Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Nitaj: Më 1999, Thaçi ka kërkuar që në BBC të mos i transmetojmë deklaratat e Haradinajt” plus 9 more Telegrafi Kosovë

loading...

“Nitaj: Më 1999, Thaçi ka kërkuar që në BBC të mos i transmetojmë deklaratat e Haradinajt” plus 9 more Telegrafi Kosovë


Nitaj: Më 1999, Thaçi ka kërkuar që në BBC të mos i transmetojmë deklaratat e Haradinajt

Posted: 08 Jan 2017 01:08 PM PST

Presidenti Hashim Thaçi, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka folur edhe për situatën e krijuar pas arrestimit të Ramush Haradianjt, në Francë, në bazë të urdhërarrestit të lëshuar nga Beogradi më 2004.

"Unë e kuptoj dhe ndjej gjendjen e z. Haradinaj. Raste të tilla ka pasur edhe më herët, po ato janë plotësisht akuza të paqëndrueshme, të papranueshme dhe duhet të ndihemi krenar që kemi luftuar për liri", u shpreh ai, duke shtuar se askush nga Kosova nuk është ftuar zyrtarisht në inaugurimin e presidentit Donald Trump.

Thaçi: Askush nga Kosova s'është i ftuar në inaugurimin e Trumpit Thaçi: Askush nga Kosova s'është i ftuar në inaugurimin e Trumpit

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Muharrem Nitaj, zëdhënës dhe anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

"Ka vite që e njoh Hashim Thaçin. E pata takuar një herë në vitin 1999 në Londër, në një vizitë 'sekrete' të tij! Mbaj mend të më pat thënë 'do të ishte mirë sikur BBC të mos i transmetonte deklaratat e Komandantëve të Zonave të UÇK-së, psh Ramush Haradinajn'.

I habitur, i pata thënë 'po ata po e bëjnë luftën, e posaçërisht Ramushi'! Biseda vazhdoj tutje, por e mbaj mend që unë pata dalë i tmerruar pa e kuptuar 'ç'kishte ai njeri'!

Jo shumë kohë më vonë e pata kuptuar se çka e mundonte Hashim Thaçin.

Shokët dhe bashkëpunëtorët e tij, ata më të afërmit, thonë se ai është dinak e i pabesë, interesaxhi e idhnak, hakmarrës… dhe po mundi, të shkel me këmbë për interesin e tij!

Në këtë logjikë e shoh deklarimin e tij për vizitën në Amerikë, për biletat 500 dollarëshe dhe për impenjimin e tij për kthimin e Ramush Haradinajt në Kosovë!

Mos ban hajgare Hashim! Më shumë po bën estrada për kthimin e Haradinajt, sesa ti e Qeveria jote!

Behu njëherë burrë e trego se pse kompleksi i yt i pashërueshëm është Ramush Haradinaj!", ka thënë Nitaj. /Telegrafi/

The post Nitaj: Më 1999, Thaçi ka kërkuar që në BBC të mos i transmetojmë deklaratat e Haradinajt appeared first on Telegrafi.

Prizrenasi, udhëheqës i Legjislativit në një komunë zvicerane

Posted: 08 Jan 2017 12:51 PM PST

Vargut të mërgimtarëve tanë të suksesshëm në Zvicër, gjatë këtyre ditëve i është shtuar edhe Belul Bajrami nga Pirana e Prizrenit.

Ai, më 31 dhjetor 2016, në zgjedhjet lokale të komunës La Tène, të kantonit të Neuchâtelit, ka marrë votat e nevojshme për të qenë në krye të legjislativit të kësaj Bashkie me rreth pesëmijë banorë.

Bajrami në këtë pozitë nuk erdhi rastësisht. Ai ka përgatitje të duhur dhe bagazh të bollshëm politik.

I njohur nga të gjithë për punën plot suksese, në zgjedhjet e organizuara në nivel kantoni më 17 prill të këtij viti, pretendon edhe postin e deputetit në Parlamentin e Neuchâtel-it.

Detyrë parësore e Bajramit ishte dhe mbetet kryerja me sukses e mandatit të Kryetarit të legjislativit në komunën La Tène, si dhe profilizimi dhe rrita e Partisë Socialiste në shkallë rrethi dhe vendi.

