Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!

“Ura e Berlinit në Mitrovicë” plus 2 more Telegrafi Opinione

loading...

“Ura e Berlinit në Mitrovicë” plus 2 more Telegrafi Opinione


Ura e Berlinit në Mitrovicë

Posted: 04 Jan 2017 09:37 AM PST

E di, do të thoni se nuk ishte ura, por Muri i Berlinit. Të gjithë këto kohët e fundit e kanë shlyer nga përdorimi metaforën e Murit të Berlinit. E di se do të më thoni, mbase, se nuk po flas fare për Berlinin, por për Mitrovicën, dhe për… Beogradin! Për asgjë! Do të thoni: je jashtë teme, vëlla. Pse, çfarë ngjashmërie ka Serbia me Gjermaninë dhe Mitrovica me Berlinin? Apo ura me murin?

Ka or, si nuk ka. Nuk po flisja për vende. Po flisja për çmendurinë e cila kur fiton në zgjedhje, në Ballkan, zyrtarizohet dhe atëherë me eufemizëm quhet politikë ndërnacionale.

Ju mund edhe të mohoni, por në Mitrovicë i kemi të gjitha elementet e çmendurisë, të ndarjes, për të mundur që ta përdorim murin si metaforë, urën apo çfarëdo qoftë të Berlinit – nga koha e luftës së ftohtë – dhe për të sharë iracionalitetin në politikën e dy dhe më shumë vendeve rreth urës. Ka edhe dallime, natyrisht, por ato nuk janë relevante për nevojat e këtij shkrimi.

Të fillojmë me një barsoletë. Ju kujtohet ajo barsoleta pa lidhje, në të cilën moderatori i një kuisi televiziv e pyet një garues se cili lum kalon nën urën e Savës? Nuk ju kujtohet, me siguri, përpos nëse jeni i gjeneratës mbi dyzet. Kur kemi parasysh moshën e shqiptarëve në Ballkan dhe të ndarjes së tyre, e cila kishte zgjatur një shekull, është gati e sigurt se kjo do t'i kujtohet vetëm një përqindjeje shumë të vogël të lexuesve. Natyrisht, kjo i ka edhe avantazhet e veta, sepse më lejon që edhe barsoletën ta manipuloj sipas definicionit politik që u shpall këto ditë për ligjin, i cili thotë se "Ligji është si llastiku". Ju do të qeshni, kot gjithsesi, sepse Ligji me të vërtetë është i tillë në vendin tonë dhe barsoleta me të cilën qeshet ndër ne shpeshherë është një ngjarje e vërtetë.

Për ata që nuk e dinë, Sava është një lum i cili kalonte nëpër dy republikat kyçe të ish-Jugosllavisë, tash shtete të pavarura dhe ende të papajtuara krejtësisht.

Dhe, ju me logjikë të shëndoshë mendoni se pyetja me të cilën e filluam këtë kolumne ishte një pyetje e lehtë? Nuk ishte. Nuk ishte, sepse në marrëdhëniet serbo-kroate asnjëherë nuk kishte logjikë të shëndoshë. Së paku jo për vet serbët dhe kroatët. Ata nuk ishin vetëm serbë dhe vetëm kroatë. Ata bashkonin dhe ndanin civilizimet. Prandaj, nuk kishte as përgjigje të lehtë. Përgjigjja ishte krejtësisht subjektive. Përkundër faktit se kjo tashmë tingëllon krejtësisht qesharake, ai i bindur se ka të drejtë, ishte përgjigjur se nën urën e Savës kalon Danubi.

Por, nuk e kishim me Danubin, as me Savën, e as korridorin strategjik të transportit kontinental të mallrave. E kemi me çmendurinë e një marrëdhënie, me Ibrin, me urën dhe përfundimisht me murin, Pra, me Urën e Berlinit në Mitrovicë. Ura nuk bashkon brigje, ura nuk është vazhdim i një rruge që refuzon të njoh pengesat e natyrës.

