Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Për MIG-ët rusë dhe mitet e Serbisë” plus 2 more Telegrafi Opinione

loading...

“Për MIG-ët rusë dhe mitet e Serbisë” plus 2 more Telegrafi Opinione


Për MIG-ët rusë dhe mitet e Serbisë

Posted: 02 Jan 2017 07:58 AM PST

Nemanja Stjepanoviq

Arrijnë aeroplanët nga Rusia, e se sa do të kushtojnë këtë askush ende s'e di, ndërsa kryeministri serb Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se Serbia me "10 aeroplanë të fuqishëm, të tillë siç janë MIG-ët, në 14 vjetët e ardhshme do të jetë absolutisht e para në rajon".

Askush nuk e di pse bash në 14 vjetët e ardhshme, e as nuk dihet se kur ka filluar gara rajonale në armatim. Është e paqartë nëse aeroplanët janë "më të fuqishmit" edhe kur janë të përdorur – e vetmja gjë që tani dihet është motivi që t'i kemi ata: "Që njerëzit tanë më kurrë të mos e përjetojnë fatin e përjetuar në vitet 1995 dhe 1999".

Duke përmendur vitet, kryeministri si duket mendon në Operacionin Stuhia dhe ndërhyrjen ajrore të NATO-s kundër Serbisë, duke sugjeruar (dhe jo për herë të parë) se këto janë ngjarje që e kanë shënuar kryesisht të kaluarën luftarake të ish-Jugosllavisë. Në fakt, kjo sugjeron se lufta në Kroaci filloi dhe përfundoi me Operacionin Stuhia, se ndërhyrja e NATO-s erdhi nga asgjëkund dhe për asgjë, se nëse serbët nuk bashkohen, atëherë do të jenë viktimat më të mëdha të luftës dhe se nuk do të ketë përgjegjësi të regjimit beogradas të Sllobodan Millosheviqit dhe udhëheqësve të tij besnikë të Serbisë në vendet përreth për luftërat e viteve të nëntëdhjeta. Asgjë nga kjo nuk është e vërtetë, por shumica e njerëzve në Serbi mendojnë se pikërisht ashtu ka ndodhur. Pra, miti.

Si ndodhi Operacioni Stuhia në gusht të vitit 1995? Jo ashtu që dikujt papritur dhe pa asnjë arsye i kishte rënë ndërmend për ta kryer një operacion ushtarak në Krajinë, por ashtu meqë atë territor dikush më parë e kishte uzurpuar, duke e dërguar Sigurimin e Shtetit nga Serbia që atje t'i vendosë kampet e trajnimit për forcat speciale, duke i furnizuar ushtarakisht dhe me logjistikë trupat militare dhe paramilitare shtetërore dhe, ç'është më e rëndësishmja, duke e spastruar etnikisht Krajinën nga banorët civilë kroatë. Civilët serbë ishin në shënjestër të Operacionit Stuhia, kundër tyre janë kryer krime të shumta, por kjo nuk është gjëja e parë që ka ndodhur. Operacioni Stuhia përfaqëson spastrimin etnik të territorit tashmë të spastruar etnikisht dhe ripushtimin e territorit tashmë të pushtuar.

Ja vetëm një fragment nga përmbledhja e aktgjykimit të shkallës së parë të Tribunalit të Hagës për ish-presidentin dhe ministrin e Brendshëm të së ashtuquajturës Republika Serbe e Krajinës: "Rastet e përhapura të vrasjeve dhe dhunës, ndalimi dhe frikësimi kanë ndodhur kudo nëpër territorin e Republikës Serbe të Krajinës nga viti 1992 deri më 1995. Këto akte janë kryer nga forcat e Mbrojtjes Territoriale dhe MPB-së të RSK, nga APJ dhe nga banorët lokalë serbë, ndërsa e krijuan një atmosferë të tillë shtrëngimi, e cila bëri që për banorët kroatë dhe joserbët tjerë të Republikës Serbe të Krajinës nuk mbeti tjetër zgjidhje, veçse të ikin, apo që forcat e RSK-së t'i deportojnë me dhunë".

