Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Rama për arrestimin e Haradinajt: Për kë bien këmbanat?” plus 9 more Ekonomia Online

loading...

“Rama për arrestimin e Haradinajt: Për kë bien këmbanat?” plus 9 more Ekonomia Online


Rama për arrestimin e Haradinajt: Për kë bien këmbanat?

Posted: 06 Jan 2017 09:55 AM PST

Pas akuzave të një politikani zviceran, "zbuluesi" i famshëm ose famëkeq i një shtëpie fantazmë krimesh kundër njerëzimit, e njohur si "Shtëpia e Verdhë", qarqe të ndryshme ndërkombëtare patën idenë e ngritjes së një Tribunali krejt Special.

Jo për Serbinë si agresore, por për Kosovën që ishte viktima e agresionit barbar të regjimit të Millosheviqit!

Pse?!

Historikisht e moralisht po se po, por edhe juridikisht ideja dukej qysh në fillim jo thjesht tendencioze, po kundërproduktive. Aq më tepër kur, shqiptarët e Kosovës janë shfaqur qysh në krye të herës pro bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare, në zbardhjen e anomalive të mundshme gjatë luftës në mbrojtje të lirive e të të drejtave të tyre legjitime.

Sot, në dritën e asaj çka po ndodh me Ramush Haradinajn në Francë, duhet kujtuar se të gjithë ata që janë thirrur nga Prishtina në Hagë, i janë nënshtruar procesit pa as më të voglën rezistencë. Dhe e kanë fituar me kosto të lartë vitesh e sakrifikash pafajësinë e tyre.

Nga ana tjetër, duke mos pasur kurrëfarë kompetencash të tyret në këtë drejtim, udhëheqësit apo institucionet e Kosovës, as që kanë mundur të veprojnë vetë në kërkim të «Shtëpisë së Verdhë». E cila, për më tepër, nuk bie në juridiksionin e Kosovës por Shqipërisë që, nga ana e saj, ka mbështetur çdo kërkesë e përpjekje të atyre që duhet të merreshin me atë punë. Përkatësisht, UNMIK-u dhe EULEX-i e kanë bërë atë punë. Ose nuk e kanë bërë. Apo, sidoqoftë, nuk e kanë bërë mirë, sepse të tjerët duket qartë se kështu mendojnë!

Për pasojë, e pikërisht për shkak të paaftësisë apo dështimit në këtë aspekt, ku u përzie pa asnjë teklif, "i njomi me të thatin", në vazhdën e një përpjekjeje të padëgjuar në histori për trajtim "të barabartë" të agresorit dhe viktimës, Kosova, e çliruar me mbështetjen e avionëve ushtarakë e të trupave të aleatëve të mëdhenj strategjikë të popullit të saj, u profilizua vit pas viti, përmes instrumentave ligjorë ndërkombëtarë si viktimë e të drejtës së saj për të qenë e lirë dhe e pavarur.

Ndërhyrja ushtarake e botës demokratike për të shpëtuar popullin e Kosovës nga gjenocidi, duke mbështetur Ushtrinë e saj Çlirimtare, i hapi rrugë lirisë e pavarësisë së Kosovës dhe fatkeqësisht, njëkohësisht edhe një procesi fajësimi "ligjor" të vetë përpjekjes për liri e pavarësi. Sot, pikërisht për shkak të përshkallëzimit të këtij procesi, që zgjatet e ngatërrohet deri në arrestime absurde si ky i Ramush Haradinajt, duke thelluar fajësimin e çlirimtarëve bashkë me fajin e bashkëçlirimtarëve, raporti i shpëtimtarëve ndërkombëtarë të Kosovës me Kosovën, i ngjan një shfaqjeje skizofrenike ndaj këtij vendi që u çlirua e pavarësua falë mbështetjes së tyre, ku ndërkohë kërkohet prej kohësh të ligjërohet me një pahir të pajustifikueshëm, faji i barabartë i viktimës me agresorin.

Duke e parë jo si spektatorë po si pengje të lirisë, zhvillimin në vite të kësaj shfaqjeje që kulmoi me idenë e një Tribunali të veçantë për çlirimtarët "kriminelë", prapëseprapë, edhe njëherë, udhëheqësit politikë të Kosovës e institucionet e saj, zgjodhën rrugën e bashkëpunimit të plotë me bashkëçlirimtarët ndërkombëtarë, e jo të refuzimit të kësaj ideje që ngjante si shprehje e një imponimi të këtyre të fundit për të ecur më tutje, në një rrugë drejtësinë e të cilës të paktën historia nuk e provon të tillë.

