Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

Tirana Observer: “Saranda e papërgatitur për lulëzimin e papritur të turizmit nga kruazierët në 2017” plus 9 more

loading...

Tirana Observer: “Saranda e papërgatitur për lulëzimin e papritur të turizmit nga kruazierët në 2017” plus 9 more


Saranda e papërgatitur për lulëzimin e papritur të turizmit nga kruazierët në 2017

Posted: 04 Jan 2017 09:56 AM PST

Porti i Sarandës pritet të kthehet këtë vit në një destinacion të rëndësishëm për linjat e kruazierëve në Mesdhe, të cilat po braktisin Turqinë për arsye sigurie, por porti dhe operatorët vendorë turistikë janë të keqpërgatitur për fluksin e pritshëm të turistëve.

Nga Shkëlqim Hajno / BIRN

Mungesa e stabilitetit pas grushtit të dështuar ushtarak dhe sulmet terroriste në Turqi kanë shtyrë një numër kompanish ndërkombëtare që ofrojnë udhëtime turistike në Mesdhe nëpërmjet kruazierëve,  t'i heqin portet turke si destinacione në vitin 2017, duke i zëvëndësuar ato me ishujt grekë dhe portin e Sarandës.

Në 6 dhjetor, kompanitë turistike të kruazierëve Cunard, P&O Crusises dhe Holland America – të treja në pronësi të Carnival Corp, njoftuan se do t'i shmangnin portet turke gjatë vitit 2017.

"Mbas një vlerësimi të kujdesshëm, ne kemi vendosur ta heqim Turqinë nga destinacionet tona për vitin 2017 për Cunard dhe P&O Cruises, bazuar në disa burime dhe këshillat e dhëna nga Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar," thanë tre kompanitë nëpërmjet një njoftimi të përbashkët për shtyp.

"Portet turke janë zëvendësuar me porte greke dhe Sarandën, e cila është në Shqipëri," shtoi njoftimi.

Njoftimi i tre kompanive në pronësi të Carnival Corp vjen pas vendimit të disa linjave të tjera të kruazierëve, për të anashkaluar Turqinë si destinacion në vitin 2016. Një prej tyre, "MSC Cruises" njoftoi në tetor se do ta bënte Sarandën destinacion të përjavshëm në udhëtimet e saj në Mesdhe, duke filluar nga prilli i viti 2017.

Shtimi i datave gjatë së cilës Saranda do të shërbejë si destinacion për kruazierët pritet t'i sjellë qytetit një bum në këtë segment të tregut turistik gjatë këtij viti, duke shtuar të ardhurat për operatorët dhe bizneset vendore.

Megjithatë, ky lulëzim i paprituar i kruazierëve i ka gjetur disa operatorë vendorë të shqetësuar, pasi portit dhe qytetit i mungon infrastruktura dhe burimet njerëzore për të mirëpritur me standarde fluksin e shtuar të turistëve.

srchurch

 

Që nga viti 2005, Saranda është kthyer në një destinacion të rëndësishëm për linjat e kruazierëve në Mesdhe. Nga viti 2006 deri në vitin 2016, numri i ndalesave në Sarandë është rritur nga 6 anije në vit deri në afro 50 anije turistike.

Sipas itinerarëve të publikuar online nga MSC Cruises, Holland American dhe Cunard, të paktën 75 kruazierë pritet ta vizitojnë Sarandën gjatë 2017-ës, ndërkohë që anijet pritet të jenë më të mëdha si "MS Westerdam" nga Holland American dhe "MS Poesia" që akomodon deri në 3600 pasagjerë nga MSC Cruises.

MSC Cruises njofton në faqen e saj zyrtare, se nga porti i Sarandës planifikon t'i ofrojë pasagjerëve që do të zbresin nga MSC Poesia eksursione në sitet arkeologjike të Butrintit, Finiqit, në kalanë e Ali Pashës, në Manastirin e Mesopotamit dhe në burimin Syri i Kaltër.

Megjithatë, ofrimi i këtyre shërbimeve për një numër të madh pasagjerësh përbën një sfidë për portin e Sarandës dhe për operatorët turistikë të qytetit, i cili është transformuar tashmë në portën hyrëse të rivierës shqiptare.