"Ju lutem mos më merrni si lokalist, se në planet e mia bën pjesë edhe binjakëzimi i qytezës La Tène me komunën e Prizrenit", tha ai.

Bajrami kohë më parë është specializuar në lëmin e migracionit dhe ka marrë titullin "Spécialist de la Migration BF". Ai, duke qenë pjesë e komisioneve dhe ekipeve kantonale, po ndihmon dukshëm në integrimin e të huajve. Përkujdesja e treguar ndaj kësaj kategorie bëri që më 2014 të shpërblehet nga Qeveria e kantonit të Neuchâtel-it, me çmimin" "SALUT L'ÉTRANGER!". /albinfo/

The post Prizrenasi, udhëheqës i Legjislativit në një komunë zvicerane appeared first on Telegrafi.

Qytetarët: Liturgjia në Kampusin e UP-së, për të provokuar shqiptarët (Video)

Posted: 08 Jan 2017 11:24 AM PST

Festimi i Krishtlindjes ortodokse në kishën e Kampusit të Universitetit të Prishtinës , është konsideruar si provokim i rëndë nga qytetarët kosovarë.

Janari i ftohtë i Kosovës: Në kohë lufte vihet kryqi në kishën e ndërtuar në tokën e Universitetit (Video) Janari i ftohtë i Kosovës: Në kohë lufte vihet kryqi në kishën e ndërtuar në tokën e Universitetit (Video)

Ata thonë ky është provokim, pasi që aty nuk plotësohen kushtet për rite fetare, ndërsa dihen edhe rrethanat në të cilat është ndërtuar ajo kishë.

Për ta kjo meshë u mbajte pikërisht për të tensionuar shqiptarët.

Ndryshe, ipeshkvi i Rashkë-Prizrenit Teodosije, mëngjesin e sështunës, me disa priftërinj tjerë, zëvendëskryeministrin e Kosovës, Branimir Stojanoviq, zyrtarin ndërlidhës të Beogradit në Prishtinë, Dejan Paviçqviq, dhe rreth 20 besimtarë, ka kënduar himnin e Krishtlindjeve në këtë objekt.

Urbicidi dhe si kisha në oborrin e UP-së u bë pjesë e këtij fenomeni (Foto) Urbicidi dhe si kisha në oborrin e UP-së u bë pjesë e këtij fenomeni (Foto)

"Kemi ardhur në tempullin e Krishtit Shpëtimtar, këtu në Prishtinë, sepse kemi dashur që Krishti së pari të lindë në dioqezën tonë, në tempullin tonë. Tempull ky që është i mbyllur, i bllokuar nga dikush që nuk lejon priftërinjtë dhe të krishterët ortodoksë të hyjnë në të, dhe gjithashtu, tempull i vendosur në qytetin ku sot nuk ka serbë ortodoksë. Kanë mbetur disa dhjetëra sosh por që jetojnë në frikë", ka thënë Teodosije. /Tribuna Channel/Telegrafi/

The post Qytetarët: Liturgjia në Kampusin e UP-së, për të provokuar shqiptarët (Video) appeared first on Telegrafi.

Ernest Luma, “sejmenëve të Isës”: Vorri ka shumë kuptime!

Posted: 08 Jan 2017 11:14 AM PST

Redaktori i RTK-së, Ernest Luma, në profilin e tij në Facebook ka thënë se me fjalën "vorr" nuk ka dashur ta fyej kryeministrin Isa Mustafa.

Sipas tij, "vorr" ka shumë kuptime, p.sh. si sinonim i ftohtësisë dhe heshtjes.

Vlora Dumoshi: Ernest Luma, ky ndotës i gazetarisë Vlora Dumoshi: Ernest Luma, ky ndotës i gazetarisë

Më poshtë mund ta lexoni të plotë, sqarimin e tij të gjatë.

"Disa fjalë sejmenëve të Isës

(Pas çjerrjeve dhe turrjeve të tyre të djeshme)

"Ramushi e paska dhënë një deklaratë të fortë në Interaktiv: 'Nëse arrestohen deputetët, populli do ta arrestoj Isa Mustafën' … ndoshta në Liqenin e Radoniqit. Populli thotë se atje ka te burgosur të "popullit". (Kryeministri Mustafa, në profilin e tij në rrjetin social, Facebook').