Po sot, duhet kujtuar gjithashtu se kjo rrugë nisi në Hagë, ku u thirr e u ndalua jo vetëm Sllobodan Millosheviçi dhe garda e xhahilëve të tij, që nisi luftën dhe ushtroi gjenocide të hapura në territore të ish-Jugosllavisë, por edhe komandantë ushtrish lokale të këtyre territore, të cilët luftuan për mbrojtjen e popullatës dhe organizimin e rezistencës së armatosur ndaj agresorit të Beogradit. Në Hagë përfunduan e po në Hagë u pafajësuan edhe disa nga komandantët e UÇK-së, përfshirë edhe Ramush Haradinajn.

Dhe po atje u vendos që vendet përkatëse – pra njëlloj si agresori, Serbia, ashtu edhe viktimat e agresionit, Kosova e të tjerët – të kushtëzohen të hetojnë dosje të tjera në rast se eventualisht paraqitet nevoja.

Mirëpo, nëse Serbia mund të veprojë në mënyrë të pavarur dhe politikisht të përshtatur sipas nevojës, përmes mekanizmave të saj të brendshëm në këtë drejtim, Kosovës nuk i'u dha kjo mundësi, për shkak të prezencës së EULEX-it, i cili në misionin e vet kishte dhe ka për qëllim zbardhjen e aktiviteteve të natyrës kriminale.

Siç duket EULEX-i dështoi dhe këtë e thotë vetë fakti që Kosovës i'u kërkua miratimi në Kuvend i një Tribunali Special për krimet e luftës, jashtë Kosovës, për të gjykuar "kriminelët" e një lufte në mbrojtje të lirive e të drejtave njerëzore nga një agresor që synonte spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre.

Atëherë, sot ngrihen vetiu pikëpyetje të rënda:

Pse pafajësia që Ramush Haradinaj mori nga Gjykata e Hagës nuk i mjafton këtij qytetari të shtetit të Kosovës, që të mos ndalohet në një kufi europian si të ishte një kriminel në kërkim ndërkombëtar?!

Çfarë nuk u mjafton akoma prej Kosovës bashkëçlirimtarëve ndërkombëtarë, në këtë marrëdhënie të ndërtuar kaq shtrembër, moralisht e juridikisht, në raport me historinë e Luftës Çlirimtare në Kosovë, ndërkohë që politika kosovare ka treguar gatishmëri të skajshme për t'iu përgjigjur pozitivisht kërkesave jo gjithnjë të përligjura të kësaj marrëdhënieje, siç ishte rasti i miratimit të Tribunalit Special për Kosovën?!

Si ka mundësi që urdhër-arrestet e vendit agresor të një lufte që përfshiu vetë NATO-n kundër atij vendi, të mundet ende sot të vlejnë si mandate legjitime të policive të një sërë vendesh europiane, për të burgosur luftëtarët që i'u kundërvunë atij agresioni dhe që, për më tepër, i janë nënshtruar më pas, pa asnjë rezistencë, qoftë Hagës dhe qoftë votimit parlamentar të risisë botërore të një Tribunali Special për vetveten?!

Unë nuk di t'a jap sot përgjigjen e këtyre pyetjeve. Por ja çfarë jam i sigurt se duhet thënë sot që nesër të mos jetë vonë:

Stabiliteti dhe siguria e Kosovës, ku NATO ka praninë e saj më të madhe në rajon, është parakusht i patjetërsueshëm jo vetëm për stabilitetin rajonal, po edhe për Ballkanin si investitor në arkitekturën e paqes e të sigurisë europiane.

Qasja e dyzuar e Bashkimit Europian ndaj Serbisë dhe Kosovës, ku të parës i tolerohen eksese inerciale të së shkuarës së vet, siç është, ndër të tjera, mbajtja në fuqi e urdhër-arresteve ndërkombëtare për "kriminelët" e UÇK-së, ndërsa të dytës i vihen kushte sui generis deri edhe për liberalizimin e vizave, po krijon një lëndim psikologjik që mund të ndikojë për keq, jo vetëm në perceptimin e popullit euro-optimist të Kosovës për raportin me Europën e Bashkuar, po edhe në tërësi tek shqiptarët si kontribues të padiskutueshëm në projektin e madh të paqes e të integrimit të plotë europian të rajonit.

Bashkëçlirimtarët ndërkombëtarë të Kosovës duhet të zgjohen, përpara se sa Kosova të ndjehet e tradhtuar prej tyre!

The post Rama për arrestimin e Haradinajt: Për kë bien këmbanat? appeared first on Ekonomia Online.

