Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Ndrydhja e shoqërive të sigurimit” plus 9 more - Gazeta Dita

loading...

“Ndrydhja e shoqërive të sigurimit” plus 9 more - Gazeta Dita


Ndrydhja e shoqërive të sigurimit

Posted: 07 Jan 2017 01:48 AM PST

Kompanitë e sigurimit janë "kushërinjtë e mërzitshëm" të sistemit bankar: iu mungon shkëlqimi, bonuset e larta dhe era e pranishme e rrezikut, shkruan The Economist. Kështu, testi europian i stresit për kompanitë e sigurimit, rezultatet e të cilit duhet të publikoheshin që më 15 dhjetor, kanë tërhequr shumë më pak vëmendje se testi i bankave në korrik. Megjithatë, sigurimet gjithashtu po përballen me kërcënim të rëndë nga kohëzgjatja e normave të ulëta të interesit.
Shoqëritë e Sigurimeve investojnë tepër në obligacione, kështu që normat e ulëta të interesit po ua vështirësojnë jetën. Herën e fundit, Autoriteti Europian i Siguracioneve dhe Pensioneve (EIOPA) përcollën një test të stresit për shoqëritë e sigurimit në 2014-n, ku një e katërta e pjesëmarrësve dhanë rezultat të dobët: ato nuk plotësonin kërkesën për kapital nën skenarin e normave të ulëta të interesit. Raporti i tyre rritej në 44% nën një skenar alternativ të tronditjes së çmimit të aksioneve. Rezultatet e reja nuk kanë gjasa që të jenë më mirë. Çdo vit me norma të ulëta interesi përkeqëson problemin. Obligacionet me kthim më të lartë maturohen dhe shoqëritë e sigurimit përfundojnë me obligacione të reja me normë interesi edhe më të ulët, apo edhe negative.
Shoqëritë e sigurimit janë të fokusuar te problemi. Një strategji është që të nënkontraktojnë më shumë menaxherë asetesh të jashtëm, të cilët janë shpesh më pak të kushtueshëm. Një tjetër strategji është blerja e llojeve të reja të aseteve. Sipas Robert Goodman i Goldman Sachs, shoqëritë e sigurimit duan të shpërndajnë një kthim më të lartë, por më shumë jolikuid, në klasa asetesh si infrastruktura, borxhi privat apo kapitali privat. Hyrja është e penguar jo vetëm nga oferta, por gjithashtu edhe prej kërkesave të autoriteteve për kapital. Kështu, shoqëritë europiane të sigurimit po shikojnë në investimet e autorizuara, si bonot amerikane (fitimet e së cilës shpesh janë shpenzuar në infrastrukturë).
Mungesa e kapitalit është një prej problemeve më të mprehta të Kompanive të Sigurimit të Jetës në Europën Veriore. Shumë prej tyre, në kohë të mira, shitën pensionet vjetore me kthime të garantuara prej 3-4%. Analistët presin qëShoqëritë e Sigurimit të Jetës do të jenë në gjendje që të realizojnë premtimet e tyre për pak kohë. Por, fitimet do të goditen keq. Kërkesat e rrepta të BE-së, të njohura si Aftësia Paguese 2, prezantuar këtë vit, kanë ndihmuar. Por interpretimi i rregullave dhe politikave varion. Shoqëritë e sigurimit janë të rregulluara në nivel kombëtar, edhe pse ato janë një biznes që veprojnë po ashtu si bankat në shumë vende, 30 shoqëritë më të mëdha gjenerojnë 31% të të ardhurave nga pjesa tjetër e vendeve të BE-së dhe vetëm 41% në vend (krahasuar me raportin 23% me 54% të 30 bankave).
Dirk Schoenmaker i Bruegel, grup ekspertësh, propozon që t'i jepen EIOPA-s fuqi më të mëdha mbikëqyrëse mbi kompanitë e mëdha si pjesë e unionit të shoqërive të sigurimit, analoge me unionin e bankave të BE-së. Por, centralizimi i mëtejshëm i legjislacionit mund të jetë një marrëveshje e vështirë për BE-në e ditëve të sotme.
Shpresa më e mirë për shoqëritë europiane të sigurimit është përmirësimi i perspektivës makroekonomike. Dollari dhe kthimi nga eurobondi janë rritur pak në javët e fundit. Por, Banka Qendrore Europiane, duke zgjeruar programin e lehtësimit sasior deri në fundin e 2017-s, e ka vendosur rritjen e normës së interesave larg në të ardhmen. Shoqëritë europiane të sigurimit kanë ende një rrugë të gjatë dhe të vështirë përpara./monitor

