Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Uji, rëndësia dhe simbolika e tij” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Uji, rëndësia dhe simbolika e tij” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Uji, rëndësia dhe simbolika e tij

Posted: 06 Jan 2017 08:04 AM PST

Miron Çako *

Uji si substancë në formën e tij të pastër, është lëng pa shije dhe pa erë. Ai është i domosdoshëm për të gjitha format e jetës dhe njihet edhe si tretësi më i gjithanshëm. Pa të, jeta siç e njohim ne në planetin tonë, do të ishte e pamundur. Uji ka formulën kimike H2O, që domethënë se një molekulë uji përbëhet nga 2 atome hidrogjen dhe një oksigjen. Uji së bashku me zjarrin, dheun dhe ajrin është një ndër katër elementët bazë që përbëjnë tokën. Mbi 2/3 e sipërfaqes së lëmshit tokësor janë të mbuluara me ujë të kripur, 97,2% e të cilit ndodhet në pesë oqeane. Shtresa e akullt në Antarktidë përmban 90% të të gjithë ujit të ëmbël të planetit. Uji avullues atmosferik mund të shihet në formë reshjesh të dëborës e cila shkakton bardhësinë e tokës. Dhe, rreth 70% e planetit tonë është e mbuluar me ujë. Po ashtu edhe bimët dhe qeniet e gjalla kanë në përbërjen e tyre rreth 55-75% ujë, dhe në mënyrë të veçantë trupi i njeriut si mikrobot është i përbërë 75% ujë, prandaj njeriu mund të rrojë jo më pak se një javë pa ujë, sepse ai është elementi bazik i ekzistencës së trupit të tij. Por kjo substancë bazike për jetën gjendet në këtë sasi të domosdoshme vetëm në planetin Tokë, i cili duke qenë i mbuluar në shumicën e tij nga uji i parë nga hapësira, merr ngjyrën blu, prandaj edhe toka jonë quhet ndryshe "Planeti blu".

Sipas ligjeve të fizikës, me uljen e temperaturës rritet dendësia dhe kështu që ato pjesë që janë më të ftohta bëhen më të rënda. Për këtë arsye gjendjet e ngurta të lëngjeve janë më të rënda se gjendjet e tyre normale të lëngëta. Uji, në të kundërt të të gjitha lëngjeve, tkurret deri në një rënie të caktuar temperature (+4*C) dhe më pas menjëherë në mënyrë të papritur fillon të bymehet. Kur ngrin, bymehet edhe më tepër. Kjo sjellje anormale e ujit ka një rëndësi të madhe për mbijetesën e specieve, llojeve të gjallesave ujore gjatë dimrave shumë të ftohtë, kur temperatura rrotullohet rreth dhe nën zero (gradë Celsius). Falë reagimit jo të zakonshëm të ujit nën 4oC, sipërfaqet apo vëllimet e mëdha ujore rrallë ngrijnë plotësisht. Kjo ndihmohet edhe nga shtresa e akullit që vepron si izolant për të reduktuar fluksin e ngrohtësisë së ujit drejt ajrit të ftohtë që qëndron sipër. Pa këtë veçanti, jeta në planetin tonë siç e njohim ne nuk do të ishte e mundur.

Por kush e krijoi këtë substancë në përbërjen, sasinë dhe anomalinë e tij, për të qenë elementi kryesor i nisjes, mbajtjes dhe zhvillimit të formave të jetës në tokë?

Asgjë e krijuar nuk mund të ekzistojë nga vetvetja, ose të jetë produkt i rastësisë, siç pohojnë materialistët ateistë, hipotezë që bie poshtë nga kërkimet shkencore për të gjetur jetë në planetët e tjera, të cilat e kanë të pamundur ekzistencën e saj, sepse iu mungon kombinimi i duhur i elementëve kimikë, dhe një ndër to uji shumë i rëndësishëm. Prandaj edhe uji në këtë tokë ka Krijuesin e vet ashtu si thotë edhe Bibla, Fjala e Zotit: "Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën. Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë endej mbi sipërfaqen e ujërave." (Zan 1:1-2)

Sipas shën Vasilit të madh (330- 379), në librin e tij (Gjashtëditëshi i krijimit), fjala hebraike "endej" për Frymën do të thotë në mënyrë metaforike; "ashtu si pula, "klloçka" që i ngroh vezët duke i prekur me butësi në krahët e saj, kështu edhe Fryma e Shenjtë endej mbi ujëra dhe gjallëronte për të nxjerrë jetë". Ai vazhdon dhe sqaron: "Natyra e parë e ujit ishte derdhur përreth tokës dhe nuk ishte në një masë me atë, por jashtëzakonisht më shumë sepse kështu e parashikoi Mjeshtri (Zoti)… Për çfarë nevoje uji ishte kaq i bollshëm? Sepse zjarri dhe uji janë armiq ndërmjet tyre dhe njëri prish tjetrin, zjarri prish ujin kur është më i fortë dhe uji prish zjarrin kur e tejkalon atë në sasi. Por s'duhej të ngriheshin njëri kundër tjetrit as me zhdukjen e plotë të njërit nga të dy që të shkaktohej shpërndarja e gjithësisë. Duke u kujdesur për natyrën e elementit të ujit, Perëndia e depozitoi të gjithë që të mjaftonte deri në kufijtë e caktuar të ekzistencës së botës duke u harxhuar pak nga pak nga forca e zjarrit. Ai pra i cili i rregulloi të gjitha me masa dhe nivele, që sipas Jobit: 'i ka numëruar të gjitha pikat e shiut' (Jobi 36:27), e dinte se sa kohë i dha botës për të ekzistuar dhe sa ujë për t'u harxhuar duhet të rezervojë për zjarrin."

Ky koment i shën Vasilit, për natyrën dhe sasinë e ujit në konflikt të hapur me zjarrin në brendësi të tokës, është vërtetuar sot nga zbulimet shkencore të pllakave tektonike kontinentale në fundet e oqeaneve, ku përditë uji dhe zjarri luftojnë me njëri-tjetrin se kush do fitojë në fund të botës.

Pra Perëndia që ka krijuar ujin, i cili gjendet si substancë e pastër në tri trajta të ndryshme, të lëngët, të ngurtë, të gaztë, është edhe zotëruesi i ujërave, siç thuhet: "Ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët e erës…Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhej ta kapërcenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën. Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre."(Ps. 104: 3:9-11). Perëndia me anë të providencës së Tij i mban ose i lëshon ujërat në dobi të tokës, bimëve, kafshëve dhe në mënyrë të veçantë njeriut. Ashtu siç thuhet përsëri në Bibël; "…do të ndodhë që unë do t'i jap vendit tuaj shiun në kohën e duhur, shiun e parë dhe shiun e fundit, që ti të mbledhësh grurin, verën dhe vajin tënd; dhe do të bëj që të rritet edhe bari në fushat e tua për bagëtinë tënde, dhe ti do të hash dhe do të ngopesh". (LIP 11:14-15)

Kështu pra, uji i bollshëm është pasoja dhe shenja treguese e bekimeve të Zotit ndaj atyre që i shërbejnë me besnikëri dhe e kundërta, thatësira, mungesa e ujit, është pasojë e mallkimit hyjnor ndaj të pabesëve, ashtu siç e profetizon Ezekeli: Perëndia më tha: "Bir njeriu, unë do të bëj të mungojë baza e bukës në Jerusalem; ata do ta hanë bukën me peshë dhe në hidhërim dhe do të pinë ujin e racionuar në tmerr, sepse do t'u mungojë buka dhe uji dhe do të shikojnë njëri-tjetrin të tmerruar, duke u shkrirë në paudhësinë e tyre" (Ezek 4:16-17).