Në Mitrovicë kishim urën e cila u bë e famshme, sepse ideatorët e konfliktit nuk e shohin si urë po si mur, si pengesë. Ata e shohin si një pikë ndarëse, jo vetëm mes dy popujve, por edhe në mes civilizimeve. Prandaj, e krijuan edhe simbolikën e re. E krijuan edhe murin. Këtë e bënë që bota ta kuptojë atë si një mburojë, gjoja nga rreziku që vjen nga jugu. Pas kritikave të mëdha, jo vetëm nga shqiptarët, ata e ulën murin, madje i dhanë edhe kuptim tjetër, por gjithsesi aty mbeti një pengesë e betontë që nuk e lejon urën të kryejë funksionin e saj. Sido që ta quash, mbetet një pengesë e cila e zëvendëson barrikadën e dikurshme, apo si u riformulua më vonë, "Parkun e paqes", apo… çfarëdo pengese tjetër për të qarkulluar mbi këtë urë e cila i lidh dy pjesë të vendit.

Pra, sado i gjatë që të jetë, apo sado i lartë që të mbetet, si pasojë e negociatave të ndërmjetësuara nga BE, prapë se prapë pengesa po mbetet në urë. Quaje mur, quaje "Park i paqes", apo amfiteatër i hapur në rrugë. Krejt mbetet njësoj. Një urë e cila lidhë dy sheshe, në krye të cilëve valojnë flamuj të shteteve të ndryshme.

Pra, nuk mund të mohosh se tashmë e kemi edhe murin, qoftë ai edhe në formë ure. Muri është fakt politik. Por, ka shumë arsye që atë të mos e quajmë Muri i Mitrovicës, madje të mos e quajmë as mur. Serbët politikë, pra Qeveria e Serbisë , e cila flet përmes gojës së zyrtarëve lokalë, thonë se ai është më tepër një pjesë mbrojtëse e një amfiteatri të hapur në rrugë, ku do të performojë politika serbe për spektatorët andej (këndej) murit. Pra, nga ndërtesat në jug, me një palë dylbi të mira mundet edhe të shihet fare qartë performanca politike në teatrin e hapur të rrugës, në sheshin i cili e mban emrin e një mbreti serb. Krejt kjo mund të shihet nga Sheshi "Adem Jashari", këndej ure, pa paguar biletën.

Për ta mbyllur këtë bisedë, po konstatojmë se pas kësaj, as muri, as Ura e Mitrovicës, nuk do të jenë fjala e fundit e ideologjisë përjashtuese të Qeverisë serbe në veri të Kosovës. Amfiteatri i hapur, në rrugë, mbetet zbulimi i fundit politik. Beogradi do që me "kulturë" ta mbajë të bllokuar urën.

Me apo pa kulturë, më thoni se nuk bëhet fjalë për një urë që nuk lidh brigje?

The post Ura e Berlinit në Mitrovicë appeared first on Telegrafi.

Moraliteti dhe historia islamike: Përse Bizanti modern është në shënjestër të Kalifatit?

Posted: 04 Jan 2017 09:35 AM PST

Jason Burke

Shumë njerëz që jetojnë në brigjet e Mesdheut, e kanë nisur Vitin e Ri me frikën e atentateve të reja. Ata që jetojnë në Turqi, kanë arsye të justifikuara për ta paralajmëruar këtë rrezik. Në 18 muajt e fundit, Turqia është goditur nga një valë dhune terroriste, që ka lënë 400 të vdekur. Disa prej sulmeve janë kryer nga fraksione të dhunshme kurde. Të tjerët, mes tyre të gjithë ata që kanë shkaktuar një numër të lartë viktimash, janë kryer apo frymëzuar nga ISIS-i.