Sipas drejtorit të Autoritetit Portual Sarandë, Sotir Davella, edhe pse kalata e portit është zgjeruar me 100 metra linear pak vite më parë, tashmë rilind nevoja për një zmadhim të ri, në mënyrë që të ankorohen kruazierët e tonazheve të mëdha.

"Qysh tani lind nevoja e dyfishimit të saj me 100 m linear të tjera," tha Davella. "Kjo pasi kalata përpunon në të njëjtën kohë edhe tragetet e linjës ditore Sarandë-Korfuz e kthim," shpjegoi ai.

Fatos Demiri, administrator i agjencisë turistike "Terini" në Sarandë, i tha BIRN se qyteti, ndonëse i fokusuar te industria e turizmit, mund të mos i ketë kapacitetet të presë një fluks në rritje.

"Flota e autobusëve është e amortizuar në cilësi shërbimi dhe e pamjaftueshme në numër ," i tha ai BIRN, duke përmendur një prej problemeve, ndërsa theksoi edhe mungesën e guidave turistike. Demiri shtoi se deri tani, agjencitë turistike kishin përdorur mësuesit apo studentët e gjuhëve të huaja, por tha se nëse do kishte një fluks, nuk do kishin mundësi për të gjetur as guida.

Sipas Demirit, në një situatë kur pritet një fluks i lartë turistësh që do të shoqërohet me të ardhura shtesë si për banorët, ashtu edhe për zyrën e taksave, është e nevojshme një ndërhyrje emergjente nga ana e qeverisë për të rritur kapacitetet njerëzore dhe për të përmirësuar infrastrukturën e shërbimeve turistike.

"Është emergjente që Ministria e Arsimit dhe ajo e Turizmit të çelin degën e turizmit në filialin universitar të Tiranës në Sarandë, degë që do të duhej të ishte e dedikuar për përgatitjen e guidave turistike," tha Demiri.

Sipas tij, ndërhyrja nga qeveria duhet të jetë edhe në infrastrukturë, pasi agjencitë nuk mund të investojnë të vetme në një flotë të re autobusësh, që do ishte e nevojshme në rast fluksi.

Me nevojën për angazhimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe trashëgimisë në trajnimin e guidave turistike, bie dakord dhe Gjergji Mano, Drejtori i Zyrës  së Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit. Madje Mano shton se gama e institucioneve të përfshira nuk duhet të lërë jashtë edhe privatin.

"Është i nevojshëm organizimi i kurseve trajnuese për guida turistike dhe përfshirja në këtë proces të një sërë institucionesh; përfshi Parkun Arkeologjik të Butrintit, filialin universitar të  Tiranës në Sarandë, operatorët turistikë,  qeverinë qendrore, Institutin e Monumenteve, e të ngjashme," tha ai.

"Kjo do të jepte më shumë produkt në përgatitjen e këtyre guidave, jo vetëm në numër por edhe në kualitet e profesionalizëm," përfundoi Mano.

Këngëtarja Lindita Theodhori tregon fiksimin me peshën, si ia del të mos shëndoshet duke ngrënë gjithçka

Posted: 04 Jan 2017 09:51 AM PST

Ajo është një nga këngëtaret më të njohura të brezit të dikurshëm, por, edhe pse është larguar nga jeta aktive artistike në Shqipëri, në pamje mbetet e njëjta.

Lindita Theodhori ka treguar në emisionin Top Show ku ka qenë e ftuar që është e kujdesshme për pamjen dhe megjithëse, nuk ushtrohet njëlloj si dikur, ha në sasi të vogla, për të mos shtuar në peshë.

"Nuk mendoj që ka receta. Megjithatë unë kam mënyrën time. Ha nga të gjitha, por ha nga pak. Ndonjëherë ha tre, ndonjëherë katër, ndonjëherë pesë vakte, por në sasi të vogël. Po të hash në pjatën e mezesë, sado ta mbushësh me makarona, nuk të bën dëm… Mua, pula më pëlqen ta ha me lëkurë  dhe ashtu e ha. Më mirë ha një kofshë me lëkurë, sesa gjysmë pule pa lëkurë", ka thënë Lindita Theodhori duke treguar edhe që ka ngrënë disa copa bakllavaje deri tani.

Ajo ka treguar gjithashtu që peshohet në mëngjes dhe në darkë.