Sipas Biblës, në ditën e pestë të krijimit Perëndia nëpërmjet ujit krijoi gjallesat e para; "Pastaj Perëndia tha: -Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla… Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe të gjitha gjallesat që lëvizin dhe që mbushin ujërat, secili sipas llojit të vet…Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve … "kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj mëngjesi: dita e pestë" (Zan. 1:20-23). Kjo tregon se uji nuk krijoi nga vetvetja qenie të gjalla, ky një interpretim i gabuar nga teoria e evolucionit të Darvinit, shek. XVIII, por u përdor me urdhrin e Perëndisë si një element i jetës, prandaj siç thamë në fillim uji ndodhet me shumicë te çdo qenie e gjallë. Uji është edhe një banesë për shumë qenie të gjalla, një botë ujore akoma e paeksploruar e gjitha e që fsheh brenda shumë mistere dhe qenie të panjohura. Kështu ujërat, habitati i qenieve ujore, janë furnizuese me produkt ushqimor shumë të nevojshëm për njerëzit. Kjo e vërtetë është e shprehur në mënyrë poetike te psalmi "Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta". (Psal 104;25)

Përveçse ujërat janë shkak bekimi jete dhe sigurim ushqimi, ato mund të kthehen në element mallkimi dhe shkatërrimi për mëkatarët dhe botën e mëkatit, ashtu siç na tregon Bibla për shkatërrimin që i erdhi njerëzimit dhe qytetërimit të tij në kohën e Noes: "Kështu Zoti tha: 'Unë do të shfaros nga faqja e dheut njeriun që kam krijuar, duke filluar nga njeriu deri te kafshët, te rrëshqanorët, te zogjtë e qiellit, sepse pendohem që i kam krijuar'. Por Noeu gjeti hir në sytë e Zotit…Në fund të shtatë ditëve, ujërat e përmbytjes mbuluan tokën… Kështu u shuan të gjitha llojet e mishit që lëviznin mbi tokë: zogjtë, bagëtia, bishat, rrëshqanorët e çdo lloji që zvarriteshin mbi tokë dhe tërë njerëzit."(Zan. 6; 7-10: 7;21)

Disa shkencëtarë ateistë të gjeologjisë moderne, na thonë se kurrë nuk ka pasur një përmbytje mbarëbotërore siç e përshkruan Bibla. Ata përpiqen të thonë se dëshmia kaq e madhe e fosileve të vendosura në shtresa shkëmbore sedimentare përgjatë gjithë sipërfaqes së tokës, mund të shpjegohet shumë mirë prej miliona vjetësh procesesh gjeologjike. Megjithatë, vitet e fundit po vërtetohet se këto shtresa shkëmbore sedimentare me fosile të shumëllojshme të kafshëve janë formuar nga katastrofa të mëdha të menjëhershme, përgjatë historisë së Tokës, të cilat i dhanë asaj formën që ka, dhe një ndër ato është ajo që thotë Bibla në lidhje me përmbytjen globale të kohës së Noes.

Uji i turbullt dhe i vrullshëm ka edhe simbolikën shkatërruese të të ligut, demonëve, që me turbullimin dhe tundimet e tyre të përhershme vërsulen papritmas si ujëra të rrëmbyeshme mbi njeriun besimtar, siç thotë psalmi; "Shtrije dorën tënde nga lart, më shpëto dhe më çliro nga ujërat e mëdha dhe nga dora e të huajve…" (Psal 144:7). Në të tilla situata tundimesh dhe mundimesh duhet ndërhyrja e Perëndisë që të mbrojë të drejtin nga këto dallgë shkatërruese: "…edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai. (Psal 32:6). Edhe profetët e shikonin vërshimin shkretues të lumenjve të mëdhenj si "fuqinë" e perandorive që do të fundoste dhe shkatërronte popujt e vegjël, fuqia e Asirisë krahasohet me Eufratin: "Prandaj ja, Zoti do të bëjë që mbi ta të vërshojnë ujërat e lumit, të fuqishme dhe të bollshme, domethënë mbreti i Asirisë dhe tërë lavdia e tij (Isaia 8:7). Po ashtu perandoria e Egjiptit krahasohet me atë të Nilit: "Kush është ai që ngjitet si Nili, dhe ujërat e të cilit fryhen si ato të lumenjve? (Jer. 46:7) Ujërat u bënë simbol ndarës ndërmjet popullit të Zotit (Izraelit) dhe atë idhujtar (Egjipti), kur hebrenjtë të udhëhequr nga Moisiu, kaluan në këmbë Detin e Kuq dhe kështu shpëtuan nga skllavëria e faraonit. (Eks 14:31) Uji, përveçse është edhe një pastrues shumë i duhur i fizikut, ushqimeve dhe orendive, është përdorur nga njeriu edhe si një mjet pastrimi ritual dhe simbol i pastërtisë morale: "Unë i laj duart e mia në çiltërsi dhe i shkoj rrotull altarit tënd, o Zot". (Ps.26:6) Uji është përshkruar dhe si një element simbolik i pastrimit të Perëndisë që lan mëkatarin duke i falur fajet: "Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora. (Ps. 51:7) Në Dhiatën e Vjetër rituali hebre parashikonte pastrime të shumta me ujë. Këto pastrime të ndryshme të trupit dhe sendeve, do të tregonin pastrimin e brendshëm të "zemrës", e nevojshme për atë që donte t'i afrohej Perëndisë, tri herë i shenjtë.

Por me gjithë këto simbolika pastrimi me anë të ujit, ai nuk mund ta pastronte botën e brendshme, shpirtin e mëkatarit, sepse uji thjesht si element fizik mund të pastrojë trupa fizikë dhe jo shpirtin njerëzor, që është një qenie jofizike.

Uji e mori këtë fuqi pastruese kur Krishti, Biri dhe Fjala e Perëndisë, me anë të të cilit u krijuan të gjitha të dukshmet, edhe të padukshmet, edhe vetë natyra dhe sasia e ujërave, erdhi në tokë i bërë edhe Biri i Njeriut midis njerëzve dhe kur mbushi moshën 30-vjeçare u shfaq mbi ujërat e lumit Jordan, që të pagëzohet nga Joani Pararendësi dhe Pagëzor, siç na njofton ungjilli: "Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Joani për t'u pagëzuar prej tij… Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejtë u hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të; dhe ja një zë nga qielli që tha: "Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur." (Mt. 3: 13-16-17)