Sulmi natën e Vitit të Ri në Stamboll nuk ishte befasi. U mor përsipër nga ISIS-i dhe ndoshta është realizuar nga i njëjti rrjet që verën e kaluar kishte goditur aeroportin. Sigurisht, objektivi – një lokal nate i frekuentuar nga elita laike dhe e kamur e vendit – është analog me ata të shumë atentateve të tjerë, të kryer përgjatë viteve. Një arsye për të vënë në shënjestër këto lokale, është përbuzja morale puritane kundrejt dekadencës që ata mishërojnë; një tjetër arsye është ndjesia për të përmbushur një detyrë fetare. Në deklaratën ku mori përsipër atentatin, ISIS-i ka shpjeguar se organizata donte të godiste të krishterët dhe një fuqi myslimane që i mbron. Kjo mbrojtje e bën Turqinë – e për pasojë edhe turqit – një vend "apostat" (femohues). Sipas pothuaj të gjithë teologëve salafitë, ndëshkimi për mohimin e fesë është vdekja. Sipas xhihadistëve, luftimi i kësaj me forcë është detyrë për të gjithë besimtarët.

Por, qëllimet e ISIS-it nuk influencohen vetëm prej teologjisë, por edhe nga eskatologjia dhe nga një vizion i shtrembëruar i historisë islamike. Edhe në këtë rast, Turqia është në linjën e zjarrit. Revista e ISIS-it më parë quhej "Dabiq", emri i një fshati sirian ku, sipas një profecie, do të ndodhë përplasja finale mes të mirës dhe të keqes. Por, ISIS-i u dëbua nga Dabiqi në tetor dhe revista ndërroi emër në Roumiya (Roma). Për ISIS-in, Roumiya nuk është vetëm kryeqyteti i sotëm italian (padyshim një objektiv), por edhe një Romë më e lashtë: Bizanti, Stambolli i sotëm.

Pastaj është edhe realizmi brutal strategjik që tashmë kemi mësuar të shohim prej grupit islamist. Ndoshta ISIS-i ka vlerësuar se presidenti turk, Erdogan, i cili në korrik i shpëtoi për një fije një grusht shteti, është i goditshëm. Dhe, ndoshta konsideron se Turqisë i ka ardhur radha për një fushatë destabilizimi, e ngjashme me ato që grupi ka ndërmarrë në Arabinë Saudite, në Egjipt dhe vende të tjera të rajonit.

Në fund është roli aktiv që luan Turqia, një vend anëtar i NATO-s, në koalicionin e udhëhequr prej amerikanëve që po lufton ISIS-in në Siri dhe Irak. Në fillimet e luftës civile siriane, Turqia, një vend me shumicë sunite, u ofroi mbështetjen e saj rebelëve sunitë, e bindur që ata do të rrëzonin shumë shpejt presidentin Bashar al-Assad, dhe se do të vendosnin në Damask një regjim islamik, në miqësi me Ankaranë. Me një politikë të kufijve të hapur, lejoi të huajte që vinin nga e gjithë Lindja e Mesme dhe Evropa, që të futeshin në Siri, bashkë me armë dhe municione. Shumë prej luftëtarëve dhe një pjesë e furnizimeve mbërritën tek ISIS-i, para se grupi të niste luftën në shkallë të gjerë në vitin 2014. Rrjetet mbështetëse brenda vetë Turqisë u nënvlerësuan dhe rreziku që paraqisnin u injorua.

E gjithë kjo tani ka ndryshuar: shërbimet turke luftojnë islamizmin e armatosur, me të njëjtën vendosmëri me të cilën luftojnë ekstremizmin kurd, si dhe rreziqe të tjera për vendin, si për shembull lëvizja besnike ndaj Fetullah Gylenit. Kontrollet në kufij janë në fuqi dhe Turqia ka dërguar një numër ushtarësh në Siri, e vetmja fuqi e huaj – përveç Iranit – që bën një gjë të tillë. Qëllimi i saj është i dyfishtë: të mbajë militantët kurdë jashtë zonave strategjike përreth Aleppos dhe të shtyjë ISIS-in larg prej kufirit turk, duke ia hequr kontrollin në një zonë kufitare që ka rëndësi kritike strategjike.