Ky ka qenë, në origjinal dhe me të gjitha disa gabimet gjuhësore, statusi i shumëpërfolur i tij, të cilin kryeministri më pas e kishte fshirë, pasi që, për pak kohë, sa e kishte në publik, ishte vënë në thumb të komenteve dhe të medieve në vend. Atij i ishte parë për të madhe kjo nguti inati, për t'iu kundërvënë ish-kryeministrit Ramush Haradinaj me po të njëjtat mjete shprehëse, me po të njëjtën gjuhë dhe me po të njëjtat shpifje e akuza, me të cilat, Haradinajt, tash e 18 vjet i ishte kundërvënë Beogradi, me prokuroritë e atjeshme dhe me krejt qeveritë e Serbisë, deri më sot.

Të njëjtin status, në fakt print-screen-in e tij nga origjinali, e publikova unë, rreth 30 orë pas ndalimit të Ramush Haradinajt në Aeroportin e Baselit. E publikova në profilin tim personal në Facebook, e jo në uebsajtin e RTK-së e as në faqen e RTK-së në Facebook. E postova i nxitur nga reagimi, gjithashtu i vonshëm dhe që më tingëlloi krejt "cool", i kryeministrit aktual të Kosovës, për ndalimin e padrejtë në një kufi evropian të një ish-kryeministri, po ashtu të Kosovës, dhe të një ish-udhqëheqësi e luftëtari të shquar të UÇK-së. Rrjedhimisht, reagimit tim ia dhash edhe cilësorin "vorr", si atribut për atë në të cilin, vërtet, më ngjau kryeministri Mustafa. Fjala vorr (varr) na asocon në shumë kuptime, por më së shumëti në ftohtësi dhe në heshtje – i ftohtë si varri, i heshtur si varri. Unë e përdora në gegënishte: vorr.

Në ato momente, pamja e kryeministrit Mustafa në ekran m'u duk ashtu dhe më ngjau ashtu: në vorr. Pra, nuk e kisha për qëllim ta fyej. Edhe sot, ende më duket si vorr.

Pra, statusi (postimi) që ka për autor Isa Mustafën, ishte arsyeja që e çarti kryeministrin, sejmenët dhe krejt kabinetin e tij, për t'u vërsulur kundër meje gjatë krejt ditës së djeshme, ultë, me histeri dhe me fjalor rrugësh, secili prej tyre, që prej mëngjesit deri në mesnatë. Ata, duke dashur ta zhvendosin vëmendjen nga përmbajtja e ultë, ekuivalente, me emërues të përbashkët dhe në të njëjtën linjë me Beogradin, Vuçiçin, Gjuriqin etj., të statusit të kryeministrit Mustafa, m'u kapën për cilësorin "vorr", që unë në reagimin tim ia paskam bërë atij.

Kjo është krejt historia. Ndërkaq, nëse flasim për "mjetet fyese" në fjalorin dhe shprehësinë e secilit, mund të them se kampioni është vetë kryeministri Mustafa, i cili publikisht, kohë më parë, femrat e Kosovës i ka quajtur lopë, duke dashur që, për arsye që vetëm ai i di, ta atakojë një pjesë të femrave aktive në shoqërinë civile. Po i njëjti, kryeministri Mustafa, rivalët politikë i ka quajtur gomarë e kuaj, e çka tjetër s'ka përdorur në fjalorin dhe në profilin e tij.

Jo larg tij, vjen menjëherë sejmenja e tij, deputetja Besa Gaxherri, që ka fyer disa herë luftëtarët e UÇK-së me gjuhë të ultë, ndërkohë që në një emision televiziv të burgosurit politikë i quajti njerëz të paaftë për asgjë, të sëmurë psikikë, jonormalë dhe me të meta mendore.

Të po të njëjtit nivel, me kryeministrin dhe deputeten e tyre, përkah gjuha që përdorin, vijnë këshilltarja e kryeministrit, Vlora Dumoshi dhe shefi i kabinetit të tij, Sokol Havolli, ky i fundit një vazhdimësi besnike e vijës së kuqe të SKOJ-it (Savez Komunista Omladine Jugoslavije), i cili është rehabilituar mirë nën shefin e tij ish-komunist, Isa Mustafa.

