Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Trump: Faleminderit Fordit dhe FCA që do të investojnë në SHBA” plus 9 more Lajmet

loading...

“Trump: Faleminderit Fordit dhe FCA që do të investojnë në SHBA” plus 9 more Lajmet


Trump: Faleminderit Fordit dhe FCA që do të investojnë në SHBA

Posted: 09 Jan 2017 11:27 AM PST

"Më në fund po ndodh zyrtarisht, 'Fiat Chrysler ', ka njoftuar planet e investimit për rreth 1 miliardë dollarë në impiantet e Miçiganit dhe Ohajos, duke shtuar mbi 2 mijë vende pune.

Kjo pasi 'Ford' njoftoi javën e kaluar që do të investojë në Miçigan në vend që të ndërtojë një fabrikë në Meksikës. Fal Fordit dhe FCA!", shkruan në TWitter presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.

9 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Trump: Faleminderit Fordit dhe FCA që do të investojnë në SHBA appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Daja: Skenderbeu i fortë, por do të bëjmë dhe merkato

Posted: 09 Jan 2017 11:09 AM PST

Vetëm 1 ditë pas miqësores ndaj Bursasporit që përfundoi në barazim pa gola, Skënderbu iu rikthye stërvitjes duke zhvilluar seancën e radhës në Antalya të Turqisë, vendgrumbullim që është përzgjedhur nga drejtuesit e klubit korcar për të zhvilluar fazën përgatitore të dimrit. Këtë të Hënë në Antalya, me skuadrën u bashkua edhe sulmuesi i Hamdi Salihi,ndërkohë që në provë te Skënderbeu janë afruar tre futbollistë të rinj, rumuni Cornel Petrescu si dhe dy 19-vjecarët e talentuar kanadezi Hanson Bokai dhe nigeriani Charles. Trajneri Ilir Daja i cili ka vetëm pak ditë që ka marrë drejtimin e kampionëve, është i kënaqur me grupin e futbollistëve që ka në dispozicion por një prononcim ekskluziv për Supersport nga Antalya, 50-vjeçari kryeqytetas nënvizoi se pret diçka edhe nga merkato.

" Jam i kënaqur me përgatitjet duke filluar nga kushtet që janë optimale, është kompletuar edhe grupi, me ardhjen e Salihit. Bëhet fjalë për një skuadër shumë të mirë që ka fituar 6 tituj kampion radhazi. Por natyrisht kemi nevojë për përforcime pasi kampionati është i gjatë dhe duke patur parasysh që objektivi ynë është titulli kampion, duhet një grup i kompletuar me 2 alternativa për çdo repart, sepse kampionati ka dhe skualifikime apo dëmtime.

Ndaj Bursasporit, Skënderbeu zhvilloi miqësoren e parë në tokën turke. Një barazim 0-0 ndaj një skuadre shumë të fortë të Superligës turke. Daja ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e skuadrës së tij.

" Në ndeshjen miqësore ndaj Bursasporit e kemi trajtuar në dy plane. Skuadra u paraqit mirë, më pëlqeu paraqitja e lojtarëve në aspektin individual, kjo edhe për faktin se bashkëpunuam mirë si skuadër. Disa lojtarë i njoh, pasi i kam stërvitur edhe vetë por i kam patur dhe kundërshtarë, por është tjetër gjë ti stërvitësh vetë".

Në Antalya kampionët e 6 viteve të fundit, do të zhvillojnë dhe dy takime të tjera miqësore ndaj dy skuadrave azere Sumqaiyt dhe Qarabagut të Ansi Agollit. Në këto dy sfida por edhe në vazhdimësinë e sezonit, objektivi i Dajës është që skuadra të përmirësohet në sulm.

" Do të mundohem të zhvillojmë një futboll më sulmues, por për ta bërë dicka të tillë ,lojtarët duhet të zbatojnë me përpikmëri detyrat e tyre sulmuese dhe ato mbrojtëse. Shpresojmë që me rifillimin e kampionatit skuadra ta gjejë me më tepër lehtësi golin, po punojmë në këtë aspekt dhe mendoj se do t'ia arrimë qëllimit.

9 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Daja: Skenderbeu i fortë, por do të bëjmë dhe merkato appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Moti i keq, policia iu vjen në ndihmë 76 të pastrehëve

Posted: 09 Jan 2017 11:08 AM PST

Policia e Shtetit gjatë ditëve të fundit iu ka ardhur në ndihmë në të gjithë vendin shtetaseve të pastrehë,ndërmjet tyre gra dhe fëmijë, të cilëve u rrezikohej jeta nga të ftohtit.

Në përmbushje të detyrës prioritare, Policia e Shtetit në shërbim të komunitetit, e veçanërisht në shërbim të atyre në nevojë, në të gjithë vendin iu ka ardhur në ndihmë 76 shtetasve të pastrehë.

