Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Teuta e Laçi i bëjnë bllokadë htyrjes së kampionatit” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Teuta e Laçi i bëjnë bllokadë htyrjes së kampionatit” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Teuta e Laçi i bëjnë bllokadë htyrjes së kampionatit

Posted: 11 Jan 2017 08:09 AM PST

FSHF bën një lajmërim të ri në lidhje me shtyrjen e kampionatit. Sipas saj, tetë klube janë dakord që kjo gjë të bëhet, por shtyrja mbetet pezull prej dy klubeve. Teuta dhe Laçi nuk janë dakord me këtë propozim, i cili tashmë po mbahet pezull prej tyre. Ndërkohë, FSHF-ja kërkon konsensus të plotë mes klubeve për këtë vendim, teksa këtë gjë e përmendi edhe në lajmërim. “FSHF-ja kërkon të bëjë me dije që klubet e Kategorisë Superiore: Partizani, Kukësi, Tirana Skënderbeu, Flamurtari, Luftëtari, Korabi e Vllaznia kanë dhënë ‘OK’ e tyre paraprak për shtyrjen e javës së parë të fazës së tretë të Kategorisë Superiore. Klubet e Teutës dhe Laçit nuk janë dakord për këtë propozim. FSHF-ja nga ana e saj kërkon një konsensus të plotë për të marrë vendim përfundimtar për këtë shtyrje të garës. Në ditët në vijim do azhurnoheni për zhvillime të reja, apo vendimin zyrtar përfundimtar.”

Hoxha: Me Fenerbahçen të tregojmë veten

Posted: 11 Jan 2017 08:09 AM PST

Edhe në Turqi, skuadra e Partizanit stërvitet në kushte të këqija atmosferike. Edhe pse reshjet e shiut kanë qenë të vazhdueshme, kjo gjë nuk ndikon në programin stërvitor që trajneri Starova u jep lojtarëve të tij. Ndërkohë, ditën e sotme në orën 18:00 do të zhvillojë edhe ndeshjen miqësore ndaj gjigandit turk të futbollit, Fenerbahçe. Ndërkohë, kapiteni i Partizanit, Alban Hoxha ka folur në lidhje me kushtet atmosferike si edhe për ndeshjen e radhës miqësore. Për mikrofonat e “SuperSport”, Hoxha u shpreh: “Moti është pak i ashpër, megjithatë nuk është se e kemi shumë problem, pasi jemi mësuar, ka harmoni në skuadër, dhe kjo është diçka pozitive. Po përgatitemi fort për Fenerbaçen, pasi është një sfidë luksi. Është një ndeshje miqësore, por është një sfidë e rëndësishme sepse bëhet fjalë për një kundërshtar të madh si Fenerbahçe, ne do të bëjmë maksimumin për të bërë një paraqitje pozitive në atë sfidë. Do të ketë shumë menaxherë në atë sfidë dhe të gjithë lojtarët do të përpiqen të tregojnë veten”. Ndërkohë, Alban Hoxha nuk harron të kujtojë edhe objektivin e Partizanit, i cili si gjithmonë mbetet po i njëjti: “Po përgatitemi mirë, pasi duam të kthehemi në Shqipëri sa më të fortë, kemi objektiv titullin kampion dhe duam që këtu në Antalia, të përgatitemi maksimalisht për rifillimin e kampionatit. Edhe rivalët tanë po punojmë fort ashtu si ne dhe nuk do të jetë e lehtë. Për afrimet e reja është herët për të folur, por bëhet fjalë për lojtarë cilësorë që mund ta ndihmojnë akoma edhe më shumë skuadrën tonë”.

