Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Përballë Francës…” plus 2 more Telegrafi Opinione

loading...

“Përballë Francës…” plus 2 more Telegrafi Opinione


Përballë Francës…

Posted: 06 Jan 2017 12:44 PM PST

Pandeli Majko

Arrestimi i Haradinajt në Francë padyshim që ka ngjallur një diskutim për raportet edhe me këtë vend. Po ndodh ajo që nuk duhet. Ka mjaft shqiptarë të cilët tani po e shohin Francën me dyshim dhe armiqësi.

Pa dalë ende vendimi fundor i gjykatës franceze dëshiroj të them se cfarë më ka tërhequr vëmendjen në këtë histori.

Padyshim që është i pashmangshëm reagimi i panatyrshëm i zonjës Lë Pen, lidere e ekstremit të djathtë francez dhe kandidatja për Presidente të Francës. Marine Le Pen përmes rrjetit "Tuitter" ka shpërndarë në mënyrë të cuditshme lajmin për arrestimin e Ramush Haradinajt, për të cilin ka shkruar se "drejtësia duhet të vihet në vend".

Por… nuk mund të anashkalohet as deklarimi i ambasadorit francez në Prishtinë, Chabert i cili nënvizoi si përfaqësues i Parisit zyrtar se krejt kjo histori mund të mos ndodhte fare nëse kryetari i AAK-së do informonte Ambasadën Franceze se do udhëtojë në Republikën e tyre.
Kush e njeh politikën franceze di të thotë që ka shumë pak gjëra për të cilat në politikën e jashtme të saj të gjesh dallime të natyrave të tilla si rasti i Haradinajt.

Kosova është një projekt europian dhe si i tillë ai nuk është vetëm sukses i shqiptarëve dhe serbëve që e duan atë. Zonja Lë Pen është një antieuropiane e deklaruar. Ajo duhet mirëkuptuar në qëllimin e saj. Kthimi i shqiptarëve në konfliktualë është qëllim antieuropian. Për ironi ambasadori francez në Prishtinë përfaqëson Francën e zënë në befasi dhe jo vetëm kaq.

Duket ironike që shqiptarët e mërzitur sot me Europën janë në fakt mbrojtësit e saj.

Koha për këtë krizë "shqiptare" i ngjan "krimit perfekt". Në Uashington po ndrohen administratat. NATO pas daljes së Britanisë ka një cekulibrim të natyrshëm të forcës europiane në të. Turqia është nën presionin më të madh që nga ekzistenca e saj si shtet. Rajoni është konfuz dhe në një garë armatimi që fillon me "dhurata". Kjo po thellon ndarjet dhe nxit më shumë krizën e marrëdhënies së Brukselit me rajonin.

Pas "Krimesë", është hapur një precedent për të cilin vlen të vlerësohet si "fakti i kryer" në marrëdhëniet e sotme ndërkombëtare. Ai në kushte të rajonit të Ballkanit mund të hapi një kapitull ngjarjesh ku Alepoja do të dukej ngjarje e "vjetër". Po kërkohet dështimi i Europës në pikën e saj të njohur si delikate… Ballkanin.

Pak ditë më parë në Harkun e Triumfit në Paris u urua në shqip viti i ri. Kampionati Europian i futbollit cuditi francezët të cilët panë tifozët shqiptarë aq europianë dhe që natyrshëm një gazetë franceze e shprehu aq bukur "Shqiptarë ejani përsëri!…"

Parisi është Kryeqyteti i pashpallur i civilizimit europian. Franca meriton dashurinë e shqiptarëve.

Ka shumë që besojnë se Franca respektohet nga shqiptarët më shumë se sa ajo na e kthen këtë. Ata që nuk duan ta kuptojnë se Franca ka ndryshuar e kanë një provë. Kjo është zonja Le Pen. Ajo nuk është Franca. Sigurisht.

The post Përballë Francës… appeared first on Telegrafi.

A ishte 2016-ta, viti më i mirë?

Posted: 06 Jan 2017 12:38 PM PST

Sipas mendimit të përgjithshëm, 2016 ishte një vit i tmerrshëm. Sulme të tmerrshme terroriste goditën shumë vende. Kriza siriane mori dhjetëra mijëra jetë. Turqia pa sulme vetëvrasëse me bomba dhe një grusht të dështuar shteti. Më shumë se 70 vende përjetuan një rënie të lirisë. Tronditjet politike përfshinë Brexit dhe fitoren e Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara – të dyja të paparashikuara nga media apo elitat politike. Zika u shpall një emergjencë ndërkombëtare e shëndetit publik. Viti ishte një nga më të ngrohtët në histori.

