Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

RTSH: “PD: Qeveria abuzon me pastrimin e rrugëve! ARRSH: Po hetojmë!” plus 9 more

loading...

RTSH: “PD: Qeveria abuzon me pastrimin e rrugëve! ARRSH: Po hetojmë!” plus 9 more


PD: Qeveria abuzon me pastrimin e rrugëve! ARRSH: Po hetojmë!

Posted: 07 Jan 2017 10:41 AM PST

PD e opozitës akuzoi qeverinë e kryeministrit socialist Edi Rama se po abuzon me qytetarët e prekur nga moti i keq. Sekretari i përgjithëm i PD deputeti Arben Ristani, në një deklaratë për mediat tha se “Shumica e kompanive për mirëmbajtjen e rrugëve, që janë të deputetëve të maxhorancës dhe qeveritarëve, kanë marrë paratë, por këto dy ditë nuk janë shfaqur asnjë minutë, as për të hedhur një lopatë me kripë apo skorje”. Sipas zotit Ristani në krye të këtij skandali është firma e deputetit Sadri Abazi, regjistruar në emër të nipit, e cila në segmentin Koplik-Bogë-Qafë Thore dhe Koplik-Razem-Hani Hotit-Tamarë-Vermosh, jo vetëm nuk ka nxjerrë asnjë punonjës në rrugë, por s'denjon as t'u hapë telefonin drejtuesve vendorë. Zyrtari i lartë i PD tha gjithashtu se “…disa kompani mirëmbajtjeje të cilat kanë kryer detyrimet e tyre kontraktuale nuk kanë marrë asnjë qindarkë pagese dhe në disa raste, si në aksin Milot-Peshkopi, u janë ndërprerë kontratat pa asnjë kriter dhe ua kanë rilidhur vetëm për një muaj në momentet e nisjes së emergjencës. Sipas zotit Ristani abuzimin në kurriz të qytetarëve në këto ditë të vështira meriton një hetim serioz nga prokuroria.
Ndërkohë Dashamir Xhika, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar bëri të ditur se ky autoritet ka nisur menjeherë hetimet rreth kësaj çështjeje. Por sipas tij "Në çdo aks që kemi shkuar kanë qenë në gatishmëri kontraktorët e firmave të mirëmbajtjes, me borëpastruese dhe sasinë e kripës".

Kolmar, protestë për lirimin e Haradinajt

Posted: 07 Jan 2017 10:12 AM PST

Qindra shqiptarë që jetojnë në Francë, Zvicër, Gjermani dhe vende të tjera të Evropës, kanë protestuar të shtunën në mesditë para gjykatës së qytetit Kolmar të Francës, për lirimin e Ramush Haradinajt, ish kryeministër dhe kreu i AAK në Kosovë. Qëllimi i protestës ishtë kërkesa për lirimin sa më të shpejtë të Haradinajt dhe hedhjen poshtë të të gjitha urdhër-arresteve që datojnë nga koha e ish udhëheqësit serb Sllobodan Millosheviç, i dënua nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për krime kundër njerëzimit. Zoti Haradinaj u arrestua këtë javë pasi autoritetet serbe kishin insistuar në lëshimin nga Interpoli të një urdhër arresti ndërkombëtar që në vitin 2004, nën akuzën e kryerjes së krimeve gjatë luftës në Kosovë.

Ndalimi i zotit Haradinaj ka sjellë reagime të shumta dhe ka tensionuar marrëdhëniet Kosovë – Serbi. Më parë Ramush Haradinaj është liruar nga akuzat dy herë nga dhomat e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë, si autoritet i themeluar nga OKB për këtë çështje. Të martën pritet një seancë tjetër ndaj tij në Gjykatën e Kolmarit. Ajo pritet të shqyrtojë kërkesën e autoriteteve serbe për ekstradimin e zotit Haradinaj në Serbi.

Ndërkaq në faqen e Fejsbukut është inicuar një peticion për lirimin e tij. Brenda 21 orëve peticioni është firmosur nga mbi 135 mijë persona dhe ka patur mbi 18 mijë komente.