Josa: Merkato me pikatore te Tirana

Posted: 11 Jan 2017 08:08 AM PST

Jeton Selimi

Tirana vijon përgatitjet në Antalia të Turqisë, por trajneri Mirel Josa, edhe pse është i kënaqur me grupin e futbollistëve që ka aktualisht në dispozicion, mbetet shumë i shqetësuar për faktin se 5 lojtarë shumë të rëndësishëm nuk u janë bashkuar ende bardhebluve në minifazën përgatitore të dimrit në tokën turke. Bëhet fjalë për portierin Ilion Lika, mbrojtësin Olsi Teqja, mesfushorin Afrim Taku si dhe dy kongolezët e talentuar, Merveille dhe Moise. Këtyre 5 lojtarëve u janë dhënë disa ditë më shumë pushim nga klubi, por ata, edhe pse duhej të ishin bashkuar me 24 herë kampionët në stërvitje, kanë mbetur të bllokuar si pasojë e motit të keq. Në një intervistë ekskluzive për “SuperSport” nga hoteli ku është akomoduar Tirana në Antalia, trajneri Mirel Josa u ndal fillimisht të fliste për këtë çështje. “Ditët e para kanë shkuar në përgjithësi mirë, problemi nuk është si po shkojnë përgatitjet tona, pasi jam i kënaqur me lojtarët që janë këtu. Pres plotësimin e grupit, pasi periudha stërvitore në muajin janar nuk na premton shumë gjëra, pasi është e shkurtër, dhe kampionati rifillon në datën 21. Jam shumë i shqetësuar me faktin se një pjesë e skuadrës nuk janë bashkuar me ne, për arsye të ndryshme dhe motit të keq. Jam i mërzitur për këtë pjesë. Kjo është një gjë që mua më shqetëson plotësisht, lojtarët duhej të ishin bashkuar me skuadrën. Do të flas me futbollistët kur të bashkohen me ekipin. Për lojtarët nuk vendos presidenti por unë”.
Në orët e fundit po flitet për një shtyrje të kampionatit. Sipas Josës, nëse federata e aprovon kërkesën e pjesës më të madhe të klubeve të Superiores për shtyrjen e kampionatit, ai do ta mirëpriste krahëhapur një vendim të tillë. “Mua më duket një avantazh për skuadrën time dhe më duket diçka normale që të shtyhet kampionati; nëse federata merr një vendim të tillë unë do isha shumë dakord”. Merkato është një temë e nxehtë në shtëpinë bardheblu. Josa në vijim të intervistës së tij foli edhe për Gjergji Muzakën dhe Erjon Vucajn, dy futbollistë që i kanë dhënë lamtumirën skuadrës bardheblu para pak ditësh. Për sa u përket afrimeve, lëvizjet në hyrje do të jenë me pikatore sipas trajnerit. “Duke parë situatën në të cilën ndodhej Tirana që nga momenti që kam ardhur unë, u munduam të korrigjonim disi situatën për lojtarë si Muzaka dhe Vucaj, por nuk u bë asgjë dhe tashmë duhet t’i zëvendësojmë këta dy futbollistë. Këta lojtarë, më shumë sesa me trajnerin, për çështjen e aktivizimit kanë pasur probleme me klubin dhe duhej të zgjidheshin më parë këto probleme që ata të flisnin me trajnerin. Po bëjmë përpjekje në merkato, por nuk është e thjeshtë të gjesh lojtarët e duhur në këtë periudhë. Kemi 6 lojtarë të huaj dhe presim që ata të përshtaten më mirë me grupin; do kërkojmë lojtarë në merkato dhe në tregun shqiptar, por edhe atë të huaj. Është e vërtetë që kemi marrë një lojtar moldav në provë, por ai më parë duhet të më bindë mua. Ju siguroj që merkato do të jetë me pikatore për ne.”
Presidenti i Tiranës, Refik Halili pak ditë më parë konfirmoi se në drejtim të Tiranës ka ardhur një ofertë prej 700 mijë eurosh për Merveille. Për 53-vjeçarin kryeqytetas nuk do të kishte asnjë problem nëse klubi vendos ta shesë lojtarin për të rregulluar bilancet. Në fund edhe një mendim i Josës se çfarë mund të bëjë Tirana në vitin 2017. “Për Merveille nuk mund të flas. Nëse ka ardhur një ofertë prej 700 mijë eurosh dhe presidenca vendon ta shesë, unë do të respektoja vendimin e klubit. Unë pres shumë më tepër nga skuadra, pasi djemtë janë të karikuar dhe stërviten mirë. Unë do ta shoh ecurinë e skuadrës javë pas jave dhe nëse arrimë rezultate të mira, objektivat tona do të ndryshojnë; mund të pretendojmë për tepër ose për më pak në rast të kundërt”.

FIFA zgjeron Kupën e Botës në 48 ekipe

Posted: 11 Jan 2017 08:08 AM PST

Vendimi i FIFA-s për të zgjeruar nga 32 në 48 numrin e skuadrave pjesëmarrëse në një kampionat botëror duke filluar nga kompeticioni që do të zhvillohet në vitin 2026, ka bërë që media të ndryshme të hedhin hipotezat e para se si do të jetë një turne i tillë me 48 ekipe përfaqësuese, 16 më shumë sesa aktualisht. FIFA ka zyrtarizuar gjithashtu edhe vendimin se do të jenë 16 grupe me nga 3 skuadra, ku dy të parat e çdo grupi do të kualifikohen në raundin e 1/16-ave. Në një Botëror me më shumë skuadra edhe shanset e Shqipërisë për të siguruar një pjesëmarrje historike në këtë kompeticion do të rriteshin ndjeshëm, megjithatë sipas gazetës “Marca”, ky format do t’u vijë më shumë në ndihmë kontinenteve të tilla si Afrika, Azia dhe Amerika e Veriut, sepse Europa do të përfitonte vetëm 3 vende më tepër, nga 13 që ka aktualisht. Sipas gazetës spanjolle, Azia do të kishte 8 vende plus 1 në play-off, ashtu si edhe Afrika. Amerika e Jugut dhe Amerika e Veriut do të përfitonin nga 2 vende shtesë, ndërkohë Brazili si skuadra që e ka fituar më shumë herë do të kualifikohej automatikisht. Një vend do ta fitonte edhe Oqenia me Zelandën e Re, që mund të marrë pjesë në çdo Botëror duke pasur parasysh nivelin e dobët të skuadrave me të cilat ndeshet.

Viti 2017, a po jetojmë në kohëra të rrezikshme?

Posted: 11 Jan 2017 08:07 AM PST

Ilir Kalemaj

Raporti i fundit "Global Trends 2017" i sapopublikuar nga Këshilli i Inteligjencës Kombëtare në SHBA parashikon ndër të tjera se: "Rreziku i konfliktit mes shteteve dhe brenda tyre përgjatë pesë viteve të ardhshme do të rritet në nivele të papara që nga Lufta e Ftohtë, si rezultat i rënies ekonomike globale, zhdukjes graduale të rendit të ri botëror të pas-Luftës së Dytë Botërore dhe antiglobalizmit që ushqen nacionalizmin". Ky paralajmërim vjen në një kohë ku media prestigjioze ndërkombëtare, si "Wall Street Journal", "The Guardian" dhe "The Economist" kanë paralajmëruar konfliktet mes globalistëve dhe nacionalistëve si definues të epokës së sotme dhe që kanë zëvendësuar si ideologji përplasjet mes konservatorëve dhe liberalëve, që në rrafshin e filozofive politike, ideologjive dhe politikave publike ishin shënjuesit kryesorë të përballjeve politike për më tepër se një shekull. A po jetojmë në kohëra interesante, siç thotë proverbi i famshëm kinez? Patjetër që po, madje më shumë se interesante, përgjigja e duhur do ishte: të rrezikshme.