Kjo i parapriu Operacionit Stuhia. Nuk duheshin MIG-ët për ta parandaluar atë – duhej vetëm të mos e fillonin luftën, të mos e realizonin në vepër ëndrrën për Serbinë e Madhe dhe, në veçanti, të mos kryenin krime kundër kroatëve të Krajinës.

Si erdhi deri te ndërhyrja e NATO-s në mars të vitit 1999? Jo se NATO-ja e kuptoi se aq shumë i urren serbët dhe se erdhi koha më në fund për t'i bombarduar ata, por ashtu që krimet e Ushtrisë Jugosllave dhe të Policisë serbe kundër shqiptarëve të Kosovës morën përmasa të tilla, të cilat bënë që reagimi i vendeve perëndimore të ishte i pashmangshëm. Duke i qëruar hesapet me UÇK-në, Ushtria dhe Policia nuk e kursyen popullatën civile shqiptare. Përkundrazi, edhe civilët ishin cak në këtë përleshje.

Për këtë ka fakte të bollshme. Për shembull, ish-atasheu ushtarak britanik në Beograd, John Crosland, është njëri nga ata që dëshmuan në lidhje me përdorimin e tepruar të forcës në Kosovë para fillimit të bombardimeve të NATO-s. Ai tha se operacionet e përbashkëta ushtarako-policore, në periudhën e vitit 1998 dhe në fillim të vitit 1999, nuk ngjajnë aspak në përleshje me "terroristët": "Nëse e rrënoni tregun, pompat e benzinës, dyqanet, të lashtat, dhe e dëboni gjithë popullsinë e ndonjë fshati për shkak se aty ndodhej UÇK-ja, kjo nuk është mënyra më e mirë për ta fituar simpatinë e asaj popullate", fliste ish-atasheu ushtarak britanik. Ai e përshkroi sulmin ushtarak në Malishevë në vitin 1998, i cili rezultoi me largimin e 30 mijë shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, kurse në gjykimin "Shainoviqi dhe të tjerët" janë përshkruara edhe sulmet e tjera të shumta kundër civilëve në Drenicë, në luginën e Suharekës, në Deçan, Junik, Jabllanicë, Prilep, Abri të Epërme dhe në fshatra e qytete tjera që nga shkurti deri në tetor të vitit 1998.

Në përfundimin rreth ngjarjeve në Kosovë në vitin 1998, Trupi Gjykues në rastin "Shainoviqi dhe të tjerët" nënvizoi: "Provat e ofruara dëshmojnë se Ushtria jugosllave dhe MPB që nga pranvera 1998, dhe gjithnjë e më intensivisht në periudhën që nga vera deri në tetor, kryen operacione kundër UÇK-së, veçanërisht në afërsi të kufirit me Shqipërinë dhe në Kosovën qendrore. Gjatë këtyre operacioneve, në disa raste, ndodhi përdorimi i tepruar dhe pa masë i forcës, për ç'gjë dëshmon dëmtimi i qëllimshëm i shtëpive dhe shkatërrimi i tyre, si dhe vrasja e grave dhe fëmijëve".

Deri në tetor të vitit 1998, sipas të dhënave të Komisarit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, numri i personave të zhvendosur në Kosovë ka arritur në 285 mijë njerëz. Rasti "Shainoviqi dhe të tjerët" u regjistrua me numrin P736. Sulmet ndaj civilëve ishin zvogëluar pas tetorit të vitit 1998, kur Millosheviqi dhe diplomati amerikan Richard Holbrooke e nënshkruan një marrëveshje për tërheqjen e pjesshme të forcave serbe nga Kosova, por në muajt e parë të vitit 1999 u vazhdua me praktikën e sulmeve mbi fshatrat shqiptare. Pasuan përpjekjet e reja për paqe, por pa sukses, dhe atëherë fillon ndërhyrja e NATO-s, në kohën kur ishin vrarë afro 1,500 civilë shqiptarë dhe ishin dëbuar qindra mijëra të tjerë.

Prandaj, për ne nuk "ndodhën" vitet 1995 dhe 1999, por ato ishin rezultat i ngjarjeve të mëparshme, në të cilat "ne" e kishim një ndikim vendimtar. "Ne" nuk e "përjetuam fatin" në vitet 1995 dhe 1999, por fatin e shkaktuam më parë, para së gjithash me aktet fyese ndaj të tjerëve dhe duke u përpjekur për ta realizuar ëndrrën për dominim në rajon dhe për krijimin e Serbisë së Madhe.