Krishti si Bir i Perëndisë dhe Bir i njeriut, zhytet (pagëzohet) në lumin Jordan jo se ishte mëkatar si të tjerët që pagëzoheshin si shenjë pendimi, mbasi rrëfenin mëkatet publikisht, por Ai me vetëzbrazjen dhe përulësinë e skajshme, e njësoi veten me mëkatarët dhe duke qenë i pafaj mori mbi vete fajet e njerëzve që t'i shlyente, shpagonte ato me vdekjen e Tij vullnetare në kryq, "…sepse është gjaku që bën shlyerjen e fajit për jetën." (Lev 17:11) Prandaj dhe Joan Pagëzori mbasi e pagëzoi Krishtin tha: "Ja qengji i Perëndisë që shlyen mëkatet e botës."(Joani 1:29) Vetë pagëzimi i Krishtit është një ikonë, një paratregim i kësaj vdekjeje vullnetare kur ai të mbushte moshën 33 vjeç, sepse uji përveç simbolit të jetës, siç thamë, ka simbolin edhe të vdekjes. Me pagëzimin e Krishtit vdekja e njeriut që e ka fuqinë te mëkati asgjësohet me vetë vdekjen e Krishtit ashtu siç themi në Pashkë; "Krishti u ngjallë së vdekurish, me vdekje, vdekjen shkeli dhe të varrosurve jetën iu fali" (Tropari i ngjalljes). Tashmë ujërat të bashkuara me Shpirtin e Zotit i Cili zbret si pëllumb mbi Krishtin, që pagëzohet në Jordan, bëhen mjet pastrimi i shpirtit të mëkatarit nëpërmjet faljes dhe rilindjes të një jete të re në Zotin dhe pjesëtar i Kishës, Mbretërisë së Perëndisë. Prandaj dhe Krishti i urdhëron apostujt e tij të pagëzojnë për ndjesën e mëkateve çdo njeri që beson, duke iu thënë: "Ai që beson dhe është pagëzuar do të jetë i shpëtuar". (Mk. 16:16)

Mënyrë tjetër për t'u falur mëkatet, për t'u pajtuar me Perëndinë e shenjtë dhe për t'i shpëtuar ferrit, vdekjes së dytë, nuk ka. Prandaj dhe apostulli i kombeve Pavli thotë: "Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës. Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij". (Rom 6:3-5)

Krishti u pagëzua në lumin Jordan edhe për të shenjtëruar ujërat që përfaqësojnë krijesën, që të shkatërrojë foletë e demonëve të cilët banojnë në ujëra siç thuhet te psalmi: "Ja deti i madh dhe i gjerë… atje është dragoi që krijove për të luajtur në të" (Ps. 103..) "Ti dërmove krerët e dragonjve mbi ujin." (Ps 73) Demonët me anë të ujit të molepsur nga energjitë e tyre negative, ndyrësojnë gjithë krijesën dhe i japin asaj korruptim, shkatërrim dhe vdekje, ndryshe nga ajo që e krijoi Perëndia në fillim, të mirë dhe plot jetë. Kjo e vërtetë shprehet shumë qartë në lutjen që bën Kisha Orthodhokse në ditën e bekimit të madh të ujit në 6 janar: "Perëndia ynë që u duke mbi dhe, dhe u shoqërove me njerëzit, ti shenjtërove dhe rrjedhjet e Jordanit duke dërguar prej qiellit Shpirtin tënd të shenjtë dhe dërrmove krerët e dragonjve që molepsnin atje". Kjo lutje që bën përpara Zotit kleri orthodhoks, bëhet realitet kur në ujërat hidhet kryqi, simbol i Krishtit dhe në atë moment ujërat shenjtërohen, ato nuk prishen më dhe mbeten në këtë gjendje gjithmonë, sepse Hiri i Shpirtit të Shenjtë qëndron tashmë në ujë duke i energjisuar me Hirin e jetës të përjetshme, ashtu siç ishte në fillim të botës ku "Shpirti i Shenjtë vërtitej mbi ujëra". (Zan. 1:2).

Ky është argumenti më i fortë dhe i pakundërshtueshëm i besimit orthodhoks (i drejtë), se me Krishtin dhe në Krishtin dhe me anë të ujit dhe Shpirtit të Shenjtë, Perëndia At, jo vetëm i fal mëkatet e njerëzve dhe u jep atyre një jetë të re nëpërmjet misterit të Pagëzimit dhe Mirosjes (vulosja me Shpirtin e Shenjtë), por do t'i ringjallë edhe trupat e tyre për jetë të përjetshme, së bashku me të gjithë krijesën që u vu në urdhër të kotësisë jo për faj të saj dhe pret të lirohet nga robëria e prishjes, e të shkojë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë në krijimin e ri, ashtu siç na thuhet në Zbulesën: "Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më", (Zb. 21:1..) "…dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan. Dhe ai që rrinte mbi fron tha: "Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja. Dhe më tha: Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike". (Zb. 21:4-5)

Gjithë këtë mister të fuqisë dhe mirësisë së Perëndisë për rilindjen e njeriut dhe krijesës në Krishtin për jetë të përjetshme, ne të krishterët orthodhoksë kemi privilegjin nga Zoti, që ta kemi, që në këtë jetë, për ta parë, prekur, ndjerë dhe shijuar në ditën e bekimit të madh të ujit, i cili shenjtërohet vetëm prej klerikëve të Kishës Orthodhokse, të cilët në këtë ditë njëzëri në çdo vend përpara ujërave luten: "Ti o mbret njeridashës eja dhe tani me përmbindodhjen e Shpirtit të Shenjtë dhe shenjtëroje këtë ujë. Dhe jepi Hirin e shpërblimit, bekimin e Jordanit; bëje burim paprishjeje, dhuratë shenjtërimi, zgjidhje mëkatesh, largim sëmundjesh, rrëmujë për demonët të paafruar për fuqinë kundërshtare, të rrafshuar në fuqi engjëllore. Që gjithë sa marrin dhe pjesëtojnë prej saj ta kenë përfaqësim shpirtrash dhe trupash, për shërim sëmundjesh, për bekim shpirtrash dhe për çdo fitim të dobishëm. Se ti je Perëndia ynë që çlirove natyrën tonë të vjetruar prej mëkatit me anë të ujit dhe Shpirtit." Këtë ujë të bekuar e marrim në shtëpi edhe bekojmë veten, shtëpitë, çdo orendi, objekt dhe e mbajmë me respekt fetar për gjithë vitin për shenjtërim, si një provë besimi për vete, por edhe për heretikët, gnostikët dhe ateistët.

Kështu në këtë ditë të shenjtë, përmbushet qëllimi, rëndësia dhe simbolika e ujit, i cili në këtë botë si substancë fizike, bëhet ikona e hirit të padukshëm të Perëndisë, që me anë të ujit dhe të Shpirtit i rilind, i pastron, i shenjtëron dhe i ndriçon njerëzit besimtarë në Krishtin, së bashku me krijesën. Ky Hir do të jetë i dukshëm në Krijimin e Ri dhe do të bëhet burim jete të përjetshme për besimtarët e pagëzuar në emrin e Atit të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë, ashtu siç thotë përsëri Zbulesa: "Dhe më tregoi lumin e pastër të Ujit të Jetës, të kthjellët si kristali, që dilte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit. Në mes të sheshit të qytetit, këtej e andej lumit, ishte druri i jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe që nxjerr frutin e saj në çdo muaj; dhe gjethet e drurit janë për shërim të kombeve." (Zb. 22:1-2).

 

* Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit K.O.A.SH.

 

 

Pse nuk u bëmë të gjithë turq?!

Posted: 06 Jan 2017 08:03 AM PST

Nga PANO HALLKO

Në raste datëlindjesh, e sidomos në përvjetorët e plotë, ata që e festojnë, janë më "të mençur" se ditët e tjera. Të paktën sillen kështu, sepse flasin më ndryshe, komunikojnë më me kujdes, i zgjedhin fjalët aq me kujdes, saqë ti, nëse të djeshmen ka ndodhur ta pish kafen me të, pyet veten: A është ai i djeshmi ky?

