Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Presidenti Thaçi takon senatorin Doll” plus 9 more Telegrafi Kosovë

loading...

“Presidenti Thaçi takon senatorin Doll” plus 9 more Telegrafi Kosovë


Presidenti Thaçi takon senatorin Doll

Posted: 09 Jan 2017 02:39 PM PST

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili së fundmi ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka njoftuar se është takuar me senatorin amerikan, Robert Doll.

Siç ka bërë të ditur vetë Thaçi përmes një postimi në Facebook, gjatë takimit me senatorin Doll kanë "diskutuar gjerë e gjatë të kaluarën dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së për lirinë e Kosovës".

Postimi i plotë i Thaçit në Facebook:

U ndava, si gjithmonë, me përshtypjet më të mira nga takimi me mikun e madh të shqiptarëve, senatorin Robert Doll.

Në takimin e përzemërt që patëm, diskutuam gjerë e gjatë të kaluarën dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së për lirinë e Kosovës.

Natyrisht, senatori Doll ka qenë një ndër kontribuuesit kryesor në afirmimin e çështjes së Kosovës dhe aspiratës për liri dhe pavarësi.

Por, fokusi i bisedës ishin zhvillimet aktuale në Kosovë dhe nevoja që SHBA-ja të vazhdojë të luajë rol udhëheqës për të gjitha proceset e rëndësishme në Kosovë dhe në rajon.

E falënderova, në emër të qytetarëve të Kosovës, senatorin Doll për kontributin e tij personal për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në shenjë mirënjohjeje i dhurova një suvenir me hartën e Kosovës të bërë me gurë mineralë nga toka e jonë.

Duhet gjithmonë të jemi mirënjohës për të gjithë ata që ndihmuan Kosovën. Ne jemi të bekuar që kemi miq të tillë si senatorin Doll. /Telegrafi/

The post Presidenti Thaçi takon senatorin Doll appeared first on Telegrafi.

Besa Luzha: Në Akademi e UP është bërë balanci mes LDK-së e PDK-së (Video)

Posted: 09 Jan 2017 02:31 PM PST

Profesoresha e Fakultetit të Arteve, Besa Luzha ka deklaruar në emisionin “Përballje” se perceptimi për politizim të Akademisë është edhe nga koha e para luftës dhe ka vazhduar edhe pas luftës edhe me Universitetin Publik “Hasan Prishtina”.

Sipas saj, nëse perceptimi është që në Akademi janë njerëz nga LDK ndryshe ka ndodhë me UP-në ku aty kanë qenë njerëz të PDK-së.

The post Besa Luzha: Në Akademi e UP është bërë balanci mes LDK-së e PDK-së (Video) appeared first on Telegrafi.

Flet avokatja e Haradinajt në Hagë – cilat janë sipas saj alternativat e mundshme para drejtësisë franceze (Video)

Posted: 09 Jan 2017 02:11 PM PST

Ish kryeministri i Kosovës dhe Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, vazhdon të mbahet në paraburgim në qytetin Colmar në Francën lindore. Zoti Haradinaj u arrestua javën e kaluar bazuar në një urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga qeveria e Serbisë. Ndalimi i tij nga autoritetet franceze ka ngritur një sërë pikëpyetjesh për anën ligjore të këtij rasti. Zëri i Amerikës ka biseduar me doktoren e shkencave juridike Rudina Jasini, eksperte e së drejtës penale ndërkombëtare. Ajo ka qenë njëkohësisht në grupin e avokatëve të zotit Haradinaj që bëri mbrojtjen e tij në Gjykatën e Hagës, në vitin 2004.

Zonja Jasini, në mendimin tuaj, a duhej ta kishin ndaluar zotin Haradinaj autoritetet franceze? A mund ta injoronin ato urdhër-arrestin e Interpolit?