Në vend që pasardhësve të tij t'ua shpjegojë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën dhe prej nga ndodhi "fati i keq" për popullin e tij, kryeministri e përforcon bindjen e keqe për urrejtjen rajonale dhe botërore ndaj serbëve, nga e cilat ata do të mbrohen me MIG-ët (të paktën në 14 vjetët e ardhshme).

E përsëris: vitet 1995 dhe 1999 nuk do t'i evitojnë MIG-ët, por duke hequr dorë nga mitet dhe ëndrrat e dominimit rajonal ushtarak dhe politik. Në anën tjetër, do të ishte shumë e rrezikshme nëse kryeministri me të vërtetë mendon se gjithçka që ka ndodhur deri në gusht 1995 dhe deri në mars 1999 ka qenë në rregull dhe se do të duhej të parandaloheshin vetëm Operacioni Stuhia dhe bombardimi i Republikës Socialiste të Jugosllavisë nga NATO-ja.

(Autori është hulumtues i Fondit për të Drejtën Humanitare)

The post Për MIG-ët rusë dhe mitet e Serbisë appeared first on Telegrafi.

Historiku i ndërtesës ku është vendosur RTK-ja dhe pronarët e vërtetë të kësaj pasurie

Posted: 02 Jan 2017 07:38 AM PST

Shemsi Bajram Ajvazi

Dëgjova këto ditë lajmin se AKP-ja do ta dëbojë RTK-në nga ndërtesa në të cilën gjendet. Dëshiroj që të zbardhi të kaluarën e kësaj ndërtese dhe se as RTK-ja as AKP-ja nuk kanë kurrfarë të drejte për pretendimet e tyre

Në oborrin e ndërtesës ku gjendet RTK-ja, ka qenë një shtëpi e stilit oriental me një oborr me sipërfaqe të madhe mbi dhjetë ari. Në oborrin e saj ka qenë një çezme private me ujë të pijshëm nga Gërmia e cila ka pas kapacitet të madh dhe nga uji i saj që rridhte ditë e natë, formohej një përroskë që arrinte deri në lumin Prishtevka.

Këtë shtëpi një hebre i Prishtinës e ka blerë në kohën e tërheqjes së Perandorisë Osmane, nga një funksionarë i lartë i Perandorisë .Në atë kohë, shtëpitë e shtrenjta shiteshin në lira të arit. Hebreu me familjen e tij (gruan dhe një djalë mocanik i imi ) ka jetuar në atë shtëpi edhe në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe nuk ka pësuar asnjë të keqe, pasi që ishte komshiu ynë i parë. Ne banonim në rrugën që shpie nga Xhamia e Madhe kah pazari, aty sot banon vëllai im dhe kushërinjtë tanë.

Në të vërtetë, hebreu ka gëzuar mbrojtjen e babait tim, Bajram Ajvazit, i cili gjatë luftës – siç thuhet "në kohë të Shqipnisë" – ishte kryetar i Kuvendit të komunës së Prishtinës. Ai ka qenë një ndër pasanikët më të mëdhenj të Llapit dhe të Prishtinës. Për Bajram Ajvazin dhe patriotizmin e kontributin e tij duhen të shkruhen disa libra, por tani fjala është për "ndërtesën e RTK-së".

Menjëherë pas luftës, pasi që hebrenjve të shpëtuar u hapet mundësia që të emigrojnë në Evropë, ai i ofron babait tim shtëpinë për ta blerë dhe ai e blen dhe e paguan me lira të arit, sikur që hebreu e kishte blerë nga turku. Dhe, familja jonë menjëherë u vendos në këtë shtëpi e cila në katin përdhesë kishte katër dhoma dhe në katin e epërm katër dhoma dhe një korridor të madh të ndriçuar nga penxheret e mëdha në formë ovale.

