Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Moti i keq, ngrica dhe rrugë të bllokuara, në disa zona mungesë të energjisë” plus 9 more Gazeta SHQIP

loading...

“Moti i keq, ngrica dhe rrugë të bllokuara, në disa zona mungesë të energjisë” plus 9 more Gazeta SHQIP


Moti i keq, ngrica dhe rrugë të bllokuara, në disa zona mungesë të energjisë

Posted: 08 Jan 2017 02:40 AM PST

Reshjet e dëborës janë ndërprerë, por temperaturat kanë qenë tepër të ulëta në të gjithë vendin gjë që ka vështirësuar jetesën e banorëve në zonat më të prekura nga moti i ftohtë, dhe sidomos qarkullimin rrugor në zonat rurale.  Ka ende akse rrugore nëpër fshatra të njësive administrative në zona të thella malore, të cilat nuk ka qenë e mundur të hapen plotësisht.

Firmat kontraktore po punojnë me forca dhe mjete në akset rrugore problematike.  Ndërkohë furnizimi me energji elektrike ka qenë gjithashtu me ndërprerje në zonat e thella, sepse për shkak të ngricave, specialistët e OSHEE e kanë të vështirë lëvizjen me mjete. Nga ana tjetër, akset nacionale janë plotësisht të qarkullueshme, dhe vetëm në ndonjë segment ka nevojë për përdorimin e zinxhirëve.  Punonjësit e emergjencave, Policia e Shtetit dhe gjithë strukturat e angazhuara për përballimin e situatës, gjenden në terren për t'iu gjendur pranë qytetarëve e mjeteve në vështirësi.

Parashikimet sinoptike njoftojnë për një përmirësim të temperaturave në ditët e ardhshme, por që gjithsesi do të jenë nën zero ndërsa në zonat e ftohta malore, do të vijojnë temperaturat tepër të ulëta. Nga informacionet e mbledhura në Drejtorinë e Emergjencave Civile, situata në akset rrugore në të gjithë vendin, mëngjesin e sotëm paraqitet:

Qarku Kukës

Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme me zinxhirë. Në Rrugën e Kombit po punohet me mjete borëpastruese për pastrimin e saj nga bora dhe akulli. Akset Kukës- Has-Tropojë dhe Tropojë-Qafë Morinë qarkullimi kryhet me zinxhirë.

Akset rurale të Njësive Administrative: Grykë Çajë, Kalisë, Arrën, Surroj, Topojan Shishtavec, vijojnë të jenë të bllokuara. Akset rurale të Njësisë Administrative Gjinaj, bashkia Has, janë bllokuar nga reshjet e dëborës. Në disa fshatra të Njësive Administrative, Lekbibaj, Gjinaj, dhe Bushtricë ka pasur mungesë të energjisë elektrike. Grupet e punës së OSHEE po punojnë për të sjellë energjinë elektrike në zonat problematike.

 

Qarku Dibër

Aksi rrugor kombëtar, Qafë Bualli-Peshkopi, njësia administrative Maqellarë, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Policia po mban në monitorim këtë aks rrugor ndërsa janë angazhuar 4 mjete borëpastruese.

Aksi rrugor Peshkopi -Lurë, vazhdon të jetë i bllokuar. Po punohet me një fadromë për hapjen e saj. Aksi rrugor Peshkopi –Selishtë është i kalueshëm me zinxhirë. Pas një pune intensive është bërë e mundur hapja e këtij aksi rrugor. Rruga Ura e Çerenecit-Steblevë, është hapur dhe qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë. Aksi rrugor Peshkopi-Kala e Dodës, qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

 

Qarku Shkodër

Aksi rrugor Shkodër-Qafë Thore – Theth është i bllokuar, ndërsa trashësia e borës ka arritur 1 metër. Po punohet me 4 fadroma për hapjen e këtij aksi rrugor. Aksi rrugor Shkodër- Bregu Lumit është i bllokuar në vendin e quajtur Mali i Shoshit. Po punohet me 2 fadroma për hapjen e aksit rrugor por ka vështirësi për shkak të ngricave.  Në tre njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Pult vazhdon të jetë problem mungesa e energjisë elektrike. Grupet e punës së OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.

Aksi rrugor Qaf Mali-Fierzë është i kalueshëm me një kalim nën monitorimin e policisë rrugore. Trashësia e dëborës është 1 metër. Po punojnë 2 borëpastruese dhe 1 fadromë për hapjen e aksit rrugor.