Jetojmë në kohëra ku paqja sociale është e brishtë jo vetëm mes vendeve me polarizim të thellë socio-ekonomik dhe kulturor, ku përfshihet natyrisht edhe Shqipëria si një nga vendet ku ky polarizim po rritet frikshëm, por edhe në vende ku solidariteti social i bazuar mbi barazinë jo vetëm të shanseve, por edhe atë fundore (të të ardhurave) të arritura përmes modelit "welfare", taksës progresive, punësimit të garantuar dhe mbrojtjes së të drejtave të punonjësve nëpërmjet marrëveshjeve kolektive të garantuara nga shteti si vendet nordike. Edhe aty rritja e partive të ekstremeve me sfond racist dhe nacionalist për t'iu kundërvënë ndryshimeve demografike si pasojë e flukseve migratore kërcënon një nga modelet, që shpesh merrej si shembull i kapitalizmit pa eksese, atij me fytyrë sociale dhe humane dhe ku të drejtat e njeriut përtej diferencave racore, gjinore, etnike apo fetare respektoheshin si ligj.

Nga ana tjetër, kërcënimet e ngrohjes globale, që shoqërohen ndër të tjera edhe me mote ekstreme (dimra më të ftohtë dhe vera tejet të nxehta dhe të thata), janë tashmë më prezente se kurrë. Rajone të tëra, veçanërisht në Afrikën nën-Sahariane, por edhe në vende mjaft të populluara si Bangladeshi rrezikojnë të kthehen jo vetëm në vatra epidemish masive me pasoja globale, por edhe në flukse të jashtëzakonshme refugjatësh lufte dhe emigrantësh ekonomikë me pasoja të rënda demografike veçanërisht në Europë, si pasojë e aksesueshmërisë më të lehtë të kontinentit të vjetër. Kjo, bashkë me frikën e penetrimit të terrorizmit dhe terroristëve diabolikë dhe frikacakë, me sulmet e tyre të pabesa në ambiente publike të frekuentuara, mund të sjellë në rivënien e regjimit të vizave për vendet e treta, ku fatkeqësisht do të përfshihet edhe Shqipëria. Ndërkohë, vetë perspektiva e integrimit të vendeve të mbetura të Ballkanit Perëndimor, me Shqipërinë ndër më problematiket dhe të vonuarat në axhendën e integrimit, do të vihet në "kalendat greke", ku edhe sot që flasim shpresa më e afërt ngelet 2025 në rastin më të mirë.

Kërcënimet e tjera nga luftërat tregtare mes blloqeve të ndryshëm te luftërat "proxy" të instrumentalizuara nga Fuqitë e Mëdha, nga kërcënimet reale kibernetike të aftësia e qeverive për të kontrolluar dhe zaptuar çdo qelizë të privatësisë, nga korporatizmi i mediave te fragmentarizimi i lajmit, nga bota e 'post-truths' (përtej të vërtetave) tek ajo e 'fake news' (lajmeve të rreme), nga shtete e dobëta te ballkanizimi i Europës janë sfida të njëmendta, të prekshme dhe të frikshme për të ardhmen e afërt. Por, ato mund të jenë edhe kambana alarmi dhe mundësi për të ndryshuar, bashkuar, integruar dhe zhvilluar politika kohezioni dhe përfshirje, për zhvillim tregjesh të reja dhe mundësish punësimi për të ndërtuar paqe sociale dhe kapërcyer realitete luftë-nxitëse. Gjithçka varet nga vizioni i elitave drejtuese, nga aftësia dhe integriteti i tyre. A i kemi ne në Shqipëri këto?

 

 

 

