet e larta diplomatike kur ndërrohen presidentët dhe qeveritë, sepse emërimi i tyre i mëparshëm politik i bën të papërshtatshëm për presidentin e ri, për të mos thënë të dëmshëm. Nga ana tjetër, natyrshëm presidenti i ri kërkon ta shfrytëzojë për veten e vet kuotën e ambasadorëve politikë, që i takon, dhe jo ta tejkalojë apo dyfishojë atë kuotë.

Kjo që ndodhi në SHBA, jep një shembull të madh për mënyrën e organizimit dhe të drejtimit të shërbimit diplomatik në vendet demokratike, dhe sidomos në vendet ish komuniste, që sapo kanë hyrë në rrugën e ndërtimit dhe të konsolidimit të institucioneve të shtetit.

Në këtë drejtim veprimi i presidentit të ri amerikan është një mësim tepër i vlefshëm dhe aktual për Shqipërinë, për rrugën që duhet ndjekur në ndërtimin dhe konsolidimin e një shërbimi diplomatik efektiv. Mund të them nga përvoja ime e gjatë në shërbimin diplomatik se emërimet masive politike janë një nga sëmundjet dhe defektet kryesore, të cilat nuk e kanë lënë gjatë 25 vjetëve shërbimin diplomatik të ngrihet si një sistem profesional shtetëror dhe si një institucion të denjë për detyrat e kohës dhe të marrëdhënieve të komplikuara rajonale dhe ndërkombëtare. Është një mëkat në të cilin kanë hyrë me ndërgjegje të gjitha qeveritë shqiptare të periudhës postkomuniste. E përkufizojmë të tillë, sepse është keqpërdorur e ashtuquajtura kuotë e emërimeve politike deri në masën që është shkaktuar një erozion në shërbimin profesional diplomatik. Në librin tim "Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit", duke analizuar fenomenin e inondimit nga ambasadorët politikë, kam shkruar: "Prishja e raporteve mes numrit të ambasadorëve dhe diplomatëve të karrierës dhe numrit të ambasadorëve dhe diplomatëve politikë përbën një nga fenomenet më negative të institucionit të shërbimit diplomatik. Pakësimi i profesionistëve është dobësim dhe nxjerrje jashtë funksionit e sistemit dhe e institucionit të diplomacisë dhe cenim i interesave shtetërore".(Tiranë, 2013,fq. 117)

Shumë vende praktikojnë emërime të ambasadorëve politikë nga presidentët apo qeveritë e tyre, për arsye të ndryshme, për të kompensuar kontribute politike dhe financiare apo për të mbajtur, apo krijuar lidhje të ngushta me grupe të fuqishme të brendshme. Por në shtete demokratike si SHBA ka rregulla dhe ligje strikte. Së pari, është një kuotë e caktuar, e cila që nga periudha e Luftës së Dytë Botërore nuk ka kaluar kurrë 30 përqindëshin e numrit të përgjithshëm të ambasadorëve. Së dyti, ambasadorët e emëruar politikisht nuk rrinë gjithë jetën ambasadorë, por me të mbaruar mandatin e tyre të parë kthehen nga kanë ardhur, në bizneset dhe preokupimet e tyre personale. Mesatarja e mandatit të ambasadorëve politikë në SHBA ka qenë 2,5 vjet, kurse në Shqipëri rregullisht 8, 9 dhe 10 vjet.

E keqja, që ka ndodhur në shërbimin diplomatik shqiptar është se e ashtuquajtura kuotë e emërimeve politike është shqyer që në fillim, duke e çuar secila parti e re në pushtet në 40 për qind, dhe kur ka përsëritur mandatin, e ka çuar në 60 për qind, dhe kur ka ardhur partia tjetër e ka shtuar edhe ajo 40 për qind më shumë, për të ardhur në aktin e papranueshëm, të miratuar nga parlamenti aktual, që në ligjin e ri për shërbimin e jashtëm është hequr fare çdo kufizim për emërimet politike.

