Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

RTSH: “Haradinaj në burg, sa të mbërrijë kërkesa nga Beogradi” plus 8 more

loading...

RTSH: “Haradinaj në burg, sa të mbërrijë kërkesa nga Beogradi” plus 8 more


Haradinaj në burg, sa të mbërrijë kërkesa nga Beogradi

Posted: 05 Jan 2017 12:08 PM PST

Gjykata e Apelit në Kolmar të Francës vendosi të enjten të lëri në paraburgim ish-kryeministrin kosovar, Ramush Haradinaj, kreu i AAK, deri në pritje të marrjes së kërkesës formale për ekstradim për krime lufte nga Serbia. Deklarata është bërë nga prokurori i përgjithshëm francez i cilituar nga "Le Figaro". Në një reagim të menjëhershëm  Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka cilësuar të pakuptimtë dhe të papranueshëm vendimin e Francës për të mbajtur në paraburgim ish-kryeministrin e Kosovës dhe kryetarin e kësaj partie.  "Marrja e një vendimi të tillë në bazë të një fletarresti të Serbisë, për krimet e pretenduara për të cilat zoti Haradinaj, dy herë është shpallur i pafajshëm nga Tribunali i Hagës, flet për një vendim politik e jo gjyqësor” vëren kjo parti. “Për më tepër mbajtja në paraburgim e zotit Haradinaj, për t'i dhënë kohë Serbisë për të plotësuar dosjet e saj kundër tij, kur Franca e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kur zoti Haradinaj është shtetas i Kosovës dhe jo i Serbisë, është paradoks” nënvizon deklarata e AAK-së. Kjo parti u ka bërë thirrje “autoriteteve të Francës dhe të Bashkimit Evropian, që të ushtrojnë gjithë trysninë e nevojshme ndaj Serbisë, që të distancohet nga ish regjimi i Millosheviçit dhe të heqë dorë nga fletarrestet e kohës së tij. Ne jemi të bindur se vendimi i sotëm për ta mbajtur në paraburgim Zotin Haradinaj do të korrigjohet shpejt dhe në mbështetje me parimet e drejtësisë ndërkombëtare, ai do të lihet i lirë të vazhdojë punën e tij” shprehet AAK.

Niset treni i parë i shpejtë i mallrave Kinë-Britani

Posted: 05 Jan 2017 06:51 AM PST

Treni i parë i shpejtë i mallrave që lidh Kinën me Britaninë u nis nga qyteti lindor kinez Jiu i provincës Zhezhiang ditën e Diel. Treni përmban 68 kontenierë me mallra shtëpiake, përfshi edhe veshje, dhe do të arrijë në Londër në datën 18 Janar. Treni do të udhëtojë përmes Kazakistanit, Rusisë, Polonisë, Francës e disa vendeve të tjera para se të kalojë nëpër tunelin që do ta nxjerrë në Londër. Kina zhvillon prej vitesh tregti me Anglinë me rrugë detare dhe ajrore, por tani, treni siguron 30 ditë më tepër shpejtësi krahasuar me anijet dhe një të pestën e shpenzimeve krahasuar me avionët. Deri tani, Kina ka vënë në përdorim 40 trena të tillë për tregëti me Evropën, duke mbuluar 14 qytete evropiane.