I ftohti që djeg

Posted: 11 Jan 2017 08:06 AM PST

Gazmend Aga

Duhej acari dramatik që të na risjellë në vëmendje dramën e të varfërve në Shqipëri. Zoti dërgon sinjale zgjimi për ta ndërgjegjësuar robin ndaj krijesave që ka përreth. Kushedi sa të varfër kemi përreth. Skamja mund të jetë mu në shtëpinë e lagjen përballë. Kushëriri që kemi dashur aq shumë para do vitesh, tani mund të jetë në pikë të hallit e ne s'e vëmë më re sepse jemi hutuar pas vetes sonë. Në botën tjetër, Zoti do ta pyesë krijesën më të mrekullueshme, njeriun, i cili ndonjëherë me veprimet e tij bëhet edhe më e poshtra, se përse nuk e ka ushqyer Zotin, përse nuk e ka vizituar Zotin kur ishte sëmurë e ndoshta edhe pse se ndihmoi Zotin kur Ai kishte ftohtë. E robi i habitur do i thotë se, Zoti s'ka ftohtë, as uri e as sëmuret. E pra, do i thotë Zoti, kur robi im kishte ftohtë, u sëmur dhe pati uri, ti nuk i qëndrove pranë. Nuk mund ta duash Zotin pa e dashur robin. Nuk mund të fitosh parajsën e shumëkërkuar, ndërkohë që njerëzit që ke përreth përjetojnë ferrin. Në fakt, jemi ne ata që përfitojmë edhe kur i ndihmojmë të varfrit. Ka titull më të madh se nëna? E pra, Nënë Tereza e mori këtë titull dhe u pranua nga të gjithë si e këtillë duke i ndihmuar të varfrit. Sa bukur e ka thënë vetë ajo: "Të varfrit na japin më shumë se ç'u japim ne atyre. Ata janë njerëz kaq të fortë, duke jetuar ditë për ditë pa ushqim. Dhe ata kurrë nuk mallkojnë, as nuk ankohen. Ne nuk duhet t'u japim atyre simpatinë, por duhet të mësojmë nga ata". Të varfrit kanë nevojë për çdo qytetar, por edhe ne kemi nevojë të dëgjojmë zërin e shurdhuar të shpirtit tonë. Fundja, askush nuk është varfëruar duke dhënë. E keqe është varfëria. Zot na ruaj prej saj! Të vazhdojmë t'i ndihmojmë ata që kemi përreth. Edhe një batanije mund të vlejë shumë për një të varfër këto ditë. Por, dinjiteti i tij vlen më shumë. T'ia ruajmë edhe atë! Të mos e djegim me të ftohtë! Kështu, do ta kemi edhe një sekret të bukur me Zotin tonë: Ndihmova filanin, por e di veç ti dhe unë o Zot. Ç'fjali madhështore! Ç'sekret i çmuar për këto kohë "Facebook"-u! Ka plot nisma të shoqërisë civile dhe faktorëve të tjerë që përpiqen për të varfrit dhe ky është mesazh i rëndësishëm sensibilizues për të gjithë. Le të shërbejë çdo përpjekje që të na afrojë më shumë me njerëzit në nevojë! T'i ndihmojmë të varfrit. Të mos i harrojmë, se mund të harrohemi vetë një ditë. Ndërkohë që shkrijmë dëborën me altruizëm, të punojmë fort për një Shqipëri me sa më pak varfëri. Të gjithë e kërkojmë lumturinë, por nganjëherë harrojmë se ajo nis kur lumturon të tjerët.

 

 

 

Shqipëria – Një partner i besueshëm dhe solid në Ballkan

Posted: 11 Jan 2017 08:05 AM PST

Nga Ilir Meta

Shqipëri-Tiranë – Ndërkohë që viti 2016 i afrohet një fundi të trazuar, gjithnjë e më tepër bëhet e qartë se rendi ndërkombëtar, dhe në veçanti strukturat europiane, po përballen me sfida ekzistenciale shumë të mëdha dhe të paparashikueshme, me përmasa historike.

Ndërkohë që këto zhvillime të reja shtrihen dhe në 2017-ën dhe përtej, ne, në Europën Jug-Lindore, dhe veçanërisht në rajonin e Ballkanit, duhet të sigurohemi që vlerat themeluese të Bashkimit Europian dhe angazhimet Trans-Atlantike, pavarësisht sfidave aktuale, të çohen përpara dhe të përhapen në jetën tonë institucionale dhe politike.

Shqipëria, një vend modest i Europës Jug-Lindore, po ecën në mënyrë të qëndrueshme në rrugëtimin e saj drejt integrimit europian, pavarësisht sfidave të veta dhe lodhjes nga zgjerimi, me të cilin po përballet BE-ja.

Nga fundi i vitit 2016 Shqipëria ka marrë nga Komisioni Europian rekomandimin pozitiv për hapjen e bisedimeve të pranimit për anëtarësimin në BE, i dhënë nga vendet anëtare në takimin e dhjetorit të Këshillit Europian, në Bruksel, me kushtin që vendi të avancojë me zbatimin e "Reformës në Drejtësi", një moment historik dhe vendimtar, që do të rindërtojë të gjithë sistemin e drejtësisë dhe shpresojmë ta riorganizojë për mirë.

Një klimë e brendshme politike më konstruktive dhe bashkëpunuese, veçanërisht në lidhje me çështjet europiane, do t'i shërbente peshës së pamohueshme të Shqipërisë në rajon dhe përtej.

Unë, nën përgjegjësinë time si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 2013, kam punuar për të inkurajuar klasën tonë politike drejt një konsensusi të dakorduar si "gentelmen", në mënyrë që kur bëhet fjalë për vendime të politikës tonë të jashtme dhe asaj rajonale, ne duhet të jemi të bashkuar për të projektuar një vizion kombëtar të qartë, të fortë dhe të pakundërshtueshëm.

Shqipëria, megjithëse një vend modest sa i përket aspektit gjeografik, duhet të luajë një rol specifik në Ballkan.

Kjo jo vetëm për shkak të popullsisë etnike shqiptare që rrethon kufijtë e saj në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Serbinë Jugore, por gjithashtu për shkak se Shqipëria është, pa dyshim, vendi më pro Euro-Atlantik në rajon dhe, si i tillë, mbart një përgjegjësi të veçantë për të avancuar me axhendën Trans-Atlantike në rajonin tonë të brishtë.

Që nga rënia e komunizmit, periudha e tranzicionit të Europës Jug-Lindore është e ndikuar fort nga agjenda më e gjerë Euro-Atlantike, me secilin vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian dhe në NATO.