Trupat turke shmangin përplasje direkte me ato të Assadit: një armëpushim i negociuar javën që kaloi nga Rusia e Turqia mes rebelëve dhe qeverisë, sapo është miratuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ajo nuk përfshin ISIS-in. Pra, fakti që ISIS-i dëshiron të dobësojë Turqinë, ta bëjë të paguajë për ndërhyrjen kohët e fundit, të demoralizojë shërbimet e saj, është i kuptueshëm. Mesazhi për Erdoganin është pa ekuivok. Ka edhe një mesazh të nënkuptuar për evropianët në këto akte dhune, edhe pse ISIS-i ndoshta nuk do që ta dëgjojmë. Sulmet – si ai i Berlinit para Krishtlindjeve – kanë efektin që të shkëpusin vëmendjen tonë nga fakti që objektivi parësor i ISIS-it është (dhe ka qenë gjithmonë) rajonal.

Të hënën, grupi kreu një seri sulmesh të përgjakshme në Irak. Gjatë muajit të fundit ka goditur në Jemen, n ë Jordani dhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme. Shumë analistë kanë parashikuar me saktësi një shtim të dhunës teksa ISIS-i vazhdon të humbasë terren dhe ndjekësit e tij janë gjithnjë e më të çorientuar. Por, vështirë se pika qendrore e këtyre sulmeve do të jetë Milano, Hamburgu apo Washingtoni. Objektivat do të jenë më pranë bastioneve të militantëve. Atentati në Stamboll me shumë gjasa nuk do të jetë i fundit. /bota.al/

The post Moraliteti dhe historia islamike: Përse Bizanti modern është në shënjestër të Kalifatit? appeared first on Telegrafi.

Erdogani nxiti erë e po korr stuhi

Posted: 03 Jan 2017 02:14 PM PST

Kohë përpara se të pritej ndërrimi i viteve ndaj shtresës shoqërore me orientim modern të Turqisë ishte paralajmëruar sulmi i tmerrshëm terrorist në klubin e natës "Reina". Gjatë javëve të fundit shpesh sharlatanë gjëmonin në mediat sociale kundër festës së Vitit të Ri me tituj si „Imam” ose „Hoxha”. Në këtë kontekst ata as nuk u rezervuan që t’i shpallnin si “të pafe” e kësisoj edhe si objektiv të sulmeve të dhunshme ata që preferojnë mënyrën perëndimore të jetesës. Madje zyra e religjionit si instanca më e lartë fetare e republikës laike ishte shprehur në predikimin e shpërndarë në xhami kundër festimeve me rastin e Vitit të Ri, që nuk është në përputhje me kulturën islame.

Kështu pyetja nuk ishte më nëse, por vetëm se ku do të godisnin terroristët e armatosur radikalë islamistë natën e Vitit të Ri. Për këtë arsye policia në Stamboll kishte mobilizuar 17.500 forca, në mënyrë që të parandalohej një masakër. Por pikërisht në „Reina” ndodhej vetëm një polic, që u qëllua prej atentatorit, përpara se ai të qëllonte verbërisht ndaj njerëzve duke vrarë e plagosur. Teoritë e komplotit nuk mungojnë. Por fakt është, që Turqia ndodhet para krizës më të vështirë në politikën e brendshme, madje para kaosit më të madh që prej themelimit të saj në vitin 1923.

I verbëruar prej qëllimit të tij, për ta kthyer Turqinë në një republikë presidenciale dhe për ta shpallur veten një sundimtar të vetëm ndaj vendit dhe popullit, kalkulimet e gabuara të një pas njëshme të Erdoganit po çojnë në vetëshkatërrimin e tij. Kohët, kur Erdogani si reformator entuziazmonte BE-në e kësisoj edhe Gjermaninë, kanë marrë fund. Në vend që të drejtojë për në BE një Turqi funksionuese në politikë, ekonomi e kulturë dhe të orientuar nga vlerat bashkëkohore, ai e ka humbur në mënyrë të pakthyeshme kredibilitetin ndaj personit të tij. Në vend që të konsolidojë kursin e dikurshëm të pajtimit me kurdët, ai ka vendosur tani për konfrontimin direkt.