Aksi rrugor Bardhet-Iballë dhe Qafë Qerreti -Qelëz, është i bllokuar. Trashësia e dëborës në Qafë Shari është rreth 70 cm. Po punojnë 2 fadroma për hapjen e aksit rrugor. Aksi rrugor Fush Arrëz-Qafë Shllak, është i qarkullueshëm me zinxhirë. Trashësia e dëborës është 1 m. Po punojnë 2 fadroma në këtë aks rrugor.

Aksi rrugor Qafë Çelë – Pukë – Fushë Arrës, i kalueshëm me zinxhirë.  Po punojnë 4 borëpastruese dhe 1 fadromë në këtë aks rrugor.  Aksi rrugor Hadroi – Qafë Benë, i kalueshëm me zinxhirë. Po punojnë 1 borëpastruese dhe 1 fadromë për mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor.

Ka pasur probleme furnizimi me energji elektrike në bashkinë Pukë dhe në disa fshatra të njësive administrative Iballë, Fierzë, Blerim dhe Gjegjan. Segmenti rrugor Bogë-Qafë Thore, Selcë (Shkemb i Kuq) – Budaqë (Vermosh) janë të bllokuara. Në vendin e quajtur "Gropat e Selcës" ka rreth 70 cm dëbore. Po punojnë tre fadroma nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe Ministria e Mbrojtjes për hapjen e akseve rrugore në bashkinë Malësi e Madhe.

Segmenti rrugor Shllak – Temal vazhdon të jetë i bllokuar. Të bllokuara janë dhe disa akse rrugore rurale. Në bashkinë Vau i Dejës është nisur një fadromë nga Ministria e Mbrojtjes për hapjen e akseve rrugore problematike.

Qarku Lezhë

Aksi rrugor Kallmet-Ungrej, është i qarkullueshëm me zinxhirë. Aksi rrugor Rrëshen- Tuneli i Kalimashit është i kalueshëm me zinxhirë në pjesë të veçanta. Firma kontraktore po punon me 7 borëpastruese për të siguruar kalueshmërinë në rrugë.

Aksi rrugor Rrëshen- Burrel është i hapur por në pjesë të caktuara ka vështirësi kalimi si pasojë e ngricave. Firma kontraktore po punon me fadromë për të mbajtur të hapur rrugën.

Akset rrugore rurale të njësive administrative, Fan, Orosh, dhe Selitë janë bllokuar nga dëbora e cila ka arritur trashësinë 35-100 cm. Firmat kontraktore po punojnë në këto zona por puna e tyre është vështirësuar së tepërmi nga era e fortë dhe ngricat.

Në Njësitë Administrative Fan, Orosh dhe Selitë ka mungesë të energjisë elektrike. Grupet e punës së OSHEE po punojnë për të sjellë energjinë në këto zona.  Policia Rrugore po monitoron kalimin e automjeteve në akset rrugore.

Qarku Elbasan

Aksi rrugor Librazhd – Stëblevë i kalueshëm me zinxhirë.

 

Qarku Korçë

Të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme pa zinxhirë, me përjashtim të aksit rrugor Pogradec – Lin, i cili është i qarkullueshëm me zinxhir.

Nuk raportohen probleme të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.

8 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

 

Tri të vërteta për nënat me lindje cezariane që të gjithë duhet t’i dinë

Posted: 08 Jan 2017 02:30 AM PST

Të bëhesh nënë nuk është asnjëherë një detyrë e lehtë; ka të bëjë me shumë përgjegjësi, përpjekje, por edhe shpërblime të mëdha. Ja pse duam të inkurajojmë ato nëna që i kanë sjellë në jetë fëmijët përmes ndërhyrjes cezariane që të jenë krenare për shenjën e tyre të lumturisë. Kjo lloj ndërhyrjeje kërkon kurajë dhe forcë të madhe, dhe vetëm një grua dhe një nënë mund të përballet me një zgjedhje të tillë. Ja te të vërteta të cilat vetëm nënat që i janë nënshtruar prerjes cezariane i dinë.

  1. Ato përballojnë me guxim pasojat e ndërhyrjes kirurgjikale

Mund të mendoni se ndërhyrja cezariane është një procedurë  e zakonshme, por ajo në fakt konsiderohet një operacion i vështirë. Dhe ashtu si ç'ndodh në çdo ndërhyrje kirurgjikale, prerja cezariane bart rreziqe si për nënën ashtu edhe për fëmijën.