Jasini : Arrestimi i Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze ka ngritur disa pyetje në kuadrin juridiko-ligjor dhe në kuadrin politiko-diplomatik. Akuzat për të cilat është dhënë urdhri i arrestit në vitin 2004, janë të përmbledhura në akuzat mbi të cilat tribunali i OKB-së për ish-Jugosllavinë është shprehur qartë në dy procese: në të parin, atë të gjykimit dhe në procesin e rigjykimit. Në të dyja proceset tribunali është shprehur shumë bindshëm mbi pafajësinë e Haradinaj dhe dy të akuzuarve të tjerë.

Zoti Haradinaj është gjykuar nga Haga (siç e thatë edhe ju) a është ky argumenti kryesor i avokatëve të tij mbrojtës? A ekziston mundësia që të ketë akuza të reja të ngritura nga autoritetet franceze mbi të cilat zoti Haradinaj mund të ekstradohet?

Jasini : Në një deklaratë që ka bërë kryeministri i Serbisë lidhur me arrestimin e Ramush Haradinajt përpara pak ditësh, ai është shprehur se bëhet fjalë për një numër akuzash të cilat nuk ia vlen as të numërohen, duke përfshirë këtu edhe akuzat e ngritura mbi veprimet në Glogjan dhe liqenin e Radoniqit. Për ata që e kanë njohur çështjen Haradinaj në tribunalin e OKB-së, kanë qenë pikërisht këto akuza që kanë përbërë thelbin e gjykimit dhe të rigjykimit. Por është e rëndësishme të diskutohet nëse ky ndalim nga autoritetet franceze është bërë mbi bazën e disa zbulimeve të reja, apo është bërë tërësisht mbi bazën e urdhrit të arrestit të lëshuar në vitin 2004.

Cilat janë sipas jush alternativat e mundshme para drejtësisë franceze?

Jasini : Këtë të enjte, Gjykata e Apelit në Colmar të Francës do të ketë një seancë dëgjimore lidhur me çështjen e arrestimit, por gjithashtu do të shqyrtojë edhe nëse ekzistojnë argumente të fuqishme për ekstradimin. Jam e bindur se nëse Haradinaj gjykohet mbi akt-akuzën e lëshuar në vitin 2004, atëherë ai nuk ka se si të ekstradohet. Por nëse do të gjykohet mbi bazën e disa të dhënave të tjera për të cilat ne nuk mund të kemi dijeni, atëherë mbetet për t'u parë se çfarë do të vlerësohet në seancën dëgjimore të enjten.

A mendoni se kemi të bëjmë thjesht me një procedurë teknike të Intrepolit, apo edhe me përfshirjen e faktorëve politiko-diplomatikë në rastin e arrestimit të një ish-kryeministri të Kosovës?

Jasini :Përse ky urdhër arresti u ekzekutua në vitin 2017? Nga viti 2012, kur Ramush Haradinaj është shpallur i pafajshëm në procesin e rigjykimit të tribunalit të OKB-së, e deri më sot ai ka udhëtuar në Francë dhe në vende të tjera të BE-së si individ i lirë.

Atëherë nëse bëhet fjalë për një procedurë tërësisht teknike, Interpoli duket të përgjigjet përse ky urdhër nuk është ekzekutuar sa herë që ai ka hyrë dhe ka dalë nëpër aeroportet apo pikat kufitare të BE-së. Pa diskutim që na lind një pyetje e natyrshme, që një motivim politik, i është dhënë mbase një sinjal dhe një mesazh i përcaktuar qartë Kosovës, dhe lidershipit dhe qeverisë së shtetit të Kosovës.
A mendoni se qeveria e Kosovës, duhej të kishte bërë më tepër në bisedimet e saj me Serbinë për çështjen e urdhërarresteve që Beogradi ka lëshuar për ish-luftëtarët e UÇK-së që akuzohen për krime lufte?

