Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Ministria e Transporteve: Ja cilat janë akset problematike për të qarkulluar” plus 9 more Gazeta SHQIP

loading...

“Ministria e Transporteve: Ja cilat janë akset problematike për të qarkulluar” plus 9 more Gazeta SHQIP


Ministria e Transporteve: Ja cilat janë akset problematike për të qarkulluar

Posted: 11 Jan 2017 02:06 AM PST

Ministria e Transporteve dhe Infrastrukturës ka dhënë informacione lidhur me gjendjen e rrugëve në vend si pasojë e motit të keq dhe reshjeve të borës që janë rikthyer gjatë natës në një pjesë të mirë të vendit.

Sipas MTI, në rajonin verior Shkodër nuk ka ndryshim në gjendjen e akseve të këtij Rajoni. Kontraktorët janë duke punuar për pastrimin e akseve dhe hedhjen e kripës. Në kthesat e ekspozuara ka grumbullime të sasisë borës, për shkak të erërave të forta.

Në Rajonin Qendror Tiranë: Gjendja e kalueshmërisë në akset e këtij rajoni është normale, me përjashtim të segmentit Lunik – Steblevë, ku qarkullohet me zinxhirë.

Nga komunikimi me specialistin e Drejtorisë së Rajonit Jugor Gjirokastër, mësohet se pas punës së kryer nga kontraktori për pastrimin e aksit dhe për hedhjen e kripës, tani qarkullimi në aksin Vlorë – Palasë kryhet pa zinxhirë.

Vazhdon puna për pastrimin e akseve Tepelenë – Gjirokastër dhe Gjirokastër – Kakavijë, të cilat vazhdojnë të qarkullohen me zinxhirë. Po ashtu vazhdon puna edhe në Përmet – Çarshovë – 3 Urat, ku trashësia e borës ka arritur 35 cm.

Në Qafë Muzinë po punohet për pastrimin e aksit. Momentalisht kalohet akoma me zinxhirë.

Të gjithë kontraktorët që mbulojnë me kontrata mirëmbajtje akset rrugore, janë në gatishmëri nuk ka probleme ne qarkullimin.

Rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në akset ku ka prezencë bore ose ngricash, si dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.

11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Sekuestrohen 3 kg heroinë në tragetin Durrës-Bari, arrestohen 2 persona

Posted: 11 Jan 2017 01:49 AM PST

Policia e Durrësit ka sekuestruar një sasi prej 3 kg lëndë narkotike të llojit heroinë në portin e Durrësit.

Lënda narkotike që mendohet se do të trafikohej drejt Italisë është gjetur dhe sekuestruar në tragetin e linjës Durrës-Bari.

Në pranga kanë përfunduar Laureta Lama dhe Bashkim Hasani dhe është shpallur në kërkim E.Ç, 29 vjeç.

11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

I ftohti polar ngrin Ujëvarën e Mirushës në Kosovë

Posted: 11 Jan 2017 01:33 AM PST

Temperaturat e ulëta që kanë kapluar vendin këto ditë, kanë bërë që të ngrihen Liqeni i Badovcit dhe Drini i Bardhë.

Po ashtu, ka ngrirë një nga atraksionet më të veçanta turistike të Kosovës, Ujëvara e Mirushës, transmeton Telegrafi.

Kjo e fundit ka tërhequr vëmendjen e mediave të huaja. AFP ka publikuar foton e Armend Nimanit, ndërkaq pamje ka transmetuar edhe CTV News.

11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Kosovë, protestë paralele në disa qytete, kërkohet lirimi i Haradinajt

Posted: 11 Jan 2017 01:28 AM PST

Në Kosovë ditën e sotme do të mbahet protestë gjithë popullore për lirimin e ish kryeministrit dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili është ndalur nga policia franceze javën e shkuar, në bazë të një urdhër arresti të Serbisë të vitit 2004.

Protesta mbahet me moton "Kundër fyerjes dhe padrejtësisë" në qytetet Prizren, Gjilan, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë dhe Ferizaj dhe fillon në ora 11:55.

11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Thaçi-Engel: Franca ta kthejë Haradinajn në Kosovë

Posted: 11 Jan 2017 01:19 AM PST

Në një deklaratë të përbashkët të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe anëtarit të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Eliot Engel, kërkohet lirimi sa më i shpejtë i ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

"Ne besojmë se abuzimi i Serbisë me sistemin, Njoftimi i Kuq, i Interpolit, që ka çuar në arrestimin e Ramush Haradinajt, është i papranueshëm", thuhet në njoftimin e Zyrës së demokratit Engel dërguar mediave, dhe shtohet se, "ne kërkojmë nga Franca që të procedojë në mënyrë efikase me rastin dhe ta kthejë atë në shtëpi në Kosovë, sa më shpejtë".