Përveç kësaj, të afërmit apo bashkëshorti i nënës së ardhme e ka të pamundur të jetë në sallën e operacionit gjatë lindjes. Ato do të jenë vetëm, pa pasur mundësi të kenë mbështetje dhe të mbushura me pasiguri.

Nuk mund të ketë shembull më të mirë beteje se atëherë ku frika dhe vetmia luftojnë në brendësi kundër forcës, dëshirës, dhe dashurisë së pakushtëzuar që këto gra durojnë vetëm për të sjell në jetë atë fëmijë të bukur.

  1. Ato nuk e dinë nëse gjithçka ka shkuar siç duhet deri sa dalin nga salla e operimit

Në këto raste rreziku nuk përfundon me lindjen e fëmijës. Si në çdo operacion, mjekët nuk mund të përcaktojnë menjëherë nëse ndërhyrja ka qenë e suksesshme derisa të dalë anestezia.

Përveç kësaj, ka një detaj që pak njerëz e dinë. Gjatë një ndërhyrjeje cezariane, nëna është e vetëdijshme – ajo nuk ndien dhimbje, por ndien të gjitha lëvizjet që ndodhin brenda saj. Është një ndjesi e pakëndshme, dhe në qoftë se nuk jeni vënë më parë në dijeni për këtë, ajo mund të jetë një përvojë traumatike. Pavarësisht kësaj, ato qëndrojnë më kokën lart, sepse ata e dinë se shpërblimi është i madh.

  1. Ato përballen me rikuperimin post-cezarian si heroina të vërteta

Kur një fëmijë lind, bota e një nëne sillet rreth tij në mënyrë fare të pakushtëzuar. Kjo kërkon predispozitë dhe përkushtim që ndonjëherë është rraskapitës. Imagjino të bësh gjithë këtë ndërsa ke dhimbje. Po, me shumë dhimbje dhe siklet, që është pjesë e pashmangshme e procesit të rimëkëmbjes pas operacionit.

Kjo i bën ato edhe më të forta, duke kaluar pragun e dhimbjes dhe duke zhvilluar një forcë të brendshme që është e krahasuar vetëm me forcën e një nënë.

S'ka rëndësi sa e vështirë është kjo; ato e bëjnë me buzëqeshje dhe të gjithë dashurinë e botës. Sepse çdo minutë e kaluar pa gjumë, çdo pelenë që ndërrojnë, çdo buzëqeshje dhe mundësi për të mbajtur atë dorë të vogël, për të ndjerë frymëmarrjen e tyre dhe aroma e mrekullueshme e të porsalindurit i justifikon të gjitha. Kjo është arsyeja pse ato janë në këtë botë; për t'i bërë të lumtur ato 'zgjatime' të tyre të vogla.

Ndaj duhet vlerësuar çdo njëra prej këtyre nënave që janë të shënjuara me një shenjë që i bën ato të mos harrojnë kurrë. Pra, të dashura nëna, mbarteni atë shenjë të bukur me krenari. Mos e fshihni, mos kini turp prej saj, sepse jo çdo grua e ka atë privilegj.

S.M

8 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Zhvillimet teknologjike gjatë vitit 2016

Posted: 08 Jan 2017 02:26 AM PST

Gjatë vitit 2016, teknologjia njohu disa përparime të rëndësishme por edhe pengesa. Makinat me vet-ngarje filluan të shfaqen nëpër rrugë, ndërsa disa firma private për eksplorimin e hapësirës panë raketat e tyre të shpërthenin në platformat e lëshimit. Megjithatë, teknologjia vazhdon të premtojë një të ardhme më të mirë.

Makinat elektrike nuk janë më një risi, sepse kompanitë po shpejtojnë drejt teknologjisë së vet-ngarjes.

Pavarësisht disa aksidenteve, njëra fatale, auto-industria po nxit shtytjen për automjete me nivele të ndryshme pavarësie nga shoferi gjatë ngarjes – nga ato kur shoferi mund të marrë drejtimin kur të dojë e deri tek ato që mësojnë nga eksperienca në rrugë. ​

"Kur një makinë vet-ngarëse ndeshet me këtë situatë në të ardhmen, ne mund të studiojmë se si miliona njerëz reaguan në atë rast dhe të përzgjedhim variantin e duhur", thotë Sravan Pattanguna me kompaninë "Civil Maps"

2016 po ashtu shënoi përhapjen e shumë lloje robotësh, të vegjë e të mëdhenj, në dukje si njerëzit apo si kafshët. Disa prej tyre ndihmojnë njerëzit e zakonshëm.