LSI: Deklaratë me platformë të qartë vizionare në mbrojtje të drejtave legjitime të shqiptarëve

Posted: 07 Jan 2017 09:01 AM PST

Edhe LSI, partia e dytë kryesore në qeverinë shqiptare ka përshëndetur deklarata e përbashkët e partive shqiptare në Maqedoni. Nënkryetari i saj Luan Rama tha se “LSI përshëndet faktorin politik shqiptar në Maqedoni për qëndrimin e unifikuar dhe bashkimin në një platformë të qartë e vizionare për rolin e tyre dhe përgjegjësinë që duhet të përmbushin, në funksion të mbrojtjes së të drejtave legjitime të shqiptarëve në Maqedoni”.  Zoti Rama tha se “LSI inkurajon rritjen e rolit dhe të kontributit të forcave politike shqiptare që të vazhdojnë të punojnë pa u lodhur dhe me përkushtim atdhetar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, për rritjen e rolit të tyre si faktorë stabiliteti, prosperiteti dhe progresi të gjithanshëm të Maqedonisë fqinje, në të mirë të konsolidimit të demokracisë dhe të integrimit Europian të saj”. "Levizja Socialiste për Integrim shpreh bindjen e plotë se të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqiptarë do t'i përmbahen marrëveshjes së arritur dhe do të kontribuojnë në përmbushjen e saj, duke e konsideruar zbatimin e marrëveshjes së arritur, përgjegjësi kombëtare", tha nënkryetari i LSI Luan Rama.

PD: “Bashkimi dhe bashkërendimi i faktorit shqiptar, strategji për integrimin e shqiptarëve në Ballkan

Posted: 07 Jan 2017 08:57 AM PST

Deklarata e përbashkët e partive shqiptare në Maqedoni, është vlerësuar edhe nga PDSH. Në një deklaratë të saj vlerësohet se ky është një lajm i mirë dhe inkurajues për avancimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë vend. “Bashkimi dhe bashkërendimi mbi bazën e parimeve dhe qendrimeve demokratike dhe integruese duhet të përbëjë një orientim strategjik në qasjen faktorit politik shqiptar kudo që ndodhet” thekson kjo parti në një deklaratë për shtyp. PD garanton se si në opozitë ashtu dhe në qeverisjen e vendit, “do ta shndërrojë përbashkimin dhe bashkërendimin e faktorit shqiptar në aksin kryesor strategjik të komunikimit dhe punës për realizimin e interesave integruese të shqiptarëve në Ballkan”.

Maqedoni, Rama: Deklarata e partive shqiptare hap historik!

Posted: 07 Jan 2017 08:39 AM PST

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë sapo është bërë e ditur deklarata e partive shqiptare në Maqedoni. Në një reagim në rrjetin social Fejsbuk zoti Rama shkruan se ky është një “Hap historik, shprehja e vullnetit të përbashkët të partive shqiptare në Maqedoni”. “Të drejtat e shqiptarëve s’negociohen për karrige qeverie” shkruan më tej ai.
Vetëm pak ditë më parë zoti Rama priti në Tiranë në një takim përfaqësuesit e partive shqiptare në Maqedoni, me të cilat ai u shpreh se kishte zhvilluar një takim vllazëror.

Deklaratë e përbashkët e partive politike shqiptare në Maqedoni

Posted: 07 Jan 2017 08:25 AM PST

Përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni, përmes një deklarate të përbashkët, kanë shprehur përkushtimin e tyre për realizimin e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në mandatin e ardhshëm qeveritar nëpërmjet mbështetjes së ndërsjellë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutën e Maqedonisë.