Jasini : Duke patur parasysh që Kosova nuk është anëtare e Interpolit, është e rëndësishme të kuptohet që e vetmja mënyrë për të marrë informacion konkret mund të ishte nëpërmjet bisedimeve. Duke qenë se qeveria e Kosovës ka qenë dhe vazhdon të jetë në negociatat me shtetin serb lidhur me marrëveshje për BE-në si edhe negociata për marrëveshje të ndryshme, atëherë do të ishte shumë e rëndësishme të përcaktohej se cilat janë ata individë për të cilët ekziston një urdhër arresti lidhur me liderët e UÇK-së por edhe qytetarët e tjerë të Kosovës. Dhe mbetet për t'u mësuar nëse autoritetet e shtetit të Kosovës kanë marrë ndonjë informacion konkret në lidhje me urdhrat e arrestit që ekzistojnë në Interpol të lëshuar nga autoritetet serbe. /Telegrafi/

The post Flet avokatja e Haradinajt në Hagë – cilat janë sipas saj alternativat e mundshme para drejtësisë franceze (Video) appeared first on Telegrafi.

A po tërhiqet Kurti nga skena politike? (Video)

Posted: 09 Jan 2017 01:38 PM PST

Ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ose siç mund të vlerësohet ikona e kësaj partie Albin Kurti për më shumë se një muaj nuk është shfaqur në media duke lenë pikëpyetje se, a po e përgatit ai tërheqjen nga skena politike e Kosovës.

Dikur tepër aktiv në aktualitetin politik e social, sot Kurti nuk ka dhënë as edhe një reagim ndaj arrestimit të Kryetarit të Aleanës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ndërsa të gjithë liderët kryesorë në vend kanë dhënë mbështetjen e tyre kundër arrestimit të liderit të AAK-së.

Nga ana tjetër kundërshtarët e tij politikë një veprim të tillë të mundshëm nga ana e tij e shohin fatale për Vetëvendosjen. /Tribuna Channel/

The post A po tërhiqet Kurti nga skena politike? (Video) appeared first on Telegrafi.

Frashër Demaj: Në Akademi mund të ketë edhe politikanë e ish-politikanë, ligji e lejon (Video)

Posted: 09 Jan 2017 01:31 PM PST

Historiani Frashër Demaj, akademik i sapozgjedhur në Akademinë e Shkencave e Arteve të Kosovës ka deklaruar në emisionin “Përballje” se ligji nuk ua ndalon as politikanëve që të jenë kandidatë për anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
"Mund të kesh qenë politikan, mund të jesh politikan aktiv dhe një asnjë mënyrë nuk mund të privohesh nga e drejta për të qenë kandidat aktiv për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, ka deklaruar Demaj.

Sipas tij, në rastin e tij ka pasur tendenca për manipulime sepse ai nuk mban pozita as në parti e as në as në institucione.

Frashër Demaj, ka qenë kandidat për deputet në listën e LDK-së në vitin 2010.

Në anën tjetër akademiku tjetër i sapozgjedhur Bardh Rugova duke folur për politizimin e këtij institucioni ka ironizuar duke thënë se atë e përkrah Partia e Fortë.

Sipas Rugovës shpesh perceptimet në shoqëri krijohen pa debat të mirëfilltë e me etiketime të pabazuara. /Telegrafi/

The post Frashër Demaj: Në Akademi mund të ketë edhe politikanë e ish-politikanë, ligji e lejon (Video) appeared first on Telegrafi.

Leskaj letër Këshillit të Evropës për arrestimin e Haradinajt: Një ngjarje e tillë nuk mund ta lërë indiferent KiE-në

Posted: 09 Jan 2017 01:18 PM PST

Reagimeve ndaj ndalimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze i është bashkuar edhe Valentina Leskaj, kryetare e delegacionit të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, njëherit edhe nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë.

Përmes një letre dërguar Pedro Agramuntit, President i Asamblesë Parlamentare të Këshilli të Evropës, Leskaj ka vlerësuar ndër tjerash se arrestimi i Haradinajt nga autoritetet franceze përbën shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut.

Më poshtë ua sjellim letrën e plotë:

I dashur President,

Kam kënaqësinë e vecantë që t'ju dërgoj sërish urimet e mia më të mira për Vitin e Ri 2017!