Është një fiksim i vjetër që e ndihmon të mbajë peshën nën kontroll, edhe pse shumë njerëzve që e dëgjojnë u duket e çuditshme.

Pas 15-vjetësh martesë, Artiola Toska prezanton bashkëshortin: Dua të bëhem nënë, por s’ka qenë kismet

Posted: 04 Jan 2017 09:43 AM PST

Me njeriun me të cilin lidhi jetën, ajo u njoh fillimisht në Prizren, në një darkë familjare të miqve të Adit: "Isha dashuri me shikim të parë" – thotë ajo pasi tregon shkëndijën e parë që lindi atë mbrëmje dhe që nuk do të shuhej më. Ndaj, sot, pas 15-vjetësh, Prizreni mbetet pas Tiranës, qyteti i dytë i preferuar i Artiolës. Jo vetëm sepse atje është njohur me bashkëshortin, por edhe sepse ai mbart shumë kujtime të çiftit dhe kohë të bukura atje.

fd8b8d997f63de08667fd26f51061ac6

E pyetur pse është treguar kaq diskrete me daljet dhe me prezantimin në publik, Arjola thotë se jetën private ka synuar që ta mbajë gjithmonë për vete, por edhe për arsye se bashkëshorti i saj nuk është pjesë e muzikës: "Adi nuk ka lidhje me muzikën. Vjen nga një familje që e njeh artin dhe e vlerëson atë, por vetë nuk janë pjesë e tij. Megjithatë, ka një vesh absolut dhe është kritik shumë i mirë për mua. Ndoshta e ka edhe trashëgim këtë pjesë, sepse babai i vet ka qenë regjisor…" – tregon ndër të tjera Artiola.

Por nuk është larg bashkëshortes gjithmonë sa herë ajo merr rrugë të gjata nëpër koncerte. Artiola tregon se ndonjëherë, kur ajo është një koncert të ri, ku nuk i njeh organizatorët apo edhe kur është vetëm, Adi e shoqëron, ndërsa në raste kur është në grupe dhe me kolege të tjera, jo.

fffa1f4b95308cea63a733b77ff5d9ee

Por nuk është e thjeshtë për ta menaxhuar kohën pa të: "Është e vështirë për të, e di që i mungoj. Unë, edhe pse jam larg, kam kolege dhe nuk e ndiej aq shumë. Edhe pse ai është gjithmonë këtu, me familjen, me shoqërinë e vet, sërish e ka më të vështirë…"

Pas hiteve e këngëve të panumërta, pas dedikimeve të dashurisë, Artjola dy vjet më parë i dedikoi edhe një këngë njeriut me të cilin ka lidhur jetën. Dhe këtë sekret e zbuloi sot. Kënga "Për ty", që ajo publikoi për Shën Valentin dy vjet më parë, ishte këngë për Adin.

29790b9f7f03ca3ccf882997614a651f

Këtë vit, mes shumë planeve për koncerte e hite, Artiola në jetën familjare ka edhe një ëndërr. E ka pasur gjithmonë, por ndoshta akoma nuk ka qenë ora: "Unë e kam dëshiruar prej kohësh, por s'ka qenë kismet. Nuk ka ardhur ora. Nganjëherë vijnë gjërat atëherë kur nuk i pret…" – tregon ajo pas pyetjes se a kanë në plan që të bëhen prindër së shpejti, duke shtuar se nuk ka pasur asnjëherë pengesë nga puna, siç mund të mendohet, por thjeshtë nuk ka qenë akoma momenti i tyre.

VIDEO/ Si u kap në Laprakë hajduti i makinës “BMW”

Posted: 04 Jan 2017 09:05 AM PST

31-vjeçari Niko Zaimi mendoi se i erdhi rasti për t'u bërë pronari i një makine luksoze duke vjedhur një të tillë, por për 30 minuta vërtetoi se nuk ishte kjo rruga e duhur.

Policia ka publikuar sëfundmi pamjet e arrestimit të tij 30 minuta pasi kishte vjedhur BMW-në luksoze të lënë ndezur nga mekanikët në zonën e "Poligrafikut" në Tiranë.

Njoftimi i Policisë

Kapet brenda 30 minutash autori i vjedhjes së një automjeti.

Arrestohet në flagrancë autori, person me precedent të mëparshëm me tendencë në fushën e vjedhjes.

