Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

““Top Awards”, Era Istrefi e fillon vitin me +9 pozicione” plus 9 more Gazeta SHQIP

loading...

““Top Awards”, Era Istrefi e fillon vitin me +9 pozicione” plus 9 more Gazeta SHQIP


“Top Awards”, Era Istrefi e fillon vitin me +9 pozicione

Posted: 05 Jan 2017 02:26 AM PST

Prej 36 javësh "Bonbon" është bërë pjesë e "The Top List" dhe ende vazhdon të jetë pjesë e saj duke u pozicionuar në vendet më të rëndësishme të klasifikimit.

Ndërkohë që të gjithë janë në pritje të këngëve të reja të artistes, "Bonbon" vazhdon ende të ketë magjinë e saj, duke bërë që fansat ta votojnë vazhdimisht këtë këngë duke përballuar për 36 javë konkurrencën e krijuar në "The Top List". Vetëm këtë javë, kjo këngë është ngjitur 9 pozicione, duke u renditur në vendin e 13-të.

Prej disa muajsh artistja ka paralajmëruar projektet e reja muzikore por duket se Istrefi është e vendosur që të publikojë këngë që të kenë një sukses ndoshta më të madh se ai i "Bonbon". Ndonëse shtëpia diskografike "Universal Media" ka qetësuar fansat duke treguar se shumë shpejtë do të kemi diçka të re nga artistja, akoma ska asnjë detaj të mëtejshëm.

Në një intervistë të dhënë për Top Albania Radio, në fillim të muajit dhjetor, Era ka treguar se shumë shpejt do të ketë muzikë shumë të bukur nga ajo, por këngëtarja nuk ka dhënë një kohë të caktuar, duke lënë fansat në pritje. Pavarësishit kësaj pritjeje të madhe, një gjë është e sigurt, Era Istrefi nuk di të zhgënjejë.

5 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Arrestimi i Haradinajt, Meta: Vendim absurd, Franca të japë sqarime

Posted: 05 Jan 2017 02:20 AM PST

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta ka reaguar ndaj ndalimit të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj në Francë.

Në njoftimin e shpërndarë nga Kuvendi thuhet se kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta u befasua nga lajmi për ndalimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nga policia franceze në bazë të një urdhër të vjetër arresti të lëshuar nga Serbia.

Kryetari Meta beson se autoritetet policore franceze do të qartësojnë rrethanat e pakuptimta të këtij ndalimi dhe do të veprojnë shpejt për t'i kthyer të drejtën e lëvizjes së lirë dhe të ligjshme kryetarit të AAK-së.

Meta thekson se ky veprim është i pakuptimtë, i papranueshëm dhe nuk ndihmon frymën e dialogut dhe bashkëpunimit të deritanishëm mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ai u bën thirrje autoriteteve franceze dhe atyre të Bashkimit Europian për të zgjidhur këtë incident, për të qartësuar qëndrimin e tyre lidhur më këtë rast e për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen.

5 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Durrës, zhduket taksisti, familjarët kërkojnë ndihmë

Posted: 05 Jan 2017 02:06 AM PST

Një 53 vjeçar i cili punonte si shofer taksi rezulton i zhdukur prej mbrëmjes së 4 janarit 2017. Kanë qenë familjarët që kanë kallëzimin në polici rreth orës 21:30

Shtetasi Faik Fezgaj 53 vjeç, ka dalë nga banesa bashkë me mjetin tij Benz, ngjyrë blu, "Taxi"me targa DR 443 A dhe nuk është kthyer.

Mësohet se policia ka gjetur të përmbysur në një kanal në Kavajë makinën e tij, por ende nuk ka asnjë gjurmë të Faik Fezgaj.

Efektivet e Policisë Durrës po punojnë për gjetjen e tij ndërsa kërkojnë ndihmë nga çdo person, I cili ka ndonjë informacion mbi shtetasin e mësipërm është lutur të kontaktojë në numrin 0694110217

5 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Moti i keq, Veliaj: Jemi në gatishmëri të plotë

Posted: 05 Jan 2017 01:48 AM PST

Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur sot për të diskutuar në lidhje me masat që do të merren për shkak të motit të keq. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj këshilloi të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes gjatë këtyre ditëve të ftohta.

"Merrni masa kur dilni jashtë. Evitoni aktivitetet e rënda fizike që u shkaktojnë djersitje.  Do i lusja të gjithë qytetarët që shëtitjet në Malin e Dajtit t'i ruajnë për javën tjetër. Nëse shihni njerëz në nevojë, që dridhen nga i ftohti, njoftoni emergjencat", këshilloi ai.