Dibër, arrestohen shpërndarësit e drogës në pikat e basteve

Posted: 07 Jan 2017 01:44 AM PST

Dy të rinj, shpërndarës droge janë arrestuar nga Policia e Dibrës, duke i sekuestruar edhe 200 doza me kanabis. Sipas policisë, të rinjtë lëndën narkotike do ta shpërndanin në lokale pika bastesh dhe lojna fati.

Të arrestuarit janë Elton Keshi, 20 vjeç, banues në Majtar, Dibër, i cili posedonte lëndën narkotike si dhe Fatjet Kaca, 21 vjeç, banues në Peshkopi, i dënuar më parë për veprat penale "Plagosje" dhe "Vjedhje", i cili do ta  shpërndante lëndën narkotike në qytetin e Peshkopisë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 200  doza me peshë 200 gram lëndë e dyshuar kanabis sativa.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër për veprën penale "Prodhim dhe shitje të narkotikëve"  .

44 kg drogë në banesë, pranga të riut në Tiranë

Posted: 07 Jan 2017 01:41 AM PST

Policia e Tiranës ka bërë të mundur zbulimin e rreth 44 kilogramëve kanabis, ndërsa ka arrestuar edhe një person.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se në pranga ka rënë 28 – vjeçari Refik Gjoka. Arrestimi i tij erdhi pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij "Opel", Gjokës iu gjet një sasi kanabisi.

Më pas, nga kontrolli i ushtruar në banesë, policia gjeti edhe një sasi tjetër droge, e ndarë në 13 thasë dhe qese plasmasi.

Në total droga e sekuestruar ishte rreth 44 kilogramë, e cila u sekuestrua nga policia së bashku me automjetin e 28 – vjeçarit.

Përgjimet / “Hiqu si profesori”, si ra në kurth kandidati për polic

Posted: 07 Jan 2017 01:39 AM PST

"Kur të të marr unë në telefon, ti do të shtiresh sikur je profesor Kadria". Ky ka qenë pakti mes dy shokëve, 44 dhe 34 vjeç, në mars të vitit 2016 në Tiranë, për të futur në kurth një të ri, kandidat për Shkollën e Policisë, raporton "Panorama".

ipas Gjykatës së Tiranës Gëzim Metalia dhe Elton Hasanllari kanë përfituar 600 euro, nga 900 të kërkuara, nga konkurrenti Bledi L., duke i premtuar atij se do ta ndihmonin për t'u pranuar në Akademinë e Sigurisë në shkollën për Patrullën e Përgjithshme.

Pak ditë më parë, Gjykata i fajësoi dy të pandehurit për "mashtrim", duke i dënuar me nga 3 vjet heqje lirie. Për të pandehurin Hasanllari Gjykata urdhëroi pezullimin e dënimit me burg, duke e lënë në liri me kusht për dy vjet. Në vendimin e Gjykatës, të siguruar nga "Panorama", zbardhen bisedat e përgjuara, ku del në dritë plani i dy të pandehurve për mashtrimin e të riut.

PERGJIMET

Më pas shtetasi Gëzim Metalia ka komunikuar me shtetasin Elton Hasanllari, të cilit sërish i ka kërkuar të shtirej si "profesor Kadria" ku dhe ka gjetur miratimin e tij. Më datë 01.03.2016, ora 13:17, midis subjekteve në përgjim, Gëzim Metalia dhe Elton Hasanllari, bisedë me përmbajtje:

Eltoni: Hë mo?

Gëzimi: Ej.

Eltoni: Hë?

Gëzimi: Ti e ke emrin Kadri, eee?

Eltoni: Si?

Gëzimi: E ke emrin Kadri o l…

Eltoni: Kadri?

Gëzimi: Eee…

Eltoni: Mirë, mo mirë.

Gëzimi: Ej ngjo ngjo, kur t'marr n'telefon unë, t'them unë hë mo shef Kadria ça bone, kan ardh kto shokt, unë e ti kena maru punë, po renci ka me pi kafe.

Eltoni: Mirë, mirë.

Gëzimi: Ti e di vetë ça thu.