Bllokohet ne cilësinë e provës materiale automjeti tip "BMW", që kishte vjedhur autori.

Rreth orës 13:44, ka ardhur një telefonat në numrin e emergjencave 112, se në zonën e njohur si Poligrafiku, tek një servis automjetesh është vjedhur një automjet tip "BMW".

Menjëherë janë angazhuar shërbimet e Policisë së Tiranës, ku rreth orës 14:10, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 3, në Laprakë, kanë bërë të mundur ndalimin e automjetit dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:

– Niko Zaimi, 31 vjeç, Banues në Tiranë, i dënuar më parë për "Vjedhje"

Ky shtetas, ka përfituar nga momenti që mekanikët e kishin lënë automjetin tip "BMW", të ndezur në hyrje të servisit dhe e ka marrë duke u larguar me shpejtësi.

Materialet proceduriale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale "Vjedhja" parashikuar nga Neni 134 i Kodit Penal.

Familjarët refuzojnë trupin e vrasësit të ambasadorit rus në Turqi

Posted: 04 Jan 2017 09:04 AM PST

Trupi i policit që vrau ambasadorin rus në Turqi muajin e kaluar do të prehet në varrezat e bashkisë pasi familja e tij refuzoi të pranonte trupin e tij.

Më 19 dhjetor, 22-vjeçari Mevlut Mert Altintas qëlloi për vdekje Andrey Karlov, ndërkohë që diplomati po mbante fjalim në një galeri arti në Ankara.

Altintas u qëllua më pas nga forcat e policisë pas shkëmbimit të zjarrit.

Pas autopsisë mjeko-ligjore më 21 dhjetor, asnjë prej të afërmve të tij nuk u paraqit për tërheqjen e trupit.

Sipas rregullave trupi duhet të tërhiqet brenda 15 ditësh përndryshe, procedurat e varrosjes kryhen nga bashkia.

Lapsi: Si po i manipulon Veliaj TV-të shqiptare. Emrat e ekraneve të turpit

Posted: 04 Jan 2017 08:49 AM PST

Hetimi i thjeshtë që nxjerr zbuluar teatrin e kryebashkiakut. Provat filmike

Erion Veliajn e shohim shpesh në ekran, herë duke shpërndarë gjellë dhe ndihma për të varfrit, herë duke përuruar një urë, herë duke përveshur mëngët në një kënd të ri lojrash dhe herë duke mbajtur në krahë një fëmijë brenda një çerdheje të re. Por, fare pak nga konsumuesit e përditshëm të lajmeve e dinë se gjithë ajo që u shfaqet në ekran është një mizanskenë e përgatitur më parë me kujdes në zyrat e bashkisë. Miti në përpunim i "njeriut të punës" është një farësë e regjistruar, xhiruar dhe montuar në pikat e montazhit të ngritura nga vetë njeriu i parë i Tiranës. Pastaj ato shpërndahen në të gjitha ekranet e vendit si kaseta të mirëfillta propagande.

"Pamjet na vijnë nga bashkia me wetransfers, teksti me email, sinkronet e kryebashkiakut janë të prera dhe të montuara. Ne na mbetet vetëm angaria e transmetimit", deklaron për Lapsi.al një redaktor i një televizioni kombëtar i cili natyrisht që do të mbetet anonim.

Shumë gazetarë, që kanë guxuar të ngrejnë zërin ndaj oktapodit Veliaj në media, kanë mbetur pa punë. I tillë qe rasti i Alida Totës që kërkoi të investigonte për vdekjen e Ardit Gjoklajt. I tillë qe dhe fati e gazetarëve të emisionit "Publicus".

Që prej kësaj kohe në ekran për kryebashkiakun e Tiranës ka vetëm furçe: përurime, përveshje mëngësh, vizita çerdhe më çerdhe e kështu me radhë.

Veliaj ka arritur ti imponohet televizioneve me një teknikë të shpikur nga Rama dhe të vazhduar nga Basha gjatë fushatave elektorale. Ajo konsiston në zhdukjen e gazetarëve dhe kameramanëve nga terreni dhe përgatitjen e vetë lajmeve nga personazhet e politikës dhe stafet e tyre. Natyrisht gjithkush e kupton se ky është një teatër që nuk ka lidhje me informimin e drejtë, të paanshëm dhe dinjitoz. Pikërisht për këtë arsye ambasadori i OSBE në Tiranë kritikoi në fund të vitit shkuar praktikën e turpshme të transmetimit të lajmeve të përgatitura nga partitë gjatë zgjedhjeve. Ai apeloi për mospërsëritjen e saj.