Emërimet e ambasadorëve politikë në Shqipëri kanë sjellë disa fenomene negative. Së pari, janë bërë emërime pa kriter dhe pa profile të larta intelektuale, kulturore apo akademike. Të ashtuquajturat udhëzime, VKM apo nene, që qeveritë shpiknin për lumin e emërimeve politike, me pretekstin e prurjes së figurave të shquara të kulturës apo shkencës shqiptare, ngelën në sirtarë si autosugjestion i ministrave të Jashtëm dhe i kryeministrave për përligjjen e emërimeve në diplomaci të funksionarëve të lartë të partive, të militantëve fanatikë, të fisit apo të njerëzve të klanit të kryeministrave, të fshatit apo të krahinës së kryeministrave, apo të përkatësive të tjera, të cilat për respekt të lexuesit nuk po i përmend. Se sa pa kriter intelektual, profesional dhe moral, janë bërë disa emërime ambasadorësh politikë, e tregon fakti që në vitin 1997 ata ambasadorë politikë kërkuan strehim politik në vendet perëndimore, ku ishin akredituar, dhe nuk ndodhi kjo gjë me asnjë ambasador të karrierës. Dhe ata ambasadorë politikë, me të marrë azilin politik dhe shtetësinë e atij shteti, u bënë menjëherë me qeverinë e re, me akuzat ndaj të cilës kishin mbështetur kërkesën për azil.

Së dyti, u krijua fenomeni negativ i staxhionimit të ambasadorëve politikë me tetë vjet në të njëjtin post, kur partia, që e kishte dërguar, fitonte një mandat të dytë. Dhe meqë në Shqipëri, si rregull i dakorduar, dy partitë kryesore politike që nga 1992 qëndrojnë nga dy mandate në pushtet, dominimi i kastës së ambasadorëve politikë është legalizuar bashkërisht. Së treti, u krijua praktika e dëmshme politike e futjes së ambasadorëve politikë, pas kthimit nga postet diplomatike, direkt në poste drejtuese në Ministrinë e Jashtme, për të drejtuar departamente dhe sektorë, që ata as i njihnin dhe as mund t'i drejtonin.

Politizimi i sistemit të shërbimit të jashtëm zgjeroi dhe thelloi procesin e erozionit të shërbimit dhe të nivelit profesional të diplomacisë. Ai hoqi detyrimin për formimin dhe ngritjen profesionale të punonjësve të shërbimit diplomatik, sepse solli modelin e preferencës së militantit të partisë mbi aftësinë dhe përgatitjen profesionale. Ai hoqi shkallët normale dhe të detyrueshme në të gjitha llojet e shërbimeve shtetërore për ngritjen në karrierë, sepse u pengoi dhe u mohoi diplomatëve të vjetër dhe të rij të karrierës të drejtën për postet e ambasadorëve, të cilat iu dhanë emërimeve politike. Është njësoj sikur në forcat e armatosura t'u heqësh ushtarakëve të drejtën të bëhen gjeneralë, sepse gjeneralët do t'i emërojë partia nga jashtë sistemit të mbrojtjes. Ndodhi absurditeti i madh, që diplomacia nuk u pa më si profesion, por si institucion i rregullimit të kushërinjve dhe të militantëve, të cilët natyrisht u sollën si militantë të fanatizuar edhe në postet e tyre të larta diplomatike, sepse e panë që kjo ishte mënyra e ndenjes së gjatë në shërbimin diplomatik.

Të gjithë ministrat e Jashtëm të periudhës postkomuniste kanë ardhur në MPJ nga politika dhe kanë vënë në plan të parë interesat e perspektivës së tyre politike. Kjo ka bërë që të dominojë vizioni politik mbi vizionin shtetëror. Diplomacia është ndër institucionet themelore të shtetit dhe ngritja dhe konsolidimi i saj mbi baza profesionale është garanci e mbrojtjes së sigurt të interesave jetike të shtetit dhe të kombit.