Prokuroria serbe; Prova shtesë kundër Haradinajt

Posted: 05 Jan 2017 06:41 AM PST

Prokuroria për Krimet e Luftës në Serbi njoftoi se ka mbledhur prova shtesë në funksion të plotësimit të akuzave ndaj udhëheqësit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u ndalua të mërkurën në Aeroportin e Baselit nga policia franceze. Ndalimi i tij u krye mbi bazën e një flete arresti të lëshuar nga Serbia përmes INTERPOL-it, në vitin 2004. Kreu i prokurorisë serbe tha se eshte i kënaqur me faktin që fletë arrestet e lëshuara nga Serbia po zbatohen në vendet e Bashkimit Evropian. Por, ai u shpreh skeptik se kërkesa e Beogradit për ekstradimin e Haradinajt në Serbi, do të zbatohet sipas procedurave të shpejta. Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se prokuroria ka prova inkriminuese ndaj Haradinajt dhe dhe nuk do të donte që "Franca si shtet serioz dhe me sundim të ligjit të mos veprojë në përputhje me ligjin por me qasje politike. Ai pohoi se Serbia do të kërkojë zyrtarisht ekstradimin e Haradinajt në Beograd. Kurse burime nga Kosova thone se Haradinaj do të dalë sot para një gjykate franceze dhe pritet lirimi i tij. Alanca për Ardhmërine e Kosovës kërkoi nga Qeveria e Kosovës të ndërprese çdo komunikim me Serbinë deri sa ajo të tërheqë fletarrestet ndërkombëtare kundër personaliteteve të Kosovës ndërsa Ministria e Jashtme i ka nisur një kërkesë zyrtre Ministrisë se Drejtësisë së Francës me kërkesën për lirimin e menjëhershëm të Haradinajt. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, e quajti ndkimin e Haradinajt te dënueshëm dhe të papranueshëm.

Meta, Rama e Bushati reagojnë për ndalimin e Haradinajt

Posted: 05 Jan 2017 03:53 AM PST

Autoritetet e larta shqiptare kanë reaguar ashpër ndaj vendimit për arrestimin e Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në unision, e kanë quajtur të pakuptimtë dhe skandaloz këtë veprim të policisë franceze. Kryeparlamtari Meta deklaron se ka besim që autoritetet policore franceze do të qartësojnë rrethanat e pakuptimta të këtij ndalimi dhe do të veprojnë shpejt për t'i kthyer të drejtën e lëvizjes së lirë dhe të ligjshme kryetarit të AAK-së. Për kreun e Kuvendit, ky veprim është i pakuptimtë, i papranueshëm dhe nuk ndihmon frymën e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Absurditet e konsideron kryeministri Edi Rama ndalimin e Haradinajt. Në profilin e tij në rrjetet sociale, Rama shkruan se është e pabesueshme që urdhër-arrestet e Serbisë s’janë fshirë ende nga kompiuterat e BE-së. Edhe Ministri Ditmir Bushati u beri thirrje autoriteteve franceze, si një prej shteteve me kontribut thelbësor për Kosovën shtet, të qartësojnë situatën duke liruar menjëherë Ramush Haradinajn.
Çdo përpjekje e Serbisë për të përbaltur luftën çlirimtare të Kosovës do të dështoje sikurse dështuan politikat genocidiste të Millosheviçit në Kosovë, të cilave Ramushi dhe UÇK-ja ju kundërvunë, perfundon deklarimi i Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati.

UEFA; 10 blerjet më të bujshme të dimrit

Posted: 05 Jan 2017 03:45 AM PST

UEFA kryer një përzgjedhje të 10 blerjeve më të mira gjatë merkatove të dimrit ndër vite, të bëra nga klubet e mëdha evropiane. Në krye të listës qëndrojnë transferimet e lojtarëve që janë bërë në janar të 2011.
Ivan Rakitiç, futbollisti kroat kalon nga Shalke 04 te Sevija, kur ishte 22 vjeç për vlerën 3 milion euro. Më pas në verën e 2014 nënshkruan me Barcelonën për 18 milionë euro.
Huanfran iu bashkua Atletiko Madrid nga Osasuna për një shumë prej 4 milion euro. Ai u bë menjëherë një lojtar i rëndësishëm për skuadrën e Simeones.
Luis Suarez, nënshkruan me Barcelonën, pasi klubi katalanas i paguan 80 milion euro Liverpulit. Sulmuesi uruguajan bëhet kështu një ndër tre sulmuesit më të paguar në histori pas Mesit dhe Nejmar.
Nemanja Matić, një përforcim luksi për Benfikën, duke i paguar Çelsit 5 milion euro. Futbollisti serb rikthehet sërish në Angli në janar 2014 por tashmë vlera e kartonit të tij është 25 milion euro.
Andrea Barzagli, nënshkruan për Juventus në janar të vitit 2011, kur ishte 29 vjet. Klubi torinez i paguan Volfsburgut vetëm 300.000 euro.
Në 2007 bie në sy kalimi i Marselos tek Reali i Madridit për 6.5 milion euro. Braziliani e ka veshur fanellën e ekipit madrilen për më shumë se 10 vjet.
Në 2006 Huntelar kalon te Ajaks nga Hereven për 9 milion euro.
Po këtë vit Nemanja Vidiç, nënshkruan me Mançester Junajtid. Klubi anglez i paguan Spartakut të Moskës 10.5 milion euro për të marrë shërbimet e futbollistit serb.
Në 2004 Dejan Stanković nënshkruan për Interin, pasi zikaltërit i paguajnë Lacios 4 milion euro.
Ndërsa në 1996 Jap Stam nënshkruan me PSV për 1.5 milionë euro. Më pas kalon te Mançester Junajtid, Lacio, Milan dhe e mbyll karrierën te Ajaks.