Por edhe ata që e urojnë, "bëhen" disi më të mençur. I zgjedhin fjalët, mundohen që me pak fjalë të japin mesazhe "të mëdha e të rënda", a thua se ata që festojnë aty do të thellohen në zbërthimin e tyre. Ndoshta e kundërta ndodh. Se ata që mezi presin sa të rrëkëllejnë ndonjë gotë, thonë: Ah ç'na mërziti edhe ky!…

Thuajse kështu veprojmë edhe në rastin e Vitit të Ri. Mundohemi t'i zgjedhim e t'i gdhendim me kujdes fjalët e mesazheve që u nisim miqve dhe shokëve për urimin tradicional, mundësisht të mos ketë tjetër mesazh të ngjashëm me të. Duke harruar se mendimet dhe dëshirat e mëdha shprehen shumë më bukur me fjalë të thjeshta. Për Vitin e Ri, kjo nuk ndodh vetëm me shqiptarët, ndodh me tërë njerëzimin.

Dhe me të drejtë do të thoshim, pasi çdo vit i ri, të paktën qysh nga viti 1 i erës së re, regjistron datëlindjen e njeriut, edhe si shoqëri njerëzore. Toka, është një vit më e moshuar(por edhe më e shpërdoruar nga ethet e kapitalit), shoqëria njerëzore është një vit më e madhe në moshë, por nuk mund të thuhet më e mplakur, edhe pse në shumë vende të botës numri i vdekjeve e ka kaluar me kohë numrin e lindjeve. Njerëzit mobilizohen(edhe ata që nuk kanë) ta mbushin tavolinën si asnjë ditë tjetër të vitit që sapo iku. Gëzon njerëzimi, e…festojnë tregtarët!

QËLLOVE SI KALAMA, O MANE!

Kjo shprehje e huazuar nga filmi i shkëlqyer i Kinostudios që dikur patëm, do t'i shkonte njerëzimit për këtë vit të ri, në mos të gjithit, të paktën këtyre popujve të Europës së qytetëruar.

Sepse më datë 31, në pragndërrimin e viteve, diku në Bosfor, në lokalin "Reina" ku festonin të rinjtë, dikush që nuk ka lidhje me njerëzoren, u fut brenda dhe sharroi në kuptimin e plotë të fjalës, plot tridhjetë e nëntë jetë njerëzish, në lulen e moshës…

Kjo Europë, doemos edhe ne shqiptarët bashkë me të, kur ndodhi tragjedia në zyrat e "Charli Ebdo"-së, doli në mitingje të mirorganizuara e në përkujtimore me parullën "Edhe unë jam Charli"!

Por edhe kur ndodhi masakra me tetëdhjetë jetë njerëzish në Bataklan të Parisit, njerëzit dolën e thërrisnin "Edhe unë jam parisien!" E nuk kish rëndësi, se sa mijëra kilometra larg Parisit kishin lindur, banonin dhe do vdesin, e që kurrë në jetë s'kanë për ta parë atë.

Deri këtu, në rregull e normale këto deklarata, të cilat u amplifikuan nga mediat më të mëdha të botës, për të mos thënë se ndoshta ishin titujt e editorialeve të tyre, ato që u kthyen në parulla të njerëzve që demonstruan me ato fjalë në gojë.

Por, si vepruam ne për masakrën që u krye në natën e ndërrimit të viteve? I vetmi "privilegj" që iu bë asaj ngjarjeje makabër(po aq makabër sa ajo e Bataklanit të Parisit në nëntor të vitit 2015), ishte që të renditej e dyta apo e treta në titujt e lajmeve, të shumtën në dy edicione, e pastaj… "ra shiu, e piu dheu"! Që të mos prishej "klima festive", por edhe që të mos ngacmohej entuziazmi i fabrikuar përmes dritave shumëngjyrëshe të reklamave, të mos prishej "show" i lumturisë së stisur, e cila edhe e stisur, nuk është në të gjithë globin.

Po pse nuk tha Europa perëndimore "Edhe unë jam Stambolli", ose turk xhanëm!? Mos vallë për faktin se atje në Paris u vranë 80 njerëz, e këtu në Bosfor "vetëm" 39?

Edhe një njeri i vetëm të vritet, a nuk është humbje jete? A nuk është e njëjtë jeta njerëzore, si ajo e një parisieni, edhe ajo e një turku apo siriani?

Apo mos lunte rol fakti se atje në Paris luhej muzikë "hip-hop" e këtu në Bosfor ishte "rock"? E vetmja gjë e përbashkët që u shkrua në titrat e lajmeve, si për Parisin, ashtu edhe për Stambollin, ishte përkufizimi "jetë të pafajshme"! Edhe kjo na mungonte, që këto jetët e stambollinjve t'i quanim jetë "të fajshme"!!!

PO SIRIANË, PËRSE NUK U BËMË?

Zinxhiri i masakrave të përbindshme që ndodhin para syve të njerëzve e shpesh edhe para kamerave falë teknologjisë së sotme, vjen nga larg, e me sa duket do të shkojë larg. Në mënyrë masive, mund të themi se ai nisi me të ashtuquajturën "pranverë" arabe.

Ka rreth shtatë vjet që ka nisur ajo "pranverë", e cila nuk zgjati tre muaj(aq sa stina që mban këtë emër), por që askush nuk mund ta dijë se edhe sa vite të tjera do të vazhdojë ky dimër i qelbët i historisë njerëzore.

Dhjetëra mijë jetë të pafajshme u morën në qafë-n( e kujt?) në Damask e vende të tjera, por bota "e qytetëruar" u mjaftua të gëzohej me varjen e Sadamit, e me vrasjen e Kadafit nga një bandë e opozitës.

Mesdheu u kthye në një varr të lëngët për mbi 5.000 njerëz(e tmerrshme kjo mënyrë të thëni e të shkruari: mbi 5.000. A thua se numërojmë sende, e jo njerëz!), të cilët ikën nga flakët e luftës në Siri. Kurse të vdekurit në Siri, kanë arritur rreth(ah, përsëri "rreth"!) 600.000!

Por Europa u mjaftua duke firmosur një marrëveshje me Turqinë për strehimin e tyre kundrejt 5 miliardë eurosh, marrëveshje që siç e ka theksuar shkruesi i këtyre radhëve në faqet e kësaj gazete para një vit e gjysmë… "nuk do të zbatohet kurrë"! Siç nuk është zbatuar ende sot, nga asnjëra palë…

Askush, e asnjë media nuk u mor me qindra mijë jetë njerëzish të pafajshëm, të cilët u vranë thjesht për "fajin" se kishin lindur dhe banonin aty…

U desh një filmim me celular nga një siriane që dinte anglisht, që bota të shikonte katastrofën njerëzore në Alepo. Vërtet, ku ishin, e ku janë mediat në zë të kësaj bote? Përse nuk transmetohen pamje prej andej?

Përse qytetërimi perëndimor(aq i lakuar e i lakmuar) mban në dorë metrin me dy lloj masash? Të parin, atë të miratuar nga SI-ja, me 100 cm, e tjetrin me numër të pacak centimetrash, të cilët shkojnë aq sa asaj i duhet në kësi rastesh i gjatë, ky metër?