Nga ana tjetër, vetë Bashkimi Europian dhe transformimi i NATO-s pas Luftës së Ftohtë janë ndikuar së tepërmi nga zhvillimet në rajonin tonë, gjë që dëshmon rëndësinë e tij të pamohueshme gjeo-strategjike.

Kjo bëhet akoma më e rëndësishme për vitin e ardhshëm dhe dekadën e ardhshme, ndërkohë që aktorë të ndryshëm botërorë konkurrojnë për të zgjeruar ndikimin e tyre në të gjithë rajonin.

Siç është treguar këto dy vitet e fundit nga kriza e paprecedentë e emigracionit dhe sulmet terroriste, Europa si një e tërë duhet të jetë më e bashkuar, më e koordinuar dhe më e mirë- pregatitur për zhvillime të mundshme destabilizuese, të përmasave njerëzore shumë të mëdha.

Pasiguria, paqëndrueshmëria dhe mospajtimi në atë se si i trajtojmë sfidat e së ardhmes me siguri do të rrisin pasigurinë për shoqëritë tona dhe do të vazhdojnë të shtyjnë qytetarët e dëshpëruar të Europës të mbështesin alternativat politike nacionaliste, populiste dhe ksenofobe, gjë që mund të vejë në pikëpyetje të gjithë rendin perëndimor.

Brexit ishte këmbana e parë e alarmit për një rend të ri e të pasigurtë në Europë, dhe zgjedhjet e ardhshme në Hollandë, Francë dhe Gjermani rrisin frikën se një Bashkim Europian i dobësuar mund të mos jetë i mirë për pjesën tjetër të Europës, dhe sigurisht që nuk do të ishte i mirë për pjesën tonë të botës që historikisht është shqyer mes Perëndimit dhe Lindjes.

Në këtë kuadër, Shqipëria duhet të forcojë politikën e saj të jashtme dhe rajonale, tradicionalisht pozitive dhe konstruktive, me një sens më të mprehtë qasjeje vizionare, të palëkundur në besimin tonë të sinqertë se integrimi i plotë i të gjithë fqinjëve tanë në BE dhe në NATO do ti shërbejë, jo vetëm të ardhmes së qytetarëve tanë, por dhe do të forcojë sigurinë dhe stabilitetin e një kontinenti të tërë. Besimplotë në aleancën tonë strategjike me Shtetet e Bashkuara, të cilën do të vazhdojmë ta çojmë më tej me administratën e re amerikane, dhe të sigurtë për integrimin tonë të plotë në Bashkimin Europian, mbështetemi në një partneritet të fortë dhe të shëndetshëm Trans-Atlantik.

Kjo do të thotë një Europë e qëndrueshme dhe tërësisht e plotësuar me Ballkanin, si pjesë integrale e saj, dhe një NATO e fortë dhe efikase.

Shqipëria do të vazhdojë të punojë kundër çdo alternative nacionaliste apo populiste në rajonin tonë, e bindur se vetëm një rajon i hapur, demokratik dhe pluralist, pa pengesa garanton stabilitet, siguri dhe progres social për shoqëritë tona.

Të udhëhequr nga parimet e pandryshuara të marrëdhënieve të hapura, të sinqerta dhe të fqinjësisë së mirë, ne do të vazhdojmë të mbështesim përshpejtimin e integrimit Euro-Atlantik të të gjithë fqinjëve tanë, si e vetmja alternativë që forcon paqen dhe sigurinë për të ardhmen.

Kjo është arsyeja pse Kuvendi i Shqipërisë ishte ndër të parët që ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, të kënaqur se anëtarësimi në Aleancë i mikut tonë verior do të plotësojë një koridor bregdetar Adriatiko-Jonian tërësisht të sigurtë dhe të garantuar.

Ne do të vazhdojmë të intensifikojmë bashkëpunimin tonë të shkëlqyer me Malin e Zi dhe do të mbështetemi tek minoriteti shqiptar atje, si një urë e shkëlqyer miqësie dhe partneriteti.

Marrëdhëniet tona shumë të ngushta me Kosovën janë ngritur drejt një bashkëpunimi institucional më cilësor, përmes shkëmbimeve në të dyja anët e kufirit.

Shqipëria do të vazhdojë të lobojë për më shumë njohje ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që do të çojmë përpara axhendën e integrimit të saj në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Kjo është e domosdoshme për qytetarët e Kosovës dhe jetike për të gjithë rajonin.

BE-ja nuk duhet ta vonojë më regjimin pa viza për qytetarët e Kosovës, ndërsa dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet të avancojë me rezultate të prekshme dhe me një mirëkuptim konstruktiv dhe të ndërsjelltë. Shqipëria do të vazhdojë të nxisë normalizimin e plotë të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, që duhet të kulmojnë me njohjen e Kosovës.

Shqipëria duhet dhe do të vazhdojë të nxisë marrëdhënie më të ngushta dhe më të hapura me Serbinë, pasi nëse rajoni do të përparojë, ai duhet të hedhë pas krahëve zakonet dhe barrierat e vjetra, dhe të ecë përpara drejt shkëmbimeve më të shumta politike, kulturore, tregtare dhe ekonomike.

Angazhimi i sinqertë nga Tirana, qoftë me homologët tanë në Beograd, apo me përfaqësuesit tanë shqiptarë në Luginën e Preshevës në Jug të Serbisë, gjithmonë i ka drejtuar marrëdhëniet drejt një prirjeje pozitive.