Komuna e Prishtinës shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Posted: 06 Jan 2017 09:48 AM PST

Komuna e Prishtinës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për 48 orët e radhës për shkak të reshjeve të vazhdueshme të borës, temperaturave të ulëta dhe vështirësive që këto kushte mund t’i sjellin në qarkullim.

“Të gjitha kompanitë e kontraktuara për pastrimin e rrugëve, me të gjitha kapacitetet që kanë duhet të jenë në terren. Përveç 8 kompanive aktuale, do të angazhohet edhe një kompani shtesë, në mënyrë që sa më shpejt të përmirësohet situata si në rrugët në qytet ashtu edhe në rrugët nëpër fshatra të Komunës së Prishtinës”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Komuna iu bënë thirrje edhe njëherë qytetarëve që të mos ngasin automjetet e tyre pa pajisjet dimërore, si dhe të mos parkojnë makinat në vendet ku pengojnë kompanitë e pastrimit të kryejnë punët e tyre.

Masat e tilla merren për të shmangur bllokimet dhe aksidentet eventuale, megjithëse deri më tani të gjitha rrugët kryesore janë të kalueshme.

Image may contain: sky and outdoor

Image may contain: one or more people, people walking and outdoor

Image may contain: outdoor

The post Komuna e Prishtinës shpall gjendjen e jashtëzakonshme appeared first on Ekonomia Online.

Vetëm 20 ish-pjesëtarë të UÇK-së janë në listën e Interpolit

Posted: 06 Jan 2017 09:41 AM PST

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, ka thënë që vetëm 20 ish-pjesëtarë të UÇK-së janë në listën e INTERPOL-it.

Disa prej emrave, sipas tij, janë larguar si rezultat i reagimeve të vazhdueshme të Policisë së Kosovës dhe se një listë e cila ka qarkulluar në media me 157 emra nuk qëndron.

"Nga kjo listë e publikuar, vetëm 20 ish-pjesëtarë të UÇK-së kërkohen nga Interpoli”, ka thënë Mustafa.

“Policia e Kosovës (Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit ILECU) ka verifikuar të gjithë 157 emrat të cilët janë pjesë e kësaj liste dhe e cila po prezantohet nëpër media si listë e Interpolit. E vërteta është se vetëm 20 nga këta 157 emra janë në listën e Interpolit. Policia e Kosovës, më 16.12.2016 përmes zyrës së Interpol-UNMIK ka dërguar ankesë për futjen e këtyre 20 personave në listën e kërkimit nga Interpoli dhe ka kërkuar largimin e tyre”.

“Dhjetëra emra janë larguar nga kjo listë si rezultat i reagimit të vazhdueshëm të Policisë së Kosovës. Përndryshe, lista prej 157 ish pjesëtarëve të UÇK e cila po prezantohet nëpër media si listë e Interpolit, në të vërtetë është listë e publikuar në "Libri i Bardhë" i nxjerr nga Qeveria e Serbisë në vitin 2003", shkruan Mustafa.

The post Vetëm 20 ish-pjesëtarë të UÇK-së janë në listën e Interpolit appeared first on Ekonomia Online.

Pas reshjeve të borës, Komuna e Obiliqit formon shtabin emergjent

Posted: 06 Jan 2017 09:30 AM PST

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka marrë vendim për formimin e shtabit për raste emergjente për të menaxhuar situatën e krijuar pas reshjeve të dendura të borës që kanë përfshirë territorin e komunës, sikurse dhe gjithë vendin.

Në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, të mbajtur të premten, është miratuar kërkesa e drejtorit për Shërbime Publike dhe Emergjenca, Burim Gërguri.

“Shtabi obligohet të përcjellë dhe ndërmarrë masa për menaxhimin e situatës së krijuar në tërë territorin e komunës. Sipas nevojë, Shtabi e njofton dhe kërkon ndihmë nga nivelet më të larta”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga kryetari Gashi.

Aktualisht, të gjitha rrugët në komunën e Obiliqit janë të kalueshme, kanë bërë të ditur për “Ekonomia Online” nga Zyra për Informim e Komunës së Obiliqit.

“Drejtoria për Shërbimet Publike dhe Emergjente ka angazhuar të gjithë stafin 24 orë dhe janë duke punuar që të gjitha rrugët në territorin i Komunës së Obiliqit të jenë të kalueshme për qarkullim. Deri më tani, zyrtarët në terren janë duke raportuar për gjendjen stabile në tërë territorin e komunës”.