"Ne, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni, Bashkimi Demokratik për Integrim, Koalicioni Rilindje me Besë dhe Aleanca për Shqiptarët, duke respektuar vullnetin e lirë dhe demokratik të votuesve shqiptarë të shprehur në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Republikën e Maqedonisë, më 11 dhjetor 2016, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, të demokracisë konsensuale dhe nevojës për të përmbushur detyrimet normative që rrjedhin nga ndryshimet kushtetuese, duke riafirmuar përcaktimet programore dhe strategjike të përbashkëta të shqiptarëve dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, të angazhuar për prosperitetin dhe stabilitetin afat-gjatë të Maqedonisë, të udhëhequr nga përkushtimi i përbashkët për paqe, stabilitet, siguri, bashkëjetesë ndëretnike, në frymën e barazisë dhe dinjitetit, sipas konventave europiane dhe ndërkombëtare, harmoni fetare dhe bashkëpunim në vend dhe rajon, të përcaktuar, pa asnjë alternativë tjetër, për integrim në NATO dhe në Bashkimin Europian, biem dakord për përkrahje të ndërsjellë të agjendës së përbashkët politike që parashikon realizimin e objektivave që vijojnë, në mandatin e ardhshëm qeverisës dhe/ose në çdo mandat tjetër pasues:

  1. Arritja e barazisë së plotë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën
  • Zbatimi i përpiktë i parimit të multi-etnicitetit në Kushtetutën e RM, ku shqiptarët njihen si popullësi shtet-formuese. Mbështetje e çdo iniciative ligjore dhe kushtetuese që përforcon barazinë etnike për popullësinë shqiptare.
  • Arritja e barazisë së plotë gjuhësore, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe garantimi i përdorimit të saj si e drejtë themelore dhe kushtetuese. Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë duhet të përcaktojë se "gjuha maqedonase me alfabetin cirilik dhe gjuha shqipe me alfabetin e saj janë gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë".
  • Debat gjithëpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetëtore të Republikës së Maqedonisë në mënyrë që simbolet shtetërore të reflektojnë multietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike.
  • Miratimi i një Rezolute në Parlamentin e Maqedonisë me të cilën dënohet gjenocidi ndaj popullit shqiptar në Maqedoni në periudhën 1912 – 1956.
  1. Arritja e barazisë ekonomike dhe e mirëqenies shoqërore, sidomos nëpërmjet zhvillimit të barabartë rajonal
  • Krijimi i një mekanizmi të ri, në formën e një Komisioni Shtetëror për Financimin e Komunave, për një vendimarrje më të drejtë për grantet qeveritare në përfitim të komunave.
  • Krijimi i një Ministrie për Sistem Politik dhe Marredhenie midis Komuniteve, si organ përgjegjës për respektimin e të drejtave të komuniteteve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror në zonat e defavorizuara.
  • Realizimi i përfaqësimit të drejtë në organet e sigurisë, ushtrisë, inteligjencës dhe të drejtësisë.
  • Realizimi i përfaqësimit të drejtë në të gjitha nivelet e qeverisjes qendrore si dhe në agjensitë publike ose ndërmarrjet me aksione publike.
  1. Përforcimi i sundimit të së drejtës, si parakusht për ecurinë e procesit të integrimit euro-atlantik
  • Zbatimi i planit të reformave në përputhje me Marrëveshjen e Shkupit, Rekomandimet e Pribese, rekomandimet urgjente te Komisionit Evropian si dhe Rekomandimet nga Dialogu i Larte Paraqases me BE.
  • Përkrahje e punës së paanshme të Prokurorisë Speciale, pa paragjykime etnike dhe politike.
  • Zbardhja e plotë e çështjeve dhe proceseve gjyqësore si "Sopoti", "Brodeci", "Monstra" dhe "Kumanova" nëpërmjet një komisioni hetimor ose një trupe të pavarur ndërkombëtare.
  1. Krijimi i një fryme mirëbesimi në funksion të marrëdhënieve të mira ndëretnike si element thelbësor për stabilitetin politik të vendit
  • Marrja e masave afirmative për të siguruar financimin e institucioneve kulturore shqiptare në nivel vendor dhe qendror.
  • Krijimi i një institucioni qëndror për avancimin e gjuhëve të komuniteteve, i cili do të sigurojë përgatitjen e përkthyesve, redaktuesve dhe lektorëve.
  1. Zgjidhja e çështjes së emrit, në përputhje me vlerat europiane dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare
  • Miratimi i një Rezolute të Perbashkët dhe Detyruese në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë me të cilën Qeveria e Republikës së Maqedonisë angazhohet në mënyre aktive në drejtim të zgjidhjes se cështjës së emrit.
  • Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë.
  1. Marrëdhënie të mira me fqinjët
  • Përfshirje e shqiptarëve në grupin e punës për bisedime të drejtpërdrejta me Bullgarinë.
  • Bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë për menaxhimin e integruar të kufijve.
  • Hapje e pikave të reja kufitare.
  1. Integrim i shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Europian.
  • Përmbushja e pikave të mësiperme do të zhbllokojë rrugëtimin e Maqedonisë drejt integrimit të plote në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anetarësim në Bashkimin Evropian", thuhet në deklaratën e partive politike shqiptare në Maqedoni.