Reagimi dhe fustrimi i përnjëhershëm i këtij trekëndëshi, sikur nxori në shesh edhe redaksinë funksionale të Facebook-ut të kryeministrit Mustafa, veçanërisht për statusin e famshëm me Liqenin e Radoniqit, që pati përfunduar me "fatalitet" (i fshirë më pas nga vetë ai). Po më duket po i shoh në zyrën kryeministrore, të mbushur me mllef e inate, tek shkruajnë një status të kryeministrit. Besa Gaxherri duke diktuar 'faktet' (për shembull me Radoniqin), Vlora Dumoshi duke shkruar, Isa Mustafa duke ia bërë "aproved", kurse Sokol Havolli, shpejt e shpejt, duke klikuar: "post". Dhe, hopa, skandali i kryeministrit, që më pas iu është dashur ta fshijnë.

Faktikisht, me sa kam kuptuar, kryeministri, në krejt këtë histori, ka problem me veten e tij, e jo me mua. Ka problem me 'kryeveprën' e tij, Liqenin e Radoniqit, me postimin që kish me dhënë shumëçka për ta bërë të paqenë. Vetëm për ta zhdukur këtë dokument të dalë nga dora e tij, mendoj se Mustafa kish me qenë i gatshëm ta pijë 'eks' krejt Liqenin e Radoniqit.

Kryeministër, këtu po jua kujtoj një amanet të shkrimtarit të madh, Azem Shkrelit, i cili, në një vend, na porositë kështu: mos shkruaj "nëse nuk je i gatshëm të vdesësh për secilën fjalë, për secilin varg".

Unë, ndoshta nuk jam i gatshëm të vdes për krejt ato që kam shkruar, por, së paku, s'i fshijë kurrë. Kurse, ti, Kryeministër Akademik Isa Mustafa, i fshinë, siç e ke fshirë disa çaste më vonë, pasi që e ke shkruar, statusin (postimin) me përrallat e Liqenit të Radoniqit, që është një storie e mbindërtuar mbi shpifjet e Beogradit kundër Ramush Haradinajt dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Deputete Besa Gaxherri,

Këshilltare Vlora Dumoshi,

Shef i Kabintetit, Sokol Havolli,

Lërini përrallat, e mos u mundoni me i mëshu' samarit – në këtë rast cilësorit 'vorr', që e keni marrë si fyerje, në vend të gomarit – në këtë rast statusit të kryeminstrit për Radoniqin, që është në tangjentë të njëjtë me statuset e Gjuriqit, të Vuçiçit e të Drecunit kundër Ramush Haradinajt.

Facebook-u i Isa Mustafës është profil i Kryeministrit të Kosovës, pra është i të gjithë neve, dhe duhet të ketë kujdes se çka ai shkruan në të.

Facebook-u im është i imi personal, dhe aty unë shkruaj çka të dua.

Po ashtu, duhet ta bëni dallimin midis gazetarit/redaktorit dhe zyrtarit të RTK-së, e jo ta përzieni (siç ka bërë, më duket, Besa Gaxherri). Gazetarë-zyrtarë ka pasë veç në ish komunizëm.

Gjithashtu, mendoj se më parë se që të merreni me punën e një gazetari apo redaktori, tregojini kryeministrit Mustafa se duhet të merret me murin në Mitrovicë dhe me hapjen e rrugëve në veri të vendit, jo nga bora, por nga ata që s'po i lënë alternativë tjetër atje për të shkuar atje, pos kah rrugët e dhive.

Edhe shumë e shumë punë të tjera keni për të bërë, para se me u marrë me mua dhe vendin ku punoj. Apo, vetëm deri aty pretendoni të shtrihet pushteti dhe takati juaj. Kur flasim për fjalorin dhe fyerjet që po i pretendoni, pastrojani gojën, së pari kryeministrit, pastrojini gojët, duart dhe fytyrat tuaja, secili prej jush, dhe, tek pastaj, merreni kurajon të drejtoheni kah unë.

