Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Shkencëtarët zbulojnë moshën ideale për të pasur fëmijë” plus 9 more Gazeta SHQIP

loading...

“Shkencëtarët zbulojnë moshën ideale për të pasur fëmijë” plus 9 more Gazeta SHQIP


Shkencëtarët zbulojnë moshën ideale për të pasur fëmijë

Posted: 04 Jan 2017 02:33 AM PST

Të rritësh një fëmijë është një udhëtim i mrekullueshëm që mund të sjellë lumturi, por edhe sfida e shqetësime në varësi të moshës tënde. Kështu që është mirë të dish cila është mosha e duhur për t'u bërë nënë. Një studim i ri ka zbuluar se të sjellësh në jetë një fëmijë pas moshës 35-vjeçare ka pasoja shumë pozitive.

Mosha mesatare e grave që bëhen nëna për herë ka ardhur duke u rritur. Dhe, kjo nuk është vetëm çështje mode.  Gratë në të tridhjetat dhe të dyzetat ndjehen shumë më të sigurta dhe të vendosura, pasi në këtë moshë kanë arritur një farë bazamenti në karrierë dhe marrëdhënien në çift.

Historikisht, shtatzënia pas moshës 35-vjeçare është konsideruar e rrezikshme. Gjithsesi, shkenca ka zbuluar përfitime të reja që lidhen me shtatzëninë e vonë.

Edhe më parë është dëshmuar se lindja e një fëmije pas moshës 35-vjeçare rrit jetëgjatësinë, dhe sot një studim i ri i kryer nga Universiteti i Kalifornisë Jugore tregon se lindja e një fëmijë pas kësaj moshe përmirëson aftësitë mendore të nënës.

Si kanë arritur në këtë përfundim?

Studiuesit kryen disa teste tek 830 gra në periudhë post-menopauzale. Pjesëmarrëset në studim u testuan në planifikim, perceptim vizual, memorie verbale, përqendrim dhe vëmendje. Studiuesit zbuluan se gratë që e kishin lindur fëmijën e tyre të parë pas moshë 24-vjeçare performuan më mirë në teste që kishin të bënin me mprehtësinë mendore, zgjidhjen e problemeve dhe aftësitë verbale në krahasim me ato që ishin bërë nëna mes moshës 15 dhe 24-vjeçare. Gratë që kishin lindur fëmijën e tyre të fundit, pas moshë 35-vjeçare kishte kujtesë dhe njohur më të mira.

Cila është arsyeja që i bën ato mendërisht më të mprehta?

Kjo lidhet me rritjen e hormoneve – estrogjenit dhe progesteronit – gjatë shtatzënisë, të cilët kanë një ndikim pozitiv në funksionin dhe kiminë e trurit, veçanërisht në qoftë se shtatzënia e fundit ka ndodhur në një moshë të vonë.

Të vendosësh se kur do të kesh një fëmijë nuk është asnjëherë e thjeshtë, dhe shtatzënia, në çdo moshë ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Gjëja më e rëndësishme është që fillimisht të konsultoheni me mjekun në mënyrë që shtatzënia juaj të jetë sa më shëndetshme.

S.M

4 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Iluzioni i ilaçeve të lira, shpenzojmë më shumë se nuk bëjnë efekt

Posted: 04 Jan 2017 02:27 AM PST

Teksa çmimet e barnave janë ulur të paktën me 2 2% këtë vit sipas INSTAT, importi i tyre është rritur dukshëm.

Nga të dhënat e Doganave, mësohet se për periudhën 11-mujore (janar-nëntor 2016) importet e ilaçeve shënuan një rritje vjetore në vlerë me 9%, duke arritur në 19 miliardë lekë, ose 138 milionë euro.

Burimet nga tregu pohojnë se vlera e lartë e ilaçeve i korrespondon volumeve më të larta të importit, teksa tregu po vuan pasojat e medikamenteve jocilësore. Për rrjedhojë qytetarët paguajnë më shumë, pasi duke blerë dy-tre herë ilaçet për një kurë, harxhojnë më shumë se më parë. Mjekët dhe farmacistët pohojnë se në listën e barnave të rimbursuara janë futur ato më të lirat, që kanë më pak efekt.