Duke lexuar faqet e opinioneve, ekziston një ndjesi se bota po përballet me një të keqe që kalon çdo ngjarje individuale dhe se njerëzit po bëhen gjithnjë – në një shkallë të rrezikshme – e më të përçarë. Por nëse hedhim një hap pas, është e qartë se ekzistojnë shumë arsye për të qenë optimistë. Në shumë mënyra, ne jemi gjallë në çastin më të mirë në histori. Për më tepër, disa gjëra për të cilat ne shqetësohemi më shumë, falë lajmeve 24-orëshe dhe medias sociale, nuk janë çështjet që duhet të na mbajnë zgjuar natën.

Të marrim parasysh rritjen e pabarazisë, një nga çështjet më të adresuara gjatë vitit. Sigurisht, gjatë dy shekujve të fundit, hendeku mes të ardhura më të larta dhe më të ulëta është rritur. Por kjo për shkak se thuajse kushdo ka qenë shumë i varfër në 1820. Më shumë se 90% e njerëzimit jetonte në varfëri absolute.

Pastaj mbërriti Revolucioni Industrial, duke sjellë rritje të shpejtë kudo që u përhap, me Kinën që nga 1978 dhe Indinë që nga 1990 që regjistruan norma veçanërisht të larta. Si rezultat, vitin e shkuar, më pak se 10 për qind e popullatës botërore po jetonte në varfëri absolute.

Për më tepër, zhvillimet ekonomike po kontribuojnë në një lulëzim të klasës së mesme globale, numrat e të cilës janë më shumë se dyfishuar, nga rreth një miliardë njerëz në 1985 në 2.3 miliardë në 2015. Ky pakësim i madh i varfërisë ka sjellë një rënie të pabarazisë globale të të ardhurave gjatë tre dekadave të fundit.

Pabarazia ka rënë edhe në pjesë të tjera matëse gjithashtu. Që nga viti 1992, numri i njerëzve të uritur në shkallë globale ka rënë me më shumë se 200 milionë, edhe pse popullata njerëzore u rrit me rreth dy miliardë. Përqindja e njerëzve që po vdesin urie thuajse është përgjysmuar nga 19% në 11%.

Në 1870, më shumë se tre e katërta e botës ishte analfabete dhe aksesi në arsim ishte edhe më i pabarabartë se të ardhurat. Sot, më shumë se katër nga pesë persona mund të lexojnë dhe të rinjtë kanë akses të paprecedentë në shkollim. Analfabetët vijnë kryesisht nga brezat më të vjetër.

Historia është e ngjashme në shëndet. Në vitin 1990, thuajse 13 milionë fëmijë vdisnin përpara moshës 5-vjeçare çdo vit. Falë vaksinave, ushqimit më të mirë dhe kujdesit shëndetësor, numri ka rënë në poshtë gjashtë milionë. Më gjerësisht, pabarazia e jetëgjatësisë është më e ulët sot, për shkak se shpikjet mjekësore që ishin të disponueshme vetëm për elitën një shekull më parë tani janë më të aksesueshme për këdo.

Thënë shkurt, bota nuk po shkon në ferr. Dhe ndërsa shumë probleme duhen zgjidhur ende, ato shpesh nuk janë ato që zënë më shumë hapësirë në mendimet tona dhe debatin publik.

Zgjedhja e Trump shkaktoi analiza nga opinionistë që tremben se refuzimi i mundshëm i marrëveshjes klimatike të Parisit nga ana e tij mund të "prishë qytetërimin". Por marrëveshja e Parisit nuk do të zgjidhte kurrë ngrohjen globale. Në fakt, sipas vetë OKB, pakësimi i rënë dakord i çlirimit të CO2 do të prodhonte vetëm 1 për qind të pakësimit të nevojshëm për të mbajtur rritjen e temperaturës globale nën 2 gradë Celsius të niveleve para-industriale.

