Please enable / Bitte aktiviere JavaScript!
Veuillez activer / Por favor activa el Javascript!
Ruaje këtë postim

“Vdekja e artistit dhe hipokrizia e pafund e kohës sonë” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

loading...

“Vdekja e artistit dhe hipokrizia e pafund e kohës sonë” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Vdekja e artistit dhe hipokrizia e pafund e kohës sonë

Posted: 05 Jan 2017 08:00 AM PST

 

(Kujtimit të Bujos)

Prof. Dr. Albert Frashëri *

Humbja e papritur e artistit të shquar Bujar Lako, është një ngjarje që trondit nga pikëpamja afektive shoqërinë, të afërmit dhe miqtë. Unë jam një nga qytetarët e kësaj shoqërie, por edhe një kushëri i afërt dhe mik i lashtë i tij. Jemi rritur pranë njëri-tjetrit duke lutur prindërit të na lejonin të flinim në shtëpinë time apo të tijën, të hanim me nxitim e të futeshim në të njëjtin shtrat për t'i rrëfyer njëri-tjetrit dëshirat dhe ëndrrat që kishin filluar të zinin shtat te secili nga ne. Ai u rrit në një familje me prindër të shkolluar mirë e të emancipuar që nuk i ndërhynin fëmijës në zgjedhjen e udhës së jetës. Bujari ëndërroi në heshtje e në vite derisa, pas shkollës së mesme, konkurroi dhe fitoi të drejtën për t'u formuar si aktor në Institutin e Lartë të Artit Dramatik të Tiranës.

Jetën artistike të Bujos, siç e quanim në familje që nga fëmijëria e hershme, e njohin të gjithë, talentin, shkëlqimin dhe parabolën e ndritur të krijimtarisë së tij. Unë nuk desha të flas për këtë pamje të jetës së Bujar Lakos, por për atë çka na lidh me krijimtarinë e artistit në përgjithësi e me artin, si nevojë jetike të çdo individi e të shoqërisë. Janë pikërisht parabola dhe vdekja e artistit, dramaticiteti i jetës së tij që nuk dua të anashkaloj, sepse ato na ftojnë të gjithëve të meditojmë për disa të vërteta të ndrydhura nga heshtja e fajshme e secilit prej nesh.

Pak vite pas rënies së regjimit totalitar, takova në Romë aktorin e madh të teatrit e të filmit shqiptar, Kadri Roshin. Ishte fillimi i viteve '90. Qindra janë rolet e krijuara nga ai qytetar i madh i Shqipërisë. Kaluam një mbrëmje së bashku, që nuk do ta harroj, sepse krahas kënaqësisë që gjendesha në shoqërinë e atij artisti të shquar, pësova një tronditje të thellë e të paharruar. Ai artist që i kishte shërbyer kombit të vet me krijime magjistrale për rreth 40 vite, jetonte me dinjitet të rrallë varfërinë e tejskajshme, edhe pse kjo lëndonte shpirtërisht jetën e tij. Pikërisht ky mendim më shkaktoi dhimbje por, nga ana tjetër, në sytë e mi u lartësua figura e këtij artisti dhe njeriu të madh. Mendova që në udhën e demokratizimit të vendit kjo gjendje do të ndryshonte shpejt. Natyrisht gabova.

Moxarti vdiq i varfër dhe nuk pati një varr. Kufoma e tij përfundoi në një gropë bashkë me fukarenj të tjerë, bash në qendër të Vjenës. Ky ishte një turp i asaj kohe. Nuk di a rrezikojmë edhe ne po atë përfundim për intelektualët, artistët dhe njerëzit e shquar të kombit.

Artistët e vërtetë janë njerëz thellësisht të pavarur. Bujo ishte fjalëpak dhe në thelb njeri i mbyllur. Verën e shkuar isha në Tiranë dhe hëngrëm së bashku dy dreka. Një në shtëpinë e së motrës, Diana bujare e palodhur, dhe tjetrën në një restorant jashtë qytetit. E trajtonim njëri-tjetrin më shumë si miq të rinisë sesa si njerëz të një familjeje. Miqësia e hershme dhe nevoja për t'u parë i mbushën me

emocione ato dy ditë. Ai fliste pareshtur, gjë jo e zakonshme për Bujon. Ndjenjat dhe mendimet për ngjarjet dhe kohën tonë, instinktivisht, ia fshehëm vetes. Por… kur marrëdhëniet mes njerëzve, përveç mendimeve, kanë edhe afeksione të përbashkëta, atëherë çuditërisht dhe pa fjalë, të vërtetat thelbësore depërtojnë njëri-tjetrin. Ndoshta aktori i madh Bujar Lako ia fshihte vetes dramën e artistit të kohës sonë. Ai kishte një fole ku lumturohej me shoqen e tij të jetës, Mirën dhe me djalin e tij të mrekullueshëm, këngëtarin Bojken Lako.

Mira, mësuese e talentuar e violinës që në rininë e saj. Foleja e tyre: një dhomë e një kuzhinë prej 35 vitesh!!!

Këto mendoja këto ditë… Me sa duket, humbja e papritur e njeriut të vyer e trondit ndjeshmërinë tonë dhe ne perceptojmë dhe rijetojmë disa të vërteta që i njihnim edhe më parë, por ndaj të cilave kemi qenë indiferentë. Kjo e dyta është drama jonë, d.m.th. e qytetarit dhe e mbarë shoqërisë. Ishte pikërisht kjo arsyeja për të cilën përmenda artistë të tillë si Kadri Roshi dhe Moxarti.

Pavarësisht nga dinjiteti i njeriut dhe gjenialiteti i muzikantit, varfëria e tij bashkë me kufomën përfunduan në një gropëvarr të përbashkët të njerëzve të vobektë bash në qendër të Vjenës. E pabesueshme… por e vërteta nuk mund të braktiset në mëshirën e hipokrizisë.

