Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Noli ka qenë ateist, prift u bë, kishën e themeloi për motive atdhetare” plus 2 more Telegrafi Opinione

loading...

“Noli ka qenë ateist, prift u bë, kishën e themeloi për motive atdhetare” plus 2 more Telegrafi Opinione


Noli ka qenë ateist, prift u bë, kishën e themeloi për motive atdhetare

Posted: 11 Jan 2017 03:19 PM PST

Gazetat e djeshme, bazuar në një letër të publikuar në librin me titull "Helenizimi i Epirit të veriut dhe marrëdhëniet greko-shqiptare, 1897-1918", jepnin lajmin se Fan Noli ka qenë ateist. Letra është e vitit 1915, dhe është e shkruar nga një diplomat grek. Dhe, aty, diplomati grek informon eprorët e vet mbi faktin që Noli është antigrek e… ateist.

Ka shumë gjasa që lajmi të ketë kapur në befasi shumë vetë, madje mund ta përfytyrojmë reagimin e tyre: "Si? Noli ateist? Po ai është themeluesi i kishës ortodokse autoqefale. Si ka mundësi kjo gjë"? Një gazetari, në këtë gjendje shoku, i kishte shkuar mendja të pyeste Nasho Jorgaqin. Ky i fundit ishte treguar shumë i prerë: "Nuk ka asnjë dokument që të tregojë se Noli ishte ateist; të thuash që Noli ka qenë ateist, e fyen atë dhe figurën e tij".

Është kështu? Tani që Jorgaqi është një njohës i mirë i jetës e veprës së Fan Nolit, kjo nuk ka diskutim. Ai e ka provuar këtë gjë në më shumë se një rast. Për më tepër, është ai që ka përgatitur e kuruar publikimin e veprës së plotë të Nolit në pesë vëllime, e duhet thënë se kjo punë e tij është bajagi e paqme. E, megjithatë, ai gabon kur tregohet kaq i prerë lidhur me këtë çështje. Ai gabon ca më shumë kur, në përpjekje për të vërtetuar tezën e tij se nuk është e vërtetë që Noli ka qenë ateist, sjell një bisedë të tijën me një zonjë, të ëmën e Artur Liolinit, me emrin Helena. Kjo zonjë e ka takuar Nolin disa herë gjatë jetës së vet dhe i ka treguar Jorgaqit, mes të tjerash, se si në një rast një zonjë tjetër e ka pyetur nëse është e vërtetë ajo që thonë, d.m.th. që Noli është ateist?! Dhe, përgjigja që Noli i ka dhënë është: "Po si thua zotrote, të ketë njeriu një jetë e t'ia kushtojë një ideje tek e cila nuk beson"?

Nuk kemi arsye që të dyshojmë tek autenticiteti i kësaj dëshmie të bërë nga kjo zonjë. Po e marrim për të vërtetë. Por, puna është se kjo dëshmi nuk mjafton për të rrëzuar tezën se Noli ka qenë ateist. Ka dëshmi të tjera që thonë të kundërtën. E, janë dëshmi më të forta se kjo e kësaj zonje. Janë më të forta, ngaqë janë të bëra nga vetë Noli. Dhe, Jorgaqi e di mirë që është kështu.

Në veprën 4 të kolanës së përgatitur nga ai është letërkëmbimi që Noli ka pasur me të tjerë. Dhe, aty, në disa raste Noli dëshmon ose në mënyrë të troçtë, ose në mënyrë të nënkuptuar se me fenë nuk e lidhte ndonjë gjë. Letrën që ia dërgonte Thanas Tashkos nga Jamestowni, më 9 korrik 1906, Noli e mbyllte me fjalët: "Perëndinë s'e mbesonj, i ardhtë keq" (faqe 36).

Në një letër tjetër, dërguar të njëjtit person më 23 korrik 1906, rrëfen se në një takim shqiptarësh për të mbledhur fonde në ndihmë të një gazete të Sotir Pecit, kish takuar një shqiptar tjetër, shumë të zgjuar, "atë më të squarin, që ishte edhe pak ateist, dhe zumë miqësi të paqme; unë pa humbur kohën e vyer, hapa valixhen dhe i dhashë Zarathustrën e Nietzsches që të bëhet ateist komplet e të mirremi vesh tamam" (faqe 37).

