Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“OST: Linja e dëmtuar, Kukësi dhe rrethinat pa energji” plus 9 more Gazeta SHQIP

loading...

“OST: Linja e dëmtuar, Kukësi dhe rrethinat pa energji” plus 9 more Gazeta SHQIP


OST: Linja e dëmtuar, Kukësi dhe rrethinat pa energji

Posted: 06 Jan 2017 02:17 AM PST

Operatori i Sistemit të Transmetimit, OST, bën me dije se për shkak të kushteve shumë të ashpra të motit, veçanërisht në veri të vendit ka pasur defekte në linjat e transmetimit të energjisë elektrike, konkretisht linja 110 kV Kalimash – Kukës, e cila ka lënë pa furnizim qytetin e Kukësit dhe rrethinat e tij.

OST thotë se ekipet e specialistëve vazhdojnë punën pa ndërprerje në terren, duke ezauruar çdo mundësi për rikthimin e furnizimit me energji të kësaj zone.

"Në një rast u ballafaquam me kalimin në hipotermi të specialistit të linjave, Ramadan Hallaçi, 57 vjeç,  Mbi 25 vjet teknik linjash. Punonjës i Njësisë Operative Shkodër, pjesë e OST

Mbrëmë ishte në detyrë në brigadën e Kukësit, ku pasi riparoi pjesën e parë të linjës 110 kV Kalimash – Kukës të dëmtuar nga dëbora, vijoi punën për pjesën tjetër të linjës, mbi 20 km të gjatë.

Pas më shumë se 7 orë punë në shtyllë dhe në terren të vështirë, në zonën e Qaf Malit, me temperaturë -9* celsius, punonjësi pësoi hipotermi. Aktualisht po kurohet në spitalin e Kukësit dhe është jashtë rrezikut për jetën", njofton OST.

6 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Moti i keq, Emergjencat Civile: Bllokim në disa akse, ja situata në vend

Posted: 06 Jan 2017 02:07 AM PST

Përkeqësimi i motit gjatë mbrëmjes së djeshme dhe reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar bllokimin e disa akseve rrugore, kryesisht në zonat rurale.

Në disa akse nacionale ka pasur vështirësi në qarkullim, duke bërë të detyrueshëm përdorimin e zinxhirëve për automjetet. Strukturat e Emergjencave Civile në rrethe dhe kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve kanë qenë në krye të detyrës, duke pastruar dëborën në akset rrugore, duke hedhur skorie e kripë në rrugë apo duke u ardhur në ndihmë mjeteve që kishin probleme.

Situata është paraqitur më e qetë në jug të vendit edhe pse në qarqet Korçë dhe Vlorë ka pasur vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Për shkak të motit të keq, ka probleme me furnizimin dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona në qarkun e Shkodrës, Lezhës dhe Kukësit.

QARKU KUKËS – Qarku i Kukësit vazhdon të jetë i përfshirë nga reshje të shumta dëbore me intensitet të lartë e ulje temperature. Lartësia e dëborës varion në qytete nga 20-35 cm e në zona rurale deri në 1 m në Valbonë. Në mirëmbajtjen e rrugëve janë angazhuar rreth 32 borëpastruese. • Të gjitha akset nacionale qarkullojnë me zinxhirë. Rruga e Kombit është e qarkullueshme me zinxhirë. Trashësia e dëborës ka arritur në 70 cm në Tunelin e Kalimashit. Në këtë aks punojnë 8 borëpastruese. • Akset Kukës-Bushtricë, Kukës-Krumë, Kukës –Zapod dhe Fushe Dukagjin–Qafë Shllak janë të qarkullueshme me zinxhirë ndërsa aksi Krumë-Qafë Prushi-Kam, e qarkullueshme pa zinxhirë. • Në bashkinë e Bajram Currit akse të qarkullueshme me zinxhirë janë Bajram Curri-Valbonë, Bajram Curri-Qafë Luzhë dhe Dushaj–Lekbibaj, ndërsa të qarkullueshme pa zinxhirë janë Bajram Curri-Qafë Morinë dhe Bajram Curri-Fierzë • Ndërkohë të bllokuara janë Njësia Administrative Grykë-Çaj, Kalisë, Arrën, Surroj, Zapod, Topojan, Shishtavec dhe Malzi.