Shoqëria mund të shpërblejë me medalje e tituj krijimtarinë artistike të bijve artistë të saj dhe, nga ana tjetër, t'i braktisë në kushte të papranueshme të jetës individuale e të krijimtarisë. Nuk mjafton një medalje apo titull për të praruar gjoksin e artistit. Në kohën e Molierit, artistët kur jepnin shfaqje në oborret mbretërore hanin së bashku me shërbyesit e pallatit. Kanë kaluar shekuj nga ajo kohë. Artistët tanë, gjithashtu mbeten njerëzit më të varfër të shoqërisë, duke qenë më të pasurit nga ana shpirtërore dhe në pikëpamje të krijimtarisë individuale. Mendimi i lirë e i pavarur përbën forcën e tyre, pavarësinë e ideve e të veprimit.

Pa artin, kombi nuk ka të ardhme dhe zbeh ndjeshëm natyrën njerëzore të ekzistencës së tij. Kujtoni fillimin e shekullit XX. U shembën dy perandori: austriake dhe turke. E para vazhdoi të përparojë si një nga vendet më të zhvilluara të Europës. E njëjta gjë nuk mund të konfirmohet për të dytën. Mendoj që arsyeja e kësaj diference do kërkuar në pamjet kulturore dhe shkencore të dy perandorive. E para krijoi kontribute të shquara në art e në shkencë. E dyta jo.

Pra vetëm diferenca e madhe kulturore shpjegon prosperitetin e njërës dhe prapambetjen relative të tjetrës.

Historia është një nga fushat e dijes njerëzore. Ajo përpiqet të dokumentojë e të shpjegojë të shkuarën, dhe kjo na ndihmon të kuptojmë më mirë të sotmen. Pa këtë ne ecim kuturu kah e ardhmja, pa ide të qarta e jo të pajtueshme me universin kulturor e filozofik të kombit. Por njohja e historisë nuk është e mjaftueshme për të kuptuar pikërisht rolin dhe vendin e njeriut në procesin historik të formimit të idealeve e të traditave kombëtare. Këtë e bën arti dhe asgjë nuk mund ta zëvendësojë atë dhe as njerëzit e saj. Ne njohim njeriun e lashtë, karakterin, sjelljet dhe pasionet e tij përmes poemave të Homerit, të Virgjilit apo të Dantes, përmes filmave që ringjallin në vetëdijen tonë jetën e individit e të shoqërisë duke filluar nga lashtësia. Ne e njohim më mirë të shkuarën tonë përmes vargjeve të Naimit e të Migjenit, të Fishtës e të Mjedës, sepse në veprën e tyre kemi njohur vuajtjen dhe përpjekjet titanike të njeriut gjatë ekzistencës së tij. Mendoni se si Migjeni në prani të mjerimit dhe ligështimit të shpirtit i lutet Perëndisë t'i japë një simfoni. Shërimin e vuajtjes njerëzore ai e kërkon te muzika, te arti. Asnjë poet në historinë e letrave të të gjitha kohërave nuk e ka shprehur me kaq art shpirtin e madh të poetit. Këto janë vargje monumentale që shprehin një të vërtetë themelore të jetës sonë: e Bukura si thelb i qenies njerëzore. Ne njohim përmes filmave shumë aspekte të Rilindjes shqiptare. Kujtoni, ju lutem, filmin "Udha e shkronjave" dhe interpretimin magjistral të aktorëve Bujar Lako, Sandër Prosi e Ndrekë Luca. Në sajë të veprës së tyre ne arritëm të përjetonim atë histori të dhimbshme e të lavdishme të kombit tonë. Ajo është e lavdishme sepse, sikundër thekson edhe Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shqiptarët janë kombi i vetëm që ka dëshmorët e tij për mbrojtjen e gjuhës së lashtë të tij.

Aty, këta artistë të rrallë skalitin monumentin e idealit, vuajtjes dhe sakrificave të njeriut të Rilindjes. Interpretime magjistrale, prekëse e të paharruara që ndihmojnë qytetarin të përjetojë emocione të thella e ideale të larta. Ky është arti që shndërron në urtësi të vërtetat themelore të historisë njerëzore.

Ai brez aktorësh e artistësh themeloi shkollën kombëtare të artit dramatik, të filmit, të muzikës së kultivuar e të arteve figurative. Ngriheshin në 4 apo 5 të mëngjesit për të blerë një litër qumësht për fëmijët e tyre. Ata e jetuan me dinjitet këtë poshtërim. Shprehem kështu sepse te kafsha, uria përbën një dhimbje fizike.

Përkundrazi, te njeriu ajo sjell një dhimbje shpirtërore të pamasë pikërisht sepse fyen dinjitetin njerëzor për padrejtësinë që pëson.

Ai brez do të mbetet në historinë e artit kombëtar si një kometë që e ndriçoi universin shqiptar, edhe pse diktatura e kufizoi ndjeshëm lirinë e krijimtarisë artistike. Atij brezi i përket figura e madhe e Bujar Lakos, Bujos – sikundër shprehet edhe Edi Rama.

Në këto momente të humbjes së një artisti të vyer të kombit unë dua të besoj që do të vijnë kohëra më të mira nëse njerëzit që na qeverisin e ndjejnë nevojën e artit për mbarë shoqërinë. Nga pikëpamja intelektive, diferenca mes njeriut dhe kafshës qëndron në vetëdijen dhe në thelbin e ekzistencës vetjake. Njeriu, madje jo të gjithë, është i vetëdijshëm për ekzistencën e vet, për zgjedhjet dhe veprimet e tij. Cili do të ishte thelbi i ekzistencës sonë? Me siguri kërkimi dhe krijimi i së bukurës përbën një thelb universal të jetës njerëzore. Pikërisht kjo lidhet me të gjitha format e artit. Natyra e ka ngjizur në qenien tonë këtë instinkt të kërkimit të së bukurës, deri edhe te dashuria, që ne e identifikojmë me të bukurën. Çdo akt i krijimit përbën artin, idealin e ekzistencës sonë. Oscar Wilde shkruante: "Të gjithë kemi lindur në baltë, por disa nga ne vështrojnë yjet." Me siguri ai kishte ndërmend artistin. Arti prej mijëra vjetësh është ylli polar i jetës njerëzore. Pa vetëdijen e së bukurës si formë dhe ideal të ekzistencës sonë, të shumtën do të mbushnim barkun me bukë.

