Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Shqipëria humbet dy vende, Kosova një” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Shqipëria humbet dy vende, Kosova një” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Shqipëria humbet dy vende, Kosova një

Posted: 13 Jan 2017 08:09 AM PST

Kombëtarja shqiptare humbet dy pozicione në renditjen e përmuajshme të FIFA-s. Nga vendi i 49-të, kuqezinjtë kanë rrëshqitur në të 51-in, edhe pse nuk kanë pasur qoftë një ndeshje gjatë muajit dhjetor, sikurse të gjitha përfaqësueset europiane. Në rënien e Shqipërisë në këtë klasifikim ka ndikuar ngjitja e Republikës Demokratike të Kongos në vendin e 49-të dhe e Nigerisë në të 50-tin. Ky është një nga pozicionet me të këqija të Shqipërisë gjatë viteve të fundit si rezultat e dy humbjeve radhazi me Spanjën dhe Izraelin. Rekordin historik kuqezinjtë e shënuan në verë të 2015-ës, me vendin e 22-të në botë. Edhe Kosova ka rënë një pozicion. Përfaqësuesja e shtetit më të ri në Europë ka shkuar në vendin e 166-të në botë. Asnjë ndryshim sa i përket dhjetëshes së parë të renditjes së FIFA-s. Kryeson me 1506 pikë Belgjika, më pas vijnë Argjentina, Spanja dhe Gjermania, pozicioni i pestë i përket Kilit, ndërsa top-listën e mbyllin Brazili, Portugalia, Kolumbia, Anglia dhe Austria.

Astana prezanton Azdren Llullakun

Posted: 13 Jan 2017 08:08 AM PST

Vjen edhe prezantimi i Azdren Llullakut si futbollist i FC Astanas. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka disa javë që ka mbyllur gjithçka, por vetëm tani është bërë prezantimi zyrtar nga klubi kampionat i Kazakistanit. Me një video të shkurtër në “Youtube”, Astana ka prezantuar sulmuesin dhe ka lajmëruar se nesër do të postojë një video të gjatë, me intervistë të blerjes së rëndësishme të janarit. Llullaku shkëlqeu me Gaz Metani në pjesën e parë të sezonit, duke shënuar pa fund, por ishte në 6 muajt e fundit të kontratës dhe kishte një pagë shumë të ulët te klubi rumun. Ofertat në javët e fundit të vitit të shkuar ishin të shumta, por Llullaku pranoi atë të Astanas, shumë serioze ekonomikisht.

Partizani zyrtarizon fantazistin Marko Cetkoviç

Posted: 13 Jan 2017 08:08 AM PST

E kërkuan me insistim në janarin e shkuar, por nuk arritën ta bënin tyrin. Megjithatë, drejtuesit e kuq kanë mundur ta zyrtarizojnë këtë të enjte Marko Cetkoviçin, fantazistin malazes që udhëhoqi skuadrën e Laçit në fitimin e një Kupe dhe të një superkupe dy edicione më parë. Cetkoviç në verë vendosi t’u bashkohej boshnjakëve të Sarajevës, por pas një gjashtëmujori që shkoi jo sipas parashikimeve të tij, me vetëm 10 aktivizime dhe 1 gol, Cetkoviç vendos të rikthehet në Superligë, një kampionat që e njeh shumë mirë, pasi me bardhezinjtë e Laçit ka shënuar 11 gola në 39 takime, por mbi të gjitha ka furnizuar pa fund shokët e tij të ekipit me asiste të shkëlqyera për gol. Pikërisht këtë detyrë do të ketë dhe te Partizani, ku prioritet mbeten asistet drejt Ekubanit, sulmuesit të fuqishëm italo-ganez, që po udhëheq repartin e avancuar të të kuqve.

Kukësi humbet të dytën, Gjoka vlerëson paraqitjen

Posted: 13 Jan 2017 08:08 AM PST

Jeton Selimi

Kukësi humbi edhe miqësoren e dytë në Antalia. Kampionët e dimrit të Shqipërisë u mposhtën 1-0 nga kazakët e Kairat Almatit, pas një ndeshjeje ku gjithsesi trajneri mori disa përgjigje pozitive nga skuadra. Kjo ishte humbja e dytë për Kukësin nga Kairati, teksa në vitin 2014 kazakët eliminuan verilindorët nga Liga e Europës. Trajneri Gjoka hodhi në fushë një skuadër me rreshtimin 4-4-1-1 me Eminin në mbështetje të Pejiçit. Në ndryshim nga sfida me Bashaksehirin, verilindorët e nisën shumë mirë ndeshjen duke fituar një 11-metërsh në minutën e 8-të, të cilën Pero Pejiç e shpërdoroi. Në këtë fraksion loje Kukësi pati dhe mundësi të tjera për shënim, por nuk arriti dot të realizojë. Në fillimin e pjesës së dytë ndërkohë ishte Kairati që zhbllokoi shifrat në të 50′-tën me Gerard Gohou, që shfrytëzoi një harkim të hedhur në zonë. Pavarësisht dëshirës së Kukësit për të arritur te goli barazimit, shifrat nuk ndryshuan më, ndërsa trajneri Gjoka hodhi në fushë për herë të parë dhe brazilianin Kale, që bëri debutimin e tij me verilindorët. Gjithashtu, gjatë mesit të pjesës së dytë pati dhe një shkëputje të energjisë elektrike, që bëri që ndeshja të ndërpritej për rreth 10 minuta. Sfidën e radhës skuadra e Kukësit do ta ketë me azerët e Neftçi Baku.
Trajneri
I kënaqur me paraqitjen, por jo me rezultatin. Në përfundim të miqësores së dytë në Antalia të humbur me shifrat 1-0 ndaj skuadrës kazake të Kairat Almatit, trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka vlerësoi mënyrën sesi luajti skuadra e tij, por në të njëjtën kohë nënvizoi se verilindorët duhet të tregohen më cinikë përpara portës. Sipas Gjokës, pavarësisht rezultatit, sfida të tilla të nivelit kaq të lartë si ajo ndaj Istanbul Bashaksehir dhe kjo ndaj Kairat Almatit do të t’i shërbejnë shumë Kukësit për vazhdimësinë e sezonit. “Jam i kënaqur me lojën që zhvilloi skuadra, pasi luanim përballë një kundërshtari shumë të fortë. Mendoj se duhet të ishim treguar më cinikë, humbëm një penallti që nëse do ta realizonim, gjërat mund të kishin shkuar ndryshe. Më vjen keq që nuk i shfrytëzuam si duhet mundësitë që na u paraqitën, sepse krijuam shumë raste. Gjithsesi, pavarësisht rezultatit, këto ndeshje po i shërbejnë shumë skuadrës”. Nëse do e mendojmë rezultatin, unë do kisha dëshirë të kishim përballë kundërshtarë më të lehtë, por ne si skuadër na duhen këto ndeshje. Po sfidojmë kundërshtarë shumë të fortë, skuadra po tregon rritje në lojën, lojtarët pak nga pak po arrijnë formën optimale”.