Kjo situatë kërkon korrigjimin sa më parë të kësaj plage dëmprurëse të politizimit të emërimeve në diplomaci dhe të gjithë sistemit. Kërkon një korrigjim urgjent me një amendament të ligjit për shërbimin e jashtëm nga parlamenti i Shqipërisë,

Korrigjim, i cili duhet të përmbajë thjesht dhe vetëm pak kërkesa rigoroze: 1-që të ketë një kuotë fikse të caktuar dhe të ulët për emërimet politike. Akademia prestigjioze Amerikane e Diplomacisë u ka sugjeruar presidentëve amerikanë që kuota e ambasadorëve politikë të jetë 10 për qind. 2- që ambasadorët politikë dhe diplomatët politike të japin dorëheqjen dhe të lënë postet diplomatike në rastet e ndërrimit të qeverive. 3- që ambasadorët politikë dhe diplomatët politikë të kthehen në detyrat dhe profesionet nga kanë ardhur, pas përmbylljes së mandatit politiko-diplomatik.

Presidenti i ri amerikan, Donald Trump, ndoqi rregullin dhe një praktikë të njohur të diplomacisë amerikane. Por ai dha një mësim të madh se si duhet ta ndërtojnë dhe ta bëjnë funksionale diplomacinë dhe shtetin vendet si Shqipëria, që aspirojnë dhe deklarojnë se janë për rendin demokratik dhe për shtetin funksional.

Shqiptarët protestojnë para ambasadës franceze në Londër

Posted: 09 Jan 2017 08:00 AM PST

Dhjetëra bashkatdhetarë në Londër kanë protestuar para ambasadës së Francës në këtë qytet kundër ndalimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Ata kanë protestuar duke thirrur emrin e ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit dhe me thirrjet “UÇK, UÇK”. Haradinaj u ndalua në Francë të mërkurën me një urdhër-arrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Protestë ka pasur edhe dje në Francë. Protesta u zhvillua para Gjykatës së Apelit në Colmar, ndërsa morën pjesë qindra shqiptarë që jetojnë dhe banojnë në Francë, por edhe të tjerë të ardhur. “Gllogjan në Colmar, Kosova e bashkume”, “UÇK, UÇK” – ishin disa prej pankartave të vendosura përballë Ministrisë së Drejtësisë në Francë. Ndërkohë, gjykata franceze ka vendosur masën e paraburgimit ndaj Haradinajt, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 me pretendimin për krime lufte, ndërsa Beogradi pritet të bëjë kërkesën për ekstradim.