QARKU SHKODËR – Në të gjithë territorin e qarkut Shkodër ka pasur reshje shiu dhe dëbore. Në bashkinë Shkodër dhe në njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Kelmend ka prezencë të dëborës edhe në akset lidhëse të tyre. Në këto njësi lartësia e dëborës shkon nga 70-110 cm. • Në bashkinë Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz, trashësia e dëborës shkon nga 80-100 cm. Në njësinë administrative Iballë, trashësia e dëborës shkon deri në 120 cm. • Segmenti rrugor Bogë-Qafë Thore, Theth- Bregu i Lumit-Mali i Shoshi-Prekal vazhdon të jetë i pakalueshëm. • Bashkia ka kontraktuar disa subjekte, të cilat kanë vënë në dispozicion mjetet dhe forca për mirëmbajtjen e segmentit rrugor Prekal-Theth, por nuk po ndërhyhet për shkak të lartësisë së madhe të dëborës. Subjekti kontraktor po punon për hapjen e segmemtit rrugor Qafë Shosh-Shalë-Theth. • Akset rrugore Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak, Qafë Mali-Dardhë-Fierzë dhe Fushë Arrëz-Iballë vazhdojnë të jenë të bllokuara. Po punohet me mjete dhe forca për hapjen e këtyre akseve rrugore. • Aksi rrugor Pukë- Qelëz është i bllokuar, ndërkohë në segmentin Fushë Arrëz-Pukë, po punojnë dy borëpastruese. Në aksin Fushë Arrëz-Iballë dhe në segmentin Fushë Arrëz-Qafë Mali po punojnë edhe dy borëpastruese të tjera. • Segmentet rrugore Tamarë-Vermosh, Tamarë-Selcë janë të bllokuar. Për hapjen e këtyre akseve rrugore po punojnë dy fadroma ndërsa në segmentin Tamarë-Kozhnje, po punojnë dy borëpastruese. Strukturat e KESH dhe OSHEE-së janë në gatishmëri dhe po monitorojnë situatën, aktualisht informojmë se nuk ka probleme në të gjithë territorin e Qarkut për sa i përket furnizimit me energji elektrike.

QARKU DIBËR – Segmentet rrugor Muhurr-Çidhen-Lurë, Muhurr-Çidhen-Reç, Muhurr-Selishtë, Lurë-Peshkopi, Klos-Ziver, Klos-Kurçelaj dhe Klos-Gurrë e Sipërme vazhdojnë të jenë të bllokuara. Ndërkohë në rrugët Qafë Bualli-Krastë dhe Ura e Çerenecit-Steblevë po punohet për hapjen e tyre. • Rruga nacionale Skuraj-Burrel, është e qarkullueshme, me zinxhir. Po punojnë 1 borëpastruese, 1 fadrome, të cilat po bëjnë hedhjen e kripës dhe skorjeve. • Rruga nacionale Burrel-Qafë Bualli, e qarkullueshme me zinxhir. Po punojnë 2 borëpastruese dhe 1 fadromë. • Rruga Nacionale Qafë Bualli-Peshkopi, e qarkullueshme me zinxhir. • Rruga Peshkopi-Kala e Dodës (Vasie), e qarkullueshme me zinxhir. • Firmat kontraktore në territorin e Qarkut Dibër po punojnë me mjete dhe forca për të mbajtur të kalueshme akset rrugore dhe të bëjnë të mundur hapjen e akseve rrugore që kanë probleme

QARKU LEZHË – Segmenti i Rrugës së Kombit, Rrëshen-Fan-Tunel është i kalueshëm me vështirësi dhe me zinxhirë dhe po mbahet gjatë gjithë kohës në monitorim nga policia. Firma kontraktore po punon me 7 fadroma. Në këtë qark të gjitha rrugët rurale janë të kalueshme por me zinxhirë.