Përmbushja e këtyre objektivave, thuhet më tej në kumtesë, do të mbikqyret nëpërmjet krijimit të Tryezës së Partive Shqiptare Parlamentare.

Tryeza e Partive Shqiptare Parlamentare do të funksionojë sipas parimit të rotacionit dhe do të shërbejë si platformë për harmonizimin e aksionit politik dhe komunikimin transparent me partnerët ndërkombëtarë të Maqedonisë, duke kërkuar veçanërisht mbështetjen e Bashkimit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare.

Tryeza do të përcaktojë afatet për realizimin e objektivave të sipërpërmëndura, në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë. (Sipas ATSH)

Qeveria: Prindërit kujdestarë pranë fëmijëve deri në 14 janar

Posted: 07 Jan 2017 08:14 AM PST

Qeveria shqiptare ka marrë të shtunën një tjetër masë lehtësuese për familjet me fëmijë të mitur. Ajo ka vendosur që nga data 9 deri 14 janar 2017, të jenë ditë pushimi për njërin nga prindërit kujdestarë të fëmijëve, që frekuentojnë apo ndjekin ose jo çerdhet, arsimin parashkollor dhe arsimin fillor. Sipas vendimit bëhet fjalë për prindërit që janë nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë të administratës publike, të nivelit qendror dhe vendor, si dhe në institucionet e tjera shtetërore. Kjo masë merret në vijim të masave parandaluese të Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e çerdheve dhe institucioneve arsimore, si pasojë e motit të ftohtë, jo të zakonshëm, që pritet të vijë dhe të gjendjes gripale në vend. Qeveria u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve privatë që të gjejnë mundësitë për trajtimin me pushim të punëmarrësve të tyre. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në "Fletoren zyrtare".

Gripi dhe i ftohti, shtyhet hapja e shkollave

Posted: 07 Jan 2017 02:43 AM PST

Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se mbyllja e çerdheve, kopshteve dhe institucioneve të arsimit parauniversitar dhe universitar do të vijojë deri në datën 14 janar 2017. Sipas njoftimit kjo shtyrje bëhet me qëllim kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit të gripit në vend për të mbrojtur popullatën nga sëmundjet infektive. Një arsye tjetër duket se është edhe moti i ashpër që ka përfshirë gjithë vendin. Në rreth 70 përqind të territorit kanë rënë rreshje bore dhe temperaturat e regjistruara janë më të ultat e 30 vjetëve të fundit. Rrjeti i çerdheve, kopështeve dhe shkollave në Shqipëri, pavarësisht përmirësimeve të herë pas hershme, e ka të vështirë të përballojë situata të tilla emergjence.

Bashkia e Tiranës në ndihmë të njerëzve në nevojë

Posted: 07 Jan 2017 02:31 AM PST

Në këto ditë të ftohta Bashkia e Tiranës ka treguar një kujdes të veçantë për njerëzit në nevojë dhe në situatë rruge. Ajo ka sistemuar në qendrat e saj sociale, rreth 100 persona, midis tyre 20 të mitur, të cilët kanë kërkuar ndihmë. ilët 20 janë të mitur. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili po e ndjek nga afër gjithë operacionin, ishte në Qendrën Multidisiplinare në Njësinë Administrative Nr. 9. “Kemi 4 qendra të hapura aktive në Tiranë: në Laprakë, në Kombinat, një këtu në Brakë dhe një tjetër në Shkozë. Në 24 orët e fundit kemi strehuar rreth 100 persona, në të gjitha qendrat tona. Disa janë në situatë rruge, disa kanë ardhur nga qytete të tjera, nga komuniteti rom, që kanë jetuar në barake ose janë transferuar në një nga zonat pranë Tiranës” tha zoti Veliaj. Zoti Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen bashkëpunues, si duke ndihmuar të pamundurit dhe ata që kanë nevojë për ndihmë, por edhe duke sinjalizuar strukturat shtetërore të angazhuara në përballimin e kësaj situate emergjente.