Në Tiranë Patrullat e Përgjithshme kanë ndihmuar duke i sistemuar në qendrat sociale rreth 50 qytetare të pastrehë.

Në Drejtoritë Vendore të Policisë në Qarqe, janë ndihmuar 26 shtetas, të cilët janë sistemuar në ambientet e Komisariateve të Policisë, ku trajtohen me ushqim e fjetje nga efektivat e këtyre Komisariateve dhe konkretisht:

Në Shkodër 4 shtetas, në Dibër 2 shtetas, në Durrës 6 shtetas, në Elbasan 6 shtetas, në Berat 2 shtetas, në Vlorë Sarandë e Delvinë 6 shtetas. Policia e Shtetit do jetë përherë e gatshme për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

9 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Moti i keq, policia iu vjen në ndihmë 76 të pastrehëve appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Greqi, tërmet i fuqishëm me magnitudë 4.5 në Patra

Posted: 09 Jan 2017 11:03 AM PST

Një tërmet i fuqishëm me magnitude 4.5 është regjistruar pranë qytetit të Patrës pak para mesditës.

Epiqendra e tij ka qenë në një thellësi të vogël prej 5 km në zonën detare, rreth 9 km nga qyteti i Patrës.

Pas tërmetit janë regjistruar edhe lëkundje të tjera sizmike, me magnitudë deri në 3.

Tërmeti që ka shkaktuar shqetësim të madh te banorët e qytetit është ndierë edhe në të gjitha zonat e Greqisë perëndimore, deri në ishujt e detit Jon.

Sipas medieve vendase, tërmeti është shoqëruar edhe me zhurmë të madhe dhe shumë banorë kanë dalë në rrugë.

Deri tani nuk ka informacione për dëme materiale dhe lëndime në njerëz. Sizmiologët po monitorojnë nga afër zhvillimin e fenomenit

9 janar 2017 (Stilografi.com) T.CH

The post Greqi, tërmet i fuqishëm me magnitudë 4.5 në Patra appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Tahiri, letër INTERPOL-it: Anuloni urdhër-arrestin për Haradinajn

Posted: 09 Jan 2017 11:02 AM PST

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, përmes një letre dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të INTERPOL-it, Jurgen Stock, kërkon rishqyrtimin dhe rivlerësimin e Urdhër Arrestit ndërkombëtar për zotin Ramush Haradinaj.

"Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të institucionit që unë drejtoj, të shpreh konsideratën më të lartë për punën tuaj si dhe t'Ju falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer më Policinë e Shtetit shqiptar gjatë vitit të kaluar.

Nga ana tjetër, kam ndjekur me shqetësim të madh arrestimin e ish-Kryeministrit të Kosovës, njëherazi dhe një nga udhëheqësit e luftës së Kosovës kundër genocidit serb, z. Ramush Haradinaj, në Paris në datë 4 janar 2017, në zbatim të një Urdhër Arresti të INTERPOL-it", shkruan ministri.

Ministri Tahiri thekson në letër, se zbatimi i këtij Urdhër Arresti, cënon parimet themelore të drejtësisë penale, si edhe të drejtat e njeriut.

"Haradinaj, subjekt i këtij Urdhër Arresti është hetuar, gjykuar dhe gjetur i pafajshëm nga Gjykata për Krimet e Luftës në Ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, një autoritet gjyqësor ndërkombëtar i posaçëm që ka marrë një vendim për pafajësinë e tij, pas një procesi të gjatë e të drejtë, në përputhje me të gjitha normat ndërkombëtare të drejtësisë penale. Gjykimi dy herë për të njëjtën vepër penale është në kundërshtim të hapur me këto parime dhe në shkelje të të drejtave të njeriut, si dhe, në këtë rast, një precedent që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare", vë në dukje Tahiri.

Ministri nënvizon se Urdhër Arresti ka gjithashtu probleme formale dhe proceduriale, duke renditur 3 prej tyre.

"Në këtë Urdhër Arrest, z. Ramush Haradinaj konsiderohet ende shtetas i Republikës Federative të Serbisë dhe Malit te Zi, entitet shtetëror i cili ka pushuar së ekzistuari që në vitin 2006; më lejoni gjithashtu t'Ju rikujtoj se personi subjekt i Urdhër Arrestit ndërkombëtar në datë 6 qershor 2005 është ndaluar më parë nga autoritetet sllovene bazuar në të njëjtin Urdhër Arresti dhe është liruar menjëherë pasi autoritetet e kanë konsideruar atë si të pazbatueshëm; është e nevojshme gjithashtu të rivlerësohet nëse Urdhër Arresti ndërkombëtar plotëson kriteret e përcaktuara nga neni 3 i Kushtetutës së Interpol nga Konventa Evropiane për Ekstradimin", pohon ministri i Brendshëm shqiptar në letër.