QARKU KORÇË – Në bashkinë Korçë përgjatë natës trashësia e dëborës ka arritur 15 cm. Në Dardhë dhe Voskopojë trashësia e dëborës ka arritur 30 cm. Akset rrugore Korçë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë- Qafë Plloçë-Pogradec, Korçë-Qarre-Ersekë, janë të qarkullueshme me zinxhirë. Në Qafë Thanë, Qafë Plloçë dhe Qafë Qarri ka ngrica si pasojë e temperaturave të ulëta dhe si pasojë qarkullohet me vështirësi.

QARKU VLORË – Në Qafën e Muzinës, Qafë Gjashtë dhe Qafë Llogara si shkak i ngricave gjatë natës nuk ka pasur qarkullim, i cili rinisi mëngjesin e sotëm. Aktualisht të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme.

QARKU ELBASAN – Në bashkinë Librazhd për shkak të dëborës së rënë janë bllokuar rrugët rurale të fshatrave të Njësive Administrative Hotolisht dhe Polis. Në njësinë administrative Hotolisht janë bllokuar fshatrat Frar, Dardhë dhe Qyrë, kurse në Polis, fshatrat Gure, Shpatë dhe Vilan. • Rruga e bllokuar është Lunik-Stërblevë ku trashësia e dëborës deri në 1 m. Policia Rrugore ka monitoruar qarkullimin e automjeteve duke këshilluar drejtuesit e mjeteve të përdorin zinxhirë në segmentet problematike. Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen situata emergjente të krijuara nga kushtet e motit.

6 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Basha: Sipërfaqet me drogë u pesëfishuan në 2016-n

Posted: 06 Jan 2017 01:55 AM PST

BASHA PER TAKIMIN ME ALEATET - Kryetari i PD, Lulzim Basha, duke folur per gazetaret pas nje takimi me aleatet, ku kane diskutuar ne lidhje me Reformen ne Drejtesi./r/n/r/nBASHA IN CONFERENCE - Leader of the Democratic Party, Lulzim Basha, speaks to journalists after a meeting with allies, where they discussed about justice reform.

Lulzim Basha theksoi se sipërfaqja e mbjellë me drogë në vitin që lamë pas është pesëfishuar.

Në një postim në Facebook, Basha shkroi: "Sot nuk ka dy të vërteta për drogën. Ka vetëm një: pesëfishim i sipërfaqes së mbjellë në vitin 2016; Nuk ka dy të vërteta për bosët e krimit. Ka vetëm një: nuk kapen dhe këtë nuk e pengon vetingu. E pengon qeveria, Ministri i Brendshëm, Kryeministri. Sot nuk ka dy të vërteta për korrupsionin. Ka vetëm një: kudo ku vidhet me tendera dhe koncesione, kudo ku lartësohen ndërtime pa leje, kudo ku shqyhen, tjetërsohen e përvetësohen prona në mënyrë kriminale janë njerëzit e qeverisë dhe Kryeministrit. Nuk ka të tjerë!"

"Nuk ka dy të vërteta për hapjen e negociatave. Ka vetëm një: nuk hapen sepse nuk janë përmbushur standardet dhe sepse kemi zgjedhjet përpara dhe qeveria nuk ka besueshmërinë se mund t'i zhvillojë sipas standardeve", shtoi Basha.

6 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Lulzim Berisha, Prokuroria e Durrësit shpall mos kompetencën, çështja i kalon Tiranës

Posted: 06 Jan 2017 01:51 AM PST

Prokuroria e Durrësit ka shpallur mos kompetencën dhe ia ka kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës hetimin e nisur kryesisht për "lirimin me kusht" të të dënuarit Lulzim Berisha.

Raportohet se Prokuroria e Durrësit ka krijuar dyshime te arsyeshme se lirimi i të dënuarit ka ardhur si rezultat i "shpërdorimit të detyrës" së disa gjyqtarëve të Durrësit, të cilët kanë shqyrtuar kërkesat për ulje dënimi të të dënuarit, në kohë të ndryshme, kryesisht gjate dy viteve të fundit.