Duke qenë kështu, si ta kuptojmë gjendjen e vështirë të artistit thuajse në të gjitha rendet shoqërore të së kaluarës dhe në disa rajone të kohës sonë? Vështirësitë e artistit burojnë nga liria dhe pavarësia e tij. Ai jeton dhe krijon në hapësirën mes qytetarit dhe pushtetit apo regjimit. Nga njëra anë qytetari, nga ana tjetër pushteti, forcat e errëta të shoqërisë, e në shërbim të tyre mediat. Qytetari e formon mendimin e pavarur të tij nën ndikimin e artit, në kuptimin e gjerë të fjalës, dhe të propagandës. Arti ka fuqi depërtuese të konsiderueshme. Për këtë arsye, të gjitha format e totalitarizmit, dhe jo vetëm ato, përpiqen ta shndërrojnë artin në një instrument të propagandës. Kjo përbën konfliktin më të madh që vërehet mes artistëve dhe propagandës pushtetare. Artistët janë viktimat e para të çdo regjimi e në çdo kohë. Kjo ndoshta ka edhe një shfaqje në një formë tjetër.

Ideja e totalitarizmit të të majtave në Europë e mbajti pushtetin për një kohë të gjatë, duke u ndarë qytetarëve në mënyrë të barabartë mjerimin e skajshëm që brezi ynë njohu që në fëmijërinë dhe rininë e vet. Thuhej si një batutë metropolitane: Forca e diktatorëve qëndron në varfërinë e madhe të qytetarëve. Ndoshta sepse varfëria na skllavëron e… pastaj na nxin edhe shpirtin.

Artisti ynë vazhdon të jetojë si një nga qytetarët më të papaguar të kohës sonë. Është gjendja ekonomike që i jep dinjitet dhe liri krijimtarisë artistike. Jo medaljet, dhe as titujt. Ndoshta korrupsioni i madh i kohës sonë ua err sytë atyre që përcaktojnë parametrat ekonomikë të jetës së qytetarit. Warren Buffett, financieri më i shquar amerikan thotë: "Mund t'i besosh një detyrë një individi nëse ai ka dy cilësi: e para, duhet të jetë i aftë për detyrën; e dyta, duhet të ketë integritet moral të lartë. Nëse nuk e ka cilësinë e dytë, ajo e para nuk ka asnjë vlerë." Bujar Lako pësoi një goditje të papritur në zemër. Sistemi i Urgjencës, i njoftuar me detaje, erdhi pa asnjë rezervë oksigjeni që mund t'i kishte shpëtuar jetën Bujos. Ai mbylli sytë përjetësisht dhe mori me vete zhgënjimin e një jete të vështirë, pa ua besuar as miqve dëshpërimin e tij. Heshtja elokuente dhe dhimbja që fshihej pas saj nuk ia zbehën shpirtin por, me sa duket i robëruan zemrën. Le të urojmë që vdekja e artistit të na ndriçojë vetëdijen dhe kuptimin e qartë të rëndësisë që arti ka për shoqërinë. Unë dua të shpresoj që vdekja e artistit të madh të na e zbulojë zvetënimin dhe hipokrizinë me të cilat kemi fyer idealin e tij për demokracinë.

 

 

* Terni (Itali)

 

 

Ndërprerja e mandatit, deputetët ankimojnë KQZ-në në gjykatë

Posted: 05 Jan 2017 08:00 AM PST

Dy ish-deputetët Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri, mandati i të cilëve u ndërpre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, kanë ankimuar vendimin duke nisur betejën ligjore në shkallët e gjyqësorit. Dashamir Tahiri ka ankimuar në Kolegjin Zgjedhor vendimin e KQZ-së, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit për ndërprerjen e mandatit të tij. Në padinë e tij deputeti Tahiri i është referuar ligjit elektoral dhe atij për garantimin e integritetit të personave që kandidojnë, ku sipas pretendimit të tij, vendimmarrja është në kundërshtim me ligjin, pasi që në krye të herës në vendimmarrjen e KQZ-së nuk sqarohet se në cilin institucion deputetët mund ta ankimojnë vendimin. Po ashtu, Tahiri sqaron se pas verifikimit të të dhënave të tij nga prokurori, është vënë në dijeni për herë të parë për një dënim të tij në Ravena në Italisë për një leje drejtimi, çështje për të cilën as nuk është informuar dhe as është ndalur ndonjëherë në Itali, dhe pas verifikimit ka kërkuar që këto dhëna të përfshihen në formularin e vetëdeklarimit. Në këto kushte, Tahiri kërkon shfuqizimin e vendimit të KQZ-së, pasi sipas kërkesë-padisë së tij provohet se në këtë rast nuk plotësohen kërkesat e ligjit, pasi të dhënat e pretenduara nga prokuroria nuk përfshihen brenda periudhës së ndalimit, sipas përcaktimeve të ligjit të dekriminalizimit. Në këto kushte, deputeti Tahiri i kërkon Kolegjit Zgjedhor shqyrtimin në themel të kësaj çështjeje. Avokati Fatmir Braka shprehet se ankimimi është bërë më 30 dhjetor. "Ankimuam në Kolegjin Zgjedhor heqjen e mandatit të deputetit Tahiri që më 30 dhjetor. Shumë shpejt do ta ankimojmë çështjen edhe në Gjykatën Administrative. Ligji nuk e ka të qartë se ku duhet ta bëjmë ankimimin për këtë çështje", – deklaroi avokati Braka. Deputeti Shkëlqim Selami i është drejtuar me kërkesë-padi Gjykatës Administrative, duke kërkuar shfuqizimin administrativ të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe marrjen e masës për pezullimin e këtij vendimi deri në përfundim të gjykimit. Në padinë kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Selami kërkon "shfuqizimin e aktit administrativ, vendimit Nr. 175, datë 29.12.2016, për deklarimin e mbarimit të mandatit të deputetit Shkëlqim Selami. Marrjen e masës së sigurimit të padisë, duke vendosur pezullimin e vendimit Nr. 175, datë 29.12.2016, deri në përfundim të gjykimit". Atij iu hoq mandati bashkë me deputetin tjetër Dashamir Tahiri në fund të dhjetorit të vitit të shkuar. Edhe kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, do të ankimojë si jo të drejtë vendimin unanim të KQZ-së. Ndryshe nga dy deputetët, Rroshi duhet t'i drejtohet për ankimim Gjykatës Kushtetuese, pasi vendimin përfundimtar për shkarkimin e tij e firmosi kryeministri i vendit.