Në po këtë letër që ishte disi e gjatë, teksa flet për Sotir Pecin, ai thotë: "Është mëmëdhetar i mirë, por… ah, të kishte kënduar ca pak Nietzsche!", dhe diku më pas, i kapur nga një vetëpëlqim i lezetshëm, e krahason veten me Nietzschen, ateistin par excellence, premton se ai vetë do të bënte një Perëndi shqiptar e do t'i falej, por kjo Perëndi do të ishte e tij, vetëm e tij, madje Perëndia do ishte ai. Dhe, e mbyll këtë moment duke thënë: Cosi parlava Nietzsche! Merret vesh, është një përshtatje e titullit të librit të Nietzsches: Cosi parlò Zarathustra! Por, nuk merret vesh pse lojën me këto fjalë e bën në italisht.

Për herë të parë mbi nevojën e themelimit "të kishës ortodokse shqip" flet në një letër dërguar shoqërisë "Bashkimi", në vitin 1907, në 20 shkurt. Dhe, thotë: "Në u bëftë kjo gjë, përveç tërbimit të armiqve tanë, do të ketë edhe një rëndësi të madhe për përparimin e punës tonë këtu n'Amerikë" (faqe 53). Dhe në këtë pikë fillon e zbulohet motivimi i tij në përpjekjet për ta ngritur këtë kishë. Dhe, ky motivim nuk është fetar. Është patriotik. Thënë me fjalë të tjera, Noli nuk ka qenë ortodoks. Ai ka qenë atdhetar. Kishën e ka ngritur në emër të atdhetarizmit. Kjo duket në letra të tjera. Në fund të letrës dërguar Thanas Tashkos më 15 mars 1907, në një postscriptum, shkruan: "Në mos e mbarofsh këtë punë, do të mallkonj. Po mund të më thuash se mallkimi im nuk zë pa qenë prift. Po unë them që zë, se në mos jam tani prift i kishës, pa fjalë jam prift i Shqipërisë" (faqe 59).

Kur e kish vendosur që do bëhej prift, një nga gëzimet më të mëdha ishte që "do t'u hyhej në hundë grekëve, (që) të pëlcasin në vend". Në një letër që i dërgon Lef Nosit, më 14 gusht 1908, ai i premton se "vitin tjetër do shkoj në Shqipëri e do nis luftën e parë kundër klerit grek" (faqe 79). Në një letër që i dërgon kryepeshkopit rus, ia bën: "Nuk bëj kabull të përgjigjem në kallzimet e grekëve të ndyrë, dhe më vjen keq që kisha ruse paska rënë kaq poshtë sa të zvarriset në këmbët e tyre" (faqe 151). Dhe, këtu del në pah një nga motivimet më të rëndësishme të tij në rrugën drejt kishës shqiptare autoqefale: antigreqizmi.

Noli nuk gjente dot paqe në mes të ndikimit të madh që kishte kisha greke mes ortodoksëve shqiptarë në rrethanat që shqiptarët po bënin përpjekje shteruese për krijimin e shtetit shqiptar. Noli është antigreku më i madh në historinë e Shqipërisë. Kjo qasje e tij mund të duket si një teprim aposteriori, në mos si një paranojë, por atëbotë nuk ka qenë kështu. Atëbotë grekët ishin me të vërtetë një problem i madh për shqiptarët.

Pasi bëhet prift, bëhet edhe besimtar, gjë që duket te përmbajtja e letrave, dhe te mbyllja e tyre me fjalët "urimtari juaj me Krishtin", ose "Ju dërgoj bekimet e kishës" etj. Por ky besim i tij ishte më shumë një besim ex officio (për shkak të përgjegjësisë fetare që mori), se sa një besim që i vinte nga rropullitë. "Fati i Shqipërisë zemërgure më ka vendosur të tretem e të venitem bashkë me kryqin që kapa…" (faqe 70). Vini re: … kryqin që kapa. Sic!