Eltoni: Mirë, hajt.

Gëzimi: M'ço mesazh mu.

Bisedë mes të pandehurve Elton dhe Gëzim në datën 01 mars 2016, ora 13:17:

Gëzimi: Ej, do t'marr n'telefon me ata, do m'thush ti mu un kam prit un me u takue. Jooo tashi, tani jam te shpia, thuj, ooo Kadri. Ti je Kadria, e din ti, hajde e takom më vonë pastaj.

Eltoni: Hajde, hajde.

Në datën 01.03.2016, rreth orës 14:30, shtetasi Gëzim Metalia është takuar me shtetasin Bledi L. dhe R. R., sipas takimit që ishte lënë më parë, ku edhe kishin planifikuar të takonin personalisht profesor Kadrinë. Shtetasi Gëzim Metalia, gjatë kohës që ka qenë i ulur me shtetasin Bledi L. ka telefonuar shtetasin Elton Hasanllari, i cili është shtirur si "profesor Kadria".

Eltoni: Alo.

Gëzimi: Hë mo, shef Kadria ça bone?

Eltoni: Mirë, si kalove ti?

Gëzimi: Mirë, si dukesh?

Eltoni: Mirë mo, ça po bën?

Gëzimi: Ku je?

Eltoni: Unë erdha në shpi, sa u futa në shpi.

Gëzimi: U fute në shpi. Ka ardh ky mik i jemi, ka qef me t'takue.

Eltoni: Unë nuk mund të takoj tani njerëz lart e poshtë anej e ktej po ato punë mbylli vetë dhe atë e takoj para se të hyj atje.

Gëzimi: Ja, a po i flet vetë më mirë?

Eltoni: Jo mo jo, po fol vetë maroj kryej ato punë, mos më lodh të lutem me njerëz tani, me të panjohur. Më dëgjon?

Gëzimi: Po dëgjoj.

Eltoni: Shikoji vetë, mbylli vetë ato punë edhe e takoj para se t'futet atje pastaj.

Gëzimi: Përpara se t'vijë n'provim.

Eltoni: Tani leji kto debate nëpër telefona t'lutem, shiko mbylli vetë ato punë, ose në të kundërt lëre fare, nuk ësht nonjë qamet i madh.

Gëzimi: Mirë, mirë hajde.

Eltoni: Gjith t'mirat!

Nga transkriptimi i përgjimeve ambientale shfaqet qartë shtetasi Gëzim Metalia, i cili kërkon me ngulm shumën prej 600 eurosh nga shtetasi Bledi L. Konkretisht:

Bledi: Sa t'kam dhënë?

Gëzimi: 300. Bledi: Dhe sa kam për të dhënë?

Gëzimi: Edhe 600.

SMS-JA E FRIKES

I trembur nga biseda me shtetasin Elton Hasanllari, i cili e ka paralajmëruar të bënte kujdes se mos ai kishte ndonjë kamera në trup, në orën 16:20 Hasanllari i shkruan Metalisë SMS me përmbajtje: "O shok do ket nai kamer në trup ai dhe do më marësh në qaf, ik lëre fare, me mir kështu pa lek se sa me siklet".

Ai takohet fizikisht me atë në afërsi të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe telefonon menjëherë shokun e Bledit, shtetasin R.R. Në 1 mars 2016, në orën 19:06, mes tyre flitet se kishte parë lëvizje të dyshimta gjatë takimit të kryer afër Drejtorisë së Policisë.

Eltoni: Hë mo pse s'more, ca bëre?

Gëzim: Po s'erdhi pra i q.. motrën.

Eltoni: Po pse?

Gëzim: Tha nesër n'oren 9.

Eltoni: Do jetë nonjë mashtrus ai o burr, nga Cerriku ku ka lekë ai rob q…

Gëzim: A thu bre motrën.

Eltoni: Do t'mari m'qafë nonji kot me kto muhabete, t'keqen vllai më mirë rri pa bukë sesa të hapësh telashe. Kurse emrin e atij ma bjer njëherë me mesazh ti mua ta shof njëherë kush është, ça është ai rob q… që të erdhi ty sot, apo t'ka provoku.

Gëzim: Emrin e atij?

Eltoni: Studenti, ça e ka ai p… robi.

Gëzim: Leje mo s'ka shans se e di unë.

Eltoni: E mirë, ashtu qoftë, hajde pra.