Por, në vitin 1948 fillon ndjekja e vërtetë ndaj atdhetarëve shqiptarë, nën pretekstin e luftës kundër informbyrosë . Në këtë kohë, për të dytën herë burgoset babai im dhe i konfiskohet tërë pasuria në Peran, Podujevë dhe Prishtinë. Familja jonë dëbohet nga shtëpia në mes të dimrit, e etiketuar si familje "armike e popullit".

Menjëherë pas dëbimit tonë, në oborrin e shtëpisë sonë ndërtohet një barakë e madhe me disa paralele dhe aty fillon së vepruari shkolla e partisë, të cilën e ndiqnin të rriturit shqiptarë e serbë.

Pas disa viteve baraka rrënohet dhe në vend të sajë ndërtohet ndërtesa e sotme dhe aty vendoset Komiteti krahinor i Partisë Komuniste, ku ka qenë një kohë të gjatë. Dhe, pas kalimit të Komitetit në ndërtesën e re në qendër, aty vendoset Radio Prishtina e disa ente tjera, dhe më vonë RTV i Prishtinës.

Në këtë moment dy uzurpues, RTK-ja dhe AKP-ja, po luftojnë për plaçkën që e la pas veti Partia komuniste. Një ditë kur do të sundojë ligji në Kosovë, kjo pasuri dhe kompensimi për dhunën dhe plaçkitjen e dhunshme do tu kthehet pronarëve të vërtetë.

The post Historiku i ndërtesës ku është vendosur RTK-ja dhe pronarët e vërtetë të kësaj pasurie appeared first on Telegrafi.

Kurthet e vitit në ikje

Posted: 02 Jan 2017 07:30 AM PST

Po ikën ky vit. Dikush thotë: kurrë mos u ktheftë! Dikush mund ta kujtojë në mënyra të ndryshme, duke e zgjedhur pjesën e mirë të tij, tjetri, pjesën gjysmë të mirë…!

Zgjedhjet personale nuk gjykohen derisa ato janë vetëm “personale”. Por, ndërsa që historia njerëzore ngjason me gishtat e dorës, ajo s’ka qenë asnjëherë e barabartë.

Mbase, këtu e kërkojmë të kaluarën, e kujtojmë “ikjen” e kohës duke u përpjekur që shkëlqimin e jetës ta ndërtojmë me luftën e përhershme për liri, barazi, vëllazëri. Pra, matja e kohës, një gjest që disa herë nuk na pëlqen, reflektohet më së shumti në ndërrimin e viteve, tek ky kufi i lëvizshëm kohor nga pikëpamja jonë psikofizike.

Prandaj, sado që ikja apo ndërrimi i viteve personifikon momente relaksimi, është kujtesa ajo që na lidhë me të gjitha ditët, më shumë a më pak, gjithnjë me idenë nëse patëm fat, nëse realizuam qëllimet tona, nëse viti që iku na solli më shumë brenga e mërzi se sa fat e lumturi…!

Nga iluzionet dhe ëndrrat e fillimvitit do të kishim dashur gjatë gjithë vitit në ikje t’u bënim ballë realiteteve, pa pyetur për sfidat dhe kurbanet e kohës. Por, ato “realitetet” shpesh nuk janë personale dhe më shpesh burojnë nga një zinxhirë gjërash dhe faktorësh sa natyrorë, po aq edhe shoqërorë.

E, si kemi vepruar ne…?

Disa, në maratonë e sipër jemi përballur me peshën e ekzistencës duke u munduar ta balancojmë moralin me antimoralin. Dikush nga ne ka këputur litarët e natyrshëm të ekzistencës për t’u shfaqur i lirë përpara Zotit dhe Ligjit. Një tjetër i ka dhënë vetës të drejtë të mendoj se nëse do ta ndiqte shpejtësinë, do ta arrinte sfidimin e dritës! Tjetri, duke e përbuzur peshën e përbashkët të hises së Diellit, ka ndjekur udhën e zjarrit. E, kështu, pa fund: sfidime, ëndrra, ngarendje, mërzi, kurthe, shkallime natyrore, ligjore, morale…

Shpejtësia, zjarri dhe uji i turbullt janë pak a shumë kurthet e natyrës (vis majoris), të cilave s’u dilet përpara. Nganjëherë ato shfaqen si dënim, dhe në të shumtën e rasteve si mallkim! Fatkeqësisht, ka edhe aq shumë kurthe jo natyrore, kurthe të imagjinuara që shpejt kthehen në të materializuara, kurthe të planifikuara me plotë ide mizerable, me plotë skema të mjegullta fillimi ose fundi i të cilave shkëlqen nga trishtimi. Prandaj, edhe duhet të pajtohemi me thënien se çka komploton mendja e njeriut as djalli nuk di dhe as ai s’i bie në fije…!