Ndërkohë, Shqipëria do të vazhdojë të rrisë kontributin e saj për një Maqedoni të qëndrueshme dhe të zhvilluar, e cila ka nevojë të integrohet plotësisht në NATO dhe në BE. Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të inkurajojë faktorin e rëndësishëm etnik shqiptar që të jetë një forcë shtytëse për integrimin europian dhe për një orientim të qartë euro-atlantik.

Në ndjekjen e politikës tonë rajonale, ne do të vazhdojmë të mbështetemi fort tek dy fqinjët tanë të BE-së, Italia dhe Greqia, si dy partnerë jetikë dhe strategjikë dhe avokatë të fortë të axhendës tonë europiane dhe zhvillimit tonë ekonomik.

Ata që kanë qenë dëshmitarë të rendit të mëparshëm komunist në rajonin tonë e dinë shumë mirë që ekziston një lidhje direkte mes shoqërive të hapura demokratike dhe begatisë ekonomike.

Është në mënyrë të pamohueshme e vërtetë që axhenda euro-atlantike ka qenë vendimtare për çuarjen përpara të këtyre ambicieve për të gjithë rajonin.

Kjo është veçanërisht e vërtetë për të gjithë ata që janë në vijën e parë të zhvillimit të të gjithë Europës Qendrore dhe Jug-Lindore.

Ndaj, detyra jonë për vitin 2017, në Shqipëri, kudo në Ballkan dhe përtej do të ishte përshpejtimi i veprimit tonë të përbashkët, së bashku me BE-në dhe NATO-n, si dhe me shoqërinë civile dhe grupet e interesit në vendet tona, për të forcuar kredencialet tona demokratike.

Kjo do të thotë forcim i dukshëm i shtetit të së drejtës, luftë më e ashpër kundër korrupsionit endemik dhe krimit të organizuar, sistem drejtësie solid dhe i pavarur, më shumë transparencë në mënyrën tonë të qeverisjes dhe llogaridhënie të plotë në jetën publike, si një element i panegociueshëm i rrugëtimit tonë drejt një zhvillimi të zgjuar dhe të qëndrueshëm politik, ekonomik dhe social për brezat tanë të ardhshëm.

* Analiza e plotë e Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta për gazetën "New Europe"

 

 

Ilir Kerni thyen heshtjen, ish-drejtori i TKOB: Në 2013 besova si fëmijë, tani po shijoj zhgënjimin total

Posted: 11 Jan 2017 08:04 AM PST

Ilir Kerni ka thyer heshtjen, pas një periudhe 6-mujore pas dorëheqjes së tij. “Tani për tani vazhdoj të shijoj ndjenjën e zhgënjimit total. Pranoj ta shijoj thellë, sepse në 2013 besova si fëmijë dhe ishte ndjenjë e bukur!” – shprehet ish-drejtori Ilir Kerni, në një prononcim për “360grade.al”. Ilir Kerni u emërua drejtor i TKOB më 25 tetor 2013 dhe u largua, pas dorëheqjes, më 30 korrik 2016. “Çfarë bëri TKOB në 33 muaj? Unë mund ta argumentoj me fakte, por ndoshta një herë tjetër. Por, për mua, ajo periudhë është fillim epoke i teatrit normal, ashtu siç duhet të jetë. Sot, kur e mendoj, unë drejtor i TKOB për 33 muaj?… S’di pse e shtynë kaq gjatë me një tip si unë… Ndoshta vështirësitë e suksesit dhe të pastërtisë…”.
Gjatë kohës që Kerni ka qenë në krye të këtij institucioni, emra të rëndësishëm si Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu apo Shkëlzen Doli kanë qenë pjesë e skenës së Operës. Realizoi me sukses një sërë premierash dhe kishte vizionin perëndimor të drejtimit të një teatri modern. U dorëhoq më 30 korrik. Pati shprehur pakënaqësi me buxhetin e akorduar për institucionin që ai drejtonte: “Me buxhetin më të ulët historik. Shpenzimi mesatar për një shfaqje nuk i kalon të 600 eurot”.
Sot balerini i mirënjohur, Ilir Kerni u rikthye edhe një herë në Kroaci, Zagreb, ku jeton e punon që prej vitit 1994. “Tani për tani vazhdoj të shijoj ndjenjën e zhgënjimit total. Pranoj ta shijoj thellë, sepse në 2013 besova si fëmijë, dhe ishte ndjenjë e bukur! Unë jam mirë me gjithçka! Në tetor të 2016 kam filluar punë, plani B, i cili më bënte njeri të lirë”. “Një ditë mund të bëjmë një intervistë, sigurisht, por a ia vlen?”; kjo është dilema e Ilir Kernit, të cilit, për fat të keq, ëndrra e bukur e vitit 2013 iu kthye në makth, sepse u gjend në një vend të gabuar, në një kohë të gabuar…
Në fund Ilir Kerni e mbyll me një postim interesant: “Ka diçka të ngjashme atmosfera në Shqipëri me tipin e fotos ‘Hannibal’ Anthony Hopkins!” Ilir Kerni u lind në Tiranë më 18 maj 1959. Në 1977 mbaroi Akademinë e Baletit. Si blerin i parë u angazhua menjëherë në TOB në Tiranë, ku për aktivitet të shquar artistik u vlerësua me një sërë titujsh, si: “Artist i merituar”, “Çmimi i Republikës”, Urdhrin “Naim Frashëri i klasit II” etj. Për më se dhjetë vjet realizoi me mjeshtëri të lartë: 1982: “Para stuhisë” (Adili), 1982: “Shote dhe Azem Galica (Azemi), 1983: “Halili dhe Hajria” (Tahir beu), 1984: “Joniada” (Shpendi), 1986: “Arrëthyesi” (Frici), 1989: “Vajzat e qytetit të gurtë”, 1992: “Don kishot” (Bazilio) etj. Në të njëjtën kohë Kerni u angazhua edhe si pedagog në Akademinë e Baletit – Tiranë. Po ashtu ka punuar si pedagog edhe në Tokio, Francë dhe Kroaci. Në vitin 1990 fitoi bursën e UNESCO-s për pedagogji e kërcim, në “Grand Opera” në Paris. Pasi përfundon këtë të fundit, angazhohet në “Opera de Strasburg”. Nga 1994 ishte balerini kryesor në Teatrin Nacional Zagreb, ku u dekorua disa herë, si: dy herë me çmimin “Oskar Ormosh”, si dhe në vitin 2002 i jepet çmimi më i lartë në Kroaci, për rolin e Mefistofelit në baletin “Faust”, si roli më i mirë, çmim për të cilin është nominuar edhe tri herë të tjera. Më 2005 iu besua edhe detyra e baletmaestrit të trupës. Gjatë karrierës së tij si balerin ka interpretuar me dhjetëra role të spikatura. Në tetor 2013 mori detyrën si drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit, të cilën e ushtroi deri në korrik 2016.