Kurse, kur flasim për të kaluarën apo ngjyrimet politike, si pengesë, sipas jush, për të qenë në disa institucione e përgjegjësi publike, mund t'ju them se ngjyra e kuqe e të kaluarës së Isa Mustafës kish me qenë pengesa reale për të, për të marrë rol në shoqërinë kosovare, e jo ngjyra ime e të kaluarës aleanciste, për të qenë pjesë në mediumin publik. Tregojini shefit tuaj, se dallojmë epokalisht në këtë segment.

Sa i përket RTK-së, çjerrjeve dhe ultimatumeve tuaja në këtë adresë, dua t'jua kujtoj se ky medium aq sa është i juaji, është edhe i imi dhe i secilit prej nesh në Kosovë.

Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së nuk e kanë asnjë lidhje me profilin tim personal në FB, e as profili im në FB, nuk ka as edhe një lidhje me RTK-në. Janë dallime të qarta, këto, që bëhen dhe njihen kudo në botën e sotme. Mendoj që edhe secili prej jush duhet t'i dini këto.

Sa për të shkruar, do të shkruaj gjithmonë, sepse me këtë "zeje" merrem qysh prej mijëvjeçarit të kaluar. Nënshtrimin s'e njoh, as shantazhin e as kërcënimin, si formë që erdhi në shprehje vazhdimisht edhe mbrëmë, nga ju dhe njerëzit tuaj, gjithandej nëpër rrjetet scoiale dhe te unë.

Unë dhe Kryeministri Akademik Isa Mustafa kemi të përbashkëta, por edhe dallime. Të përbashkët e kemi pasionin pas Facebook-ut dhe rrjeteve sociale. Por, dallojmë në atë se Facebook-u im është privat dhe personal, kurse Facebook-u i Mustafës është profil i kryeministrit të vendit.

Dallojmë edhe në diçka: Unë shkruaj, dhe nuk i fshij postimet e as nuk e mbylli Facebook-un. Isa, po, të dyjat i bën. Sikurse ka bërë edhe në këtë status.

Në fund, për secilin prej jush: "…jam e vërteta, jo rrena."

Ernest Luma

P.s. Bashkëngjitur është statusi i Kryeministrit Akademik Isa Mustafa, që pati përfunduar me "fatalitet" (e pati fshirë). Pikërisht kjo e vërtetë, që e nxjerrë atë në një vijë me akuzat, statuset, profilet dhe deklarimet e Serbisë kundër Ramush Haradinajt dhe UÇK-së, e çarti atë dhe krejt kabinetin e tij, që m'u turrën dje, krejt ditën" (sic.), ka shkruar Luma. /Telegrafi/

The post Ernest Luma, "sejmenëve të Isës": Vorri ka shumë kuptime! appeared first on Telegrafi.

Kosova duhet të jetë pjesë e Interpolit, që të heq fletarrestet e Serbisë? (Video)

Posted: 08 Jan 2017 11:09 AM PST

Anëtarësimi i Kosovës në Interpol do t'i mundësonte vendit kyçjen e drejtpërdrejtë në rifreskim të listave të personave që kërkohen ndërkombëtarisht nga Interpoli.

Edhe pse vazhdimisht është kërkuar që çështja e fletarresteve të lëshuara nga Serbia të jetë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Si pasojë e kësaj, ato vazhdojnë të kenë ende efekte për zyrtarët shtetërorë dhe qytetarët e Kosovës.

Plator Avdiu, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se ka mënyra të ndryshme se si Kosova mund t'i heq këto fletarreste, porse kjo mund të ndodhë veç kur Kosova të jetë pjesë e Interpolit. /Tribuna Channel/

The post Kosova duhet të jetë pjesë e Interpolit, që të heq fletarrestet e Serbisë? (Video) appeared first on Telegrafi.

Thaçi: Askush nga Kosova s’është i ftuar në inaugurimin e Trumpit

Posted: 08 Jan 2017 11:04 AM PST

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për RTK ka thënë se është në një vizitë zyrtare në SHBA, porse nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri amerikan, Donald Trump.