Gëzim: Po jo pra, ej po ajo kush na kqyri ne nga ajo me xhama të zinj.

Eltoni: O pra, pranaj, ajo s'më pëlqeu mua ajo makina me xhama t'zinj, se ndaloi mu mes rrugës ajo.

Gëzim: Aaa mos ke nonje që na njohin neve.

Eltoni: Po jo ata ishin dy me kollare o burr, ti skeee te aftësitë e mia apo si është puna.

Gëzim: Mirë hajt.

ARMAND BAJRAMI/PANORAMA

“Nostradamusi” meksikan: ISIS godet Amerikën, Trump do të sëmuret, “El Chapo” do të vdesë

Posted: 07 Jan 2017 01:37 AM PST

I vetëshpalluri "magjistar i madh i Meksikës" i ka kthyer në traditë parashikimet për vitet që porsa hyjnë,  dhe 2017-n e sheh plot me zhvillime, përfshirë këtu dhe sulme të ISIS-it në Amerikë.

"Numri më i madh i goditjeve të ISIS-it këtë vit do të jetë në Shtetet e Bashkuara. Sulmet kanë filluar e do të përshkallëzohen. Ndërkohë, diku nga muaji prill do të ketë një përkeqësim të gjendjes shëndetësore të presidentit Donald Trump", tha Antonio Vazquez, "magjistari i madh" i Meksikës.

Antonio Vazquez profetizon gjithashtu se do të ketë dy apo 3 tentativa ndaj jetës së Trumpit, të cilat do të rezultojnë të pasuksesshme. Në fund, njeriu që meksikanët e njohin si "Brujo Mayor", parashikon se lordi i drogës Joaquin "El Chapo" Guzman do të vdesë në burg.

Vazquez e bën për çdo rast të qartë se profecitë e tij nuk janë përfundimtare, me argumentin se ato mund të lëkunden nga ndërhyrja e forcave të tjera, siç mund të jenë formulat magjike, lutjet apo fakti që njerëzit mund të ndryshojnë rrjedhën e paracaktuar të ngjarjeve, me veprimet apo qëndrimin e tyre.

Magjistari ka një histori të gjatë parashikimesh, e në televizion është shfaqur për herë të parë që në vitet 1960, megjithatë ai gaboi kur tha se Barack Obama nuk do t'i fitonte zgjedhjet në vitin 2012, ndërsa për Trumpin mendonte se garën presidenciale nuk do ta vazhdonte dot nën siglën e republikanëve, por si i pavarur.

Sot, dita më e ftohtë e dimrit

Posted: 07 Jan 2017 01:35 AM PST

Qarkullimi i masave ajrore me origjinë polare do të bëjë që vendi ynë të dominohet kryesisht nga kthjellime, por temperaturat do të jenë shumë të ulëta. Herë pas here do të ketë edhe stuhi të forta ere.

Parashikohet që edhe pasditja të viojë me mot të kthjellët, por shumë të ftohtë në të gjithë territorin e vendit, zonat më problematike nga i ftohti do të paraqiten verilindja dhe juglindja. Në ndikimin e temperaturave negative në të gjithë territorin do të mbetemi edhe gjatë natës.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të ndjeshme si në orët e mëngjesit edhe në orët e mesditës duke bërë që dita e shtunë të jetë dita më e ftohtë e dimrit deri tani. Era do të fryjë e fortë duke arritur në momente të veçanta shpejtësinë 60 km/h nga drejtimi verilindor, për pasojë edhe deti do të jete i trazuar duke gjeneruar dallgëzim 6 ballë.

Loja me president

Posted: 07 Jan 2017 01:31 AM PST

 

Nga Bedri Islami

Zaret po hidhen. Këtë vit, krahas parlamentit të ri, do të kemi edhe një president të ri. Ëndërrimet kanë filluar, dilemat po ashtu. Në pikëpyetje janë vënë disa emra, shumë prej të cilëve figura të njohura politike, herë pas here pëshpëritet edhe ndonjë emër që, ndonëse do të jetë rrjedhojë e një mendimi politik, nuk do të jetë i "dorës së parë".

Njeriu rreth të cilit janë përmbledhur më shumë mendime është shefi i integristëve socialistë, Ilir Meta, por edhe ndonjëri afër tij.