Blushi propozon: Parlamenti i ri të ketë 100 deputetë

Posted: 05 Jan 2017 08:00 AM PST

Deputeti i LIBRA-s, Ben Blushi propozon që parlamenti të ketë 100 deputetë. Në një status të publikuar në faqen e tij në "Facebook", Blushi shkroi dje: "Sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve, aq më pak shpresë kam se parlamenti i ardhshëm do jetë më i pranueshëm se ky që kemi. Të paditurit, të paaftët, agallarët e provincave të zbrazura, banditët me frak, analfabetët që mbajnë piano në kuzhinë, kanabistët me kollare me fruta pylli, piratët e energjisë, ilaçeve dhe mbetjeve, tenderaxhinjtë e përmbytjeve dhe gjobaxhinjtë e bashkive do mësyjnë prapë në parlament, duke u futur nga dyert dhe dritaret e partive të vjetra. Dikush me shaka më ka thënë se të gjithë deputetët bashkë kanë më shumë makina se libra. Dikur në fshatrat malorë ngrinin prita për të penguar ujqit. Ndoshta mund të përdoret si teknikë duke zvogëluar derën e parlamentit. Një parlament më i vogël do ishte një hapësirë më e kufizuar për kaq shumë vulg. Unë jam për një parlament me 100 deputetë", shtoi ai, duke u kërkuar miqve në 'FB' të japin një mendim.

Agim Hushi, kritika Mirela Kumbaros: Abuzime qindramilionëshe me tenderat

Posted: 05 Jan 2017 08:00 AM PST

Nga Agim Hushi

Ditën e djeshme tenori Agim Hushi përmes një statusi në “Facebook” ka kritikuar ashpër dhe akuzuar për abuzime me tenderat ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro. Në “letrën” e tij të hapur, tenori sulmon edhe drejtoreshën aktuale të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, post për të cilin vetë Hushi konkurroi pas ikjes së Ilir Kernit. Hushi ka qenë i pranishëm dhe ka paraqitur/lexuar para komisionit të MK-së platformën e tij se si ai e shihte Operën. Emri i tij nuk arriti të ishte një ndër dy kandidaturat për drejtor opere, që ky komision i dërgoi kryeministrit. Në këtë letër, Hushi thotë se është në mëdyshje të rrijë a të ikë, shprehet se ka në dorë fakte e të dhëna për çka deklaron më sipër dhe shton se, “ndërkohë që artistët e operës nuk marrin pagat e tyre, që u takojnë në fund të vitit. Bëhen show me diasporë teksa shqiptarët zënë vendin e parë si azilkërkues nëpër botë”.

U bënë disa muaj që jetojmë në Shqipëri familjarisht, në këtë vend të bekuar, pas një udhëtimi 25-vjeçar, vite të bukura dhe të suksesshme, plot përpjekje dhe luftë jo të lehtë, të pabarabartë me botën, si shqiptar.
Por ia dola kudo ku shkela, kudo ku jetova, kudo ku këndova. Rrita veten dhe djalin tim, nderova familjen time, por mbi të gjitha jam krenar t’ju them se e ngrita me aq sa munda edhe emrin e Shqipërisë.
Është e tepërt t’ju them gjithashtu se gjithçka e arrita i vetëm, pa përkrahjen e askujt; bile as të atdheut tim, që shpesh në vend të mirënjohjes, më tregoi se sa shpejt harron, se komplekset e smirës i ka deri në majat e pushtetarëve të tij…
Por u jam pafundësisht mirënjohës dashurisë dhe suportit të mrekullueshëm këtu në Shqipëri, që më japin jetë dhe ëndrra të reja çdo ditë, publikut artdashës, njerëzve të thjeshtë, personaliteteve të vërteta nga kultura, shkenca dhe politika, që më mbushin me dashuri dhe krenari të ligjshme. E dini të gjithë se kam kryer dy universitete të plota, me kohë të plotë si student në Gjuhë-Letërsi, Universitetin e Arteve dhe me mesataren mbi 9.
Kam kryer gjithashtu studimet e plota pasuniversitare, 3 vjet, në Akademinë Franz List të Budapestit, ku që pas mbarimit të vitit të parë më 1993, u zyrtarizova si solist i operës hungareze.
Zotëroj 4 gjuhe të huaja dhe kam marrë tituj dhe vlerësime nga 4 anët e botës, nga personalitete botërore, filluar që nga Richard Bonynge, Franco Corelli e të tjerë.
I punësuar dhe vlerësuar maksimalisht nga qarqet akademike muzikore të Vjenës, Romës, Parisit, Londrës, Madridit, Kopenhagenit e deri në Nikozia; në skajet më të largëta të botës, New Zeland, Australi, Kinë dhe Meksikë; konsideruar si nga mjeshtrat më të mëdhenj të belkantos në botë.
U ktheva me një bilanc të tillë, me një dëshirë dhe idealizëm qytetar në Tiranë, ku pothuaj të gjithë më thanë: “Ç’bën këtu, nuk bëhet ky vend, do zhgënjehesh!”.
Por nuk doja ta besoja dhe nuk dua ta besoj… Dhe jam në prag të dy vendimeve. Të rri e të luftoj këtu me ju, apo ta lë maskarallëkun që kanë mbi krye shqiptarët e të shoh punët dhe familjen time.
Zemra më thotë të jem këtu me ju miqtë e mi e të luftojmë së bashku për një Shqipëri ndryshe, ashtu siç e duam. Sytë e mi kanë qenë tek kultura… Ju të gjithë e dini se çfarë ndodhi para syve tuaj kur një ish-e larguar me ceremoni dhe e njohur për bëmat e saj abuzive, e shkarkuar zyrtarisht për abuzime me fondet, riciklohet zyrtarisht në TOB, ku programi im i jashtëzakonshëm për Operën as u lexua fare nga komisioni i Kumbaros. Do tronditeni kur të lexoni bëmat disamujorëshe, milionat që kalojnë në xhepat e të mësuarve me abuzimet, që do t’i publikoj së shpejti.
Njerëz të ndershëm më shkruajnë çdo ditë, duke më treguar me fakte, për tendera të Ministrisë së Kulturës; qindramilionshe, të cilat do t’i shihni të dokumentuara shumë shpejt dhe t’i gjykojmë së bashku nëse janë apo jo abuzime me taksat tuaja dhe shkatërrim i kulturës… Ndërkohë që artistët e operës nuk marrin pagat e tyre, që u takojnë në fund të vitit. Bëhen show me diasporë teksa shqiptarët zënë vendin e parë si azilkërkues nëpër botë.