Këtë e tregon edhe gjeografia e importit të ilaçeve, kur shihet se importet e tyre nga Gjermania kanë rënë me 20%, teksa shihet një rritje e tyre me rajonin.

Tregu i barnave në Shqipëri është rregulluar, ndërkohë që barnat dhe shërbimet farmaceutike ofrohen nga sektori privat. Së fundmi, është ngritur Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Materialeve Mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë thotë se si pasojë e masave për të rritur aksesin në barna të sigurta dhe për të ulur barrën financiare të tyre, prej vitit 2015 mjaft barna tregtohen me çmime rreth 30% më të lira krahasuar me vitin 2013.

Programi i qeverisë parashikon uljen e çmimit të shitjes së barnave në Shqipëri. Ndërkohë, janë përjashtuar nga TVSh 10% barnat dhe materialet mjekësore dhe nga TVSH 20% materialet mjekësore të implantueshme.

4 janar 2017 (gazeta-Shqip.com) / Monitor

Kishte futur në valixhe një klandestin, arrestohet 22-vjeçarja

Posted: 04 Jan 2017 02:12 AM PST

Kishte futur një klandestin në valixhe, arrestohet  një vajzë nga Maroku, e cila po tentonte të kalonte në qytetin Ceuta  të  Spanjës.

CNN, raporton se 22-vjeçarja ka tentuar të kalojë një person të moshës 19-vjeçare me origjinë afrikane, brenda në valixhen e saj nga Maroku drejt qytetit Ceuta. Forcat e sigurisë kanë ndaluar gruan pasi kanë parë veprimet e dyshimta të saj gjatë transportit të çantës, ndërkohë që kalonte pikën e kontrollit.

Pas kontrollit policia konstatoi se në çantën e saj është një 19-vjeçar nga Gaboni i Afrikës. Ndërkohë më pas ai është marrë nën kujdesin mjekësor për shkak të qëndrimit pa ajër brenda në valixhe dhe përkeqësimit të gjendjes së tij.

Ndaj 22-vjçares rëndon akuza e transportimit të klandestinëve, akuzë kjo që në Spanjë dënohet deri në 7 vite burg.

4 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Tiranë, iu gjet hashash në makinë, arrestohet 19-vjeçari

Posted: 04 Jan 2017 01:53 AM PST

Policia e Tiranës ka arrestuar shtetasin Kevin Dukati, 19 vjeç, banues në Sauk të Vjetër,  Tiranë sepse gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij tip “Mercedes Benz”, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një dorezë metalike dhe një dozë me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis sativa.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar, në banesën e Kevin Dukati, iu gjetën e sekuestrua në cilësinë e provës materiale, rreth 20 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis sativa.

4 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Lezhë, dhunonte vazhdimisht nënën e moshuar, arrestohet 43-vjeçari

Posted: 04 Jan 2017 01:44 AM PST

Ushtronte dhunë fizike ndaj nënës së tij, arrestohet në flagrancë 43-vjeçari. Burime nga Policia e Lezhës bëjnë me dije se kanë  vënë në pranga shtetasin Julian Turku, 43 vjeç, banues në Lezhë.

Ky  shtetas  ka ushtruar dhunë fizikë në mënyrë të përsëritur ndaj nënës së tij të pashuar, shtetases S.Turku.  Materialet procedurale u referuan Prokurorisë Lezhë për veprën penale ” Dhunë në familje”.

4 janar 2017  (gazeta-Shqip.com)

Sulmi në Stamboll, arrestohen 20 persona

Posted: 04 Jan 2017 01:32 AM PST

Autoritetet turke kanë arrestuar 20 persona në Izmir të Turqisë. Dyshohet se ata kanë lidhje me sulmin terrorist në Stamboll, ku humbën jetën 39 persona.

Ekipet e policisë pasi kanë bllokuar hyrjet dhe daljet nëpër lagje kanë ndaluar 20 persona të dyshuar me origjinë nga Dagestani, Turkistani lindor dhe Siria nga të cilët 11 prej tyre janë gra.