Përkundrazi, premtimi i Trump për të prishur marrëveshjet tregtare ka marrë shumë pak kundërshtim. Përkundrazi, kundërshtimi ndaj tregtisë është i përbashkët në Nju Jork, Berlin dhe Paris. Por analiza kosto-përfitime tregon se tregtia më e lirë është mënyra e vetme më e fuqishme për të ndihmuar qytetarët më të varfër të botës. Sipas kërkimit të kryer nga organizata ime Qendra për Konsensus e Kopenhagenit, rigjallërimi i bisedimeve të tregtisë së lirë Doha Development Round, do të rriste të ardhurat e miliarda njerëzve kudo në botë, ndërsa pëksonte numrin e njerëzve në varfëri me 145 milionë në 15 vite.

Shqetësimet tona të shëndetit global janë po ashtu të shtrembra. Ne e kaluam shumicën e 2016 duke u shqetësuar rreth virusit Zika, veçanërisht sapo kaloi në SHBA. Dhe është e vërtetë se Zika, që ka pasoja shkatërrimtare për fëmijët, është një shkak për t'u shqetësuar në Brazil dhe gjetkë. Megjithatë, tuberkulozi, që mori relativisht më pak vëmendje, mbetet vrasësi më i madh infektiv në shkallë globale.

Ne dimë si ta trajtojmë tuberkulozin, ashtu sikurse dimë si të pakësojmë vdekjet e fëmijëve dhe të frenojmë kequshqyerjen. Këto sfida globale vazhdojnë të ekzistojnë në shkallë jo të vogël, për shkak se fokusi ynë është i përqendruar në probleme të tjera.

Le të mendojmë se çfarë duhet bërë më mirë në 2017. Ne duhet të ndalojmë përkushtimin e vëmendjes në çështje të gabuara dhe zgjidhje të dështuara. Për ndryshimin klimatik, për shembull, duhet të përqafojmë kërkime dhe zhvillim për ta bërë energjinë e gjelbër alternativën më të lirë ndaj karburanteve fosile. Dhe duhet ta ulërasim nga të gjitha anët se tregtia e lirë është politika më efektive anti-varfëri.

Njëkohësisht, duhet të kemi parasysh se indikaturët më të rëndësishëm tregojnë se jeta është më e mirë sot sesa ishte në të shkuarën. Ne duhet të festojmë progresin që kemi bërë ndaj sëmundjeve, urisë dhe varfërisë. Dhe duhet të vazhdojmë të çojmë përpara këtë progres, duke u përqendruar te investimet inteligjente të zhvillimit që janë të nevojshme për të zgjidhur problemet reale me të cilat përballemi. / Project Syndicate/reporter.al/

The post A ishte 2016-ta, viti më i mirë? appeared first on Telegrafi.

Ilir Ikonomi, gazetari që trondit historinë

Posted: 06 Jan 2017 12:30 PM PST

Namir Lapardhaja

Libri i fundit i Ilir Ikonomit "Esat pashë Toptani – Njeriu, Lufta, Politika", me pak përjashtime (promovimi i tij në auditorët e UET-së dhe disa shkrime në faqet e gazetës "Mapo" apo gjetkë), ka kaluar në heshtje nga historianët.

Edhe pse historia nuk është fushëveprimi i tij kryesor, Ikonomi ka arritur që më katër libra në këtë lëmë të tregojë siguri, aftësi, mjeshtëri dhe kontroll të plotë e autoritar. Për shkak të emrit të Esat Pashës, veprimtarisë së tij, për arsye se për gati një shekull mbi figurën e tij është hedhur vetëm baltë, vrer; shpeshherë emri i tij është përdorur si sinonim i tradhtisë, dredhisë dhe i atij që për interesat e ngushta personale ka qenë i aftë të shesë fatin e atdheut; normalisht, pas daljes në dritë të këtij libri duhet të kishte një reagim nga studiuesit e historisë që janë marrë me këtë periudhë dhe me figurën që trajton autori. Sepse, një rol të madh në projektimin e një Esati të tillë, përveç bashkëkohësve, shpeshherë kundërshtarë të hapur të tij politik, kanë dhënë edhe ata, të cilët e kanë ravijëzuar figurën e Pashait sipas oreksit, tekave, dëshirave të kohës, momentit dhe situatës, duke mos mbizotëruar vetëdija shkencore, por ajo emocionale, klasore dhe politike. Heshtja përgjatë këtyre tre muajve që libri është në treg duket si përgjigjja më e mirë e tyre, por, sigurisht, jo e duhura.