Tortë dhe lule, festë surprizë për Ndrenikën nga teatri Metropol

Posted: 11 Jan 2017 08:04 AM PST

Jemi mësuar ta shohim në skenë teatrosh a në filma që shfaqen në ekrane. Aktori u qëndron larg mediave dhe zor se artikulon më shumë se dy fjali edhe në konferenca për rolet a shfaqjet e tij. Përtej kësaj, Robert Ndrenika flet veçse me praninë, siç ndodhi në rastin e protestave për ligjin e importit të plehrave.
Edhe pse ka pasur 75-vjetorin, Robert Ndrenika ka qenë gjatë pasdites së djeshme në Teatrin e Metropolit ku ka bërë prova për rolin e profesor Totit, në pjesën "Mendohu Xhakomino" të Pirandelos. Pavarësisht natyrës së tij të tërhequr, Teatri i ka organizuar një minifestë-surprizë ku Ndrenikës i janë dhuruar lule, ndërsa stafi ka festuar me tortën e ditëlindjes së aktorit. Shfaqja pritet të vijë në skenë gjatë muajit ndërsa Ndrenika ka aty rolin kryesor.
Me rastin e 75-vjetorit, urime e lule ka pasur për të. “Robert Ndrenika feston sot 75-vjetorin e lindjes, i cili nga koha kur hyri si aktor në Teatrin ‘Skampa’ e deri më sot, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në kinematografinë dhe teatrin shqiptar. Një aktor i dashur e i pëlqyer nga të gjitha moshat, Ndrenika shquhet për larminë e roleve, për kalime të natyrshme nga drama dhe tragjedia në komedi dhe grotesk, një skicues i karaktereve të goditura. Ndër të paktët aktorë shqiptarë, që rolin e luan me një sens të spikatur realist. Ministria e Kulturës i uron jetë të gjatë e të lumtur Robert Ndrenikës në këtë 75-vjetor!”, ky ka qenë urimi i djeshëm i Ministrisë së Kulturës për aktorin Robert Ndrenika me rastin e datëlindjes.
Ndërsa, Pëllumb Kulla shkruante dje: “Berti i dashur, ta uroj këtë ditë të shënuar. Ti, i shtrenjti Bert, meriton që sot, veç e veç, tok e tok, shtëpi më shtëpi, studio më studio, auditor më auditor, njerëzit të trokasin gotat me mendjen tek vitet e tua gjurmëlënës në skenat dhe ekranet e shqiptarëve. Me ty, o shoku im i klasës dhe i shkollës, o miku im i vjetër, kemi kaluar bashkë një pjesë të mirë të këtyre viteve. Kemi biseduar dhe kemi qarë halle, jemi tallur e kemi ngacmuar njëri-tjetrin, por kurrë unë nuk jam ndalur e nuk të kam thënë atë që do të të them pikërisht sot. Atë që, ti i dashuri im, je një artist i madh, nga ata të ndriturit, nga ata që skenës dhe ekranit i vijnë rrallë, shumë rrallë. Ti je nga ajo racë aktorësh që të zbukurojnë jetën dhe që i japin pavdekshmëri teatrit. Asaj loje magjepsëse, ku njerëzit qeshin e qajnë për ca realitete të sajuara bukur. Ti, Bert, je nga ata aktorë të paktë që janë mjeshtra dhe në ndërtimin e figurave komike dhe po aq mbresëlënës me karakteret dramatikë. Ti ke bërë aq shumë sa njerëzve kur u flitet për teatrin, mendja u shkon vetëm tek artistë si ti. Paç jetë të gjatë mes familjarëve të tu, mes miqve të tu dhe u shtoftë edhe më tej magjia e artit tënd!”.
Nuk kanë munguar as urimet e Teatrit Kombëtar, i cili “uron dhe e falënderon aktorin brilant të qindra karaktereve dhe personazheve, Robert Ndrenika në ditën e lindjes së tij, për kontributin e jashtëzakonshëm, dhënë në skenën e kinematografisë e teatrit shqiptar. Jetë të gjatë e sa më shumë lumturi në jetën tuaj!”. Robert Ndrenika lindi në Tiranë, në 1942. Ka qënë ndër aktorët që ka pasur ngarkesën më të madhe në teatër dhe kinematografi. Nga dramaturgjia kombëtare, midis të tjerash, ka interpretuar: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe "Stinë e mërzitshme në Olimp" të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës. Nga dramaturgjia e huaj mund te përmendim “Shumë zhurmë për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” te Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe "Kopraci" të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë" e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe" dhe "Cilindri" të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, "6 vjet shtatzënë" e Cikliropulosit, "Pulëbardha" e Anton Çehovit, "Histori zooparku" e Ollbit, etj. Në vitin 1979 i është akorduar titulli “Artist i Merituar” dhe ne vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”. Është nderuar me Kupën për Aktorin më të Mire në Festivalin Kombëtar te Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, te De Filipos dhe ne Festivalin e Filmit te vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”.