Emergjencat Civile: Moti i ashpër, por situata e qëndrueshme

Posted: 07 Jan 2017 02:21 AM PST

Pavarësisht motit të ashpër gjatë 24 orëve të fundit, situata paraqitet e qëndrueshme në të gjithë vendin, njoftoi Drejtoria e Emergjencave Civile. Njësitë e saj në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, pushtetit lokal e institucione të tjera, kanë qenë në gatishmëri për t'i ardhur në ndihmë çdo familjeje apo shtetasi.
Sipas informacioneve në orën 10:45 të ditës së shtunë situata është kjo:

QARKU KUKËS
Të gjtha akset rrugore janë të qarkullueshme me zinxhirë.
Në rrugën e Kombit po punohet me mjete borëpastruese për pastrimin e saj nga bora dhe akulli.
Akset Kukës- Has-Tropojë dhe Tropojë-Qafë Morinë qarkullimi kryhet me zinxhirë.
Akset rurale Kukës-Shishtavec, Kukës-Shën Mëri dhe Surroj-Arrën, vijojnë të jenë të bllokuara.
Akset rurale të Njësisë Administrative Gjinaj, Bashkia Has, janë bllokuar nga reshjet e dëborës, gjithashtu ka pasur mungesë të energjisë elektrike.
Në qytetin e Kukësit edhe atë të Hasit është rikthyer energjia elektrike pas ndërhyrjes së specialistëve të OSHEE, por mungesë energjie ka pasur në disa fshatra të Njësive Administrative, Bicaj, Tërthore, Zapod, Malzi, Grykë Çajë, Arrën, Kalis, Bushtricë dhe Ujmisht.
Një shtetase e cila kishte probleme shëndetësore në Fshatin Berishë të Bashkisë Tropojë është transportuar drejt spitalit të Tropojës për mjekim më të specializuar dhe është në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën.

QARKU DIBËR
Aksi rrugor kombëtar, Qafë Bualli-Peshkopi, njësia administrative Maqellarë, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Policia po mban në monitorim këtë aks rrugor ndërsa janë angazhuar 4 mjete borëpastruese.
Akset rrugore Peshkopi -Lurë, dhe Peshkopi –Selishtë janë të bllokuara.
Rruga Ura e Çerenecit-Steblevë, është hapur dhe qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.
Aksi rrugor Peshkopi-Kala e Dodës, qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.
Në Njësinë Administrative Baz, Rukaj, Komsi, është rikthyer energjia elektrike.

QARKU SHKODËR
Aksi rrugor Pogë-Qafë Thore-Theth është i bllokuar dhe nuk ka borëpastruese nga firmat kontraktore. Në malin e Shoshit ka mbi 1 m dëborë dhe po punohet për zhbllokimin e këtij aksi ndërkohë firma kontraktuese ka hapur rrugën deri në fshatin Kir dhe po vazhdon drejt Bregut të Lumit.
Në tre njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Pult nuk ka energji elektrike.
Me kërkesë të Prefektit të Qarkut Shkodër dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile ka shkuar në ndihmë për Bashkinë Shkodër një traktor me zinxhirë nga Ministria e Mbrojtjes për hapjen e segmenteve të bllokuara.
Aksi Fushë Arrëz – Pukë është i qarkullueshëm me zinxhirë.
Aksi rrugor Fushë Arrëz – Iballë dhe Pukë-Qelëz janë të pa kalueshëm dhe po punohet për hapjen e rrugës me 2 borëpastruese. Akset rrugore Fushë Arrëz-Iballë, Qafë Mali-Fierzë dhe Qafë Shllak – Kukës janë të bllokuara pasi trashësia e dëborës arrin në 1 metër. Po punohet për hapjen e dy rrugëve.
Me energji elektrike furnizohet vetëm qyteti i Fushë Arrësit.
Segmenti rrugor Bogë-Qafë Thore, Selcë (Shkemb i Kuq) – Budaqë (Vermosh) janë të bllokuara. Në vendin e quajtur "Gropat e Selcës" ka rreth 70 cm dëbore, po punon një borëpastruese për mbajtjen hapur të rrugës.
Fadroma e dërguar nga Forcat e Armatosura nuk ka mundur të ndërhyjë në Malësinë e Madhe, pasi ka prani të madhe të dëborës së ngrirë.
Ka vështirësi qarkullimi në Urën e Spatharit në aksin rrugor Vau Dejës – Shkodër si rezultat i ngricave.
Policia është duke monitoruar situatën ndërsa pushteti vendor ka hedhur kripë në rrugë.