Suarez, si një “përbindësh” me Barcelonën

Posted: 13 Jan 2017 08:07 AM PST

Një mbrëmje rekordesh për t’u kujtuar gjatë. Suksesi 3-1 i Barcelonës në “Camp Nou” ndaj Atletik Bilbaon nuk vlejti thjesht kualifikimin e çerekfinale të Kupës së Mbretit, por përmirësoi edhe statistikat e tredhëmbëshit Mesi-Nejmar-Suarez. Sulmuesi uruguaian arriti shifrën e 100 golave me Barcelonën në të gjitha kompeticionet, teksa shënon 120 ndeshje me fanellën blaugrana. 68 finalizime i përkasin La Ligas, 17 Championsit, 8 Kupës Mbretit, 5 botërorit për klube dhe nga një në Superkupën e Spanjës dhe atë të Europës. 29-vjeçari bëhet kështu lojtari i tretë në historinë e Barçës, që arrin shifrën e 100 golave me më pak ndeshje. Në të kaluarën vetëm dy lojtarë kanë shënuar 100 gola në më pak ndeshje të luajtura se Suarez. Bëhet fjalë për Mariano Martin, që e arriti këtë numër finalizimesh në vetëm 99 takime dhe për Kubalan që zhvilloi 103 sfida për 100 gola. Lionel Mesi, duhet të zhvillonte plot 188 takime me katalanasit, për ta dërguar 100 herë topin në rrjetë. Për yllin argjentinas goli që i dha kualifikimin Barçës ndaj Bilbaos ishte i treti radhazi nga goditja e lirë. Që nga momenti kur luajnë bashkë, Mesi, Suarez e Neymar kanë dënuar në total 302 gola.

104 vjet Polici Shqiptare

Posted: 13 Jan 2017 08:06 AM PST

Nga Besnik Bakiu

13 janari është dita e krijimit të Forcave të Ruajtjes së Rendit, kur 104 vite më parë, qeveria e burrit të madh të shtetit Ismail Qemali vendosi krijimin e këtyre forcave. Ky vendim sanksionoi mënyrën e organizimit, funksionimit si dhe sistemin e pagave për secilin funksion organik. Pas këtij vendimi, u krijuan komiseritë e policisë së qytetit dhe njësitë e xhandarmërisë. Qeveria për krijimin e këtyre forcave ngarkoi Sali Vranishtin, Alem Tragjasin, Hysni Toskën dhe Hajredin Hekalin, kurse si drejtor të parë të Policisë Shqiptare nderi dhe përgjegjësia i takoi Halim Gostivarit.

Jo rastësisht kjo ditë quhet e "Forcave të Ruajtjes së Rendit", pasi lidhet me historikun e strukturave të cilave u është ngarkuar kjo detyrë, e cila në periudha të ndryshme kohore ka qenë milicia, policia, xhandarmëria.

Por fillimet e Policisë Shqiptare datojnë më herët (shek. XVIII dhe gjysma e parë të shek. XIX), me Pashallëqet e Janinës dhe Bushatllinjve, ku për herë të parë u krijuan policia dhe xhandarmëria. Pashai i Janinës, krijoi dhe organizoi një polici tepër të centralizuar e të fortë me disa lloj shërbimesh, si atë të rendit, porteve, burgjeve etj., kurse Pashai i Shkodrës organizoi forcat e policisë dhe xhandarmërisë.

Qeveria e Vlorës i dha rëndësi të veçantë konceptit të sigurisë, si një prej sfidave më të mëdha të ekzistencës si identitet kombëtar. Kjo duket edhe në telegramet e para dërguar prefekturave dhe nënprefekturave, ku Ismail Qemal bej Vlora, pasi i njofton për shpalljen e Pavarësisë dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar, porositi "…Lutemi të shpallet edhe atje dhe përpiquni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik", "Është e nevojshme të bëhet një reformim në çështjen… e qetësisë publike".

Krijimit të këtyre forcave u kishte paraprirë krijimi në 4 dhjetor 1912 i Ministrisë së Brendshme, e cila përgjigjej për ruajtjen e rendit e të qetësisë publike. Për të përmbushur këtë detyrë, ajo brenda pak kohësh krijoi një Fuqi Civile, një pjese të së cilës i ngarkoi detyra në rolin e policisë për ruajtjen e ligjshmërisë dhe zbulimin e shtypjen e kriminelëve, ndërsa pjesën tjetër e angazhoi për krijimin e xhandarmërisë. Në këtë ministri funksiononte Zyra e Sigurimit Publik me atributet e Drejtorisë së Policisë, ndërsa pranë prefekturave e n/prefekturave ishin zyrat e komiseritë e policisë. Xhandarmëria funksiononte mbi bazën e batalionit (në prefekturë), kompanisë (n/prefekturë) dhe togës (në krahina). Në maj 1913 u krijua Shtabi Madhor, nga i cili varej xhandarmëria, si dhe 3 batalione xhandarmërie (Vlorë, Berat dhe Elbasan).