Ndër të tjera bëhet e ditur se 20 fëmijë bashkë me të dyshuarit, të cilët pretendohen se janë anëtarë të ISIS janë dërguar në polici.

Në kontrollet e kryera në shtëpitë e të dyshuarve u konfiskuan armë dhe pajisje të tjera ushtarake.

Gjithashtu pretendohet se të dyshuarit e ndaluar me të dyshuarin për sulmin terrorist në Ortakoy kanë qëndruar bashkë në një shtëpi në qytetin Konya.

4 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Librazhd, i dehuri humb kontrollin e mjetit, plagosen dy pasagjere

Posted: 04 Jan 2017 01:32 AM PST

Drejtoi mjetin në gjendje të dehur, 45-vjeçarin provokon një aksident duke plagosur dy persona. Burime nga Policia e Librazhdit bëjnë me dije se kanë arrestuar shtetasin Fatmir  Terziu,  45 vjeç, banues në Librazhd

Ky shtetas, u arrestua nga efektivat e policisë pasi duke drejtuar në gjëndje të dehur mjetin tip "Nissan" me targa LB 2354 A, në aksin rrugor Librazhd – Elbasan, në vendin e quajtur  "Kthesa e Murrashit", është përplasur me mjetin tip "Benz" veturë me targa AA 375 LF,  drejtuar nga shtetasi E.Q, 25 vjeç banues në Lushnjë.

Si pasojë janë aksidentuar shtetaset  H.T, 81 vjeçe dhe Z.T, 42 vjeçe të dyja banuese në Librazhd , të cilat kishin qenë pasagjere në mjetin me targa LB 2354 A.

Të dyja shtetaset, pasi morën ndihmën mjekësore në spitalin e Librazhdit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë Elbasan për  veprime  të  mëtejshme për  veprën penale "Shkelja e Rregullave të Qarkullimit Rrugor" dhe "Drejtimi i automjetit në gjendje të dehur".

4 janar 2017  (gazeta-Shqip.com)

Tërmet në Fixhi, alarm për cunam

Posted: 04 Jan 2017 01:24 AM PST

Një tërmet me magnitudë 7.2 goditi Fixhin, duke aktivizuar një alarm për cunami për disa ishuj në Oqeanin Paqësor. Tërmeti e kishte epiqendrën 280 km larg brigjeve të kryeqytetit Suva të ishullit Fixhi.

Alarmi është dhënë për zonat 300 km rreth epiqendrës, për shkak se thellësia e saj ishte 15 km nëntokë dhe rreziku i ngritjes së dallgëve u konsiderua tepër i madh nga sizmologët.  Turistët në disa zona të rrezikuara janë evakuuar.

4 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

QË TË JETË NJË VIT FITUES…

Posted: 04 Jan 2017 01:10 AM PST

Astrit PATOZI

I(e) dashur mik(e),

Nuk ka vite të mirë dhe vite të këqinj, ndaj mos e mallko këtë që po ikën, duke uruar më kot lumturinë, që si gjithmonë nuk ka për të ardhur pas 1 janarit. Bardh-e-zia nuk ndihmon asnjëherë për të ndjerë dhe kuptuar se dhimbja dhe gëzimi duhen trajtuar me të njëjtin kujdes dhe me të njëjtën përunjësi. Por kjo nuk e ndryshon faktin që ngjyrat e jetës në masën më të madhe i përcaktojmë vetë.

Është ditë bilancesh, por ato jo gjithmonë kanë lidhje me shifrat. Mos u xhelozo pa lidhje për ata që dinë vetëm të numurojnë, njerëz apo sende qofshin. Fatmirësisht, aritmetika është shkencë monotone dhe shumë e pamjaftueshme për të shpjeguar kuptimin e jetës.

Besimi dhe shpresa janë pasuri të pacmuara, që ende nuk kanë dalë në shitje. Por ti mos e merr si të shkruar nga Zoti këtë, sepse ato mund të falen dhe të jepen në përdorim. Sic, për fat të keq, na ka ndodhur.

Unë e di se nuk është gjithmonë e lehtë të ndash engjëllin nga djalli, për sa kohë që patetizmi vijon të mbetet sport i preferuar. Por kjo nuk do të thotë se për ta mësuar që soba djeg, duhet patjetër të vendosësh dorën mbi suprinën e saj.