"Ndihmoj njerëzit të gjejnë me shpejtësi portën nga ku niset avioni i tyre dhe të mos vonohen."

Por shumica janë ende platforma eksperimentale që ndihmojnë shkencëtarët në ndërtimin e pjesëve dhe programeve kompjuterike. Disa përdoren në industri dhe shkencë e madje edhe në sipërfaqen e planetit Mars.

Ndërsa dronët do të fillojnë të përdoren në dërgesat e mallrave.

Teknologjia mjekësore po ashtu njohu përparime. Nga rritja e indeve më pak të komplikuara, si kërci, deri tek eksoskeletë të kontrolluar nga truri që ndihmojnë njerëzit me aftësi të kufizuara të lëvizin.

"Për shembull, nëse dora po lëviz pa synimin tënd për ta lëvizur, ju mund ta bllokoni këtë veprim me lëvizjet e syrit", thotë Surjo Soekadar me Universitetin Tubungen.

Printerët tredimensional tani mund të prodhojnë pjesë të sofistikuara makinerishë.

"Po të shikosh është një strukturë si hojet e bletës që nuk mund të prodhohet me makineri si dikur. Fizikisht kjo është e pamundur."

Një prej problemeve më të mëdha në teknologjinë e konsumit ishte nxjerrja e telefonit Galaxy 7 nga Samsung me një bateri shpërthyese. Samsung ofroi zëvendësimin që nuk e zgjodhi problemin dhe kështu u detyrua të braktisë këtë linjë.

Raketa pa njeri e kompanisë Space X shpërtheu në platformën e lëshimit duke shkatërruar ngarkesën me satelitë komercialë dhe ngadalësuar planet e kompanisë për udhëtime të rregullta komerciale në orbitën e ulët dhe Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Edhe asistentët shtëpiakë, paisjet audiofonike që kuptojnë komandat me zë dhe kryejnë shumë detyra, u përhapën gjerësisht gjatë vitit 2016. Këta asistentë bëjnë kërkime në internet, mbajnë kalendarin apo luajnë muzikën tënde të preferuar.

Superkompjuteri Watson nga IBM kreu shumë punë në ndihmë të projekteve të mjekëve në mbarë botën. Një prej tyre po grumbullon dhe analizon të dhëna rreth sëmundjeve të rralla.

"Do të dyfishohen njohuritë në mjekësi. Për të shfrytëzuar gjithë këtë përmirësim të madh të dijeve mjekësore ne duhet të kemi sisteme asistentësh dhe programe kompjuterike."

2016 po ashtu shënoi dobësi të konsiderueshme të rrjeteve kompjuterike, me grabitje të mëdha të informacioneve private duke bërë që ekspertët të jepnin alarmin se siguria kibernetike do të jetë një prej tendencave më të rëndësishme teknologjike të vitit 2017.

8 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Pogradec, procedohet administratori i një firme mirëmbajtjeje rruge

Posted: 08 Jan 2017 02:20 AM PST

Administratori i një firme të mirëmbajtjes së rrugëve është proceduar penalisht nga specialistët e seksionit kundër Korrupsionit në Policinë e Korçës, për të cilin rëndon akuza e "shpërdorimit të detyrës".

Sipas komunikatës së policisë, shtetasi 59-vjeçar A.D. nga fshati Hudënisht i Pogradecit është proceduar për shkak se, në funksionin e pronarit dhe administratorit të firmës së mirëmbajtjes, nuk ka bërë pastrimin nga dëbora dhe akulli në aksin Pogradec-Lin.

Si pasojë e shpërdorimit të detyrës nga ana e tij janë shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor, si dhe aksidente me dëme materiale.

 

8 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Tiranë, Policia Bashkiake strehon amerikanin në një prej qendrave sociale

Posted: 08 Jan 2017 01:28 AM PST

 Qendrat sociale të hapura nga Bashkia e Tiranës për të strehuar dhe për të marrë ndihmën e nevojshme me ushqime dhe veshmbathje u kanë ardhur në ndihmë jo vetëm shtetasve shqiptarë, por edhe të huajve që gjenden këto ditë në kryeqytet.