Më tej, në deklaratën e dërguar mbrëmë vonë, pas një takimi Engel-Thaçi, theksohet se "Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet ta bëjnë përgjegjëse Serbinë për këtë abuzim të Interpolit" dhe se "në Evropë, procesi i pranimit të Serbisë duhet të ndalet derisa ajo të vazhdojë me obligimet e saj për normalizim të raporteve me Kosovën".

"Po ashtu, Shtetet e Bashkuara duhet t'ia bëjnë të ditur Beogradit se raportet do të vuajnë derisa ai të kthehet në rrugën konstruktive", thuhet në fund të deklaratës së përbashkët të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe anëtarit të Dhomës Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara, Eliot Engel.

11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

ÇFARË NA SJELLIN BABADIMRI, TRUMP, PUTIN …

Posted: 11 Jan 2017 01:15 AM PST

Fadil LepajaDhuratat kolektive të babadimrit, për Ballkanin, ende nuk janë hapur. Pra, aty mbretëron po aq mister sa edhe lidhur me "dhuratat" që do i sjell presidenti i ri i SHBA, apo ato që do i sjell Presidenti rus Putin për popujt e Ballkanit. Ka shumë fjalë, premtime, shpresa dhe shqetësime. Ka fjalë, se ndoshta që të tre të famshmit, së bashku, mund të ndajnë dhuratat e tyre, por kjo mbetet për tu parë se a është opsion real apo veç një "koalicion joparimorë", i dëshiruar nga dikush në Ballkan. Babadimri gjithsesi është më i parashikueshëm, edhe pse dhuratat e dy të famshmëve të tjerë edhe mund të shpërndahen me karrocën dhe drerët e tij.

Viti 2016 na la gjithësesi shumë kujtime, të cilat në planin personal për shumëkënd mund të kenë qenë edhe të mira, por në politikë ishin një dëshpërim kolektiv. Edhe gëzimet që i patëm, dhe të cilat politika vrapoi për të i përvetësuar, si suksese të vetat, na i sollën kryesisht sporti, kultura apo kushdo tjetër përpos politikës. Dëshpërimi ishte pra kolektiv,veçanërisht në Kosovën e izoluar, sikur të ishte me kolerë. Korrupsioni dhe krimi  janë rritur aq sa më ne nuk i vërejmë nga afërsia, ndërkohë që për botën janë bërë tepër të dukshme. Prandaj edhe na kanë izoluar.

Dëshpërimi më i madh ishte artikuluar sikur një pikëllim kolektiv për  vizat,  por gjithsesi nuk mund të thuhet se ishte më mirë edhe në fushat e tjera ku e keqja filloi të trashet. Dëshpërimi ishte edhe me arsye të brendshme, natyrisht, sidomos për shkak të pafuqisë qytetare për të ndikuar sadopak që të  ndërrohet cikli i mbyllur  i krijimit artificial të krizave dhe i plaçkitjes  së organizuar të pronës publike dhe të qytetarëve. Ata janë rritur dhe fuqizuar aq tepër sa nuk mund të ndikohej jo vetëm  as  nga ndërkombëtarë.  Edhe ndërkombëtarët, u treguan krejtësisht të pafuqishëm, sado që presioni i tyre ishte jashtëzakonisht i madh mbi kreun institucional dhe atë të partive politike. Loja e përçarjes së deputetëve ishte aq perfekte, dhe ndihma nga jashtë në këtë drejtim ishte aq e sofistikuar,  sa i amortizoi të gjitha këto ndërhyrje.  Ata u fshehën pas përqarjeve, pas opozite, pas kombit…kudo!

U krijuan probleme të paqena dhe u heshtën problemet  e vërteta, të cilat po e fundosin jo vetë demokracinë por edhe shtetin e krijuar me mund dhe sakrifica të mëdha. Asnjëherë deri më sot, askush nuk ka arritur që të i bëjë qytetarët dhe grupet të punojnë kundër vetvetes  dhe të jenë të bindur se po e bëjnë më të mirën. Kulmi i kësaj ishte viti 2016.

Qytetarët, të ndarë suksesshëm në tabore armiqësore, me shoqëri civile të instrumentalizuar, dhe individ të cilët flasin (ja fusin)  kot, sepse nuk i dëgjon kush nga zhurma publike që krijon folk politika.  Rrinë, vegjetojnë dhe janë krejtësisht të rehat me veten edhe me shtetin.