A do të jetë Ilir Meta presidenti i ardhshëm i Shqipërisë? Kjo nuk është më e rëndësishme, aq më tepër që, pas heshtjes së tij dhe flakërimit publik të njerëzve afër tij, ai nuk mendon se ky post do i shkonte tani për tani energjive dhe synimeve të tij. Posti i të parit të shtetit, kështu si është katandisur nga presidenti aktual, edhe pse mund të jetë i lakmuar, nuk përbën në të vërtetë forcën e një njeriu që duhet të ishte në atë vend.

Le të jemi të qartë: asnjëherë më parë ky post nuk është katandisur në këtë derexhe dhe nuk është kthyer në një avangardë politike e opozitës në këto përmasa sa kësaj here. Edhe në kishte pasur dikur një shkallë të natyrshme serioziteti dhe të marrurit seriozisht me të, gjithçka ka humbur. Në fakt askush nuk gëzohet se i foli presidenti dhe askush nuk është i habitur me veprimet e Nishanit. Më shumë se një njeri në krye të shtetit, ai e ka kthyer Presidencën në një shtojcë komike të selisë së PD-së, sa që i ka hequr të gjitha ngjyrimet e ligjshme që do të duhej të kishte. Edhe " qokat" e deklarimeve të tij nuk merren seriozisht, gjë që e di edhe ai vetë, sa që edhe publikimin e tyre e bën tinëzisht, të shkruar e të pashpallur, sipas një liste që i afron familja e tij politike.

Në të gjithë këto vite, Nishani mendoi më shumë për çastin kur do të kthehet në partinë e tij, se sa për atë që duhej të bënte si kreu i shtetit. I zgjedhur rastësisht në atë post, sipas dëshirës së çastit të shefit të tij politik, Berisha, ende nuk e beson se është aty dhe, megjithëse një pjesë të emërimit e bëri nën partinë e tij dhe pjesën tjetër jashtë partisë së tij, ai mbeti "kapteri" besnik i partisë, me të gjitha atributet që mund t'i ketë dhënë ajo.

Nishani, pas qershorit, do të kthehet aty ku e filloi karrierën e tij si ushtarak, në ish-Shtëpinë Qendrore të Ushtarakëve, kthyer në një strukturë politike ushtarake, PD. Kjo është e drejta e tij, kësaj i shërbeu besnikërisht dhe do të vazhdojë të bëjë këtë deri në ditën e fundit kur mundimshëm do të ngjisë shkallët e Presidencës.

Por pas vetes lë një institucion i cili ka humbur krejtësisht besimin. Edhe të vetët nuk e besojnë më. Një njeri që gjithnjë bindet, edhe kur e di se po bëhet qesharak, humbet edhe tek të vetët. Sado të mendojë se një ditë ai do të merrte përsipër rolin e liderit të PD-së, kjo është një ëndërr e mbyllur. Pas humbjes së qershorit të vitit 2017, gjë thuajse e ditur nga çdo strukturë e PD-së, kushdo mund të jetë lideri i ri i opozitës, por vetëm Nishani nuk do të jetë. Opozita duke e bërë qesharak atë në drejtimin e opozitës, nuk do të rrezikojë të bëhet edhe qesharake, pasi është bërë tragjike, për hatër të një njeriu që i shërbeu, pa e ditur pse duhet të shërbente.

Loja me presidentin do të jetë më e vështira që do të njohë Shqipëria në këtë mes viti. Pazaret do të jenë të rënda dhe të vështira. Në mos kanë filluar, ata do të fillojnë së shpejti dhe përmes tyre do të bëhet aritmetika e zgjedhjeve të ardhshme. Do të jetë një lojë e heshtur, herë me dy porta e herë me tri të tilla, do të ketë zemërime të çastit e kthjellime, do të hidhen në lojën mediale emra të ndryshëm, rrethrrotullime dhe kthime në pikën fillestare.

Dy gjëra janë para vetes: ose një president i fuqishëm, mentar dhe i aftë t'i bëjë ballë lojës së rëndë të politikës, ose vazhdimin e nishanizmit presidencial, pra vendosjes së një figure sa për të qenë dhe shkatërrimit të mëtejshëm të staturës politike të presidentit të Republikës, për të kthyer edhe më tej në një post qesharak. Lëvizjet që janë bërë në Kushtetutën e vendit dy herët e fundit e kanë bërë edhe më pak të dëshirueshme këtë post për krerët e lartë partiakë, pasi dispozitat e tyre janë të reduktuara maksimalisht, por domosdoshmëria e një lëvizje pro presidencës së fuqishme është dobiprurëse për vendin.