Çdo vepër, pavarësisht reagimit ose jo të kritikës, ka fatin e saj, të cilin, shpeshherë, e vendos lexuesi. Kur mbaron se lexuari "Esat Pashën" arrin të kuptosh se nuk ke përfunduar faqet e një libri voluminoz thjesht për një figurë të panjohur historike, por, mbi të gjitha, ke krijuar një bindje të palëkundur dhe të faktuar se çfarë kanë qenë shqiptarët dhe politikanët e tyre, që në zanafillë të krijimit të shtetit shqiptar. Esat Pasha, i anatemuar shpeshherë, si armik dhe tradhtar, nuk mund të shihet i shkëputur jashtë kontekstit historik, politik dhe social të kohës në të cilën jetoi dhe punoi. Mjeshtëria e autorit qëndron pikërisht në paraqitjen e fakteve dhe në paanësinë e tyre. Madje, Ikonomi e pranon vet një gjë të tillë: ai nuk merr përsipër të rehabilitojë Pashanë, por të na paraqesë një Esat të vërtetë, të drejtë, me të mirat dhe të këqijat e tij. Ikonomi është skrupuloz, me një vetëdije të jashtëzakonshme prej shkencëtari, ai nuk ngurron të pranojë pamundësinë e tij të verifikimit të materialeve të ndryshme, kur i është referuar në momente të caktuara.

Vepra është e guximshme. Ajo arrin të përmbysë një herë e përgjithmonë, me fakte, dokumente dhe argumente pikërisht "çelësin" e sekretit të anatemimit të figurës së Esat Pashës. Në vepër del qartë se ishte uria dhe skamja arsyeja e vërtetë e dorëzimit të Shkodrës te malazezët dhe jo tradhtia e Esat Pashës, ashtu siç ka mbizotëruar në historiografinë zyrtare. Madje, dorëzimi dhe largimi nga kalaja e Rozafës është mjaft dinjitoze, e shoqëruar me një ceremoni të denjë për heroizmin e Pashait dhe të luftëtarëve shqiptarë e osmanë. Kthimi në Durrës, ecejaket e tij mes Vlorës dhe Durrësit, mëritë, inatet, sulmet, kontradiktat, sherrnajat me Ismail Qemalin, nuk mund të shihen të shkëputura nga konteksti politik i kohës. Ndikimi i tij në popull, aleanca me njerëzit më të rëndësishëm të qeverisë së Vlorës, aftësia e tij për të bërë kompromise, përdorimi prej tij i mendjeve dhe penave më të spikatura të kohës, shqisa e të nuhaturit, e vetmja që mbizotëronte tek ai, por edhe oratoria e tij natyrale, e bëjnë Esat Pashën një politikan të klasit të parë, të qartë, me synime të mirëpërcaktuara dhe një personalitet të pashoq për kohën kur jetoi dhe veproi.

Pashai në vepër del një makiavelist par exellent, me aftësi të jashtëzakonshme politike dhe diplomatike, personaliteti i respektuar më shumë nga kancelaritë evropiane të kohës, i dekoruar nga Austro-Hungaria dhe Italia, i pritur në audiencë nga Presidenti Wilson në Konferencën e Paqes në Paris dhe më i qartë nga të gjithë pjesëtarët e delegacionit zyrtar shqiptar për sa i përket rolit të Italisë në vend dhe kthimit të kufijve të Shqipërisë në ato që përcaktonte Konferenca e Ambasadorëve në 1913. Mbi të gjitha, ndërkohë që qeveria anemike e Turhan Pashë Përmetit përpëlitej dhe hezitonte në Durrës lidhur me qëndrimin që duhet të mbante Shqipëria, Pashai e kishte të qartë që vendi i tij duhet të bashkohej me forcat e Antantës gjatë Luftës së Parë Botërore, duke u renditur kështu në anën e fituesve. Sigurisht që Esat Pasha nuk ishte engjëllor, por lexuesi i ka të gjitha aty: edhe të mirat, edhe të këqijat, edhe faktet, edhe dyshimet, edhe të vërtetat, edhe supozimet.

Ilir Ikonomi karakterizohet nga mjeshtëria e të shkruarit, çka e bën veprën të dashur dhe lehtësisht të lexueshme për një publik të gjerë. Profesionalizmi i tij në paraqitjen e dokumenteve historike, përdorimi i materialeve arkivore si dhe vënia e tyre në dispozicion të lexuesit, bëjnë që puna e jashtëzakonshme e Ikonomit të jetë e pakrahasuar me asnjë tjetër.

The post Ilir Ikonomi, gazetari që trondit historinë appeared first on Telegrafi.

Related Posts :