Por, edhe në letërkëmbimin që vijon pasi u bë prift, ai veç si prift nuk flet. Diku krahason Krishtin me Nietzschen që janë në një mendje në një çështje, diku tjetër i thotë Thanasit që t'i thotë Vruhos që ky i fundit t'ia kthejë një borxh që i ka, në mos "do t'i dërgonte mallkimin e tij" (faqe 83). Etj. etj. etj.

Fan Noli nuk ka diskutim që ka kontribut në krijimin e kishës autoqefale ortodokse që, prej njëzet e kusur vitesh, autoqefale nuk është (si mund të jetë, kur në krye të saj nuk është një shqiptar? Në mos, më i madhi. Noli me siguri do jetë kthyer përmbys në varr kur ka marrë vesh se një grek, Anastas Janullatos, është zgjedhur, dhe vijon të jetë akoma, në krye të kishës ortodokse së themeluar prej tij si një kishë edhe antigreke). Ai ka krijuar gjuhën liturgjike shqipe, ka botuar në gjuhën shqipe libra të kishës, është përpjekur që të zgjojë ndjenjat patriotike tek ortodoksët e Shqipërisë (jo me ndonjë sukses kushedi se çfarë në këtë pikë) etj., por të gjitha këto ai nuk i ka bërë si besimtar. I ka bërë si patriot. Nuk është çudi që të jetë bërë besimtar më vonë, ndoshta në pleqëri, kur ka takuar edhe atë zonjën që i është rrëfyer Jorgaqit, por në fillimet e veta, e për një kohë të gjatë më pas, ai ka qenë ateist, edhe pse u bë prift.

Unë nuk di të them nëse ky fakt e rrit apo e zvogëlon figurën e Nolit si kreun e themeluesin e kishës ortodokse autoqefale shqiptare. Nuk di të them gjithashtu nëse ky fakt e zhvlerëson disi aktin e themelimit të kësaj kishe autoqefale (një kishë që themelohet nga një ateist nuk është me kredenciale të mira, apo jo?). Ndoshta e zhvlerëson. Por pavarësisht kësaj, Fan S. Noli, apo Theofan Mavromati, siç ka pasur qejf ta quajë diplomati grek në letrën që u përmend në krye (Theofan Mavromati ishte një emër që Noli e përdorte edhe vetë, meqë ra fjala), ai mbetet një nga figurat më të mëdha të historisë sonë kombëtare. Në panteonin e atdhetarisë, Noli është lart fare, dhe vetëm shumë pak të tjerë i bëjnë shoqëri.

The post Noli ka qenë ateist, prift u bë, kishën e themeloi për motive atdhetare appeared first on Telegrafi.

Serbia po i jep fqinjëve lajme të këqija

Posted: 11 Jan 2017 11:49 AM PST

Dejan Anastasijeviq

Në gazetari, java mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri quhet "java e errët", për shkak të mungesës së përzgjithshme të lajmeve mes dy pushimeve të mëdha.

Në Serbi, ku na pëlqen t'i bëjmë gjërat paksa ndryshe, java e errët është mes Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve Ortodokse, që i bie në 7 janar. Por, java e këtij viti ishte gjithçka veçse e errët, teksa zyrtarët kryesorë serbë e përdorën atë për të ofenduar ose të paktën zemëruar pesë nga tetë vendet fqinje të kufirit me Serbinë.

Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, hodhi i pari kunja ndaj Maqedonisë dhe Malit të Zi, dy fqinjëve më të vegjël që kanë njohur pavarësinë e Kosovës në 2007.

"Ishim të që tradhtuam mikun grek dhe njohëm Maqedoninë nën emrin e vet kushtetues," tha Daçiq në intervistën e Vitit të Ri me Agjencinë e Lajmeve Beta, duke iu referuar një mosmarrëveshjeje prej dekadash mes Greqisë dhe Maqedonisë mbi emrin e ish-republikës jugosllave.