3 qershor 1913 u vu në funksionim Rregullorja e Qeverisë së Vlorës "Mbi formimin e Milicisë Shqiptare". Po në këtë kohë, u vendos për herë të parë uniforma kombëtare e xhandarmërisë dhe policisë. Ndërsa, më 20 dhjetor 1913, doli dekreti i Qeverisë së Vlorës "Mbi formimin e Xhandarmërisë Shqiptare në krahinat e jugut".

Rëndësia e këtyre akteve qëndron jo vetëm në faktin se për herë të parë u hodhën bazat institucionale të Forcave Shqiptare të Rendit, por edhe për tentativën për t'u shkëputur nga tradita e vjetër ligjore osmane, por si një nga lëvizjet e para drejt Perëndimit.

Në vitet e Luftës së Parë Botërore ku Shqipëria u pushtua disa herë nga ushtritë e huaja, pushtuesit organizuan xhandarmërinë dhe policinë, për të garantuar rendin dhe mbrojtur interesat e tyre si pushtues.

Pas formimit të Qeverisë së Përkohshme të Durrësit, në maj 1919 filloi organizimi i xhandarmërisë dhe policisë. Më 21 shtator 1919, Ministria e Punëve të Brendshme formoi Drejtorinë e Përgjithshme të Qetësisë Publike. Në këtë vendim u përcaktuan struktura organike, pagat e personelit dhe organizimi territorial i tyre sipas ndarjes së re administrative.

Në 1920, qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës, në kuadër të masave për ngritjen e administratës dhe vendosjes së rendit e qetësisë publike nisi punën për krijimin e një policie me profil të ri, duke u mbështetur si në traditën e mëparshme të vendit, ashtu edhe në përvojat e përparuara të vendeve të ndryshme të Evropës.

Në 1922, shkrihet Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, dhe detyrat e saj iu ngarkuan xhandarmërisë.

Në dhjetor 1926, u rikrijua Drejtoria e Policisë, në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kurse në maj 1928, dekretligji organik i Ministrisë së Punëve të Brendshme, përcaktoi edhe përgjegjësitë e Komiserit të Policisë, i cili kishte për detyrë: "Të sigurojë qetësinë e qytetit e të zbatojë rregulloren e policisë".

Një nga arritjet më të mëdha të kësaj periudhe ishte miratimi i Kodit Penal Shqiptar, i cili hyri në fuqi më 1 janar 1928.

Me Dekretin Mbretëror, të datës 25 qershor 1935, u bë suprimimi i Policisë së Sigurimit Publik dhe zëvendësimi i saj me Xhandarmërinë Qytetëse. Ky shërbim i ri me të drejta e detyra tërësisht policore do të funksiononte si në vendet ku ekzistonte policia, ashtu edhe në qytete e vende të tjera ku shihej e nevojshme.

Pas Luftës së Dytë Botërore, modelimi i Policisë Shqiptare u bë sipas përvojave lindore. Këto praktika që vazhduan për afro 5 dekada modeluan një polici të tipit militar, deviza e së cilës ishte "mbrojtja e shtetit të diktaturës dhe udhëheqjes politike të kohës". Më 14 maj 1945, u bë organizimi i Drejtorisë së Policisë Popullore dhe organeve të saj qendrore e vendore, dhe më 30 gusht 1945, Kryesia e KANÇ-it nxori ligjin mbi formimin e Policisë Popullore, në çdo prefekturë dhe nënprefekturë pranë KANÇ-eve vendore, si organ "ekzekutiv i administratës shtetërore".

Gjatë viteve 1945-1990, kanë ndodhur disa ndryshime në fushën e organizimit dhe strukturimit të policisë. Policia arriti të funksionojë gradualisht si një shërbim i qëndrueshëm me aftësi profesionale dhe në ndihmë të popullsisë. Si rrjedhojë e punës së suksesshme të Policisë në këto vite në drejtim të uljes së kriminalitetit, zbulueshmërisë së lartë, eliminimit të gjakmarrjes dhe disa treguesve të tjerë pozitivë në ruajtjen e rendit e sigurisë publike në vend, në vitin 1970, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoron Policinë me "Urdhrin e Shërbimit të Klasit të Parë".

Me rënien e regjimit komunist, filloi puna e vështirë për reformimin e Forcave të Armatosura. Më 8 qershor 1991, Kuvendi Popullor miratoi ligjin për depolitizimin e këtyre forcave. Një vit më vonë, më 30 korrik 1991, Kuvendi Popullor miratoi ligjin "Mbi Policinë e Rendit", ku "Policia e Rendit është organ ekzekutiv i armatosur, pjesë përbërëse e Ministrisë së Rendit Publik, në strukturën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", veprimtari që bazohej "në Kushtetutë e në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë dhe i përmbahet parimit të ligjshmërisë, të humanizmit e të objektivitetit".

Më 4 nëntor 1991, Policia Shqiptare pranohet anëtare e INTERPOL-it. Më 14 janar 2002, Presidenti i Republikës i akordon Policisë së Shtetit Urdhrin e Lartë "Gjergj Kastrioti Skënderbeu".

Po të ndjekësh transformimin e policisë në vite, të bie në sy roli i qenësishëm që ka luajtur faktori ndërkombëtar në forcimin e modernizimin e saj. Ky kontribut ka qenë i pranishëm që në fillesat e saj me misionin holandez të kryesuar nga kolonel William de Veer dhe zëvendësi i tij major Ludvig Thomson, vazhdoi me misionin britanik të kryesuar nga Gjeneral Major Sir Jocely Perscy dhe Koloneli W. F. Stirling, dhe është i pranishëm edhe sot me Programin e SHBA ICITAP, Misionet Evropian PAMECA, FRONTEX, SEPCA, DCAF, SELEC, CEPOL, Misionet italiane INTERFORZA dhe Guardia di Finanza, Misioni i OSBE, Programet suedeze SIDA e SCPA etj.