Por të kthehemi te tema jonë, e sotme. Serbët pra, u gëzuan për fitoren e Trump, sidomos klasa politike, ndërkohë që në politikën tonë, për ndonjë arsye të panjohur mbretëroi pak a shumë atmosferë mortore. I famshmi dhe i pamëshirshmi Sheshel, i cili sikurse edhe disa politikan tonë doli i pafajshëm nga gjykata (a)politike e Hagës, madje këndoi edhe këngë "dhjetëshe" për fitoren e Trump, ndërkohë që politika jonë e rritur dhe shkolluar në gjirin e ngrohtë të demokratëve, ku me gjasë i mësoi edhe shumicën "e prirjeve" të cilat i tregoi që nga  çlirimi e këndej, për ndonjë arsye  tash për tash të paqartë, mbeti  gati krejtësisht e heshtur.

Me një fjalë, politika jonë  mbeti pa fjalë, nëse me dashje e  harrojmë atë prognozën dhe deklaratën e famshme dhe gjithsesi të pafat të kryeministrit Rama, lidhur me  zgjedhjet më të rëndësishme globale, kur prognozoi se marrëdhëniet me SHBA mund të rrezikoheshin nëse do të fitonte, ai që tashmë ka fituar ! Ai që tashmë ka fituar" edhe përkundër të gjitha përpjekjeve për të komprometuar fitoren e tij, përmes ndërhyrjes së carit modern rus me emrin Putin, prapëseprapë do të japë betimin me 20 janar dhe me vetëm këtë fakt vlerësohet se do të bëjë ndryshimin i cili shumëkënd në Ballkan e gëzon apo shqetëson me vet shpresën apo frikën se balanci i krijuar këto 20 vitet e fundit do të ndryshojë dhe kastat e krijuara do të rrënohen përpara pakënaqësisë qytetare po aq sa para vrullit të politikës së re amerikane, e rrjedhimisht edhe euro-atlantike në Ballkan.

Pra, kryeministri Rama foli ndërkohë që të tjerët me "urti" heshtën, edhe pse treguan preferenca të qarta për lagjen (politike-ekonomike)  Clinton. Ftesat drejtuar Ramës nga z. Putin më nuk po hasin në vesh të shurdhër, as edhe rreshtimi i z.Thaçi pas presidentit turk z. Erdogan nuk u arsyetua fare, çka nga shumëkush  u kuptua si shenja e parë e rebelimit të kryetarit të Kosovës ndaj politikës amerikane.

Ndoshta edhe arrestimi i Ramushit, në Paris, ishte mesazh, sidomos pasi ai me sukses kishte arritur "të blejë" ftesën për inaugurimin e Presidentit Trump, çka me gjasë presidenti dhe të tjerët ende nuk kanë arritur ë e bëjnë. Ndoshta për shkak të "çmimit" të lartë?

Sido që të jetë, tash pritet vetëm të hapet thesi i babadimrit, dhe të shihet se çfarë na ka sjellë për këtë vit, si popull, si qytetarë,  dhe si ushtarë të rreshtuar prapa klaneve, partive, grupeve të interesit, apo kujtdo që nuk është vetëm në këtë acar siberian që e ka kapluar rajonin. Në këtë ftohtë, vetëm ëndërrimtarët dhe idealistët mund të durojnë pa u futur në rresht.

Hapja e "dhuratave" të para ndoshta pak a shumë e sqarojnë se prej nga ky  aktivizim i Serbisë zyrtare rreth Kosovës, përse ky rikthim i deklaratave luftënxitëse dhe përse kjo situatë ku kryeministri serb direkt ndërhyn, fton në "raport" deputet dhe ministra të republikës së Kosovës, kur ai paralajmëron të festojë në Kosovë bashkë me "qytetarët e tij", ndërkohë që kryetari serb anulon vizitën në Kosovë për të njëjtën festë.

Ndërkohë edhe kryeministri Rama të njëjtën gjë e bënë edhe me partitë politike shqiptare në Maqedoni. Kur e rikujtojmë faktin e takimit të famshëm të qeverive shqiptare dhe serbe në samitin e Nishit, disa marrëveshjeve ende të pahapura krejtësisht për publikun, krejt kjo merr një formë të re, sidomos nën dritën e reflektorëve që do të ndezën në Ëashington me rastin e inaugurimit të presidentit të ri të SHBA.

Mbetet të shihet kush do të shkoi, në Uashington, e kush në Moskë sivjet? Kush tjetër  do të arrij "të blejë" ftesën për inaugurimin, me 20 janar, mbetet të shihet? Sigurisht, nuk është vetëm çështje xhepi!