Moti, vdes një i moshuar e dy në aksidente

Posted: 09 Jan 2017 08:00 AM PST

Arbër Sulo, Fatmir Popja

Një 53-vjeçar endacak ka ndërruar jetë në Spitalin e Sarandës paraditen e së dielës, ndërsa një tjetër ka gjetur vdekjen pas një aksidenti të ndodhur në Elbasan ku dy makina u përplasën si pasojë e ngricave në rrugë.
Leonard Beqiri, është gjetur nga policia në një banesë të braktisur në lagjen nr.2 dhe në gjendje të rëndë është transportuar drejt spitalit "Petro Nako" të Sarandës. Rreth orës 11:45 të së dielës, 53-vjeçari Beqiri ka ndërruar jetë. Sipas policisë, prej fillimit të vitit ai është sjellë herë pas here në spital për shkak të çrregullimeve shëndetësore të ardhura si pasojë e të ftohtit dhe mosushqyerjes, ndërkohë që të dielën nuk ka mundur të mbijetojë. Beqiri njihej si endacak në qytetin e Sarandës, ndërkohë që për shumë kohë strehohej në një automjet të braktisur pranë Komisariatit të Policisë Sarandë, ndërkohë që nuk dihet se kujt i përkiste banesa në të cilën Beqiri jetonte kohët e fundit.
Ndërsa, ngjarja në qytetin e Elbasanit u shënua rreth orës 18:45, ku dy makina u përplasën si pasojë e ngricave në rrugë. Aksidenti ndodhi në Unazën e qytetit, ku për pasojë një person ka gjetur vdekjen.
Nga përplasja e mjetit tip "Ford" me targa AA 824 BK, drejtuar nga shtetasi Dritan Kalemi, 32 vjeç, banues në Elbasan, me mjetin tip "BMW", me targa AA 003 PF, drejtuar nga shtetasi K.A., 28 vjeç, banues në Elbasan, humbi jetën i riu Dritan Kalemi. Mësohet gjithashtu se i plagosur ka mbetur drejtuesi i mjetit "BMW", i cili momentalisht ndodhet i shtruar në spitalin e Elbasanit në gjendje të rëndë.
Për të shmangur viktima të tjera nga moti dhe për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve, helikopterë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në disa misione shpëtimi, megjithatë ka pasur edhe raste kur qytetarët kanë refuzuar ndihmën. Ngjarja ndodhi në Arrëz të Kukësit, ku një helikopter udhëtoi për të ndihmuar një grua shtatzënë, por ajo dhe i shoqi nuk pranuan që gruaja të shkonte me ta. Sipas forcave të ushtrisë, ata qëndruan rreth 30 minuta në diskutime, por pa arritur ta bindnin çiftin. Ndërsa një grua tjetër shtatzënë u shpëtua dhe u transportua menjëherë në maternitetin e Tiranës. Ajo ishte nga fshati Konaj i Fanit dhe kishte probleme shëndetësore. Ndërkaq, 3 vetë janë shpëtuar në fshatin Iballë të Pukës, të cilët ndodheshin të izoluar në një minierë. Mes tyre ishte edhe administratori i kompanisë, i cili shfaqi probleme shëndetësore. Më herët, Forcat e Armatosura ndërhynë nga ajri edhe në dy raste të tjera, duke shpëtuar jetën e një personi në Koman dhe një personi tjetër në Tepelenë. Forcat e Armatosura gjithashtu janë të angazhuara në terren me mjete dhe njerëz.

30 kg marijuanë në kufirin greko-shqiptar dhe Muriqan, ja ku e kishin fshehur drogën

Posted: 09 Jan 2017 08:00 AM PST

Linja Shqipëri-Greqi dhe Muriqani janë tashmë rrugë të zakonshme të trafikantëve të drogës, konstatim që verifikohet nga statistikat e policisë. Vetëm gjatë ditës së djeshme 5 vetë kanë rënë në pranga, pasi u kapën në flagrancë teksa transportonin 30 kg marijuanë. Policia greke ka arritur të sekuestrojë rreth 10 kg marijuanë në kufirin greko-shqiptar. Sipas burimeve, droga u kap në Argos Orestiko të Kosturit. Policia ka treguar se lënda narkotike u gjet në një mjet që ishte ngarkuar në kufirin e gjelbër, në të cilin gjatë kontrollit të ushtruar u gjetën në dy goma rezervë, 9 pako me 10 kg e 420 gramë marijuanë. Brenda në mjet u gjetën edhe 5.4 gramë marijuanë, të cilën supozohet se dy transportuesit e kishin për përdorim personal. Pas kontrollit, autoritetet greke vunë në pranga shoferin e automjetit dhe një tjetër person që e shoqëronte në makinë. Bëhet fjalë për dy shtetas grekë, respektivisht 48 vjeç dhe 41 vjeç. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gjithashtu edhe 3 celularë me 4 karta SIM, 200 euro si dhe makina me të cilën po udhëtonin. Hetimet janë duke vazhduar, për të zbuluar më shumë rreth destinacionit të lëndës narkotike dhe bashkëpunëtorëve të mundshëm të dy shtetasve grekë. Ende nuk dihet nëse bëhet fjalë edhe për ndonjë shqiptar, por ajo që aktualisht dihet me siguri është fakti se lënda narkotike ka ardhur nga Shqipëria. Ndërkaq, në Muriqan tre persona janë vënë në pranga pasi iu gjetën 20 kilogramë kanabis. Ekrem Burovci, 34 vjeç, Dugagjin Lyta, 48 vjeç dhe Edmond Mulgeci, 57 vjeç, mbanin sasinë e lëndës narkotike në automjetin e tyre autobus të linjës Kosovë-Gjermani me targë 07 183 CE. Policia njofton se gjatë kontrollit iu është kërkuar udhëtarëve të zbresin në tokë gjithsecili me çantën e tij, ndërsa u evidentuan nga policia çantat pa pronar, brenda të cilave u gjet dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale 20 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë.