Mendo, gjithësesi, të ndreqësh gabimet e tua të vogla, sado të pakrahasueshme të jenë ato me mëkatet e mëdha të atyre që po të shpifin atdheun. Të cilin të ftojnë ta duash vetëm, kur dalin vetë në televizor, ose maksimumi atëherë kur ka ndeshje kombëtarja e futbollit.

Duhet ta dish që Shqipëria fillon nga tavolina jote dhe mbaron tek himni i flamurit, e nuk është aspak e kundërta. Dhe duhet të ndihesh i fortë, sepse ata nuk të ndërrojnë dot ty, kurse ti mund t’i ndërrosh mëkatarët.

Mund të fitosh nganjëherë edhe pa e arritur dot trofeun. Por mund të humbësh thellë, pikërisht atëherë, kur duket se të gjithë po të duartrokasin. Mos të duket e pamundur që fitore mund të arrihet edhe pa mundur domosdo dikë tjetër. Ndërkohë, që mund të humbasësh rëndë edhe po të gjunjëzosh gjysmën e globit.

Uroj që ky të jetë një vit fitues, në të gjitha kuptimet e kësaj fjale, por jam i sigurt se kjo nuk vlen për të gjithë. Është ekskluzivitet i atyre që besojnë, i atyre që përpiqen, i atyre që luftojnë. Mos ki asnjë dyshim se pas një viti do t’i gjejmë në të njëtin vend dhe në të njëjtën gjendje ata që sot vetëm po luten për suksesin, që s’vjen, me sytë nga qielli.

Cdo ëndërr për të ndryshuar botën fillon nga vetja. Dhe asnjë ndryshim nuk është arritur pa qenë një herë më parë ëndërr.

Reshjet e dëborës, situata e kalueshmërisë në akset kombëtare

Posted: 04 Jan 2017 01:09 AM PST

Në rajonin verior Shkodër ka pasur reshje bore në të gjithë akset e këtij rajoni.  Akset ku sasia e borës është më e madhe është si më poshtë:

“Në aksin Kuben – Vasie, ka 25 cm borë, qarkullimi kryhet pjesërisht me zinxhirë. Në aksin Peshkopi – Qafë Drajë, ka 25 cm borë, qarkullimi bëhet pjesërisht me zinxhirë. Në aksin Ura e Cerenecit – Steblevë, ka 15 – 25 cm borë, qarkullimi bëhet pjesërisht me zinxhirë.

Në aksin Qafë Bualli – Krastë, ka 20 cm borë, qarkullimi bëhet pjesërisht me zinxhirë. Në Rrugën e Kombit, qarkullimi është normal në të gjitha korsitë. Është bërë pastrimi i borës dhe kriposja e rrugës. Në aksin Laç – Vau i Dejës – Fushë Arrëz, ka 20 cm borë, punohet me 3 borëpastruese, qarkullimi është me zinxhirë. Në aksin K/Hadroj – Qafë Benë, ka 20 cm borë, qarkullimi kryhet me zinxhirë.

Në aksin Fushë Arrëz – Fushë Dukagjin, ka 30 – 50 cm borë, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Në të gjithë akset punohet për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës nga kontraktorët”, njofton Ministria e Transporteve.

Në rajonin qendror Tiranë.

Në akset e Dajtit qarkullimi kryhet pjesërisht me zinxhirë, për shkak të reshjeve të borës. Të bëhet kujdes në segmentin Qafë Priskë – Qafë Mollë. Në aksin Librazhd – Steblevë, ka 10 cm borë dhe vazhdon të bjerë. Nuk ka probleme për qarkullimin. Edhe në akset e tjerë është bërë pastrimi dhe hedhja e kripës. Në Rajonin Jugor Gjirokastër: Në akset e Korçës nuk ka pasur reshje bore. Qarkullimi është normal në të gjitha akset e këtij Rajoni.

Të gjithë kontraktorët janë në gatishmëri me mjete dhe njerëz, për përballimin e situatës dimërore. Rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes sidomos në akset ku ka prani të borës ose ngricave, dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.

4 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Related Posts :