Argumentet/ Çfarë tha gjuhëtarja në “GSH”: Ateizmi i sajuar i Fan Nolit

Posted: 11 Jan 2017 08:03 AM PST

Nga Ledi Shamku-Shkreli

Përvjetorë njerëzish të shquar qëllon të bëhen shtysë për t'i plotësuar figurat e tyre me dokumente të reja arkivore, të panjohura. Kështu dje, më rastin e ditëlindjes së Fan Nolit, u botua një letër e tij e vjetit 1906, drejtuar Athanas Tashkos. Për cilindo që nuk e ka lexuar, po e sjell këtu më poshtë letrën e plotë:
"Jamestown, 9 korrik /06
Harçë në këtë qytet, që mban nja dy orë e gjysmë nga Buffaloja, për ca punë të Shqipërisë. Ka gjer 200-300 shqiptarë, nga të cilët vetëm 50 janë brënda në Shoqërit. Pun' e të njojturit mbarohet brenda nër dy javë më shumë. E mori përsipër një avokat nga më të mirët. Pres letër dhe të rea nga ana juaj. Punonj në një fabrikë. Perëndisë që s'e mbesonj, i-arthtë keq.
Th. Mavromati"
[Letër e Fan Nolit për Athanas Tashkon. Marrë në: "Athanas Tashko (1863-1915)", Eno Koço, Tiranë, 2015, fq. 346. Referenca arkivore e letrës: AQSh, F. Athanas Tashko, D. 20, V. 1906, fl. 9].
Kjo letër hapi një debat jo të vogël, i cili u zhvillua i gjithi rreth pyetjes: a është Fan Noli ateist? Afërmendsh tingëllon e pagjasë të pyetet nëse një prift mund të jetë ateist, por pyetja mori shkas nga një shprehje e tij të cilën po e shkëpus dhe risjell në vemëndje: "Perëndisë që s'e mbesonj, i-arthtë keq". Fjala "s'e mbesonj" qe barazuar me shqipen e sotme "s'e besoj", dhe së këndejmi edhe pyetja edhe debati.
Pa dashur t'i hyjmë ekskursit teologjik të mirënjohur të Fan Nolit e as klerikalizmit të tij, po përqëndrohemi te kjo fjalë "mbesonj". Gabimi që bëhet rëndom në punët e gjuhës është të lexuarit e fjalëve të dikurshme me mjetet e sotme, pa vështruar në diakroninë e këtyre fjalëve. Njëfarë lectio fatilior, thënë ndryshe, por brenda të njëjtit brumë gjuhësor shqip.
Fjala "mbesonj" 110-vjeçare e Fan Nolit dhe e koinesë së tij toskë nuk njëjtësohet dhe as ka lidhje me fjalën "besoj" të ditëve tona. Duke iu referuar Fjalorit Etimologjik të Meyerit, shohim te lema "mësonj": mpsonj, psonj – 'arsimoj, këshilloj, qortoj, nxë'. Në shqip u formua më parë 'mbëtsonj'.
Toskërishtja shquhet për ruajtjen e togut "mb" aty ku gegnishtja më pas edhe e ka humbur. Matranga shkruan "E mbsuame e krështerë", e madje edhe Buzuku gegë shkruan "mbesuom ashtu qishdo të lidhuna". Pra "mbesonj" e Nolit lidhet me fjalën e sotme "mësoj" e jo me "besoj". E sa i takon fushës semantike të kësaj fjale, sikundër e hasim qysh te shpjegimi i Meyerit, e më pas edhe në fjalorët e tjerë të shqipes, fjala "mësoj" ka në kuptimet e veta edhe "qortoj, këshilloj". Kësisoj po të duam ta rilexojmë fjalinë e letrës së Nolit me gjuhën e sotme, do të thonim: "Perëndisë që s'e qortoj, i ardhtë keq për mua". Pas këtij sqarimi them se nuk ka më vend për të dyshuar në "ateizmin" e Fan Nolit. Bariu i mirë dhe lëvruesi i mahnitshëm i fjalës shqipe me siguri do ketë vënë tash buzën në gaz me këto dyshime. Por nuk duhen fajësuar edhe aq "dyshuesit". Për sa kohë poezitë e Nolit dhe shumë autorëve të traditës do vijojnë të studiohen në shkollat tona thjesht si punë letërsie e rimash, pa u ndalur thuajse aspak në analiza filologjike mbi vlerën e fjalës shqipe ndër shekuj, ka gjasë që edhe Noli të na duket shpejt po aq i largët nga vetja sa po duket sot Fishta.

Related Posts :