Veliaj ka deklaruar se për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve do të jenë në detyrë të gjitha strukturat bashkiake.

"Do të jenë të hapura të gjitha qendrat sociale. Do të jenë të hapura të 24 njësitë bashkiake të Tiranës. Gjithashtu do të hapim çerdhe, shkolla dhe Pallatin e Sportit për ata që nuk kanë një strehë", ka thënë Veliaj.

Ai ka shtuar se në ndihmë të qytetarëve në nevojë është vënë në dispozicion edhe numri i gjelbër i bashkisë, 08188.

5 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Bushati: Të lirohet menjëherë Ramush Haradinaj

Posted: 05 Jan 2017 01:36 AM PST

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka reaguar pas ndalimit të Ramush Haradinajt në Francë. Në një postim në Facebook, Bushati thekson se Franca duhet të lirojë menjëherë Haradinajn, pasi ai është shpallur i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare.

"Ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë bazuar në një urdhër arresti të 2004 të lëshuar nga Serbia, është i dënueshëm, kur dihet botërisht se drejtësia ndërkombëtare e ka çliruar atë nga të gjitha akuzat. I bëj thirrje autoriteteve franceze, si një prej shteteve me kontribut thelbësor për Kosovën shtet, të qartësojnë situatën duke liruar menjëherë Ramush Haradinajn.

Çdo përpjekje e Serbisë për të përbaltur luftën çlirimtare të Kosovës do të dështoj sikurse dështuan politikat genocidiste të Millosheviçit në Kosovë, të cilave Ramushi dhe UÇK-ja ju kundërvunë.

Ky akt për fat të keq dëmton procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Proces, i cili kërkon gjurmë provash të pakundërshtueshme, e jo përbetime artificiale, për të ecur me vendosmëri përpara, duke hequr dorë nga provokimet dhe aplikimi i metodave që s’kanë aspak lidhje me të ardhmen e përbashkët të Kosovës e Serbisë në familjen europaine", thekson Bushati.

5 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

URA E BERLINIT NË MITROVICË

Posted: 05 Jan 2017 01:30 AM PST

Fadil LEPAJA

Fadil LepajaE di, do të thoni se nuk ishte ura, por Muri i Berlinit. Të gjithë këto kohët e fundit e kanë shlyer nga përdorimi metaforën e Murit të Berlinit. E di se do të më thoni, mbase, se nuk po flas fare për Berlinin, por për Mitrovicën, dhe për… Beogradin! Për asgjë! Do të thoni: je jashtë teme, vëlla. Pse, çfarë ngjashmërie ka Serbia me Gjermaninë dhe Mitrovica me Berlinin? Apo ura me murin? Ka or, si nuk ka. Nuk po flisja për vende. Po flisja për çmendurinë e cila kur fiton në zgjedhje, në Ballkan, zyrtarizohet dhe atëherë me eufemizëm quhet politikë ndërnacionale. Ju mund edhe të mohoni, por në Mitrovicë i kemi të gjitha elementet e çmendurisë, të ndarjes, për të mundur që ta përdorim murin si metaforë, urën apo çfarëdo qoftë të Berlinit – nga koha e luftës së ftohtë – dhe për të sharë iracionalitetin në politikën e dy dhe më shumë vendeve rreth urës.

Ka edhe dallime, natyrisht, por ato nuk janë relevante për nevojat e këtij shkrimi. Të fillojmë me një barsoletë. Ju kujtohet ajo barsoleta pa lidhje, në të cilën moderatori i një kuisi televiziv e pyet një garues se cili lum kalon nën urën e Savës? Nuk ju kujtohet, me siguri, përpos nëse jeni i gjeneratës mbi dyzet. Kur kemi parasysh moshën e shqiptarëve në Ballkan dhe të ndarjes së tyre, e cila kishte zgjatur një shekull, është gati e sigurt se kjo do t'i kujtohet vetëm një përqindjeje shumë të vogël të lexuesve. Natyrisht, kjo i ka edhe avantazhet e veta, sepse më lejon që edhe barsoletën ta manipuloj sipas definicionit politik që u shpall këto ditë për ligjin, i cili thotë se "Ligji është si llastiku". Ju do të qeshni, kot gjithsesi, sepse Ligji me të vërtetë është i tillë në vendin tonë dhe barsoleta me të cilën qeshet ndër ne shpeshherë është një ngjarje e vërtetë. Për ata që nuk e dinë, Sava është një lum i cili kalonte nëpër dy republikat kyçe të ish-Jugosllavisë, tash shtete të pavarura dhe ende të papajtuara krejtësisht.