Edhe pse tingëllojnë si pyetje retorike në pamje të parë, e vërteta është se këto janë pyetje pa përgjigje, të paktën deri sot. E jo se nuk kanë përgjigje, por sepse nuk ka interes të jepen përgjigje.

Sepse lumenjtë e gjakut të humbur kot, duket se "nuk shkojnë dëm". Pasi me sa duket, ata lumenj nuk "avullojnë lart në qiell", "atje ku shkon shpirti". Përkundrazi, shkojnë thellë në damarët e tokës, atje ku flenë nafta dhe gazi… Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja që, ndërkohë që OKB-ja, por edhe shumë organizma ndërkombëtare po vinin rrotull për armëpushimin e shumëpritur në Siri, u desh vetëm një telefonatë e Putinit me Erdoganin, e… armëpushimi u vendos!

Europa, në njëfarë mënyre, në historinë e largët por edhe atë të afërt, është herë autore, e herë bashkautore e gjendjes së sotme në Lindjen e Mesme dhe në Lindjen e Largët. Ajo, përveç "qeverisjes" që u ka bërë në kohën(jo dhe aq të largët) të kolonive, i ka "futur duart" aq thellë në jetën e atyre popujve dhe kombeve, saqë ka përcaktuar deri edhe kufijtë e tyre të sotëm.

Më e pakta që mund të thuhet, është se Perëndimi po mban dy nivele për vlerësimin dhe nderimin e të njëjtit gjak – gjakut njerëzor, pavarësisht nëse ky gjak është "mysliman" apo "kristian".

Me gjithë politikat dhe luftën e tij, Perëndimi vazhdon të ndihet dhe të deklarohet i pafajshëm, për çfarë ndodh në Azi, në Afrikë e gjetkë. Pra e konsideron të pavend terrorin në territorin e saj, por të natyrshëm kur ndodh gjetkë.

Dhe, megjithëse deklarohet si mbajtës i paketës kryesore të aksioneve të humanizmit, në mos si autor i vetëm i tij, vazhdon t'i llogarisë ndryshe të vdekurit e tij, e ndryshe të vdekurit e një prejardhjeje supozohet "më të ulët", në vendet e Lindjes.

Është një lëmsh i tërë arsyesh politike, por edhe të "qytetërimeve", që nuk dëgjuam shprehjet: "Jemi të gjithë turq, sirianë apo nigerianë".

Nuk mund të bindin llafet e lektorëve kokëboshë, se gjoja për gjithë këto tragjedi e kanë fajin diferencat mes dogmave dhe sekteve të Islamit.

Këto ndryshime që thjesht mbetën në letra ndër shekuj, u kultivuan me kujdes nga "reformatorët", me përplasje të përgjakshme vëllavrasjeje. Që të kalërojnë pushtuesit e "qytetëruar", mbi… rrugët e naftës.

Prandaj bota, sidomos shoqëria njerëzore, doemos ajo europiane, me ikjen e vitit 2016, nuk na rezultojnë një vit më të mëdha e më të pjekura, nuk na rezultojnë edhe një vit më njerëzore, por pikërisht të kundërtën…

Mirë do të ishte që çdo njeri të justifikonte vitet që shkruan karta e tij e identitetit, të sillej, të fliste dhe të vepronte, siç i takon, të paktën për ato vite që shkruhen në atë kartë. Po kështu do të duhej të sillej, vepronte dhe funksiononte edhe shoqëria njerëzore, e më së paku ajo europiano-perëndimore.

Siç e kërkojnë vitet që ajo mban mbi supe, me atë emërtimin joshës në dukje: "qytetërimi europiano-perëndimor".

Por të paktën, si vitet që mban mbi supe, të cilat numërojnë prej datës kur e shpalli Bashkimin Europian edhe si… bashkimin e vlerave!

Më së paku, stereotipi i pafajësisë që zotëron në Perëndim mund të shërbente si çelës për shpjegimin e mungesës së dhimbjes për jetët që humbasin në Lindje…

Juventusi kërkon De Shiljon e Milanit

Posted: 06 Jan 2017 08:01 AM PST

Dështimi i Juventusit për të gjetur mbrojtës krahu cilësorë e ka kthyer vëmendjen sërish te Milani. Drejtusit e klubit bardhezi tashmë kanë një synim në merkato, Matia De Shiljon. Mbrojtësi italian ka refuzuar rinovimin e kontratës me Milanin dhe mund të kalojë te rivalët e Juventusit. Me kalimin e ditëve pritet që të bëhet edhe një ofertë në drejtim të lojtarit, i cili në rolin e tij është një nga mbrojtësit më të mirë në Itali. Edhe Milani është i gatshëm të heqë dorë nga lojtari të rast të një oferte të kënaqshme.

Ajeti nuk dëshiron të largohet nga Torino

Posted: 06 Jan 2017 08:00 AM PST

Pas shumë aludimesh, zbardhet e ardhmja e Arlind Ajetit. Mbrojtësi duket se ka vendosur të qëndrojë te Torino, pavarësisht aktivizimit të pakët që ka gjatë qëndrimit aty. Edhe pse u përfol shumë për një largim të mundshëm të tij nga ekipi “granata” vjen kthesa e papritur. Sipas asaj që shkruan “TuttoSport”, trajneri Sinisha Mihajloviç i ka premtuar mbrojtësit shqiptar që në pjesën e mbetur të sezonit do të ketë më shumë hapësira për të. Ajeti ka luajtur vetëm 120 minuta në Kupën e Italisë, ndërkohë që në kampionat ka qëndruar më shumë në pankinë dhe i dëmtuar.