Ermonela Jaho koncert me Orkestrën Shtetërore të Francës

Posted: 05 Jan 2017 03:20 AM PST

Pasi ka lënë një vit të shkëlqyer profesional sopranoja Ermonela Jaho, e nis Vitin 2017 me një performancë madhështore me Orkestrën Shtetërore të Francës. Jaho do të jetë pjesë e një transmetimi televiziv në "France 3", në bashkëpunim me Fauteuils d’Orchestre dhe me Orkestrën Nacionale të Francës. Koncerti do të drejtohet nga moderatorja e famshme në Francë, Anne Sinclair dhe duket si një nismë e mirë dhe festive për Ermonela Jahon dhe ekipin francez. Orkestra drejtohet nga  dirigjenti Domingo Hindoyan. Performanca shfaqet në "France 3", të premten, ora 20:55. Krahas Ermonela Jahos, në këtë koncert paraqiten Vassilena Serafimova, Alexandra Conunova, Delphine De Vigan, Nicolas Angelich, Adrien La Marca, Alexandre Duhamel, Edgar Moreau, Thomas Enhco, Kit Armstrong, Daniel Lozakovitj, Michel Cymes, Guillaume Chilemme, Jean-François Borr. Pasi shkëlqeu gjatë stinës së verës me dy performanca në Choregie d’ Orange, njëra përkrah Placido Domingo, duket se Ermonela ka fituar zemrat e publikut francez që e kërkon edhe në daljet televizive. Ndërkaq zëri i saj në operan Zaza është renditur në 100 regjistrimet më te mira te vitit nga Makbeth Media Relations. Axhenda e saj përfshin intrepretimin e Traviatës në operan e Sidneit në Australi gjatë muajit shkurt për tu kthyer në Londër gjatë muajit Mars.

Aksident i rëndë në Laprakë, humb jetën 28-vjeçarja

Posted: 05 Jan 2017 01:35 AM PST

Dy makina janë përplasur mesnatën e 4 janarit në kryqëzimin e Laprakës në kryeqytet ku një vajzë ka humbur jetën ndërsa 3 persona të tjerë janë plagosur rëndë. Viktima, me inicialet Xh. T, 28 vjeçe, banuese në Tiranë, ishte pasagjere në automjetin tip "Jeep" që drejtohej nga Ervin Bixhi, 26 vjeç. Me ta udhëtonte dhe një vajzë tjetër shtetësja me inicialet F. F 25 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën. I plagosur është dhe drejtuesi i mjetit tjetër po "Jeep" me drejtues shtetasin Gj. K., 42 vjeç, me detyrë oficer policie, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës edhe ky jashtë rrezikut për jetën. Pas hetimeve të para policia arrestoi 26 vjeçarin Ervin Bixhi pasi ky shtetas ka qenë duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, duke sjellë edhe aksidentin.