Bushati: Zgjedhja e presidentit, konsensus brenda mazhorancës

Posted: 09 Jan 2017 08:00 AM PST

Deputeti socialist Ervin Bushati deklaroi dje, gjatë një interviste në "TCH", se zgjedhja e presidentit duhet bërë me një konsensus të gjerë. "Unë gjykoj që në një shoqëri qytetare, patjetër që konsensusi duhet të shtrihet sa vota me shifra e një mazhorance, sepse nesër të gjithë bashkë do të shkojmë para qytetarëve, do shkojmë të marrim votën. Sa më e saktë të jetë zgjidhja, patjetër që edhe emri duhet të jetë sa më i pastër, sa më i shëndetshëm, aq më i mirë do të ishte edhe për palët politike", – tha Bushati. Në lidhje me reformën në drejtësi, ai u shpreh se politika e ka hedhur e para hapin e saj, ndërkohë që kanë filluar efektet e para të ndryshimeve në drejtësi. "Politika e ka bërë hapin e parë. Sistemi i drejtësisë është garant që nesër të mos tentojnë të hyjnë elementë të caktuar, që gjithashtu të jenë më të matur në mënyrën si operojnë e si merren vesh. Kjo ka filluar. Politika e ka filluar vetingun", – tha Bushati.

Edhe Çezena futet në valle për Rey Manajn

Posted: 09 Jan 2017 08:00 AM PST

Shtohet numri i skuadrave që kërkojnë të kenë shërbimet e sulmuesit të Kombëtares Shqiptare, Rey Manaj. Pas Las Palmasit në La Liga, Empolit e Peruxhas, së fundmi në garë për të firmosur me 19-vjeçarin ka hyrë edhe Çezena. Lajmi raportohet nga “Gazzetta Dello Sport”. Manaj aktualisht është pjesë e Peskarës, skuadër tek e cila u aktivizua në gjysmën e parë të sezonit në formë huazimi, por sipas të gjitha gjasave kuqeziu do të largohet nga stadiumi “Adriatico” në këtë dritare merkatoje. Manaj do të rikthehet fillimisht te Interi, që është edhe klubi që zotëron kartonin e tij, për t’u huazuar më pas në një tjetër skuadër. Seria B nuk do ishte një opsion i keq për lojtarin, pasi në këtë kampionat, 19-vjeçari do të ketë mundësi të aktivizohet rregullisht dhe të fitojë më shumë eksperiencë. Çezena e ka kërkuar edhe një vit më parë Manajn, pikërisht në merkaton e janarit, por në atë periudhë bomberi shqiptar vendosi të qëndronte tek Interi. Tashmë skuadra romanjole interesohet sërish për futbollistin e Kombëtares kuqezi dhe mundësitë që Manaj të transferohet në stadiumin “Dino Manuzzi” ekzistojnë, edhe pse Las Palmas vazhdon të qëndrojë në “pole-position” për të marrë shërbimet e tij. Me Peskarën, Manaj është aktivizuar në total në 12 ndeshje të Serisë A, duke realizuar dhe 2 gola.