Ai shtoi se Mali i Zi vazhdimisht kishte votuar kundër interesave jetësore të Serbisë kurdo që Kosova ishte në agjendë – dhe kërcënoi hakmarrje.

"Mezi po pres që diçka e rëndësishme të vijë për Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe atëherë do të shihni se si do të votojë Serbia," tha ai.

Bosnja dhe Hercegovina ishin në radhë. Presidenti Tomislav Nikoliq pritej të bënte një vizitë në Sarajevë në shkurt për herë të parë në pozicionin zyrtar, në një lëvizje për të shtensionuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Vizita tani me gjasa do të anulohet për shkak të vendimit të Nikoliq për të marrë pjesë në festimin polemik të Ditës Kombëtare në Republika Srpska, entiteti rebel serb në Bosnje.

Gjykata kushtetuese boshnjake e ka quajtur festimin si të paligjshëm dhe shihet gjerësisht si një lëvizje drejt shkëputjes; siç pritej, vendimi i Nikoliqit për të marrë pjesë shkaktoi zemërim në Sarajevë.

"Nuk do të toleroj shantazhin," tha Nikoliq, duke i qëndruar vendimit për të marrë pjesë pavarësisht gjithçkaje.

Më pas fokusi u kthye në Kroaci, ku një tjetër festim u kthye në hatërmbetje për shkak të fjalëve ofenduese nga një i ftuar serb.

Festa tradicionale e para-Krishtlindjeve e organizuar nga Këshilli Kombëtar Serb për Sigurinë, SNV, organi përfaqësues i minoritetit serb në Kroaci, supozohej të shënonte një fillim të ri në marrëdhëniet serbo-kroate; për herë të parë në disa vite, kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, ishte i pranishëm.

Ai dhe lideri i SNV Milorad Pupovaq mbajtën fjalime të këndshme rreth nevojës për të hedhur pas krahëve mosmarrëveshjet e vjetra dhe për të ecur përpara drejt një kapitulli të ri.

Por pastaj Vladimir Bozhoviq, i dërguari i kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq, papritur filloi një fjalim të ashpër kundër Plenkoviqit dhe Qeverisë së tij, duke i akuzuar ata se po shtypin pakicën serbe, dhe shtoi një kërcënim të maskuar.

"Shteti nënë i Serbisë qëndron gati për t'i mbrojtur ata [serbët] me çdo mjet të nevojshëm," tha Bozhoviqi, duke nxitur një tjetër raund grindjesh mes Beogradit dhe Zagrebit.

Kosova ishte e fundit. Një ditë përpara Krishtlindjeve Ortodokse, autoritetet serbe deklaruan se synonin të kërkonin ekstradimin e Ramush Haradinaj, ish-komandantit të luftëtarëve dhe ish-kryeministrit të Kosovës.

Haradinaj u arrestua disa ditë më parë në Francë, bazuar te një mandatarresti Interpoli të lëshuar nga Serbia më shumë se një dekadë më parë dhe Beogradi do ta nxjerrë atë në gjyq për krime lufte pavarësisht faktit se gjykata e Hagës e ka liruar atë dy herë.

Arrestimi dhe kërkesa për ekstradim shkaktoi zemërim në Kosovë, ku Haradinaj shihet kryesisht si hero lufte dhe Prishtina lajmëroi se mund të përgjigjet duke lëshuar mandatarreste të ngjashme kundër zyrtarëve të lartë serbë, disa prej të cilëve ishin përfshirë në luftën 1998-1999 në Kosovë.

Deri më tani vetëm Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë i janë kursyer provokimet gjatë javës së errët të Serbisë.

Nuk ka shpjegim logjik për këtë politikë të jashtme ofensive të paprecedentë dhe sigurisht që s'ka as përfitime të dukshme për Beogradin, por mund të shkaktohet dëm.

Maqedonia dhe Mali i Zi me siguri nuk do të anulojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga frika e kërcënimeve të Daçiç dhe serbët në Kroaci me siguri nuk do të trajtohen më mirë pas shpërthimit të Bozoviç në Zagreb.