Në këto vite post-diktature, Policia Shqiptare është ndeshur me shumë të përpjeta e tatëpjeta. Meqenëse shoqëria shqiptare vuan nga amnezia, në këtë ditë jubilare gjej rastin të risjell në kujtesën e të gjithëve disa fakte "të harruara".

Policia e zhvillon veprimtarinë e saj në një shoqëri ku kultura ligjzbatuese është e mangët dhe ku shkelësit e ligjit janë në mazhorancë; në një ambient politik shumë të ndotur dhe agresiv; në një territor ku kanë munguar adresat e rrugëve dhe banesave; ku gati 20 vjet popullsia ishte e paregjistruar dhe e papajisur me letërnjoftime; ku infrastruktura publike (semaforë, kalime e mbikalime etj.) lënë shumë për të dëshiruar; ku informaliteti është dukuri sunduese; në një sistem drejtësie që vetëm drejtësi nuk ka dhënë.

Dy herë në dhjetëvjeçarin e parë të kësaj post-diktature kemi përjetuar tri herë cenime të rënda të rendit kushtetues, duke i detyruar partnerët ndërkombëtarë të na dërgojnë forca për rivendosjen e rendit dhe qetësisë.

Dhe, më kryesorja, mungesa e një konsensusi politik për të krijuar një Polici Shteti (jo Pushteti) të qëndrueshme, të aftë profesionalisht dhe të depolitizuar, e shoqëruar kjo me vendosjen e Policisë së Shtetit në epiqendër të akuzave nga opozitat e radhës, sikur të ishte e keqja më e madhe e këtij vendi.

Përballë këtyre fakteve, vetvetiu lindin pyetjet: Pse nuk i ka interesuar politikës shqiptare krijimi i një institucioni të fortë policie? Do ta përdorë, apo ka frikë nga inkriminimi i vet? Apo të dyja bashkë? Siç duket, raporti frojdian i urrejtjes midis zbatuesit të ligjit (policisë) dhe antiligjit ka qenë mbisundues.

Në këtë 104-vjetor kujtojmë me nderim e mirënjohje të veçantë gjithë të rënët dhe të plagosurit e policisë në krye të detyrës, të cilët për fat të keq, jo vetëm nuk janë të paktë në numër, por i kalojnë në numër ato të një lufte. Është për t'u përshëndetur dhe inkurajuar veprimi i ministrit të Brendshëm për ngritjen e Murit të Kujtesës në hyrje të këtij institucioni, por kjo është vetëm njëra anë e medaljes dhe nuk mjafton, pasi duhet që vlerat humane dhe profesionale, sakrificat e punonjësve të policisë të vlerësohen në të gjallë të tyre nga të gjithë.

Në fund, përveç urimit për gjithë punonjësit e policisë "Gëzuar festën, miqtë e mi!", dua t'i apeloj gjithë shoqërisë shqiptare se Policia e Shtetit me gjithë 1001 problemet që ka, përsëri ka qenë e mbetet institucioni më i mirë, më i besueshëm dhe më i përgjegjshëm në Shqipëri, prandaj duajeni, respektojeni, mirëkuptojeni dhe ndihmojeni atë! Siguria është e pamundur pa këtë bashkëpunim.

 

 