Por, në vend që ti dëgjonte këto thirrje, që janë artikuluar edhe më pare, kryebashkiaku i Tiranës e ka shtrirë fenomenin, tashmë të njohur si "transmetimi i kasetave të gatshme", në një punë të përditshme.

Dhe kjo që po themi është e lehtë të vërtetohet.

Lapsi.al mbikqyri një ditë të vetme pune të Erion Veliajt në mbyllje të vitit që shkoi. Pikërisht atë kur ai përuroi urën e re të Tiranës, tek Irfan Tomini.

Ne nuk zgjodhëm enkas nje vizitë në çerdhe apo kopësht, nga ato që mediat mund ti neglizhojnë dhe nuk shpien grupe xhirimi. Zgjodhëm një eveniment për kryeqytetin. Dhe megjithëse në redaksinë e lapsi.al bëmë këtë zgjedhje, rezultati qe befasues. As në këtë eveniment, asnjë nga grupet e xhirimit të TV-ve kryesore, nuk kishte shkuar atje ku ndodhte ngjarja. Të gjitha kishin marrë të gatshme pamjet e dhuruara nga mëngëpërveshuri i bashkisë. Po ti shikosh kronikat e mëposhtme të TV-ve (Top, Klan, Ora dhe Report TV/shiko me poshte 4 videot), që Lapsi.al ka qëmtuar, dallon se sinkronet e kryebashkiakut janë të prera njësoj, se kamera është e vendosur në të njëtin vend, se pamjet ilustruese ngjajnë kudo. Pra përfundimi merret me mend lehtë. Këto televizione nuk bëjnë detyrën e tyre të informojnë publikun, por i kanë kthyer ekranet në qoka për Erion Velinë. Dhe një fakt të tillë mund ta vërtetojë çdo njeri që merr mundimin të hyjë në You Toube. Po kërkoi me emrin e kryebashkiakut bashkëngjitur me një eveniment, do ti shfaqen kronika të njëjta të TV-ve tona që duken se te gjitha janë përgatitur nga e njëjta dorë.

Lapsi.al e provoi disa herë. Por kjo e vërtetë është e prekshme për këdo që ka kuriozitet.

Pyetja është pse ndodh kjo? Pse Erion Veliaj po merr këtë pushtet mediatik, që në disa raste është më i madh se ai i kryeministrit apo i shefit të opozitës.

Përgjigjja është e thjeshtë. Shumica e pronarëve mediatikë kanë interesa imobiliare tek njeriu që sapo aprovoi planin urbanistik të Tiranës. Ndërsa TV e mëdha që nuk shpërblehen me pallate, po joshen me kioskat që po mbijnë si çibanë anekënd kryeqytetit.

Dhe pikërisht për këtë, Erioni na është bërë si njeri i shtëpisë. Na qesh përnatë nga ekrani, me fallcitetin e kronikave që prodhon vetë dhe që kanë përdhunuar deri në përçudnim, drejtorët, redaktorët dhe reporterët e lajmeve të redaksive kryesore të vendit. (Lapsi.al)

 

 

Ky shtet europian do të japë një rrogë mujore për të papunët

Posted: 04 Jan 2017 07:42 AM PST

Duke nisur nga ky fillim viti, Finlanda do ofrojë 560 euro pagë mujore për qytetarët e vet të cilët janë të papunë.

Me këtë nismë, Finlanda bëhet shteti i parë evropian që jep pagë pa punuar, duke kaluar pragun e ndihmës ekonomike që jepet përgjithësisht në vendet nordike si Suedia, Norvegjia apo edhe vetë Finlanda.

Nisma e qeverisë synon të ulë varfërinë, të pakësojë burokracitë shtetërore dhe të rrisë mirëqenien e qytetarëve të vet.

Nisma e nisur këtë muaj do të zgjasë për 2 vite dhe pritet të përfitojnë paraprakisht 2.000 qytetarë që janë zgjedhur rastësisht, raporton CNN.