Prokuroria e Durrësit vlerëson se hetimi duhet të shtrihet edhe në vendimmarrjen e gjyqtarëve të Gjykatës së Durrësit.

Për këtë arsye, duke pasur ndalim ligjor që të zhvilloje hetime mbi gjyqtarët e të njëjtit rreth, Prokuroria Durrës shpalli mos kompetencën dhe i përcolli aktet e deritanishme për hetim të mëtejshëm në Prokurorinë e Tiranës.

6 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Mustafa: Qeveria e shqetësuar për ndalimin e Haradinajt

Posted: 06 Jan 2017 01:26 AM PST

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se ndalimi i kryetarit të AAK-së është i papranueshëm dhe fletë-arrestet e Serbisë i ka quajtur armiqësore që dëshirojnë të provokojnë situatën.

“Dëshiroj të shpreh shqetësimin e Qeverisë për këtë arrestim bazuar në një fletë-arrest të lëshuar nga Serbia politikisht dhe armiqësisht. Këto janë akte të paligjshme dhe të padrejta për të provokuar tensione dhe për të bllokuar perspektivën e euroatlantike të Kosovës. Të gjitha dikasteret e Qeverisë janë duke u angazhuar që Haradinaj të kthehet sa më shpejt në angazhimet e tij ditore”, ka thënë Mustafa para kabinetit qeveritar.

Por, kryeministri nuk ka folur për mundësinë e ndërprerjes së bisedimeve me Serbinë.

6 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Shpallet në kërkim Stresi, qëlloi me armë në ajër

Posted: 06 Jan 2017 01:05 AM PST

Reperi Arkimed Lusha, i njohur me pseudonimin "Stresi" dhe një 21 vjeçar  janë shpallur në kërkim pasi kanë filmuar veten duke qëlluar me shotgun në ajër.

Prej ditës së djeshme specialistët e komisariatit të policisë nr 4, po punojnë për kapjen e tyre.

"Këta shtetas, më datë 05.01.2017, kanë publikuar në rrjete sociale një video, duke gjuajtur në ajër me armë zjarri gjahu, të tipit 'Shotgun', në një ambient publik"

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur më datë 31.12.2016, si dhe po kryhen veprime administrative për heqjen e lejes për mbajtje arme gjahu ndaj shtetasit S. L., 61 vjeç, banues në Tiranë.

Policia thotë se është bërë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të armës së zjarri gjuetie, tip "Shotgun"

Materialet iu referuan Prokurorisë për  veprat penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetise dhe sportive" dhe "Prishje e qetësisë publike", kryer në bashkëpunim.

6 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Ngricë dhe dëborë. Vështirësi në qarkullim dhe ndërprerje energjie

Posted: 06 Jan 2017 12:51 AM PST

Reshjet e dëborës që kanë zbritur deri në qytetin bregdetar të Durrësit, Kavajës, por edhe në Tiranë, ia kanë lënë vendin ngricave në pjesën më të madhe të territorit të vendit.

Situata më e rënduar paraqitet në verilindje dhe juglindje. Akset rrugore Bulqizë-Peshkopi dhe Bulqizë-Burrel kalohen me zinxhirë me shumë vështirësi. Ura e Çerenecit-Klenjë është e bllokuar. Disa fshatra janë bllokuar dhe janë pa energji.

Probleme me qarkullimin ka edhe ne aksin Elbasan-Librazhd -Qafë Thanë. E bllokuar nga bora është njësia administrative Stëblevë, ku trashësia arrin 50 cm. Është bllokuar qarkullimi në kthesën e Murrashit, në rrugën Librazhd-Elbasan. Reshjet e borës në këto momente janë të përqendruara në verilindje dhe juglindje të vendit me intensitet të ulët.

Në mesditë, reshjet e borës do të ndërpriten, por do të ketë erë të ftohtë, që do të shkaktojë dallgëzim të fortë në bregdet deri në 8 ballë.  Pritet të ketë dhe rënie të ndjeshme të temperaturave në mesditë në zonat malore.