"Shtetet aty do të përfaqësohen veç nga ambasadorët. Asnjë delegacion i huaj nuk ftohet të marrë pjesë, as nga Kosova, e as nga vendet e tjera", ka thënë Thaçi, duke shtuar se në ceremonitë private – ku disa janë të hapura e disa me bileta që mund të kushtojnë deri në 500 dollarë – mund të marrë pjesë kushdo. /Telegrafi/

The post Thaçi: Askush nga Kosova s'është i ftuar në inaugurimin e Trumpit appeared first on Telegrafi.

Deklaratat e një serbi shtojnë dyshimet për përzierjet e Serbisë mes shqiptarëve: Ju tregoj si t’i shkatërroni shqiptarët!

Posted: 08 Jan 2017 09:30 AM PST

"Doni të shkatërroni shqiptarët…? Vrisni një katolik dhe më pas akuzoni një mysliman… Shteti shqiptar është lehtësisht i mundshëm të shkatërrohet nëse ekziston vullneti te shërbimet sekrete serbe… Nëntoka serbe, me mbështetjen e shërbimeve të inteligjencës mund të shkaktojë në çdo kohë luftë në Shqipëri", autori i këtyre deklaratave quhet Dejan Luçiq dhe është një personazh jo pak i njohur në Serbi.

Luçiq fton hapur shërbimet inteligjente serbe të nxisin luftë ndër shqiptarët duke i përçarë ata në vija fetare dhe fisnore.

"Nuk është vështirë të grinden shqiptarët ndërmjet tyre, Toskët dhe Gegët, të krishterë dhe myslimanë. Në linja fisnore dhe fetare lehtë mund të shkatërrohet shteti shqiptar, ndërsa me luftë qytetarëve në Shqipëri u tretet ëndrra për Shqipërinë e Madhe. Vritni një politikan shqiptar, akuzoni konkurrentin e tij dhe ja…, luftë fisnore mes shqiptarëve. Nëse shkaktoni konflikt mes Thaçit dhe Haradinajt çdoherë mund ta ndizni zjarrin", thotë ai në një intervistë në emisionin televiziv "Në Qendër".

Nëse disa libra të tij kanë për zemër tema me spiunazh, teori konspiracionesh dhe komplote ndërkombëtare, thëniet e mësipërme më shumë se konspiracion, bien erë ngjarje e zhvillime të ndodhura rregullisht në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarët në rajon.

I lindur në Beograd në vitin 1950, Dejan Luçiq u diplomua nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd, së bashku me disa emra që më pas do të ndiznin zjarrin ne Ballkan dhe ish Jugosllavi: Është fjala për ish-kreun e shërbimit të sigurimit të shtetit Jovica Stanishiç dhe komandantin e njësive speciale Franko Simatoviq, i mbiquajtur Frenki, i dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës për krimet e luftës.

Është fakt i njohur, shoqëria e tij me krerët e shërbimit sekret serb; lidhje këto që kanë prodhuar një seri librash që lidhen me "zbulim të sekreteve" mbi trafiqet e armëve dhe drogës në Ballkan e më gjerë. Parapëlqen tema si teoritë e konspiracionit, frankmasoneria, shoqëritë sekrete, Kisha Katolike Romake, etj. Nuk ka munguar dhe një libër mbi "mafien shqiptare të UÇK-së"; por në përgjithësi, Luçiq ka oreks të veçantë për të ngjallur debate dhe përdorur gjuhën e urrejtjes, me të cilën ka stigmatizuar Vatikanin, myslimanët, hebrenjtë, kroatët, shqiptarët, etj..

Në fillim ka qenë anëtar i Lëvizjes për Ringjalljen Serbe (SPO) të Vuk Drashkoviqit. Një krenari të veçantë shpreh për origjinën e familjes së tij, duke thënë se është një pasardhës i Jelena Markoviqit, anarkistja e famshme e cila në 11 tetor 1882 në Kishën Katedrale në Beograd qëlloi pa sukses mbi Mbretin Millan Obrenoviq.

Me një sy të parë, deklaratat e hapura, pozat teatrale dhe qëndrimet e mëparshme të Dejan Luçiqit, tradhtojnë një prirje drejt famës në dobi të librave të tij. Nuk është e rastësishme miqësia e Luçiqit me Jovica Stanishiçin, të cilin me Shqipërinë nuk e lidh vetëm qenia shef i UDB-së në kohën e Millosheviqit, por edhe nipi i tij Damir Fazlliqit dhe aferat e këtij të fundit ne Tirane.