“Ekonomia shqiptare do të rritet me 3.7 për qind në 2017”

Posted: 05 Jan 2017 08:00 AM PST

 

Ekonomia shqiptare do të rritet me 3.7 % gjatë vitit 2017. Ky është parashikimi i fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili në raportin e fundit pohon se dy ekonomitë që pritet të kenë rritjen më të shpejtë në botë gjatë këtij viti janë ato të dy vendeve që vijnë nga konflikte të armatosura. Libia me 13.7 për qind dhe Jemeni me 12.6 për qind do të kryesojnë listën botërore të rritjes ekonomike. Të dyja vendet kanë përjetuar humbje të mëdha ekonomike gjatë viteve të fundit, si pasojë e luftërave dhe në 2017-ën shpresojnë të rikuperojnë një pjesë të tyre. Në vendin e tretë vjen një tjetër ekonomi afrikane, Bregu i Fildishtë, që do të rritet me rreth 7.9 për qind, ndërsa Mianmari dhe India vijnë në vendin e katërt dhe të pestë, me rritje ekonomike respektivisht 7.7 dhe 7.6 për qind. Kina, dikur një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në botë, ka zbritur në vendin e 15. Ekonomia kineze vazhdon të ngadalësojë ritmet dhe këtë vit pritet të rritet me rreth 6.1 për qind. Lista vazhdon me të tjera ekonomi në zhvillim, e në mesin e saj gjendet Shqipëria. Sipas FMN-së, ekonomia shqiptare renditet e 75-ta ndër 190 ekonomi të botës për nga rritja ekonomike. Fondi parashikon se Prodhimi i Brendshëm Bruto në Shqipëri do të zgjerohet me 3.7 për qind këtë vit, duke lënë mbrapa vendet e tjera të rajonit. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, vendi me bilancin më negativ pritet të jetë Sudani Jugor.

Rritet 4 muaj vjetërsia në punë, si ndikon në masën e pensionit

Posted: 05 Jan 2017 08:00 AM PST

 

Ola Mitre

Me nisjen e vitit 2017 ndryshojnë kriteret për të përfituar pensionin e pleqërisë. Kjo pasi, sipas reformës, që hyri në fuqi në janar të vitit 2015, parashikohet një rritje graduale e moshës dhe vjetërsisë në punë, çka lidhet direkt me masën e pensionit. Rritja e moshës prek vetëm gratë, të cilat përgjatë vitit 2017 do të dalin në pension në moshën 60 vjeç e 6 muaj. Kjo pasi, me ndryshimet që iu bënë ligjit “Për sigurimet shoqërore” parashikohet një rritje e moshës së daljes në pension me dy muaj në vit, duke u bërë 63 vjeç në vitin 2032. Më pas do të nisë rritja e moshës edhe për burrat për të shkuar në 67 vjeç në vitin 2056, për të dy gjinitë. Por, ndonëse burrat nuk preken menjëherë nga zgjatja e moshës së daljes në pension, ata ndikohen nga rritja e viteve të vjetërsisë në punë. Kjo do të thotë se nëse një burrë, në dhjetor të vitit 2014 duhet të kishte 35 vite vjetërsi, nga data 1 janar 2017 duhet të ketë 36 vjet e 2 muaj. E njëjta logjikë vlen edhe për femrat, të cilave paralelisht me moshën u rriten edhe vitet e vjetërsisë në punë. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” zbardh sot tabelat me zgjatjen graduale të moshës dhe periudhës së sigurimit për pension për meshkujt dhe femrat, sipas kategorive përkatëse. Përmes këtyre tabelave, çdokush mund të shikojë me saktësi vitin, në të cilin do të dalë në pension sipas përllogaritjeve të reja si dhe vitet e vjetërsisë në punë, sipas të cilave mund të fitohet pensioni.
Masa e pensionit
Rritja graduale e vjetërsisë ndikon drejtpërdrejt në masën e pensionit të pleqërisë, duke qenë se është një prej përbërësve të formulës për përllogaritjen e tij. Sipas formulës së re, pensioni përbëhet nga një shumë bazë, që është e barabartë me pensionin social që është 6.860 lekë shumëzim vitet e sigurimit që ka çdo person, pjesëtim vitet e vjetërsisë në punë. Në këtë pjesë të formulës kemi ndikimin në uljen e masës së pensionit, duke qenë se pjesëtimi do të bëhet me një numër më të madh. Për shembull, nëse kemi një person me 40 vite punë, për të përllogaritur pensionin bazë duhet të bëjmë këtë veprim: 6.860×40/36 e 2 muaj = 7.580 lekë. Ndërkohë që përgjatë vitit 2016, baza e pensionit me këto të dhëna do të ishte 7.665 lekë, pra rreth 85 lekë më e lartë. Ndërkaq, pensioni përbehet edhe nga një shtesë që është 1% shumëzim vitet e sigurimit shumëzim pagën mesatare. Paga mesatare përllogaritet në bazë të pagave bruto të deklaruara ndër vite, të cilat indeksohen me koeficientët përkatës, për t’i aktualizuar me tregun. Kjo bëhet duke i mbledhur pagat e deklaruara bruto (pas indeksimit) për çdo muaj dhe duke i pjesëtuar me numrin e muajve, për të cilën janë derdhur këto paga. Pasi të kemi nxjerrë dhe vlerën e pagës mesatare, atëherë do të mund të përllogarisim dhe shtesën. Nëse supozojmë se kemi një person me 40 vite punë dhe me një pagë mesatare 45 mijë lekë atëherë, në bazë të formulës kemi: 1% x 40 x 45.000 = 18.000 lekë. Në total ky person, do të përfitojë: 7.580 + 18.000 = 25.580 lekë si pension pleqërie.