Zgjedhjet, lekë kryepleqve për lajmërimet derë më derë

Posted: 06 Jan 2017 08:00 AM PST

Darina Tanushi

Drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj sqaroi dje për "Gazeta Shqiptare" se si do të bëhet verifikimi i të gjithë zgjedhësve për votimet e 18 qershorit. Doracaj sqaron se deri në maj, kur do të publikohet lista përfundimtare e zgjedhësve do të publikohen nga njësitë vendore 6 ekstrakte ose lista paraprake, për t'u dhënë mundësinë qytetarëve që të verifikojnë emrat e tyre. Ndërkohë, sa i përket çështjes së të burgosurve që do të penalizohen nga votimi në këto zgjedhje, Doracaj, i pyetur nga "GSH" sqaron se ekziston një listë paraprake, e cila po verifikohet nga Drejtoria e Burgjeve. Sipas drejtorit të Gjendjes Civile, një tjetër problem, ai i heqjes nga lista të personave që kanë ndërruar jetë këtë herë do të jetë një problem më mirë i zgjidhur krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. "Në lidhje me emigrantët, më lejoni të sqaroj se ata janë shtetas shqiptarë dhe si të tillë janë edhe në regjistrin e gjendjes civile. Ne kemi një projekt shumë ambicioz së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme në lidhje me identifikimin e tyre, shtetin ku ata jetojnë si dhe adresën që ata posedojnë. Viti 2017 do të jetë një vit i dedikuar për ta, për të përmbushur një detyrim që shteti shqiptar ka gjatë 25 viteve për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve", sqaroi Doracaj, sa u përket emigrantëve.
Sapo keni publikuar ekstraktin e parë të listave të zgjedhësve. Si do të procedohet në fazën e parë e deri në shpalljen e listave përfundimtare?
Në zbatim të Dekretit të Presidentit të Republikës Nr. 9883 datë 05.12.2016 "Për caktimin e datës së Zgjedhjeve për Kuvendin", ministri i Punëve të Brendshme në përmbushje të detyrimeve të Kodit Zgjedhor nxori Udhëzimin Nr. 671 datë 06.12.2016 "Për Procedurat e Hartimit të Listave të Zgjedhësve për Zgjedhjet për Kuvendin".
Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në Ministrinë e Punëve të Brendshme, brenda 30 ditëve nga dita e dekretit të presidentit, ka detyrimin ligjor të gjenerojë ekstraktin e parë zgjedhor për zyrat e gjendjes civile në gjithë vendin. Ky ekstrakt, i ndarë në qendra votimi sipas vendbanimit, printohet dhe nënshkruhet nga nëpunësi i zyrës së gjendjes civile respektive dhe më pas i dërgohet kryetarit të bashkisë për t'u firmosur faqe më faqe. Pasi të jetë firmosur dhe vulosur nga kryetari i bashkisë dhe nëpunësi i zyrës së gjendjes civile, ai shpallet në ambientet e lira dhe publike për t'u aksesuar nga zgjedhësit. Gjithashtu, ju bëjmë me dije se që nga data 3 janar 2017, në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme është publikuar linku përkatës me ekstraktin zgjedhor, i aksesueshëm nga të gjithë për të kontrolluar përbërësit zgjedhorë. Në vijim, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në fillim të çdo muaji do të publikojë ekstraktet zgjedhore, për të arritur tek lista përfundimtare e zgjedhësve, e cila do të publikohet në muajin maj 2017.
Një nga problemet që është në këto zgjedhje ka të bëjë me një pjesë të të burgosurve që nuk do të votojnë për shkak të ligjit të dekriminalizimit që i penalizon. A kemi tashmë një numër të atyre të dënuarve që nuk do të votojnë? Si po veprohet me këtë kategori?
Kemi filluar komunikimin zyrtar me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në lidhje me subjektet, objekt i ligjit të dekriminalizimit. Kemi një listë paraprake, e cila po vërtetohet nga ana jonë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Sapo të kemi një informacion zyrtar të verifikuar sipas përcaktimeve ligjore, do t'ju bëjmë me dije.
Disa nga problemet në listat e zgjedhjeve të mëparshme kanë qenë emrat e personave që kanë ndërruar jetë, të cilët nuk ishin pastruar, apo emigrantët që nuk banojnë më në Shqipëri. Sa garanci ka se këto probleme nuk do të jenë në 18 qershor 2017?
Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile administron Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, i cili është një pasuri e patjetërsueshme e shtetit. Në vitin 2013, Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile ishte pa 'back up', që do të thotë se në qoftë se për një arsye apo tjetrën 'site' i parë dhe i vetëm nuk punonte, atëherë shtetasit në të gjithë vendin nuk mund të merrnin shërbim pranë zyrave tona. Falë fondeve të dhëna nga qeveria shqiptare, sot regjistri i gjendjes civile ka një 'back up' dhe për asnjë moment shtetasve nuk ka për t'u munguar shërbimi. Gjithashtu, sot të dhënat e regjistrit janë edhe më të sigurta, pasi nuk është më vetëm 'site 1', por kemi edhe 'site 2' (back up). Herë pas here në media të ndryshme kemi dëgjuar të flitet për persona që kanë ndërruar jetë dhe ende figurojnë në regjistrin e gjendjes civile apo në ekstraktet me përbërësit zgjedhorë. Prandaj, Kodi Zgjedhor parashikon publikimin e 6 ekstrakteve me përbërësit zgjedhorë përpara se të shpallet lista përfundimtare e zgjedhësve, ku çdo shtetas nëpërmjet faqes së MPB-së, apo listave të shpallura në çdo zyrë të gjendjes civile mund të verifikojë përbërësit e tij zgjedhorë apo familjarëve të tij.
Megjithatë, shpreh bindjen se problemet me personat që kanë ndërruar jetë dhe nuk janë çregjistruar janë shumë më të vogla se sa më parë. Ne po punojmë me përkushtim që ato të shkojnë drejt zerimit. Në lidhje me emigrantët, më lejoni të sqaroj se ata janë shtetas shqiptarë dhe si të tillë janë edhe në regjistrin e gjendjes civile. Ne kemi një projekt shumë ambicioz së bashku me Ministrinë e Punëve të Jashtme në lidhje me identifikimin e tyre, shtetin ku ata jetojnë si dhe adresën që ata posedojnë. Viti 2017 do të jetë një vit i dedikuar për ta, për të përmbushur një detyrim që shteti shqiptar ka gjatë 25 viteve për shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve.
Si do të arrihet lajmërimi i zgjedhësve në terren, duke qenë se ka mjaft vështirësi dhe kjo ka qenë një nga pikat e kritikuara në zgjedhjet e mëparshme?
Në qoftë se do t'i referohemi Kodit Zgjedhor, është një detyrë që u ngarkohet organeve të pushtetit vendor së bashku me strukturat e tyre. Detyrimi i vetëm i MPB-së është që të përballojë kostot e lajmërimit. Kemi marrë masa për përballimin e kostove në materiale si bojë printeri, letër format etj., si dhe kemi filluar komunikimin me autoritetet për çeljen e një fondi si shpërblim për ndërlidhësit me komunitetin apo kryepleqtë, të cilët do të bëjnë lajmërimet e zgjedhësve derë më derë.