Situatë e rënduar nga dëbora në zonat veriore dhe veri-lindore të Shqipërisë

Posted: 05 Jan 2017 01:27 AM PST

Shkodra, Kukësi dhe Dibra janë tre qarqet e prekura më së shumti nga ulja e temperaturave dhe reshjet e dëborës. Sipas informacioneve të fundit në zonat veriore dhe veri-lindore, raportohet se nuk ka akse kombëtare të bllokuara, ndërsa qarkullimi i automjeteve kryhet me zinxhirë në disa rrugë.
Përsa i përket qarkut të Kukësit reshjet e dëborës kanë vijuar edhe mëngjesin e kësaj të enjte. Drejtoria e emergjencave civile raporton se të gjitha akset kombëtare janë përgjithësisht të qarkullueshëm pa zinxhirë si rezultat i punës së kryer nga 6 firmat kontraktore për mirëmbajtjen e rrugëve. Policia Rrugore ka monitoruar në vijueshmëri qarkullimin e automjeteve duke udhëzuar sipas rastit drejtuesit e mjeteve të përdorin zinxhirë në segmentet rrugorë problematike. "Rruga e Kombit" është e qarkullueshme pa zinxhirë. Lartësia e dëborës ka arritur deri në 25 cm në Tunelin e Kalimashit.
Ndërkaq gjatë natës dhe në mëngjes në Pukë ka pasur reshje bore në lartësinë mbi 500 m. Të gjitha akset kombëtare janë të qarkullueshëm pa zinxhirë si rezultat i punës së kryer nga 13 firmat kontraktore. Në akset Vau Dejës-Koman-Pukë-Fushë Arrëz, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak, Qafë Mali-Dardhë-Fierzë, Qafë Mali-Iballë, automjetet qarkullojnë me zinxhirë. Në akset Bardhok-Iballë, Shkodër-Bregu i Lumit, Bogë-Theth, kalim është ndërprerë, ndërsa Vau Dejës-Shllak, Tamarë-Vermosh kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë. Drejtoria e Emergjencave Civile ka dërguar borëpastruese dhe  fadromë, të cilat do të jenë në dispozicion të Bashkisë Pukë dhe Fushë Arrëz. Ndërsa në qarkun e Dibrës gjatë ditës së djeshme dhe sot në mëngjes ka pasur reshje të dobëta shiu dhe reshje bore që kanë arritur trashësi rreth 10-12 cm. Të gjitha akset kombëtare janë përgjithësisht të qarkullueshëm pa zinxhirë si rezultat i punës së kryer nga 4 firmat kontraktore.

Haradinaj do të dali të enjten para gjykatës

Posted: 05 Jan 2017 12:40 AM PST

Kreu i AAK Ramush Haradinaj pritet të dali të enjten para një gjykate pasi një ditë më parë u ndalua në aeroportin e Bazelit në Zvicër për llogari të autoriteteve franceze. Zoti Haradinaj u ndalua ndonëse kishte pasaportë diplomatike nga shteti i Kosovës, pasi ndaj tij egzistonte një urdhër arresti i lëshuar nga Serbia që në vitin 2004. Sipas agjensisë së lajmeve Reuters gjykata do të fillojnë shqyrtimin nëse kishte arsye që të mos zbatohej kërkesa për ektradim, posaçërisht nëse ajo është lëshuar për qëllime politike.
Ndërkohë autoritetet shtetërore të Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të zoti Haradinaj. Qeveria e Kosovës, njoftoi se "të gjitha dikasteret kompetente të saj po angazhohen me prioritet për sqarimin e shpejtë të rrethanave të ndalimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj dhe tejkalimin e situatës së krijuar si pasojë e aktakuzave të paligjshme, të padrejta dhe tendencioze të Serbisë". Ministria e Jashtme dhe ajo e Drejtësisë thonë se kanë nisur "përmes Ambasadës në Paris notat verbale dhe kërkesat për lirimin sa më të shpejtë të zotit Haradinaj".

Related Posts :