A mund të kemi një president të fuqishëm?

Në pamjen e parë këtë mund ta bëjnë vetëm dy figura politike: Edi Rama dhe Ilir Meta. Dy partnerë në qeverisje, të cilët, aq sa janë sot afër njëri-tjetrit, aq mund edhe t'i kthejnë shpinën dhe të shohin diku tjetër. Nëse kështu ka qenë një herë, mund të bëhet përsëri. Më shumë se nga malli, të dy e duan njëri-tjetrin nga halli. Edi Rama synon rishtas drejtimin e qeverisë, ai është lideri i forcës më të madhe politike në vend, synimet e tij janë të qarta, ambicia e tij politike, po ashtu.  Askush nuk e përmend emrin e tij si shefi i ri i "Pallatit" presidencial, megjithëse do të kishte qenë një zgjidhje e shkëlqyer e një kohe tjetër. Ilir Meta është shefi i partisë së domosdoshme në qeverisje. E do apo nuk e do Ilir Metën, zgjidhja është me të. Kundër tij mbetesh në opozitë. Ai joshet dyanësh, edhe nga "sirenat" PD-iste, edhe nga " vërshëllimat" socialiste. Kur njëra palë zemërohet me të, kjo do të thotë se ai është afër palës tjetër. Nuk besoj se ai mendon se kjo është dita e tij presidenciale. Mund të bëhet, po të dojë. Bile shumë vetë pranë qeverisë tuten që ta pranojë këtë post dhe të vazhdojnë bashkëqeverisjen, por pa të. Askush të mos mendojë se kjo bëhet për parime, është thjeshtë luftë tenderash brenda qeverisjes, të cilët mendojnë se pa të, pra, pa Metën, ndarjet mund të jenë më të lehta.

Nëse nuk do të kemi as Ramën e as Metën president, cili do të jetë?

Është thënë shpesh se posti i presidentit duhet t'i takojë forcës së dytë politike në qeverisje. Në këtë rast, LSI-së. Në pamjen e parë është kështu, por nuk është rregull i domosdoshëm. Edhe kur u zgjodh Nishani, LSI ishte në qeverisje dhe mund të kishte kërkuar postin e presidentit, por jam në dyshim edhe nëse është pyetur për zgjedhjen e minutës së fundit berishiane. Ose as i ka interesuar ose tani mund t'i interesojë fort, jo edhe aq për postin, por për raportet që do të krijohen dhe mesazhet që do të përcjellë.

Është e mundur që të delegohen përsëri marioneta politike, të cilat, qysh tani, duke e nuhatur shansin, kanë filluar të hedhin vickla dhe të dëshmojnë besnikëri ndaj shefit më shumë nga sa pritej?

Rreziku i kthimit të precedentit "Nishani", kur presidenti zgjidhet në minutën e fundit, nga mendja e sëmurë e një njeriu, që nuk kërkon njerëz t'i shërbejnë vendit, por lolo t'u shërbejnë zotërinjve, mund të përsëritet, ose më saktë, është afër përsëritjes.

Mundësia e zgjedhjes së presidentit përmes votës popullore, sado është e bukur, është utopike. Duhet përmbysur edhe një herë Kushtetuta e vendit, sepse një president i zgjedhur nga populli do të thotë që vendi të jetë një Republikë Presidenciale e jo një Republikë Parlamentare. Sepse nuk mund ta zgjedhësh nga populli dhe të ketë të njëjtat kompetenca si tani. Atëherë do të ishte tallje e dyfishtë. Ideja e hedhur është më shumë politike, e momentit, për të dëshmuar "masivitet", pra një ide populiste, pasi edhe ata që e bëjnë publike, e dinë krejt mirë se është e parealizueshme.

Mund të jetë herët të flitet për një president të ri, por nuk është herët të mendohet për një president të ri.

Nëse do të mendohet për një figurë të fuqishme, e vështirë ta gjesh, por jo e pamundur, është koha e matjes së pulsit, e diskutimit politik dhe e mendimit praktik. Gjeni një njeri që mendon me kokën e tij, jashtë kokave të nxehta politike, që ka krijuar emrin e tij jashtë jush e herë herë edhe kundër jush; një figurë politike statura e të cilit të ketë besimin njerëzor dhe që të mos ketë frikë t'ua hedhë çelësat nëse zullumet tuaja janë të pakapërdishme.