Një rast i tillë është ai i një shtetasi amerikan, i cili u gjet nga Policia Bashkiake në Tiranë në kushte tepër të vështira dhe u dërgua tek Qendra Sociale në zonën e Misto Mames.

Mësohet se ai quhet Trevor Obrieh, rreth 35 vjeç dhe prej disa ditësh ndodhej në Shqipëri, pasi më parë kishte qenë në Serbi ku kishte humbur të gjitha sendet e tij.

Në qendrat sociale të hapura nga Bashkia e Tiranës u strehuan dje në mbrëmje 100 persona, më konkretisht: Qendra Sociale Shkozë- 10 persona, Qendra Sociale Njësia. 9- 40 persona, Qendra Sociale Kombinat -26 persona dhe në Qendrën Sociale në Laprakë -24 persona.

Nata ka kaluar e qetë dhe nuk ka patur probleme, ndërkohë që qytetarët të cilët janë strehuar në qendrat sociale të hapura nga Bashkia e Tiranës kanë marrë ndihmën e nevojshme në ushqime dhe veshmbathje, duke i bërë kështu ballë të ftohtit të acartë që ka prekur Tiranën këto ditë.

Bashkia u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që nëse kanë emergjenca, të telefonojnë në numrin 0800 0888 ose në numrin 112 që është numri i të gjithë emergjencave.

 

8 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Shkodër, zjarr në dyqanin e bombolave të gazit, plagoset pronari

Posted: 08 Jan 2017 01:24 AM PST

Një bombol gazi ka shpërthyer në një dyqan që shërbente për mbushjen e tyre.  Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08.40, të mëngjesit të sotëm, në lagjen “Perash” Shkodër në një dyqan ka shpërthyer një bombol gazi.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë të cilët kanë konstatuar se nga shpërthimi i një bombole gazi është djegur dyqani dhe ka marrë dëmtime të lehta shitësi, shtetasi A.A. 58 vjeç, banues në Shkodër, i cili u dërgua në spitalin rajonal Shkodër për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu u bë e mundur fikja e zjarrit nga shërbimet  zjarrfikës. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

8 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Fier, kapet në flagrancë duke vjedhur, arrestohet 27-vjeçari

Posted: 08 Jan 2017 01:19 AM PST

Kapet duke vjedhur një dyqan, arrestohet në flagrancë nga policia e Fierit. Në pranga ka rënë shtetasi Mirel Mata, 27 vjeç, banues në fshatin Marinëz, Fier.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë natës, në fshatin Marinëz, është  kapur në  flagrancë duke vjedhur dyqanin e shtetasit V.N, 55 vjeç, banues në fshatin Marinëz, Fier. Materialet i kaluan Prokurorisë Fier për veprën penale ” Vjedhja”.

8 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Fier, tenton të vrasë gruan me armë, arrestohet 55-vjeçari

Posted: 08 Jan 2017 01:15 AM PST

Policia e Fierit parandalon një ngjarje të rëndë brenda familjes, arreston në flagrancë kryefamiljarin. Në pranga ka rënë shtetasi  Aranit Shahaj, 55 vjeç, banues në fshatin Çakran, Fier. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në banesë, në grindje e sipër ka tentuar të vrasë me armë gjahu bashkëshorten e tij, shtetasen B.Shahaj, 55 vjeçe, e cila nuk ka pësuar dëmtime.

Pas marrjes së njoftimit në numrin e emergjencave “129” nga një shtetase e cila kërkonte ndihmë pasi bashkëshorti po e keqtrajtonte, menjëherë në vendngjarje shkojnë shërbimet e policisë të cilët bëjnë të mundur arrestimin në flagrancë të autorit dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të armës së gjahut teke model “Beretta" dhe 3 gëzhoja arme gjahu.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare e mbetur në tentativë”.

8 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

ÇMIMI QË PO PAGUAN RAMUSH HARADINAJ

Posted: 08 Jan 2017 01:00 AM PST

Arrestimi i Ramush Haradinaj në Francë nuk është një vendim Gjykate por është dëshmi e Kohëve që po ndryshojnë. Ndalimi i tij i papritur nuk ështe një pagesë ndaj të shkuarës, por është një cmim mbi të ardhmen. Jam i bindur që Ramushi do të lirohet por çështja është çfarë ndodh në Kosovë dhe në rajon në vitet që vijnë.