11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Mediat: Rusia ka të dhëna komprometuese për Donald Trump

Posted: 11 Jan 2017 01:01 AM PST

Mediat në Shtetet e Bashkuara kanë raportuar mbrëmë se agjencia FBI, po zhvillon hetime për vlefshmërinë e pretendimeve se operativistët rusë kanë informacione komprometuese personale dhe financiare për presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump.

Këto akuza ishin pjesë dyfaqëshe e bashkangjitur në raportin për ndërhyrjet ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, dhe një shtesë që ishte konsideruar shumë e ndjeshme, për të cilën ishin njoftuar vetëm presidenti amerikan, Barack Obama, Donald Trump dhe tetë liderë të Kongresit, në takimet gjatë javës së kaluar, ka raportuar rrjeti CNN.

Informacione të tilla kanë cituar edhe e përditshmja New York Times, dhe agjencitë Reuters dhe AP, duke u mbështetur në zyrtarët amerikanë, që kanë folur në kushte anonimiteti.

Trump është përgjigjur ndaj raporteve në rrjetin Twitter, duke thënë se ato janë "lajme të rreme, gjueti totale politike shtrigash".

Ekipi i tranzicionit të Donald Trump nuk u ishte përgjigjur menjëherë kërkesave për koment, kanë thënë mediat.

Pritet që sot më vonë gjatë ditës, Trump të paraqitet në konferencën e paralajmëruar për gazetarë në Nju Jork, në të cilën do të zbulohen planet për ndarjen nga biznesi i tij kur të marrë në dorë presidencën më 20 janar.

11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Gjirokastër-Sarandë, natën rikthehet bora, vështirësi kalimi në Qafën e Muzinës

Posted: 11 Jan 2017 12:53 AM PST

Reshjet e botës janë rikthyer gjatë natës së djeshme në qytetin e Sarandës, ku trashësia e borës shkon në 10 cm, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve edhe brenda qytetit.

Ndërkohë, si pasojë e reshjeve të dëborës të rëna gjatë natës, në Qarkun e Gjirokastrës paraqitet kjo situatë :

Në të gjitha akset rrugore lëvizja e automjeteve bëhet vetëm me zinxhirë, pasi trashësia e borës varion nga 15-20 cm.

Problematike janë kryesisht “Qafa e Muzinës” dhe “Uji i ftohtë “, ku në të dy vendet janë angazhuar borëpastruese për të bërë të mundur qarkullimin e automjeteve.

Policia Rrugore është në gatishmëri dhe po monitoron lëvizjen e automjeteve, duke iu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve.

Emergjencat civile u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të shmangin të gjitha lëvizjet e panevojshme, dhe në rast emergjence të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmën e Policisë.

Edhe aksi nacional Përmet-Ersekë është i bllokuar dhe nuk  funksionon dogana e pikës kufitare të 3 urave, ku bora ka bllokuar rrugën. 11 fshatra të njësisë Frashër janë izoluar dhe trashësia e borës arrin në 70 cm.

Situata vijon të paraqitet e vështirë në Peshkopi ku temperatura gjatë natës ka zbritur në -22 gradë ndërsa ditën  e sotme shënon -17 gradë.

11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Obama mban fjalimin e lamtumirës: Demokracia ka nevojë për solidaritet

Posted: 11 Jan 2017 12:44 AM PST

Në fjalimin e lamtumirës, presidenti Barack Obama theksoi besimin e tij se ndryshimi ndodh vetëm kur “njerëzit e zakonshëm angazhohen dhe bashkohen për ta kërkuar atë”. Ai e mbajti fjalimin në Çikago, në qendrën e konventave McCormick Place.

“Ju kërkoj të besoni jo në aftësinë time për të sjellë ndryshim, por në tuajën", tha zoti Obama.

Presidenti në largim u tha mbështetësve në Çikago, qytetin ku ai nisi karrierën politike, se ndryshimi është “zemra e idesë sonë amerikane – e eksperimentit tonë të guximshëm për vetëqeverisjen".

Obama tha se etërit themelues u dhanë amerikanëve lirinë për “t’i përmbushur ëndrrat tona me djersë, punë dhe imagjinatë".

Obama iu rikthye mesazhit të fushatës së tij të parë për president në vitin 2008, parulla e së cilës ishte “Yes, we can – Po, ne mundemi”.

Në një moment, ai u ndërpre nga njerëz që brohorisnin “Edhe katër vjet!”

Obama u përgjigj, duke qeshur: “Këtë nuk mund ta bëj”.