Arrestohet në Francë Ramush Haradinaj, fletarresti që në 2004-ën nga Serbia

Posted: 05 Jan 2017 08:00 AM PST

 

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është arrestuar ditën e djeshme në Aeroportin e Baselit, në pjesën franceze. Aeroporti Basel-Mulhouse ndodhet 3.5 kilometra në veriperëndim të Baselit në Zvicër dhe 20 kilometra në juglindje të Mulhouse në Francë. Mediat kosovare kanë thënë se ai është ndaluar nga policia për shkak të një aktakuze që daton nga viti 2004. Haradinaj është arrestuar në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar, të lëshuar nga Serbia. Ndërkohë, menjëherë pas ndalimit autoritetet franceze kanë njoftuar ato kosovare për arrestimin e tij. Familja e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar lajmin në media për arrestimin e tij. Familja e Haradinajt ka thënë për “RTK”-në se kreu i AAK-së është arrestuar në Francë, në bazë të një fletarresti ndërkombëtar, të lëshuar nga Serbia. Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha gjithashtu ka konfirmuar se Ramush Haradinaj është arrestuar jashtë vendit. Ajo ka bërë me dije se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet për lirimin e tij. “Është e vërtetë që është arrestuar lideri i AAK-së. Ne jemi duke marrë të gjitha masat që Haradinaj të lirohet sa më shpejt. Për këtë jemi duke punuar edhe me Ministrinë e Jashtme dhe ambasadat tona”, – ka thënë Hoxha. Ajo është shprehur se deri më tani nuk i di arsyet se pse është arrestuar Ramush Hardinaj nga autoritetet franceze. “Jemi duke punuar. Shumë shpejt do t’i marrim vesh edhe arsyet e këtij arrestimi”, – ka treguar ajo. Arrestimi i Ramush Haradinajt në Francë ka bërë bujë edhe në Serbi. Arrestimi i mëhershëm i liderit të AAK-së nuk ka vonuar shumë dhe është bërë lajm edhe në mediat serbe. Radio Televizioni i Serbisë citon mediat shqiptare duke thënë se “Haradinaj është arrestuar dhe gjendet në Paris”. Edhe gazeta serbe “Blic” ka bërë një lajm duke thënë se “Haradinaj është arrestuar me urdhër-arrest të Serbisë”.

Kur të nderojnë edhe ata që nuk të duan

Posted: 05 Jan 2017 08:00 AM PST

(Në vend të një urimi për 26-vjetorin e gazetës RD)

 

Astrit Patozi

 