Nëse është fjala për rizgjedhjen e një njeriu që do të pasojë Nishanin, me gjithë çka ai, është shumë herët. Lëreni për ditën e fundit, le të bëjë dikush një propozim përmes telefonit, dhe çështja zgjidhet.

 

 

Fjalimi i lamtumirës, Michelle Obama emocionon të rinjtë

Posted: 07 Jan 2017 01:00 AM PST

Michellle Obama e pati të vështirë të përmbante emocionet në fjalimin e lamtumirës në Shtëpinë e Bardhë.

Me zërin që i dridhej dhe dukshëm e mallëngjyer, bashkëshortja e presidentit në largim teksa foli për një plate të rinjsh, tha se eksperienca si Zonjë e Parë kishte qenë nderi më i madh i jetës së saj.

"Dua që të rinjtë tanë ta dinë se kanë shumë rëndësi, i përkasin këtij vendi. Kështu mos kini frikë, më dëgjuat! Tregohuni të vendosur dhe me shpresë. Fuqizojeni veten përmes arsimit të mirë dhe më pas ndihmoni në krijimin e një vendi që t'ia vlejë", tha Michelle.

Ceremonia e nisur nga Obama në 2015-n, vlerëson këshilltarët shkollorë që janë përpjekur të motivojnë dhe udhëzojnë studentët gjatë kolegjit. Gjatë qëndrimit të saj në Shtëpinë e Bardhë, arsimimi dhe kujdesi për trupin kanë qenë mes temave të preferuara të Zonjës së Parë.

Edhe pse Michelle do të ketë shfaqje të tjera në publik, deri në fund të mandatit, ai i së premtes ishte fjalimi i fundit i mbajtur në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti i zgjedhur Donald Trump do të marrë zyrtarisht detyrën në 20 janar.

CNN: Shqipëria, mes 17 vendeve për t’u vizituar në vitin 2017

Posted: 07 Jan 2017 12:30 AM PST

CNN e ka listuar Shqipërinë si një nga 17 vendet më të mira për t'u vizituar në vitin 2017.

Në "vendin e vogël mesdhetar" do të gjeni "diell, çmime të lira dhe plazhe të paprekura kilometër pas kilometri", lexohet në artikullin e CNN.

Më tej, shtohet se ushqimi shqiptar ngjan me atë grek, por çmimet janë shumë më të lira sesa në vendin fqinj.

Në Facebook, kryeministri Edi Rama shkroi se ky artikull tregon se vendi po rritet çdo vit e më shumë.

"Mbase këta që e rendisin Shqipërinë në 17 destinacionet për t’u vizituar këtë vit, dinë të shohin atë që jo pak ndër ne nuk duan ta shohin tek ky vend, i cili po rritet çdo vit e më shumë si vend turistik jo vetëm sepse është i bukur po edhe sepse po flitet çdo vit e më mirë për të", lexohet në postimin e kreut të qeverisë.

Masakra në Fort Lauderdale, autori është veteran lufte në Irak

Posted: 07 Jan 2017 12:22 AM PST

I dyshuari për vrasjen e 5 personave dhe plagosjen e 8 të tjerëve në aeroportin Fort Lauderdale të Floridës (SHBA) është 26-vjeçari Esteban Santiago, një veteran lufte në Irak.

26-vjeçari hapi zjarr në zonën e tërheqjes së bagazheve, në Terminalin 2 të aeroportit. Dëshmitarët thonë se ai ishte shumë i qetë dhe nuk tha asgjë ndërkohë që qëllonte njerëzit që mundoheshin të iknin ose të fshiheshin.

Ai iu dorëzua policisë pasi i mbaruan municionet.

"Nuk përjashtojmë asgjë, as terrorizmin. Po hetojmë me imtësi për të përcaktuar motivet e këtij sulmi", tha George Piro i FBI-së.

Esteban Santiago do të dalë përpara gjykatës ditën e hënë.

Mediat amerikane thonë se ky person ka probleme mendore dhe mendohet se ka thënë më parë këto fjalë: "Qeveria më kontrollon mendjen dhe më bën të shoh video xhihadiste".

Related Posts :