Dhe, ju me logjikë të shëndoshë mendoni se pyetja me të cilën e filluam këtë kolumne ishte një pyetje e lehtë? Nuk ishte. Nuk ishte, sepse në marrëdhëniet serbo-kroate asnjëherë nuk kishte logjikë të shëndoshë. Së paku jo për vet serbët dhe kroatët. Ata nuk ishin vetëm serbë dhe vetëm kroatë. Ata bashkonin dhe ndanin civilizimet. Prandaj, nuk kishte as përgjigje të lehtë. Përgjigjja ishte krejtësisht subjektive. Përkundër faktit se kjo tashmë tingëllon krejtësisht qesharake, ai i bindur se ka të drejtë, ishte përgjigjur se nën urën e Savës kalon Danubi. Por, nuk e kishim me Danubin, as me Savën, e as korridorin strategjik të transportit kontinental të mallrave.

E kemi me çmendurinë e një marrëdhënie, me Ibrin, me urën dhe përfundimisht me murin, Pra, me Urën e Berlinit në Mitrovicë. Ura nuk bashkon brigje, ura nuk është vazhdim i një rruge që refuzon të njoh pengesat e natyrës. Në Mitrovicë kishim urën e cila u bë e famshme, sepse ideatorët e konfliktit nuk e shohin si urë po si mur, si pengesë. Ata e shohin si një pikë ndarëse, jo vetëm mes dy popujve, por edhe në mes civilizimeve. Prandaj, e krijuan edhe simbolikën e re. E krijuan edhe murin. Këtë e bënë që bota ta kuptojë atë si një mburojë, gjoja nga rreziku që vjen nga jugu. Pas kritikave të mëdha, jo vetëm nga shqiptarët, ata e ulën murin, madje i dhanë edhe kuptim tjetër, por gjithsesi aty mbeti një pengesë e betontë që nuk e lejon urën të kryejë funksionin e saj. Sido që ta quash, mbetet një pengesë e cila e zëvendëson barrikadën e dikurshme, apo si u riformulua më vonë, "Parkun e paqes", apo… çfarëdo pengese tjetër për të qarkulluar mbi këtë urë e cila i lidh dy pjesë të vendit.

Pra, sado i gjatë që të jetë, apo sado i lartë që të mbetet, si pasojë e negociatave të ndërmjetësuara nga BE, prapë se prapë pengesa po mbetet në urë. Quaje mur, quaje "Park i paqes", apo amfiteatër i hapur në rrugë. Krejt mbetet njësoj. Një urë e cila lidhë dy sheshe, në krye të cilëve valojnë flamuj të shteteve të ndryshme. Pra, nuk mund të mohosh se tashmë e kemi edhe murin, qoftë ai edhe në formë ure. Muri është fakt politik. Por, ka shumë arsye që atë të mos e quajmë Muri i Mitrovicës, madje të mos e quajmë as mur. Serbët politikë, pra Qeveria e Serbisë , e cila flet përmes gojës së zyrtarëve lokalë, thonë se ai është më tepër një pjesë mbrojtëse e një amfiteatri të hapur në rrugë, ku do të performojë politika serbe për spektatorët andej (këndej) murit.

Pra, nga ndërtesat në jug, me një palë dylbi të mira mundet edhe të shihet fare qartë performanca politike në teatrin e hapur të rrugës, në sheshin i cili e mban emrin e një mbreti serb. Krejt kjo mund të shihet nga Sheshi "Adem Jashari", këndej ure, pa paguar biletën. Për ta mbyllur këtë bisedë, po konstatojmë se pas kësaj, as muri, as Ura e Mitrovicës, nuk do të jenë fjala e fundit e ideologjisë përjashtuese të Qeverisë serbe në veri të Kosovës. Amfiteatri i hapur, në rrugë, mbetet zbulimi i fundit politik. Beogradi do që me "kulturë" ta mbajë të bllokuar urën. Me apo pa kulturë, më thoni se nuk bëhet fjalë për një urë që nuk lidh brigje?

5 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Greqi, ndalohet një prej terroristeve më të kërkuara

Posted: 05 Jan 2017 01:27 AM PST

Një ndër terroristet më të kërkuara është ndaluar prej policisë greke në Athinë.