9 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Tahiri, letër INTERPOL-it: Anuloni urdhër-arrestin për Haradinajn appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Starova: Objektivi ynë është kampionati

Posted: 09 Jan 2017 10:08 AM PST

Partizani vijon fazën mini përgatitore intensive në Antalia, në kampin e kuq në seancën e së hënës ishte prezente dhe grupi i xhirimit të Supersport që në këto ditë do të përcjellë të rejat më të fundit nga Turqia ku ndodhen plot 6 skuadra të Superiores . Me Partizanin pas Sukajt dhe Boniface është bashkuar edhe mbrojtësi Kristi Marku, një përforcim potencial për pjesën e mbetur të sezonit. Në 11 janar të kuqtë do të masin forcat në një test prestigjioz me gjigandin e futbollit turk, Fenerbahce, por për Starovën fokusi është afatgjatë, përgatitjet janë në funksion të objektivit titull.

"Nuk po stërvitemi për Fenerbahchen por për kampioantin. Për fatin e mirë nuk ka më erë sepse këto ditë ka fryrë shumë erë e fortë këtu në Antalya. Po stërvitemi mirë, presim miqësoren ndaj Fenerbahches që është një skuadër e rëndësishme, por e përsëris objektivi ynë është kampionati pasi duam të fitojmë titullin kampion".

Sukaj dhe Mazrekaj janë ata që priten ndoshta me më shumë entuziazmën nga tifozët e kuq, bomberi shkodran vazhdon stërvitjen i diferencuar pasi vjen pas një mungese disa mujore.

"Sukaj po stërvitet mirë por do ende kohë. E kam thënë boshti i skuadrës do të bazohet te futbollistët që mbyllën dy fazat e para të kampionatit. Sukaj dhe Mazrekaj po punojnë fortë për tu rikuperuar nga dëmtimet respektive".

Starova nuk e përjashton mundësinë e përforcimeve eventuale në merkato edhe pse i beson grupit me të cilin mbylli gjysmën e parë të sezonit.

"Do të mbështetemi te grupi që kemi, pasi ne besojmë te kjo skuadër dhe duam të arrimë objektivin që ka vendosur presidenca me këta lojtarë."

Starova shprehu dhe shqetësimin për mungesën e Torasës i cili ende nuk është bashkuar me grupin, në stërvitjen e së hënës pësoi një lëndim të lehtë Labinot Ibrahimi i cili gjithsesi më pas u bashkua me skuadrën dhe pritet të jetë gati për miqësoren e së mërkurës me Fenerbacen.

9 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Starova: Objektivi ynë është kampionati appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Jezusi rreh babanë, shkak motra që doli të blinte akullore

Posted: 09 Jan 2017 10:08 AM PST

"Im bir, Jezusi, ushtron dhunë ndaj vajzës dhe ndaj meje". I tillë ka qenë denoncimi i babait për të birin në Komisariatin Nr. 4 të policisë së kryeqytetit.

Kërcënimet ndaj të bijës dhe dhuna fizike e ushtruar kanë detyruar babain të denoncojë të birin, Jezus Pane. Nga hetimi dhe shqyrtimi gjyqësor i kësaj çështjeje rezultoi se, 20-vjeçari kishte mosmarrëveshje me të atin, pasi ky i fundit lejonte të motrën të dilte jashtë.

E ngjashme ka qenë edhe situata që e detyroi të atin ta denonconte. Sipas dëshmisë së babit, ai i kishte dhënë leje vajzës që të dilte të blinte një akullore, kur në këto momente, në banesën që ndodhet në periferi të Tiranës ka mbërritur Jezusi, i cili i ka kërkuar llogari të atit se përse e kishte lënë të dilte të motrën.

"Jezusi doli nga banesa për ta kërkuar motrën, unë e ndoqa dhe e gjeta duke e kërcënuar. Në shtëpi ka tentuar ta godasë, por kam ndërhyrë unë dhe përleshja ka vijuar me mua, duke më çarë në vetull", ka qenë dëshmia e babait të Jezusit përpara gjykatës.

Ndërsa vet i pandehuri ka deklaruar se, frika se mos ia ngacmonin të motrën jashtë banesës ishte arsyeja e mosmarrëveshjeve. Por, nga ana tjetër, kjo "frikë" dhe aktet e dhunës që pasonin, i kanë kushtuar atij në një moshë të re plot një vit burgim, të cilin është duke e vuajtur që nga fundi i dhjetorit të vitit të kaluar.