Provimi i shtetit, emrat e 544 infermierëve që hyjnë në testim

Posted: 09 Jan 2017 08:00 AM PST

Ermelinda Hoxhaj

Sot do të rinisë provimi i shtetit për grupet e fundit të infermierëve. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar listën e plotë me 544 emrat e infermierëve që do të hyjnë në provimin e shtetit. Bashkëngjitur emrit kandidatët kanë edhe datën dhe orën e testimit, duke filluar nga data 9 deri më 12 janar 2017. Në total për këtë sezon të provimit të shtetit, përfshi edhe ata që u testuan në muajin dhjetor, do të hyjnë 1.256 infermierë.
DOKUMENTET
& TARIFA
Në ditën e provimit, në rast të ndryshimit të mbiemrit, kandidati duhet të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim si dhe mjetin e identifikimit dhe mandatpagesën e tarifës së regjistrimit për provim shteti. Kalimi me sukses i këtij provimi u jep të drejtë aplikantëve që të marrin licencën e ushtrimit të profesionit të mjekësisë, në të kundërt nuk mund të punësohen në sektorin publik. Tarifa së cilës i nënshtrohen kandidatët që hyjnë në provimin e shtetit, vjen në rritje në mënyrë progresive në varësi të herëve që kandidati i është nënshtruar provimit të shtetit. Nga 10 mijë lekë që paguan kandidati që i nënshtrohet provimit për herë të parë, ata që do të testohen për herë të dytë e kanë 12.500 lekë, testimi për herë të tretë e ka tarifën 15 mijë lekë, për herë të katërt 17.500 lekë, ndërsa më të lartë e kanë ata që testohen për herë të pestë, pasi duhet të paguajnë 20 mijë lekë. Faturën e pagesës kandidatët mund ta gjejnë në faqen zyrtare të AKP-së; nëpërmjet saj ata duhet të bëjnë pagesën në një bankë të nivelit të dytë ose në postë.

Stevan Jovetiç i jep lamtumirën Interit

Posted: 09 Jan 2017 08:00 AM PST

Stevan Jovetiç ka talent, por prej vitesh nuk luan rregullisht dhe tashmë edhe me Interin i ka dhënë fund. Pritet vetëm zyrtarizimi i shitjes së tij, sepse duket se është shumë pranë marrëveshja me Seviljen. Ndërkaq, vetë fantazisti malazez, duke folur për mediat serbe, nuk e fsheh zhgënjimin: “Nuk jam i kënaqur. Kam punuar mirë, isha gati të luaja, por nuk e pata kurrë mundësinë. Nuk është problemi tek unë, sepse paraqitesha mirë, mjafton të shihni ndeshjet me Malin e Zi. Puna ime është të stërvitem në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të jem gati të luaj në çdo moment. Nëse nuk luaj dhe pse nuk luaj, duhet të pyesni dikë tjetër, jo mua”.

Qazim Laçi rikthehet në Greqi, firmos për Levadiakosin

Posted: 09 Jan 2017 08:00 AM PST

Qazim Laçi rikthehet në kampionatin helen, pasi është bashkuar me Levadiakos pas një aventure të shkurtër me APOEL Nikosia në kampionatin qipriot. Lajmi është bërë publik në faqen zyrtare në internet të klubit helen, ku Laçi ka pozuar i veshur me fanellën e skuadrës. Mesfushori i cili më datë 19 janar do të mbushë 21 vjeç, bën një rikthim në kampionatin grek, pasi më parë ka qenë pjesë e Olimpiakos, me të cilën ka luajtur edhe në Champions League-n e të rinjve. Tek APOEL Qazim Laçi nuk luajti asnjë ndeshje, duke qëndruar në stol në 9 takime të kampionatit, një situatë që detyroi mesfushorin të rikthehet në superligën greke. Një pikë fikse në formacionin e 21-vjeçarëve të Shqipërisë, Laçi kishte humbur statusin e titullarit me skuadrën e tij, madje lëvizja në fillim të sezonit erdhi me synimin për të pasur më shumë minuta në dispozicion. Por edhe tek APOEL nuk pati hapësira për mesfushorin, që tashmë kërkon të rikuperojë kohën e humbur te Levadiakos në kampionatin grek. Aktualisht skuadra e re e mesfushorit të kuqezinjve të vegjël gjendet në vendin e 14-të të kampionatit, 4 pikë larg vendit të parafundit, që të çon një kategori më poshtë. Futbollisti është vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit serb Ratko Dostaniç.