Jaime Lerner, një mendje e bukur

Posted: 13 Jan 2017 08:05 AM PST

 Monika Shoshori Stafa

Pak më shumë se 100 vite më parë, një arkitekt i famshëm amerikan, Daniel Burnham, pat lëshuar kushtrimin e tij shpotitës, në mënyrë aq të befasishme tek të gjithë ata, të cilët ishin entuziastë në pritje për t'u ndryshuar fytyrën qyteteve amerikane. "Mos u lodhni të projektoni hapësira të vogla për qytetet tuaja", këshilloi ai. "Ato nuk mund të ngacmojnë vibrime në gjakun e njerëzve. I bëni ato të mëdha, shkoni lart në ëndrrat tuaja. Mos kini frikë t'i shkruani ato e që këtej t'i ndizni shpresën dhe forcën për punë banorëve të qyteteve tuaj". Qëllimi i Burnham ishte i qartë. Ai besonte se qyteteve të mëdha i detyrohemi pa asnjë diskutim pamjen glorifikuese që duhet të vinte prej ndërtesave monumentale, parqeve të gjera e elegante, të dizenjuara në projekte vizionare dhe inovative në të cilat të mund të pasqyroheshin qartazi synimet e një ëndrre, që do të duhen dekada të plotësohen. Ndërsa koha shkonte, këshilla ekstravagante e Burnham mori statusin e një klisheje, por breza të tërë arkitektësh dhe projektuesish e përvetësuan atë, duke e përdorur në çdo kohë për të justifikuar propozimet me projekte madhështore që ata u bënin politikanëve dhe filantropëve, të cilët paguanin shuma marramendëse për to. E sigurt është se nuk mund të jetë e ndershme të fajësojmë plotësisht arkitektin amerikan dhe gjeniun brenda tij, si përgjegjës për qindra ato projekte rinovimi urban, që i kthyen qendrat e qyteteve në vende thellësisht jo më aq simpatike sa shumica e tyre u bënë gjatë mesit dhe fundit të shek. të 20. Por, ka ende ekspertë të mençur boll, që për shekullin e ardhshëm u ofrojnë një tjetër alternativë projektuesve urban; një dozë të vogël nga e kundërta e këshillës së Burnham. Diçka të ngjashme me këtë pohim, "….bëni kujdes me planet e mëdha, sepse ato kërkojnë përkushtim të përhershëm, kushtojnë shumë dhe gjenerojnë pasoja të padëshiruara e të panumërta. Filloni nga ndryshimet e vogla, të cilat mund ta përmirësojnë jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm; filloni t'i bëni ato menjëherë. Mos harroni të vazhdoni së ndërtuari mbi suksese të vogla për të arritur më vonë diçka më shumë ambicioze". Shumë pak kryebashkiakë shqiptarë mund të mësojnë prej këtyre këshillave. Dashuria që duhet të kenë ata për qytetin është çelësi i nismës së këtyre alternativave, që ata mund t'i zgjedhin vetë se cilin variant këshillimi mund të ndjekin. Është kënaqësi sot të mund të shohësh një lëvizje të re, që në mënyrë eksplicite mbron një strategji të përmirësimit të qyteteve me hapa të vegjël, nën një seri goditjesh të njëpasnjëshme e të kujdesshme; një strategji pune kjo që mund të krahasohet me atë mënyrën aziatike të trajtimit të sëmundjeve, e quajtur ndryshe akupunktura. Krahasimi me këtë metodë mjekësorë shërimi duket së është modeli më i mirë që ekspertët e urbanistikës në kohët e sotme e kanë huazuar prej termit të kësaj metode mjekësore për të përshkruar mënyrën e re se si ata operojnë sot. Ata e quajnë atë ndryshe, akupunktura urbane. Po çfarë është në të vërtetë akupunktura urbane? Pak muaj më parë në dorë më erdhi një libër me të njëjtin titull, nga një mike e re e imja, e cila e kish përkthyer atë me padurimin e një fëmije për shkak të modelit që e kish frymëzuar aq shumë në kontekstin e tij. Jo aq se vetë ajo është një arkitekte e zonja, por sepse dëshira për të përmirësuar qytetin ku ajo po kandidonte, Pogradeci, ia ndezi ritmin rutinës së përditshme në të cilën edhe vetë qyteti i vogël juglindor ishte përfshirë. Në një bashkëbisedim me të në Berlin, ark. Diana Mile më kish thënë se besonte në disa mrekulli të mjekësisë, të cilat mund të aplikoheshin edhe për shumë qytete tona, që janë problematike dhe sidomos disa që kanë probleme emergjente. Sipas saj, ashtu sikurse kurimi i mirë varet nga bashkëpunimi i doktorit me pacientin, planet e suksesshme urbane përfshijnë përgjigjet e duhura për qytetin, duke bërë sondazhe për të nxitur zhvillimet dhe mundësitë e reagimeve pozitive. Më vonë u zhyta thellë në mendime kur fillova të shfletoja librin me të njëjtin titull "Akupunktura Urbane" që ajo ma pat dhuruar dhe ku mund t'i referohesha për të njohur më mirë se si mund të përmirësojmë qytetet, për të mos folur më pas edhe për autorin e librit, i cili ishte një lloj tjetër gjeniu në lëmin e tij. Gjatë kërkimeve të mia mbi akupunkturën urbane, mësova se ajo me fjalë të tjera na ishte një filozofi social-mjedisore, që në thelb të saj kombinonte projektin bashkëkohor urban me disa dhjetëra ndërhyrje të vogla, metodë kjo që mund ta transformonte përmbajtjen urbane të qytetit në një këndvështrim më të gjerë inovativ. Zonat për t'u kryer kjo lloj metode përzgjidheshin përmes analizave të ndryshme të faktorëve socialë-ekonomikë dhe ekologjik. Ato zhvilloheshin përmes një dialogu projektues-komunitet. Me fjalë të tjera, akupunktura urbane psh., është dhe krijimi i terreneve të vogla sportive në lagjet e qytetit ku fëmijët nuk kanë asnjë vend për të lozur; ku parashikohen të mbillen pemë përgjatë rrugëkalimeve kryesore që shfaqen aq të dëshpëruara, pa asnjë copë tokë hije rreth tyre; ndërtimi i disa parqeve të vogla me ca ngastra toke të cilat do të mund të shërbejnë shumë mirë si hapësira parkingu apo dhe përcaktimi i zonave të këmbësorëve që u jep atyre një shëtitje të sigurt prej makinave që ecin atypari.