6 janar 2017 (gazeta-Shqip.com) T.CH

E nesërmja e një gruaje

Posted: 06 Jan 2017 12:47 AM PST

 

Alda Bardhyli

“S’ishin parë më që atë natë, kur ai e kishte puthur e ajo kishte bërë sikur s’donte të puthej. Që atë natë, ajo vetëm për të kishte menduar. Ishte matur disa herë të vente e ta takonte në punë, ti thoshte gjithçka çfarë ndjente, e që e linte pa gjumë. Ai le të bënte ç’të donte, veç ajo të merrte frymë lirisht…”.

Këto mendime orvateshin në kokën e bukur të Mirjanës, prostitutës që Dhimitër Xhuvani i dha një tjetër jetë tek romani “E nesërmja e një gruaje”. I botuar në fillim të viteve 1990, ky libër do të sillte një karakter të munguar në një letërsi, e cila që me fillesën e saj ishte përpjekur ta fshihte femrën. Tashmë me guximin e një shkrimtari, nervi i së cilit do të ndjehej që me debutimin e tij të parë më 1958-tën, “Kambanat e fundit”, Xhuvani kërkon të futet brenda karakterit të një gruaje jo të zakonshme, dhe të na tregojë brendësinë e saj. Ashtu siç kishte bërë me Din Hykën, duke e ngritur përsëri në këmbë, ai kërkon ti jap dridhërima të tjera zemre, një gruaje të përbuzur. Në vitin 1995 ky roman do të ekranizohej në filmin “Dashuria e fundit”, nën regjinë e të birit Gjergj Xhuvani, pikërisht në kohët kur dukej që dashuria kishte humbur fillin.

Mirjanën e gjeta këto ditë, në librin e vjetër, në kopertinën e së cilit, shihet vështrimi i saj, ku mungojnë disa fletë, diku në bibliotekën time, duke më risjellë në kujtesë një personazh të dashur të letrave shqipe, me të cilin dikur, ndaja dhe orë bisedash mbi letërsinë. Ashtu i qetë, me portretin ku sytë dalloheshin përmes skeletit të syzeve, Dhimitër Xhuvani fliste sesi letërsia mund ta bënte më të bukur jetën.

Historia me Din Hykën, personazhin real që e kishte frymëzuar për një nga veprat më të njohura të viteve 1970-të “Përsëri në këmbë”, vinte shpesh në bisedat me të, si një mënyrë për të treguar se letërsia ishte aty ku është jeta. Kaq vite më pas, nuk mund të riprodhosh biseda që të kanë mbajtur nën atë kureshtjen e përjetshme të artit, por arrin të kuptosh profilin e një shkrimtari të vërtetë që ka qenë me ty…

Në libraritë e Tiranës, shumë pak gjenden librat e Dhimitër Xhuvanit. Pavarësisht kontekstit kur librat e tij u shkruan, në to mund të gjesh një prozë të çliruar që mund të lexohet dhe sot. Rasti i Xhuvanit, vjen si një thirrje ndaj kujtesës se cili do të jetë fati i librave të shkruara gjatë soc-realizmit. A do të vazhdojnë ata të mbeten fshehur bibliotekave të vjetra tonat, apo ti gjejmë në tezgat e librave që shiten rrugës? Pavarësisht ideologjizmave që mund të ndjehet lehtë në libra të caktuar, risjellja e librave dhe autorëve të tillë në vëmendje të lexuesit , do ishte ndoshta më mirë se promovimi i një autori best-seller nga letërsitë e vendeve të tjera. Ndoshta se historia e Mirjanës, që ecën e vetmuar në plazhin e Durrësit, në pritje të një burri, mund të joshë më shumë se “Bij prostitute” e Kristine Gren.

AAK: Po diskutohet lirimi me kusht për Haradinajn

Posted: 06 Jan 2017 12:33 AM PST

Ahmet Isufi nga AAK ka deklaruar se është duke u diskutuar lirimi me kusht për liderin e kësaj partie, Ramush Haradinajn, që po mbahet në Francë, me urdhër-arrest të Serbisë.