Por, le të përqendrohemi në një kënd tjetër analize: Përtej kollajllëkut pompoz të retorikës së Luçiqit, deklaratat e tij përkthehen realisht, në ngjarje që kanë ndodhur në Shqipëri.

Duke lënë mënjanë të kaluarën e largët, kundërvëniet gegë-toskë, Veri-Jug, shfrytëzimi i vrasjes së dikujt për të çuar drejtimin e ngjarjeve diku tjetër dhe akuzuar ndërkaq kundërshtarin politik, janë ngjarje dhe sekuenca ende të freskëta në Shqipëri, e padyshim edhe në Kosovë.

Shteti shqiptar shkatërrohet lehtë? Ngjarjet kanë treguar se, fatkeqësisht, po.

Pavarësisht ngjarjeve te renda, zyrtarisht nuk ka patur deklarime mbi arsyet e shkaterrimeve dhe as procese gjyqesore serioze. Në nëntor 2014, një nga ish-kryeministrat e parë të vendit theu me ne fund heshtjen. Ish-kryeministri Vilson Ahmeti, në një intervistë televizive tha se shkatërrimet e pasvitit 1991 u nxitën nga serbët.

"…Shqipëria ishte në tranzicionin e parë. Njerëzit e pakënaqur dëmtonin pasurinë e tyre duke krijuar kaos e përcillnin pasiguri. Për mua kjo ishte gjëja më e vështirë… Kishte varfëri, zhgënjim nga sistemi i kaluar, kishte influencë tinëzare që i nxiste të krijonin situata të pakëndshme… Serbët janë përpjekur që në mënyrë të rregullt të destabilizojnë Shqipërinë në çdo kohë. Dhe kjo ishte një situatë në të cilën ata kanë vepruar për ta destabilizuar Shqipërinë. Ne kishim të dhëna se ata nxisnin për të kryer shkatërrime masive. Populli ynë sapo kishe dalë nga një sistem diktatorial dhe zhgënjimi ishte i madh dhe kjo shfrytëzohej," tha Ahmeti.

Edhe studiuesi Auron Tare në një intervistë në DITA në janar 2015 lidhur me disa hulumtime të tij private në dokumentat e deklasifikuar të arkivave amerikane thotë që UDB-ja jugosllave ishte më aktivja dhe më e informuara mbi situatën në Shqipëri.

Nga dokumentet ai ka krijuar përshtypjen që UDB nuk është pa rol në ngjarjet e vitit 1990-1991 në Tiranë.

"Duke pasur parasysh një mori dokumentesh dhe sidomos një prej takimeve të nivelit të lartë ndërmjet amerikanëve dhe UDB-së në vitin 1954, unë mendoj se kjo hipotezë ("kujdestaria" e jugosllavëve në ngjarjet e 1991 – shën red), mund të jetë e vërtetë. Nga dokumentet e deklasifikuara deri më tani mes marrëdhënieve amerikano-jugosllave, duket se UDB-ja kishte një njohje të shkëlqyer të çështjeve shqiptare. Deri më sot janë deklasifikuar dokumente deri në vitet 70, kur t'u vijë radha viteve '90, me siguri që do të kemi një pamje më të mirë të ngjarjeve të asaj kohe, por deri atëherë qëndron pyetja legjitime: Kush erdhi në pushtet pas vitit 1991? Elita komuniste? Bejlerët e rrëzuar? Apo ndonjë tjetër?", ka thënë Tare. /DITA/

The post Deklaratat e një serbi shtojnë dyshimet për përzierjet e Serbisë mes shqiptarëve: Ju tregoj si t'i shkatërroni shqiptarët! appeared first on Telegrafi.

Meta, në selinë e AAK-së: Do t’i shkruaj homologes serbe për arrestimin e Haradinajt

Posted: 08 Jan 2017 09:21 AM PST

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë vizitës që i ka bërë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – pas arrestimit të kryetarit të kësaj partie, Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze me një urdhërarrest të lëshuar nga Serbia për krime të luftës – tha se shpreson që kjo çështje do të marrë fund shumë shpejt pasi Haradinaj është qytetar i Kosovës dhe jo qytetar i Serbisë.