Rijetësimi është ndërhyrje, një mënyrë e pashmangshme për të bërë ndryshimin dhe funksionimin organik. Kjo metodë e re aplikimi, akupunktura urbane, nuk e sheh të nevojshme aspak të shfajësojë liderët politikë për të ndërmarrë premtime të mëdha: si menaxhimi i shkollave, i sistemeve tranzite apo asgjësimi i mbeturinave komunale. Kjo është një mënyrë veprimi mbi pikat më nevralgjike të qytetit që nis gjithmonë me hapa të vegjël, por të sigurt. Në dukje, këto janë disa përmirësime të parëndësishme, por që mund të jenë nesër diferenca mes monotonisë urbane dhe një atmosfere tjetër aventure urbane. Akupunktura urbane nuk është ende një term familjar në qarqet e planifikimit urban. Por, specialistët e urbanistikës filluan ta përdornin atë për të përshkruar më mirë qëllimet e ideve të tyre, që ata shpresonin t'i përmbushnin. Në qytetet shqiptare ende asnjë kryetar bashkie nuk ka folur për këtë mënyrë riprojektimi të qyteteve tona. Në disa raste kjo mënyrë e bukur e të rikonceptuari të qyteteve ka shërbyer për të transformuar blloqe të mbushura me shtëpi të braktisura në një lagje funksionale të qytetit. Edhe pse këto përpjekje përfaqësojnë inovacione apo risi të vërteta, ende nuk është gjetur një shprehje tërheqëse për ta shpjeguar më në hollësi së çfarë në të vërtetë ndodh. Ka disa shembuj të mirë, të cilëve mund t'i referohemi, që e kanë përdorur akupunkturën urbane si një strategji të suksesshme. Kryebashkiaku i Los Anxhelosit, Eric Garcetti, pothuaj që prej ditës që ai u shpall KB i këtij qyteti në vitin 2013, filloi të fliste rreth akupunkturës urbane duke e përshkruar si një plan të tij për të rivitalizuar rrugëkalimet kryesore si dhe 40 lagjet e qytetit. Aksionet që ndërmerren bazuar mbi akupunkturën urbane janë mënyra për të tërhequr sa më shumë investitorë, pat thënë 42-vjeçari simpatik Garcetti, kryebashkiaku hebre, i cili vinte në këtë detyrë nga bota akademike. Ai shtoi se iniciativa e tij do të përfshinte ndërtimin e shumë parqeve në formë xhepi, hapësira për biçikletat, riparime trotuaresh dhe një listë të gjatë me punë të tjera, të cilat duken të përshtaten pastër nën strategjinë e akupunkturës urbane. Megjithatë, duket qartë se të gjitha këto projekte inovative mbi qytetin dhe ardhmërinë e tij i detyrohen shumë një njeriu vërtet të pazakontë. Autorit të librit prej të cilit ne mësuam kaq shumë prej akupunkturës urbane, Jaime Lerner. Një arkitekt brazilian 76vjeçar, i cili pat filluar të fliste për këtë metodë të re të projektimit të qyteteve në fillim të viteve 1970, ndërsa ishte kryetar bashkie i qytetit me emrin Curitiba. Vitet e fundit ai ka qenë në vëmendje të gjerë të opinionit publik me fjalimet e tij pasionante mbi projektet e së ardhmes për qytetet duke u nisur nga shembulli i tij. "Unë gjithmonë e kam ushqyer ëndrrën dhe shpresën", thotë Lerner në një nga fjalimet e tij, "dhe kam menduar gjithmonë se aty ku shpohet me majën e një gjilpëre, vetëm aty sëmundja mund të kurohet". Dhe çfarë nga kjo metodë mund të funksionojë për pacientët, Lerner e beson se po aq funksionon edhe për qytetet. "Pothuajse gjithmonë – shton ai, – pikërisht prej këndej ndizet ajo shkëndija e parë e flakës, që fillon e shpërndan rrymën e energjisë ngado. Kjo është akupunktura e vërtetë urbane". Curitiba nuk është aspak një qytet i vogël. Popullsia e tij kap shifrën e rreth 1.7 milionë banorëve. Krahasuar me dy gjigantët e tjerë të mëdhenj, Rio de Janeiro dhe Sao Paulo, ky mund të përcaktohet si një qytet i vërtetë moçalor. Të rejat që vinin nga këto lloj teori inovative që pat filluar të aplikonte Lerner po dëgjoheshin në mbarë botën jo më larg pasi ai kish nisur mandatin e parë si kryetar bashkie në vitin 1971, në moshën 34-vjecare. Njëherë tregojnë se gjatë vitit të parë të tij si kryebashkiak, pasi departamenti i punëve publike e siguroi se të kthejë një rrugë të zakonshme në një pedonale mund të kërkonte muaj pune, Lerner nga aty ngriti menjëherë një skuadër dhe e mbylli këtë histori për vetëm 72 orë. "Në akupunkturë – shpjegon ai në librin e tij, – shpimi i mprehtë i gjilpërës duhet të jetë i shpejtë, i menjëhershëm dhe goditës gjithashtu". Jaime Lerner nuk është vetëm një tregues i mirë i historive, ai është një realizues i punëve me rezultate mbresëlënëse e me ndikim në jetën e shumë njerëzve në Curitiba dhe qytete të tjera. Frymëzimi që të jep ky libër është i dyfishtë, vizionar dhe shumë praktik. Ky nuk është një libër teknik e po aq aspak teorik. Ky është një libër i mbushur me dashuri për qytetin dhe ëndrrën për ta përmirësuar vazhdimisht atë. Jaime Lerner është një mendje e bukur edhe për këtë arsye.

 

Shuhet në moshën 83-vjeçare zëri i artë Anida Take Prodani, ka interpretuar 750 këngë