9 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Jezusi rreh babanë, shkak motra që doli të blinte akullore appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Siri, ISIS sulmon depozitat më të mëdha të gazit natyror

Posted: 09 Jan 2017 09:26 AM PST

Një atentat i ISIS-it ka dëmtuar rëndë depozitat më të mëdha të gazit natyror në Siri, në Hayyan, në lindje të Homsit, në rajonin qendror të vendit. Lajmi është bërë i ditur nga televizioni panarab "Mayadin", i financuar nga Irani, duke folur për "burime të ministrisë siriane të naftës", që konfirmojnë shpërthimin në zonë. Lajmi ishte publikuar edhe nga agjencia e shtypit "Amaq", pranë ISIS-it, sipas të cilës siti është shkatërruar.

Burimet e cituara nga televizioni pro-iranian, konfirmojnë që imazhet e shpërndara nga "Amaq", i përkasin fushave të gazit në Hayyan. Por ata nuk mund të arrijnë të konfirmojnë nëse gazi natyror, i cili para vitit 2011 arrinte të prodhonte në ditë më shumë se 3 milionë metra kub gaz, është shkatërruar plotësisht.

Ndërkohë, njësitë e forcave speciale amerikane, kanë hyrë në aksion një natë më parë kundër ISIS-it në veri-linje të Sirisë të mbështetur nga forca kurde të përkushtuara për rimarrjen e kontrollit të qytetit Tabqa, në perëndim të Rakas, kryeqendra e Shtetit islamik në Siri.

Sipas shtypit iranian, ushtarakët amerikanë, kanë zbritur në tokë në rajonin e Kubr me katër helikopterë "Apache".

Luftimet, pohojnë burime jo të konfirmuara mirë, kanë zgjatur për orë dhe gjatë përleshjes, janë vrarë "militantë të shumtë" të ISIS-it dhe disa "përgjegjës të lartë" të organizatës janë kapur si të burgosur.

9 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Siri, ISIS sulmon depozitat më të mëdha të gazit natyror appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Çifti paguan 155 mijë dollarë për t’i shpëtuar jetën qenit

Posted: 09 Jan 2017 09:25 AM PST

Një bulldog francez vazhdon të zbukurojë shtëpinë e një çifti në Brooklyn , pasi këta të fundit shpenzuan rreth 155 mijë dollarë për trajtimin e tij mjekësore gjatë 3 viteve të kaluara. Kate dhe Ben Stern e adoptuan bulldogun e quajtur Jones, në vitin 2013, por atëherë ai ishte vetëm 6 muajsh.Qeni fillimisht nisi që të kishte të vjella dhe probleme me frymëmarrjen. Më pas ai mori pneumoni. Për t'i shpëtuar jetën, çifti Stern pagoi shumën marramendëse dhe shprehen të lumtur që qeni i tyre është gjallë.

Kate dhe Ben ende nuk ishin gate që të hiqnin dorë nga qeni i tyre, i cili ishte edhe dërguesi i unazave në dasmën e tyre. Ben tha:-"Jeta e kafshës që ju mbani në shtëpi nuk mund të jetë një vendim financiar".

9 janar 2017 (Stilografi.com)

The post Çifti paguan 155 mijë dollarë për t'i shpëtuar jetën qenit appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Amnistia nis të shtunën, vijon verifikimi i listës së të burgosurve

Posted: 09 Jan 2017 09:07 AM PST

E shtuna e 14 janarit do të jetë dita kur do të fillojë zbatimi i amnistisë për personat e dënuar dhe atyre që janë në proces hetimi apo gjykimi.

Burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve u shprehen për Top Channel, se referuar afatit kushtetues, dy javë pas botimit në fletoren zyrtare, përllogaritja ka përcaktuar datën 14 për hyrjen në fuqi të amnistisë.

Ditën e martë Drejtoria e Burgjeve do të verifikojë listat e ardhura nga të gjitha burgjet për të dënuarit që përfitojnë, në mënyrë që mos të ketë lirime abuzive apo keqllogaritje të kohës së burgimit.

Në kuadër të amnistisë, të shtunën e ardhshme pritet të lirohen nga qelitë e burgimit të gjithë ata që nuk janë dënuar më shumë se 3 vite burg dhe atyre që u ka mbetur 3 vite burg dhe që nuk kanë ndalesa për vepra të tjera të rënda që parashikohen në ligjin e amnistisë.

Gjithashtu do të lirohen edhe gratë që kanë mbushur 55 vjeç dhe burrat që kanë mbushur 60 vjeç dhe që nuk janë dënuar për vepra të rënda.

9 janar 2017 (Stilografi.com) / Top Channel

The post Amnistia nis të shtunën, vijon verifikimi i listës së të burgosurve appeared first on Stilografi.com – Lajmet e fundit.

Related Posts :