Sidoqoftë, kryetari i Komunës, Xhafer Gashi, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë sa është e mundur lëvizjet. “Pasi që të dhënat e Institutit Hidrometeorologjik tregojnë për ulje të temperaturave ditëve në vijim, kërkojmë nga ju që të reduktoni qarkullimin dhe të bashkëpunoni me organet kompetente komunale që të tejkalojmë këto probleme të shkaktuar nga moti i ftohtë. Si Komunë do të bëjmë të pamundurën që t’i mbajmë të pastruara të gjitha rrugët komunale”, ka thënë Gashi.

 

Image may contain: tree, sky, snow, outdoor and nature

The post Pas reshjeve të borës, Komuna e Obiliqit formon shtabin emergjent appeared first on Ekonomia Online.

Delawie i zhgënjyer nga protesta e dhunshme në Gjakovë

Posted: 06 Jan 2017 09:12 AM PST

Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, është zhgënjyer nga ngjarjet e sotme në Gjakovë.

Ai ka thënë se dhuna nuk duhet të jetë e pranishme në protesta.

"I zhgënjyer nga ngjarjet e sotme në Gjakovë, dhuna nuk ka vend në protesta apo në manifestimet paqësore", ka shkruar Delawie në Twitter.

The post Delawie i zhgënjyer nga protesta e dhunshme në Gjakovë appeared first on Ekonomia Online.

Botërori me 48 ekipe, por Evropa nuk përfiton shumë

Posted: 06 Jan 2017 09:09 AM PST

Evropa është qendra e futbollit të kombëtareve dhe klubeve, e kontinenti me vëmendjen më të madhe, spektaklin e garantuar dhe xhiron e milionave që garanton sporti më popullor.

Por, pavarësisht idesë për zgjerimin e Botërorit në 40 apo 48 përfaqësuese, kontinenti i vjetër do të duhet të pranojë një përqindje të vogël në formatin e ri të kompeticionit, duke nisur nga viti 2026.

Projekti i fushatës së Gianni Infantinos, që po materializohet në rregull të shkruar me zgjedhjen e zviceranit si president, do të votohet në Këshillin e FIFA-s në Zurich të martën.

Ideja finale është që Botërori i futbollit të ketë 48 finalistë, të ndarë në 16 grupe me nga 3 secili. Në raundin tjetër do të kalojnë nga dy skuadra për çdo grup, e kjo nënkupton se skuadrave kombëtare i garantohen të paktën dy ndeshje në Botëror, ndërsa fituesi do të luajë 7 ndeshje, në një hark kohor që nuk ndryshon.

Numri i vendeve të kualifikuara për çdo konfederatë do të vendoset javën e ardhshme në Zurich, por sipas medieve, opsioni më i mirë për UEFA-n do të jetë 16 bileta.

The post Botërori me 48 ekipe, por Evropa nuk përfiton shumë appeared first on Ekonomia Online.

Murati apel mërgimtarëve që udhëtojnë nëpër Serbi

Posted: 06 Jan 2017 08:51 AM PST

Ministri i Diasporës, Valon Murati, iu është drejtuar me një apel bashkatdhetarëve që udhëtojnë përmes Serbisë.

"Të gjithë ju që udhëtoni përmes Serbisë për në vendet ku punoni ju rekomandoj që për shkak të vështirësive që ka shkaktuar stuhia e borës edhe nëpër rrugët e Serbisë, në rast të telasheve të kontaktoni me përfaqësuesit e Zyrës së Kosovës në Beograd ose në këtë numër telefoni +38166247743 ose përmes emailit: l.o@rks-gov.net", ka shkruar Murati.

"Gjithashtu edhe njëherë u rekomandoj që para nisjes të shikoni aplikacionin e Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, në mënyrë që të vendosni se përmes cilës pikë kufitare do të udhëtoni", ka shtuar më tej.

Sipas informatave, ka thënë Murati, po vërehet se pritjet më të gjata vazhdojnë të jenë në Merdar (në këto çaste deri në 5-6 orë) andaj do të ishte mirë të frekuentohen edhe vendkalimet e tjera kufitare.

"Sipas informatave që kam nga Policia Kufitare të gjitha vendkalimet e Kosovës me Serbinë janë të qarkullueshme. Bashkatdhetarët, për shkak të kushteve të rënduara të motit, luten për kujdes të shtuar gjatë vozitjes në Serbi", ka thënë Murati.

The post Murati apel mërgimtarëve që udhëtojnë nëpër Serbi appeared first on Ekonomia Online.

VV: Arrestimet në Gjakovë janë shtypje e kërkesës për drejtësi

Posted: 06 Jan 2017 08:35 AM PST

Lëvizja Vetëvendosje thotë se ardhja e pelegrinëve serbë në kishën ortodokse të Gjakovës është veprim provokues, i cili i rëndon edhe më shumë plagët e shumë familjeve që kanë humbur të dashurit e tyre gjatë luftës së fundit.