Posted: 13 Jan 2017 08:04 AM PST

Është ndarë nga jeta dje në moshën 83-vjeçare këngëtarja e njohur Anida Take (Prodani). Ndarja e saj nga jeta erdhi për shkaqe natyrore në shtëpinë e saj. Homazhet do të bëhen ditën e premte, datë 13 janar, nga ora 11:00 deri në orën 12:00, në hollin e Radio Tiranës. Funerali nis nga ora 12:00, prej andej, për në Varrezat e Sharrës. Familjarët do të presin vizita ngushëllimi në mjediset e Hotel Mondial, duke nisur nga dita e shtunë, ora 10:00-14:00 dhe 16:00-20:00.
Anida Take ka lindur në Korçë, më 2 prill 1934. Ajo ka spikatur që në moshë të re për vokalin e saj të veçantë. Në moshën 17-vjeçare, në vitin 1951, është emëruar si këngëtare profesioniste në Filarmoninë Shqiptare, për të kaluar më pas në Estradën e Shtetit. Në këtë institucion, Anida Take ka zhvilluar për plot 20 vjet aktivitetin më të rëndësishëm të karrierës së saj. Duke u përballur për çdo natë me publikun në interpretimin kryesisht të këngës shqiptare, Take u afirmua si një interpretuese cilësore dhe krijoi personalitetin e saj artistik. Kësaj periudhe i përkasin plot 19 mijë debutime të saj, në të gjitha skajet e Shqipërisë, duke filluar nga Tropoja e deri në Bilisht apo Konispol, duke fituar zemrat e një mase të gjerë të publikut shqiptar. Gjatë 20 viteve të punës në Estradën e Tiranës, Anida Take është dekoruar me Medalje Pune “Naim Frashëri”, të klasit II dhe III.
Zëri i Takes ka jehuar edhe në skenat e huaja, duke bërë një prezantim dinjitoz të këngës shqiptare, në koncertet e dhëna në Rusi e Rumani gjatë vitit 1957, në Bullgari e Hungari me 1958, si dhe Kinë, Vietnam e Kore më 1961. Anida Take e vazhdoi aktivitetin e saj artistik edhe pas daljes në pension më 1972, duke qëndruar në skenën e Estradës së Tiranës dhe në skenat e rretheve si recitaliste. I përket pikërisht kësaj periudhe edhe një nga kulmet e karrierës së Anida Takes: dhënia e të parit recital në historinë e skenave shqiptare, në vitin 1983, gjatë të cilit këngëtarja 50-vjeçare interpretoi plot 25 këngë. Recitali u prit me shumë sukses dhe vijoi të shfaqej deri në vitin 1989 në shumë qytete të Shqipërisë, si Durrës, Berat, Sarandë, Delvinë, Pogradec e Korçë.
Që prej vitit 1991, Anida Take u vendos në Austri, ku nuk e ndaloi aktivitetin e saj artistik. Që nga ai vit e deri në vitin 2001, ajo ka kënduar në aktivitete të ndryshme, përpara një publiku shqiptar e austriak. E gjitha kjo pati ndihmuar këngëtaren e njohur të ruante një freski vokale dhe ëmbëlsi interpretative. Ajo u rishfaq në skenat e Tiranës, duke kënduar “live” në Festivalin “Kënga Magjike” të vitit 1999, ku edhe u dekorua nga Presidenti i Republikës, z. Rexhep Meidani, me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”, për kontribut të shquar dhe cilësi të lartë në interpretimin e këngës shqiptare, për talentin e saj të spikatur, që e vuri në shërbim të kombit të vet.
Në Festivalin e 40-të të Këngës në RTSH në vitin 2001, i është dhënë trofeu “Mjeshtër i Punës”. Gjatë karrierës së saj mbi gjysmëshekullore, Anida Take ka interpretuar një repertor prej 750 këngësh. Fatkeqësisht, disa prej perlave të interpretuara prej saj nuk ekzistojnë më në Fondin Shqiptar të Muzikës. Në emër të rigjetjes së tyre dhe risjelljes në vendin që u takon, Anida Take është angazhuar në moshën 69-vjeçare të interpretojë disa prej këngëve më të spikatura të krijuara nga bashkëshorti i saj, i paharruari Agim Prodani, por edhe autorë të tjerë të spikatur të pentagrameve të lehta, duke iu kujtuar brezave rrugën nëpër të cilën ka ecur kënga e lehtë shqiptare, në etapat kryesore të së cilës gjendet zëri i saj. Janë 16 këngë, që iu servirën publikut shqiptar të rinovuara dhe në një konceptim të ri orkestral, me ndihmën e djalit të saj.
Anida Take u shqua si një artiste që këndoi “live” deri në fund të jetës së saj artistike, duke qenë e pranishme dhe e duartrokitur fort e me dashuri në shumë skena të rëndësishme të artit muzikor.

“Një natë tek Luiza”, roman për vitet 1980 e parodi për regjimin komunist

Posted: 13 Jan 2017 08:04 AM PST

Nga Kujtim Morina

Para disa muajsh, po kërkoja në librari një libër për të lexuar nga Arbër Ahmetaj. ‘Fletëhyrje për në varr’ apo “Varri i braktisur” më dukeshin tepër të zymtë dhe zgjodha “Një natë tek Luiza”. Kisha dëgjuar që në fillim të viteve ’90, për një student të viteve të larta të mjekësisë që shkruante prozë nga ata që e marrin seriozisht e kam fjalën, dhe pastaj për disa vite nuk u ndie shumë derisa emigroi në Zvicër ku jeton prej dy dekadash.
Romani ‘Një natë tek Luiza” nuk ka strukturën tipike të romanit, më tepër janë tregime që duken pothuaj të shkëputura nga njëri-tjetri, vetëm personazhi kryesor që shpesh identifikohet me autorin, lëviz në të gjithë romanin që nga fëmijëria deri në moshë te mesme. Gjetja e Arbër Ahmetaj si prozator për mendimin tim nuk është aq shumë tek trillimi letrar megjithëse e ka edhe atë por tek personazhet me bazë të vërtetën jetësore, depërtimin në botën e tyre të brendshme shpirtërore, mungesën e kompleksve për t’i pasqyruar ata në shumë plane duke hetuar thellë në unin dhe egon e tyre dhe një satirë e hollë që i shpon ata tej për tej. Jeta bulëzon në këtë roman që nga mesi i viteve 80 të shekullit të kaluar me normat dhe paroditë e regjimit komunist me vitet e vështira të tranzicionit në Shqipëri dhe jetesën në emigracion.
Proza e Arbër Ahmetaj ka një figuracion që e bën atë tërheqëse dhe ngërthen një forcë vargu migjenian që e zhyt lexuesin në rrëfimet e tij interesante. Nganjëherë duket e vështirë, kalimi nga një episod apo kapitull në tjetrin por kur e fillon atëhere të tërheq shtjellimi i fabulës dhe vëzhgimi i mprehtë i autorit. Zvicerani Michel Pichon shkruan për prozën e Ahmetaj si një “shkrim që luhatet mes letërsisë, esesë dhe filozofisë”. Edhe në qoftë kështu, është jeta që lëvrin dhe ndjehet në të gjitha poret e saj në prozën e këtij shkrimtari me meditimet e tij. Ndryshe fantazia letrare e pambështetur në realitet mund të arrijë në bestseller por që e ka jetën e shkurtër.
Nuk ka në këtë roman skena të nxehta erotike që edhe mund të priten nga titulli por përshkrime romantike të thella që nuk bien në sentimentalizëm dhe jetë me të gjithë vrullin e saj. Madje janë momentet e vecanta me gjetjet apo dialogjet që të mbeten në mendje dhe kupton se aty është arti në rrapëllimat e kohës që e shijon momentin deri në përjetësi. Proza mund të kishte më shumë dialog por ky është stili i shkrimtarit me një paralelizëm apo personifikim të jetës me natyrën dhe një depërtim të thellë në vetëdijen e brendshme të personazheve që krijon.
Autori iu vë tituj të vecantë tregimeve apo kapitujve të librit që mund të lexohen edhe ndarazi. Do të veçoja “Shenjti Valentin”, ‘Kaprollja e plagosur”, ‘Gratë heroike hidrocentralase”, ” Alpenperle” ku duket se autori ia ka arritur një përshkrimi dhe sinteze artistike të gjendjeve dhe situatave që e ndjellin lexuesin t’ju shkojë deri në fund. Këtë të fundit e kisha lexuar si tregim të veçantë në internet dhe më shtyri të lexoj edhe diçka prej prozës së gjatë të këtij shkrimtari.
Pas leximit të këtij romani, nuk kam më ndruajtje të lexoj edhe romane apo tregime të tjera të tij që më frenonin pak nga titujt apo edhe mosnjohja e tij si shkrimtar. Besoj se ne në përgjithësi vuajmë nga paragjykimet apo stereotipet e krijuara për autorët shqiptarë dhe bëjmë vlerësime pa i lexuar dhe pa menduar shumë se shkrimtari si çdo profesionist tjetër evoluon në zejen e tij. Pastaj kjo është rrjedha e letërsisë shqiptare sidomos pas 90-s dhe duket që autorët që kanë emigruar janë më të lirë të shfaqin talentin dhe prirjet e tyre qoftë edhe nga statusi i tyre më i pavarur në shoqëritë ku jetojnë.