"Dua të shpreh keqardhjen tonë më të thellë për këtë ndalim shokues të ish-kryeministrit të Kosovës", ka thënë ai, duke shtuar se do t'i dërgojë mesazh homologes së tij serbe lidhur me arrestimin e Haradinajt.

Ndërkaq, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini tha se është vërejtur qartë pozicioni i shtetit shqiptar lidhur me këtë rast. Sipas tij, kjo është një mbështetje e jashtëzakonshme për të gjithë Kosovën.

The post Meta, në selinë e AAK-së: Do t'i shkruaj homologes serbe për arrestimin e Haradinajt appeared first on Telegrafi.

Prishtina dhe parku i Gërmisë të mbuluara nga bora, pamje të bukura nga droni (Foto/Video)

Posted: 08 Jan 2017 08:41 AM PST

Për shumicën e qytetarëve dimri është një nga stinët më të preferuara, por këtë vit shqiptarët për borën e parë u deshtë të presin pak më shumë, por më në fund ajo erdhi.

Dimri është stina kur e bukura shfaqet në ngjyrë të bardhë, por kjo bukuri duket edhe më mahnitëse kur shikohet nga droni, apo perspektiva e zogut.

Pamje mahnitëse të Prishtinës gjatë ndërrimit të motmoteve të xhiruara nga droni (Video) Pamje mahnitëse të Prishtinës gjatë ndërrimit të motmoteve të xhiruara nga droni (Video)

Asnjë dimër nuk zgjatë gjithmonë, por duke iu falënderuar teknologjisë dhe mjeshtërisë së Arton Krasniqit ne kemi mundësi ta kujtojmë për shumë vite, transmeton Telegrafi.

Edhe këtë herë qendër e punës së tij ka qenë Prishtina dhe parku i Gërmisë dhe nëpërmjet fotografive Artoni është munduar të paraqes bukurin e kryeqytetit të mbuluar nga bora.

Për ata që nuk e pëlqejnë dimrin dhe mezi po i kalojnë këto ditë të ftohta, mos harroni se pas një dimri të vështirë vjen një verë e bukur.

Nëse dëshironi të shikoni imazhe mahnitëse nga trojet shqiptare nga droni mund ta vizitoni edhe Instagramin e Artonit, ndërsa më poshtë keni disa fotografi dhe video mahnitëse të Prishtinës dhe parkut të Gërmisë. /Telegrafi/

 

The post Prishtina dhe parku i Gërmisë të mbuluara nga bora, pamje të bukura nga droni (Foto/Video) appeared first on Telegrafi.

Pritje dhe kolona të gjata në Merdarë

Posted: 08 Jan 2017 08:26 AM PST

Policia e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se gjendja me fluksin e automjeteve dhe udhëtarëve nëpër të gjitha pikat kufitare raportohet të jetë e qetë, përveç përqendrimit më të madh të automjeteve dhe udhëtarëve në pikëkalimin kufitar në Merdar, ku pritjet dhe kolonat janë më të gjata në dalje të Kosovës për në Serbi.

“Policia e Kosovës po punon intensivisht me zyrtarët e saj, duke aplikuar edhe procedura të përshpejtuara të kontrollit, për të lehtësuar qarkullimin dhe lehtësuar lëvizjen në kufi. Por, për shkak të koncentrimit të madh në Merdare, raportohet për pritje dhe kolona më të gjata”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Ai theksoi po ashtu se, për shkak të reshjeve të borës dhe ngricave, gjendja për qarkullim nëpër të gjitha rrugët e vendit, e posaçërisht nëpër ato rrugë që çojnë nëpër pika më të thella malore dhe kufitare, është më e vështirë.

“Kërkohet kujdes dhe vigjilencë maksimale për të realizuar një qarkullim sa më të sigurt nëpër rrugët tona”, deklaroi zëdhënësi Hoxha.

The post Pritje dhe kolona të gjata në Merdarë appeared first on Telegrafi.

Related Posts :