Natyrisht kjo ngjarje do ketë ndikim në politikën e brendshme në Prishtinë, në sentimentet e kosovarëve ndaj Europës të cilat po dobësohen përditë duke i lenë hapësirë ekstremeve ideologjike dhe atyre fetare.

Pavarësisht të gjithave, Kosova do mbetet e pavarur, por çështja është çfarë drejtimi do kete demokracia e saj dhe mbi të gjitha çfarë cilesie. Ne vende të vogla ndryshimi i Kohës Politike ka efekte të Mëdha. Kosova nuk bën përjashtim.Demokracia dhe Liria nuk janë një dhuratë e përjetshme.Ato duhet ti fitosh perditë.

Lirinë e sjellin clirimtarët si Ramushi,por Demokracinë e mbajnë demokratët që sot në Kosovë janë pakicë.Kur Ramushi të lirohet, Kosova nuk do jetë më ajo që është sot.

Ka shumë vende të Botës që e kanë pranuar Kosovën si nje vend i pavarur, por nuk janë gati ta njohin si një shoqëri demokratike.

Ky është cmimi që po paguan Ramushi. Kosova duhet ti jetë mirënjohëse!

8 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Horoskopi – 8 janar 2017

Posted: 08 Jan 2017 12:20 AM PST

DASHI

Sot, do ta kaloni kohën e lirë me njerëzit tuaj të preferuar. Në ambientin e punës, do të jeni pak të nxituar. Në aspektin afektiv, nëse jeni singëll, do të keni një njohje të re!

DEMI

 

Fantazia juaj, është arma kryesore e kësaj dite. Në ambientin e punës, do të merrni një lajmë pozitiv, që do t'ju bëjë euforik. Në aspektin afektiv, nëse jeni çift, duhet të reflektoni, keni nevojë për momente qetësie!

 

BINJAKET

Sot, do të mundoheni të gjeni se si të mos akumuloni gjithë punën tuaj në një ditë të vetme. Në aspektin afektiv, do të krijoni një miqësi të re!

GAFORRJA

Në ambientin e punës, duhet të bëni kujdes, nga miqësitë false! Në dashuri, do të jeni magjepsës, kjo do t'ju bëjë të tërhiqni shumë persona sot, me shumë lehtësi.

LUANI

Në ambientin e punës, do të jeni të disponueshëm sot, me të tjerët. Në aspektin afektiv, nëse jeni singëll, do të kaloni një mbrëmje ndryshe nga herët e tjera.

VIRGJERESHA

Që të jeni të formuar profesionalisht, duhet të siguroheni për tu specializuar në fushën tuaj! Në aspektin afektiv, do të keni uljet dhe ngritjet në lidhje me raportin me partnerin tuaj.

PESHORJA

Në ambientin e punës, do t'ju vijë një mundësi interesante. Në aspektin afektiv, do të jeni pak provokues sot, përballë të tjerëve!

AKREPI

Në ambientin e punës, do të jeni të lumtur sot, këtë gjë do ta kuptojnë dhe kolegët, falë shkëlqimit të syve tuaj. Në aspektin afektiv, do të kaloni një mbrëmje romantike!

SHIGJETARI

Në ambientin e punës, do të merrni lajmë pozitiv për fillimin e një event të rëndësishëm. Në aspektin afektiv, qëndrueshmëria gjatë ditës, do të jetë arma juaj më e mirë, sot!

BRICJAPI

Në ambientin e punës, duhet të lini pas, shqetësimet familjare, dhe duhet të keni më shumë përqendrim! Në aspektin afektiv, do të dukeni mjaftë mirë sot, në sytë e të tjerëve.

UJORI

Në ambientin e punës, duhet të jeni të vëmendshëm, të mos i lini liri veprimi personave që nuk ju duan të mirën! Në aspektin afektiv, duhet të tregoheni të kujdesshëm në shprehjen e  ambicieve tuaja, tek partneri!

PESHQIT

Në aspektin profesional, do të shuani kuriozitetin për një kolegun tuaj! Në dashuri, mos insistoni gjithmonë tek e njëjta gjë, shikoni mirë rrethanat për të vepruar në favor të personave që doni dhe ju duan!

Related Posts :