Koalicioni me PS, Manjani: Kemi kohë, duhet analizë

Posted: 06 Jan 2017 08:00 AM PST

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi dje në një intervistë për "News 24" se sa i përket koalicionit me PS ka ende kohë. "Nuk duhet të shqetësohemi për këtë gjë. Sigurisht që ka nevojë për një analizë të thellë", tha Manjani.
Rasti i Klemend Balilit ka sjellë edhe reagimin e ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili u shpreh se prej 7 muajsh i kishte kërkuar ministrit të Brendshëm, Prokurorit të Përgjithshëm dhe juve të arrestonit dhe ta vinit prapa hekurave këtë person. Cila është e vërteta e komunikimit me ambasadorin Lu për këtë kërkesë që ai ka bërë?
Me gjithë respektin, nuk mendoj se duhet të vazhdojmë të bëjmë lajme se çfarë thotë një ambasador apo një tjetër. Së pari, unë nuk kam ndonjë sekret në këtë histori. Po jua them juve, sikurse ia kam thënë edhe ambasadorit dhe po ia them gjithë opinionit që ministri i Drejtësisë nuk arreston njerëz. Nuk ka asnjë kompetencë, as në ëndërr që ta mendosh, që të arrestojë njeri. Ministri i Drejtësisë ndihmon ligjërisht institucionet e ndjekjes penale, drejtësinë shqiptare duke bërë postën juridike të letër-porosive, apo të dokumenteve që drejtësia jonë ka nevojë të shkëmbejë me drejtësinë e një vendi tjetër, në këtë rast ishte shteti grek. Dhe kam përsëritur që mbrojtje politike për cilindo të akuzuar nga drejtësia, nuk ka. Unë kaq kam në dorë.
Mosarrestimi pas 7 apo 8 muajsh ka ardhur si pasojë e një çalimi në bashkëpunimin mes tri institucioneve, pasi ju thoni që e keni bërë punën tuaj…?
Unë di që policia shqiptare prej muajit maj e kërkon këtë zotëri dhe nuk e ka gjetur. Pastaj se përse nuk e gjen, a e ka mundësinë, a fshihet më mirë ai, kjo është një temë që nuk më takon mua ta komentoj.
Më 18 qershor, nëse ecim me këto ritme po shkojmë me të njëjtin sistem zgjedhor, me të njëjtin Kod Zgjedhor, siç kemi pasur në 2015, 2013 e me radhë. Pra, shumë pak janë ato diferenca dhe ndryshime që janë bërë deri më tani. Ju kë bëni fajtor, le të themi, në kampin e LSI për këtë zvarritje?
Reformë zgjedhore nuk konsideroj ato korrektimet e vogla, arnimet e çastit. Një sistem zgjedhor ku vota nuk e zgjedh kryeministrin, por e zgjedh marrëveshja e partive, nuk është sistem zgjedhor. Pjesa tjetër pastaj u bë pingpong. Njëri thoshte votim elektronik, tjetri thoshte votim jo elektronik, tjetri thoshte me emigrantë, tjetri thoshte pa emigrantë. Filloi ky pingpongu dhe tani kemi ardhur në një pikë që paragrafi i parë i raportit të zgjedhjeve të ardhshme të OSBE-ODIHR është shkruar dhe është kritik. Askund nuk mund të ndryshohen rregullat e lojës, kur loja ka filluar. Që me daljen e dekretit për datën e zgjedhjeve, loja ka filluar. Sepse thashë, edhe sikur ne të ndërhyjmë në Kodin Zgjedhor tani, edhe sikur të mos ndërhyjmë në Kodin Zgjedhor, në të dyja rastet do jemi të kritikuar. LSI, për sa vota i takon, edhe ajo do marrë përgjegjësinë e vet. LSI nuk mund të bëjë reformën zgjedhore e vetme besoj apo jo? S'besoj se ia kërkoni këtë gjë LSI-së. Zëri i 20 deputetëve. Po 120 të tjerët çfarë bëjnë? Ka një lojë kjo histori që është loja e PD-PS, të cilët nuk kanë dashur asnjëherë të hynë në këtë dhe unë jam përkrahës i sistemeve të thjeshta. Kemi një problem shumë të madh se askush nuk po mendon për demokracinë. Po e çojmë faktin se cilat do jenë koalicionet. A ka mundësi të bëjmë një sistem zgjedhor që t'i ndalojë koalicionet parazgjedhore? Sepse koalicionet parazgjedhore janë koalicione taktike, janë koalicione që maksimalizojnë votën.
Po dilni te fjalët e kryeministrit Rama…
Nuk e di unë të kujt janë fjalët, unë e kam te fjalët e mia. Në qoftë se ne sot flasim për arrogancë në politikë, fenomeni më i kritikuar është shkëputja e politikës nga realiteti dhe arroganca e politikës ndaj qytetarëve. Janë këto fenomene? Si do t'i zgjidhim? Në qoftë se mendoni që zgjidhja është që të bëjmë koalicionin e duhur, nuk është kjo zgjidhja, sepse sa më i fortë është koalicioni, aq më e madhe është arroganca.
Në qoftë se ka një koalicion të fortë, siç është ky i juaji, është një koalicion që po shkon drejt arrogancës?
Unë ju përgjigja një shqetësimi të opinionit publik. Opinioni publik sa herë sondohet, reagon për arrogancën e politikës dhe për shkëputjen e elitës politike nga problemet e vendit. Këto janë dy fenomenet shqetësuese në politikë dhe sistemet zgjedhore që e shkëpusin politikën nga realiteti i bëjnë ato listat e deputetëve me vendimet e kryetarëve të partive apo jo? Dhe pastaj bëhemi pishman dhe themi nga na doli ky, nga na doli ai tjetri. Ja pra, se s'ka proces.
Është bërë LSI pishman që kishte në listën e vet Shkëlqim Selamin?
LSI është e vetmja parti që është distancuar qartë, prerë nga cilido individ që militon në radhët e LSI dhe që ka probleme me drejtësinë.
Z. Vasili ka pasur një reagim dhe ka kërkuar që të flitet shqip në koncertin e Vjenës. Me sa duket ky fillim janari i 2017 ka nisur me 'tërheqje veshi' për koalicionin?
Besoj se është një reagim i z. Vasili, kështu e ka parë ai atë performancë. Personalisht nuk kam ndonjë koment. Kur më merr malli për ndonjë koncert, shkoj e shoh në Vjenë.
Përse po hezitoni kaq shumë për t'i kthyer përgjigje z. Rama për koalicionin?
Kjo është një sëmundje e vjetër në politikë. Pa u konsumuar ditët e mandatit, fillon diskutimi për diçka tjetër. Kjo është një mungesë respekti për qeverinë aktuale, për qeverinë që sot është në punë dhe kemi punë për të bërë. Afati zyrtar i regjistrimit të koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është ora 24 e datës 19 prill. Kemi kohë. Nuk duhet të shqetësohemi për këtë gjë. Sigurisht që ka nevojë për një analizë të thellë.
Cili është vlerësimi juaj për qeverisjen deri tani?
Ky diskutim ka filluar që vjet nga fundi i verës, erdhi duke u trashur dhe në fund të vitit u bë e përditshme. Filozofia e LSI-së është që ta shterojmë deri në fund për mundësinë që i kemi dhënë vetes. Unë nuk e di cila është data. Unë ju shpjegova datën ligjore. Ky është problemi i demokracisë në Shqipëri se e presin zgjidhjen nga dy liderët. Ndërsa unë po them një gjë tjetër, po them se si partitë politike të jenë forume vendimmarrëse dhe të bëjnë analizat e tyre në një hapësirë më demokratike. Unë insistoj te kjo pjesë.