Tani që republikani Donald Trump është zgjedhur president, Obama pranoi se përparimi i vendit ka qenë “jo i njëtrajtshëm”. Ai tha se për “çdo dy hapa përpara, duket sikur kemi bërë një hap prapa”.

Por presidenti tha se vendi përpiqet të “lëvizë përpara; që të zgjerohet në mënyrë të vazhdueshme besimi ynë themelues për përfshirjen e të gjithëve, dhe jo vetëm të disave”.

Obama tha se pas 10 ditësh bota do të jetë dëshmitare e një transferimi paqësor të pushtetit për një president të ri.

Presidenti në largim tha se shpresat se ardhja e tij në pushtet do të shënonte fillimin e një Amerike pa probleme racore “nuk ishin realiste”.

Obama, i cili është 55 vjeç, tha gjatë fjalimit se ai ka jetuar mjaftueshëm për të mësuar se marrëdhëniet racore janë më mirë se sa ishin 30 vjet më parë. Por ai shtoi se e kupton gjithashtu që “nuk jemi aty ku duhej të ishim”.

Ai tha se çështjet ekonomike nuk mund të karakterizohen si luftë mes të bardhëve punëtorë të shtresës së mesme dhe pakicave që nuk meritojnë përfitime.

Në fund të fjalimit, që ishte një lamtumirë por edhe një thirrje për t’u angazhuar, Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara përballen me një provë të ashpër të demokracisë së tyre.

“Demokracia ka nevojë të bazohet mbi njëfarë solidariteti,” tha ai. “Pavarësisht dallimeve tona të jashtme, na bashkon një fat, sepse ne ngrihemi ose rrëzohemi të gjithë bashkë.”

11 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Horoskopi – 11 janar 2017

Posted: 11 Jan 2017 12:20 AM PST

DASHI

Do të jeni plot iniciativa dhe do të gjeni motive në çdo gjë që bëni. Në ambientin profesional, gjeni mënyrën për t`u përqendruar.

 

DEMI
Do të mund të shijoni gjithçka në ambientin profesional, sot. Ndjesitë pozitive do të shoqërohen edhe me vlerësime financiare.

 

BINJAKET

Vëmendja pa kufij e partnerit tuaj, do t`ju bëjë të ndiheni në qendër të universit. Në ambientin ku punoni, përpiquni të mos fluturoni me fantazitë tuaj dhe kushtojuni punës.

GAFORRJA

Sharmi juaj sot do të jetë i nevojshëm për të zgjidhur problemet në aspektin profesional. Në ambientin afektiv, nuk do të mungojnë mundësitë për të shfrytëzuar armët që keni në dorë.

LUANI

Do të keni një njohje të re në ambientin afektiv që do t`ju bëjë të ëndërroni. Evitoni utopitë sepse keni mundësi të mira për t`i fituar zemrën.

VIRGJERESHA

Do të jeni i pandjeshëm ndaj një personi, i cili nuk ju kupton. Në ambientin profesional, angazhimi juaj do të vlerësohet.

PESHORJA

E rëndësishme sot është se do të zbuloni emocione të reja, duke frekuentuar ambiente ndryshe nga ato të zakonshmet. Në punë, parashikohet një periudhë e ngarkuar.

AKREPI

Në këtë ditë do të keni shumë gjëra në favorin tuaj, falë aftësive tuaja. Në ambientin e punës, do t'ju duhet të evitoni problemet që mund t'ju dalin përpara.

SHIGJETARI

Duhet të keni kujdes në lidhje me diskutimet që mund të bëhen brenda familjes suaj. Në ambientin e punës, do t'ju jepet një mundësi e mirë për një udhëtim të rëndësishëm.

BRICJAPI

Një event i rëndësishëm, do t'ju bëjë të jeni nervoz gjatë gjithë ditës, por mos u shqetësoni se gjithçka do të shkojë mirë. Në ambientin e punës do të keni shumë detyra për të bërë sot.

UJORI

Një person do t'ju bëjë sot një dhuratë, që do t'ju pëlqejë shumë. Në ambientin e punës, do të kontribuoni duke ndihmuar një kolegun tuaj të dal nga situatë ku është përfshirë, kjo falë aftësive shumë të mira komunikuese.

PESHQIT

Në këtë fazë, do të jeni pak të ngarkuar pasi nuk do të kuptoni, arsyen përse jeni përfshirë në një problem të vështirë. Në ambientin afektiv, mundohuni të kërkoni diçka të vetja juaj për të kënaqur personat që i keni për zemër.

Related Posts :