Ka shumë njerëz në Shqipëri, që jo vetëm nuk e lexojnë, por as që duan të përmendet fare emri i 'RD'-së. Arsyet, përgjithësisht nuk janë profesionale dhe nuk kanë të bëjnë pothuajse hiç me nivelin e gazetës. Ato janë qartësisht politike. Duke e identifikuar me Partinë Demokratike, kundërshtarët e saj e kanë shumë të lehtë ta përjashtojnë dhe refuzojnë, por për fat të mirë, jo ta nxjerrin nga qarkullimi. Dhe kjo, sipas meje është një taksë që nuk ka pse ta bëjë të ndjehet keq gazetën, e cila me daljen e saj të parë më 5 janar 1991, shënoi njëkohësisht edhe lindjen e shtypit të lirë në Shqipëri. Mendoj se kjo para së gjithash është një mënyrë nderimi ndaj një date të shënuar, sepse RD-ja, pavarësisht historisë së saj të gjatë dhe plot zigzage, u krijua si një nevojë e fortë e shoqërisë shqiptare që e vërteta të mos ishte ekskluzivitet i një pale. Dhe pavarësisht debatit që mund të hajë, sot mund të pranohet pa shumë mëdyshje, se të paktën ai qëllim është arritur. Me gjithë sulmet e egra nga qielli, nga ajri dhe nga toka, qeveritë e kanë pasur deri tani të pamundur t'i burgosin mendimin dhe idetë e kundërta. Sado të jetë tkurrur prej goditjeve të forta hapësira e lirisë, është gjendur gjithmonë një oaz apo një dritare, ku e vërteta jo vetëm të thuhet, por edhe të shpërthejë. Betejat e dështuara të kryeministrit me shtypin, që nga dita kur erdhi në pushtet dhe sidomos lufta frontale e tij me portalet e "kazanit" tregojnë se kohëra të vështira kanë ardhur për ata që kanë zgjedhur të përcjellin zërin e opozitës. Jo thjesht të Partisë Demokratike, atë të gjithkujt që është i revoltuar dhe nuk e pranon këtë qeveri. Por është jashtë çdo dyshimi, gjithashtu, se mbijetesa e lirisë së shtypit dhe triumfi i saj është i garantuar. Ndaj mendoj se në gjithë këto vite tranzicioni të vështirë më çdo 5 janar "Rilindja Demokratike" vlerësohet dhe respektohet edhe nga ata që nuk e duan. Dhe kjo do të vazhdojë të bëhet pafundësisht, aq kohë sa të ekzistojë arsyeja pse RD u themelua, nevoja për të pranuar dhe dëgjuar kundërshtarin. Për shkak se kalova një kohë shumë me të, unë natyrisht kam shumë arsye për të qenë nostalgjik ndaj gazetës, siç jam tërësisht i vetëdijshëm për kufizimet e mëdha të saj, që lidhen kryesisht me statusin e vet të korracuar. Por edhe me sëmundje apo vështirësi të tjera, që ka kaluar dhe po kalon në përgjithësi shtypi shqiptar i këtyre viteve. Është e kotë dhe patetike t'i kërkohet një gazete partiake të ketë mbi supe përgjegjësinë dhe lavdinë e 26 vjetëve të shkuara, në kohën që për shkak të avancimit të teknologjisë, sot ndjehen të kërcënuar edhe gjigantët botërorë të informimit si "New York Times" apo "Le Monde". Por, kur qeveria e ngushton lakun për shprehjen e të vërtetës, duhet respektuar dyfish çdo platformë mediatike dhe çdo individ, që merr përsipër të sakrifikojë, sado modest qoftë ajo ose ai. Askush nuk mund të thotë sot se edhe sa do të vazhdojë historia e "Rilindjes Demokratike", pasi jo thjesht e ardhmja e shtypit partiak nuk është më një opsion, por sot duket e zymtë edhe vetë perspektiva e shtypit të shkruar kudo në botë. Mund të shkojë edhe dy vjet, ndoshta edhe më tepër, por mund të jetojë edhe shumë më gjatë, kjo nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme është që, sado kohë të kalojë, dhe cilido qoftë fati i gazetave në botë, ajo do të kujtohet gjithmonë si dita e parë e lirisë për të thënë të vërtetën në Shqipëri. Dhe ne që e kemi zakon të ndahemi për shumë data, të paktën për 5 janarin do të biem përherë të gjithë dakord. Si ne që e duam, por po ashtu edhe ata që nuk e pranojnë fare gazetën "Rilindja Demokratike".

 

 

Tahiri: Sekuestruam 47.6 mln euro pasuri kriminale

Posted: 05 Jan 2017 08:00 AM PST

Xhensila Kodra
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri bëri dje publik bilancin e vitit të shkuar për Policinë e Shtetit. Duke e cilësuar 2016-ën si “një vit të konsolidimit të punës së policisë në luftën kundër kriminalitetit”, Tahiri tha se në duart e policisë kanë rënë edhe “të paprekshmit” apo “peshqit e mëdhenj”. “Gjatë vitit 2016 janë sekuestruar 47.6 milionë euro pasuri kriminale dhe asete kriminale. Unë kam dëgjuar shpesh të thonë se policia merret me të varfrit, se ligji vlen për ata që s’kanë miq. Se ‘peshqit e mëdhenj’ nuk duken gjëkundi në radarët e policisë dhe agjencive ligjzbatuese”, – theksoi ministri Tahiri, ndërsa shtoi më tej se janë sekuestruar edhe llogari bankare, apartamente, biznese dhe pasuri të paluajtshme. “Në tri vitet e fundit, shuma e pasurive dhe e vlerës së aseteve kriminale dhe llogarive bankare të sekuestruara kap shifrën 100 milionë euro. Dhe në këtë kuadër, autorë, në përgjithësi, të arrestuar për korrupsion janë 933. Ndër ta edhe zyrtarë jo pak, veçanërisht në drejtësi, në pushtetin vendor, në dogana, në OSHEE, në administratën e Burgjeve, në Tatime, në Arsim dhe në çdo fushë që sipas vlerësimit të Policisë dhe agjencive ligjzbatuese përbën rrezik të lartë për korrupsion”, – sqaroi ministri, teksa pohoi se Shqipëria në vitin 2016 ishte më e sigurt dhe me më pak ngjarje kriminale.
Statistikat
Vitin e shkuar ka pasur gjithsej 33.805 vepra penale. Sipas ministrit, kjo shifër është më e ulët se në vitin 2015. “Janë proceduar penalisht 31.220 autorë, pra shtetas, nga të cilët 10.068 janë ndaluar ose arrestuar nga Policia e Shtetit. Janë kapur 2.211 persona të shpallur në kërkim për vepra penale të kryera këtë vit ose më parë, kryesisht për vrasje, terrorizëm, krime kundër personit, krime në fushën e krimit të organizuar dhe krime kundër pronës. Janë gjithsej 277 operacione policore, nga të cilat thuajse 60 janë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Vetëm me INTERPOL dhe EUROPOL janë gati 15.000 informacione të shkëmbyera. Janë arrestuar 120 persona me qëllim ekstradimi drejt vendeve të tjera dhe gati 90 persona me qëllim ekstradimi nga vende të tjera drejt Shqipërisë”, – tha ministri Tahiri. Gjatë vitit 2016, Policia e Shtetit ka trajtuar 87.090 konflikte. “Një problem jo i vogël për ne gjatë vitit 2016 dhe një kambanë jo e vogël alarmi për vitin 2017 është dhuna në familje. Gjatë vitit 2016 janë 3.695 raste të dhunës në familje. Janë realisht shumë për vendin tonë. Dhe janë proceduar 3.845 autorë, ndër të cilët gati 1.000 të arrestuar”, – tha Tahiri. Po sipas tij, një çështje tjetër madhore është edhe armëmbajtja pa leje, për të cilat qytetarët kanë afat deri më 30 prill që t’i dorëzojnë vullnetarisht. “Janë 1.049 vepra penale. Të proceduar janë 1.194 persona për armëmbajtje pa leje vetëm gjatë një viti, 2016-ës. Janë 1.194 persona të arrestuar për armëmbajtje pa leje gjatë vitit 2016. Ndaj dhuna në familje dhe armëmbajtja pa leje do jenë dy prioritete madhore të punës sonë gjatë vitit 2017”, – tha ai. Sipas ministrit, numri i vrasjeve në familje ka pësuar ulje, por është ende i lartë në përqindjen që zë në numrin e të gjitha vrasjeve që ka në Republikën e Shqipërisë. “Gjatë vitit 2016, për të dytin vit radhas, është regjistruar numër më i vogël vrasjesh krahasuar me çdo vit të 25 viteve të kaluara. Janë gjithsej 71 vrasje, që janë shumë më pak sesa çdo vit në të kaluarën, përjashto vitin 2015. Ndërkohë që, gati 75% të vrasjeve në vendin tonë, janë për 3 motive: familjare; të pronësisë; motive të dobëta, pra vrasje të çastit”, – sqaroi më tej ministri i Brendshëm. Po ashtu, në bilancin e vitit të shkuar të Policisë së Shtetit ka rezultuar se vjedhjet me armë janë 60% më pak krahasuar me vitin 2015 dhe mbi 100% më pak krahasuar me vitet e tjera të së kaluarës, kurse vjedhjet e banesave janë gati 15% më pak. Janë 883 punonjës policie në procedim disiplinor dhe penal gjatë vitit 2016. Gjithashtu, ministri u ndal edhe tek ata qytetarë që duan të ndryshojnë adresën e vendit ku banojnë, për të cilët ka një afat 6-mujor, që nis nga muaji janar i vitit 2017, dhe pas qershorit të këtij viti, do të ketë gjobë për të gjithë ata që nuk ndryshojnë adresën e vendbanimit.