Epidemia e gripit, shënohen 2 viktima

Posted: 06 Jan 2017 08:00 AM PST

Ola Mitre

Epidemia e gripit që ka prekur vendin tonë ka shënuar 2 viktima. Ministria e Shëndetësisë konfirmon se personat, të cilët kanë ndërruar jetë, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës. Pacientët ishin të shtruar në Spitalin Universitar të Mushkërive "Shefqet Ndroqi", ku njëri prej tyre vuante nga SPOK-u( Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike) e riakutizuar dhe insuficienca respiratore, ndërsa tjetri nga sëmundje kardiovaskulare dhe insuficienca respiratore. Viktima e parë ishte 70 vjeç dhe ndërroi jetë në datën 2 janar, ndërsa personi tjetër ndërroi jetë në datën 3 janar dhe ishte 71 vjeç.
Situata
Ndërkaq, për të përballuar fluksin e personave të prekur nga virusi i gripit, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj bëri me dije se duke filluar nga kjo fundjavë shërbimi parësor në qytetet që kanë spital rajonal do të funksionojë edhe ditën e diel. Deklarata e Beqajt u bë gjatë mbledhjes së Zyrës Operacionale të Situatës në Kryeministri, ku ndër të tjera u theksua se situata që po kalon aktualisht vendi ynë, në 10 vitet e fundit, ka qenë karakteristikë e muajit shkurt. "Jemi në një situatë epidemie. Ka disa ditë që është kapërcyer pragu i epidemisë, situatë që ne e kemi ndjekur që në javën e parë të dhjetorit, por ajo që u vu re këtë vit, njësoj si në të gjithë Evropën, është se intensiteti i lartë filloi 4-6 javë më shpejt se ç'ka filluar dekadën e fundit. Për këtë gjë që në datën 20 dhjetor shërbimi parësor i Tiranës punon dhe ditën e diel dhe ditët e festave. Ndërkohë që, nga kjo fundjavë shërbimi parësor në qytetet ku ka spitale rajonale do të punojë dhe ditën e diel. Nga dita e sotme (dje) ka një rënie të fluksit në spitale sepse ka filluar të funksionojë rrjeti i shërbimit parësor, i cili është më pranë qytetarëve dhe mund të zgjidhë rastet e lehta apo të mesme",- u shpreh ministri. Sipas kreut të Shëndetësisë, paralelisht janë duke u shpërndarë edhe vaksinat antigrip, të cilat mund të lehtësojnë sëmundjen. "Dje (pardje) janë shpërndarë 61 mijë flakonë të vaksinës së gripit dhe sot (dje) do të vazhdojmë me pjesën tjetër, pasi janë rreth 90 mijë flakonë të vaksinës së gripit, të cilat sipas rekomandimeve të mjekëve mund të bëhen edhe tani që epidemia ka filluar. Ndonëse nuk e shmangin komplet efektin e virusit, e bëjnë sëmundjen më të lehtë. Kjo këshillohet për të sëmurët kronikë, me diabet, me zemër, me mushkëri, me veshka, të cilëve gripi mund t'ua vështirësojë më tepër situatën",- deklaroi Beqaj.
Operacionet
Paralelisht me epideminë e gripit, temperaturat e ulëta që pritet të prekin vendin tonë nga dita e sotme kanë detyruar Ministrinë e Shëndetësisë të anulojë ndërhyrjet kirurgjikale që nuk janë urgjente. Sipas Beqajt, masa mund të shtrihet në të gjithë vendin, në varësi të ecurisë së situatës në ditët në vijim. "Drejtuesit e spitaleve janë këshilluar që, sipas situatave, në çdo spital të reduktojnë operacionet kirurgjikale të planifikuara apo ndërhyrjet e planifikuara që nuk janë urgjencë. Ende ne si ministri s'kemi marrë një vendim për ta bërë në gjithë vendin. Po e ndjekim në vijimësi, por jemi në kontakt me të gjitha spitalet",- u shpreh ministri.

Procesi mësimor, Beqaj: Javën që vjen, kërkesë për shtyrje

Posted: 06 Jan 2017 08:00 AM PST

Nisja e procesit mësimor për çerdhet, kopshtet dhe shkollat e arsimit parauniversitar mund të shtyhet edhe javën që vjen. Shkak për këtë vendim është epidemia e gripit që është duke kaluar vendi ynë, ndërkohë që gjithçka është konfirmuar nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë mbledhjes së Zyrës Operacionale të Situatës në Kryeministri. "Lidhur me vijimin e procesit mësimor, javën e ardhshme jemi ende për të dalë me një kërkesë për një gjë të tillë",- u shpreh ministri. Numri i lartë i personave të prekur nga virusi i gripit detyroi ministrin e Shëndetësisë të urdhërojë mbylljen e çerdheve, kopshteve dhe shkollave të arsimit parauniversitar deri në datën 7 janar. Qëllimi i këtij urdhri ishte kufizimi i mëtejshëm i përhapjes së virusit të gripit në vend. Ndërkaq, një tjetër masë që do të ndërmerret për këtë qëllim, lidhet me aktivitetet kulturore, të cilat pritet të ndalohen nga java që vjen. "Po vlerësojmë dhe mundësinë që ndoshta javën e ardhshme aktivitetet kulturore, që përgjithësisht kanë grumbullime njerëzish, do të kërkojmë që t'i shmangim",- deklaroi Beqaj. Në fakt, shmangia e vendeve të mbipopulluara është një nga këshillat që japin specialistët për të mos u prekur nga virusi i gripit. Po ashtu, rekomandohet evitimi, për aq sa është e mundur, i kontakteve të afërta me individë të sëmurë si dhe qëndrimi në shtëpi për 24 orë në rast se jeni të sëmurë. "Mbuloni hundën dhe gojën me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni më pas në vend të sigurt; lani duart shpesh me ujë dhe sapun, ose përdorni solucione duarsh me alkool; mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të kontaminuara, pasi virusi përhapet në këtë mënyrë, dhe pastroni e dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga virusi",- shtojnë specialistët e ISHP-së.

Ligji i dekriminalizimit, mijëra të dënuarve u hiqet e drejta e votës

Posted: 06 Jan 2017 08:00 AM PST

Mijëra të dënuar nuk do të votojnë në zgjedhjet e 18 qershorit të vitit 2017. Për shkak të përcaktimeve të ligjit për dekriminalizimit, miratuar kohë më parë nga parlamenti, pritet që një kategori e të dënuarve me vendim të formës së prerë të mos kenë të drejtë të votojnë, pavarësisht se këtë të drejtë ua jep Kushtetuta. Për herë të parë, nga listat e zgjedhësve do të hiqen para publikimit përfundimtar të listave të gjithë të dënuarit që kanë kryer vepra penale që parashikohen në pikat "a" e "b" të nenit 2, të ligjit "Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike", ose siç njihet ndryshe ligji për dekriminalizimin. Në nenin 2, pika 4 të këtij ligji thuhet shprehimisht: "Nuk kanë të drejtën të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtpërdrejtë kandidatët për deputetë në Kuvend apo në organet e qeverisjes vendore, personat që plotësojnë kushtet e parashikuara shkronjat 'a' dhe 'b' të pikës 1 të këtij neni".

Skënderbeu dhe Korabi, sherr për Sebino Plakun

Posted: 06 Jan 2017 08:00 AM PST

I kujt është Sebino Plaku? Kjo është pyetja që lind me fillimin e merkatos së janarit. Sulmuesi që gjatë pjesës së parë veshi fanellën e Korabit, tashmë ka vendosur që të rikthehet te Skënderbeu, skuadër e cila ka edhe kartonin e tij. Ditën e djeshme Plaku ka dalë në seancën stërvitore që ekipi korçar ka zhvilluar, por edhe drejtuesit e klubit bardhekuq e kanë zyrtarizuar rikthimin e tij në ekip. Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Korabit. Klubi dibran përmes një deklarate të postuar në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”, ka bërë publik faktin se lojtari në fjalë nuk mund të largohet nga skuadra pa miratimin e drejtuesve. Gjërat shkojnë deri aty sa zyrtarët e Korabit kanë shkuar në FSHF për të depozituar një ankesë në lidhje me faktin se sulmuesi që është nën kontratë me këta të fundit ka dalë në stërvitje me Skënderbeun. Megjithatë çdo gjë pritet të zgjidhet në klauzolën e huazimit të lojtarit. Nëse Sebino Plaku ka kërkuar largimin nga skuadra e Korabit, atëherë ai mund të vazhdojë i qetë punën te Skënderbeu. Por, në rast se nuk e ka bërë këtë kërkesë, atëherë klubi dibran ka të drejtë në pretendimet e saj. Gjithsesi çdo gjë pritet të zgjidhet në vijim.

Related Posts :