Nëse nisma do të jetë efektive atëherë pritet të përfitojnë të gjithë qytetarët e papunë. Shkalla e papunësisë mes 5.5 milionë banorëve të Finlandës në nëntor ka qenë 8.1 %, e pandryshuar në krahasim me vitin e kaluar.

Në Finlandë ndryshe nga vendet e tjera të Evropës, zyrat e punës ofrojnë mbështetje për ata që humbasin vendin e punës, ndërsa qytetarët nuk nxiten për të pranuar punë të përkohshme, por mund të qëndrojë në pritje për të nisur një punë të përhershme.

Mavraj: Te Këlni përballova tragjedinë më të keqe të jetës sime: Vdekjen e babait

Posted: 04 Jan 2017 07:16 AM PST

Lëvizja e Mërgim Mavrajt ishte surpriza e merkatos së dimrit në Bundesliga. Ish-qendërmbrojtësi shqiptar i FC Këln, Mërgim Mavraj (30 vjeç), u transferua në një klub tjetër, po gjerman.

Ai është tashmë lojtar i është HSV (Hamburg). Një lëvizje e habitshme, për të cilën Mavraj shprehet në një intervistë ekskluzive, të dhënë për "express.de".

Mavraj, ju ka befasuar ky ritëm i papritur ndryshimesh?

Javët e fundit ka qenë një kohë e trazuar. Pothuajse absurde. Mundësia që u ngrit me kalimin te HSV ka qenë pothuajse e habitshme edhe për veten time.

Pse FC Këln ju la të largoheshit?

Unë duhet të them sinqerisht se isha më i befasuar me veten se nga fakti që FC Këln nuk hodhi poshtë interesimin. Por, kontrata ime, nga ana tjetër, ishte vetëm një vit e gjysmë dhe FC Këln u udhëhoq nga rregullat e biznesit.

Po shkoni për para te Hamburgu?

Çdokush që më njeh e di vlerësimin tim për gjërat në jetë. Ju siguroj se nuk jam nisur më shumë nga paratë në këtë lëvizje. Ajo që më ka impresionuar së tepërmi ka të bëjë me faktin se sa këmbëngulës ishte Hamburgu për mua. Ja pra, që jeta e një futbollisti është ndryshim, edhe fare i paparashikueshëm.

Keni shkuar në klube, që gjenden në situata kaosi, vitet e fundit. Përse?

Në gjendje të vështirë, por mbetet ende HSV! Një klub i madh, një qytet futbolldashës. Më shijojnë sfidat e vështira. Është e qartë se kemi vetëm një qëllim: të qëndrojnë brenda Bundesliga. Nuk do të jetë e lehtë për mua. Ka shumë konkurrencë dhe kjo vetëm sa shton mundësitë e mbijetesës.

Çfarë përbën për ju FC Këln?

Ju e dini: Këln ishte kapitulli më i rëndësishëm i karrierës time. Këtu kam mësuar të përballoj tragjeditë më të këqija të jetës sime: vdekjen e babait dhe lëndimin më të keq. Gjithkush e di se me sa dashuri kam luajtur këtu. Këtë eksperiencë nuk do ta harroj kurrë. Kuptohet, është një ndjenjë e çuditshme për t'u larguar. Dhe në qoftë se dikush ndihet jo mirë nga vendimin im, unë jam i keqi… Miqtë, si Maurice Weber, i cili ishte bërë si një vëlla për mua dhe karrierën, do t'i humbas disi, natyrisht edhe kolegët e mi.

Cilin nga lojtarët e Hamburgut njihni?

Me Holtby njihem, edhe me Muller, gjithashtu, sepse kemi luajtur së bashku te Bochum.

Daja prezantohet te Skënderbeu: Erdha për t’ju shpallur kampionë!

Posted: 04 Jan 2017 07:00 AM PST

Ilir Daja ka marrë zyrtarisht drejtimin e Skënderbeut dhe ka drejtuar seancën e parë të kuqebardhëve, në fushën e "Tropikal Resort".

Trajneri kryeqytetas është prezantuar ditën e sotme nga presidenti i klubit juglindor, Ardian Takaj.