Në konceptimin e fenomenit kurth, pritë, cak, dakik etj., lypset më shumë vëmendje dhe sigurisht, më shumë organizim sfidues, jo në aspektin individual, por në atë shoqëror dhe shtetëror. Viti na shërben për këso lutje e meditime. Në fakt për këso veprime, sepse realiteti po ndryshon më shpejtësi të madhe në sytë tanë dhe ndryshe nga të papriturat kurthet po bëhen një lloj stili, një lloj riti, dhe padyshim një lloj kulture duke qenë se ato, kurthet, s’janë burim i modernitetit. Në fakt, kurthet kanë historinë e tyre të lashtë, ndërkaq s’do mend se ato sot janë kthyer në fenomen të modernitetit sa nga dendësia, po aq edhe nga perfeksioni…!

Kurthet, janë kudo: në trendin tonë të jetës private dhe publike, në politiikë, në ekonomi, në biznes, në arte, në teknologji, në industri etj. Ato, janë kthyer në orgji dhe fatalitet duke e maskuar vitin, duke e gozhduar kohën, duke e goditur interesin individual dhe shoqëror, duke e zhvendosur realitetin në irracionalitet, duke e shkatërruar moralin, lirinë, shkencën etj.

Kurthet, përgjatë vitit në ikje, penetrojnë me ngulm ta makiavelizojnë secilën ëndërr që kemi. Ato, në mynxyrat më perfide, po e shkaktojnë rrënimin e kodeve njerëzore, etikën, zakonet, kulturat standarde, planet e qeverisjeve me perspektivë, vizionin ekzistencial shoqëror dhe shtetëror, madje po synojnë edhe rrënimin e kodeve natyrore dhe hyjnore! Pra, ato po përpiqen ta rrëmbejnë vetëdijen tonë për ta kthyer në substancë pa vlerë, me një fjalë: në hiq…

Fundviti na e bënë të qartë tashmë se kurthet synojnë një denacifikim kolektiv njerëzor si mënyrë për ta shpërfytyruar lirinë natyrore dhe hyjnore: kufirin e fundit që na ndanë nga kaosi…

Por, njerëz, përtej këtij kufiri ne e humbim statusin që kemi: atë të Homo Sapiensit. Prandaj, viti në ikje duhet të na e kujtojë këtë të vërtetë, kurse fillimviti luftën me të cilën e shpëtojmë qenien tonë nga mërzia dhe pesha e hirtë e plotë brenga që na sjellin kurthet. Por, ndërsa që historia njerëzore ngjason me gishtat e dorës dhe se ajo e dimë që s’ka qenë asnjëherë e barabartë për të gjithë njerëzit, kjo nuk duhet të na dëshpërojë dhe as të na fus në humnerën e urrejtjes dhe të hakmarrjes. Përkundrazi, duhet të na mbajë në balancë me idetë dhe me veprimet për t’i ndjekur udhët e së mirës, ngase ne jemi njerëz, e kurthet bëhen nga jonjerëzit, me një fjalë nga barbarët…

A jemi ne ata…?

Secili të pyes vetën e tij. Sigurisht, përpara se të gjendet në kthetrat e së keqes, apo në udhën që s’ka dalje.

Gëzuar njerëz të mirë. Ndihmojeni dhe duajeni njëri-tjetrin. Mbrojeni lirinë me dashuri e vetëbesim. Atdheun. Shoqërinë e hapur dhe demokratike. Sfidojeni mizorinë, absurdin, demagogjinë, mashtrimin, teknologjinë e kurtheve….

Paçi më shumë fat më 2017…

The post Kurthet e vitit në ikje appeared first on Telegrafi.

Related Posts :