Synimi i Nikoliqit për të marrë pjesë në ceremoninë e Republikës Srpska ka shkaktuar tashmë shqetësime në Bruksel dhe mund të ngadalësojë bisedimet e Serbisë për pranimin në BE.

Çfarëdo që të vendosë Franca të bëjë me Haradinaj, procesi i sponsorizuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës do të jetë i vështirë.

Një gjë është e qartë: politika e Serbisë, si e brendshme dhe e jashtme, po bëhet gjithnjë e më e parregullt përpara zgjedhjeve presidenciale dhe me gjasa atyre parlamentare në maj.

Është gjithashtu interesante që kryeministri Vuçiq, zakonisht një elokuent nuk ka folur për opinionin e tij për këto zhvillime, dhe s'ka gjasa të flasë. Në vend të kësaj, ai planifikon të qëndrojë larg Serbisë për shumicën e janarit, në një vizitë të gjatë në Indi dhe pastaj Zvicër.

Kjo mund të jetë për shkak se fuqia e tij kontrolluese ndaj koalicionit qeverisës dhe partisë së tij, nuk është aq e fortë sa dukej. Askush nuk e di se çfarë do të sjellë 2017-a, por me siguri nuk do të jetë një vit pa zhvillime.

Dhe, meqë ra fjala, Viti i Ri serb, që festohet zakonisht më 13 janar, i bie të premten këtë vit.

The post Serbia po i jep fqinjëve lajme të këqija appeared first on Telegrafi.

Serbia, ky shtet policor!

Posted: 11 Jan 2017 11:41 AM PST

Me një dekret të Qeverisë së Serbisë, krahas Policisë së rregullt është formuar edhe "Policia ndihmëse", një formacion shtesë policor i cili vepron në terren me armatim të lehtë, uniformë dhe legjitimacion, pa përjashtuar mundësinë që ndonjëherë të operojë edhe me rroba civile.

“Rregullorja, e cila ka hyrë në fuqi për formimin e policisë ndihmëse, është në frymën e Ligjit për Policinë, ngase gjendja e sigurisë së brendshme është asisoj, që kërkon përfshirjen e një numri të madh të njerëzve, për shkak të rreziqeve të sigurisë të lartë, fatkeqësive natyrore, ose sigurimin e kufirit. Edhe me Ligjin e vjetër për Policinë, në vitin 2005, ishte paraparë mundësia për të formuar policinë ndihmëse, por që nuk ndodhi në praktikë", ka thënë Sasha Gjorgjeviq, nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë.

Në Policinë ndihmëse, sipas Dekretit të paraparë me Ligjin për Policinë, do të përfshihen kryesisht individë të cilët nuk kanë të krijuar marrëdhënien pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës Serbisë.

Rregullorja e re, në bazë të konkursit publik, zgjedh komisionin ndihmës të Policisë të emëruar nga Ministri i Punëve të Brendshme, në bazë të konkursit publik. Për disa qytetarë, të cilët do të angazhohen në Policinë ndihmëse, mjafton të jenë të papunë dhe jo më të vjetër se 18 vjeç dhe të kenë të paktën arsimin e mesëm. Megjithatë, ministri mund të angazhojë persona në Policinë ndihmëse edhe pa konkurs publik – kuptohet personat që kanë mbaruar trajnimin policor, shkollimin e mesëm të Ministrisë së Brendshme, Akademinë e policisë etj.

Ky lloj formacioni i forcave të sigurisë dhe rendit thuhet se është marrë si model nga shtetet e Bashkimit Evropianë.

Vlen të theksohet se në forcat e kombinuara serbe bëjnë pjesë, përveç Ushtrisë, Xhandarmërisë, Policisë, tashmë edhe një formacion i ri, policia ndihmëse, e kush e di sa e sa shërbime e agjentura të tjera veprojnë në këtë shtet multietnik e multipolicor?!

The post Serbia, ky shtet policor! appeared first on Telegrafi.

Related Posts :