Sipas burimeve policore, e shumëkërkuara Pola Rupa, një ndër krerët e organizatës terroriste "Lufta Revolucionare" është ndaluar në lagjien “Ajos Dhimitrios”, në Athinë.

Policia thotë se së bashku me të, në banesë ndodhej edhe fëmija dhe një femër tjetër, 25 vjeç, e cila e strehonte gjatë arratisë së saj më shumë se 2-vjeçare. Mësohet se Rupa nuk ka kryer rezistencë gjatë arrestimit të saj.

Ajo u ka kërkuar autoriteteve të mos prekin fëmijën dhe është dorëzuar.

Pola Rupa dhe mikja e saj u dërguan në Drejtorinë e Anti-terrorit në Athinë, ku dhe do të merren në pyetje.

Vogëlushi ka qenë pranë nënës së tij gjatë gjithë viteve që ajo ka qenë në arrati. Mësohet se fëmija do të dërgohet në një qendër të posaçme mbrojtjeje për fëmijët e mitur.

Pola Rupa, së bashku me bashkëshortin e saj Nikos Maziotis, një anarkist-marksist, përbëjnë dyshen kryesuese të organzatës famëkeqe terroriste "Lufta Revolucionare", që pasoi organizatën e "17 nëntorit" pas arrestimit të anëtarëve të saj në vitin 2003.

“Lufta  Revolucionare” akuzohet se ka kryer disa akte terroriste gjatë 15 viteve të fundit, midis tyre edhe kundër Amabasadës Amerikane në Athinë.

Disa anëtarë të kësaj organizate u arrestuan në vitin 2012 dhe u dërguan për gjykim, por vonesa në gjykim dhe tejkalimi i afateve të paraburgimit u mundësoi lirinë çiftit Maziotis-Rupa, të cilët u zhdukën në mënyrë misterioze në vitin 2014.

Gjatë kësaj kohe, dy terroristët kryen disa akte terrori dhe grabitje të armatosura.

Nikos Maziotos ra në duart e policisë në verën e vitit 2015, pas përballjes me policinë gjatë një grabitjeje në një bankë, ndërsa Rupa vazhdoi aktivitetin e saj, ku sipas policisë vendase, është e dyshuara kryesore në disa grabitje të armatosura.

Ajo akuzohet se ka patur rol protagonist në tentativën për arratisje të Maziotit dhe bashkëpunëtorëve të tij me helikopter nga burgu i Koridhalos.

Aktiviteti i Rupës vazhdoi deri mëngjesin e së enjtes, kur edhe u ndalua nga antiterrori grek.

5 janar 2017 (gazeta-Shqip.com) T.CH

Moti i keq, Emergjencat Civile: Nuk ka akse kombëtare të bllokuara

Posted: 05 Jan 2017 01:22 AM PST

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile vijon të monitorojë nga afër situatën e krijuar për shkak të kushteve të motit në të gjithë vendin. Sipas informacioneve të fundit, në zonat veriore dhe veri-lindore, të cilat janë prekur nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës, raportohet se nuk ka akse kombëtare të bllokuara.

Qarkullimi i automjeteve kryhet me zinxhirë në disa rrugë.

QARKU KUKËS – Reshjet e dëborës kanë vijuar edhe mëngjesin e sotëm. Të gjitha akset kombëtare janë përgjithësisht të qarkullueshëm pa zinxhirë si rezultat i punës së kryer nga 6 firmat kontraktore per mirembajtjen e rrugeve. Policia Rrugore ka monitoruar në vijueshmëri qarkullimin e automjeteve duke udhëzuar sipas rastit drejtuesit e mjeteve të përdorin zinxhirë në segmentet rrugorë problematike. ‘Rruga e Kombit’ është e qarkullueshme pa zinxhirë. Lartësia e dëborës ka arritur deri në 25 cm në Tunelin e Kalimashit. Akset rrugore Kukës-Bushtricë, Krumë-Qafë Prushi-Kam, Kukës-Zapod, Bajram Curri-Valbonë, Bajram Curri-Qafë Morinë, Bajram Curri-Qafë Luzhë janë të qarkullueshme pa zinxhirë. Akset Kukës-Krumë, Fushë Dukagjin-Qafë Shllak jane te qarkullueshme pjesërisht me zinxhirë.

