Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Qëndrim i papritur i Teheranit, me peshë për rajonin: Paqja dhe dominimi turko-iranian, lë jashtë loje vendet arabe!” plus 1 more Telegrafi Opinione

loading...

“Qëndrim i papritur i Teheranit, me peshë për rajonin: Paqja dhe dominimi turko-iranian, lë jashtë loje vendet arabe!” plus 1 more Telegrafi Opinione


Qëndrim i papritur i Teheranit, me peshë për rajonin: Paqja dhe dominimi turko-iranian, lë jashtë loje vendet arabe!

Posted: 08 Jan 2017 02:11 PM PST

Dikur patëm shkruar se roli i Turqisë për paqe të qëndrueshme në Lindje të Mesme do të jetë shumë i madh. Këtë e patëm argumentuar me faktin se meqë Arabia Saudite do të pësojë nga mbështetja që po i bënte rrymave ekstreme në luftën e Sirisë, e meqë Egjipti më nuk e ka fuqinë të vendosë për asgjë në Lindje të Mesme – pikërisht për shkak të ndërprerjes së ndihmave që i vinin më parë nga Saudia – dhe meqë Irani është Persia e dikurshme ndaj të cilës arabët kanë një aversion të theksueshëm dhe nuk e ka lehtë të futet me ushtarë në tokat arabe po që domosdo do të gjejë shtrirje andej, fuqia e vetme që do të depërtojë në vendet arabe nga joarabët do të jetë Ushtria e Turqisë.

Siç ndodh shumë herë tek ne kur flitet për atë pjesë të botës, edhe në këtë rast mendimi jonë ishte kritikuar me emocione dhe me fjalët më të ashpra.

Në fakt, Irani sot është vendi që më së shumti e dëshiron paqen në Lindje të Mesme. Persia e dikurshme ka arsye të jetë e kënaqur. Fitoret shiite – të njëpasnjëshme të arritura gjerë më tani dhe të tjerat që i lexojmë mes rreshtave nga pozicionimet e disa qeverive të rajonit – Iranin po e bëjnë fuqi të pakontestueshme në Lindje të Mesme. Fitorja e Assadit në Haleb e më parë edhe hyrja në Musul të Irakut e Hashdi Sha'bit – forcë kjo paramilitare shiite – japin të kuptojnë se qeveritë arabe janë para një akti të kryer. Arabizmi në Lindje të Mesme, sikur edhe ideja islame e promovuar nga arabët, është para një kolapsi të vërtetë.

Sot, kryeministri turk Binali Yildirim, vizitoi Bagdadin. Ai u prit me nderimet më të larta shtetërore, dhe, siç vërehej edhe nga përcjellja e truprojave që e rrethonin, kryeministri i Turqisë reflektoi peshën e vendit të tij në Bagdadin e udhëhequr prej shiitëve. Për këtë vizitë kaq të rëndësishme dhe me kaq peshë diplomatike, u prononcua menjëherë edhe Teherani zyrtar. Siç deklaroi Ali Akbar Velajati, ish-diplomat me nam i Iranit – e tani njëri ndër njerëzit më të afërt të liderit shpirtëror të Iranit, Ajatullah Ali Hamnei – kishte thënë: “I vlerësojmë lartë përpjekjet turko-irakiane për rikrijimin e marrëdhënieve miqësore mes vete. Duhet të marrin fund zënkat që i kanë përcjell këto dy vende. Dëshirojmë që kështu të veprohet edhe me Sirinë”.

Ajo që posaçërisht vlen të theksohet në këto momente është vizita e kryeministrit turk që i bëri Veriut të Irakut. Është me rëndësi të themi se edhe nëse Iraku nuk është i ndarë në tri shtete, në të shumtën e rasteve në Irak veprojnë tri "qeveri", sikur të ishin të tri shteteve të ndryshme. Veriu i vendit është në duart e kurdëve që udhëhiqen nga Barzani. Kurdët janë popull me peshë në Irakun e sotshëm. Para disa vitesh, për president të Irakut ishte zgjedhur Xhelal Talebani, një mik i amerikanëve dhe njeriu më me peshë në botën kurde. Vizita e Yildirimit të Turqisë që i bëri kazermës kryesore ushtarake të kurdëve të Irakut, ishte "deklaratë" pa fjalë, por me përmbajtje të thellë se Turqia nuk ka problem me popullin kurd, por me militantët e PKK-së dhe të PYD-së. Në prononcimin e përbashkët para gazetarëve që e bënë Barezani dhe Yildirimin, ky i fundit në mënyrë të qartë tha: "Nëse peshmergët kurdë nuk i luftojnë militantët e PKK-së, Turqia do t'i kryejë detyrat e shtëpisë vet".