Qëkurse faktikisht ai u bë shkas për anulimin e zgjedhjeve parlamentare më 7 qershor 2015 gjatë sulmeve terroriste në Turqi kanë gjetur vdekjen rreth 1.500 vetë e qindra të tjerë janë plagosur. Që nuk po duket të ketë një fund të vrasjeve, këtë e tregon akti i fundit i dhunës në Bosfor. Nëse e vlerëson realisht situatën sivjet mund të priten edhe shumë sulme të tjera terroriste. Pasojat për ekonominë, për stabilitetin e monedhës kombëtare Lira dhe për turizmin janë qysh tani të ndjeshme.

Një kthesë për Erdoganin nuk është më e mundur. Ai tani duhet të zhvillojë luftë deri në fund krah Rusisë kundër milicëve terroristë të “IS”. Kundër një organizate, frymën paraprirëse të së cilës Erdogani dhe pasuesit e tij e trajtonin me kujdes dhe tani nuk po munden ta shmangin më. Ushtria turke lufton njëkohësisht edhe kundër kurdëve të Sirisë, për t’i penguar ata që të shtrihen në territoret fqinje përgjatë kufirit turk. Brenda vendit vazhdon lufta kundër lëvizjes së klasifikuar si terroriste (FETÖ) të bashkëluftëtarit të tij të dikurshëm Fethullah Gülen. Më shumë se 100.000 nëpunës shteti janë pushuar nga puna ose janë shkarkuar nga detyra, mbi 40.000 vetë janë arrestuar, sepse ata gjoja janë ose kanë qenë anëtarë të „FETÖ”. Por deri tani nuk ka dëshmi bindëse për këtë.

Nëse Erdogani do të rifitojë besimin brenda dhe jashtë vendit, ai duhet t’i thërrasë arsyes. Në këtë kontekst ai duhet p.sh. që pas sulmit terrorist natën e vitit të ri të mos mjaftohet vetëm me një deklaratë me shkrim, por të angazhohet edhe personalisht lidhur me hetimet për dorasin apo dorasit. Po ashtu ai duhet menjëherë jo vetëm të distancohet prej kërcënimit ndaj atyre, që preferojnë një stil tjetër jetese, por edhe duhet që drejtësinë e policinë, që janë nën kompetencat e tij, t’i verë në lëvizje në mënyrë që të ndalohet me efikasitet kërcënimi publik i njerëzve dhe institucioneve. Po ashtu ai nuk duhet që në çdo rast të akuzojë publikisht BE-në e në radhë të parë Gjermaninë, se po i mbështesin e sigurojnë strehë terroristëve dhe organizatave të tyre.

Në Gjermani shteti ligjor do të thotë, që drejtësia dhe organet e sigurisë janë të detyruara, t’u provojnë me fakte të qëndrueshme personave të akuzuar fajin, përpara se t’i dënojnë. Ndërsa në Turqi ende vlen, që vetëm mendimi në kundërshtim me kreun e shtetit të shërbejë si bazë për arrestin dhe mbajtjen në arrest hetimor. Për të rifituar lirinë, individi duhet ta dëshmojë vet fajin e tij. Ndaj ndodhen në burg mbi 170 gazetarë, shkrimtarë e studiues, të cilëve u duhet që në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme të përballojnë hetuesinë deri në pesë ditë përpara se t’u lejohet të kontaktojnë një avokat. Kështu Turqia nuk mund t’u bëjë ballë sfidave të shekullit të 21-të.

The post Erdogani nxiti erë e po korr stuhi appeared first on Telegrafi.

Related Posts :