Sigmar Gabriel: Shpërbërja e BE-së nuk është më utopi

Posted: 09 Jan 2017 08:00 AM PST

Gerilina Kodheli

Shpërbërja e Bashkimit Europian duket se është tashmë një bindje edhe në Gjermani. Ndërsa Angela Merkel “lufton” me të gjitha forcat dhe pushtetin që ka për të menaxhuar situatën e refugjatëve dhe krizën europiane, zëvendësi i saj është “dorëzuar”. Zv.kancelari gjerman, Sigmar Gabriel, në një deklaratë për revistën gjermane “Der Spiegel”, tregon se shpërbërja e BE-së është e mundur. “Këmbëngulja e Gjermanisë për masa shtrënguese në Eurozonë e ka përçarë Europën më shumë se kurrë më parë, saqë një shpërbërje e Bashkimit Europian nuk është më e papërfytyrueshme”, – ka thënë zv.kancelari Sigmar Gabriel. Socialdemokrati Gabriel, ndonëse partia e tij është partnere e konservatorëve të kancelares Angela Merkel në koalicionin qeverisës, thotë se përpjekjet e zellshme të vendeve si Franca dhe Italia për të reduktuar deficitet e tyre buxhetore janë shoqëruar me rreziqe politike. “Dikur pyeta kancelaren se çfarë do t’i kushtonte më shumë Gjermanisë: të lejonte Francën të kishte një deficit 0.5 për qind më të madh, apo Marine Le Pen të bëhej presidente e vendit fqinj”, – tha ai, duke iu referuar udhëheqëses së Frontit Nacional të ekstremit të djathtë në Francë. “Deri më sot ajo nuk më ka kthyer një përgjigje”, – ka shtuar më tej Gabriel, partia e të cilit kërkon më shumë fokus tek investimet, ndërkohë që konservatorët e Merkelit e vënë më shumë theksin në disiplinën fiskale si themel të prosperitetit ekonomik. “SPD”-ja pritet të zgjedhë Gabrielin, kreun prej një kohe të gjatë të partisë, i cili tashmë shërben edhe si ministër i Ekonomisë, të garojë përballë Merkelit për postin e kancelarit në zgjedhjet federale të muajit shtator. Lajmi është konfirmuar nga burime të larta partiake gjatë së enjtes. I pyetur më tej nëse, vërtet mendon se mund të fitojë më shumë vota, duke transferuar më shumë para nga Gjermania drejt vendeve të tjera të BE-së, Gabriel tha: “E di që ky diskutim është aspak popullor. Megjithatë, unë jam në dijeni të gjendjes së BE-së dhe mund të them se, nuk është më e paimagjinueshme shpërbërja e saj”. Ai vazhdoi më tej duke sqaruar se: “Nëse kjo do të ndodhte, fëmijët dhe nipërit tanë do të na mallkonin. Kjo sepse Gjermania është përfituesi më i madh i komunitetit europian, ekonomikisht dhe politikisht”. Por Gabriel nuk është i vetmi që e ka vënë re se për Bashkimin Europian duhet të merren masa “të dëshpëruara” që të mbijetojë. Vetëm pak kohë më parë, në një takim me Holande, Merkel ka thënë se nevojitet një strategji e re veprimi. Kancelaria gjermane, Angela Merkel është shprehur se nuk mund të pretendohet se do të jepet zgjidhja e problemeve vetëm me një takim. Merkel u shpreh se siguria, lufta kundër terrorizmit, menaxhimi i fluksit të emigrantëve janë problemet më të rëndësishme që kërkojnë zgjidhjen më të shpejtë dhe bashkëpunim të madh mes vendeve. Nga ana e tij, Holande e ka quajtur situatën e BE-së kritike.

Related Posts :