22-vjeçari u vetëvar në burg, prindërit: Kërkojmë drejtësi

Posted: 05 Jan 2017 08:00 AM PST

 

LUSHNJE

Një 22-vjeçar nga fshati Kolonjë i Lushnjës i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në ambientet e Burgut të Rrogozhinës. Mësohet se të martën, Estref Halili u gjet në gjendje të rëndë në tualet nga shokët e tij, të cilët më pas njoftuan rojet e sigurisë. I riu u dërgua urgjentisht në spitalin e Rrogozhinës, ku dhe vdiq pak kohë pas mbërritjes atje. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se Halili ishte arrestuar më 22 dhjetor të vitit që shkoi, pasi në automjetin e tij tip "Volkswagen", me targa AA 642 DA, që ai drejtonte, iu gjet dhe iu bllokua në cilësinë e provës materiale një dozë lëndë narkotike (kanabis sativa) dhe një thikë. Po të njëjtat burime pohuan se më 26 dhjetor, i riu ishte transferuar nga paraburgimi i Fierit në qelitë e Burgut të Rrogozhinës. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, blutë kanë nisur hetimet, ndërsa ende nuk dihen shkaqet që çuan 22-vjeçarin në marrjen e vendimit ekstrem. Sipas policisë, viktima ishte dënuar më parë për veprën penale "Prodhim dhe shitje të narkotikëve" dhe se ishte liruar me kusht nga Burgu i Kosovës në shkurt të vitit të kaluar, pasi kishte kryer 2.5 vjet burg nga dënimi i dhënë. Ndërkohë, vdekja e 22-vjeçarit ka tronditur familjarët e tij, të cilët fajësojnë shtetin në lidhje me këtë ngjarje. E ndërsa kanë hapur dyert e mortit, ata deklaruan se shkak i vetëvrasjes së djalit të tyre është bërë një dënim i pamerituar. Prindërit e viktimës u shprehën se Estref Halili përfundoi sërish në qeli për një cigare hashash. Ardian Halili i bëri apel shtetit që të rishikojë dënimet për përdoruesit e hashashit, pasi kjo gjë i kushtoi jetën djalit të tij. "Trafikantët e vërtetë enden të lirë, ndërsa im bir nuk kishte mbushur një vit që ishte liruar nga burgu, por u arrestua sërish për të njëjtën akuzë, pasi u kap duke përdorur një cigare hashash. Djali i ka dhënë fund jetës për shkak të tronditjes psikologjike", – tha babai i 22-vjeçarit.
BABAI I VIKTIMES
"Djalin e arrestuan pak ditë para Vitit të Ri, pasi e kapën në makinë duke tymosur një cigare hashash. Ai ishte arrestuar edhe më parë. Shteti i dha dënimin që ai nuk e meritonte, 5 vjet dënim për 3 gramë hashash që e përdornin 3 veta. Estrefi e mori përsipër dhe e dënuan 5 vjet. Tani e kapën sërish për një cigare hashash. Ai nuk ishte trafikant, ndërsa i kishin thënë se 'do të marrësh dënim akoma më të rëndë pasi je përsëritës'. Policia dhe shteti duhet të kapë ata që transportojnë drogë me kamiona apo maune dhe jo këta që janë adoleshentë që marrin një cigare hashash për të pirë dhe të dënohen dhe arrijnë deri sa të vetëvriten", u shpreh Ardian Halili. Sipas babait të 22-vjeçarit, frika nga një dënim më i rëndë e çoi djalin e tij në ndërmarrjen e vendimit ekstrem. "Po merrte dënimin e dytë rrezik, ndaj dhe im bir i dha fund jetës", – u shpreh Halili.

Related Posts :