Ndërsa, protestat e vazhdueshme kundër këtyre vizitave janë thirrje për t’u vendosur drejtësi, kurse dhuna policore nga organet e rendit ndaj protestuesve është veprim kundër drejtësisë, dhe si i tillë i papranueshëm, thotë VV nëpërmes një komunikate shtypi.

“Sikurse edhe në herët e kaluara, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe sot qytetarë që po kundërshtonin ardhjen e këtyre pelegrinëve, bashkë me të cilët edhe kriminelë të luftës, të cilët nuk u hetuan asnjëherë. Lëvizja Vetëvendosje shpreh shqetësimin për arrestimin e Hazbije Pruthit, Mimoza Shalës, Haxher Bytyqit, Shkëndije Hodës dhe Sanije Berishës, dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të tyre”.

“Nuk mund të ketë pajtim me Serbinë përderisa drejtësia nuk është vendosur. Serbia përveçse nuk ka kërkuar falje, ajo po mban në fuqi fletë-arrestet për pjesëmarrësit në luftën tonë çlirimtare. Prandaj, protestat janë të pashmangshme deri në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë”, përfundon reagimi i Vetëvendosjes.

The post VV: Arrestimet në Gjakovë janë shtypje e kërkesës për drejtësi appeared first on Ekonomia Online.

Seanca për Haradinajn mbahet nesër

Posted: 06 Jan 2017 08:34 AM PST

Seanca e jashtëzakonshme e Prokurorisë së Përgjithshme në Francë, për ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, pritet të mbahet nesër në orën 13:00.

Për Kohën Ditore këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i AAK-së, Muharrem Nitaj.

Ndërkohë që sot është mbajtur një marsh protestues ku u kërkua lirimi i liderit të AAK-së.

Edhe Qeveria në mbledhjen e sotme kërkoi lirimin e Haradinajt, duke vlerësuar si tendencioze dhe të patolerueshme fletarrestet e lëshuara nga Serbia.

The post Seanca për Haradinajn mbahet nesër appeared first on Ekonomia Online.

OVL e UÇK-së: Edhe ne jemi përgjegjës për arrestimin e Haradinajt

Posted: 06 Jan 2017 08:21 AM PST

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, përmes një komunikate kanë reaguar rreth ndalimit të ish-komandantit Ramush Haradinaj.

OVL e UÇK-së, me këtë rast, i bën thirrje Kuvendit të Kosovës, Presidentit e Qeverisë, që në unanimitet t'i tregojnë publikisht Serbisë përmasat e krimit që ka kryer në Kosovë.

"Çdo politikan apo shtetar që nuk vepron të paktën tani, nuk e vlen të ketë besimin e popullit", thuhet në komunikatën e OVL të UÇK-së.

Më poshtë ua sjellim komunikatën e plotë:

Ne, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ndihemi përgjegjës për këtë që ka ndodhur me komandantin Ramush Haradinaj, njëkohësisht njëri nga udhëheqësit kryesor të politikës së shtetit të Kosovës, sepse nuk kemi kërkuar që çdo serbi që ka bërë krime në Kosovë, t'i ngritet padi penale dhe të shpallet në kërkim ndërkombëtar.

Këta janë me qindra e ndoshta mijëra. Dëshmitarë për ta janë gjithë qytetarët e Kosovës, që janë masakruar prej tyre dhe gjithë familjarët e të vrarëve.

Ne, nga ky rast mësuam dhe duke kërkuar falje për mosveprimin e derisotëm, do të fillojmë menjëherë të përpilojmë dosjet përkatëse për akuzë.

I bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës, Presidentit e Qeverisë, të bëhen pjesë me ne, në unanimitet t'i tregojmë publikisht Serbisë kriminale përmasat e krimit që ka kryer në Kosovë. Çdo politikan apo shtetar që nuk vepron të paktën tani, nuk e vlen të ketë besimin e popullit.

Publikisht dihet që në Kosovë në vitin 1998 kanë hyrë 63 mijë armë për të armatosur qytetarët serb të Kosovës. Ato armë janë përdorur prej tyre kundër shqiptarëve. Kjo sa shënohet, është vetëm për kriminelët civil. Kur flasim për ushtarakët(ushtri e polici) është llogari në vete.

I kërkojmë Kuvendit të Kosovës, të mblidhet me seriozitet në seancë të veçantë, për ta mbështetur dhe avansuar këtë nismë tonën.

The post OVL e UÇK-së: Edhe ne jemi përgjegjës për arrestimin e Haradinajt appeared first on Ekonomia Online.

Related Posts :