QARKU LEZHË
Aksi rrugor Kallmet-Ungrej, është i qarkullueshëm me zinxhirë.
Aksi rrugor i njësisë administrative Milot-Skurraj, është hapur nga forcat e bashkisë Kurbin dhe qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.
Akset rrugore rurale të njësive administrative, Fan, Orosh, Selitë dhe Kaçinar, janë të qarkullueshme me zinxhirë.

QARKU ELBASAN
Aksi rrugor Librazhd – Stëblevë vazhdon të jetë i bllokuar, po punohet me mjete borëpastruese për hapjen e tij.
Segmenti rrugor Lunik – Stëblevë vazhdon të jetë i bllokuar, po punohet për hapjen e këtij segmenti.
Në njësinë administrative Labinot Mal është rikthyer energjia elektrike, ndërkohë në Njësinë Administrative Stëblevë energjia mungon, për shkak se mjetet e OSHEE nuk mund të kalojnë në këtë aks rrugor të bllokuar nga dëbora e madhe.
Njësia Admistrative Kodovjat, bashkia Gramsh, pjesërisht nuk kanë energji fshatrat, Fushës, Zenelas, Kullollas.
Njësia Administrative Skënderbegas, bashkia Gramsh, fshati Bletëz, Siman, pjesërisht pa energji.
Njësia Administrative Stëblevë, bashkia Librazhd, fshati, Zabzun, Borovë dhe Fushë Studio, nuk kanë energji.

QARKU KORÇË
Aksi Pogradec- Qafe Thanë, i qarkullueshëm pa zinxhirë.
Pogradec-Qafë Plloç, i qarkullueshëm me zinxhirë.
Petrushë-Korçë-Dogana Kapshticë, i qarkullueshëm pa zinxhirë.
Aksi rrugor Zëmlak-Liqenas-Dogana-Goricë, i qarkullueshëm me zinxhirë.
Libonik-Lozhanë-Grabovë, i qarkullueshëm me zinxhirë.
Korçë-Qafë e Qarit-Ersekë, i qarkullueshëm me zinxhirë.
Ersekë-Çarshovë, i qarkullueshëm me zinxhirë.
Korçë-Dardhë, i qarkullueshëm me zinxhirë.
Korçë-Voskopojë, i qarkullueshëm me zinxhirë.
Energjia elektrike në këto zona është rikthyer.

QARKU VLORË
Gjatë gjithë natës në Qafën e Llogarasë firma kontraktore ka punuar me mjete dhe forca duke hedhur kripë dhe skorje në rrugë.
Në Qafën e Muzinës nuk ka pasur reshje dëbore, por ky segment mbahet në monitorim nga Policia Rrugore dhe firma kontraktore. Qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht pa zinxhirë.
Nuk ka raportime për probleme nga njësitë administrative.

Gjatë ditës së nesërme 8 janar, mbi vendin tonë do të mbizotërojë mot i kthjellët me vranësira të çrregullta, por shumë i ftohtë. Temperaturat ekstreme, pritet të luhaten:

Në vendet malore: temperaturat minimale do të zbresin deri në -21°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në -9°C.
Në vendet e ulëta: temperaturat minimale do të zbresin deri në -9°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në -2°C.
Në bregdet: temperaturat minimale do të zbresin deri në -6°C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 0°C.

Related Posts :