Nëse merret seriozisht deklarata e anës turke dhe nëse përnjëmend zbatohet miratimi i anës kurde se nuk do të lejojnë PKK-në të veprojë në Veri të Irakut, atëherë mund të thuhet se Turqia shkoi edhe një hap përpara si fuqi në Lindje të Mesme.

Dikush me të drejtë mund të pyes: Po çfarë korrelacioni ka vizita e turkut me fuqizimin e Iranit në atë pjesë të botës? Përgjigjja është më se e lehtë: Sepse, me dobësimin e krahut militant të kurdëve dhe me vendosjen e qeverisë proiraniane në Siri, sikur më parë në Bagdad, vendet arabe të shkallmuara nuk do të jenë në gjendje të ndalojnë depërtimin e mëtutjeshëm iranian në Lindje të Mesme.

The post Qëndrim i papritur i Teheranit, me peshë për rajonin: Paqja dhe dominimi turko-iranian, lë jashtë loje vendet arabe! appeared first on Telegrafi.

Shërbimet e fshehta dhe Donald Trumpi

Posted: 08 Jan 2017 01:45 PM PST

Një president amerikan nuk duhet të jetë mik i shërbimeve të fshehta. Por, megjithë mosbesimin e justifikuar përballë shërbimeve të fshehta, informacioneve të tyre dhe personelit të tyre drejtues është prepotente, naive dhe e rrezikshme që t’ua mohosh atyre kompetencat në tërësi, siç e bën prej kohësh presidenti i ardhshëm Trump. Që të pohosh, siç bëri Trump në dhjetor, se ai nuk ka nevojë për takime informuese çdo ditë nga shërbimet e fshehta, por vetëm kur e do situata, se ai është “i zgjuar”, dëshmon jo vetëm për arrogancë dhe padije, por rrezikon ndoshta edhe sigurinë e SHBA dhe të botës.

Sulmi më i fundit i Trumpit kundër shërbimeve të fshehta duke iu referuar themeluesit të Wikileaks, Julian Assange i shërben natyrisht kryesisht objektivit të kuptueshëm për të eleminuar ose deligjitimuar njollën e një ndikimi të mundshëm të Rusisë ndaj zgjedhjes së tij. Njëkohësisht, manovra joelegante dhe si zakonisht e shpërndarë përmes twitterit e minon besimin e amerikanëve të tronditur gjithsesi rëndë tek institucionet e tyre.

Për ta thënë qartë: natyrisht që nuk ka një “smoking gun”, siç shprehen shërbimet sekrete amerikane në raportin e tyre, pra një dëshmi të qartë, se hakera rusë qëndrojnë pas sulmeve kundër demokratëve, me dijeni ose me porosi të politikanëve të lartë rusë. Por për këtë ekzistojnë jo vetëm dëshmi të shumta, që mund të ketë qenë kështu, por një mënyrë e tillë veprimi do të përshtatej edhe me mënyrat e zakonshme të sjelljes të Kremlinit.

Këtë vlerësim të shërbimeve, të Shtëpisë së Bardhë si dhe të shumë ekspertëve të sigurisë nuk duhet ta mbështesësh patjetër. Por si president i zgjedhur duhet ta argumentosh më mirë mendimin tënd të ndryshëm për një temë kaq të rëndësishme për SHBA dhe për botën, në vend të publikimit të një sërë tweet-esh, burimi kryesor i të cilave me sa duket është një intervistë e Fox News me Julian Assange.

Që të besosh më shumë pohimin e tij, se informacionet për demokratët nuk e kishin burimin te pala ruse, dhe jo vlerësimin e përbashkët të shërbimeve të fshehta amerikane, ky është një akt i pashembullt, i rrezikshëm dhe që duhet ta gëzojë Kremlinin. Megjithatë, sjellja e Trumpit nuk vjen vërtet papritur. Që në fushatën elektorale, ai pati mbjellë me aluzione të turbullta për gjoja sistemin e manipuluar dyshime në procesin demokratik në SHBA, për ta flakur larg vetes paraprakisht fajin për një dështim të mundshëm në zgjedhje.

Kështu po vepron ai tani edhe me kritikën për shërbimet e fshehta. Sepse nëse kemi mësuar gjë ndërkohë për presidentin e ardhshëm, atëherë ajo është pikërisht kjo. Në fund të fundit, megjithë deklaratën e diskutueshme të Trumpit “America First” gjithçka rrotullohet vetëm rreth një personi: Donald Trumpit.

The post Shërbimet e fshehta dhe Donald Trumpi appeared first on Telegrafi.

Related Posts :