Nisur nga ngjarja e fundit e ndalimit në France të Kryetarit të partisë së AAK-së (Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës), zotit Ramush Haradinaj, më lejoni të parashtroj qëndrimin tim si Kryetare e Delegacionit të përhershëm parlamentar pranë KiE-së.

Ndalimi i z. Ramush Haradinaj në një vend të KiE, bazuar në një urdhër të vjetër arresti të Sërbisë, është i papritur e njëkohësisht i paparanueshëm. Ai përbën një shkelje flagrante të të drejtave themelore të njeriut.

Kryetari i AAK-së, bazuar në vendimet e të dy Dhomave të Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, është liruar nga cdo akuzë e përpara vitit 2004, për rrjedhojë ky ndalim është i paligjshëm dhe absurd.

Prishtina dhe Beogradi janë angazhuar në një proces të vështirë dialogu, nën vëzhgimin e BE-se dhe një veprim i tillë nga një vend antar i BE-së dhe KiE-së dëmton këtë proces shumë të rëndësishëm për të dy vendet dhe për rajonin.

Ky veprim jo vetëm që nuk ndihmon normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve por krijon precedentin e rrezikshëm të mosrespektimit të drejtësisë dhe shkeljes të të drejtat themelore të njeriut (vendimet e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë).

Një ngjarje e tillë nuk mund ta lërë indiferent KiE-në, e cila është angazhuar seriozisht në promovimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut jo vetëm në Kosovë por në të gjithë rajonin e Ballkanit.

Personalisht mirëpres një reagim dhe qëndrim të KiE-së si dhe kontributin e saj për lirimin e menjëhershëm të z. Haradinaj dhe sensibilizimin e të gjitha vendeve antare për mos përsëritjen e precedentëve të tillë në të ardhmen.

Sinqerisht

Valentina Leskaj

Z. Pedro Agramunt
President i Asamblesë Parlamentare të Këshilli të Evropës
Strasburg (sic) /Telegrafi/

The post Leskaj letër Këshillit të Evropës për arrestimin e Haradinajt: Një ngjarje e tillë nuk mund ta lërë indiferent KiE-në appeared first on Telegrafi.

Paçarizi: Akademia e Shkencave nuk guxon të jetë një vend i pleqve (Video)

Posted: 09 Jan 2017 12:32 PM PST

Profesori universitar Rrahman Paçarizi duke komentuar zgjedhjet e fundit për akademikët e rinj në emisionin “Përballje” ka thënë se këto zgjedhje kanë shënuar një moment shumë të rëndësishëm në historinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Sipas tij, e mira është që në këtë institucion këtë vit janë pranuar së paku dy – tre anëtarë të cilët janë më të ri se 45 vjeç.

"Mendoj se Akademia e Shkencave përfundimisht nuk guxon të jetë një vend i pleqve qysh është përceptu përpara, i disa pleqve që ulen dhe mendojnë por e njerëzve që do të duhet të ulen e të punojnë”, ka thënë Paçarizi në emisionin “Përballje”. /Telegrafi/

The post Paçarizi: Akademia e Shkencave nuk guxon të jetë një vend i pleqve (Video) appeared first on Telegrafi.

Koci: Deri më 16 janar, Haradinaj hiqet nga lista e Interpolit (Video)

Posted: 09 Jan 2017 12:18 PM PST

Avokati i Ramush Haradinajt, Arianit Koci gjatë një intervistë në InfoBox të RTV Dukagjinit e ka përjashtuar mundësinë e ekstradimit të kreut të AAK-së në shtetin e Serbisë, por shton se kjo e fundit mund ta zvarris procesin, dhe Haradinajn ta mbahet në Francë për 40 ditë.

"Është bërë kërkesa me 16 dhjetor dhe 30 ditë nevojitet për tu aprovuar kjo kërkesë prej Interpolit. Sa kam unë informacion, asnjë kërkesë deri më tani, Interpoli nuk ja ka refuzuar UNMIK-ut. Sot e kam kuptuar që është bërë kërkesa me 16 dhjetor dhe pritet që deri më 16 janar kjo të hiqet", tha ai.