MEKSI PëR ‘GSH’: Ishte kishë, u bë xhami pas rënies së Shkodrës, të bëhet muze

Posted: 13 Jan 2017 08:02 AM PST

I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, prof. Aleksandër Meksi tha dje: “Kisha e Shën Shtjefnit në Shkodër, që njihet edhe me emrin Xhamia e Sulltan Mehmet Fatihut për një pjesë të qytetarëve të Shkodrës-është një kishë që kthye në xhami me anë të një dekreti të Sulltanit që kthente kishat në xhami. Minarja është ndërtuar në këndin jugperëndimor pranë ambientit të altarit. Për nga teknika e ndërtimit dëshmon për vjetërsinë e saj. Dekreti i sulltanit-që kthen kishat në xhami, daton me rënien e Shkodrës. Kisha në fjalë është një monument shumë i rëndësishëm, i vlerësuar më tepër për arkitekturën kishtare, romanike-gotike, gjurmët e të cilave janë fare të pakta të mbetura në Shqipëri”. Ndonëse sipas Meksit, çështja e vlerave arkitekturore, është relative dhe nuk ndikon në qëndrimin ndaj problemit, ai tha dje për “Gazeta Shqiptare” se objekti “është një monument i ndërtuar, rreth 1300-ës, duke parë dhe duke u bazuar te teknika e ndërtimit dhe planimetria. I është nënshtruar rreth 1400-ës një rindërtimi që dokumentohet, në burimet historike, në gjendjen e sotshme ruhet rrënojë, ndërsa muret pothuaj i ka tërësisht, ato janë të ndërtuara te pjesa e altarit”. Sipas Meksit, që në vitet 1980 u mendua që të restaurohej, në kuptimin që të plotësoheshin muret, ato gjurmë të qarta dhe të mbulohej me një çati që në formë mesjetare, pra të kohës, në mënyrë që të kthehej në një muze për kalanë e Shkodrës. “E fillova unë studimin i pari dhe për disa arsye nuk arrita dot ta vijoja unë, por u vazhdua nga Gjergj Frashëri dhe më vonë nga të tjerë, bashkë me specialistët e Shkodrës, duke u marrë fillimisht me muret, sepse kishte mure që rrezikonin”, – thotë Meksi. Ai tregon se “kjo do të ishte mënyra me të cilën monumenti duhej të bëhej i vizitueshëm, të dëshmonte për Shkodrën, së paku për gjetjet e kalasë së Shkodrës dhe duhej të kishte edhe sondazhe arkeologjike nga specialistët për të parë nëse nën të, ka gjurmë, ndërtime a struktura të një kishe më të vjetër, apo edhe ndërtime të tjera”. Sipas prof. Meksit, “kjo mund të bëhet ende, por ka një problem vetëm me altarin, që është pak i ruajtur, ndërsa në dysheme ka gjurmë të kohës kur u kthye në faltore islamike, të cilat duhen konservuar dhe ruajtur në gjendjen e tyre. Detyra e brezit tonë nuk është të bëjë monumente të reja, ato i bëjnë arkitektët e rinj, jo ne. Nuk duhen restauruar dhe të kthehen në të ashtuquajturin emër farsë-kthim në identitet”, – shprehet profesori. Sa i takon debatit të sotëm, profesor Meksi tha se: “Mendoj se kjo çështje duhet të gjykohet me të qetë dhe duhet të vendoset kthimi i saj në një objekt të dobishëm për kalanë e Shkodrës, për qytetin e Shkodrës së paku për të ekspozuar në fillim ato gjetje”.
I pyetur nëse propozimi i tij është që monument të restaurohet dhe të kthehet në muze, siç ka qenë projekti i tij i hershëm, Meksi thotë: “Po. Siç ka qenë projekti në atë kohë kur projektet i bënin specialistët dhe jo administrata e lartë shtetërore, dhe restauronin shqiptarët dhe jo të huajt. Po qe se sot mendohet se administrata e lartë shtetërore duhet të thotë se si duhet bërë restaurimi, dhe të vijnë të huajt të marrin fonde kur Shqipëria ka restauratorë që dikur vlerësoheshin nga struktura ndërkombëtare, më mirë e lëmë për një kohë tjetër”. Në fund, Meksi e mbyll me këto fjalë: “Dua të them se, nëse feja, besimi në Perëndi përdoret për sherr, nuk mendoj se ata që e bëjnë besojnë në Zot “.

Related Posts :