QARKU SHKODËR – Gjatë natës dhe në mëngjes në Pukë ka pasur reshje bore në lartësinë mbi 500 m. Të gjitha akset kombëtare janë të qarkullueshëm pa zinxhirë si rezultat i punës së kryer nga 13 firmat kontraktore. Ne akset Vau Dejës-Koman-Pukë-Fushë Arrëz, Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak, Qafë Mali-Dardhë-Fierzë, Qafë Mali-Iballë, automjetet qarkullojnë me zinxhirë. Ne akset Bardhok-Iballë, Shkodër-Bregu i Lumit, Bogë-Theth, janë të pakalueshme ndërsa Vau Dejës-Shllak, Tamarë-Vermosh kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë. Drejtoria e Emergjencave Civile ka dërguar 1 borëpastruese dhe 1 fadromë, të cilat do të jenë në dispozicion të Bashkisë Pukë dhe Fushë Arrëz.

QARKU DIBËR – Gjatë ditës së djeshme dhe sot në mëngjes ka pasur reshje të dobëta shiu dhe reshje bore që kanë arritur trashësi rreth 10-12 cm. Të gjitha akset kombëtare janë përgjithësisht të qarkullueshëm pa zinxhirë si rezultat i punës së kryer nga 4 firmat kontraktore. Akset rrugore që lidhin zonat urbane me zonat rurale janë kryesisht të kalueshme me zinxhirë. Policia Rrugore ka monitoruar në vijueshmëri qarkullimin e automjeteve duke udhëzuar sipas rastit drejtuesit e mjeteve të përdorin zinxhirë në segmentet rrugorë problematike.  Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohet për probleme.

5 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Haradinaj sot merret në pyetje, AAK pret lirimin e tij

Posted: 05 Jan 2017 01:12 AM PST

Dje pasdite, policia franceze, në aeroportin e Bazelit, ka arrestuar liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj.

Haradinaj, i arrestuar sipas fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, po mbahet në një stacion policor në Francë.

Haradinaj sot pritet të merret në pyetje nga autoritete franceze të drejtësisë për të hetuar faktin nëse ka pasur arsye për të mos e ekzekutuar kërkesën për ekstradim të palës serbe, posaçërisht në këtë rast pasi është lëshuar për arsye politike. Pal Lekaj, kryetar i grupit parlamentar të AAK –së  ka thënë se pret lirimin e Haradinajt sot në orën 13.

Kundër arrestimit të Haradinajt kanë reaguar bartës të institucioneve të vendit: Presidenti i vendit, kreu i Kuvendit, qeveria, dikastere të qeverisë, parti politike e individë.

Ramush Haradinaj, udhëheqës i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, dy herë është përballur me drejtësinë ndërkombëtare në Hagë dhe ajo dy herë e ka shpallur dhe e ka liruar të pafajshëm.

5 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Dibër, tentoi të vrasë me armë zjarri një person, arrestohet 35-vjeçari

Posted: 05 Jan 2017 01:03 AM PST

Tenton të vrasë me armë zjarri një shtetas, arrestohet në flagrancë nga policia. Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Arjan Skënderi, 35 vjeç, lindur dhe banues në Kllobçisht-Maqellarë-Dibër, për veprën penale të "Vrasjes me dashje", mbetur në tentativë.

Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. B, 43 vjeç, lindur e banues në Okshatinë-Shupenzë-Dibër.

"Më datën 04.01.2017, rreth orës 10:30, në vendin e quajtur varrezat e fshatit Kllobçisht, konkretisht në rrugën automobilistike të këtij fshati, shtetasi Arjan Skënderi sapo ka konstatuar shtetasin A. B, i cili ka qenë duke drejtuar mjetin Opel Corsa, është afruar tek makina e tij dhe ka qëlluar një herë me armë zjarri mbi xhamin e pasmë, xham i cili është thyer plotësisht. Shtetasi A. B. nuk është lënduar nga e shtëna me armë zjarri.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore rezultoi se motivi i ngjarjes ka qenë se shtetasi i arrestuar nuk ka dashur që shtetasi A.B, të vinte në këtë fshat , pasi në vitin 2007, vëllai i shtetasit A. B, i quajtur A. B, ka vrarë me armë zjarri shtetasin J. M. (dhëndri i Arjan Skënderit)", njofton policia.

Grupi hetimor ka kryer veprimet në vendin e ngjarjes por nuk u arrit të gjendet gëzhoja për shkak edhe të motit të keq me dëborë , por dyshohet se pistoleta mund të ketë qenë me mulli. Vijojnë veprimet për gjetjen e gëzhojës dhe të armës së zjarrit, si dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprime të mëtejshme.

5 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Related Posts :