Ai madje thotë se Policia e Kosovës ka kërkuar nga Interpoli që nga Listat e Serbisë, të largojë 20 persona, brenda të cilëve është edhe Haradinaj, dhe pret që kjo fshirje nga këto lista të ndodh nga 16 janari.

The post Koci: Deri më 16 janar, Haradinaj hiqet nga lista e Interpolit (Video) appeared first on Telegrafi.

MPJ reagon ndaj deklaratave të Daçiqit: Provokime të hapura ndaj stabilitetit në rajon

Posted: 09 Jan 2017 12:11 PM PST

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës përmes një komunikate dënon ashpër deklaratat që ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka bërë në lidhje me “gjoja sulme të diasporës shqiptare në botë ndaj misioneve diplomatike të Serbisë”.

Daçiq: Shqiptarët në diasporë planifikojnë sulm ndaj ambasadave serbe, për shkak të arrestimit të Haradinajt Daçiq: Shqiptarët në diasporë planifikojnë sulm ndaj ambasadave serbe, për shkak të arrestimit të Haradinajt

Sipas komunikatës, Ministria e Punëve të Jashtme, i konsideron këto deklarata nxitëse, tendencioze dhe që kanë për qëllim ta mbajnë në tension rajonin.

MPJ vlerëson se kjo është gjuhë e viteve 90-a dhe e frikës kur Serbia i orekstronte vetë sulmet që ua atribuonte të tjerëve.

"Për Ministrinë e Jashtme të Kosovës deklaratat e Dacic janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme. Ato janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Në këto rrethana, akte të tilla të dhunës mund të orkestrohen nga vetë shteti serb, në mënyrë që t'i atribuohen pastaj diasporës shqiptare", thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës. /Telegrafi/

The post MPJ reagon ndaj deklaratave të Daçiqit: Provokime të hapura ndaj stabilitetit në rajon appeared first on Telegrafi.

Jabllanica e vogël me dëme të mëdha nga era dhe reshjet e borës (Foto)

Posted: 09 Jan 2017 12:04 PM PST

Janë më se 145 ekonomi familjare në fshatin pitoresk Jabllanicë e vogël e Pejës, të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme nga moti i lig i këtyre ditëve.

Serra, kampshtëpiza dhe prona të dëmtuara është bilanci i këtyre ditëve.

Edhe furnizimi me energji elektrike ka pasur ndërprerje me ditë në këto anë.

Një prej të dëmtuarve në këtë rajon është edhe Musa Rexhaj- banor i këtij fshati dhe aktivist shumëvjeçarë.

"Moti e ka bërë të vetën. Rezultati është në dëme të konsiderueshme. Vetëm në familjet tona këtu, që nuk jemi pak, dëme ka mjaft. Serra, kampshtëpiza e të tjera, por edhe energjia elektrike ka pasur defekte. Në shtëpitë tonë nuk kemi pasur rrymë 4 ditë rresht", thotë Rexhaj.

Rexhaj pret që ndonjë komision komunal për vlerësimin e dëmeve t'i vizitojë së shpejti, meqë ato nuk janë të vogla.

"Deri më tani askush nuk ka dalur nga komisionet komunale që të bëjë vlerësimin e dëmeve. Pra këtu është dëmtuar edhe bereqeti. Unë se kam parë askënd. Shpresojë të vijnë sepse në na duhet mbështetja", ka thënë Rexhaj për Telegrafin.

Edhe banorë të tjerë të këtij lokaliteti janë dëmtuar nga reshjet e fundit dhe moti i lig.

Ndryshe fshati Jabllanicë e vogël e Pejës, numëron mbi 1200 banorë dhe është një prej fshatrave me natyrën më të bukur dhe tokë pjellore. /Telegrafi/

The post Jabllanica e vogël me dëme të mëdha nga era dhe reshjet e borës (Foto) appeared first on Telegrafi.

Related Posts :