Presidenti i "Ujqërve të Dëborës" vendosi largimin e italianit Agostinelli, si një sinjal që duhet të rikthehet loja bindëse e sezoneve të kaluara, edhe pse Ardian Takaj mohon që oshilacionet e deritanishme kanë ardhur vetëm për faj të trajnerit nga vendi i Apenineve.

"Në periudhën e dobët të dy fazave të para nuk ishte problem vetëm trajneri, por faji është edhe i skuadrës. Megjithatë ne i dhamë edhe një mundësi trajnerit italian, i cili nuk arriti ta çonte ekipin në nivelet e larta, ndaj dhe e pamë të arsyeshme ndryshimin", tha Ardian Takaj, presidenti i Skënderbeut.

Së bashku me teknikun Daja është prezantuar edhe ndihmësi i tij, i cili është një emër i njohur i futbollit shqiptar, Ardian Mema.

Ndërkohë, gjatë prezantimit të tij, Ilir Daja i ka vënë vetes objektiv titullin kampion, çka është edhe kusht për rinovimin automatik të kontratës aktuale 6-mujore me 2 vite të tjera. Ai u shpreh se skuadra më e ri e tij do të luftojë për titullin kampion deri në fund:  "Kemi skuadër të mirë dhe do të luajmë për të fituar titullin. Jam i respektuar që jam sot këtu dhe besoj se do të marrim më të mirën".

"Ndihem i vlerësuar sepse marr ekipin kampion në fuqi. Është e vështirë, sepse dihet tashmë që objektivi kryesor i Skënderbeut është të dalë kampion. Po dole kampion konsiderohet që ke bërë detyrën, ndërsa po dështove quhet dështim. Vështirësia shtohet edhe për faktin që merkatoja e janarit është e kufizuar për të ndërhyrë aty ku ka nevojë ekipi. Por do të shtoja se Skënderbeu e ka kontigjentin, ka lojtarë që janë shpallur kampionë disa herë me këtë ekip", tha Ilir Daja, trajner i Skënderbeut.

Ndërkohë, i kontaktuar nga Top Channel, Andrea Agostinelli shpreh keqardhjen për këtë largim dhe tregon arsyet e mungesës së rezultateve.

"Sigurisht që nuk ishim me fat, duke pasur parasysh edhe ndeshjet e fundit. Por nuk është e drejtë të them se ishte vetëm kjo. Kjo skuadër nuk ishte, përgjithësisht, si një vit më parë. Mund të them me bindje të plotë se, Skënderbeu që unë kisha pati një rënie të dukshme sa i përket cilësisë së lojtarëve. Megjithatë mund të bënim diçka më shumë. Jam përpjekur të bëj gjithmonë maksimumin dhe për këtë e kam ndërgjegjen e pastër. Sigurisht që doja shumë të vazhdoja të qëndroja, por e kuptoj se edhe dy rezultatet e fundit negative sollën ndërprerjen e bashkëpunimit tonë", tha italiani Andrea Agostinelli.

Cilët janë 30 zyrtarët e lartë me të kaluar kriminale

Posted: 04 Jan 2017 06:50 AM PST

Prokuroria ka indicie dhe dyshon se 30 zyrtarë të lartë kanë patur të kaluar kriminale në vende të ndryshme të Evropës.

Për këtë arsye agjencive evropiane policore iu është kërkuar informacion për këta zyrtarë.

Burime nga organi qendror i akuzës sqarojnë për Televizionin Klan se numri i zyrtarëve të lartë që pritet të japin shenjat e gishtave do të rritet në ditët në vijim.

Të njëjta burime saktësojnë se brenda muajit janar informacionet nga agjencitë ligj-zbatuese ndërkombëtare pritet të jenë në dorën e hetuesve shqiptarë. Më pas këta zyrtarë do të jenë të detyruar të japin shenjat e gishtërinjve, të cilat do të krahasohen më rekordet në bankën e të dhënave të EURPOL dhe INTERPOL.

Deri më tani në bazë të ligjit për dekriminalizimin kanë dhënë shenjat e gishtave 15 zyrtarë të lartë.

Për këta zyrtarë të dhënat janë në proces verifikimi për të parë nëse janë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

Në këtë proces verifikimi janë zyrtarë të cilët kanë jetuar për vite me radhë jashtë vendit dhe kryesisht në Evropën Perëndimore.

Related Posts :