Isufi ka thënë se ndalimi i Haradinajt është i pakuptimtë dhe i dëmshëm edhe për shtetin e Kosovës sepse ai është ndalur me pasaportë diplomatike.

Edhe pse Prokuroria ka kërkuar nga Serbia kërkesën zyrtare për ekstradim, në mënyrë që të vendosë për Haradinajn, Isufi ka bërë të ditur se është duke u diskutuar edhe lirimi me kusht për liderin e AAK-së.

"Nuk besoj që do ta mbajnë më gjatë Haradinajn, sepse ekziston edhe mundësia për lirim me kusht. Këto janë procedura që drejtësia franceze është duke i përfillur", ka thënë ai. "Janë procedura që po përfillen, por që është dashur me kohë të eliminohen".

Sipas Isufit, Kosova së pari duhet që të parashtrojë kushte që kanë të bëjnë me dëmet e luftës, me të pagjetur, me fondet pensionale e të kursimit, dëmshpërblimin për të gjitha ato që i ka bërë në Kosovë dhe krahas këtyre të pastrohet lista, e pastaj të shkohet në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

"Kjo vetëm e ka vështirësuar normalizimin e marrëdhënieve. Fillimisht ka pasur një dialog që janë quajtur bisedime teknike, edhe pse ne e kemi thënë që në fillim se do të jenë bisedime politike. Por e kemi përkrahur sepse kanë qenë për normalizim të marrëdhënieve. Kur kemi parë se kemi hyrë në tema që e dëmtojnë Kosovën ne kemi kërkuar ridefinim të këtij dialogu. Tash kërkojmë ndaljen e tërësishëm të këtij dialogu", ka deklaruar ai.

6 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Horoskopi – 6 janar 2017

Posted: 06 Jan 2017 12:26 AM PST

DASHI

Personat qe keni prane nuk do ta kuptojne gjendjen tuaj shpirterore sot. Do te ndjeheni disi te lene menjane per kete arsye.

DEMI

Nese doni te dini opinionin e te tjereve lidhur me nje ceshtje te caktuar mjafton qe te pyesni. Keshtu mund te jeni me te qarte ne te ardhmen.

BINJAKET

Keni pritur mjaft kohe qe nje projekt I caktuar te realizohet. Sot qe ka ardhur dita jeni te qete qe do te shijoni frytet e punes tuaj.

GAFORRJA

Po hiqni dore ne menyre te moderuar nga raporti me nje person qe pretendon shume prej jush. Me kalimin e kohes do ta shihni qe do te jeni me te qete.

LUANI

Sot po hasni ne veshtiresi per te cuar perpara nje impenjim qe jeni zotuar. Me kalimin e oreve do te filloni te hiqni dore.

VIRGJERESHA

Ju habit menyra se si jane ne te vertete disa persona te cilet nuk I kishit njohur deri me sot. Gjithsesi eshte gabimi juaj qe ju keni besuar.

PESHORJA

Sot do te arrini te kaloni nje prove te veshtire ne marredhenie me te tjeret dhe qe keni kohe qe po e shtyni.

AKREPI

Nuk duhet te mendoni ne asnje moment per punen sot sepse gjithcka duhet ti dedikohet familjes tuaj dhe njerezve qe ju duan.

SHIGJETARI

Po ekzagjeroni disi me frikerat tuaja sepse nuk do tju lene te shijoni deri ne fund momentet e bukura qe ju ofron dita.

BRICJAPI

Nese e merrni me optimizem cdo impenjim tuajin gjerat do te shkojne me se miri. Eshte me shume ceshtje mendjeje sesa fizike.

UJORI

Keni lene qe koha te kaloje pa mbyllur asgje ne praktike por do te rekuperoni ne kohe dhe do te arrini te zgjidhni gjithcka brenda dites.

PESHQIT

Sot eshte dita ideale per te takuar njerez te rinj dhe per te pare alternativa te reja ne cdo fushe te jetes. Gjerat mund te kene nje zhvillim te papritur.

6 janar 2017 (gazeta-Shqip.com) T.CH

Related Posts :